KOMPLOTE, ZHBIRIME, PARANOJA

hey bulldogMegjithë bollëkun e informacionit që na rrethon, megjithë përkushtimin e mediave publike e private ndaj së vërtetës, megjithë paktet që lidhin organet e zgjedhura dhe institucionet me zgjedhësin dhe publikun, përsëri duket sikur ngjarjet më të mëdha, ose kyçet për të kuptuar epokën në të cilën jetojmë, nuk i ndriçojmë dot mirë, nuk ua kapim dot arsyet dhe motivet, as ua identifikojmë dot autorët, ose sipas rastit fajtorët.

Nëse e sa lidhet kjo me bollëkun e informacionit, këtë e kemi diskutuar disa herë e ndoshta do t’i kthehemi përsëri; por bollëku i informacionit nuk është i vetmi shkak i errësirës e cila duket sikur na rrethon pikërisht atëherë kur kemi nevojë më shumë për dritë. As mund të akuzohet për fajtore bindja jonë, tashmë e padiskutueshme, se jemi në gjendje ta marrim vesh çka ndodh, nëpërmjet arsyetimit. Ndërkohë, edhe pse nga shumë anë e drejta për informacion përmendet si një nga të drejtat publike themelore, përsëri institucionet ngurojnë t’i hapen publikut.

Një ngjarje madhore, që njëfarësoj e ka përcaktuar këtë fillimshekulli, ishte sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 kundër Kullave Binjake në NYC dhe Pentagonit në DC; një pjesë e të cilit praktikisht edhe u transmetua live nga televizioni në mbarë botën. Pasojat e asaj ngjarjeje të kobshme sot i vuajmë të gjithë – dhe jo vetëm kur aplikojmë për viza ose kur heqim këpucët në aeroporte. Shpenzimet publike për të luftuar “terrorizmin” në vendet perëndimore, pas 11 shtatorit, kanë arritur shifra marramendëse; pa llogaritur këtu koston financiare dhe njerëzore të luftrave në Irak dhe në Afganistan/Pakistan.

Megjithatë, sot e kësaj dite, nuk ekziston një shpjegim logjik dhe koherent i atentateve të 11 shtatorit; por vetëm një version zyrtar i qepur me penj të bardhë, që nuk i qëndron kritikës.

Këtë pafuqi për të shpjeguar të përditshmen, në një botë që pretendon të jetë fund e krye racionale, publiku e kompenson, së paku deri në një farë mase, nëpërmjet interesit për të ashtuquajturat “teori të komplotit”, ose hipotezave shpjeguese alternative për ngjarjet më madhore të epokës, që nga vrasja e Kennedy-t, deri te eksplorimi i Hënës me astronautë, e për të arritur në sulmet e mëdha terroriste të ditëve tona.

Interneti, duke qenë vetvetiu i hapur për të gjithë dhe, me përkufizim, i mbrojtur ndaj autoriteteve qendrore, ka shërbyer si mediumi më i përshtatshëm për këto teori komploti; të cilat tani edhe shtjellohen me hollësi në faqe të dedikuara, diskutohen në forume dhe ilustrohen me video gjysmë-amatoriale, të ngarkuara në YouTube.

Ndryshe nga ç’mund të kujtohet prej atyre që nuk e njohin mirë dukurinë, por mjaftohen ta përçmojnë (ndonjëherë edhe thjesht të shtyrë nga frika se modeli i tyre i realitetit mund të pësojë kolaps), teoritë e komplotit janë përgjithësisht racionale; madje themelohen mbi një vizion kritik të sendeve. Për shembull, ithtarët e hipotezës se zbarkimi i astronautëve amerikanë në Hënë nuk është veçse një sajesë propagandistike e viteve të Luftës së Ftohtë, i mbështetin teoritë e tyre në analiza të imta të fotografive të misioneve Apollo; ndërsa ithtarët e hipotezës tjetër se objekti që u përplas me Pentagonin, në 11 shtator 2001, nuk ishte avion pasagjerësh por një raketë çfarëdo, njëlloj analizojnë, kuadër pas kuadri, provat e pakëta fotografike që ekzistojnë nga ai incident.

Teoritë e komplotit janë, kësisoj, produkt i paranojës; ose i dëshirës që kemi, të gjithë, për shpjegime të tilla që të rrokin të gjitha të njohurat e të panjohurat, duke i lidhur së bashku në sisteme koherente, ku pjesët të jenë në shërbim të së tërës.

Përveçse u japin përgjigje të gjitha pyetjeve ekzistuese, të tilla sisteme mitologjike arrijnë t’u paraprijnë edhe pyetjeve të ardhshme, duke mbetur, në thelb, të imunizuara ndaj çdo lloj përgënjeshtrimi.

Për shembull, teoria se avionët që u përplasën me kullat e WTC, në 11 shtator, ishin të telekomanduar nga një avion AWACS, nuk mund të hidhet poshtë me argumente të sjella nga autoritetet e kontrollit të aviacionit; meqë këto autoritete konsiderohen nga teoria si pjesë integrale e komplotit. Teorinë e komplotit e mbështet, në këtë rast, edhe “pamundësia” e autoriteteve për të gjetur black boxes të avionëve në fjalë, edhe pse këto pajisje janë projektuar në mënyrë të tillë që t’u rezistojnë katastrofave – përndryshe ç’vlerë do të kishin?

Njëlloj absurd ishte versioni zyrtar që iu ofrua publikut, për incidentin e rrëzimit të avionit 800 të TWA, në vitin 1996; nga shumë anë u përsiat se avionin e kishte goditur një raketë e lëshuar gabimisht nga një anije e flotës luftarake amerikane; madje për këtë u gjetën edhe një numër dëshmitarësh okularë.

Një tjetër akt terrorist që pushtoi titujt e edicioneve të lajmeve në mbarë botën pak javë pas 11 shtatorit 2001 – sulmi me pluhur antraksi në zarfe postare – ka mbetur sot e kësaj dite i pasqaruar, edhe pse autoritetet, këtë herë, u detyruan të pranonin se sporet e antraksit të përdorura nga terroristët e kishin prejardhjen nga një laborator në SHBA.

Mekanizmi psikologjik i teorive të komplotit mbështetet edhe në humbjen e besimit të publikut ndaj autoriteteve; që nga momenti kur ti, si destinatar i informacionit, nuk i zë më besë burimit që të informon, atëherë paranoja jote është e përligjur, pavarësisht nëse i përgjigjet realitetit apo jo. Nëse publiku, për arsye të ndryshme, krijon bindjen se institucionet, policia, hetuesit, mass mediat kryesore (p.sh. The New York Times), komisionet parlamentare, gjykatat, ushtria etj. po ia fshehin të vërtetën, ose po e gënjejnë haptazi, atëherë çdo informacion që vjen nga lart do t’i nënshtrohet kritikës dhe, eventualisht, diskreditimit të pamëshirshëm.

E kotë të shtoj se ky lloj skepticizmi paranoid i publikut ndaj autoriteteve nuk ofron ndonjë garanci ndaj manipulimit; sepse publiku njëlloj mund të manipulohet edhe duke e ushqyer me versione haptazi të fshehta të ngjarjeve.

Mass mediat e ashtuquajtura “serioze”, së paku në Perëndim, duan të distancohen nga këto teori të komplotit; madje deri në atë shkallë, sa t’i shpërfillin e t’i përqeshin, pa e marrë mundimin as t’i zbërthejnë ose t’i kritikojnë me arsye. Një shkak i këtij qëndrimi shpërfillës ka të bëjë me vetë mënyrën hiperracionale si janë ndërtuar teoritë; çka do të thotë se çdo kritikë ndaj teorisë shërben si përforcim i tezës së saj themelore. Ashtu, NASA ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për të kundërshtuar hipotezat se misioni Apollo nuk e ka vizituar kurrë Hënën, dhe se fotografitë dhe filmimet janë bërë në Tokë, në studio sekrete; dhe ka hequr dorë meqë, sipas shpjegimit zyrtar, nuk ka dashur t’i “legjitimojë” ato teori.

I njëjti fat me versionin zyrtar të 11 shtatorit 2001 po i rezervohet tani ekuivalentit britanik të atij atentati – ose sulmeve të 7 korrikut 2005 në Londër, të cilat aso kohe iu faturuan, brenda ditës, terroristëve që vepronin “në emër të Islamit” (fjalët e Blair). Megjithatë, siç lexoj sot në një artikull të Daily Mail, versioni zyrtar i ngjarjeve të asaj dite, ose rindërtimi i dinamikës së atentatit, nuk e ka bindur një pjesë të publikut, përfshi këtu edhe familjet e viktimave. Njëlloj siç ndodhi në SHBA me “zbardhjen” zyrtare të 11 shtatorit, edhe në Mbretërinë e Bashkuar tashmë teoritë e komplotit themelohen mbi një numër të pabesueshëm kontradiktash, absurditetesh dhe gabimesh/gënjeshtrash që ekzistojnë në versionin zyrtar për publikun. Një dokumentar me titullin Ripple Effect, që akuzon drejtpërdrejt qeverinë e Blair dhe shërbimet sekrete britanike dhe izraelite për përgatitjen dhe ekzekutimin e atentateve të Londrës, po qarkullon anembanë Internetit dhe, çka preokupon veçanërisht, në mjediset e myslimanëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kur vjen puna për të dalluar midis informacionit dhe kundër-informacionit, ose disinformacionit, Interneti nuk ndihmon; sepse vetë filozofia paranoide e konspiracistëve sugjeron që së paku një pjesë e këtyre teorive dhe shpjegimeve alternative e kanë burimin, përsëri, në përpjekjet e autoriteteve dhe të shërbimeve sekrete për të disinformuar, për të ngatërruar publikun e për t’ia tërhequr këtij të fundit vëmendjen nga teoritë e komplotit “reale”. Vetë Ripple Effect, sikurse përpjekje të ngjashme që qarkullojnë prej kohësh për të diskredituar 11 shtatorin 2001 zyrtar, mund të jetë përgatitur nga po ato forca që, gjithnjë po t’u besosh konspiracistëve, kanë pasur gisht në atentatet, duke i lënë të ndodhin ose edhe duke i organizuar vetë.

Si publik, e kemi të vështirë të pranojmë se nuk do ta marrim dot kurrë vesh të vërtetën për ngjarjet më përcaktuese të epokës në të cilën jetojmë; sepse misterin e të përditshmes historike duam ta përjetojmë si të rrëfyer në një roman policor, ku e vërteta gjithnjë zbulohet në fund (denouement). Mendjet kureshtare prej kohësh janë bindur që, nga versionet e ofruara për t’i ftilluar këto mistere reale, zyrtaret ua kalojnë edhe teorive të komplotit më të guximshme, për nga idiotizmi i tyre esencial; edhe pse kjo, në vetvete, nuk përbën ndonjë arsye për t’u besuar përpjekjeve alternative, kaosit të paranojave dhe dizinformimit.

4 Komente

  1. Pjese e problemit eshte se skepticizmi ndaj burimeve mainstream te informacionit nuk vjen vec prej producenteve amatore te teorive te konspiracionit, por dhe nga kritike serioze edhe pse tejet partizane si Noam Chomsky. Eshte indikuese mendoj se sa i lexuar eshte chomsky ne rrethet e myslimaneve ne perendim. Ok, mund te debatohet se shumcka ka ndryshuar ne mediat qe kritikoi chomsky ne vitet ’80 nga sot. Po nese shohim nje nga eventet me te rendesishme te politikes boterore si pushtimi i Irakut dhe rolin e The New Yrok Times, p.sh. per te bindur publikun per pranine e armeve te shkaterrimit ne mase ne irak, te ben te pyesesh nese vertet kane ndryshuar parametrat qe “manifakturojne konsentin.” Ne kete klime te kuptueshme skepticizmi ndaj mediave, eshte natyrale te krijohet hapesire per “fabrikuesit e komploteve.”

  2. Racionaliteti i njeriut fillon aty ku mbaron besimi. Besimi ne dicka ( fe, parti, individ, ide, ngjarje ) kushtezon fuqimisht aftesite kritike ndaj informacionit qe lidhet me dickane dhe aty ku aftesite kritike ndaj informacionit dobesohen kemi edhe erresiren, pavaresisht oqeanit informativ.

    Duke qene se besimi ne dicka eshte faktori kryesor ngjizes i nderveprimit njerezor, .atehere mund ta quajme edhe cmimi i pashmangshmem qe te gjithe duhet te paguajme.

    Marrim rastin e djeshem, kur Rama tha se i qante zemra per 83 mije zemrat e majta te LSI qe lengojne.

    Per anetarin e PS, i cili beson tek Rama (tek individi, partia,ideja) behet automatike qe Rama eshte i sinqerte.
    Fakti qe 83 mije zemrat, me ligjin zgjedhor, Rama desh ti eliminonte ose maksimumi te nxirrnin nje deputet ne Skrapar, nuk ka pike rendesie, ashtu si nuk ka rendesi fakti se 83 mije zemrave te majta u takojne 8 deputete , ndersa me 4 deputete, 40 mije nga keto zemra jane asgjesuar.

    Po ashtu qe faktori nderkombetar u shpreh se duhet te dale patjeter nje qeveri nga keto zgjedhje , nuk ka pike rendesie.

    Marrin edhe rastin e Kenedit. Ai fitoi me ngushte se cdo president para tij dhe ne Cikago u mbeshtet tek Mafia e organizuar per te fituar, nje lloj cmimi qe duhet te paguante Mafia e Cikagos, per te hequr qafe sulmin e Bob Kenedit i cili kishte kohe qe u rrinte mbi koke. Marreveshja parazgjedhore gjithsesi nuk u respektua, sepse Bob Kenedi sapo u be minister i drejtesise, vazhdoi ti godase ( hodha lumin, te dhjefsha kalin) prandaj edhe mafia ka qene e dyshuar per vrasjen e Kenedit.

    Fakti qe Kenedi realisht ka hipur ne pushtet fale manipulimeve ne Cikago, nje njeriu qe besonte e beson tek Xhon Kenedi (tek individi,ideja), i duket si blasfemi.

    Pra faktori besim, eshte shume i rendesishem si ne perzgjedhjen e informacionit ashtu edhe ne perceptimin e nje realiteti te caktuar.

    Po ky faktor ben te kene sukses teorite e komploteve e njekohesisht ndikon fuqimisht edhe ne ndalimin e zbardhjes se ngjarjeve.
    Ata 40% qe votuan PD, kishin besim tek Sala, kur ky lante duart nga Gerdeci, keshtu qe jane ata qe ndaluan zbardhjen e ngjarjes.

    Ne Amerike ashtu si ne bote, ne castin e pare, pothuaj te gjithe ishin te bindur kur pane avionet, se ishin terroristet islamike e sot shumica derrmuese beson se ishin terroristet , keshtu qe ngjarja nuk ka per tu zbardhur plotesisht, dmth pikepyetjet e ngritura nuk kane per te marre pergjigje, pervec se nga teorite e komplotit.

    Mendoj se njeriu eshte shume i kushtezuar nga vete domosdoshmeria e besimit ne dicka, qe te arrije nje ndergjegjesim te atille sa ti lejoje pavaresine e arsyes, pavaresi qe i ofron shfrytezimin optimal te oqeanit informativ.
    Pra per mua eshte lufte e humbur qe ne nisje.

  3. Hyllin, elitat në pushtet gjithnjë sundojnë nëpërmjet sekretit (po të parafrazoj një shprehje të konspiracistit të njohur amerikan Jim Marrs – Rule by Secrecy); sepse çështjet më të rëndësishme nuk mund të diskutohen ditën me diell, në prani të publikut. Sundimi, me fjalë të tjera, ka nevojë për spektatorë aq sa ka nevojë peshku për biçikletën (përsëri, po të parafrazoj këtë herë një shprehje të… who cares).

    Nga ana tjetër, në qoftë se Kujtimi është pronar i gjysmës së vendit, ka tetë fabrika çimentoje dhe katër kanale televizive dhe tre banka dhe dy kompani të telefonisë celulare, është vetvetiu më shumë i interesuar për punë të qeverisjes sesa, bie fjala, Shpëtimi, që e kalon gjithë ditën e Perëndisë duke pirë alternativisht salep ose raki, te kafja e mëhallës. Prandaj ideali demokratik, i barazisë në pjesëmarrjen në pushtet, duhet kuptuar si garanci, jo si realitet; sepse në realitet ajo barazi ekziston po aq sa ç’ekziston edhe barazia në të ardhura, në prona, në mirëqenie, në fat dhe në virtyt.

    Puna këtu është nëse Shpëtimi ka apo nuk ka të drejtë të marrë vesh, në hollësi, gjithë ç’bën Kujtimi për të administruar pronat e veta, dhe për t’u kujdesur për interesat e veta që, jo rrallë, koincidojnë me ato të vendit.

    Natyrisht, Shpëtimi paguan taksa (OK, ta zëmë se paguan), voton, dhe ka të drejtë t’i kërkojë llogari qeverisë së vet, deputetit të zonës, përfaqësuesve të pushtetit lokal e kështu me radhë, për mënyrën si këto qeverisin ose nxjerrin ligje; dhe mjetet publike të informacionit, p.sh. RTSH në Shqipëri, ose RAI në Itali, ose BBC në Britaninë e Madhe, kanë për detyrë ta mbajnë Shpëtimin të informuar, në mënyrë sa më objektive, për çfarë ndodh përreth.

    Në këtë skenar detyrimisht të thjeshtuar, teoritë e komplotit harlisen (në mendjen e Shpëtimit) për shkak të (1) iluzionit të Shpëtimit dhe të shokëve të tij se vërtet kanë të drejtë të marrin vesh gjithçka që ndodh përreth dhe (2) përpjekjeve të elitave në pushtet për t’ia mbajtur të gjallë Shpëtimit këtë iluzion.

    Unë besoj se dukuria e teorive të komplotit nuk mund të shpjegohet veçse nëpërmjet kapjes të shoqërive moderne prej mass mediave; sepse mass mediat ia bëjnë të mundur Shpëtimit & Co. iluzionin se ky mund të informohet rregullisht për ngjarjet që ndodhin përtej, madje jashtëzakonisht përtej pragut të shtëpisë së tij. Kështu, në fund të viteve 1960, mediat i treguan Shpëtimit dy astronautët amerikanë që zbritën në Hënë, madje i përcollën edhe pamje të filmuara, që nga lëshimi i raketës Saturn 5 deri te kthimi i kapsulës Columbia në oqean një javë më pas. E gjithë kjo ngjarje nuk mund të gjente vend në jetën e Shpëtimit, përveçse si diçka midis thashethemit dhe dëfrimit; dhe gjithsesi, si diçka skenike, që shtjellohet në një univers të ndryshëm nga ai i përditshmi i kafes, i kalamajve që duan sandale, i cigareve “Partizani”, i dhëmballës së prishur, i tubit në banjë që pikon, i banakieres që i duken sutjenat, e kështu me radhë.

    Të tilla rrëfenja “kozmike” e sjellin, me fjalë të tjera, teorinë e komplotit me vete.

    Në kohën e misioneve Apollo luftohej ende Lufta e Ftohtë, dhe Perëndimi kishte të drejtën morale me vete; prandaj njerëzit u besonin mediave, sepse alternativa ishte e papranueshme. Sot, që Lufta e Ftohtë thuhet se ka përfunduar, e drejta morale u ka kaluar atyre – besoj unë – që kanë vendosur ta trajtojnë informacionin e përcjellë prej mediave njëlloj siç trajton mjeku psikiatër historitë që i tregon pacienti i vet skizofren. Kush ka pasur ndonjëherë të bëjë me skizofrenë, do ta dijë se këta jetojnë në një botë që nuk është ekzaktësisht e njëjtë me botën e ashtuquajtur “normale”; në kuptimin që të vërtetat atje nuk janë të bashkëmatshme me të vërtetat këtu.

    Dikur, gjuhëtari Noam Chomsky pat sajuar një fjali sipas tij gramatikisht korrekte, por përndryshe krejt pa kuptim: colorless green ideas sleep furiously; që atëherë, më se një herë janë ngritur zëra në mbrojtje të kuptimit të kësaj fjalie të famshme, të cilat zëra madje kanë gjetur atje poezi të hollë, metafora, imazhe kuptimplotë.

    Diçka e ngjashme ndodh edhe me rrëfenjat e mass mediave; përpjesëtimisht me distancën midis botëve – të publikut, dhe të rrëfimit. Rrëfimi ka logjikën e vet, e cila ia tërheq gjymtyrët si të ishte kukull prej llastiku, për ta sjellë në atë formë që dëshiron, pavarësisht nga ç’kërkon realiteti. Vrasja e Kennedy-t ishte ngjarje reale, e parë nga mijëra vetë e më pas nga miliona në TV; por e përcjellë nga mediat u shndërrua në një rrëfim, i cili shtjellohet sipas gramatikës së vet rrëfimtare – me subjekte dhe objekte, shkaqe dhe pasoja, aktorë aktivë dhe aktorë pasivë, e kështu me radhë.

    Çdo ngjarje madhore, që përcillet në masën e duhur nga mediat, gjithnjë rrethohet nga një mjegullnajë teorish komploti, shpesh në kontradiktë jo vetëm me versionin zyrtar, por edhe e sidomos mes tyre. Nuk ka asnjë mënyrë për të vënë rregull mes këtij kaosi, përveçse duke i besuar një autoriteti – dhe sot ky autoritet nuk mund të jenë më mediat vetë, meqë këtyre u ka humbur besueshmëria, njëlloj si edhe institucioneve publike.

    Në Perëndim, versionet zyrtare ende hartohen nga gjithfarë komisionesh parlamentare, për ngjarje vërtet të rëndësishme; ose nga gjykatësit, për ngjarje më pak të rëndësishme (për rolin e gjykatave në këtë mes, ju ftoj të kaloni në mendje historinë e Italisë në periudhën 1945-1990, që nga Enrico Mattei e deri te Gladio, gli Anni di Piombo, la Strategia della tensione, la Strage di Ustica, il MIG libico, la Loggia Massonica P2 e ashtu me radhë për të arritur te Mani Pulite dhe Dossier Mitrokhin). Në thelb, e vërteta historike mbetet në dorë të organeve ligjvënëse ose të drejtësisë.

    A është për t’u habitur, pastaj, që këto organe ligjvënëse ose të drejtësisë kujtojnë se mund ta vendosin historinë me ligj?

  4. http://www.wingmakers.com/.

    “Teoritë e komplotit janë, kësisoj, produkt i paranojës; ose i dëshirës që kemi, të gjithë, për shpjegime të tilla që të rrokin të gjitha të njohurat e të panjohurat, duke i lidhur së bashku në sisteme koherente, ku pjesët të jenë në shërbim të së tërës”.

    Kjo mbase eshte e vertete edhe pse me kete formulim juve e vini ne diskutim bazen e vertetesise se ketyre teorive a priori.

    Adresa e mesiperme dhe informacioni qe ajo shfaq (nuk e di sa kohe keni ti hidhni nje sy) me duket shume me teper se nje teori konspiracioni. Edhe sikur te jete kerkon nje perkufizim tjeter.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin