KOMUNIZMI MEDIATIK

Sot praktikisht askush prej nesh nuk paguan më për informacionin; meqë e merr të gatshëm në Internet ose nëpërmjet televizionit komercial. Gazetat, që dikur konsideroheshin si pushteti i katërt, ose një nga shtyllat e demokracisë, janë në krizë ekonomike, meqë vijnë duke humbur edhe lexues, edhe të ardhura nga reklamat.

Edhe ato gazeta të mëdha që i kanë mundësitë për të mbijetuar, e bëjnë këtë duke iu përshtatur kohëve e duke iu referuar gjithnjë e më tepër televizionit si burim primar të informacionit; teksa marrëdhëniet me faqet e tyre online vijnë e mbizotërojnë në përmbajtjen intelektuale që ofrohet. Megjithatë, progresi në teknologjinë multimediale nuk e kompenson dot dobësimin e rolit social të shtypit.

Unë që i shkruaj këto radhë nuk blej më gazetë; së paku që prej muajve që i paraprinë luftës në Irak, dhe fushatës mashtruese të publikut, që u ndërmor, ndër të tjera, edhe nga The New York Times, një gazetë që deri atëherë e bleja herë pas here. Neveria më bëri të refuzoj t’i paguaj para një institucioni mediatik që ishte përpjekur paturpësisht të më mashtronte; njëlloj sikurse kisha refuzuar t’u ekspozohesha, prej vitesh, reklamave të rrjeteve televizive amerikane, duke mos u abonuar në shërbimin me kabllo. Tash e tutje, i vetmi koncesion financiar që do t’ia bëja informacionit, përfshihej në tarifën mujore të lidhjes DSL; si dhe një shumë fare të vogël që ia dërgoj çdo vit revistës së përmuajshme Harper’s, e cila më vjen në kutinë e postës.

Këto janë zgjedhjet e mia – të nevojshme, por ndoshta jo për t’u duartrokitur. Jam i vetëdijshëm se, duke mos paguar asnjë cent për informacionin që marr, po kontribuoj, në mënyrën time, për ta vdekur urie profesionalizmin në fushën e informacionit dhe të mediave; sikurse po heq dorë, me vullnetin tim, nga e drejta për t’iu kërkuar llogari dhe përgjegjshmëri burimeve të informacionit që përdor.

Kuptohet se, në një kohë kur publiku gjithnjë e më tepër po vendos ta marrë informacionin gratis, mediat paguhen jo nga publiku, por nga dikush tjetër: korporatat, grupet e interesit, fondacionet, politika. Unë si individ besoj se përfitoj nga ky zhvlerësim monetar i informacionit, meqë më jepet mundësia të ndjek një shumëllojshmëri burimesh pa u rënduar financiarisht; por publiku vetëm humbet të drejtën për t’i mbajtur burimet e informacionit të përgjegjshme (accountable).

Disa optimistë besojnë se, kur informacioni është gratis, atëherë përgjegjshmëria e burimeve do të varet, tërthorazi, nga besueshmëria e tyre; meqë publiku do të tërhiqet drejt atyre burimeve që gjithnjë përpiqen ta informojnë në mënyrë të paanshme, ose t’i thonë të vërtetën. Në fakt, një pjesë e madhe e publikut nuk tërhiqet aq nga e vërteta, sesa nga mundësia për t’u zbavitur; kujt i bëhet vonë, nëse historia për një panda në Kinë është e vërtetë apo jo, sa kohë që ka tërhequr me miliona lexues online ose shikues në TV? Gënjeshtrat haptazi e topitën publikun amerikan deri në atë shkallë, sa të pranojë përgjegjësinë e Irakut për atentatet e 11 shtatorit 2001 ose praninë në atë vend të armëve të shkatërrimit masiv; sikurse bënë që kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 (John Kerry) të humbiste ndaj kundërshtarit të vet George W. Bush.

Edhe dukuria relativisht e re e blogjeve dhe e blogtarëve është sjellë nga disa si alternativë ndaj shtypit të shkruar; sidomos në ato raste kur blogu konceptohet si një tribunë analizash dhe komentesh për ngjarjet e ditës, jo si ditar vetjak ose përrua i ndërgjegjes. Mirëpo realiteti i blogjeve më të klikuara tregon se këto nuk mund të mbijetojnë, veçse duke iu referuar mediave tradicionale (shtypit, televizionit), si të vetmet burime primare të informacionit.

Informacioni gratis ka ndihmuar edhe për krijimin e një iluzioni pothuajse qesharak në publik; dhe që ka të bëjë me idenë se gjithkush është i titulluar për informacion. Në tregun e informacionit, marrëdhënia midis konsumatorit dhe ofruesve të materialeve informative është kaq e ndërmjetësuar, sa konsumatori mund të priret të harrojë se, sa kohë që nuk paguan, është krejt i përjashtuar nga e drejta për të protestuar, ose për të kërkuar çfarëdo standardi të cilësisë, vërtetësisë, ose integritetit etik.

Në epokën e mass mediave elektronike dhe të atomizimit të komunikimit, titullimin e zëvendëson iluzioni i titullimit, progresin iluzioni i progresit, demokracinë iluzioni i demokracisë. Madje edhe në Shqipëri, ku një përqindje e madhe e popullsisë jeton në Tiranë dhe ku gjeografia praktikisht nuk e pengon dot perceptimin e pandërmjetësuar të realitetit, po shohim si krejt qarkullimi i informacionit gjatë fushatës së tanishme zgjedhore është i organizuar rreth televizionit, i cili e ka zëvendësuar eksperiencën e drejtpërdrejtë të ngjarjeve.

Është thënë edhe se teknologjitë e reja të informacionit, të tilla si blogu, Facebook, YouTube, i-Tunes, Napster, Twitter, Flicker, fotoblogu, motorët e kërkimit, kamerat dixhitale dhe në përgjithësi horizontaliteti i shkëmbimeve përbëjnë një alternativë ndaj asfiksimit të mediave nga interesat e korporatave dhe të grupimeve të mëdha politike. Në të vërtetë, praktika tregon se, sapo vatra të tilla të informacionit marrin ndonjëfarë relevance sociale, menjëherë rrezikohen të denatyrohen, duke u shndërruar në vegla të thjeshta, sikurse e kishin edhe destinacionin logjik.

Idealisht, mass mediat mund ta ruajnë misionin e tyre si pushtet i katërt, rojtarë të demokracisë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut vetëm në qoftë se publiku bindet të paguajë çmime të arsyeshme për informacionin, sikurse paguan për bojë këpucësh, pije freskuese, brilantinë, limontoz, pastrim dhëmbësh, mirëmbajtje të thonjve dhe udhëtime me taksi. Pa u paguar prej publikut, profesionistët e mirëfilltë të mediave nuk mund të mbijetojnë, as si individë, as si kategori profesionale.

Një veprimtari e vyer e mediave, e cila i shërben drejtpërdrejt rendit demokratik, është gazetaria hetimore – e cila kërkon si rregull shpenzime të mëdha. Një blog gazetari mund të amplifikojë rezultatet e një hetimi mediatik, ose të sugjerojë një fushë ose entitet që duhet hetuar; por është e pamendueshme që hetimi të kryhet vetëm me vullnet të mirë. Në Shqipëri, hetimet televizive të bujshme të emisionit Fiks Fare financohen, në dukje, nga të ardhurat e reklamave; por kanali televiziv që e transmeton atë emision është kanal privat, të cilit publiku mund t’i shprehë dëshira ose sugjerime, por nuk mund t’i kërkojë asgjë; dhe veçanërisht nuk mund t’i kërkojë se çfarë dukurish ose personalitetesh të vërë në shënjestër.

E megjithatë, gazetat, ashtu siç janë katandisur sot, ndoshta e meritojnë të kthejnë këmbët nga dielli. Që prej viteve kur kam jetuar në Itali, më është bërë zakon ta nis ditën duke shfletuar, ndër të tjera, edhe faqet online të La Repubblica dhe Corriere della Sera; por tani gjithnjë e më tepër më habit ngjashmëria mes tyre, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në titujt e lajmeve, në detajet e zgjedhura për të përfaqësuar konceptin e lajmit dhe për të përcjellë mesazhin, në renditjen e lajmeve në faqe. Edhe materialet multimedia që ofrohen janë jo vetëm të ngjashme e të ndërkëmbyeshme, por edhe anojnë drejt një përmbajtjeje trashy, të tillë si kalendarët Pirelli ose aktivitete të ndryshme publike që kanë të bëjnë me zhveshjen lakuriq, ose video me tigra të vegjël ose foka cirku. E megjithatë, vetëm 10-15 vjet më parë, leximi i La Repubblica-s ishte një nga kënaqësitë e pazëvendësueshme të ditës, madje i vetmi që ma bënte të përballueshëm, bie fjala, udhëtimin me tren…

Informacioni gratis, sikurse muzika gratis dhe gjithçka tjetër gratis detyrimisht i rrënon financiarisht burimet e pavarura të informacionit, sikurse i lë pa punë, në mes të katër rrugëve, profesionistët e mirëfilltë, gazetarët e moralshëm dhe kurajozë, ose të gjithë ata që nuk druhen t’u kundërvihen institucioneve dhe korporatave në emër të publikut, që jo vetëm i mbështet moralisht, por edhe u paguan rrogat, e sipas rastit, u mbulon shpenzimet gjyqësore ose shëndetësore ose – herë herë – funerare. Nga kjo pikëpamje, iluzioni i një parajse informacionale gratis për të gjithë, i përforcuar veçanërisht nga Interneti, shërben kryesisht si një lloj censure politikisht korrekte për mendimin dhe informacionin cilësor, profesional dhe qytetar, i cili mbytet nga kakofonia e turmës kinse “plurale”, derisa të vdesë urie.

5 Komente

  1. Mua me duket se e tere industria klasike mediatike e ne vecanti gazetat e televizionet jane kapur gafil nga perhapja masive e fleksibiliteti i internetit dhe jane akoma sot krejt te papergatitura per ta pershtatur modelin e tyre te funksionimit. Dinozaure te tille te paafte te kuptojne mundesite dhe rreziqet e reja qe sjellin me vete inovacionet e medha teknologjike e qe nuk dine te pershtaten nuk e meritojne te mbijetojne.

    Interneti me te vertete sfidon proceset e deritanishme te funksionimit te gazetave por njekohesisht mundeson procese te reja. Per te pare nje shembull modeli te ndryshem e te sukseshem funksionimi mund te hidhen syte e te analizohet procesi i zhvillimit te softwareve te hapur (open source) i cili mendoj se do te behet pak a shume dhe modeli i funksionimit te gazetave dhe shperndarjes se informacionit me ne pergjithesi.

    Tek ky model ne baze kemi kontribues vullnetare te cilet marrin pjese ne komunitete te caktuara per zhvillimin e nje softwari. Keto lloje komunitetesh kane sidoqofte struktura te brendshme hierarkike. Hierarkite e brendshme lindin ne menyre natyrore dhe sherbejne kryesisht si struktura e arkitektura qe bejne te mundur integrimin e rregulluar te kontributeve te vecanta. Rezultati eshte qe sot softwaret e hapur (open source) jane baza e te gjithe industrise se zhvillimit te softwareve dhe jane shpesh here te nje cilesie shume me te mire sesa alternativat me pagese. Flitet bile dhe per nje socializem te ri te lindur ne virtualitet si nje model alternativ ku veglat e prodhimit jane te te gjitheve dhe krijuesit e tyre fitojne reputacion dhe eksperience. Nje socializem virtual qe mund te kaloje mbase ndonje dite ne realitet. Per kete ne fakt duhet shkruar vecan sepse eshte teme me bagazh historik e ideologjik.

    Per mendimin tim gazetat e medha do te evoluojne detyrimisht ne rolin e integruesve e strukturuesve te informacioneve nga burime diverse te internetit perkundrejt modelit te deritanishem ku nje pjese e mire e resurseve eshte per shperndarjen e informacionit. Sot shperndarja e informacionit eshte praktikisht pa kosto dhe eshte e vetekuptueshme qe njerezit te mos duan te paguajne thjesht per sherbime shperndarjeje informacioni por te kerkojne me teper nga mediat e tyre. Une vete do te paguaja me shume qejf per analiza e venien e informacioneve ne kontekst por nuk do te paguaja per informacione te castit (psh. filan avion ra tek filan det, demonstrate me 100 vete ne kryeqytetin rus etj.) Informacioni i castit eshte bile kategoria e pare e informacionit qe duhet konsoliduar nepermjet modeleve te hapura kontribuese ku informacionet krijohen e perdoren nga te gjithe.

  2. Lufte per mbijetese mes te fuqishmeve.
    Do e lidhja me ceshtjen e kultures qe bazon perhapjen mbi shkrimin, qe u trajtua gjeresisht ketu.
    Eni si teknologe (jo ne kuptimin qe kish kjo fjale ne komunizem) ka vetine ti thjeshtoje pak gjerat, por ketu ka dicka thelbesore qe kapi mjaft mire xha xhai, demtohet cilesia ne te mire te sasise.

    Cilesia ka nevoje per para, askush nuk do behej sot cilesor pa motivin ekonomik, jo vetem si shtyse e brendshme egoiste e racionalizmit ekonomik, por edhe per ceshtjen e statusit individual ne shoqeri i cili varet perhere e me teper nga kapaciteti ekonomik. Tashme mund ti numerojme me gishta ata qe i futen cilesise kur mund te rrezikojne mireqenien e tyre, sepse kjo mendesi i perket njefare romanticizmi qe sot pothuaj eshte zhdukur.

    Cilesia nga ana tjeter ka nevoje edhe per nje kulture ku verehet ndjesia historike, nderkaq kultura qe po ravijezohet perhere e me te teper mund te quhet kulture e se tashmes.

    Do thoja se koncepti i komunizmit mediatik eshte i goditur, pasi komunizmi perhere ka nje pari, dmth nuk i shpeton dot hierarkise, por ka vetine e pergjithesimit te gjithe te tjereve dhe cilesia ngelet prone e parise, dmth paria riciklon cilesine ndersa gjithe te tjeter riciklojne sasine.

    Keshtu edhe ky komunizem mediatik do heqe qafe cilesine nga masat, masat mund te prodhojne vetem sasine, do zhduket dmth shtresa e mesme , do njehsohet me shtresen e ulet, nderkaq shtresa e mesme e informacionit perhere ka kerkuar cilesine, dmth te hidhet drejt parise.

    Prandaj shqetesimi se gazetaria cilesore do reduktohet ne mase, me duket me vend.

    Jemi ne nje proces tkurrjeje te shtreses se mesme, te pakten nga ana kulturore, biles jo vetem kulturore, pasi nuk duhet harruar se nese 70-80% e njerezve perfaqesojne shtresen e mesme, atehere kjo shtrese nga pikepamja hierakike realisht nuk ekziston, sepse hierarkia e paster supozon qe shtresa e poshtme eshte me e madhja, nderkaq hierarkia ‘e papaster’ e vlereson ate 10-15% te shtreses me te ulet, si perjashtim i shtreses se parafundit.
    ( ata qe jane aq te varfer sa e shesin veten per nje mulle buke nuk behen dot poronike; nuk e ben shtresen e madhe siper ketyre te jete shtrese e mesme)

    Keshtu mund te thuhet se edhe nga pikepamja mediatike do rritet polarizimi, masat le te merren me sasine nderkaq paria do merret me cilesine. Kjo eshte edhe ceshtje mendesie, pasi verehet gjithnje e me teper sa bezdisen njerezit kur hasin nje shkrim te gjate, keshtu gazetaria cilesore e cila i ka perhere shkrimet e gjata, do lexohet perhere e me teper nga pak persona. Masat jane te parat qe heqin dore nga leximi i gazetarise cilesore , sepse shume shkrim i gjate.

    Gjithe ndryshimet ne dem te cilesise e ne favor te sasise(perhapjes), e thene ndryshe ne dem te vertikales e ne favor te horizontales, jane jo vetem produkt i perhapjes se internetit por edhe i kultures te se tashmes, fast-fudizmit te jetes e mediat kane rol shume te rendesishem, aq sa po luftojne edhe modelet e tyre te vjetra, me ndjesi historike, si gazetat.

    Une ve bast me kedo, qe luften do ta humbase jo vetem gazeta po cfaredo individ, institucion, konceptim, art, media, pushtet, etj qe zoteron ndjesi historike. As vete forumet apo blogjet nuk jane ne gjendje te formojne nje tradite historike.
    Riciklimi i shpejte jo vetem i mallrave te konsumit, eshte jetik ne shoqerine e sotme.

  3. NY Times-in nuk e lexoj më që kur shkroi për shitje fëmijësh në Shqipëri. Jo për këtë. Dërgova aty reagimin tim, e ndonëse këtë nuk prisja ta lexoja në numrat pasardhës, më la shijen më të keqe korigjimi që gazeta i bëri shkrimit të saj, i cili pak a shumë ishte se fëmijët nuk shiten për 300 por për 400 mijë lekë.
    Wall Street Journali ka qënë zgjedhja ime. Faqet teknologjike të saj më të mirat. Në të mësohet nga do të ecë bota … hëm, teknologjike; por kur shtyhesh të mendosh se andej duhet të ecë dhe ekonomia, investimi dhe rritja e të ardhurave të popullsisë – gabohesh tmerrësisht. Abonimin në WSJ nuk e ripërtëriva kur mendjen e ktheva në epokën e gurit. Unë mund të “fitoja” paratë që paguaja për gazetën; kur, ashtu siç dhe ndodhi, sikur të kisha investuar do të kisha humbur disa herë aq.
    Për mua, gjigandët, përfshi edhe këta të shtypit, marrin të tatëpjetën kur neglizhojnë, shtrykin, shtypin, shumëzojnë me zero njeriun e zakonshëm. Lajmi është i vetmi mall që nuk mund ta kthesh për të marrë paratë mbrapsht. Gazetat kanë pasur dy rrugë: njëra, rimbursimin e lexuesve me aq numra sa atyre nuk u pëlqejnë dhe tjetra, kopjet promotionale që i gjen në çdo shkollë me tufa, a mund të abonohet gjithkush falas për ca muaj. Ato zgjodhën rrugën e dytë, folën për milion kopje, jo milion lexues, të ardhurat i duan nga reklamat; epo, atëhere le të pranojnë se gazetën do tu a lexojnë njerëzit e marketingut. Por dhe nga fundi i gropës ku gjenden, nuk duket shënjë se shtypi do ndjekë rrugën e parë; përkundrazi po ndiqen rrugë të ndërmjetme mbase deri sa të arrihet kur vetëm gazetarët të lexojnë gazetat.

    Përsa thotë Eni, nuk ka një model të vetëm të open source-s. Një pjesë e komunitetit mbron intellectual commons, një pjesë është GPL falas, apo Apache dhe Linux. Biznesi i madh i është afruar si një grup si tjetrit. IBM-ja Apache-s, Red Hat-i Linuxit. Për paralelizëm me shtypin, nëse NYT do të mbështesë blogosferën atij i duhen kërkuar shkrime, punë e asgjë tjetër, e nëse mbi të ai do ngrinte diçka (twitter-in psh) le të fitonte; nga ana tjetër nëse ai kthen gazetarët e vet në redaktorë, përzgjedhës, a orientues të publikut për çfarë të lexojë nga blogosfera ai sërish le të fitojë. Por ndryshe nga IBM, zor se NYT ka kapacitete novatore; e po ndryshe nga Red Hat, atij i duket ulje ti ofrojë lexuesit kundrejt pagesës shkrime mbi ish-Jugosllavinë nga një shqiptar. Për fat të keq, ndryshe nga komunitetet e programuesve, në shtyp nuk pyetet – çfarë? por: kush?

    Thuajse të njëjta janë dhe pagesat e mia për informacion, plus një që më duket e vlefshme dhe e rekomandoj: Marr e-maile nga një e përmuajshme me listën e artikujve dhe lexime 500-fjalëshe. Artikullin që më intereson e paguaj aq shtrenjt sa ç’blihet revista në kioskat e shtypit, apo dyfishin e një numri po të abonohesha. Kjo është mënyrë e mirë jo vetëm se nuk më ha kohë të lexoj çfarë nuk dua etj, etj, por edhe përsa thuhet në shkrim: pagesa ime është vota ime.

  4. Shqetsim; ne thelb te individit sipas vizionit te tij per komunitetin shoqeror. Nuk ka komunitet t’i vishet/atriboj aspirata te te gjithe komuniteteve, pervecse komunizimit, qe eshte absolutisht utopi, per te mos then demagogji, propagande. Edhe lajmi kolektiv; termeti, permbytja, dielli, nata, dita, etj… jane lajm i ndryshem nga nji komunitet ne tjetrin, prandaj i vetmi moment qe prodhon keqinterpretim eshte kur duam te unifikojme marrdhenjen e informacionit si pjesmarrese me te njejtin rrol tek individ te ndryshem, per rrjedhoj dhe ne komunitete te ndryshme.

    Shqetsimi i Xha me duket obzervim i nje realiteti qe po ndodh para syve tane. Sa per “komunizmi mediatik”, do te konsideroja vezhgimin e Enit qe teknologjia vetem mund te anashkaloj tendencen territoriale te individit ose komuniteteve ne mes njeri-tjetrit, dhe jo pa pasojat qe shqetsojne vezhgimin Xha; rreziku i koncentrimit teknologjik ne individ apo komunitet te vecante.

    Behet fjale per te njejten ligjesi qe ka vepruar apo po vepron dhe do te vazhdoj sa te jet njeru faktor ne jeten sociale: konflikt… mirekuptim… barazi… klasa… kategori; burim tensioni ne dallim te njeres pale nga tjetra, pra te te njejtit realitet qe edhe vet individi deshmon kur vezhgon c’behet ne proces me individin e tij si raport ne vetvete dhe me tjeter.

    Por iluzioni se teknologjia eshte per tu konsideruar si medium i vetem ku mund te aplikohet komunizem, vertetohet prej pjesmarrjes se faktorit njeri. Ky i fundit ben te paberen, pertej se mires dhe se keqes qe ai ka, dhe s’ka, ne dore.

    p.s. Sokrati u denua me vdekje; Burimi i urtesise. Vdekja eshte jete, dhe jo vetem e llojit te atyre qe denuan Sokratin.

  5. Eshtë e dhimbshme kur vëren se si disa njerëz të pasur kontrollojnë informacionin, kulturën dhe progresin e shoqërisë. Duke mos pasur asnjë paragjykim për të pasurit, Murdoch dhe Berlusconi, dy pronarë të zotë të imazhit që ekrani paraqet përballë një publiku të vandalizuar nga obsesioni për të parë sa më banalisht jetën, janë shembuj tipikë të një shoqërie globale ku gjithçka filtrohet dhe shpërndahet pa iu hequr mikrobet.

    Njihet teatri politik i Berlusconit, që sot akuzon La Repubblica për tradhëti, shpifje. Ai e ka fundosur Italinë në një llum velinash e spektaklesh harbute. Ai kontrollon mediat e shkruara dhe ka një armë të fuqishme në dorë: ekranin familjar të njerëzve që lodhen nga puna dhe nga paaftësia për të lexuar apo për të bërë diçka më të dobishme për shendetin. Arma e fuqishme e Berlusconit është dhe dobësia e bashkëkombësve të tij: televizoni dhe futbolli. Në vitet 50-të, Italia kishte numrin më të madh të shikuesve në kinema për Europën (pak a shumë 450 milionë bileta të shituram mesatarja më e lartë në Europë), kurse sot, me të gjitha shpikjet, hapjet, nuk i kalon 100 milionë bileta të shitura në vit. Disa do thonë: Rossellini, De Sica, Visconti, Fellini, Monicelli nuk mund të krahasohen me Garry Scotti apo De Filippi (+Kadiun) apo me programet fodullë të mediasetit dhe të ndjekësit të paaftë RAI, unë mendoj se njerëzve iu është dhunuar hapësira private, dhe zgjedhja për t’u informuar mbi botën, filozofinë e saj, pasurinë e saj, kompleksitetin e saj është një kusht i programuar nga vandalët bashkëkohorë për të shitur dhe menjanuar mendimin e lirë.

    Kompanitë e mëdha të mediave që ndajnë tregun ndërmjet tyre kanë bërë investime duke i besuar internetit gjithçka. Në gazeta online futet gjithçka, video dhe fotografi shokuese. Sot, kur del nga metroja apo kafeneja, nuk e ke të detyruar të blesh një gazetë të gazetashitësi dhe të thyesh kartëmonedhën prej 10 apo 20 euros. Lajmin e gjen në gazetat falas që t’i japin me një buzëqeshje të mpirë vajzat dhe djemtë të detyruar të punojnë. Lajmin e gjen dhe në xhepin e xhaketës, mjafton të kesh një BlackBerry apo iPhone apo Ntc. Shpikësit kanë menduar për ty, që ti të informhesh shpejt dhe saktë. Ashtu si dhe përqafimet apo përkëdheljet që i merr nga fb-uku.

    Po kush e financon këtë program, ku në çdo gazetë mund të shohësh hapësirën e kushtuar shkarkimit në telefonin tënd? Reklama, reklama dhe përsëri reklama. Një kile djathë prodhuesi e shet tek shpërndarësi për 2. 50 euros, kurse ti e blen për 10 apo më shumë euros për kile. Diferenca është reklama që i është bërë këtij prodhimi ushqimor, por shembuj ka dhe tek kinemaja ku fushatat për të mbuluar radiot, për të mbushur skenat televizive me kritikë apo kritike të kthjellta, gazetat, për të ngjyrosur muret e pista të metrove, kushtojnë jo pak për një shtëpi prodhimi.

    Sot, të gjitha gazetat kanë shërbimin online, ashtu si dhe shumë individë që kanë kohën dhe përsenë për të mbajtur një blog. Të parat, hapësira mbushur më reklama dhe lajme nga njëherë të rënditura (me dashje!) keq, dhe të dytat hapësira anonime dhe private. Këto dy hapësira i japin publikut një përshtatje të re me fushën e informimit, seicili nga ne mund të zgjedhi se ku të shtegtojë, tek La Repubblica apo Corriere, tek Le Monde apo Figaro, tek Shekulli apo te GSH, tek WSJ apo WP.

    Mbetet të përgatitemi për kohën që kalojmë me të tilla lexime dhe rëndësinë e saj.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: