ZOO

Ishte Liu, lypës ulok, me njërën këmbë cung mu sipër gjurit, që hiqej zvarrë me një si tryezë druri te shkallët e ish Radio Tiranës dhe u kërkonte kalimtarëve lëmoshë, duke i bekuar pastaj pa dallim moshe, krahine dhe gjinie, derisa vinte polici dhe e dëbonte që andej me përbuzje të shtirur.

Ky ka në ngarkim krejt krahun verior të rrugës së Kavajës, na shpjegonte miku ynë Piku, duke bërë me krah një gjest që e shtrinte rrezen e veprimit të Liut deri së paku te kryqëzimi i 21 dhjetorit.

Ishte Tina, prostitutë e lashtë por dinjitoze me përjashtim të një dhëmbi të parë që i mungonte; nga ato që të shanin po t’u flisje e të shanin po të mos u flisje; e që nuk di si arrinte ta mbante njërën prej çorapeve të zeza të najlonit gjithnjë të çjerrë pak, mu sipër qafës së çizmes nazike ngjyrë limoni.

Veturat luksoze ku e kam parë unë këtë të hypë pas mesnate ti dhe unë as në ëndërr s’i shohim dot, na thoshte miku ynë Piku. Me informatat që siguron kjo merret një drejtori e tërë në kundërzbulim dhe mbetet diçka edhe për ndjekjen. Taverna e Dajtit: mos duhet të vazhdoj akoma?

Ishte Timi i Shajes, një budalla i mirënjohur që shfaqej te sheshi i autobuzave dikur nga dreka, për t’i rënë mes për mes diagonalisht, duke ecur i anuar djathtas gjithnjë gati për t’u shembur përdhé, me xhaketën që i varej në kurriz si sorkadhe e vrarë e duke bërtitur gjithfarë rrokjesh me sa kishte në kokë, teksa kërkonte me urgjencë ndonjë cep të shkretë rrugice për të urinuar.

Do të ketë ardhur prapë ndonjë i madh te Ministria e Arsimit, spekulonte miku ynë Piku. Këtij, dhe bënte me kokë nga Timi, nuk i shpëton as miza.

Ishte Katja, një grua-fëmijë ballëçekiçe, së cilës trupi i niste normal te supet e kolme, por pastaj vinte dhe i tkurrej për t’u katandisur si prej vajze të mitur te kyçet rakitike të këmbëve; e që bariste poshtë e lart rrugës me shapka gjysmë të këputura, duke tërhequr nga pas dy djemtë që i kishte doemos me dy burra të ndryshëm; tek priste, duke parë pa pushim orën mikroskopike të dorës, që t’i piqej tava e vogël me gjel te furri i mëhallës.

Raportet e kësaj i konsiderojnë atje lart si nga më të mirat, pëshpëriste miku ynë Piku, dhe ia kundronte Kates tërë epsh dantellat e lodhura të këmishës që i kërcenin jashtë rripave të fustanit prej basmeje. Të mendosh që i daktilografon vetë, çak-çuk, çak-çuk në atë copë gërmadhë ku jeton me kopilët e vet.

Ishte Lapi, plak kurrizdalë i parakohshëm me kanatiere të zverdhur prej mekaniku motocikletash e xhepat e pantallonave ushtarake plot karamele të ngjitshme; të cilin të gjithë e mbanin për pederast të vjetër prandaj edhe nënat na porositnin ne, kur ishim ende fëmijë, që të mos i afroheshim e mos i jepnim muhabet.

Lapi di shtatë gjuhë të huaja, na konfidonte miku ynë Piku. Ua kupton “atyre” fjalën që pa e nxjerrë akoma nga goja – dhe tregonte me kokë nga pallati në krye të rrugës, ku jetonin pak familje diplomatësh koreano-veriorë ose indonezianë.

Ishte Bekija, grua e shëndoshë dhe e deklasuar që vishej me ngjyra fosforeshente dhe që mbante erë esencë trëndafili bullgar dhe që fliste me vete kur ecte trak-truk në trotuaret me këpucët gjithnjë me taka të larta e të holla gjilpërë dhe që banonte fillikat në katin e dytë të një rrënoje të cilën përndryshe do ta kishte shkatërruar me kohë Pasuria e Shtetit.

Askush nuk i ka hyrë ndonjëherë në dhomë kësaj, vërente miku ynë Piku, pa le në krevat; nuk ju duket pak e dyshimtë kjo? Pak si tepër normale? E keni parë ndonjëherë se nga i sheh dhoma e gjumit Bekijes, edhe pse i mban xhamat gjoja të lyer me bojë vaji të bardhë, si dritare shkolle? Dhe bënte me shenjë nga fasada aq e dëshiruar e ambasadës gjermane, në horizont, me çatinë pjerrësisht anormale.

Ishte Nokja, djalë në moshën tonë, shpirt njeriu, që kish pësuar nuk di ç’aksident të frikshëm kur kryente shërbimin ushtarak në nëndetëse dhe që e kishin kthyer në shtëpi para kohe, me kokën të rruar dhe një shenjë operacioni që i vinte rrotull e rrotull kafkës, si e qepur arne, e që i dukej poshtë kasketës sidomos në zhegun e verës, prandaj ia shihnin dhe ia komentonin të gjithë, kur sillej nëpër lagje, i heshtur e transparent, projeksion nga një hapësirë e tjetërkundshme.

Ia kanë hequr kujtesën me operacion, na rrëfente miku ynë Piku. Mënyra më e sigurt, sot për sot. Kushedi ç’do të ketë parë e çdo të ketë dëgjuar, i shkreti.

Ishte Dili, një qyqar i paralizuar nga mezi e poshtë, që e nxirrnin te cepi i rrugicës dhe e linin aty gjithë ditën, në pikë të diellit, që të mos mërzitej; e që e zinte ndonjëherë gjumi me antenën teleskopike të radios portative “Iliria” në gojën e përjargur.

Dili mbikëqyr Timin e Shajes, e kishte xhevapin gati miku ynë Piku. Dhe as mos ju gënjejë mendja për atë radion.

Përndryshe asgjë nuk ndodhte në lagjen tonë, me përjashtim të Pikut vetë.

Nuk ka komente

  1. Po per Ivin ca ka ndonje gje ?? Besoj qe ndonjeri e man men Ivin te rruga ambasadave
    hahhaa

  2. Çfarë përshkrimi i mrekullueshëm i Tiranës, – këtij kryeqyteti komunisto-evropian i mbushur tërë parqe dhe blerim, dhe ku popullsia që mbushte rrugët dukej në numër trefish më e pakët për shkak të efektit ë punës me tre turne – në vitet 970 circa!
    Pasuria e Shtetit, Radio Iliria, etj, etj, paraqiten mjeshtërisht si ornamente të parëndësishme të një jete në dukje monotone, asnjë skutë e së cilës nuk i shpëtonte syrit gjigand i Sigurimit të Shtetit të ndihmuar edhe nga anëtarë të Grupeve të Bashkëpunimit Vullnetar që u takonin edhe shtresave më të skajshme të shoqërisë.
    Përgëzime autorit për këtë perlë letrare.

  3. Ivi ishte mese normal, por shume “modern” per kohen.

    Une kujtoj Gezimin e Tiranes se Re, i cili sa here me shihte me detyronte duke perdorur meshiren ti kushtoja vemendje, dhe une bija ne “kurthin” e tij ngaqe me dhimbsej.
    Gezimi ishte pak bjond, gjithmone i buzeqeshur, dhe “inteligjent” ne menyren e tij, i gatshem ne cdo moment te ndihmonte, donte te ndjehej i vlefshem.

  4. Strukture sublime e nje grotesku qe behet edhe me madheshtor nga parfumi epik i formes.

    Nje gjetje e panjohur më parë. Fillimi i cdo paragrafi me: Ishte… është mrrekullia e ketij rrefimi.

    Forma më e pershtateshme e nje fenomeni unikal pseudo martiresh qe me ate “ishte-n” gati te pafajshme ruan nje lidhje me atmosferen e eposeve biblik dhe apostujt e cdo feje a pseudofeje, profetesh a pseudo profetesh.
    Urime Maks!!!

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: