Reklama

Ç’NA BËRI KY COVID

Po lejohem ta vazhdoj pak argumentin e Edonit (të botuar sot te Peizazhet, si “Rrugaçë në dy kohë”), i cili më ndihmon – në fakt – që ta artikuloj edhe një mendim timin kështu nga larg.

Si zakonisht, janë disa faktorë që konvergojnë, për të “shkrepur” kriza të tilla. Faktorët socialë i ka shkoqitur Edoni, unë thjesht po e çoj muhabetin më tutje, duke pasur parasysh edhe disa zhvillime strukturalisht të ngjashme në SHBA këtë periudhë.

Duke filluar nga Covid-i, jo aq si sëmundje, sa si shkaktar çrregullimesh sociale, shpesh mu në shtresën e të rinjve. Unë madje fjalën “ç-rregullim” do ta lexoja etimologjikisht – ose si prishje edhe e RREGULLIT edhe e RREGULLËS, duke pasur parasysh me RREGULL atë lloj strukture edhe koercitive, edhe të interiorizuar, që u jep jetës së përditshme të së rinjve shkolla, studimi, aktivitetet pas-shkolle (sporti) dhe puna, nëse janë në punë.

Është një nga funksionet sociale të shkollës: të disiplinojë, në kuptimin e mirë dhe në kuptimin e keq (“we don’t need no education”, kanë pasë kënduar ca). Nuk po dua ta hap këtu këtë muhabet kaq teorik – për funksionin që ka shkolla në ZBUTJEN e të rinjve; po mjaftohem të vërej se ndërprerja e asaj RUTINE të organizuar, që është ndjekja e shkollës, shkakton vetvetiu krizë, duke ia hequr përditshmërisë strukturën dhe duke ia deleguar këtë, pa dashur, disa surrogatove të shoqërisë civile, që kanë edhe ato rregullsi, si mediat (TV, Interneti, rrjetet sociale).

Distancimi social prej Covid-it dhe rregullat e karantinës i kanë çrregulluar edhe ato vende në qytet që ndihmonin për t’i dhënë strukturë së përditshmes: baret, kafet, dyqanet, pubet, diskot, ose çdo vend tjetër ku të rinjtë riprodhojnë zakonisht vetveten dhe vetëdijen e tyre si brez. Nuk e kam shumë të qartë se ku pikërisht takohen sot të rinjtë në Shqipëri, për të kaluar kohën (“to hang out”) përtej hapësirave virtuale të rrjeteve sociale, por ma do mendja se e bëjnë këtë në djerrinat e hapësirës publike, ose në vende të “parregulluara”; dhe unë te këto djerrina prirem të fut edhe rrjetet sociale vetë, ku mungon artikulimi racional dhe që, siç e kanë thënë, përftojnë vetmi dhe izolim social, prapa iluzionit se po i sjellin njerëzit bashkë, madje edhe duke kompensuar për jetërsimin “standard.”

Shto këtu edhe përçarjen që ka sjellë Covid-i në marrëdhëniet mes brezave – ku të rinjtë shpesh fajësohen si ata që e sjellin infeksionin në familje dhe pastaj si përgjegjës, sado tërthorazi, për sëmundjen e rëndë ose vdekjen e brezit të vjetër. Mosha e të rinjve është e tillë kur ende nuk është e qartë nëse janë subjekt apo objekt i kujdesit për të afërmin, duke filluar nga prindi: nëse më parë ka qenë gjithnjë prindi që shqetësohej kur sëmurej fëmija, tani është fëmija që – teorikisht – duhet ta MBROJË prindin nga infeksioni. Por sa ekziston vetëdija për këtë? Dhe sa përjetohet akuza/përgjegjësia për përhapës të Covid-it si një formë stigmatizimi social?

Kjo prishje e raporteve vertikale – në familje, që po ndodh prej kohësh edhe për arsye të njohura, pa lidhje me pandeminë; dhe në shkollë, ku vjen në kontekstin e një kolapsi të marrëdhënieve me mësuesit, dëmton edhe drejtpërdrejt raportin e brezit të ri me autoritetin. Për të riun, mësuesi dhe shkolla duhet të jenë model autoriteti – por sa mund të funksionojë kjo, në rrethanat e mësimit virtual? Madje mësuesi (pedagogu) jo vetëm është model autoriteti, por edhe përfaqësues ose ndërmjetësues i autoritetit social – përfshi këtu edhe shtetin. Është e rëndë, më duket mua, që i riu – tashmë i distancuar socialisht nga familja dhe i shkëputur nga mjedisi social i institucionit shkollor – ta përjetojë autoritetin publik vetëm në figurën e POLICIT. Madje jo vetëm e rëndë, por edhe recetë për katastrofë.

Ashtu siç e sheh i riu si në Tiranë si në Milano si në Paris si në Brooklyn, institucionet tradicionale të disiplinimit tashmë ua kanë lënë vendin rregullave të “distancimit social”, të cilat imponohen me rrugë policore – çfarë e kthen edhe Covid-in vetë, bashkë me masat koercitive për pengimin e përhapjes së sëmundjes, në vegël disiplinimi.

Për ta thënë me një formulë të përmbledhur: në një gjendje lakuriqësie sociale ose STATE OF EXCEPTION, të privuar nga institucionet edhe më elementare, të rinjtë fillojnë ta kuptojnë se ata vetë kanë qenë në një STATE OF EXCEPTION prej kohësh; të paktën në kuptimin e një brezi pa të ardhme, një brezi të djegur, një nënprodukti jo produkti.

Kam qenë edhe unë nxënës e student dhe e mbaj mend që, me mendtë që kisha atëherë, autoriteti – i çdo lloji – ishte vetvetiu armiqësor (sërish: “we don’t need no education”). Por tani vras mendjen se çfarë ndodh, kur ky autoritet tkurret dhe zhduket: si mund të mbijetojë brezi i ri, kur ka vetëm policin përballë? Një temë që Edoni e ka cekur mirë, por që mua më kujton – mes të tjerash – edhe skenarë distopikë, si ato të romanit “Lord of the Flies”. Në fakt, e kam të vështirë ta shoh një brez të ri psikologjikisht normal, pa raporte vertikale me brezin më të vjetër.

Këtu më duhet të shtoj edhe faktorin e fesë; Mustafa Nanoja e përmendte sot në një editorial tek “TemA”, si alternativë për kongregimin social të brezit të ri. Nuk e njoh mirë angazhimin e të rinjve me fenë, dhe veçanërisht me Islamin, ku duket se rreh Nanoja (e njoh fare përciptazi, ndryshe nga Nanoja, që i ka kushtuar vëmendje këtij problemi). Në thelb ky angazhim duhej të ishte diçka pozitive, sa kohë që jeta kolektive, e ndërmjetësuar nga një institucion fetar, kompenson njëfarësoj për dështimin ose kolapsin e shkollës.

Por është edhe realiteti që feja, në Shqipëri, ose më mirë komunitetet fetare, përfytyrohen prej cave si faktorë në jetën politike; në kuptimin që vetëdija e përkatësisë fetare mund të jetë faktor i fortë identitar, por që nuk ka aq lidhje me raportin e dikujt me Zotin, sa ç’ka lidhje me raportin e dikujt me Tjetrin. Nanoja përmendte Libanin dhe libanizimin – një rrezik që më ka shqetësuar edhe mua që herët (këtu e njëzet vjet të shkuara) dhe që buron objektivisht, nga realiteti ku disa komunitete fetare detyrohen të gjejnë gjuhë të përbashkët për të bashkëjetuar. Në kuptimin e rrezikut që disa nga këta të rinj, që gjejnë strehë në organizatat fetare dhe gjysmë-fetare, në fakt po abonohen në palestra të identitetit, por identitetit më shumë politik se fetar.

Mund të vazhdoja. Janë faktorë që ngrenë peshë veç e veç, por që mund të kthehen në një mishelë eksplozive, po të kombinohen. Shpresoj veç që ky debat të vazhdojë në shumë forma.

©2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: