NJË VIT ME PËRPJEKJEN 26-27

nga Eda Derhemi

Prolog

Perçapjet për numrin 26 -27 të Përpjekjes mbi mërgimin e shqiptarëve pas vitit 1990, nisën në fundvitin 2009.

Sapo kisha përfunduar një shkrim të zgjeruar mbi dukuritë kulturore dhe reagimet social-psikologjike të brezit të parë të emigruar, me fokus tek emigrantët shqiptarë që kishin ardhur në ShBA pas 90-ës. I kalonte 20 faqet, ndaj nuk ishte e thjeshtë ta botoja në një të përditshme pa e sakatuar thuajse krejt. Për fat të keq, Shqipëria është e varfër në revista shkencore apo social-kulturore që lejojnë formatin e gjatë. Mendova se shkrimi ishte i përshtashëm për një revistë të tipit të Përpjekjes, të cilën e njihja pak a shumë. Kisha vënë re se, sido që numrat e Përpjekjes i përmbaheshin një teme bazë, përfshinin shpesh shkrime apo copa letrare që veç tërthorazi, e ndonjëherë aspak, lidheshin me temën themelore. Mendova se mund të kish hapësirë edhe për timin. Gjithashtu, përderisa shkrimi im nuk ishte i një natyre strikte akademike, sido që në disa pjesë të tij ndiqte pikërisht këtë stil, mendova se do t’i përshtatej më fort audiencës relativisht të gjerë (jo në numër, por në specializim) e shumëllojëshe që informon revista Përpjekja.

Një mëngjes i shkrova Fatos Lubonjës, të cilin nuk e njihja veçse sa e njeh çdo shqiptar, dhe e pyeta nëse kish interes dhe vend për shkrimin tim në ndonjë numër afër botimit. M’u përgjigj brenda orës (një kusht komunikues ky i domosdoshëm që Lubonja e kënaq mirë, pa të cilin nuk do kisha punuar dot kurrë për përfundimin e numrit) dhe tha, se shkrimi i pëlqente, por nuk kish asgjë në dorë për momentin ku të mund ta përfshinte. Shtonte se tema e emigracionit nuk ish trajtuar ende nga Përpjekja, dhe se ideja e krijimit të një numri për të, e tërhiqte. Më numëronte vështirësitë e Përpjekjes dhe faktin se, kohët e fundit, dalja e saj e rregullt qe bërë edhe më problematike, si dhe mungesën e kohës së tij personale për të ndjekur revistën. Më pyeste nëse mund të gjeja disa autorë të tjerë që ishin marrë me këtë çështje dhe që mund të përfshiheshin në numrin e ri, ende vetëm potencial.  I thashë që, nëse ishte dakord, mund të punoja si guest-editor për numrin, të bëja një plan të projektit ideor, si dhe të shkrimeve dhe autorëve, dhe një farë skice paraprake të numrit. Pa dyshim i dërgoja edhe një resume të punëve të mia redaktoriale dhe akademike lidhur me temën. Të dy kërkuam disa ditë për t’u menduar: Fatosi që të bisedonte me grupin e Përpjekjes, të konsideronte këtë mënyrë të re të zhvillimit të revistës me guest-editor, si dhe hyrjen time në valle; dhe unë doja kohë për të bërë një plan dhe konsultuar burime të ndryshme, si dhe doja të peshoja përsëri nëse do kisha kohë që, veç kusureve e kënaqësive të tjera, të merrja një tjetër kungull nën sqetull, një kungull rëndesën e të cilit e konsideroja më të lehtë sesa më doli. Idetë e mia atij momenti ishin që, në pak muaj numri të ishte gati. Plani im ishte të kërkoja punime që ishin në proces ose të paramenduara mirë, dhe që, së fundmi, do donin jo më shumë se 2 muaj për dorëzimin e tyre përfundimtar. Duhet të them se në këtë pikë Fatosi u përpoq disa here, duke u kujdesur që të mos më fyejë, të më ulte këmbët në tokë, dhe më tha se në kushtet e Shqipërisë shpejtësia, entuziazmi dhe pritshmëritë e mia nuk ishin fort realiste. Më bezdiste kjo pjesë e tij, por e vërteta është se numri mori një vit plot që të përgatitej. Por ndoshta pa atë energji fillestare, mund të mos ia kisha dalë deri në fund. Pra, kështu ramë dakord, dhe nisi rrugën numri 26 -27 i Përpjekjes (që, deri me datën 25 dhjetor, unë e dija se ishte thjeshtë numri 26).

Puna për ndërtimin e numrit

Si guest-editor parimet themelore që kam ndjekur ishin: të krijoj nje numër që, brenda mundësive,  të përfaqësojë sa më mirë temën që ka marrë përsipër të trajtojë; të kem një komunikim të hapur, miqësor dhe shkencërisht kritik e produktiv me të gjithë kontribuesit e numrit; të respektoj parimet mbi të cilat është bazuar Përpjekja si revistë, duke u përpjekur të sjell diçka pozitive në zhvillimin e saj. Për këto, më është dashur të jem në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë autorët si dhe me Fatos Lubonjën, me periudha më të qeta, si vera, dhe të tjera më intensive, si fillimi dhe fundi i punës. Njihja drejtpërdrejt veç pak nga ata që tani janë bashkëpunëtorët e numrit. Por si emra e si fusha, i njihja pak a shumë të tërë. Nisa të kërkoja intensivisht në Internet çdo gjurmë lidhur me punë akademike dhe ese mbi emigracionin tonë. Pyeta të gjithë miqtë e kontaktet nëpër botë e në Shqipëri  të më furnizonin emra kërkuesish dhe autorësh letrarë për temën si dhe materiale. Për mua personalisht, pjesa më sfiduese ishte ajo e poezive dhe prozës artistike për emigracionin, që e njihja më pak sesa emrat e shkollarëve në fushë. Duhet të nisja nga një kriter, dhe mendova se më e thjeshtë e orientuese do ishte të ndiqja kriterin gjeografik, pra studimet të bazoheshin pak a shumë në një hartë të vendeve kryesore në të cilat kishin emigruar shqiptarët.

Kam bërë një llogari të përafërt për punën për këtë numër të Përpjekjes: rreth 600 emaile të miat, kryesisht me ata që u vendos të bashkëpunonin për numrin, pak prej të cilave me autorë që u skualifikuan për arsye të ndryshme në proces. Shto edhe një minimum prej 600 mesazhes që vijnë si përgjigje.  Vetëm me Fatos Lubonjën kam pasur rreth 480 këmbime, sipas memories së sistemit të yahoo-së. Në këtë moment togu ‘revista Përpjekja’ referon në 616 mesazhe, ndërkohë që në shumicën e komunikimeve me autorët, emri i revistës nuk kish pse përmendej fare. Disa nga mesazhet janë pak rreshta, e disa janë disa faqëshe. Nuk përllogaris dot kohën e shpenzuar mbi komputer, dhe atë të të menduarit, që është kryesorja sipas meje. Kjo e gjitha, pa llogaritur punën për hulumtim autorësh, çështjesh që duheshuin trajtuar, lexime dhe përkthime që duheshin për numrin, dhe pa llogaritur punën për shkrimet e mia. Me disa autorë më është dashur të bëj pak punë, ndoshta veç për të vendosur se cili shkrim I tyre të futej në numër, si dhe çështje të gjatësisë, organizimit në nënkapituj dhe mënyrës së citimit në to. Për disa shkrime të tjera është dashur më shumë punë për sqarimin e disa ideve të shprehura në shkrim apo argumentimin e opinioneve, shkurtime rrënjësore shkrimesh shumë të gjata, apo adaptimin e teknikaliteteve të larta e specifike të një fushe, për një audiencë relativisht të paspecializuar. Rreth dhjetë përçapje me autorë të ndryshëm, kanë dështuar, dhe autorët nuk janë futur në numër ose nuk kanë mundur të bashkëpunojnë. Sidoqoftë shumicës së autorëve u kam dhënë feedback të gjerë me aq sa kam mundur për çfarë shkonte mirë, e çfarë ishte e paplotë a e paqartë në një shkrim të prezantuar, kjo edhe për autorë që nuk u futën në numër.  Gjëja më e frytshme e këtij komunikimi ka qenë marrëdhënia e ngushtë me kontribuesit: Të gjithë kanë ndihmuar dhe janë përfshirë në çdo hap të punës, që nga përzgjedhja e autorëve, deri tek diskutimi i çështjeve dhe mungesave të ndryshme zgjedhjes së terminologjisë në shqip, që ka vazhduar përgjatë gjithë vitit, deri tek vetë përkthimet, të cilat nuk do mund të kryheshin pa ndihmën e shumë prej autorëve të numrit.

Përsa i përket marrëdhënies me Fatos Lubonjën për nxjerrjen e numrit, ai ka qenë i pranishëm gjatë gjithë procesit. E kam mbajtur në korrent me çdo zhvillim duke i shpjeguar psenë dhe logjikën e vendimeve të ndryshme, sepse kjo për mua është kusht themelor i punës për një guest-editor, dhe sepse Fatosi ka ndihmuar procesin e ndërtimit të numrit që nga seleksionimi i autorëve, deri tek editimi përfundimtar i formës. Ndërkaq, ai nuk ka ndërhyrë në përmbajtjen e shkrimeve, dhe as në formësimin apo përmirësimin e secilit prej tyre sipas nevojave të Përpjekjes, me të cilën jam marrë unë. Pa dyshim që në këtë proces kemi diskutuar shumë, dhe ndonjëherë edhe me fërkime të vogla, por kam përshtypjen se kanë rezultuar duke e përmirësuar numrin. Psh, ideja ime për organizimin e shkrimeve sipas një kriteri gjeografik sipas sasisë së emigracionit të tërhequr, u modifikua nga Fatosi që sugjeroi nisjen e numrit me Italinë dhe jo me Greqinë, për hir të rëndësisë simbolike të Italisë në imazhin kolektiv të shqiptarëve të socializmit, si destinacion themelor në një të ardhme të lirë. Me këtë unë rashë dakord, dhe kështu u bë. Ose, në një pikë të avancuar të përgatitjes së numrit, Fatosi u ankua se kisha përzgjedhur më shumë shqiptarë dhe më pak të huaj, dhe tha se të huajt shohin probleme që ne nuk i dallojmë ose që i fshehim. Me këtë ide, unë pajtohem filozofikisht, por aspak në rastin konkret, sepse autorët e zgjedhur, siç i thashë edhe Fatosit,  janë të tillë që për nga natyra personale dhe për nga trainimi kritik akademik, kryqëzojnë veten madje edhe nënë e babë në analizë. Por ky ishte një kriter ndryshimin e të cilit Fatosi nuk e toleronte. Atëherë vendosa t’i hap rrugë (unë jam ‘guest’), por ta shfrytëzoja këtë për ta përmirësuar numrin; kështu u lidha me dy nga autorët e huaj që sugjeroi Fatosi (të cilët janë të dy autorë seriozë që i njihja mire që më parë), dhe mora prej tyre shkrime që nuk do shtonin veç anën sasiore me dy artikuj më shumë, por që sillnin dy pikëvështrime të reja. Veç kësaj, vendosa të sillja një tjetër autor të huaj që i bënte një vështrim tërësor gjithë emigracionit shqiptar të pas 1990-ës pa dallim gjeografik, për të hapur numrin. Besoj se në gjendjen e tanishme numri është më i mirë sesa do ishte pa to. Këta janë vetëm dy shembuj, por komunikimi me Lubonjën ka qenë i pandërprerë gjatë gjithë procesit për krijimin e numrit. Nëse Përpjekja do ndjekë këtë linjë pune me guest-editor në të ardhmen (që unë personalisht e rekomandoj fort), për ata që do të punonin më pas, do përmblidhja kështu eksperiencen time në komunikimin me Fatosin: Jo gjithnjë i lehtë në komunikim, por i hapur ndaj ideve të ndryshme prej të tijave nëse punon për ta bindur apo i shpjegon keqkuptimin; shumë i qartë (dhe i patundur) për imazhin, qëllimet dhe rolin e revistës së vet, por shpesh këto ide duhet ose t’ia marrësh me mend nga njohja praktike e revistës, ose nga komunikimi me të, sepse nuk janë të shkruara gjëkundi; i drejtpërdrejtë dhe operativ në komunikim, sido që mund të injorojë disa nga problemet në emaile të gjata e interpretative. Në këto raste, pa dyshim duhet insistuar duke ia bërë më shpesh sesa një herë të qarta pyetjet apo problemet; tejet i ndershëm në komunikim. Nuk kam ndierë asnjëherë vogëlsira apo prapaskena komunikuese: What you see is what you get! Së fundmi, revista ka një lidhje të pashkëputshme prej tij si emër i papërlyer dhe si segment jo integral, madje kritik i mendimit institucional shqiptar. E di që shumë shqiptarë ankohen se shfaqet shumë shpesh në TV apo nëëpr gazeta, por kjo s’ka lidhje me vlerën e ideve që ai shpreh dhe as me Përpjekjen. Prania e tij vëzhguese dhe kritike i vlen revistës. Është vetëm në dobi të revistës që kjo të mbetet kështu, jo veç sepse bashkëpunëtorët rendin të kontribuojnë pikërisht për këtë arsye, por sepse ky kusht e mban gjallë Përpjekjen si një tribunë të veçantë ideore në Shqipëri. Pa Lubonjën revista do pushonte së ekzistuari.

Pa kaluar në pjesën e tretë të këtij shkrimi, duhet të them se, veç Fatosit, kam komunikuar për hir të punës edhe me dy punonjës të tjerë të Përpjekjes, që, pa u dukur, bëjnë të mundur daljen e suksesshme të revistës. I admiroj të dy për qetësinë, racionalitetin dhe njerëzillëkun në komunikim, si dhe për ndihmën pa cak që përpiqen të të japin në punë. Më duken cilësi aq të rralla në Shqipërinë e sotme, dhe më japin shpresë.

Epilog: Probleme për t’u zgjidhur dhe të mirat e këtij numri

A ka dalë numri tamam siç do doja të ishte? Pa dyshim që jo krejt. Do doja një njësim formal më të mirë të numrit, që nga korrektimi i njëtrajtshëm i materialeve (që jam përpjekur ta bëj sa më ka lejuar koha, por që nuk është absolut), deri tek kriteret formale të përshkrimit të autorëve, citimit, bibliografisë, dukjes së shkrimit etj. Në punë të tjera paraprake me revista ndërkombëtare si guest-editor, me korrektimin apo kontrollin përfundimtar të bibliografisë, është marrë një personel i veçantë, pasi unë kisha ndërtuar numrin dhe furnizuar artikujt e zgjedhur e të përpunuar në gjendjen përfundimtare. Por, për kushtet e veçanta dhe financat e Përpjekjes, këtu më është dashur ta bëj kryesisht vetë këtë punë. Dhe këtu ka disa probleme, shkaktuar sidomos  nga distancat disa herë të gjata mes punës me shkrime të ndryshme. Një ndryshim që do ta përmirësonte e lehtësonte punën e një guest-editor-i në të ardhmen, do ishte hartimi i një guide të qartë e të detajuar për gjithë autorët kontribues në numër, ashtu edhe për guest-editor, si dhe një guidë e detajuar formati. Këtë Fatosi dhe grupi i Përpjekjes duhet ta ndërtojnë, nëse vendosin ta çojnë revistën në këtë drejtim. Guest-editor do ndihmohej shumë edhe nëse do kish një ‘mission statement’ të plotë e konkret për revistën. Edhe ky duhet hartuar qartë që të mos i lihet hapësirë as hamendjes dhe as dyshimit, dhe të mos humbet kohë me punë dyfishe.

Një problem me të cilin jam ndeshur në faza të ndryshme të punës, ka qenë pajtimi i audiencës, që çdo guest-editor duhet ta mbajë parasysh papushim, me natyrën e shkrimeve. Që në letrat e para që u kam shkruar bashkëpunëtorëve, jam përpjekur t’i mëshoj faktit që shkrimet duhet të përdorin gjuhë të kuptueshme, dhe të mos rëndohen me bibliografi apo citime shumë të shpeshta që janë të domosdoshme veç në një revistë ekskluzivisht dhe rreptësisht akademike. Shumë nga autorët i përshtatën formën dhe gjuhën e shkrimeve për një audiencë më të gjerë. Por, teksa kaloi një vit, dhe shkrime të reja, herë-herë me terminologji tejet special e të pakuptueshme për publikun, u përfshinë në numër, kjo kërkesë e imja fillestare u zbeh disi, dhe, në disa nga shkrimet (përfshirë timin që e sakrifikova dhe e kam lënë thuajse pa bibliografi që të mos bezdis lexuesin, dhe që tani duket ndryshe nga të tjerët për këtë arsye), nuk gjeta dot të mesmen e artë midis skrupolozitetit akademik dhe qartësisë e thjeshtësisë së domosdoshme për një lexim audiencash të edukuara, por jo të specialitetit.

Nga ana e përmbajtjes, do doja të kisha pasur disa shkrime më shumë, por e mira s’ka fund, dhe numri duhej nxjerrë. Nga ana gjeografike, do më kish pëlqyer të përfshija një shkrim që trajtonte një çështje të veçantë (ose një pasqyrë të përgjithshme) nga emigracioni shqiptar në Kanada, dhe një për Gjermaninë; do doja të kisha një tjetër shkrim për marrëdhëniet mes emigracionit të vjetër të Paraçlirimit, dhe atij të sotmit, në mënyrë krahasuese në vende të ndryshme ose në një ‘case-study’ të veçantë; do doja një shkrim për rolin e gruas emigrante në procesin e integrimit në vendin e ri të shqiptarëve; së fundi, do doja së paku dy shkrime për letërsitë në gjuhë të ndryshme nga shqipja, dhe publikët e rinj të kësaj letërsie, të prodhuar nga brezi i parë i emigracionit shqiptar pas 90-ës dhe fëmijët e tyre. Por kjo e fundit, mund të ishte një temë shumë interesante për t’u trajtuar nga një numër i tërë i Përpjekjeve të ardhshme.

Dhe, pa dyshim, sfida themelore në një numër si ky, ka qenë përkthimi. Pa ndihmën e shumë prej autorëve pjesëmarrës në këtë numër, diskutimeve me ta për terminologjinë, dhe kalimeve shumëfishe që u kam bërë vetë shumë përkthimeve, numri do kish qenë gjysmak. Përkthimi i një terminologjie që është e ditëve të fundit në shkencat e ndryshme shoqërore që lidhen me çështje të emigracionit, dhe vetë gjuha dhe stili i përpunuar akademik që në anglisht ka avancuar shumë, e vë shqipen, që për pesëdhjetë vjet nuk e ka ndjekur as mendimin dhe as terminologjinë shkencore moderne të fushave shoqërore, në një pozicion shumë të pafavorshëm. Kjo është zgjidhur  në numër duke mos qenë puristë, por në të njëjtën kohë duke lejuar transparencën e kuptimit shqip, duke ndërhyrë me shumë shpjegime të termave nga përkthyesi në fund të faqes, dhe duke lejuar bashkëjetesën e termave të ndryshëm, pa e njësuar krejt përdorimin e tyre. Pjesë të këtij problemi i kam trajtuar në hyrjen e përgatitur për numrin.

Së fundmi, duhet të shtoj se duhet gjetur një formë më e mirë publiciteti për revistën, pa kaluar në komercializim të saj, dhe një mundësi e re për përmbushjen e kërkesave të një numri lexuesish më të madh sesa tirazhi i tanishëm i botimit. Leximi online kundrejt një pagese si dhe shpërndarja më e mirë jashtë Shqipërie duhen konsideruar. Për vetë tematikën e këtij numri, kërkesat për ta blerë revistën do jenë shumë më të mëdha jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz më kanë shkruar pas botimit për të më kërkuar numrin, por nuk e kam idenë ku t’i drejtoj. Artan Puto është ndërkaq i mbuluar nga mesazhet e vetë autorëve të numrit me të cilët po kryen mbylljen e marrëdhënies së tyre me këtë numër të revistës. Gjithashtu, ai nuk do kish as mundësi fizike (edhe sikur të mos kish punë tjetër) t’u përgjigjej një për një kërkesave të audiencës së gjerë, për furnizim me numrin e ri. Pa dyshim, zgjidhja e këtyre problemeve, në vetvete kërkon mjete financiare. Por kjo do plotësonte misionin e vërtetë të një reviste që synon të ndryshojë opinione dhe thyejë klishe institucionale duke emancipuar kulturën shqiptare. Kusht elementar për këtë është pikërisht ekspozimi i audiencave ndaj revistës.

Gjithsesi, çfarë zhvillimi pozitiv që mund të mbahet dhe çohet më tej në numrat e ardhshëm, sjell ky numër i Përpjekjes sipas mendimit tim? Së pari, kohezion ideor gjithëpërfshirës e pa ndërprerje të shkrimeve, të cilat duket se plotësojnë mirë njëri-tjetrin, i mëpasmi si vazhdim logjik i idesë së shkrimit paraprak; mbulim më të balancuar e relativisht më të madh të fushës tematike të paracaktuar; njësim tematik të çdo elementi përfshirë në numër, pavarësisht nga lloji dhe zhanri; lexueshmëri më të lehtë për hir të shpërndarjes sipas një vije logjike dhe estetike ritmike të tematikës dhe formës, sheshit të pushimit poetik, lëvizjes nga proza akademike në atë eseistike, apo letërsi artistike; e, së fundi, përzgjedhje të ekuilibruar dhe përfaqësuese të autorëve sipas eksperiencës në fushën tematike, origjinës, seksit, etj (këtë e sqaroj më gjatë në hyrjen e përgatitur për numrin).

E mbyll sa ju dëfteva, duke thënë se Përpjekja, edhe në këtë numër, është siç e thotë vetë emri i saj, një përpjekje; përpjekje dhe sakrificë e bërë nga të gjithë ata që shkruajnë e punojnë për të, me dëshirën që të mbahet gjallë në Shqipëri një tribunë ideore avant-garde dhe hapësirë mendimi të lirë, ende politikisht e pakomprometuar dhe ideologjikisht e pakomercializuar.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Nuk ka komente

  1. Dy fjale biografike, ketu per autoren Eda Derhemi, do lehtesonte gjithashtu ne leximin e ketij shkrimi relativisht te gjate, pasi ate (element biografik) qe mendoj te redaktonte per arsye teknike nga botimi ne “Perpjekja” shoh ta kete bere edhe ketu.

  2. Pata rast ta shfletoj per ca kohe ne Tirane numrin ne fjale te Perpjekjes por, ne pamundesi per ta patur me gjate nej kopje e te perfundoja leximin e tere artikujve, krijova nje pershtypje, te percipte, e me gjase edhe te gabuar, se orvatja e editorit ne perzgjedhjen e artikujve e mbante kahun drejt nje deshire per te mbuluar gjeografikisht vendndodhjet e emigranteve, dhe, brenda ketij kriteri, edhe kapercimet nga artikuj analitike ne ato statistikore e deri artistike, me teper se larmi, krijonin boshllek duke u ndenjur larg atyre temave qe mund te perkufizojne me gjeresisht emigracionin shqiptar. Sidoqfte, eshte nje “perpjekje” per t’u lavderuar per temen qe zgjedh.

    Pa u ndalur thelle, gjeta aty edhe shkrime me interes, nga ku vecoj si te shkelqyer ne teme e trajtim ate te Vehbiut, te cilit, me nje sy te shpejte, besoj se e rigjeta pasi e kam lexuar disa vite me pare ne shtypin shqip ne Itali, ne nje permbledhje ne 15 vjetorin e eksodit. Nje pyetje, (publike 😉 xhaxha: nese eshte i njejti artikull qe besoj se kam lexuar dikur, eshte vullneti yt apo i editorit per t’i ndryshuar titullin nga “Fidanishtet e dhunes” ne “Fidanishtet e dhimbjes” ?. Ne njefare menyre, ndryshimi i titullit besoj ndryshon edhe kendin e leximit me te cilin shkrimi i ofrohet lexuesit. L.

    1. Në fakt gjithnjë kam dashur ta rititulloj atë shkrim, madje qëkur e pata dërguar atëherë për botim. Zhvendosja fillestare, nga dhimbjadhunë mund të merret edhe si lapsus (detyrimisht freudian).

      1. Ndjese, Edrus, por nuk e kuptoj komentin tend. Dhe as kete tropin e topit.

    2. Mendoj se te gjithe artikujt ne numer jane analitike ne thelb e ne teresine e vet. Ndoshta kjo eshte gjeja themelore e ketij numri ne krahasim me “raportet” dhe jo analizat, qe paraprakisht kane qarkulluar neper Shqiperi dhe institucione nderkombetare. KJo mua me eshte dukur nje merite e numrit, dhe kam synuar pikerisht kete. Madje do doja, qe krahas tyre, te kishim me sh shifra, dhe kerkimet cilesore (jo ne kuptimin ‘me cilesi’, por ‘qualitative research’) te rrinin krah atyre sasioreve. Do doja te kishim ca me shume perpunime statistikore shperndare neper artikuj per hir te rendesise se numrave ne vete tiparet qe zhvillon emigracioni. Vec shkrimit te Devoles per Italine, te tjeret jane analiza dukurish qe pak lidhen me statistikat. Por nje numer nuk mbulon dot gjithcka. Me vone, jam e sigurte qe pune te reja plotesojne mangesite.

  3. Vazhdoj të habitem me sygjestionimin që kanë disa intelektualë ndaj ndokujt … duket sikur duan të përfitojnë nga “fama e dikushit” për të patur vizibiletetin që meritojnë.

    Është për të ardhur keq që, punime dhe studime, të bëra me shumë punë dhe mund, të reduktohen/redaktohen për t’ju përshtatur një reviste.
    Është për të ardhur keq gjithashtu, që puna, e Edës dhe autorëve të tjerë, të mos përmblidhej në një libër me gjithë artikujt e plotë… të paktën, një të nesërme do të kishin një publikim më tepër në bibliografinë e tyre (ndërsa artikujt në revista, nuk e di se sa do të mund të konsiderohen si referenca në biografinë e tyre publicistike).

    Nuk e di se pse më erdhi ndërmend filmi “Tomka me shokët e tij”… ndoshta ngaqë doja t’ju këshilloja: bëni më mirë një top lecke dhe luani për qejfin tuaj dhe mos i shkoni pas gjithkujt që ka një top llastiku…

    1. Me ka pelqyer ideja e botimit te shkrimeve (jo vec e atyre te Perpjekjes, por edhe e ca te tjereve bashke me ta) si nje vellim me vete e jo ne kuadrin e nje reviste, dhe e kam sugjeruar qe ne fillim te punes. S’me ka dhene kush xhevap ne kete pike. Normalisht, duhet te te afrohet nje botues pasi shkrimet kane dale, ose te shkosh ne kerkim te nje botuesi. Numri i kopjeve te botuara dhe shperndarja e reklamimi i tyre, jane ndermarrje financiare qe mund te perballohen nga struktura botuese me te ardhura me te medha sesa Revista Perpjekja. Fatkeqesisht une nuk kam kohe te kerkoj botues, dhe nuk di as cilat jane rregullat dhe detyrimet zyrtare per mundesine e ribotimit te nje vellimi qe paraprakisht eshte botuar nen kornizen e nje reviste.
      Per punen e “topit te llastikut”, Edrus, dihet qe botimet ne Shqiperi e ne shqip, te cfaredolloji qofshin ato, praktikisht, nuk i hyjne ne pune asnje studiuesi apo shkrimtari inkuadruar ne nje institucion te huaj (sidomos akademik). Nuk e llogarit dot si nje pune qe te shton piket drejt avancimit profesional, sido qe mund ta permendesh ne CV. Puna eshte qe ka nje dimension moral dhe emocional per cdo autor, perfshire edhe te huajt, per te cilin botimi ne shqip e sidomos ne nje reviste pa perlyerje partiake, eshte i rendesishem. Praktikisht, vlera e botimit ne shqip, eshte qe kjo lloj literature u vlen me shume shqiptareve sesa te huajve. Nder te huaj, e ne gjuhe te huaj, do conte vec drejt nje perfitimi profesional te autorit dhe ndoshta, sado pak, do ndihmonte ne avancimin e mendimit teorik ne fushen e ngushte te studimeve per migrimin (ne rastin tone)… ndoshta edhe ne fusha po kaq te ngushta lidhur me t ender shkencat shoqerore. Personalisht une mendoj se kerkimet shkencore duhet te kene nje vlere praktike dhe te sherbejne per te zgjidhur problemet e njerezve e t’u rikthehen komuniteteve qe studiojne. Kjo vlen po ashtu edhe per punet me natyre eseje. Dhe kete funksion ky numer i Perpjekjes do ta luante per bukuri, nese do arrihej qe te shperndahej mire.
      Me vjen keq qe mendon se jam e magjepsur nga “fama e dikushit”. Ne fakt, Fatos Lubonjen qe nuk e kam takuar personalisht, e shoh si idete qe ka e qe besoj se ia njoh, dhe si mish e kocka qe prodhojne ato ide. Pra njelloj sic te shoh ty, apo kedo tjeter. Pa dyshim, respektoj koherencen e tij te ideve dhe pozicionimin e tij moral ndaj ceshtjeve te ndryshme. Kjo nuk do te thote aspak se s’shoh problem e te meta te tij, por keto s’kane asnje lidhje as me mua e as me punen e s’kane vlere praktike. Ndaj s’ka pse te diskutohen fare. Respektoj edhe faktin qe e beri revisten e vet nje mjet qe u sherben njerezve. Ne kete pike, une pa dyshim, shfrytezoj arritjet e tij dhe per kete i jam mirenjohese. Me ben kjo mua “vizibel”? Nuk besoj. Dhe kjo s’ka qene orientuese ne radarin tim te se perditshmes as ketu ku jam, dhe as ne Shqiperi. E, te siguroj, qe do ngelet keshtu. Miqte e mi thone qe ambicja ime ka kembe sh te shkurtra. Dhe une kete e besoj, dhe me pelqen. Ka gjera te tjera qe i vleresoj me shume sesa ‘vizibilitetin’ dhe besoj ato do t’i kem paresore edhe me pas. Per mire a per keq.:)

      1. Eda, mos dëgjo Xhaxhain, që nganjëherë, më thotë se i kam inat intelektualët… sepse, edhe kur i kam inat, di të vlerësoj kapacitetin dhe nivelin/lartësinë e tyre intelektuale dhe t’ju heq kapelen kur e meritojnë.
        Pse insistoja që duhet të kini punimet tuaja?
        Sepse, kurdo që të përmendet “Kulti i kargove” apo “Shqipja totalitare”, edhe pas 100vjetësh, gjithkujt prej nesh do t’i vijë ndërmend Ardian Vehbiu… ndërsa, “Fidanishtja e dhunës/dhimbjes” edhe sikur të botohet në çdo numër të Përpjekjes, vështirë se do t’i kujtohet ndokujt.

        P.s: Meqë jam i zoti t’ju jap mend të tjerëve; Përse gjithë atë volum pune që ke kaluar nëpër duar NUK E SHKRUAN TË TËRIN në anglisht dhe ta botoni si grup autorësh?
        P.s2: Sa për botuesin dhe vështirësitë… kanë dalë “mrroklla” t’reja (shih një prej tyre këtu: http://ilmiolibro.kataweb.it/faq.asp?idfaq=1), mjafton me katër klikime të kesh një libër të botuar on-line… vendos një çmim dhe pastaj… pret si do shkojnë shitjet (gjithmonë on-line). Nuk është edhe aq vështirë të bësh një “top lecke” 😉

        1. Te falenderoj per sugjerimet. Per disa do diskutoja me tej, por do thoja pak a shume ate qe thashe me lart, mungese kohe dhe rendesia e tipi i botimit. Ketu gjithe puna eshte se me cilen shtepi botuese publikohet dicka. Pa dyshim une jam teresisht per publikimin online. Ky nuk te ben as te famshem e as te pasur (por cilat pune akademike te bejne?), por se paku u shkon potencialisht gjithe te interesuarve. Sidoqofte, si guest-editor, une nuk kam te drejta mbi revisten, dhe as te ribotoj per hesapin tim materialet e mbledhura per te.

  4. “Me ka pelqyer ideja e botimit te shkrimeve (jo vec e atyre te Perpjekjes, por edhe e ca te tjereve bashke me ta) si nje vellim me vete e jo ne kuadrin e nje reviste, dhe e kam sugjeruar qe ne fillim te punes. S’me ka dhene kush xhevap ne kete pike. Normalisht, duhet te te afrohet nje botues pasi shkrimet kane dale, ose te shkosh ne kerkim te nje botuesi. Numri i kopjeve te botuara dhe shperndarja e reklamimi i tyre, jane ndermarrje financiare qe mund te perballohen nga struktura botuese me te ardhura me te medha sesa Revista Perpjekja. Fatkeqesisht une nuk kam kohe te kerkoj botues, dhe nuk di as cilat jane rregullat dhe detyrimet zyrtare per mundesine e ribotimit te nje vellimi qe paraprakisht eshte botuar nen kornizen e nje reviste.”

    Interesant ketu eshte mentaliteti institucional i Akademise shqiptare perballe mentalitetit te Akademise boterore. “Publish or perish,” quhet ky mentalitet ne sferen anglofone. Vini re strukturen logjike te ketij mentaliteti. Publikimi eshte kusht ekzistence. Mungesa e publikimit do te thote mos-ekzistence, dhe ekzistenca ne fjale eshte vete ekzistenca e Akademise po te kihet parasysh se eshte akademiku subjekti qe perben Akademine. Eshte shqetesues fakti qe ti konstaton mungesa strukturash qe do benin te mundur publikimin e ketyre artikujve ne nje format me akademik se sa formati i revistes. I bie qe Akademia shqiptare te ekzistoje vetem si koncept bosh, vetem de juro, nderkohe qe nuk permbush as edhe funksionin e vet thelbesor, nderkohe pra qe nuk eshte ne gjendje as te justifikoje ekzistencen e vet. Nese ajo qe konstaton ketu eshte realiteti, gjendja eshte problematike, por si problem kerkon zgjidhje, e pjese e zgjidhjes, besoj, do ishte insistenca publike e kujtdo qofte qe ka orientim akademik, per ta shtruar kete problem. Kjo do duhej te ishte nje perpjekje e perbashket, ku te qahej fakti se pse “cdo numer i Perpjekjes perben event,” si dhe e shtroi nje komentues ketu. Fakti qe Perpjekja perben event (madje event akademik ne Shqiperi) duhet te ngreje shqetesime, e jo te sherbeje si shkak per t’u kenaqur me minimumin.

    Nejse, se problemet s’kane te sosur. Urime!

  5. Falemnderit per urimet, Lulian. As problemet dhe as te mirat s’kane fund, per fat te keq…Jo: per fat te mire. Jam pergjithesisht dakord me ty per diferencen e dy mentaliteteve, por ato jane mentalitete te ndertuara nga ne, dhe ate te Akademise psh e kemi me shume te bazuar ne ish-akademine. Nuk besoj qe tani te kete fare nje lloj (cfaredo lloj) mentaliteti te akademise sone. Kam pyetur disa here ku mund te botohen tashme pune akademike ne Shqiperi, dhe me kane thene qe nuk ka te tilla revista. Shiko pak edhe faqen e Akademise online per botimet. Besoj se ka mbetur nje guaske institucionale qe vazhdon per hir te nje tradite si dhe te nevojes per te pasur te formalizuar nje imazh formal te nje binaje inetlektuale ne Shqiperi. Sidomos tani qe universitetet i takojne nje niveli thuajse zero. Por edhe mentaliteti “publish or perish” eshte po aq i ndertuar dhe i kritikueshem dhe relativ, dhe i manipuluar dhe manipulues ashtu si edhe sistemi ‘tenure’ ne akademine e ShBA-ve. Po kjo na con ne nje drejtim tjeter. E fundit eshte qe Perpjekja, sipas meje qe nuk jam ‘e zonja e saj’ as ka qene dhe as eshte nje reviste akademike, por kryen edhe kete funksion ne gjendjen e vakuumit total ne revista te atij tipi. Ketu them prape, sic e nenvizoj edhe ne shkrimin me lart, se ka ardhur koha qe revista te kete nje perkufizim, mision, program, e format te perpunuar e te publikuar, nese do dale rregullisht ne te ardhmen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin