APOLOGJIA E MOSDIJES (V)

Veprës së artit, p.sh. një busti ose një sonate për piano ose një poeme mund t’i qasesh edhe si të ishte objekt, ta analizosh me metoda shkencore pak a shumë numerike; p.sh. bustin ta peshosh, ose t’ia përcaktosh përmbajtjen kimike ose të zbulosh se nga ç’gurore ka ardhur mermeri ose të shpresosh se mos gjesh gjëkundi ndonjë flok e thua të skulptorit për t’ia zbërthyer menjëherë ADN-në; sonatës t’ia numërosh notat dhe të gjesh përpjesëtimet aritmetike në harmoninë ose emrin e vjehrrës së kompozitorit të fshehur në kontrapunkt; poemës t’i nxjerrësh tipologjinë e vargjeve ose strukturën e rimave ose edhe dendurinë e zanores o e kështu me radhë.

Natyrisht këto farë qasjesh kanë legjitimitetin e tyre madje edhe brenda historisë së artit; por unë do t’i përfytyroja si skajin tjetër, të përkundërt me përvetësimin intuitiv, ose mistik të veprës, i cili nuk e lejon përsiatjen ose shpjegimin ose interpretimin. Midis këtyre dy skajeve gjen pastaj shkolla të ndryshme të estetikës dhe të interpretimit ose të semiotikës së artit, të cilat të gjitha kanë tundime për t’u quajtur “shkenca”, sepse sot së vërtetës mund t’i afrohesh vetëm me rrugë shkencore, mundësisht statistikore, me gjithfarë tabelash, grafikësh dhe provash laboratorike.

Më kujtohet ç’përshtypje më ka bërë “Korbi” i Edgar Poe-s, në përkthimin e Fan Nolit, kur e kam zbuluar për herë të parë; përshtypje që m’u përsërit kur arrita ta lexoj, po atë poemë, edhe në origjinalin anglisht. Me aq sa kuptoja atëherë, poema më tingëllonte si rrëfim i zymtë dhe enigmatik, produkt nokturn i një mendjeje të topitur nga trishtimi. Më pas, më ka qëlluar të lexoj një ese të vetë Poe-s, ku ky tregon mënyrën pothuajse artizanale me të cilën e pat thurur poemën e famshme; thuase kishte montuar ndonjë bravë dere ose mulli kafeje ose karabinë vetëmbushëse – me durim të admirueshëm prej prestidigjatori, por pa kurrfarë magjie reale prej poeti. S’e kisha menduar kurrë se poemat mund të shkruheshin ashtu, madje mbeta i zhgënjyer me “Korbin” vetë, i cili më kish pëlqyer aq shumë deri atëherë. (Tani shoh në Wikipedia se disa studiuesve të Poe-s kaq absurde u është dukur metoda poetike e këtij autori, sa mendojnë se ky mund ta ketë shkruar esenë si satirë, ose spoof).

Kujtimi i një përvoje tjetër themelore nga po ajo kohë – vitet e shkollës së mesme për mua – tani më bind për papajtueshmërinë themelore midis qasjes simbolike dhe qasjes analitike ndaj sendeve dhe eksperiencës.

Pasi kisha përpirë krejt letërsinë fantastiko-shkencore që kisha mundur të gjej në shqipe, veçanërisht të mrekullueshmen “Mjegullnaja e Andromedës” prej rusit Efremov, po ndihesha gjithnjë e më kureshtar për yjet. Në vitet shtatëdhjetë qielli mbi Tiranë ende të mrekullonte me kthjelltësinë e vet, madje në dimër mund të shihje edhe Kashtën e Kumtrit që i binte tejpërtej natës. Gjithsesi, doja të mësoja emrat e yllësive, t’i dalloja prej njëra-tjetrës dhe të gjeja pozicionet e planeteve. Një emision i radio RAI-t rastësisht më ndihmoi për të pikasur në qiellin e jugut planetet: Marsin, Jupiterin dhe Saturnin, që për fat gjendeshin pranë e pranë; pastaj rrëmova në një enciklopedi ruse që kisha në shtëpi, deri sa gjeta atje një hartë të qiellit, me emrat dhe pozicionet e yllësive për hemisferën tonë.

Që të vogël, më kishin mësuar të tregoja me gisht Arushën e Madhe, Yllin Polar, dhe me pak vështirësi edhe Arushën e Vogël (gjithnjë shpresoja se do të arrija t’i shtija ndonjë ditë në punë këto njohuri, si bijtë e Kapitenit Grant të Jules Verne-it). Duke i përdorur pastaj këto si pika orientuese dhe me hartën rusisht të yllësive në dorë, kam kaluar me orë të tëra në kopsht të shtëpisë sime, së bashku me time motër që ishte fëmijë, për të identifikuar yllësitë e tjera. Ashtu arrita të njoh Kasiopenë dhe Cefeun, Shqiponjën dhe Bariun (Bootes), Mjellmën dhe Lirën, Virgjëreshën dhe Kurorën Boreale, Delfinin dhe Herkulin. Më pas, kur vera ia lëshoi vendin vjeshtës, më dolën në qiell Akrepi, Dashi, Qerrtari (Auriga), Perseu, Andromeda… më pas në dimër Demi, Shejzat (Plejada), Binjakët e më në fund Orioni madhështor me Qenin e Madh, yllësi ku gjendet edhe më i ndritshmi yll i qiellit: Siriusi. Ironikisht, e fundit yllësi që kam njohur në qiell të Tiranës ka qenë Luani, ose shenja ime e Zodiakut.

Sot e kësaj dite e kujtoj atë kohë si të papërsëritshme dhe netët e kaluara duke lexuar yjet ende i mbaj si ndër më të bukurat; pa përmendur pastaj që prej vitesh nuk kam arritur dot ta shoh qiellin aq të plotë e sundues sa ç’më dilte në Shqipërinë e atëhershme. Këtu në NYC gjithnjë ndesh më tepër në drita avionësh se në yje, por kudo gjetiu ku kam shkuar e njëjta mugëtirë ma ka penguar vështrimin. Nga ana tjetër, nuk di ç’emër t’i vë eksperiencës së atëhershme, përveçse soditje ose kontemplacion; por kjo do ta afronte me artin për ta larguar nga shkenca.

Yjet i studion edhe astronomia, edhe astrofizika, edhe astrologjia; por konfiguracionin e yllësive nuk e studion kush – përveçse për ta përdorur si sistem koordinatash të thjeshta e të përafërta, ose si bazë për nomenklaturën e yjeve vetë. Shto këtu edhe që trajtat e yllësive përcaktohen fund e krye nga pozicioni ynë prej vrojtuesi në Tokë, ose në këtë krah të spirales galaktike; sepse asgjë të përbashkët nuk ka mes yjeve të Orionit, përveçse që, të para prej këtej, duken sikur janë afër njëri-tjetrit. Prandaj ka diçka vetvetiu magjike ose mistike në idenë se pamjen aq të ngrirë të qiellit që na shfaqet mbi kokë e krijojmë ne vetë, duke e soditur.

Kur nisa atëherë t’ua gjej vendet yjeve, kërkoja disa syresh që i njihja nga romanet e fantashkencës; veçanërisht Vegën, ose yllin e kaltër te “Mjegullnaja e Andromedës”, e cila muajve të verës shndrit madhërisht në yllësinë e Lirës dhe mund të shquhet lehtë, pothuajse në zenith. Pashë edhe disa yje të tjera për të cilët kisha lexuar: tre gjigantë të kuq: Antaresin (Akrepi), Betelgeizen (Orion) dhe Aldebaranin (Demi); u kujtova që Plejada ose Shejzat (afër Demit) është një grumbull yjor jashtë galaktikës sonë; m’u duk sikur shquajta mjegullnajën e Orionit dhe galaktikën e Flokëve të Berenices afër Arushës së Madhe; pashë më në fund yllësinë e Shigjetarit dhe u mundova të përfytyroj se pikërisht atje gjendet qendra e galaktikës.

Megjithatë, as atëherë as tani nuk më pëlqen të mendoj njëkohësisht edhe për yllësitë me mitet që u kanë dhënë emrat, edhe për përshkrimin që u bën yjeve astronomia dhe astrofizika, përmasat dhe distancat e papërfytyrueshme, zhvendosjen e kuqe, reaksionet e fuzionit që i bëjnë të lëshojnë dritë e ashtu me radhë deri te xhuxhët e bardhë, yjet neutronike, pulsarët, kuazarët dhe vrimat e zeza. Këto të fundit ndoshta nxitin fantazi të një lloji tjetër, dinamike dhe teknologjike; por që nuk ka shumë pika takimi me eksperiencën e sferave ose përvetësimin e qiellit nëpërmjet emrave. As nuk them dot se qasja astrofizike i afrohet së vërtetës më shumë e më mirë se qasja kundruese, ose soditja e qiellit si të ishte një lloj vizatimi mistik; meqë drita e Hënës më pëlqen gjithnjë shumë më tepër sesa ai gur i mjerë që kanë sjellë që andej astronautët, e që e shkoj ta ngushëlloj sa herë më qëllon të vizitoj Muzeun e Historisë së Natyrës këtu në NYC.

Jetojmë në një kohë kur shkenca dhe teknologjia, të organizuara rreth konceptit të informacionit numerik (digital), duken si të vetmet në gjendje për t’ia siguruar qytetërimit tonë mbijetesën. Edhe ato degë të dijes që deri dje e ruanin lidhjen intelektuale me soditjen, intuitën, rrëfimin dhe spiritualitetin duket sikur po tundohen gjithnjë e më tepër nga metodat numerike, modelet kompjuterike, tabelat statistikore, përqindjet dhe projeksionet. Ironikisht, kjo ndodh pikërisht kur fizika moderne nuk arrin dot më të shpjegojë në mënyrë racionale rezultatet e eksperimenteve të veta – por detyrohet t’u drejtohet hipotezave dhe teorive të tilla që ua kalojnë, për nga guximi konceptual, edhe sofistikimeve më të shtyra të mistikëve dhe të alkimistëve mesjetarë.

Vallë ta ketë fajin smogu, që nuk na lë të soditim?

14 Komente

  1. ””Këtu në NYC gjithnjë ndesh më tepër në drita avionësh se në yje, por kudo gjetiu ku kam shkuar e njëjta mugëtirë ma ka penguar vështrimin.””

    Mbase ne Angli ja del ….

    Qielli ‘yne’ ska me mistere, keshtu qe humb vemendjen tone. Qielli i ‘atyre’ ka ende shume mistere, te cilat i lexojme me endje ne formen e tretshme te romanit fantastiko-shkencor.
    Qielli as nuk sherben me, hena per te ditur se c’dite eshte apo
    ylli polar per veriun, keshtu qe ndac te jete, ndac te mos jete….aq na ben.
    Nje nga keto teorite alternative te origjines se civilizimit, thote se para nja 30 mije vjetesh njerezit jetonin ne guva te stermedha e ngroheshin apo ndricoheshin prej dritave te fuqishme. Krahasim i mundshem me metropolet e sotme, meqe edhe i ngjajne kolonive te milingonave.
    Vete Atlantida nuk pyeste per Diellin ngaqe kishte nje burim te cuditshem energjie.

    Alkimistet kishin shume endrra po nje nga me kryesoret, kthimi i plumbit ne ar, u be i mundshem ne kohet e sotme,vecse teper i kushtueshem; ceshtje teknologjie se ideja na paskesh qene mese e sakte.

    Misteri mesa duket qenka force e madhe shtytese per njeriun, nje magnet i fuqishem per te kerkuar te pamunduren. Pikerisht, pertej numrave e makinave ndodhet vete thelbi i perparimit njerezor, e ben pjese tek irracionalja e njeriut, vlla me mitin e bir i spiritualitetit.

    Drita vjen nga erresira, ndergjegja nga e pandergjeshmja, racionalja nga irracionalja deri edhe sukseset ne kirurgji apo teknologji ja detyrojme me shume lufterave, keshtu qe edhe dijen ja detyrojme mosdijes.

    Nese civilizimi nuk eshte gje tjeter, pervec transformimi i spiritualitetit ne numra e nese spiritualiteti varet nga sjellja dashurore e njeriut me natyren e me te ngjashmit e tij, atehere cili eshte qellimi i civilizimit mbi toke, te ktheje natyren ne numra e vete njeriun ne nje numer (sot lindi banori nr 27 251 364 i Nju Jorkut, i ngjizur me spermen e nje dhuruesi te panjohur ) ?

    Mosdija ne fakt kishte nevoje per apologji ne kete blog e jo vetem ketu.

  2. Me pelqeu komenti i Hyllin :). Me te vertete, irracionalja eshte motorri i racionales. Shumica e shkencetareve apo teknologeve studiojne fenomene apo shpikin aparate teknologjike sepse kjo i jep kenaqesi. Une vete kam studiuar dhe punoj ne nje fushe te teknologjise se informacionit. Eshte mahnia e krijimit te psh. nje roboti autonom qe leviz brenda dhomes e mundohet deshperuar te shmange rreziqet e botes perreth (hapesire 4×4 :)) ajo qe te mban me ore te tera te zgjuar duke perpunuar modele racionale komplekse per ti injektuar inteligjence asaj krijese. Dhe gjate mahnitjes as nuk te shkon mendja se cfare po ben ne te vertete e cfare pasojash shpikja.

    Sido qe te jete per mendimin tim krijimi ne vetvete qofte ai teknologjik apo artistik eshte nje proces tejet irracional.

  3. Xha, ne “Apologjia e mosdijes”:

    “Prandaj ka diçka vetvetiu magjike ose mistike në idenë se pamjen aq të ngrirë të qiellit që na shfaqet mbi kokë e krijojmë ne vetë, duke e soditur.”

    “…soditja e qiellit si të ishte një lloj vizatimi mistik; meqë drita e Hënës më pëlqen gjithnjë shumë më tepër sesa ai gur i mjerë që kanë sjellë që andej astronautët…”

    flm!

  4. Qasje pranë zjarrit estetik

    Duke shkruar një sonet dashurie, për t’ja kthyer barasvlefshëm e mundësisht më shumë, asaj që i thesha bukur sa mundja: “Pa droje ti mi fale gjethet” i thashë, më bukur s’mundja: “Unë po të fal kët’ vargun tim”, që më befasoi por jo shtangu; ja pse dhe si.
    Kur velat gufateshin prej frymëzimit dhe dallgë fjalësh përplaseshin, mendimi mbante kursin në “unë po të fal këtë varg”. Por një forcë e mistershme, në kufijtë e të pakontrollueshmes, përpinte kuptimin parësor dhe e kthente nga: “këtë varg” në “këtë vargun tim” “këtë vargun tim” “kët’ varg untim” “kët’ varg intim”. Kjo ishte! E dëshmoj si ndodhi. Por, në më pyetshi ç’nënkuptoj me “vargun tim”: a) vargun që kam shkruar, b) vargun intim, c) diçka të zbuluar, nuk përgjigjem dot sepse ishte thuajse jashtë kontrollit tim kur u shkrua dhe çdo përgjigje e mëpasme është prej lexuesit, jo poetit, me p sigurish.
    Ky arsyetim vlen dhe për një nga dilemat e zjarrit mitik rreth Skënderbeut. A u nis Skënderbeu për tu hakmarrë? U nis! Sa zotësi impresionuese hyrja në kokën e njerëzve, për më tepër, të të vdekurve. Sa mirë të më ndihmonin dhe mua të mësoj ç’kuptoj e nënkuptoj me atë varg. Është fillestare, bëhet në dituri natyre, pyetja: ç’na japin delet?
    Dikush përgjigjet qumështin, dikush leshin, dikush mishin, dikush lëkurën, dikush (hihihi)- që të gjitha të vërteta sa dhe përgjigjia – asgjë. Si asgjë? – çuditet mësuesja. Po ne kemi lopë në shtëpi mësuese, jo dele…
    Ne ecim nga padija në dije dhe nga dija në mosdije, ku dija mbetet kulmi dhe mesi. Nëse dija do të ishte një rrugë, që e gjejmë të hapur a e hapim dhe më, padija do të ishte humnera poshtë këmbësh, ndërsa mosdija shpati i rrëpirë përpjetë. Ne mund të biem në padije padashje, në mosdije nuk ngjitemi veçse me bindje. Për të zgjeruar dijen, ashtu si për të zgjeruar rrugën ne gërryejmë nga mosdija, ku mundim ne e rrafshojmë fare kodrën, ku jo ecim nëpër atë tunelin e ngushtë që kanë hapur, hapim. Pengesa jonë është pamundësia. Sikur të mundnim të fusnim dijet e gjithësisë në kokë, do ta bënim.
    Një rrugë me dredha është piktoreske, por një autostradë është më e shpejtë dhe për më shumë udhëtarë. Udhëtari nuk hallakatet, ai udhëton duke parë dhe andej nga nuk ecet se thyen kokën – në humnerë, dhe andej nga nuk ecet se humb kohën – në shpatin e rrëpirë.
    Ata që zbresin a ngjiten shtigjeve quhen ndryshe, përmbledhshëm –aventurierë.
    Poe me P padyshim, ka shkruar një vjershë të titulluar “Alone”, (“Vetmuar” në përkthimin tim). Vetëm bukuria artistike e kësaj vjershe në mes të 800 e ca faqeve të veprës së tij do të ishte e pamjaftueshme për ta shquar nga të tjerat. Janë “të parëndësishmet” ato që nxjerrin në dritë çka është në dritën e diellit, prandaj nuk shihet. Poeja e ka shkruar këtë vjershë, të botuar mbas vdekjes, në bllokun e Lucy Holmes, njohur (po i besoj kujtesës e s’po rrëmoj wikin) prej të vëllait e shoqërisë gazmore. Pa i ditur këto, lexuesi kupton prej fillimit të vjershës se poeti, heroi lirik, ka qënë ndryshe nga të tjerët dhe “ç’donte e donte vetmuar”. Me të dhënat shtesë, mendja rindërton skenat ashtu si kanë qënë, veprimi vendoset në atë kohë, jo në pakohë apo kohën e lexuesit, syri kërkon. Ato që gjen turbullojnë mendjen:
    From childhood’s hour I have not been
    As others were–I have not seen
    As others saw–I could not bring

    Ç’thonë “As others were” dhe “As others saw”, po të marrim se “others” janë vëllai me shokë, dhe “were” e “saw” mund të jenë burrë e sharrë, por dhe më keq “werewolf”, bishë, njeriujk? Mos Poeja ju adresohet atyre ashpër: unë nuk jam (kam qënë) ujk si ju, unë nuk bëj gëzh-gëzh si ju për të marrë ndonjë puthje të ëmbël? A nuk e përforcon këtë dyshim “all I lov’d, I lov’d alone”? Për më në fund, a mos vallë Poeja duke i lënë një vjershë të mrekullueshme në bllok është hakmarrë me të zonjën.
    Me të tilla pandehma, lexuesi kënaqet më shumë? Këtë ai mund ta thotë vetë, por të tilla pandehma, imponojnë zgjedhjet e fjalëve në përkthim, që tanimë nuk mund të jetë i fjalëpërfjalshëm:

    Prej miturisë s’kam qënë
    Si të tjerë qenë; s’jam ndjerë
    Porsi sherret; s’thashë buzburo
    Zjarrmit prej kroi çfarëdo.

    Një dopio mosdije, barist, pa lëngje e akull.

    Mbas këtyre shembujve them se ju më miratoni më shumë kur flas për vjershën time se për atë të Poesë. Kjo ka të bëjë dhe me njohjen dhe autoritetin. Dikush mund të kërkojë të dijë kush është ky që shkruan këto… çfardo; dikujt do ti duhej ndonjë gradë për ti marrë në konsideratë (marrim se i lexoi). Kështu shpjegohet, pse sulmohet përkthyesi Klosi dhe jo autori; pse sulmohet Lubonja dhe jo Peshkëpia, pse sulmohet kushdo me emër dhe nuk sulmohet një me nick-name, (këtij Fuga i kërkon të shfaqet me emër). Rëndësia kalon nga ajo që shkruhet e thuhet tek ajo kush e shkroi dhe e tha në publik.
    Si e tha është shtresë brenda shtresës. Kështu, Godo që ka shkruar se Skënderbeu u hakmorr duke i prerë kokën të nipit është mëse në rregull; Klosi që thotë se Skënderbeu u nis nga hakmarrja për tu prerë kokën osmanëve është gabim. Larg zjarrit të turrës së druve.
    Nëse ajo që na thuhet është pozitive mirëpritet. Kështu, ju mund të mos besonit ç’them për Poenë, por po të thesha se:
    Tregimi i një prej tregimtarëve shqiptarë më të mirë është bërë kapitull romani nga një prej nobelistëve, ju do të ishit të prirur në mos ta besonit, tu a provoja.

    Ta bëj, a të thërres baristin?

  5. Era e kohes se moderne than e kallkanis Historine.Kjo ere qe dikur ishte stuhi e ngrinte lart terbueshem dallget,sot ftohtsisht leviz velat ne ulvarjen e kthimit persiates ne te vjetrin port idiotin.Njerez e kesaj toke gjithmone ne ikje te pashprese.Portet radhshem dije-padije,padije-padije.Padije boshllek,udhetim i pafundem lindje perendim.Ky vend aferti Trojes,por i kujtimeve te humbura.Trroja,te rroja kurre shuajtshem ne kufirin midis maleve dhe detit nxjerr heronjte kur stuhit e terbuara afrohen.Kur era bie e ftohtesia e paqes vjen,dalin gjoksfryre buburecat gjysemzvarites.Gerr gerrjet e tyre acaruese vazhdojn ne pazhurmesine e paemert te eres se ftohte.Dalngadal buburcat hane deget e kujtimeve te pemes se lashte te ketij kombi.Eter dhe degezime mijera gjeneratash ne gjakun e ketij populli rjedh.Vazhdon t’kerkoje kujtimet qe me si ka,shijen e dinjitetit qe nuk e njeh me.Era e ftohte kerkon t’gryeje mitet.Por Miti qe behet mal asht me i fort se çdo fjal.Populli tek Miti-Mal do me u bashkue per t’mundur zinxhiret e ardhshem ne token e brezave ku i kendohet pafundesisht jetes dhe vdekjes.Kujtimi yt kurre nuk humbi ne token midis lindje perendimit,ku Homeri kengen filloi.Ti i fundit Heromerian.
    -me falni per pikat e /e’/-se-

  6. ””Sido qe te jete per mendimin tim krijimi ne vetvete qofte ai teknologjik apo artistik eshte nje proces tejet irracional.””

    Po e vertete, sado te perdoresh mjete racionale, thelbi i krijimit ngelet irracional. Imagjino sa irracional eshte vete krijimi i botes e i jetes… biles eshte absurd meqe vjen nga rastesia. Kujt qenieje logjike do i shkonte neper mend te racionalizonte rastesine ? Keshtu paradoksalisht vete Zoti del si arritja me e madhe racionale e koheve te shkuara.

    Morali konvencional thote se; dija eshte mire e mosdija eshte keq, racionalja eshte mire e irracionalja eshte keq, shkenca eshte mire e feja eshte keq, paqja eshte mire e lufta eshte keq e keshtu me radhe.

    Gjithe ceshtja (perfshire dijen e mosdijen) eshte se njeriu sado te perpiqet, nuk arrin dot te qendroje ne ekuiliber e per kete nuk kemi cti bejme, eshte me e forte se ne. Mirepo dicka mund ta bejme; ne rrugen drejt asaj cka per ne eshte ‘e mira’ te respektojme e ‘njohim’ sadopak ate cka eshte e keqe, sikur vetem per faktin se perderisa jemi ne ate rruge atehere kemi ardhur nga kahu i kundert, nga poshte.

    Nderkaq ndodh e kunderta, cka eshte poshte perbuzet,pergojohet,injorohet; i qendrohet larg me ndjesine e frikes e te peshtjellimit, derisa keto ndjesi te pushtojne gjithe qenien,keshtu frika kthehet ne tmerr e peshtjellimi ne ankth.
    Njeriu e sheh humneren me trupin e ngrire e me sy te zgurdulluar pikerisht nga tmerri e ankthi qe ka ushqyer vete….humnera duhet pare me sy shqiponje, sic kendon dikush.

    Nuk eshte erresira qe i afrohet kercenueshem femijes, por eshte femija qe nuk ka arritur ende ta respektoje e nese nuk e respekton dicka nuk arrin ta njohesh vertet. Frike nga erresira, por a nuk eshte po kjo erresire, qe e mbron femijen nga kercenimet e mundshme; a nuk struket ne erresiren e dollapit sapo ndjen rrezik ?!

    Atehere, perse si morali kristian ashtu edhe ai aktual, po demonizojne ate cka na eshte e nevojshme ta respektojme, pasi vijme prej saj e me siguri do te na dale para ndonje dite, te kerkoje tagrin e vet per ndihmen qe ka dhene ne formimin tone, tagrin e trashegimise te cilit nuk i shpeton dot askush ?

    Mosdija kerkon edhe ajo tagrin e vet,ashtu si cdo gje qe ne moralin konvencional te fituar ne Eden, quhet keq.

    Xha xha duke pare numrin e temave , me duket se po e paguan me gjithe interesat. 😀

  7. Me kohë kam dashur të shkruaj për këtë përkim (një vit e ndjeja dhe detyrim), por veç ca radhëve, sa për të mos e harruar, nuk kam bërë më shumë, e nuk shfajsohem. Arsye e pretekste. Kam dashur ta përfshi si pjesë të një udhëtimi në nëntokën e letërsisë. Do më duhej ta rilexoja romanin “me laps në dorë”. Ndërkohë kam lexuar e shkruar plot. Nuk më kanë pëlqyer nisjet tentative. Ta shkruaja si ese apo si novelë? Deri sa ta shkruaj si ese (disa shembuj krahasues i kini në fund) ja si mund ta shkruaja si novelë:

    Në rrënjën e një plepi thesari shënohet me X.
    Kështu mund ta mbyllte jetën një personazh alla Dan Braun, duke i zgjatur heroit hartën që ka për kordinata, tregimtarët shqiptarë dhe nobelistët. Heroi vazhdon të kërkojë po alla Braun, seleksionon titujt e librave, kombinon fjalët në hartë, si i thone plepit latinisht? Shkon pyet profesorin e letërsisë, ky i thotë “për këtë të pyesim Çabeun”. Nisen, rrugës profesorit i kujtohet se Çabej ka vdekur. Heroi kujtohet se duhet të kujtohet. Ai i ka lexuar gjithë tregimtarët më të mirë shqiptarë dhe gjithë nobelistët. I bef në mendje se po të bjerë në koma si një hero alla Eko kjo mund të realizohet shpejt e shpejt. I kërkon ndihmë një mjeku. Kalon andej dhe mrekullohet… mjeku e përmend, zihen, “ti mund të vdisje”, “je xheloz se e di ç’shihja”. Mjeku i kujton se ai ishte nisur për tjetër punë. Heroi pyet për datën. Mjeku i rras në dorë gazetën e ditës. Heroi lexon në të një intervistë të Kadaresë. Aty i lind ideja për të kërkuar shënjat në gazeta e libra të vjetër alla Pamuk. Në BQ nuk e qasin, shkon nga UT, shfleton gazeta, këtyre ju mungojnë faqe, kërkon libra të rrallë, i thonë ti kërkojë në antikuarë, i kërkon në antikuarë i thonë ti kërkojë në bukinistë e rrugës. Shkon në ta, bëhet një prej tyre. Ndërkohë vazhdon të lexojë e të lexojë.
    E alla Dan Braunçe, Ekoçe, Pamukçe, Homerçe, gjen atë që kërkon. Gjen shumë më shumë se ajo që kërkon, gjen sekrete të shtypura në letër, gjen se është nipi i tregimtarit, gjen të dashur, e publikon zbulimet. Shtypi, ndahet, ca thonë ky nuk është fare zbulim, ca thonë këtë “zbulim” e dinim, ca është pretendim i tepërt, ca thonë se e bën për hatër të gjyshit (hej, nuk kam lidhje me tregimtarin,) ca se do të sulmojë rivalin, ca propabilistë e shpjegojnë shkencërisht ndodhinë.
    Autori, i kënaqur me ç’i dha e shkruara pi verë dhe dëgjon piano me “katër duart”.

    Nëse s’prisni ta them, e s’doni të bëni si hero novele, googloni dhe gjeni nobelistin.

    nga tregimi:
    …edhe ja se ku u gjenda rreth një kurore vashash dhe të rinjsh me nga një fletë në dorë për analizim.
    nga romani:
    … vashat të rrethojnë dhe të gjitha zgjatin duart duke kërkuar një lexim.

    nga tregimi:
    …mos jeni edhe kiromant? Dhe më zgjati dorën e saj të zbehtë, të hollë, delikate si vetë lulja e mollës. E mora nër duart e mia edhe ndjeva një lloj dridhje në shpirt
    nga romani:
    Ajo do që t’ja lexosh pëllëmbën. Ajo ka duar të vogla, të buta, shumë delikate dhe shumë femërore. Ti hapën pëllëmbën e saj dhe e ve nër duart e tua.

    nga tregimi:
    po ju lutem të më besoni se unë jam diletant në grafologji po nga kiromacia s’kam fare dijeni.
    S’di sa duar ranë ahere mbi kryen time, si hakmarrje:
    Ah, qënke gënjeshtar, gënjeshtar.

    nga romani:
    Ti thua se nuk je një fallxhi, por veçse një shaman.

    Jo, jo, ti do vetëm veten! Çdo dorë tundet, proteston, bërtet (godet).

    (Tani më duhet të nxjerr benzinën e serbatorit.)

  8. Kufij, ka shkrimi i autorit/es, qe di se kush eshte per tu vleresuar nga lexuesi. Po aq kufij ka edhe per autore qe si di kush jane, por di vetem c’lexon prej tyre, si p.sh. C.D.

    Xha, krijon platformen e duhur per C.D. Te dy emrat (personazhet) ne fjale jane kontribut artistik per lexuesin, jo vetem me vemendje.

  9. Vemendje,ve ne mendje,nese do ti dinim emenin ndryshe do ta kuptonim.
    Forca e te shkruajturit dhe te kuptuarit varet gjithmone nga asimetria munduese e brendshme ete kaheve.Diku kam lexuar qe mundesia me e madhe e lindjes te se folurit njerezor ka qene skizofrenina tek nji grup majmunesh.
    Nga kjo shpejt jam munduar te rrek perfundimin qe e asimtria sjell levizjen.Barazia eshte vdekja e levizjes.
    Jam mundu ta shtrij arsyetimin dhe per yjet,per diellin,per natyren,shoqerine dhe shpjt kuptoj qe e cregullata ka nji regull,cmendurine.Dikush asht gjahu dhe dikush asht gjahtari te cilet nderojne vendet si nje riprodhim qelizor.Njerezimi leviz sipas nji rethi idiotik ku ne punojme per te plotesuar nvojat e te tjereve dhe te tjeret punojne per te kenaqur nevojat tona.Ne kemi vene nen fre deri tani token,ujin,ajrin dhe kafshet.Ne shtrydhim ato dhe njeritjetrin,qe vetem ne te hame e te majmerisemi sa me shume e sa me shume.E ci duhet natyres gjithe kjo? E ci duhet gjithesise kjo?
    Dikur natyra ka qene pa kosha plehrash,ujra te zeza,oxhaqe tymnxjerresh,skapamento helmatises.
    Skizofreniku futi lugen e madh dhe c’qellimoi regullin e saj,e cekuliborj ate.
    Ne kemi ngritur ne galaksi kanceroze midis vetes.Nese gjithsia ka vrimen e zeze reth te ciles rotullohet,ne kemi parane qender.
    Ne pa kuptuar ndertojme sipas regullit te cmendurise
    Deri ku do te shkojme me pabarazine e vleresuar ne numra vlerore ?
    Deri kur do te qendrojme ne barazine e boshllkut per te rinisur mosbarazine?

  10. “Apologjia e mosdijes”

    Ky titull shkrimesh, nga Xha, eshte pafundesisht pjellor, si dija te jet pjelle e mosdijes, inosences, fillimit-fillestarit, ne te gjitha fushat e jetes, shkences, kultures.

    I falur edhe ai qe “di” edhe ai qe “s’di”, se eshte si puna e “veza beri pulen apo pula vezen?”

    Jo shume shqipfoles, dhe te cdo gjuhe me qe e solla fjalen, mund ti rrezistoj me sukses gjykimit ne nji gjuhe te folur sakt ku dhe per ironi behet saktesishte me i gjykueshem/dukshem, se nje foles-shkrues jo i sakt, ku per ironi justifikohet me leht per gjykimin e tij/saj, pasi e panjohura ne te foluren-shkruaren interpretohet si penges artificiale per te shpalosur gjykimin-mendimin e vertet.

    Ky shembull vazhdon, ilustrohet edhe ne pergjithesi me njerez qe nuk kan njohuri te teorizojne rreth nji fushe, por jetojne, aplikojne ne to: Njeriu jeton, pamvaresisht se nuk di saktesisht se c’eshte jeta. Nje bebe/femij perdor trupin, nje tempull i teri, pa as me te voglen njohje/dije per te. Pak me ndryshe eshte me te rriturit, ne lidhje me njohjen e jetes ne pergjithesi dhe te trupit ne vecanti.

    Apologjia e mosdijes mund te jet po aq e justifikuar edhe per apologjin e dijes.

  11. ilias,
    T’i admiroj pyetjet ne fund te komentit (numrat vlerore, barazine e boshllekut etj), por me shume te admiroj per guximin e cartur.
    Gjithesesi “trimi i mire me shoke shume” thone, sepse nuk je i vetmi nga keto ane…

  12. Ilias, problemi i vetem qe une shoh ne arsyetimin tend, eshte inteligjenca. Perse natyra na pajisi me inteligjence te atille sa te ishin te afte te dilnim kunder rregullit natyror ?

    Te kuptohemi , nuk jam kunder shtjellimit tend, biles jam dakort, por thjesht fjala ‘cmenduri’ ka nevoje per rishikim.
    Gjithsesi fjala cmenduri me solli ne mendje te lashtet , te cilet i quanin te cmendurit, te zoteruar prej hyjnive.

    Zhvillimin une do e shikoja me teper si nje lufte midis te forteve, te cilet jane perhere ruajtesit e status quo-se,sepse kjo u garanton pushtetin (mbi tufen, shtetin apo boten ) qe ne thelb nuk eshte gje tjeter vecse menyra me e mire e mundshme per mbijetesen e tyre, dhe te dobteve te cilet jane perhere ne kerkim te dickaje qe i shkeput nga kjo gjendje dobesie dhe i ben te forte.

    Pra te dobtet kerkojne perhere menyra te reja per tu shkeputur nga statusi i te dobteve.

    Nderkaq te fortet, meqe koha ligjeron pushtetin, ndihen perhere e me te forte , keshtu qe nuk ndiejne me nevojen parore per te zhvilluar vetveten, nuk kane me nevojat parore per ushqim, veshmbathje, strehim etj, te cilat zhvillojne inteligjencen e as per vlera apo modifikim ekonomik, por zhyten ne boten e luksit dhe vesit, te cilat degjenerojne si trupin ashtu edhe shpirtin e njeriut, keshtu qe humbasin pikerisht ato elemente te cilat i bene te forte e keshtu qe de jure nuk perputhet me me de facto-n.
    De jure jane te fortet por de facto (ne momentin e ndryshimeve) jane kthyer ne te dobet.

    Meqe de jure nuk mund te rrije shume gjate jashte de factos, atehere plas konflikti ku fitojne ish te dobetit e vendosin pushtetin e tyre, zakonisht duke ruajtuar pjesen e padegjerenuar te ish te forteve, nga te cilet meson.
    Nese nuk jane pjekur kushtet, te dobetit masakrohen e mbyten ne lumenj gjaku .

    Ne gjithe kete , inteligjenca luan rolin e saj e pikerisht eshte vete inteligjenca qe sjell luften, per te pastruar boten nga te dobetit. Inteligjenca nuk eshte fitore e njeriut mbi natyren, por dhurate e natyres per njeriun e si e tille sherben per mbijetesen e njeriut me te forte me te pershtatshem, ashtu sikunder kerkon natyra.

    Me pelqeu shprehja; barazia eshte vdekja e levizjes.
    Barazia eshte nje koncept i shpikur prej te dobteve, te cilet duan te rrisin statusin e tyre pa e merituar e nese kalojne nga krahu tjeter menjehere harrojne se c’eshte barazia.

    Gjithsesi eshte nje iluzion i dobishem, pasi nxit psikologjikisht te dobetit, te fuqizohen nepermjet studimit,ushtrimit fizik apo spiritual,iniciativave ekonomike etj. Pikerisht kete iluzion nxit edhe kanuni, e perderisa eshte aty atehere do te thote qe eshte se duhet me qene.

    Gabimi baze nga ku u farketuan 45 vjet vuajtje per shqiptaret, ishte pikerisht apologjia e barazise e perdorur prej plebejve per tu ngritur nga stadi i tyre.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: