MAOIZIMI I INFORMACIONIT

Ka qenë një kohë, në Shqipëri por edhe gjetiu – dhe ca prej nesh e mbajnë mend mirë – kur televizioni shtetëror kish një kanal vetëm; dhe të vetmet opsione ishin “çoje te Tirana”, ”çoje te italiani” dhe “çoje te sllavi” (kjo ishte edhe koha kur duhej të ngriheshe në këmbë dhe t’i afroheshe televizorit për ta ndërruar kanalin; në kuptimin që ata prej nesh që mërziteshin lehtë, mund të bënin edhe pak gjimnastikë). Ka qenë një kohë, pra, kur burimet e informacionit ishin të pakta, edhe pse jo gjithnjë të sakta.

Më vonë, si shumë prej nesh e mbajnë mend, lulëzuan njëqind lulet e Maos edhe pse larg Maos dhe eteri u mbush me opsione dhe u duk sikur informacioni televiziv “u pluralizua”, duke i ofruar nga pak gjithsekujt, ose duke e realizuar lirinë e informacionit në formën e lirisë së tregut.

Gjatë atyre viteve të relativizimit moral ekstrem, kur dikush guxonte të ngrihej dhe të kritikonte, duke vënë në dukje se ky apo ai kanal po e tepronin me soft porn, me bëma celebritetesh, me hipizëm a me transmetime shumë-orëshe drejtpërdrejt nga Vatikani, gjithnjë do të dilte dikush tjetër dhe do t’i shpjegonte se ky i pakënaqur thjesht mund të ndërronte kanalin; madje pa i lodhur as gjunjët, sepse bashkë me tregun e lirë ia mbërriti edhe telekomanda, ose teknologjia simbol e “lirisë” për të zgjedhur.

Kësisoj, çdo konsumator i informacionit mund ta zgjidhte lirisht parajsën ose ferrin se ku do të informohej a do të zbavitej.

Por sot po duket sikur edhe këtë fazë të “biodiversitetit” informacional dhe mass-mediatik e kemi kapërcyer me sukses; dhe për shkak të kapjes së mediave nga politika, ose kapjes së politikës nga mediat; por edhe ngaqë Interneti dhe uebi ua kanë shterrur mediave tradicionale financat, kanalet mund të kenë mbetur vërtet të shumta, por informacioni që ato ofrojnë është konsoliduar dhe njëjtësuar, ose homologuar.

Shpesh i shkreti konsumator e ka të vështirë ta kuptojë se ka ndërruar vërtet kanal, ose ka kaluar vërtet nga një faqe ueb në tjetrën; sepse e përshëndesin nga ekrani të njëjtat fytyra politikanësh, të njëjtat syze analistësh, të njëjtat bøthë, të njëjtat (pseudo-)lajme dhe të njëjtët emra. Edhe kur mediat sigurojnë pamjet ose footage “ekskluzive” për një aksident ose krim – zakonisht nga kamerat e përgjimit – këto pamje ose filmime, që përcjellin makabren teksa kultivojnë voyeurism-in bedel, kalojnë kaq lirisht nga një TV në tjetrin dhe nga një faqe ueb në tjetrën, sa vetë fjala “ekskluzive” merr kuptimin merre dhe shpërndaje.

Përballë këtij bombardimi informacional me të njëjtën lloj bombe, edhe argumenti i vjetër libertarian, se “mjafton të ndërrosh kanal” nuk funksionon më; sepse ti mund ta ndërrosh kanalin, por kanali nuk të ndërron ty. Njëqind lulet mbase janë duke lulëzuar vërtet, por po bëhet fjalë, çdo ditë e më tepër, për të njëjtin lloj luleje (së cilës ne i kemi pasë thënë “lule gomari” në fëmijëri).

I vetmi opsion që i ka mbetur tanimë konsumatorit është ta fikë ekranin – të televizionit ose të uebit; ose ta anulojë veten si konsumator informacioni; çfarë nuk do të ishte fundi i botës, por edhe do të tingëllonte kundërproduktive si këshillë, kur vjen nga vetë producentët e mediave, në përgjigje të kritikave që u vijnë për amoralitet.

11 Komente

  1. Telekomanda në këto kushte nuk ka ashnjë kuptim si mjet teknologjik. Ndryshon numrat e kanaleve, por jo përmbajtjen. Eshtë një lloj shkopi magjik që të jep iluzionin e zëvendësimit të televizioneve, por në thelb janë të njëjtat pamje, që filmohen nga e njëjta studio. Atëhere pse jo televizori bardhezi Adriatik ose Iliria?

  2. Me fal pa dashur te nderhyj ne shijet e gjithesecilit: Eshte edhe Zjarr TV. Keshtu nga jashte duket si ndryshe nga te tjeret. Plus duhet te merren ne konsiderate edhe televizonet lokale. Ka gjera te lezetshme.

  3. Asnje ekran Tv në shtepi eshte zgjidhja më e mire dhe më e shendetshme. Aktualiteti te meson gjera qe dihen, por me fytyra te reja. Zgjidh titujt qe te interesojne ne shtypin e shkruar dhe lexo vetem qę paraqesin interes ashtu sic bejme ne librari. Jeta eshte e shkurter dhe ka shume kryevepra per te lexuar.

      1. Ta jap unë përgjigjen, meqë unë nuk kam TV që prej 16 vjetësh. Ndeshjet i shoh në laptop. Filmat i shoh në laptop. Çdo gjë që më intereson e shoh në laptop/tabletë. Po edhe sikur: që kur erdha në ShBA, TV ka qenë për mua persona non grata.

        1. Flm per pergjigjen.

          Gjithsesi te mos kesh fare TV ne shtepi, apo ta shohesh rralle ate eshte nje zgjedhje personale, as me e mire e as me e keqe se psh te vendosesh te mos blesh me gazeta te shtypura sepse te cajne menderen, ose te mos kesh celular sepse te bezdisin me shume se sa duhet, ose perkundrazi nuk te duhet sepse nuk te merr kurre njeri ne telefon. Po nuk eshte thjesht kjo ceshtja, besoj se edhe juve do te gjenit dakordesine (nje fjale qe e degjova shpesh tani me rastin e reformes ne drejtesi) me mua se cilesia e te shikuarit te nje ndeshjeje futbolli ne laptop/tablete as nuk i afrohet asaj e te shikuarit te ndeshjes ne nje monitor HD 50 inch, pa folur pastaj per faktin qe ne laptop/tablete ndeshjen mund ta ndjekesh i vetem, por jo me shoke e miq, kjo e fundit sigurisht jo me te njejten rendesi e vlere per kedo.

          Me lejo t’i shtoj listes tende laptop/tablete edhe celularin si nje device e mundshme ku mund te ndjekesh ndeshjen nese nuk ke probleme me syte, por me e mira e te mirave pa dyshim qe eshte te shikuarit e ndeshjes ne stadium (sigurisht ky opsioni i fundit nuk eshte gjithnje i arritshem, por potenciallist mund te funksionoje per shume njerez, gje qe vertetohet nga stadiumet e mbushura me spektatore).

          Eshte e vertete qe Televizioni eshte bere nje media shume me e fuqishme dhe e larmishme se ka qene me pare. Kjo padyshim ka bere qe ne morine e pafund te kanaleve qe vihen ne dispozicion te publikut te kete shume syresh, mbase shumica e tyre, te mbushur me informacion te padobishem, e c’eshte me keq, edhe te demshem sipas pikpamjesh morale te ndryshme qe me apo pa te drejte propagandohen ne kanale te tjere televizive. Por TV ka edhe kanale, ose te pakten emisione te vecanta qe vlejne te ndiqen dhe me vlera. Ja psh cdo te thoshit ju per nje puntate te emisionit te Piero Angela-s, ose nje interviste te Umberto Ecco-s? Neqoftese ju edhe keto lloj emisionesh i ndiqni ne laptop/tablete atehere ju thjesht keni zevendsuar ekranin e TV me nje ekran me te vogel, por nuk mund te thoni qe e keni televizionin non grata vetem sepse nuk keni TV ne shtepi dhe nderkaq ndiqni produksione qe jane krijuar per TV in first place. Keshtu a nuk beni dhe ju te njejten gje te dikujt qe ka TV ne shtepi por e shikon ate me zgjedhje shume specifike, perfshire edhe ndeshjet e futbollit duke pire ndonje birre me shoket.

          Se fundi, si mundni ju ta ndiqni evolucionin, per mire apo per keq, te televizionit neqoftese nuk shikoni televizion qysh prej 16 vjetesh?

          1. Mjafton ta shohesh njehere dhe e kupton qe eshte material homogjen. Nuk ka nevoje ta ndjekesh perdite, mjafton nje here ne vit te kalosh neper kanale.

          2. Le të biem dakord që nuk është këtu vendi për të diskutuar për zgjedhjet e mia vetjake për arsye private, në hapësirën e shtëpisë sime; sepse ato nuk ua rekomandoj të tjerëve – gjithsekush e vendos vetë se si ta mobilojë shtëpinë, dhe kjo përfshin edhe vendimin për ta blerë apo jo televizorin.

            Më pas, le të biem dakord edhe që të mos e identifikojmë televizionin si media me televizorin si aparat elektroshtëpiak; sepse janë gjëra të ndryshme, edhe në avantazhet edhe në të këqijat e tyre.

            Nëse jemi dakord me këto dy pika, atëherë unë mund të shpjegoj se kam hequr dorë nga televizori, në marrëveshje me të tjerët në shtëpinë time, meqë e konsideroj si tepër “ndërhyrës (intruziv)” në kohën time të lirë; ndërkohë, e ruaj preferencën për produkte të caktuara të televizionit, sidomos serialet dhe ndeshjet e futbollit, të cilat i shoh në laptop.

            Laptop-i është pajisje personale, e shumta mund ta ndash me dikë tjetër në divan; por kur është fjala për të parë diçka kolektivisht, për shembull një ndeshje në ekranin e madh dhe në shoqëri të zgjedhur, këtë e bëj te bari që kam afër shtëpisë.

            Pyetja se si mund të marr vesh se ç’bëhet në televizion, nëse nuk kam televizor meriton vëmendje më vete; edhe pse i ngjan pyetjes se “nga e di ti që ushqimi në MacDonald’s është i pashëndetshëm, në qoftë refuzon të shkosh atje për të ngrënë?”

            Përndryshe, çdo program që më intereson nga televizioni, mund ta shoh në Internet; dhe ashtu përfitoj nga liria më e madhe që më jep Interneti – jo thjesht ngaqë më lejon të heq qafe televizorin, si mobilje dhe si praktikë për të kaluar kohën e lirë, por edhe sepse më lejon të shmang reklamat.

            Natyrisht, edhe 10 vjet më parë kjo do të kish qenë e pamundur; por sot mund të shohësh në Internet, pa piratuar, deri edhe filma që sapo dalin në kinema: mjaft të kesh dëshirë të paguash (Google Play ofron shumë filma të tillë, me çmime të arsyeshme).

          3. Tingellon arsyeshem c’ka thoni, pervec njeres dhe pikerisht:

            “Pyetja se si mund te marr vesh se c’behet ne televizion nese nuk kam televizor meriton vemendje me vete; edhe pse i ngjan pyetjes se “nga e di ti qe ushqimi ne MacDonald’s eshte i pashendetshem, neqoftese rrefuzon te shkosh atje per te ngrene”?

            Pyetja ime ishte: “Si mundni ju ta ndiqni evolucionin, per mire apo per keq, te televizionit neqoftese nuk shikoni televizion qysh prej 16 vjetesh?”

            Pra pyetjet nuk jane analoge, sikurse mund ta vini re lehtesisht edhe ju, sepse vihet perballe evolucioni i dickaje, pra ndryshimi ne kohe, qe mund te jete edhe perkeqesim i gjendjes se meparshme, me nje gjendje te perhershme qe nuk ndryshon (ushqim i pashendetshem sot, dhe ushqim i pashendetshem neser).

            Mund ta kuptoja me mire nje pergjigje te tipit: Me eshte mbushur mendja qe TV ka marre rrugen e m…. nje here e mire dhe as nuk me intereson te di se cfare thuhet e behet ne te, pervec atyre gjerave qe i shoh me laptop”.

  4. Mund te zgjedhesh ama mes serialeve te NBC apo HBO, ose edhe ndonje rrjeti televiziv kanadez. Interneti e ka bere te panevojshem televizionin lokal. Sa per web-in, per lajme konkrete eshte Reuters apo BBC, ndersa per opinionet s’kam cfare te them, use at your own risk.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin