JUS & JUS

Ka dy mënyra madhore për t’i dhënë individit shtetësinë e një vendi: në bazë të prejardhjes ose për arsye të tjera. E para nyjëtohet kryesisht në jus sanguinis (e drejta e gjakut) dhe në jus soli (e drejta e vendlindjes). Arsyet e tjera kanë të bëjnë me martesën, ndryshimet e kufijve, ligjin, natyralizimin.

Që mënyrat e dhënies së shtetësisë, të paktën nga ana logjike, kanë hyrë në krizë prej kohësh, dihet nga të gjithë. Por para se të flasim për kundërshtitë e kritereve të shtetësisë, duhen sqaruar disa detaje që ndoshta detaje nuk janë. Para së gjithash faktin se kushtet për marrjen e shtetësisë, në çdo vend të botës, vendosen me ligj. Ky i fundit, si kudo, varet nga sistemi politik i vendit dhe nga kultura politike mbizotëruese. Të dyja këto janë të lidhura ngushtë me historinë.

Në përgjithësi mund të thuhet se vendet që e konsiderojnë të fortë lidhjen midis shtetësisë e kombësisë, kur nuk janë thjesht sinonime, përdorin kryesisht jus sanguinis në dhënien e shtetësisë. Kjo mënyrë është edhe më e vjetër se jus soli, që lidhet kryesisht me situatën e krijuar nga lëvizjet e mëdha demografike. Në fakt, legjislacioni i vendeve me imigracion të hershëm e parashikon mundësinë e marrjes së shtetësisë për nga e drejta e vendlindjes. SHBA përbën vendin kryesor ku mbizotëron jus soli, por edhe vende të tjera si Franca e kanë adoptuar prej kohësh. Gjermania nuk ka shumë kohë që e ka përvetësuar, madje pas shumë polemikash të ashpra. Në Itali vazhdon të mbizotërojë jus sanguinis.

Në të vërtetë mënyrat e dhënies së shtetësisë zakonisht bashkëjetojnë midis tyre, natyrisht me përpjestime të ndryshme, por rrallë herë përjashtohen. Në Itali për shembull, ekziston e drejta e gjakut, por edhe ajo natyralizimit; po kështu në Gjermani dhe vende të tjera evropiane. I veçantë është rasti i Anglisë, ku shtetësia varej nga historia e Komonuelthit, shtetasve të të cilit u janë kufizuar gradualisht në vite të drejtat në këtë fushë. Edhe në Shqipëri, ku mbizotëron jus sanguinis, mund t’i jepet dikujt shtetësia shqiptare nëpërmjet dekretit presidencial.

Emigracioni, krijimi i entiteteve të reja politike dhe lëvizshmëria e popullsisë, kanë vënë në pah kundërshtitë e ndryshme të kushteve për marrjen e shtetësisë. Kundërshtitë kanë të bëjnë me marrëdhëniet që shteti ka me qytetarin e vet nga një anë dhe bashkësia e qytetarëve me individin nga ana tjetër. Ja disa pyetje të thjeshta: A mund të quhet amerikan, qytetari që ka ndenjur në truallin e SHBA-së vetëm dy ditë, pra vetëm 48 orë pas këputjes së kërthizës dhe pastaj është rritur në X vend? Ligjërisht po. Në praktikë, bën vaki që të mos dijë asnjë fjalë anglisht dhe Amerikën ta perceptojë si armike. A mund të quhet qytetar amerikan, shqiptari që nuk ia shkrep në anglisht, por që e ka marrë shtetësinë gjithsesi? Në kurth bie lehtë edhe jus sanguinis. Sepse gjaku mund të jetë shqiptar, por unë kam njohur me dhjetëra shqiptarë që e kanë harruar fare shqipen, ose me qindra fëmijë me pasaportë me shqiponjë dykrenare, që edhe fjalën “faleminderit” ta ngatërrojnë fill, kurse në hartën memece u dridhet gishti kur kërkojnë mëmëdheun.

Nga ana tjetër kam njohur shqiptarë që jetojnë në Itali që nga viti 1990, me kulturë e gjuhë mbi mesataren e vendit, por pa shtetësi italiane. Natyralizimi i vonuar në Itali, ka qenë i përshpejtuar në Francë. Përqasje të ndryshme, por kundërshtitë kanë mbetur gjithsesi. Në Shqipëri ka mbizotëruar pa dyshim “e drejta e gjakut”: fëmijët e shqiptarit mbeten shqiptarë. Duke qenë vend relativisht i ri emigrantësh, Shqipëria nuk më rezulton ta ketë ende jus soli-in, ose të japë shtetësi për natyralizime si rastet që përmendëm. Përkundrejt opinionit të përgjithshëm, legjislacioni më duket madje paradoksalisht i avancuar. E kam të vështirë t’i përfytyroj bashkëqytetarët e mi pa shprehje në fytyrë, pra krejt normalë, po të shikonin në aeroport një person me origjinë orientale ose arabe me pasaportë shqiptare në dorë. Do ta denonconin për falsifikim dokumentesh. Megjithatë, duhet thënë, se herët a vonë kjo ditë do të vijë, d.m.th. që të huajt që punojnë në Shqipëri të kërkojnë shtetësinë shqiptare. Nuk e di nëse marrja e shtetësisë do të jetë e drejtë apo do të varet nga diskrecioni i nëpunësit të radhës.

Problemi i shtetësisë është i vjetër dhe mjaft i ndërlikuar përderisa lidhet me të drejtat dhe detyrat e qytetarit. Në vendet ballkanike situata bëhet edhe më e vështirë. Me kosovarët jemi një komb por me shtetësi të ndryshme, me minoritarët na bashkon shtetësia por jo kombësia. Në rastin e shqiptarëve – por kjo vlen edhe për të tjerët – për dhënien e shtetësisë duhen marrë parasysh si bazë themelore të paktën dy kritere: pjesëmarrja në jetën e bashkësisë dhe gjuha. E para mund të zbatohet më lehtë për natyralizimet e të huajve me vendbanim në Shqipëri, pak më i vështirë paraqitet zbatimi për shqiptarët e ikur, ose për ata që marrin pjesë në jetën publike shqiptare pa qenë fizikisht në vend. Por edhe këto kritere mund të “gënjehen” lehtë nga ndonjë i huaj poliglot dashamirës i turizmit nënujor ose frekuentues i dyshimtë i jetimoreve por me pasione gjuhësore. Me sa duket nuk paska kritere të pagabueshme… Por duke qenë se analizat e gjakut nuk na dëftojnë kurrgjë, atëherë do të ishte mirë ta fillonim kështu: me diskutimin rreth këtij aspekti aspak dytësor.

4 Komente

  1. Pse e harroni vendin e i ish qyteterimit antik, Greqine.

    Mendoj se ne Europe, Greqia ka mbetur ne fund te listes.
    Pasi i de tyroi njerzit te ndryshoje dhe emrat mund te kete shkuar ne fund te listes te gjithe shteteve te botes

  2. Nuk eshte se vetem Greqia ka ndjekur rrugen e shtimit te popullsise me ane o Kishifikimit gjuhesor,o te Shtetezimit gjuhesor o me ane te Shtetezimit te individit(shtetesia) ….Jane dhe Franca,Italia,Rusia,Usa e te tjere…Me sa mbaj ment,nje i pari mbret i ketij shteti ka shkruar qe shumica e banoreve te Greqise fliste shqip para reth 150 vjetesh,ku dua te vecoj ushtrine dhe marinen,te cilet flisnin 100 % vetem gjuhen Shqipe.Paska qene e thene qe historia jone te perseritet ku nuk perjashtoj mundesine e ndryshimit te emrit jo te individit por edhe te Shtetit Shqiptar ne nje ardhme jo te larget.
    Me mire duhej thene qe historia eshte nje perseritje e vazhdueshme e vetvetes ne vendet qe qendrojne ne fund te kavallit.

  3. Greqia perdor nje term mjaft te dobishem ne lidhje me jus solin, homogjenizim, ne ndryshim nga termi ‘i demshem’, natyralizim.
    Natyralizim nuk do te thote praktikisht asgje. C’kuptim ka qe nje individ te natyralizohet ? Behet i natyrshem, behet pjese e natyres, behet natyror, natyral etj ?!

    Ne pamje te pare, duket si term korrekt kur lidhet me territorin, me shtetin(natyren, o malet e Shqiperise) mirepo kush shihen kushtet e natyralizmit, verehet qarte se jane kushte qe i perkasin rendit social te gjerave, kerkohet qe individi te jete pjese e bashkesise socio-politike, te perthithe identitetin e pjesetareve te tjere te bashkesise etj.

    Jus soli duhet te kishte termin territorializim, pasi i vetmi i pershtatshem kur te qenet ne nje territor te caktuar te japin te drejta mbi ate territor.

    Nderkaq termi homogjenizim, i pershtatet edhe nivelit historik qe eshte i domosdoshem kur behet fjale per integrimin/asimilimin/cngjasimin e dikujt, pa harruar se po ky term ka kuptim paresor ne fushen sociale;shoqeri homogjene, bashkesi homogjene, grup homogjen.

    Vete shtetet amerikane duhet te flasin per territorializim, sepse aty njeriu thjesht territorializohet, po ashtu si fabrika a uzina, e vetem me vone, po shume me vone, mund te flitet per homogjenizim.
    Natyralizim eshte term me te futur.

    Une do thoja, se vijueshmeria normale e ketij procesi do ishte e ketille:

    1- territorializimi i emigrantit, qe zgjat disa vjet, dmth emigranti eshte vendosur/ngulur ne nje territor te caktuar, qytet a fshat, ka nje pune relativisht te sigurte qe e lidh me territorin, ka nje shtepi relativisht te sigurte ku te fuse koken e njohjen relativisht te mire te gjuhes e cila i lejon pastaj te perthithe edhe kulturen e vendit.

    2- homogjenizimi social i emograntit. Ky zgjat gjithe jeten e tij. Emigranti behet pjese e se teres, dmth nga pjese e vecante behet pjese e unikes, e bashkesise se atij, vendi rregullave morale e ligjore, mendesise se atij vendi,kultures e gjuhes.

    Nderkaq , koncepte te tilla, si amerikanizim, italinizim, shqiptarizim nuk jane te pershtatshme per te karakterizuar nje individ te tille, duke qene se ngelen siperfaqesore.

    Femija i emigrantit, homogjenizohet socialisht/kulturalisht pothuaj menjehere, sidomos kur lind atje, keshtu qe vetem tek ai mund te flitet me siguri per amerikanizim, italianizim, shqiptarizim etj.

    Faza e fundit eshte autoktonia (identitare) dmth kur hyn me te drejta te plota historike ne bashkesi, atehere kur harron origjinen e nuk te karakterizon me termi i shqiptarizuar por termi shqiptaria .
    Kjo ka me shume rendesi moralo-psikologjike sesa juridiko-politike, por qe gjithsesi me mire ta kesh sesa mos ta kesh. Eshte perhere me mire te karakterizohesh nga te tjeret si vendas sesa si i ardhur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin