GJUHA E TË VARURIT

Para pak ditësh lexova në “Panorama” procesverbalin e një mbledhjeje ose takimi të krerëve të regjimit totalitar në vitin 1954, ku diskutohej se ç’duhej bërë me anëtarët e arrestuar të grupit të Hamit Matjanit dhe Zenel Shehut.

Mehmet Shehu, natyrisht, kërkoi dhe rekomandoi që këta të arrestuar të dënoheshin me vdekje.

Edhe shokët Beqir Balluku dhe Hysni Kapo pas kësaj thanë:

Ne jemi dakord që Hamit Matjani të varet në litar se kështu do të kënaqet populli, ta shohë nja 3-4 orë.

Çuditërisht, gjithnjë sipas këtij dokumenti, vizioni i Hamit Matjanit të varur në litar nuk i pëlqeu Enver Hoxhës, i cili pasi shpjegoi se ishte dakord që këta të ekzekutoheshin, por “jo me litar”, e shpjegoi kështu kundërshtimin për varjen publike:

Unë e kisha nga kjo anë se krijohet një farë frike e padeklaruar në popull, kur sheh një njeri në atë gjendje me gjuhën jashtë, prandaj më mirë me pushkatim si të tjerët.

Me fjalë të tjera, nga njëra anë Hysni Kapo dhe Beqir Balluku kërkojnë që t’i varin “armiqtë” për të kënaqur popullin; më anë tjetër Enver Hoxha është kundër, për shkak të një “frike të padeklaruar” që mund të ngjallë në popull spektakli makabër.

Si ta shpjegojmë këtë kontradiktë?

Diskutimi për efektet e ekzekutimit publik më solli vetvetiu në mendje trajtimin që i bën kësaj dukurie Foucault (Discipline & Punish, The Birth of the Prison, kapitulli “The Spectacle of the Scaffold”; këtu e më poshtë do t’i referohem lirisht këtij versioni të librit).

Për ata që nuk e kanë lexuar këtë vepër seminale, po përmend shkurt që Foucault analizon aty (edhe) historinë e dënimit me vdekje në publik në Perëndim, në kohët moderne, duke e parë këtë praktikë, ndër të tjera, edhe si një formë spektakli gjatë të cilit, nëpërmjet të dënuarit, vendimi gjyqësor bëhej i lexueshëm nga të gjithë të pranishmit, teksa vetë ekzekutimi publik shndërrohej në një “moment të së vërtetës”.

Foucault kujton edhe se si ekzekutimi shpesh kryhej në të njëjtin vend ku ishte kryer krimi; madje edhe tortura që i bëhej të dënuarit njëfarësoj rimerrte, simbolikisht, krimin e kryer – blasfemëve u pritej gjuha, vrasësve u pritej dora e djathtë… Madje ndonjëherë edhe vetë krimi i rrëfehej publikut në mënyrë të inskenuar, si në teatër, para se të kryhej ekzekutimi.

Megjithatë, vëren Foucault, në ceremonitë e ekzekutimit publik, personazh kryesor ishte populli; edhe pse roli i tij mbetej deri në fund i papërcaktueshëm. Njerëzve u kërkohej të ishin të pranishëm në ekzekutim jo vetëm për të parë me sytë e tyre, si spektatorë të aktit; por edhe për ta garantuar atë, ose për të marrë pjesë aktive, njëfarësoj, në ekzekutim.

Kështu, masat e konsideronin si të drejtën e tyre për të qenë të pranishme në një ekzekutim dhe për të parë se kush po ekzekutohej. Foucault përmend një raport të Chronique të Paris, sipas të cilit kur u përdor për herë të parë gijotina në Francë, njerëzit u ankuan se nuk po shihnin asgjë dhe nisën të bërtasin: “Duam trikëmbëshin!”.

Në ndonjë rast, vetë publiku e riprodhonte ekzekutimin, p.sh. duke i prerë kokën një kukulle, që përfaqësonte të dënuarin.

Nga ana tjetër, shton Foucault, njerëzit që mblidheshin për të parë një ekzekutim shkonin aty jo vetëm për të marrë pjesë në dënim, por edhe për të dëgjuar se çfarë do të thoshte i dënuari; i cili, përballë dëshpërimit të vdekjes së pashmangshme, ndihej i lirë të mallkonte gjykatësin, ligjin, mbretin dhe fenë, në një moment të rrallë lirie totale të fjalës.

Kësisoj, vëren Foucault, ekzekutimi e kishte gjithnjë një aspekt karnevalesk, gjatë të cilit rregullat ktheheshin kokëposhtë, autoriteti përqeshej dhe kriminelët shndërroheshin në heronj.

Më në fund, vetë tmerri i ekzekutimit publik krijonte qendra ilegaliteti – meqë njerëzit mblidheshin në taverna, ndonjëherë ktheheshin kundër autoriteteve dhe, ç’është më e rëndësishme, ndiheshin më afër se kurrë të dënuarve me vdekje.

U zgjata pak me këtë digresion, sepse besoj do të ndihmojë për të kuptuar më mirë pasazhin e cituar në krye, nga diskutimi mes udhëheqësve të lartë të Partisë dhe të shtetit, në lidhje me varjen publike të Hamit Matjanit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Për mua është e qartë se, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku, kur thonë se ekzekutimi publik i këtyre të dënuarve do të kënaqë popullin, kanë parasysh kryesisht aspektin pjesëmarrës (participativ) të publikut në ushtrimin e dhunës penale; ndërsa Enver Hoxha, edhe pse në dukje përmend frikën që mund të shkaktojë varja publike dhe pamja e të varurit në popull, në thelb i druhet aspektit karnevalesk të ekzekutimit publik, gjatë të cilit gjithnjë ekziston mundësia që populli i pranishëm të solidarizohet me të dënuarin dhe të identifikohet me të.

Për ta thënë ndryshe: Mehmet Shehu më parë, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku më pas, e shihnin popullin si bashkëpjesëmarrës entuziast në ekzekutim; Enver Hoxha, si më i zgjuar dhe më largpamës se kolegët e vet, i trembej popullit dëshmitar, të cilit e vërteta mund t’i zbulohej nëpërmjet traumës kolektive të shkaktuar nga ekzekutimi dhe pamja e të varurit “me gjuhën jashtë”; prandaj edhe dëshironte ta linte vrasjen publike të brendashkruar në diskursin përkatës (popullit do t’i njoftohej ekzekutimi, por nuk do t’i tregohej; tell, not show), dhe larg rrezikut për karnevalizim që mund të sillte me vete spektakli përkatës.

Dokumenti në fjalë i përket vitit 1954; vetëm pak vjet më parë, siç na rrëfyen tani në një varg dokumentesh të botuara nga Gazeta Shqiptare, Stalini e paskësh qortuar disa herë Enver Hoxhën për … stalinizëm, duke i vënë në dukje gabimet dhe teprimet majtiste të regjimit në Tiranë; nga ana tjetër, dimë se dhuna penale ndaj armiqve “të popullit”, edhe në momentet e veta më të ekzaltuara, preferoi të ushtrohej, me pak përjashtime, në fshehtësi, pas shpine, natën, me dyer të mbyllura, larg syve dhe veshëve të publikut; në një kohë që vetë diskursi për dhunën (armikun, luftën e klasave, goditjet e pamëshirshme, diktaturën e proletariatit, grykën e pushkës, etj.) mbeti rigorozisht abstrakt, metaforik dhe pompoz.

Nuk ka komente

  1. Eshte e veshtire te kuptosh popullin shqiptar, me prerjet e duarve apo te gjuhes e me tej me gjymtimet fizike, qe kane qene norme zakonoro-legale jashte mjedisit shqiptar por s’kane perbere ndonjehere norme (zakonore) tek ne.

    Eshte e veshtire te besh nje historik te ndeshkimeve dhe te zbulosh ‘ndjesite’ e popullit.

    Enveri psiken e popullit shqiptar e njihte mjaft mire prandaj dinte te depertonte ne friken e shqiptarit.

    ””krijohet një farë frike e padeklaruar””

    Pse frike e padeklaruar nga ajo ”’gjendje me gjuhën jashtë”” ?

    Po te vezhgojme pak ne tradite, shohim se shperfytyrimi fizik i njeriut, ka qene tabu ne zonat e veteqeverisura, aq sa edhe kur shkohej ne lufte mbahej ‘qefini’ me vete, meqe i vdekuri shperfytyrohet.
    Nuk ekziston ndonje lloj gjymtimi fizik, qekur mbahet mend pushka, denimi me vdekje vinte prej pushkes.

    Ndryshe por jo edhe aq ishte ne zonat e sunduara, megjithate gjymtimet publike kane qene lidhur me varjen dhe prerjen e kokes, nuk duket qe turku te kete praktikuar(te pakten si rregull) prerje duarsh apo gjuhesh ne publik, ndersa gjate torturimit kane qene normale.

    Ndoshta kjo ‘gjendja me gjuhen jashte’, shperfytyrimi fizik, mund te krijonte vertet nje frike, por jo se sehirxhiu do njehsohej me te varurin e me heroizmin e te varurit, por se ‘sistemi’ po perdor shperfytyrimin, qe per shqiptaret duket te kete qene aq e frikshme sa tek te vetqeverisurit ka qene perhere tabu, frike te cilen Enveri e quan ‘frike te padeklaruar’.

    Nga ana tjeter ‘pushka’ e ‘gryka e pushkes’ kane qene perhere te respektuara. Shqiptaret s’jane dalluar ndonjehere per harketare te medhenj (meqe pushka vret ne largesi si harku), megjithate pushka perfitoi krejt dinjitetin e kordhes,palles, shpates.

  2. Krahasimi me spektaklin e skafoldit duhet te sjelle ndermend edhe nje tjeter element krahasimi. Po sipas Foucault, spektakli i skafoldit, ekzekutimi publik, konsiderohej edhe si e drejta e sovranit per te ushtruar dhune ndaj nje padrejtesie qe konsiderohej se i ishte bere trupit te tij. Sovrani ne kete mes ishte mbreti, dhe cdo veprim i jashteligjshem merrej si dhune ndaj personit te mbretit. Vetem duke vene publikisht ne vend kete dhune ndaj personit te tij, mund te justifikohej dominimi prej nje monarku te caktuar ne vecanti, dhe forma monarkike e qeverisjes ne pergjithesi. I ekzekutuari ne publik dhe mbreti, keshtu funksiononin si dopjo te njeri tjetrit. Per aq kohe sa kishte nje mbret, sovraniteti i personit te tij duhej ruhej dhe justifikohej nepermjet shembujsh ekzekutimesh ne publik, dhe per sa kohe qe kishte ekzekutime ne publik, duhet te kishte nje mbret personi i te cilit mund te vihej ne rrezik. Ne rastin e Enver Hoxhes, edhe pse ky ishte nje diktator absolut, forma e qeverisjes nuk ishte monarkike. Aktet e tradhetise, te pakten deri ne 54en nuk mund te konsideroheshin si cenime ndaj personit te Enver Hoxhes, por si cenime ndaj nje urdhri shteteror ne fund te fundit republikan. Ekzekutimi ne publik, keshtu, do ishte pikerisht nje cenim i vete kesaj forme qeverisjeje, pikersisht nepermjet duplikimit te te ekzekutuarit publik tek udheheqesi. Ai te cilit gjuha jashte do i drejtohej do ishte pikerisht subjekti monarkik, duke krijuar keshtu mbi popull nje frike ne lidhje me nje regjim te pakushtetuar, te padeklaruar.

  3. Une i gjej shume interesante fjalet e EH
    (eshte per te ardhur keq qe ai perfundoi se qeni komunist. Me tjeter formim, kam bindjen se do kishte bere shume per vendin e tij/tonin)

    Frika per humbjen e frikes nga ana e turmes (frike e padeklaruar në popull), eshte tejet legjitime. Sepse kur ti nuk di me se nga cfare nuk ka frike turma, deri ne njefare mase ti nuk di me se edhe nga cfare ka frike, e njehere se arrituri ne kete pike, gjerat mund te dihet se si fillojne por asnjehere se si mbarojne.
    Historia eshte plote me shembuj te tille: revolta e Nika-s kunder Justinianit ne Konstantionopoje, ku te dy grupet perjetesisht rivale deri ne vdekje, jeshilet dhe blute, papritur , e lane te vrarit e njeri-tjetrit, u bene bashke dhe iu versulen pushtetit qendror.Ose rasit i revolucionit francez ne 1789, qe filloi me rritje tarifash per avokatet dhe perfundoj me koken e mbretit ne torbe.

    Fjalet e Enverit me duket se zbulojne nga ana tjeter edhe gjendje e brendeshme ne vend, sepse flasin per nje lloj mungese sigurie, ose absolutizmi ne te afruarit e problemit. Krejt ndryshe nga vitet 60-80. Nga se mund te kishte frike ose me sakte shqetesim EH ne vitet 50-55? Kush ishin ato forca apo njerez qe mund te shfrytezonin nje situate te dhene per te cbere ate qe po bente klani ne pushtet? Pse mungon bindja se populli ndofta mund te mos jete 100% me ate cka ben Partia Komuniste?
    Shume interesante e gjitha…

  4. Ndoshta mund te kuptohet psikologjia e Enverit po te shihet nga retrospektiva e vitit ’90. Pak gje dihej asokohe per te vertetat e Hamit Matjanit dhe te derguarve me grupet e diversionit; shume shume te thena dhe gojedhena te oficereve te Sigurimit apo edhe kujtime te mbetura ne koke nga shkrimet e kohes apo te qenit deshmitar i gjyqeve publike. E kam fjalen qe brezi qe mberrit ne demokraci e ruante marredhenien e vete me keto ngjarje me se shumti permes informacioneve te ndermjetesuara qe gjithesesi nuk dokumentoheshin me pamje gjekundi. (Aq sa mbaj mend une ta zeme filmi “Detyre e posacme” nuk jepej te pakten pas vitit 1984, por ndoshta e kam gabim)

    Me shume interes zgjon fakti se pas viteve ’90 pati shume deklarata dhe denoncime, por shume pak Fakte per te mos thene aspak fakte kompromentuese per EH. E kam fjalen per te dhena kompromentuese nga Shoket dhe bashkeudhetaret dhe jo te permbysurit qe ishte parashikuar se cfare do te rrefenin. Kjo teknologji ne fakt ze nje vend paresor ne trashegimine e regjimit; anonimati i vrasjes eshte edhe eleminimi i dokumentit historik, premise e mjegullnajes qe rrethon sot historine e afert te Shqiperise. Keshtu mund te kuptohet pse varret e te gjithe te eleminuarve politike jane pa adrese, pa emer dhe te mbajtur sekret. Si te thuash regjimi ia kurseu per interesin e vet regjistrimin e krimit memories kolektive qe sado e shpelare te jete nga ideologjia priret te ndikohet nga varre dhe emra dikur te njohur qe jo vetem flasin me fatin e tyre, por influencojne per se brendshmi ne psikozen e marredhenies me pushtetin. Kesisoj sugjerimi i Enverit per te mos i dhene popullit mundesine e te qentit deshmitar ne aktin e ekzekutimit ndoshta lidhet me faktin se ushqimi propagandistik duhet te mjaftohet me idene e dhenies se vendimit, pra drejtesise, qe e shoqeruar me pamjen e gjalle te varjes mund te ngulise ne memorie me shume ngjarjen si te tille sesa arsyen e saj. Heshtja kerkohet ketu si instrument frenimi qe sherben me mire se demonstrimi i forces, i panevojshem tanime me ilustrimet e veta banale. Deri ne kete faze ndoshta regjimi po kerkon te instaloje veten, ta stabilizoje ate dhe ne kete perpjekje ndoshta nuhatet nje intuite politikani. Thene kjo, ka logjike te kuptohet pse faza e dyte eshte me mizore dhe e pameshirshme; pra ajo e stabilizimit te Pushtetit te Klanit qe i sigurte nga Jashte kerkon te zgjeroje hapesiren e vet duke vrare cdo rivalitet qe ngrihet mbi arsyen dhe logjiken politike. Ky eshte kulmi i krimit politik, por edhe i arsyetimit te perspektives qe ndiqet dhe dnertohet nga likujdimi si premsie.

    “Kjo eshte nje dhune demokratike”- shprehet Kadare lidhur me nderhyrjen brutale policore ndaj tifozeve te PSG ne stadium. Kur reaguan ndaj tij ai u pergjigj – dhe kete pergjigje e ka risjelle edhe ne intervistat per shtypin shqiptar – Policet ne kohen e Diktatures ishin shume te sjellshem, nuk shihje kurre dhune ne rruge, asnjehere. Vetem se te gjithe e dinin se cfare ndodhte po te hyje Brenda. Regjimi te ofronte token, parajsen dhe Ferrin”.

    Sa pergenjeshtrohet kjo deklarate e tij nga libri “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”?
    “Shetitja e nje trupi te vdekuri neper qytet per efekt terrori eshte e lashte” – mendon pak a shume Dikatori duke iu referuar aktit te Akilit me Hektorin. Por jemi ne fundin e epokes dhe mesa duket regjimi nuk ka se cfare te humbase. Per me shume qe fundi sjell me vete edhe persosjen e aparatit represiv, qe e inskenon vrasjen ne menyre perfekte duke kerkuar te vrase qe ne embrion ate pak kurajo qe lind si alternative e deshperimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin