LODRA KODËR

Një ngjarje e hidhur, ende e pandriçuar mirë, në postën kufitare të Zvarrishtit i la për një kohë të gjatë pa gjumë drejtuesit e Sigurimit të Shtetit në rrethin N. Njëri prej kufitarëve, Andrea L., qëlloi me kalashnikov shokun e vet, Vegim Ç., gjatë një zënieje në lidhje me një libër të bibliotekës së Postës – romanin Vdekja e valles, të shkrimtarit përparimtar gjerman Rudi Kritschgau, me temë nga Lufta II Botërore.

Sipas deponimit të lëshuar nga Andrea menjëherë pas arrestimit, Vegimi ia kishte marrë atë libër pa e pyetur dhe kish refuzuar t’ia kthente, çka ishte bërë pastaj shkak për zënien, që pastaj për pak sa nuk kishte përfunduar në vrasje. Përkundrazi, Maliq M., një prej kufitarëve që kishte qenë i pranishëm gjatë zënies, dëshmoi se Andrea e kishte përdorur shpesh librin për t’u masturbuar.

Kopja e njollosur me gjak e romanit Vdekja e valles, u ekzaminua nga një ekspert teknik i Prokurorisë së Rrethit; ekspertiza konkludoi se libri ishte në gjendje të mirë, por i mungonin faqet 137-140. Hetuesi i çështjes siguroi një kopje tjetër  të rregullt nga Biblioteka e Rrethit N., dhe ashtu mundi të konstatojë se në këto faqe Kritschgau përshkruante me mjeshtëri një skenë shkëmbimesh erotike midis personazhit kryesor, një të riu arian në Karlsruhe të Gjermanisë, dhe tezes së tij naziste, e cila i futej heroit në krevat pa pasur asgjë në trup përveç një kombinezoni të hollë mëndafshi, dhe atje e shtrëngonte t’i dorëzohej pasionit dhe të përziente mish me të disa herë dhe në disa pozicione.

Kufitarë të tjerë të postës, të marrë posaçërisht në pyetje tanimë nga një prokuror ushtarak nga Tirana, pranuan se edhe ata e kishin përdorur këtë libër sporadikisht për t’u masturbuar, derisa Andrea, si kufitari më i vjetër dhe më autoritar në postë, ua kishte ndaluar prerazi. Katër faqet që mungonin u gjetën të fshehura me kujdes brenda vëllimit no. 7 të veprave të plota të Stalinit, në komodinën personale të viktimës Vegim Ç., i cili ndërkohë kishte dalë nga rreziku i vdekjes, edhe pse e priste një periudhë e gjatë konvaleshence.

1 Koment

  1. “Sherr, sherr, la famë” me duket se do i shkonte me teper si titull. Madje do dilte edhe me bukur sikur pas burgut per kete plagosje, t’i dilte fama Andreas sikur e paskesh qelluar Vegimin sepse ky i fundit paskesh thene per Konteshen gjermane qe paskesh kerkuar azil ne Shqiperine komuniste, e me te cilen Andrea paskesh qene lidhur ne kufi, se paskesh qene plake gerdalle, nderkohe qe per bukurine e saj na paskeshin bere sherre dhe me pare. E per me teper, kjo perri per te cilen jane rrezikuar edhe incidente dipllomatike mes dy Gjermanive, i paskesh lene nje shume aq te majme, sa qe mos kishte femer qe mos e kerkonte pas burgut Andrean.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin