FJALE KENGESH

 

Kur “Come Together” e Beatles-ve doli në krye të Hit Parade-it italian, unë isha në klasë të 5-të, dhe po studioja anglishten që prej 4-5 muajsh, kohë e mjaftueshme për të mësuar fjalë të tilla si come dhe together.

Si të gjithë të tjerët, edhe unë shpresoja se me pak studim dhe përkushtim, do të arrija një ditë t’i kuptoja mirë tekstet e këngëve “angleze”, të cilat hynin e dilnin si UFO-t në programet e radio RAI-t.

Këtë bindje ma mbështesnin edhe tituj si ky i mësipërmi: come e kishim mësuar, together gjithashtu. S’na mbetej veç t’i mblidhnim bashkë: 1 + 1 = 2 (apo 11?).

Megjithatë, as unë as të tjerët me të cilët këshillohesha unë nuk e kishim idenë se ç’ishte tamam kjo “Come Together”. Duke u nisur nga një kalesë e këngës ku ne, fillestarët e anglishtes, arrinim të kuptonim edhe ca fjalë të tjera: Come together… right now… over me nja dy prej nesh dolën me hipotezën se titulli i këngës duhej marrë si ftesë për të bërë seks (po pse over dhe jo under xhanëm?).

Po të kishim ditur aq mirë anglisht sa të deshifronim edhe pjesët e tjera të tekstit, do të kishim mbetur vërtet gojëhapur:

Here come old flattop. He come grooving up slowly
He got joo-joo eyeball. He one holy roller
He got hair down to his knee
Got to be a joker he just do what he please
[Shoot me! Shoot me! Shoot me!]

He wear no shoeshine he got toe-jam football
He got monkey finger he shoot Coca-Cola
He say “I know you, you know me”
One thing I can tell you is you got to be free
Come together right now over me

He bad production he got walrus gumboot
He got Ono sideboard he one spinal cracker
He got feet down below his knee
Hold you in his armchair you can feel his disease
Come together right now over me

He roller-coaster he got early warning
He got muddy water he one mojo filter
He say “One and one and one is three”
Got to be good-looking ‘cause he’s so hard to see
Come together right now over me

Jo vetëm që ne nuk do të merrnim gjë vesh këtu, por edhe mësuesit tanë, katedra e anglishtes në Universitetin e Tiranës me kuadër të specializuar në Moskë dhe në Pekin, përkthyesit e veprave të Enver Hoxhës në anglishte, madje edhe italianët vetë që e kishin nxjerrë diskun 45-xhirosh të Beatles në vend të parë në tabelën e shitjeve.

Tani nuk është se nuk do të merrnim vesh asgjë fare: e dinim, p.sh., se ishte gabim të thoje he come and he wear (mungonte s-ja e vetës së tretë); gjithashtu e dinim edhe se Coca-Cola kishte diçka të bënte me degjenerimin e rinisë në Perëndim… (“Grupe të rinjsh të dehur me Koka-Kola”, do të shkruante një gazetë e Tiranës pak kohë më pas, duke raportuar për një vandalizëm nuk di ku në Europën Perëndimore).

Ironikisht, kalesa he shoot Coca-Cola u bë shkas që kënga të ndalohej nga BBC-ja; sipas disave ngaqë mund të interpretohej si aluzion për përdorimin e kokainës, sipas disa të tjerëve ngaqë përmendte një produkt tepër komercial dhe mund të funksiononte si reklamë e tërthortë për pijen në fjalë.

Më duhet ta pranoj se unë sot e kësaj dite nuk e marr vesh këtë tekst.

Gjithsesi, e për t’u kthyer në klasën time të pestë, ne mbeteshim të bindur se misterin e titullit “Come Together” nuk do ta zgjidhnim dot në rrugë deliberative, prandaj vendosëm t’u drejtoheshim autoriteteve përkatëse, ose mësueses tonë të anglishtes, zyshë Tixhes.

Mbaj mend që pyetjen ia bëri, në fund të orës së mësimit, njëfarë Kujtim M., që ishte edhe pak si më i guximshëm se të tjerët.

“Zysh, ç’do të thotë Come Together?”

Mbaj mend edhe që zyshë Tixhja u zu shumë ngushtë, dhe i bërtiti këtij tipit, ose e kërcënoi se do ta nxirrte jashtë; por nga mënyra si reagoi të gjithë ne u bindëm se ishte fjala për diçka jo vetëm seksuale, por edhe seksuale të mbrapshtë, që nuk duhej zënë fare në gojë: come together, over me.

Hit Parade italiane fillonte në orën 12:50, menjëherë pas lajmeve të 12:30 dhe në të njëjtën kohë me “Heroizmin e popullit tonë në shekuj”, një program popullor i Radio Tiranës me dramatizime pompoze dhe kitsch. Mbaj mend që po të vrapoja kur dilja nga shkolla, mund ta kapja gjithnjë në orar… por kjo nuk është se do të më ndihmonte shumë sa i përket hermeneutikës së pop-it britanik. Pastaj Beatles u ndanë, John Lennon tashmë i privatizuar nga Yoko-ja doli me një këngë të re përsëri të suksesshme: “Instant Karma” (instant karmas gonna get you), çka shenjoi edhe momentin kur unë hoqa dorë përfundimisht nga shëtitjet interpretative në pyjet e atyre këngëve dhe atyre mendjeve të përtejme. Grupi italian “Formula 3” i kishte tekstet më të lehta për t’u përtypur: Eppur mi son scordato di te… Itali-Angli 1:0.

Shumë kohë më pas do të merrja vesh se John Lennon e kishte shkruar Come Together për t’ia dhënë mikut të vet, guru-t kundërkulturor Timothy Leary, që ky ta përdorte si këngë gjatë fushatës së tij për guvernator të Kalifornisë. Slogani elektoral i Leary-t ishte: “Come together, join the party!”.

Rrugët e kuptimit janë të çuditshme: parulla psikadelike e Timothy Leary-t, shaluar mbi një këngë me tekst surrealist të Beatles-ve, u mbërriti kalamajve në Shqipëri për t’iu shfaqur si vizion grotesk i një akti seksual sa voluptuoz aq edhe të dënueshëm, dhe e turpëroi zyshë Tixhen në orën e anglishtes, para një plateje nxënësish të etur për dije (seksuale) të ndaluar.

Hajde mos shoot Coca-Cola, pastaj!

Gjithsesi, tani unë s’kam më as më të voglin dyshim se ç’do të thotë pikërisht “Come Together” – është kënga që hap albumin Abbey Road të Beatles, apo jo?

 

2 Komente

  1. fjale kengesh…:)

    …shume vite kalendarike pas atij kur xha xhai ishte ne klase te peste (epo, helbete…), por perafersisht ne te njejtit vit shkollor, kujtoj se “No woman no cry” te Bob Marley e perktheja gjithe qejf “pa gra s’ka te qara”, medemek, hiq femrat dhe shpeton nga sekelldite dhe marazi:)!

    Edhe sot e kesaj dite qesh kur e kujtoj.

    Meqe ra fjala, grate jane te mrekullueshme!

    “So, woman, no cry;
    No – no, woman – woman, no cry.
    Woman, little sister, dont shed no tears;
    No, woman, no cry.”

  2. Cfare nostalgjie…! Jo vetem qe na risolle ato vite, por menyren se si! Pena jote, e ka kete magji; e pranoj, sa me shume lexoj prej saj …..
    Come together and shoot Coca Cola then, as soon as you could!!! :):)
    Shume, falemnderit!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin