PREMTIMI VOYEURIST

Jetojmë në një kohë kur publiku po shndërrohet në një masë voyeuriste, teksa kufijtë midis privates dhe publikes vijnë e ndërdepërtohen deri në atë shkallë, sa as privatja e kulluar, as publikja e kulluar nuk mund të ekzistojnë më.

Teknologjia e ndihmon këtë qilizëm social, duke i përsosur e miniaturizuar e komodifikuar mjetet e përgjimit, të regjistrimit dhe të transmetimit të informacionit.

Telefonat celularë tashmë përdoren edhe si regjistrues zëri, edhe si videokamera, edhe si fotokamera numerike. Mjafton një klik i vetëm për t’i ngarkuar imazhet e regjistruara në Internet, ku mund të shfletohen e të lexohen tranzit nga kushdo.

Rrugët dhe sheshet e qyteteve të mëdha mbikqyren nga kamerat, që herët a vonë do të lidhen edhe me programe të identifikimit të fytyrave. Deri edhe bombardimet ajrore tanimë mund të ndiqen drejtpërdrejt, prandaj edhe shtabet përkatëse detyrohen t’i nisin në orë të përshtatshme për publikun.

Teksa aparatet fotografike të paparazzi bëhen gjithnjë e më depërtuese, dhomat e gjumit të figurave publike shndërrohen në spektakël përgjimi për turmat.

Deri dje, pornografistët preferonin video amatoriale, të prodhuara nga çifte të flashkëta që s’e kishin për gjë ta shndërronin aktin e tyre privat në mall për konsum të gjerë. Sot të njëjtat video mund të xhirohen e të shpërndahen pa pëlqimin e protagonistëve, ndonjëherë edhe pa pëlqimin e autorëve.

Informacionin e kontrollon mediumi, jo skajet.

Në rrethanat kur askush nuk është i sigurt nëse po ia regjistrojnë të përditshmen, e kur gjithkush shndërrohet në aktor përpara një publiku voyeur, sfera publike nuk mund të ekzistojë më, dhe bashkë me të edhe qytetaria.

Politikanëve u regjistrohen bisedat intime, të cilat përdoren pastaj për shantazhe gjithfarësh; të vetëdijshëm për këtë dukuri, dhe të dëshpëruar për t’u mbrojtur nga katastrofa, politikanët pushojnë së bëri politikë, me përjashtim të teatrit për turmat.

Televizioni u jep gjithnjë e më shumë hapësirë të ashtuquajturave ‘reality shows’, ku e përditshmja shndërrohet edhe ajo në hapësirë dëfrimi për spektatorin.

Në Londër një stacion televiziv transmeton jetën e zakonshme në një lagje çfarëdo të kryeqytetit britanik: gratë në dyqan të zarzavateve, pleqtë që lexojnë gazetën në park, fëmijët që dalin nga shkolla. Programi ka sukses të jashtëzakonshëm, publiku nuk kërkon gjë tjetër prej mediumit, përveçse pasqyrën.

Në shkollat e Tiranës gjimnazistët regjistrojnë njëri-tjetrin duke zbathur brekët, ose duke u argalisur në gjimnastikë seksuale – të mirëfilltë ose të shtirur. Para pak muajsh deri edhe fotot e kryetarit të opozitës socialiste, gollomesh në plazh nudistësh, u botuan me tirazh të madh nga gazeta kryesore të së djathtës.

I gudulisur në zgëqet më të ndjeshme, publiku nuk ngopet së kërkuari pamje të reja e të freskëta nga jeta e beniaminëve të vet. Një kryetar partie në Tiranë arritën ta regjistronin në nevojtore me një prostitutë; ndërkohë, më anën tjetër të botës, një politikan të rëndësishëm australian e filmuan duke kruar veshët, e pastaj duke e futur kokrrën e dyllit në gojë, për ta shijuar.

Hapësira publike është tashmë hapësirë e shtruar me mina, ku vetëm aktorët e mirëfilltë mund të orientohen. Deri edhe pohimi, dikur i mirëqenë, i verba volans, nuk vlen më; sepse sot fjalët vërtet fluturojnë, por pastaj kthehen e i lëshojnë vezët në kotecet e mediave.

Nëse shekulli XX shenjoi ngadhënjimin e burokracive të mëdha institucionale, shekulli XXI premton të kthehet në kryefestival të katalogimit e të burokratizimit të jetës private. Të gjithë kemi blogjet tona në Internet, ku rrëfejmë intimitetet ose afishojmë foto provokuese mishrash të dëlira; nuk përjetojmë dot më asgjë, pa e ndarë me të tjerë përndryshe të panjohur…

Po a i ka sjellë ndonjë të mirë demokracisë lehtësia teknologjike e regjistrimit? Çfarë përfitimi ka shoqëria, në rrethanat kur marrëdhëniet mes njerëzve ndërmjetësohen nga vegla informacionale?

Asnjë përfitim, përkundrazi. Rreziku tanimë real i pranisë së një mikrofoni ose mikrokamere pas çdo kravate llamburitëse, jake këmishe, tabloje varur në mur, ose busti ceremonial të heroit kombëtar e shkatërron mirëbesimin.

Pa mirëbesim nuk ka kapital social; pa kapital social komunikimi është njëlloj si shkëmbimet mes aktorëve në skenë të teatrit: përsëritje e vetëdijshme e një skenari të parashkruar.

Pa mirëbesim ndërveprimi mes individëve nuk mund të krijojë dot asgjë, teksa individët identifikohen dhe treten në rolet që i kanë dhënë vetes, ose në rolet që ua kërkon publiku; duke u shndërruar në avatarë e figurina videolojërash.

Pa individë, më në fund, të drejtat individuale u kalojnë grupeve ose korporatave, dhe shoqëria ritribalizohet. Ligjërimi publik shndërrohet në formula liturgjike të cilat vetëm sa sakralizojnë konfliktet mes palëve, sado banale.

Çdo ditë, faqet e para të gazetave ose edicionet e lajmeve në TV ftojnë dinakërisht për të hequr dorë nga jeta private. Edhe ata që i kanë mjetet për t’u tërhequr në një vilë-kështjellë majë malit, ose për të lundruar drejt një ishulli të Paqësorit, e kanë shkëmbyer tashmë jetën e tyre private me paranojën.

Publikun voyeurist vetëm një hap e ndan nga kërkesa super-demokratike për t’i kthyer kamerat drejt vetes, e për t’iu dorëzuar ekstazës së digitalizimit permanent.

Afishohem, pra jam, do të kish thënë Descartes.

6 Komente

  1. Një lajm i fundit nga Evropa njoftonte se së shpejti do të na u dashka të deklarojmë edhe ngjyrën e mbathjeve kur të prenotojmë një biletë avioni, e gjitha kjo, natyrisht, për t’i ndihur luftës kundër terrorizuesit Terrorizëm. E përveç të tjerash, këto të dhëna do t’u ruakan të paktën për 13 vjet në bazat e të dhënave të shteteve përkatëse… dhe ky është vetëm fillimi…

    Më duket se popullsia botërore nuk është ende e ndërgjegjshme për potencialin e madh në rrezikshmëri që përmbajnë zhvillimet e pandalshme teknologjike në fushën e trajtimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së të dhënave dhe informacionit. Do të mjaftonin një apo dy të çmendur të shekullit për të përsëritur historinë botërore por në përmasa akoma dhe më tragjike. Utopitë mbi Rendin Botëror të tipit “Brave New World” shkruar nga Huxley që në vitet ’30, ndoshta nuk janë aq të pamundura sa ç’janë të tmerrshme. Kush e ka lexuar, e di se për se e kam fjalën dhe e di se që sot gjejmë plot paralelizma midis shoqërisë reale dhe metaforave të tij gati profetike.

    “Community, Identity, Stability”. A do të jetë bota e së nesërmes planeti i fëmijëve “indigo” që do të çojnë njerëzimin në një nivel të ri evoluimi shpirtëror apo diktatura mbarëkombëtare e informacionit të kontrolluar deri në qelizë?…

  2. Zhvillimi teknologjik sjell me vete ne menyre te pashmangshme dhe ndryshime ne rendin shoqeror dhe ne perceptimin e njerezve mbi veten e ambientin qe i rrethon. Shume prej ndryshimeve me te rendesishme ne shoqerine njerezore i kane patur rrenjet pikerisht tek zhvillime ne teknologji (zjarri, shtypshkronja, makina me avull etj. etj.). Teknologjite e reja mbartin gjithnje rreziqe. Megjithate njerezimi nepermjet mekanizmave veteorganizuese ka qene gjithnje i afte ose ka mesuar per ti shfrytezuar keto teknologji ne dobi te tij. Nuk eshte zgjidhje pra te hedhesh poshte teknologjite per te shmangur disa rreziqe te tyre.

    Ne sot po shohim vetem fillimet e ndyshimeve te nisura nga revolucioni teknologjik ne shperndarjen dhe perpunimin e informacioneve. Nder te tjerash, globalizimi, rendi boteror drejt te cilit ne po drejtohemi, eshte mundesuar nga zhvillimet e vrullshme te teknologjise se informacionit.

    Artikulli i mesiperm pavaresisht mendimeve me vlere qe permbante mu duk pak si artikull kunder teknologjise ne pergjithesi. Pra mu duk pak sikur Xha xhai po na thoshte qe o burra te ndalojme perdorimin e teknologjise per te ruajtur perceptimin tone aktual mbi privaten dhe publiken. Me nje fjale, qe dhe ne te terhiqemi ne nje ishull te brendshem zen-budist ku mund te jetojme te shkeputur dhe te arrijme transcendence ndaj joshjeve teknologjike.

    Nderkohe problemet per te cilat flet Xha xhai (sidomos pergjimet) nuk i kane rrenjet tek teknologjia por diku tjeter. Une ketu ku jetoj nuk kam pare apo degjuar qe politikanet etj. te pergjojne njeri tjetrin e te publikojne pergjimet megjithese teknologjia per kete ekziston prej shume me teper kohesh se ne Shqiperi. Kjo ndodh ne vende si Shqiperia ku individet nuk jane te barabarte mes tyre perballe institucioneve. Per te marre te drejten e tyre individet ne keto lloj sistemesh kerkojne institucione alternative ku e drejta mund te merret me kosto me te ulet (dmth. ne shume raste publikun e gjere). Pra eshte mungesa e institucioneve ajo qe shkakton fenomene te tilla ne Shqiperi e jo teknologjia. Meqe ra fjala nese dikush fillon e regjistron nje bashkebisedim pa dijenine e pales tjeter kjo do te thote se besimi mes paleve ka marre fund me kohe e nuk merr fund me aktin e regjistrimit.

  3. Eni, raportet e demokracisë me teknologjinë e përpunimit të informacionit janë gjithnjë problematike, sepse parimet bazë të demokracisë dhe të drejtave qytetare janë formuluar dhe sidomos kolauduar në një kohë kur nuk kishte as televizion, as sondazhe të opinionit, as mjete të përgjimit total, as teknika shkencore të manipulimit masiv. Siç e thua edhe ti, çështja nuk është aq tek teknologjia në vetvete, sesa në mënyrat si përdoret kjo teknologji dhe në qëndrueshmërinë e institucioneve; unë do të shtoja këtu edhe nevojën, shumë kritike, për një kuadër ligjor themelor, që të rregullojë përdorimin e teknologjisë, sidomos sa herë që është fjala për marrëdhëniet publike të institucioneve. Edhe një teknologji në dukje vetvetiu demokratike, si Interneti, sjell me vete rrezikun e madh të mbizotërimit të reales nga virtualja. Natyrisht, zotëruesit e teknologjisë së informacionit nuk duan të sulmojnë ballazi institucionet, por vetëm t’i kontrollojnë duke manipuluar opinionin qetësisht (“manufacturing consent”, për ta thënë me Chomsky-n); prandaj raportet midis teknologjisë dhe të drejtave qytetare hyjnë në krizë pikërisht në ato sisteme dhe shoqëri ku institucionet demokratike janë më të dobëta – si në Shqipëri. Shqipëria e 10-15 viteve të fundit është një shembull brutal i demokracisë mass-mediatike, ku publiku si faktor aktiv në dialogun dhe procesin demokratik është zëvendësuar thuajse tërësisht nga opinioni publik i cili manifestohet thjesht në mënyrë statistikore, dhe ku çdo veprim politik varet haptazi nga manipulimi, ose dyfytyrësia, të pranuara tashmë botërisht.

  4. “Asnjë përfitim, përkundrazi. Rreziku tanimë real i pranisë së një mikrofoni ose mikrokamere pas çdo kravate llamburitëse, jake këmishe, tabloje varur në mur, ose busti ceremonial të heroit kombëtar e shkatërron mirëbesimin.”

    Sikur mirebesimi tek politikanet shqiptare te ekzistonte pa cimkat, atehere do bashkohesha me shqetesimin. Por mirebesimi tek figurat publike shqiptare ishte i shkaterruar, keshtu qe shkaterrimin e tij e kam veshtire t’ia faturoj pergjimeve. Pergjimet e politikaneve, sikur edhe vete mes njeri tjetrit, nuk mund t’i shoh pervecse si te dobishme alla Watergate. Qe te perseris, deri sa politikanet tane te fillojne te aktrojne me te vertete, ku fjala dhe akti te jene nje, dhe jo vetem te recitojne, deri atehere mund te them se pergjimet ndertojne, jo shkaterrojne. Ne qofte se do vija nje fature per shkaterrimin e mirebesimit, ajo do ishte mungesa e ideologjive te zbatueshme politike, dhe jo publikimi ne cfaredo forme i kesaj mungese te mirebesimit.

    E keqja eshte se, i vetmi rol qe keta dine te luajne, eshte roli i Jagos. Duhet te provojne dicka tjeter.

  5. Shkrim i drejtë. Ose më mirë shqetësimi i autorit është me vend. Të gjithë jemi në globin prej qelqi, të gjithë na vështrojnë. Adresat email përgjohen nga shfrytëzuesit e reklamave të cilët na bombardojnë me prodhime, fjalë, femra nudo 18. 5 vjeçare, e shumë marrëzira të tjera. Individi është bërë rrezik për shoqërinë, i dhunshëm, konfuz, i vetmuar. Vrasjet nëpër qëndra studimi, si në SH. B. A, po ashtu dhe në Finlandë këto kohët e fundit, janë pjellë e pazarllëqeve që mediat ngacmojnë njerëzit, me lajme shokuese, banale, pornografike apo dhe deri raciste.
    Të shikosh apo dhe të përgjosh, duke qenë i vetdijshëm se je i përgjuar dhe i kontrolluar, është një modë sot se zor mund të hiqet. Foucault shkruante që në vitet 70 për një shoqëri kontrolli, ku të gjithë përgjohemi nga kulla e drejtimit. Deleuze thoshte se njerëzimi ndodhet në një autostradë ku të gjitha daljet janë të sigurta, por të kontrolluara. Ku po shkojmë me këtë ritëm? A është i vërtetë përgjimi apo thjesht një e re që hyri në shoqërinë përëndimore për të kontrolluar kapitalet, fuqinë dhe rrezikun e luftrave që s’pushojnë ndonjëherë?

  6. Edhe Interneti, edhe PC vete, e sidomos celularet e teknologjite e tjera, jane relativisht te reja. Kam pershtypjen se ne jemi brezi i pare qe u kapem ne kete vrull. Do duhet ca kohe sa njerezit te ndergjegjesohen (fatmiresisht ka filluar reaksioni kudo) te rishikohet legjislacioni per teknologjite e reja dhe te drejtat e individeve njekohesisht. Personalisht, kam besim tek aspirata e njeriut per liri dhe individualitet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin