BUDALLA JE VETË

what the heckGjithnjë më kanë ngacmuar opinionet e çuditshme që kanë njerëzit për veten.

Një businessman durrësak, që njoha rastësisht në një hotel, e pikësonte çdo bisedë me fjalët: “ku di un, mër jahu, un jom katunar mër jahu.” Nga mënyra si i thoshte e nga intonacioni që përdorte, dukej se kishte pasur kohë ta kolaudonte mirë këtë manierizëm, ndaj së cilës të pranishmit zakonisht reagonin duke i thënë se nuk ishte fare katundar, se përkundrazi puna gjithnjë i kishte ecur mirë, e ashtu me radhë.

Një kushërira ime, e cila dikur bunte shpesh në shtëpinë tonë, e kishte zakon të rrinte para pasqyrës për një copë herë, dhe pastaj ta përfundonte sesionin soditës me fjalët: “Pse jam kaq e shëmtuar, xhanëm?” Ime më, kur ndodhej aty, i thoshte: “po pse thua kështu, nuk je dhe kaq e shëmtuar, ja sytë i ke të bukur, edhe buzët. Vetëm hunda ta prish pak.”

La Rochefoucault thoshte se të gjithë njerëzit ankohen për kujtesën, por askush nuk ankohet për inteligjencën (“Tout le monde se plaint de sa mémoire, personne de son jugement”).

Nga funksionet e mendjes, kujtesa është si punëtori i krahut, ose pastruesi; askush nuk ia vëren zellin dhe këmbënguljen, askush nuk pret prej saj të shkëlqejë. Virtuozët e kujtesës, që shfaqen ndonjëherë në konkurset televizive, i barazojmë me akrobatët e cirkut ose atletët e shkëlqyer; dhe bash për këtë arsye i konsiderojmë si inferiorë ndaj vetes.

Thuase se kujtesa e mangët qenka shenjë normaliteti!

Të tjerë haptazi ankohen për veshin muzikor që u mungon, ose që nuk dinë të këndojnë, ose të tregojnë përralla ose barceleta, ose që nuk vizatojnë dot, ose që nuk kanë askurrfarë talenti.

Kur bënim një herë prova kori në fakultet, një shkodran që kishim në kurs po këndonte kaq keq, sa mjeshtri i korit i tha: “ti nuk duhet të jesh shkodran, se unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë shkodran që të këndojë kaq keq.” Megjithatë, shoku im Bujar Ç. u shkri së qeshuri, dhe e pranoi se vesh muzikor nuk kishte pasur kurrë.

Arsyeja sugjeron që meshkujt nuk e pranojnë kurrë publikisht dobësinë seksuale ose impotencën; madje edhe kur i kap me Viagra në xhep. Megjithatë, kur kam qenë një herë në Kamp të Punëtorëve në Theth, kam dëgjuar një burrë të sapomartuar të ankohej se nuk po e përballonte dot nusen në shtrat; dhe këtë ankesë ta bënte krejt i shpenguar, duke luajtur ping-pong.

Të tjerë s’e kanë për gjë të rrëfehen se nuk marrin vesh fare nga poezia, ose që nuk lexojnë kurrë “romane”, ose e kanë të pamundur të mësojnë një gjuhë të huaj.

Kapacitete intelektuale, koka të mëdha në fushat e tyre përkatëse, politikanë, autorë dhe autoritete, njerëz të kulturës, udhëheqës të masave, artistë të konsideruar gjenij dalin përpara kamerave dhe pranojnë, me qetësi të habitshme, se nuk ia thonë fare në matematikë. Pohime të tilla nuk bëhen gjithnjë për të tërhequr vëmendjen; unë i pari e besoj se shumë prej këtyre virtuozëve të fjalës janë aq të pazotët sa të mos e kuptojnë dot, bie fjala, teoremën e Pitagorës; të mos e kuptojnë jo sepse nuk përpiqen, as sepse e nënvlerësojnë gjeometrinë ose u duket se nuk u vlen për të bërë para ose për të fituar simpatinë e publikut ose të seksit tjetër; por thjesht ngaqë nuk ua ha dot truri.

Kush jep e merr, për të fituar bukën ose për qejf, me opinionin publik, e ka të qartë se opinioni negativ është për t’u preferuar ndaj heshtjes ose harresës. Ky rregull vlen pak a shumë edhe në situata të përditshme, ku njerëzit asgjë nuk i shkatërron më shumë e më shpejt se mungesa e vëmendjes, prandaj kritika, madje edhe fyerja, nuk i shqetëson aq sa mospërfillja.

La RochefoucaultMegjithatë, maksima e La Rochefoucauld nuk e ka humbur vërtetësinë as sot, meqë rrallë të qëllon të dëgjosh njeri të ankohet për inteligjencën e vet, ose të pranojë hapur se është budalla ose kokëtrashë; edhe pse bota të tillë ka më shumë sesa njerëz pa vesh muzikor, ose që nuk vizatojnë dot mirë, ose që nuk i kombinojnë dot rrobat që veshin, madje edhe që nuk e kënaqin dot gruan në shtrat.

Jo vetëm kaq; por edhe gatishmëria e të gjithëve ne, për t’ua pranuar të tjerëve mangësitë tona, shpesh nuk është veçse një mënyrë e tërthortë për të konfirmuar intelektin; meqë çdo mangësi e krahasojmë jo aq me dhuntinë përkatëse të të tjerëve, sesa me intelektin tonë. Kur ankohemi se jemi të shëmtuar, duam të themi edhe se nuk jemi aq të bukur sa ç’jemi të zgjuar; kur themi se nuk kemi vesh për muzikë, ngushëllohemi me idenë, sado të fshehtë, se nuk jemi aq të zotët muzikalisht, sa ç’jemi mendërisht; kur pranojmë se nuk na e shkrep për matematikë, shprehim një farë habie që aftësitë tona matematikore nuk i përgjigjen mençurisë sonë në përgjithësi.

Businessman-in durrësak, që përmenda më lart, gjithnjë e ndërprisnin bashkëbiseduesit për t’i thënë: “po ç’katundar je ti, ti ke bredhur botën, ti ke dy pallate, ti ke tre business-e, ti të thyen kokën me pare…”

8 Komente

  1. Kurse mua më ka bërë më shumë përshtypje se si njerëzit i përdorin opinionet e çuditshme për veten për ta bërë kandarin e bisedes të anojë nga ana e tyre.

    Ç’mund t’i thuash dikujt me të cilin je duke diskutuar ta zëmë për teorinë e Darvinit i cili në vend se të përpiqet të sjellë diçka të “re” në bisedë për ta vancuar atë, të kujton se “si ‘pa shkollë’ që është nuk të merr vesh se çfarë je duke thënë”. Kuptohet se ky lloj argumenti nuk qëndron sepse së pari pjesa më e madhe e atyre që kanë mbaruar qoftë edhe nivele të pëlqyeshme shkollimi nuk është se kanë patjetër njohuri të mira për teorinë e Darvinit, apo edhe për shumicën e gjërave – edhe nëse kanë studiuar biologji – sepse teori si ajo e Darvinit janë teori shumëdisiplinore që përfshijnë koncepte jo vetëm biologjike, por së pari ekonomike dhe filozofike. Pra ky lloj argumenti që në pamje të parë duket sikur kërkon ta thjeshtëzojë diskutimin, në fakt përpiqet ta vrasi atë sepse jo gjithmonë është e mundur për ta sjellë bisedën tek emëruesi më i vogël i përbashkët dhe përsëri të vazhdojmë të kuptohemi. Disa çështje thjeshtë nuk mund të diskutohen qartë nëse i zhveshim nga një thelb apo kompleksitet i domosdoshëm, siç është në këtë rast dashuria për shkencën por edhe një përqasje shumëdisiplinore, që përkthehet me domosdoshmërinë për të qënë “mendjehapur” (por jo patjeter me shkollë) për ta diskutuar. Po ashtu ka dicka shumë të ngjashme midis taktikës së “opinionit të çuditshëm për veten” dhe argumentit ad hominem, ndonëse në pamje të parë duken si gjëra të kundërta.

    Kurse në folklorin shqiptar kjo lloj përqasie kundrejt bashkëbiseduesit ka qënë, dhe vazhdon të jetë shumë e përhapur në formën e të ashtëquajturave “romuze”; jo rastësisht të përdorura me shumicë edhe nga kinematografia dhe letërsia e realizmit socialist.

  2. Xhaxha, të mos i ngatërrojmë gjërat; ai businessman-i nga Durrësi, nuk është tamam-tamam “businessman”… ai është “biznesmen”. Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme!
    Kjo punën e mungesave, të veshit muzikor… etj., mund ta krahasoj pa frikë me autoritetet vendore ose lokale, që zakonisht shkëlqejnë me mungesën e tyre kur njerëzit kanë vërtet nevojë.
    …Po ç’katundar je ti, ti ke bredhur botën, ti ke dy pallate, ti ke tre business-e, ti të thyen kokën me pare… eh mor Xhaxha, mund ta marrësh katundarin për dore dhe ta nxjerrësh nga katundi, por katundin nga katundari nuk mund ta nxjerrësh dot kurrë!

  3. Para dy ditesh nje aktore (L. Xhuvani) u prononcua per kandidimin e saj me partine socialiste (perkunder nje aktoreje tjeter R. Bulku, kandidate per PD): “une nuk jam politikane por ndihem e thirur per te bere kete detyre”. Nese do ta perifrazioja cfare tha, me aq sa mbaj mend.

    Pse shprehet keshtu kjo grua? Perse u shpreh pak a shume ne te njejten menyre E. Rama para ca ditesh ne nje universitet privat? – Sepse figura e politikanit eshte e diskretituar, ka nje konotacion negativ. Sepse kerkohet te distancohet nga nje figure ndaj te cilit populli nuk ka besim. Keshtu qe shprehja se “dikush nuk eshte politikan” pastron figuren e atij qe e thote.

    Po ku eshte problemi me kete? Sepse jeta politikane kerkon politikan, kerkon njerez te afte te jene aktive ne nje fushe te caktuar, qe ne kete rast eshte politika, partia e institucionet shteterore. Psh. ne momentin qe dikush pra shprehet se nuk eshte tregtar (matrapaz) atehere cfare ben ky person ne treg, dhe si quhet aktiviteti i tij “shkembyes”? Ky person ose nuk eshte i vetedijshem per veprimtarine qe ushtron, ose nuk eshte profesionist, ose ….

    Pastaj ne akoma nuk e kemi kuptuar se duhen politikane profesioniste, jo qe katapultojne nga skena e teatrit, apo e shkolles, por qe kalojne shkallet e karieres se profesionit. Pra eshte e pajustifikueshme thenia e tille “se nuk jam politikan” e cila medemek perligjka pastertine e individit, porqe na thote shume mbi aftesine e dikujt per te qeverisur nje vend, nje popull (dmth. qe nuk eshte i afte nese nuk eshte profesionist.)

    Ne gjermanisht fjala profesion eshte Beruf, me rrenjen tek rufen — therret, i therritur, pra dikush ndihet i talentuar, deri diku ne menyre fataliste i “thirur” nga Zoti, nga fati, dispozitat e tij biologjike-konjitive etj. per te ushtruar nje veprimtari te caktuar. (kujtoni Weber – Politik als Beruf). E pra si mund jete dikush i thirur per te bere politike, porse kurrsesi nuk mund te quhet politikan? Me ke tallen keta njerez keshtu?

    Keshtu qe sic shprehet edhe xhaxhai, duhet te behemi te pakten te ndergjegjshem per epersite dhe mangesite tona, e te mos presim konfirmime nga te tjere per te kunderten e atyre qe dime me siguri, per hir te atyre qe kemi qejf te besojme.

    PS. por kam qejf te prek tani nje teme shume te rendesishme. Ne Shqiperi kane filluar te nderhyjne ne jeten private te individit ne formen me te shpifur te mundshme. Kjo qofte fale teknologjise dhe sistemit te perqendruar te telekomunicionit ne Shqiperi, cfare do ta kishte zili edhe regjimi i dikurshem socialist. Pervec faktit qe njerzit sillen me zor neper mitingjet e partise demokratike ose personeli i bashkise mbush sallat e PS-es, tani Sali BErisha ka filluar te shkeli kushtetuten persa i perket cenimit te sferes private.

    Neper Tirane ka shume njerez (edhe une) qe marrin thuajse perdite reklama per PD-ne neper celularet e tyre. Kjo praktike ndiqet edhe nga Ministria e Brendshme qe njofton per pajisjen e detyruar me karta. Keto nr. e celularit jane informacione shume te ndjeshme qe asnje kompani nuk ka te drejte t’i japi. Une nuk e di ligjin e sakte per kete ceshtje, por besoj se meqe shume ligje jane kopjuar nga kushtetutat e vendeve perendimore, besoj se eshte po njesoj e ndaluar te perdoren nr. e tel per te derguar reklama dhe per te shqetesuar njerzit pa vullnetin e tyre. Kjo eshte madje nje shkelje flagrante e te drejtave te njeriut dhe sferes se tij private, sepse celulari nuk eshte nje mjet komunikacioni publik, sikur televizori, porse personal. Me siguri ekziston nje klauzol, sikur e ka gjithe bota, qe ne momente te rrezikut te sigurise (lufte, katastrofa natyrore) se banoreve Ministria e Mbrotjes (dhe vetem ajo) ka te drejten te njoftoj banoret per te tilla ngjarje, porse jo per te derguar reklama per qeverine.

    Shkurt ketu e djathta shqiptare persa i perket informacionit eshte teresisht fashiste, dhe jo vetem kaq, kane filluar qe te predikohen politika protektioniste e monopoliste sikur ne Italine e pas Luftes se Pare boterore. Misherimi i Cezarizmit shqiptar eshte Sali Berisha!

  4. Eh o kapedan e nise mbare (do vazhdoj me poshte) po pastaj e bere si puna e lopes me koven e qumeshtit, nje shkelm e …..
    C’lidhje ka Cezarizmi, Sali Berisha, fashizmi etj, me temen; mire qe s’fute Gerdecin si ben nje tjeter ketu.
    Mu duke per nje cast si zonjushe Spiropali, qe eshte specializuar ne propagande, se kam hasur njehere te vetme te dale nga shinat e propagandes si ne shkrime ashtu edhe ne televizion. Bo ca jeni ju te majtet…..

    Po me e forta eshte fillesa e perfundimit: Shkurt ketu e djathta …… eshte fashiste. Edhe vete Gebelsi do te kishte zili.
    Pa ik shiko edhe njehere c’tha Nano para ca ditesh mbi te majten e Ramen ne vecanti.

    Tani doja te shtoja se jo vetem Xhuvani tha se s’merrte ere nga politika, se nuk eshte politikane, po nese te kujtohet edhe Ajola, rioshja e PS tek ‘Opinion’ tha te njejten gje, se eshte profesioniste juriste, e se politiken njefaresoj e kishte hobi, per kohen e lire qe i linte profesioni.

    Si duket PS, po mbushka radhet me femra seksi por qe qenkan te pastra, se nuk jane politikane.
    Keto kompesohen me femra te tjera po aq seksi, po specialiste te propagandes si Olta Xhacka dhe Spiropali.

    Ne Itali kete politike seksi & propagande po e ben Berluskoni prej kohesh !!! Kush ka kopju njeri-tjetrin thua ti, Rama Berluskonin apo Berluskoni Ramen ?

    ”””Perse u shpreh pak a shume ne te njejten menyre E. Rama para ca ditesh ne nje universitet privat? – Sepse figura e politikanit eshte e diskretituar, ka nje konotacion negativ. Sepse kerkohet te distancohet nga nje figure ndaj te cilit populli nuk ka besim””’

    Ne fakt Edi Rama ka dhene ndihmese te jashtezakonshme ne diskretitimin e figures se politikanit, biles me kete serine e re televizive ‘seksi & propagande’ po ndihmon akoma me tej ne diskretitimin e ketij roli kaq jetik ne shoqeri.

    Per ta plotesuar mendimin tend, do thoja, se ky mohim, lidhet me ndershmerine e mospranimin e prapaskenave politike, te cilat figura e politikanit i ka perdhosur, dmth une ne ndryshim nga politikanet jam i ndershem dhe i sinqerte me publikun.

    Ne pergjithesi, mendoj se kjo menyre e se permenduri nje cen te mundshem, eshte edhe nje nevoje e individit per te kerkuar mendimin e tjetrit i cili nuk mund te bjere dakort me ekstremizimin qe zakonisht shoqeron kete lloj ‘ankimi’, dmth eshte nje forme te shprehuri e cila pret si pergjigje nje mohim te ekstremizimit te mendimkerkuesit, biles qe kalon edhe ne mohim te vete realitetit.

    Njeriu si te thuash pret miratim qe eshte e kunderta, duke ekstremizuar cenin. Kjo lidhet me ankimin e atij biznesmenit apo te femres para pasqyres.

    Nderkaq nese ceni nuk eshte i mundshem por qartesisht i dukshem e si te thuash boterisht i pranueshem, atehere merr formen e autoironise per te evituar qe ky cen te permendet nga te tjere, pra te sjelle dhembje, sepse edhe nese e njohim realitetin e nje ceni, perhere na pelqen te bejme sikur nuk e kemi dhe mospermendja prej tjetrit krijon iluzionin e dobishem se ky cen nuk eshte aspak problematik biles mund te mos ekzistoje pervec se ne mendjen tone.

    Pastaj ka edhe raste, si u permenden ne shkrimin hapes, kur njerez te suksesshem ne profesionet e tyre, nuk pertojne aspak te thone se mundesisht nga e kunderta e profesionit te tyre nuk marrin ere, si per te perbere lajm ashtu edhe per tu marre permasa me modeste, si te thuash une jam si gjithe te tjeret, po kam kete talent. Nje lloj modestie e stisur sepse ne fakt pahnxjerrin se jane talente ne profesionin e tyre, pra me shume nxjerrin ne pah
    aftesite ne fushet e tyre sesa paaftesite ne fushat e tjera.
    Ne fund te fundit ajo eshte e pritshme nga publiku , keshtu qe perfiton edhe nga ‘sinqeriteti’ qe tregon.

  5. nje shenim teknik per mirembajtesit e faqes:
    piktura e dyte qe shoqeron shkrimin mbivendoset mbi tekst duke e bere tekstin e padukshem.
    Kjo ndodh kur lexohet nga ekrani I kompjuterit te xhepit.

  6. Është vetëm mënyrë për të justifikuar veten duke vënë në pah të të tjerëve atë që gjykojmë si mangësinë më të theksuar. Është vetëm një përkëdhelje e egos nga ana e personit (dhe unë e gjej veten shpesh duke e bërë këtë, duke parë aftësinë nën-standarte në manovrimin e lapsit mbi letër). Për mua, kjo gjë ja vlen të diskutohet – por jo të gjykohet – pasi është në nivelin e ëndrrave seksuale të adoleshencës.

    Gjithsesi vlen për tu diskutuar nëse do i pranonim si ‘vepra’ punët e dikujt që nuk arrin të kuptojë teoremën e Pitagorës, përshembull. Për mua është tjetër gjë paaftësia për të pikturuar tablo ose kompozuar muzikë të pranueshme, dhe tjetër gjë komplet paaftësia për të shumëzuar numra, gjë që në shkrimin e mësipërm të jep ndjesinë sikur barazohen.

  7. Pak a shume nese do te konceptojme kalin e trojes ne nje drejtim jo te zakonshme,ai simbolizon paftesine per te fituar luften ne rrugen e zakonshme,balle per balle.Por njekohesisht simbolizone aftesine e zgjuarsise per te bere hile nga ana e fituesve,ose budadallekun e kundeshtarit,i cili nuk ishte aq i zgjuar sa fituesi e nuk arriti te kuptonte qe ne barkun e kalit gjendeshin ata qe do te hapnin portat e qytetit.Do te hapnin ato porta ,te cilat numd te hapeshin gjate muajve te tere luftimi.
    Krahasueshmeria e shikueshme,e prekshme,e mendueshme ose e nenkuptueshme e elementeve te vecante ka qene nje nga drejtimet ne te cilin njeriu ka zhvilluar mendimin deri ne nivelin “x’ te sotem.
    Ketu kemi te bejme me nje nga rruget e kenaqjes se uneve tona ku eshte parimi baze;prano ose shpreh nje argument te parendesishme ne drejtim te vetes,per te fituar ne nje argument te deshiruar te direkt kuptueshem ose indirektkuptueshem,perseri reth vetvetes.
    Ky konkluzion nuk perfshin te gjitha rastet.Mbaj mend kur isha ne fakultet,nji shokun tim te dhomes,i cili mbajti per kater muaj resht librin e Gjeometrise Diskriptive ne te njeten faqe.Nuk shkonte dot me tej.
    Dallohen kur ne e perdorim si mjet per te arritur dicka apo kur pohimi perben thjesht nje te vertete,e cila edhe pse per disa ne sisteme te ndryshme referimi krahasueso argumentues,eshte e hidhur ose normale,ose dobesi,ose merite(arrin te pohoje te metat universale te vetvetes).Eshte dicka qe futet ne shprehjen “nuk e bej dot” sepse nuk i jam i afte ta bej,pa kerkuar te arrij dicka tjeter per kompensim.

  8. Ky titull joshës, më solli ndërmend devizën «Kush shan shokun, shan veten — kush shan veten, nënkuptohet shan dhe shokun». E mbani mend atë barsaletën e kohës së komunizmit, me ca fëmijë të vegjël, që tirret pak-a-shumë kështu:
    —Biçikleta ime është më e mirë se jotja!
    —S’ësht e vërtetë, s’ësht e vërtetë…
    —V’llai im është më i fortë se joti, e kap atë tëndin dhe e hudh… ehuuu, k’tu e ke Xhamlliku!
    —S’ësht e vërtetë, s’ësht e vërtetë…
    —Edhe mami ime është më e mirë se mami jote!
    —A, këtu ke të drejtë. Edhe babi im k’shu thotë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin