SHKRONJA DHE HESHTJE

Para pak kohësh bleva me kërshëri të madhe një libër të Roger D. Woodard (me bashkautorë), “The Ancient Languages of Europe”, i cili është në fakt pjesë e Enciklopedisë prestigjioze Cambridge të Gjuhëve të Lashta të Botës; edhe pse nuk e fsheh që isha kryesisht i interesuar për gjuhët e lashta të Ballkanit, mes të cilave duhet të ketë qenë edhe parashqipja, ose gjuha e stërgjyshëve të shqiptarëve të sotëm.

Për fat të keq, në libër nuk thuhet pothuajse asgjë për ilirishten dhe trakishten (me variantet e veta të dakishtes e të dako-mizishtes); dhe fare pak për mesapishten, një gjuhë që flitej së hershmi në Itali të Jugut e që shumë dijetarë e mbajnë si të grupit ilir dhe që, ndryshe nga simotrat e veta, njihet disi nga mbishkrimet e zbuluara prej arkeologëve. Përkundrazi, gjuhëve sabeliane dhe venetishtes u kushtohen kapituj të veçantë, sikurse edhe etruskishtes, e cila ende nuk është lexuar dot; ndërsa për pellazgjishten, ose gjuhën që gjetën të parët e grekëve kur zbritën në trojet e tyre në Egje dhe në Greqinë kontinentale nuk thuhet përsëri asgjë.

Arsyet për këtë “diskriminim” nuk duhen kërkuar aq në parapëlqimet e autorëve të vëllimit, sesa në shkallën e njohjes së sotme për gjuhët e lashta të Europës, përkatësisht të Ballkanit. Venetishtja, e cila flitej dikur në Itali të Veriut dhe diku në territoret e Sllovenisë së sotme (por që nuk duhet ngatërruar me venecianishten, si dialekt mesjetar dhe modern të italishtes), e ka fituar një kapitull të vetin sepse mbishkrimet e venetishtes janë deshifruar disi; i njëjti kriter duhet të jetë zbatuar edhe për gjuhën e etruskëve, së cilës disa tipare tashmë i janë përshkruar bindshëm, edhe pse gjuha vetë mbetet e pazbërthyer.

Venetët deri vonë i mbanin për ilirë, ndërsa më pas, për arsye thjesht gjuhësore, i ndanë prej ilirëve për t’i vendosur në një grup të ndërmjetëm, së bashku me liburnët dhe ndonjë fis tjetër tradicionalisht të konsideruar si ilirik verior. Edhe pse mbishkrime të liburnishtes nuk ka, analiza e emrave të përveçëm gjetur nëpër mbishkrime varresh ka zbuluar shumë pika takimi midis këtyre dy fiseve, liburnëve dhe venetëve. Nga ana tjetër, emrat e liburnëve nuk ngjajnë shumë me emrat e ilirëve të Dalmacisë dhe më tej në jug, deri në trojet e Shqipërisë së sotme.

Disa autorë mendojnë se venetishtja dhe liburnishtja janë gjuhë të afërta me ilirishten e mirëfilltë (të jugut), dhe të gjitha formonin një familje më vete mes gjuhëve indo-europiane, të ngjashme me familjen e gjuhëve italike të tilla si latinishtja, oskishtja, umbrishtja, picenishtja (jugore). Të tjerë, duke u mbështetur edhe në analiza krahasuese midis venetishtes të lashtë dhe shqipes së sotme, mendojnë se venetishtja dhe ilirishtja nuk kanë pasur ndonjë lidhje të veçantë mes tyre; por venetishtja dhe liburnishtja përfaqësojnë më tepër një grup të ndërmjetëm midis gjuhëve italike dhe ilirishtes, duke përfshirë ndonjëherë në këto ekuacione edhe gjuhët gjermanike.

Është irritues fakti që të vetmet mbishkrime që njëfarësoj lidhen me ilirishten janë gjetur larg trojeve ilire të mirëfillta të Ballkanit. Përveç mbishkrimeve të venetishtes, e kam fjalën edhe për ato të mesapishtes, që zakonisht mbahet si gjuhë e një fisi ilir prej Ballkani të ngulitur në brigjet e Italisë në kohë shumë të hershme.

Ja një njëri prej mbishkrimeve më të plota të mesapishtes, i gjetur në Vaste, afër Otrantos dhe i tejshkruar me alfabetin latin:

klohi zis thotoria marta pido vastei basta veinan aran in daranthoa vasti staboos xohedonas daxtassi vaanetos inthi trigonoxo a staboos xohetthihi dazimaihi beiliihi inthi rexxorixoa kazareihi xohetthihi toeihithi dazohonnihi inthi vastima daxtas kratheheihi inthi ardannoa poxxonnihi a imarnaihi

Për fat të keq, shumë mbishkrime mesape të cilat mbaheshin për autentike kanë dalë më pas falsifikime, çka e ka dëmtuar studimin e tyre dhe përpjekjet për t’i deshifruar; sidomos ngaqë studimet e mëparshme, nga autorë me kredenciale të shkëlqyera e të periudhës së artë të gjuhësisë krahasimtare, ishin gabuar duke i marrë për të mirëfillta. Nga ana tjetër, një tipar fonetik specifik i mesapishtes, si shndërrimi i o-së së shkurtër IE në a, e rendit këtë në një grup me shqipen, lituanishten dhe gjuhët gjermanike, çka të bën të mendosh për afërsi veçanërisht me shqipen.

Vërtet që për mesapishten të dhënat janë të mangëta, por kjo nuk e përligj mungesën e një kapitulli të veçantë për këtë gjuhë në librin e lartcituar; aq më tepër që mesapishtja është e vetmja gjuhë që mund të ndriçojë misteret e shumta të gjuhëve të ilirëve të jugut e ndoshta jo vetëm të tyre por edhe të popujve të tjerë jogrekë të zonës, meqë nuk është për t’u përjashtuar edhe një prejardhje e mesapëve nga Epiri, sidomos po të gjykohet nga pikëpamja e afërsisë gjeografike.

Sa për ilirët, trakët e të tjerë popuj të lashtë të Europës, gjuhët e këtyre dija gjithnjë do të jetë e detyruar t’i rindërtojë me mënyra të tërthorta e shpesh artificiale, sa kohë që materiale të tilla si mbishkrimet mungojnë. Vetë fakti që ilirët nuk e shkruan kurrë gjuhën e tyre, edhe pse ishin në kontakt me popuj që shkruajtën shumë dhe herët, si grekët dhe më pas latinët, përbën një enigmë më vete. Shpjegimi më i parë që të vjen në mend është prapambetja teknologjike ose kulturore; por prapambetja nuk e përjashton imitimin, në një kohë që vetë kontaktet e ilirëve me kultura shkrimore në lashtësi nuk mund të vihen në pikëpyetje, meqë konfirmohen nga shumë burime e drejtime.

Atëherë? Para pak ditësh lexoja rastësisht një material për një mister të ngjashëm që ndeshet në kulturën e fenikasve të lashtë, të cilët edhe pse mbahen si shpikës të alfabetit që u adoptua më pas prej grekëve, etruskëve, latinëve dhe popujve të tjerë në Mesdhe, nuk kanë lënë ndonjë mbishkrim për të qenë. Autori shpjegonte se arsyeja kryesore për këtë zgavër në dokumentim është se fenikasit përdornin për të shkruar një lloj pergamene e cila nuk i qëndroi dot kohës, erdhi duke u shkërmoqur e u zhduk pa lënë gjurmë.

Po sikur një shkak i kësaj natyre, që lidhet drejtpërdrejt me mediumin shkrimor, të ketë vepruar edhe në rastin e ilirishtes?

Po të duam pastaj të spekulojmë, mund të gjejmë edhe arsye të tjera se pse një popull kaq i ekspozuar ndaj grekëve dhe latinëve nuk ua huazoi teknikën e të shkruarit – mes të cilave arsye tabutë fetare vlejnë të përmenden të parat.

Gjithsesi, një ditë prej ditësh arkeologët mund të zbulojnë ndonjë mbishkrim të gjatë ilir – në trojet shqiptare, ose kroate, ose malazeze, ose serbe, ose maqedonase, ose edhe italiane – i cili do të ndihmojë së tepërmi, por nuk është se doemos do t’i zgjidhë vetvetiu gjëzat e mëdha të Ballkanit në lashtësi. Gjasat janë që ai mbishkrim hipotetik të tingëllojë pak a shumë si mbishkrimi i mesapishtes më sipër, po aq i palexueshëm e po aq i huaj për shqipen e sotme, madje edhe sikur ata që e kanë shkruar të kenë qenë përnjimend stërgjyshër të drejtpërdrejtë të shqiptarëve.

Kjo ngaqë distanca në kohë nuk ka ndonjë dallim kushedi çfarë nga distanca në hapësirë; dhe 2,500 vjet që e ndajnë shqipen e sotme nga parashqipja e kohës së kontakteve të para me Romën nuk janë pak, sidomos po të kihet parasysh se edhe atë parashqipe diçka si 2,500 vjet e ndanin nga periudha kur, po t’u besojmë paleolinguistëve, popujt e ardhshëm indo-europianë përnjimend flisnin një gjuhë të vetme.

11 Komente

  1. Anglo-saksonet nuk jane marre gati fare me ceshtjen iliro-pellazge, prandaj nuk ka perse te cudise nje indiference e tille. Do isha cuditur nese do ishte studim i ndonje gjermani apo austriaku.

    Persa i perket mesapeve, autori me prestigjoz ngelet Francesco Ribezzo i cili ka botuar 4 libra , te cilet kam pasur fatin ti lexoj. Duke qene se librat kane gjuhe teknike nuk mund te them se i kam kuptuar deri ne fund por nje ide te pergjithshme nuk eshte e veshtire te krijohet nese interesi ndaj gjuhes nuk kufizohet vec ne 4 libra.

    Fraza :

    klohi zis – ndodhet ne fillim te gati cdo mbishkrimi. Ribezzo e lidh Zis me Zeus e sipas tij eshte thirrje ndaj hyjnise, duke qene se Thotor eshte Perendia me i madh mesap. Kjo faktikisht Thotor apo Taotor si gjendet ne vende te tjera lidhet si me fjalen Tat – baba ashtu edhe me fjalen Thot- Ze.

    Personalisht mendoj se klohi zis meqe eshte hyrja e cdo mbishkrimi varri , duhet te shprehe dhimbje ashtu sikunder cdo vaj fillon me renkime e shprehje dhimbjeje.

    Ne shqip klohi zis do lidhej ne menyre te shkelqyer me
    Klaj zi, ose ndr qaj zeza (si fillojne vajet) duke qene se dime qe forma antike e qaj eshte Kjaj apo klaj.

    hi duket nga perseritjet e shpeshta ne mbishkrim se eshte prapashtese, kazareihi xohetthihi toeihithi dazohonnihi
    prandaj rrenja duket qe eshte Klo…

    Mendoj se indiferenca e theksuar e albanologjise zyrtare per tu marre me mbi 2 mije mbishkrimet mesape, tregon se gjuha mesape perfaqeson te njejtin mister qe fshihet tek Illyricum Sacrum , liber per te cilin shteti shqiptar nuk ka bere asnje perpjekje ta sjelle ne Shqiperi. 5500 faqe mbi periudhen e erret te historise tone dhe mbi 2 000 mbishkrime mesape qe injorohen paturpesisht, ne nje kohe qe jane 2 elementet me kyc te enigmes shqiptare.

    Nuk kam shume besim tek teorite konspirative, po kur shoh nje indiference te tille, nuk mund te mos me shkoje mendja se ketu ka elemente te bollshem per te thurur nje teori konspirative. Apo do pranojme qe albanologjia zyrtare eshte mediokre ne kufijte e qesharakes ?

  2. Hebrejte e mbajne veten si shpikes te alfabetit. Dini ndonje gje per kete ‘grindje’?

    Para pak ditësh lexoja rastësisht një material për një mister të ngjashëm që ndeshet në kulturën e fenikasve të lashtë, të cilët edhe pse mbahen si shpikës të alfabetit

  3. Hebrejte mund te jene gjithcka tjeter,por shpikes te alfabetit kurrkund. Alfa vjen nga aleph qe i thone lopes ne fenikisht apo me sakte tek semitet veriperendimore e keshtu shumica e bashketingelloreve.

    Doja te thoja dicka ne lidhje me nje nocion qe mendoj se eshte i gabuar apo me sakte nuk ka ate kuptim qe i jep xhaxhai, ”parashqipja”.

    Xha xhai mbeshtet teorine qe bazohet mbi 2 shtylla.
    1- Dialektet e shqipes jane formuar ne mesjeten e hershme,diku rreth shek 5 – 7.

    2- Gjuha shqipe eshte pasardhese e ilirishtes apo trako-ilirishtes.

    Per mendimin tim duket qarte qe 2 shtyllat bien ne kundershtim me njera tjetren dmth terminologjia e perdorur eshte e gabuar.

    Te pranosh se dialektet e shqipes jane formuar duke u nisur nga shek 5, vetvetiu pranon ekzsitencen e nje gjuhe te njesuar shqipe para ketij shekulli.
    Pra je duke thene se para shek 5 ekzistonte gjuha shqipe e njesuar e cila u nda ne dy dialekte.

    Mirepo para shekullit te 5 ne keto troje jetonin Iliret te cilet flisnin logjikisht ilirisht, dmth gjuha qe flitej ne keto troje para shek 5 ka qene ilirishtja e jo shqipja.
    Pra nese dialektet jane krijuar duke u nisur nga nje gjuhe qe flitej e njesuar deri ne shek 5 atehere kjo gjuhe ka emrin ilirisht, dmth gegerishtja e toskerishtja jane dialekte te ilirishtes.

    Pra eshte pakuptim te thuash se shqipja eshte pasardhese e ilirishtes, sepse ne fakt nga pikepamja kohore periudha qe i perket shqipes eshte identike(mbivendoset) me periudhen qe i perket ilirishtes.

    Kjo do te thote se shqipja e njesuar paradialektore eshte sinonim i ilirishtes te shek 5.

    Kuptohet qe teoria trako-ilire eshte absurde pasi shqipja paradialektore, nese pranojme ndarjen te filloje ne shek 5, nuk ka ndikime te drejtperdrejta nga ndikimi trak, pasi atehere do supozonim qe ne shek 5 ne iliri nuk flitej ilirisht por iliro-trakisht dhe ky perben nje nonsens historik.

    Te kthehemi edhe njehere tek teoria ilire.
    Doli nga arsyetimi i mesiperm se shqipja paradialektore ne fakt eshte ilirishtja e shek 5.

    Atehere te flasim per gjuhe shqipe paradialektore eshte e gabuar, na duhet te flasim per ilirisht.

    Nese flasim per ilirisht atehere na duhet te pranojme se populli i quajtur ilir, fliste te njejten gjuhe qe ne momentin e lindjes se tij e cila u persos me kalimin e kohes, apo huazoi elemente te ndryshem e gjithsesi u zgjerua. Pra nuk ka asnje logjike te thuash se iliret e vitit 2 mije p.l.k flisnin nje gjuhe tjeter nga iliret e shek 5, por flisnin te njejten gjuhe qe u pasurua me kalimin e kohes nga zhvillimi teknologjik, politik social etj.

    Kjo menyre arsyetimi na e con ilirishten ose ndryshe nese do na lejohej ‘shqipen paradialektore’ te vjeter qe prej momentit historik kur vihet re nje kulture ilire, praktikisht prej periudhes se kultures preluzasiane te cilen jo pak arkeologe e filologe te teorise indoeuropiane e kane quajtur Ilire. Ka kundershtare te kesaj teorie, por duke qene se ajo periudhe eshte me shume ceshtje hamendjesh e opinionesh sesa faktesh te pakundershtueshme jemi te detyruar te hedhim uje ne mullirin tone.

    Nga ana tjeter teoria indoeuropiane supozon se ilirishtja ishte dialekt(bije) i gjuhes indoeuropiane e populli ilir (faktik) eshte shkeputur diku rreth vitit 3 mije p.l.k nga populli ( i hamendesuar) indoeuropian.

    Sido qe te shikohet ceshtja, parashqipja i bie te jete parailirishtja dmth gjuha indoeuropiane.
    Me fjalen protoilire supozohet se ka nje perzierje gjuhesh e popujsh, mirepo perderisa nuk ka fakte ne mbeshtetje e ngelemi ne fushen e hamendjeve, protoilirizmi mund te ekzistoje po aq sa mund te mos ekzitoje. Nga ana tjeter thuhet se ilirishtja, keltishtja,sanskritishtja etj dalin nga trungu meme indoeuropian, pra shume rralle thuhet se doli nje protogjuhe ilire, kelte,sanskrite etj nga trungu e pastaj keto u perzien etj etj.

    Nga ana tjeter eshte mese logjike qe nje gjuhe te evoloje, pra te quash si protoilirisht ilirishten primitive pra te paevoluar, ne fakt nuk je duke thene asgje, ose me sakte je duke thene se gjuha eshte duke u evoluar,pra termi protoilir ne kuptimin e ilirishtes primitive nuk tregon asgje,pra eshte term i kote shtese, sinonim me ilirishten primitive apo ilirishten antike.

    Nderkaq parailirishtja ose parashqipja, pasi pame qe shqipja e njesuar paradialektore ne fakt eshte ilirishtja e shek 5 , ka kuptim vetem nese i referohet gjuhes indoeuropiane e perseri eshte term i kote shtese,sepse mund te perdoret fare mire termi gjuha indoeuropiane.

    Pra termi parashqipe apo protoshqipe i perdorur jo si sinonim i gjuhes indoeuropiane eshte nje term qe hamendeson perzierje themelore te dialektit indoeuropian ilir me gjuhe te cilat nuk i dihet asnje tingull.
    Se dalin ca bosnjake me kete teori te protoilirishtes per te mbeshtetur ‘autoktonine’ bosnjake nuk eshte e thene ta perdorim gjeresisht edhe ne.

    Gjuha shqipe nese pranohet teoria indoeuropiane i ka fillesat e saj si dialekt i gjuhes indoeuropiane e ne fillim ka qene e varfer e primitive, pastaj evoloi gradualisht deri ne format e ndryshme dialektore per te perfunduar ne toskerisht e gegerisht, e nese ka huazuar fjale ne keto 5 mije vjet, kjo nuk lejon askend te flase per protoilirisht, ilirisht,protoshqipe,shqipe , toskerisht e gegerisht, por per nje evoluim te natyrshem te shqipes antike ne shqipen moderne, ose ndryshe nga ilirishtja antike ne shqipen e 1972-shit ,me te cilen po komunikojme, pa harruar sigurisht ndikimet e huaja, te cilat gjithsesi nuk kane ndikuar aq sa te themi se ilirishtja antike eshte nje gjuhe e huaj per shqipen e sotme.

    Gjithe arsyetimi bazohet tek teoria indoeuropiane te cilen xhaxhai pranon kur shprehet per parashqipe.

  4. Hyllin, ndarjen në shqipe dhe në parashqipe nuk e kam bërë unë, as pretendoj ta kem bërë unë, është një ndarje që bëhet për arsye metodologjike dhe që e ndesh edhe te Çabej edhe te Demiraj.
    Megjithatë, unë e pranoj si ndarje të dobishme për studimin e historisë së shqipes. Dhe ja se pse:
    Së pari, parashtesa para-, në fjalën parashqipja, nuk do të thotë që ajo gjuhë ose fazë e gjuhës ka ardhur para shqipes, por vetëm që nuk është e njëjtë me shqipen ashtu siç flitet në kohët moderne (khs.: paranormal, parapsikologji, paraushtarak, paratiroide, etj).
    Gjuhëtarët pranojnë një periudhë kur është formuar gjuha shqipe – dikur midis shekujve V dhe VIII të erës sonë. Kjo nuk është periudhë arbitrare, por i përgjigjet fundit të perandorisë së Romës dhe dyndjeve barbare në Ballkan, të cilët sollën tronditje të mëdha në të parët e shqiptarëve.
    Kjo është periudha kur besohet se u formua sistemi gramatikor i shqipes siç e njohim ne sot: lakimi i shquar dhe i pashquar, krijimi i temës së shumësit, paranyjëzimi i mbiemrave, diateza joveprore e foljeve, format analitike të tipit kam punuar, rendi i fjalëve i tipit emër + mbiemër etj.
    Edhe dy kryedialektet e shqipes nuk i shtyn dot me herët se ajo periudhë.
    Natyrisht, kjo nuk do të thotë se (para)shqipja para asaj periudhe kyç ka qenë e njësuar – përkundrazi. Logjika ofron dy hipoteza paralele, në këtë rast: ose (para)shqipja ka pasur një ndarje tjetër dialektore, e cila më pas është zëvendësuar nga kjo e sotmja; ose shqipja e sotme është pasardhëse e një të folmeje të izoluar, fisi ose një grushti katundesh, që i mbijetuan trazirave të dikurshme në mesjetën e hershme (hipoteza e Stadtmüller-it).
    Kur flitet për historinë dhe parahistorinë e shqipes, gjuhëtarët zakonisht i shmangen termit ilirishte, sepse lidhjet gjuhësore shqiptare-ilire, sado e kënaqshme të jetë hipoteza përkatëse, mbeten të pavërtetuara, sa kohë që ilirishtja është madhësi e panjohur, nuk i njihet as leksiku as gramatika, dhe shumë pak i njihet sistemi fonetik (nga emrat e përveçëm).
    Hyllin, më duket se ti nuk e mban aq shumë parasysh faktin që gjuhët jo vetëm ekzistojnë në kohë, por edhe ekzistojnë duke u ndryshuar; të gjitha etiketat që u vëmë ne formave të ndryshme të indo-europianishtes (shqip, greqisht, frëngjisht, rusisht, vllahisht) kanë aspektet e tyre praktike, historike, teorike dhe metodologjike – përndryshe, mund t’u vinim numra dhe t’i quanim indo-europianishtja 1, indo-europianishtja 2 e kështu me radhë. Po të shohësh evoluimin e latinishtes vulgare në italishte, p.sh., nuk është se mund të përcaktosh një datë dhe të thuash: që nga ky vit apo ky shekull, latinishtja u bë italishte. Asnjëherë nuk pati shkëputje mes brezave që i flisnin ato gjuhë, dhe nënat bie fjala në Romë gjithnjë u mësuan fëmijëve gjuhën që flisnin ato vetë. Megjithatë, nuk ka dyshim se atje në shekullin V flitej latinishtja, ndërsa në shekullin XV italishtja. E njëjta gjë vlen edhe për shqipen tonë, me të vetmin dallim se ‘latinishtja’ e shqipes nuk njihet (jo për faj të serbëve, as të grekëve), por vetëm mund të merret me mend, nëpërmjet rindërtimeve gjuhësore.
    Kjo, them unë, ka rëndësi të madhe – që po të marrësh ekzistencën e një gjuhe në kohë, do të vësh re vijueshmëri, nga një brez në tjetrin; por me kalimin e shekujve ndryshimet që ndodhin në fonetikë, gramatikë dhe leksik, hap pas hapi, çojnë në përftimin e një gjuhe tjetër nga ajo e fillimit. E njëjta gjë ndodh edhe në hapësirë – sepse dy komunitete, p.sh. fise, që ndahen e zhvendosen në zona të ndryshme e të pakomunikueshme gjeografikisht, me kalimin e kohës zhvillojnë forma gjuhësore të ndryshme, derisa vjen momenti kur dialektet që flasin nuk janë më të kuptueshme ndërsjelltas, dhe të konsiderohen deri edhe gjuhë të mëvetësishme. Megjithë dëshirat e mira të disa atdhetarëve shqiptarë, nuk gjen stërnip të Skënderbeut sot, me përjashtim të një grushti specialistësh (them jo më shumë se 7 ose 8 veta), që të jenë në gjendje të lexojnë De Radën në origjinal.
    Prandaj, le të mos gënjehemi nga emrat – mund ta quajmë shqipe edhe atë variant të gjuhës sonë që flitej në Ballkan 2000 vjet para erës sonë, sikurse mund ta quajmë parashqipe atë variant, përsëri të gjuhës sonë, që flitej në trojet shqiptare në kohën e dyndjeve të avarëve e të sllavëve; e vërteta është që shqipja jonë, e sotmja, është rezultat jo vetëm i një procesi riprodhimi besnik, që e mbajtur të veçantë nga gjuhët e tjera përreth, por edhe i një procesi ndryshimesh të pandërprera, që e kanë larguar së tepërmi nga format që kishte në lashtësi. Me ç’rast, të ftoj t’i hedhësh një sy përsëri atij mbishkrimit mesap më lart, meqë pikërisht ashtu mund të ketë tingëlluar edhe ‘shqipja’ e para 2500 vjetëve – ose para kontakteve me latinishten.

  5. Ne fakt xha xha me shume sesa per evoluimin e shqipes, une doja te vija ne dukje paradoksin e nje ndarjeje dialektore ne shekujt 5-7 me nje prejardhje ilirike te shqipes si dhe trajtimin hipotetik te formimit te tyre e gjithe struktures gjuhesore gjate kesaj periudhe.

    Dime psh qe dialektet qe quhen italiane apo spanjolle (te gjitha latinet) nuk burojne nga nje gjuhe italiane apo spanjolle por nga latinishtja vulgare dhe ndertimi i nje gjuhe italiane apo spanjolle eshte nje ndertim pasdialektor dhe ne e kuptojme fare mire arsyen, por une nuk e kuptoj se perse ndiqet e njejta metodologji me shqipen, pra mohoet ekzistenca e nje substrati te perbashket predialektor nepermjet vendosjes ne kohe te dialekteve pikerisht ne shek 5-7 kur supozohet se eshte ndertuar(apo filluar te ndertohet) edhe struktura e shqipes?
    Struktura e italishtes eshte shume me e thjeshtuar se e latinishtes e vihet re nje ndryshim i madh strukturor e po ashtu me gjuhet e tjera latine e mua me duket se ideja e ndryshimeve te forta strukturore ne shek 5 -7 ne gjuhen tone, vjen si nje kopjim shabllon i ndodhive ne gjuhet latine, me shume sesa produkt i fakteve dmth meqe ndodhi tek ata ka ndodhur se s’ben edhe tek ne.
    Mbase jam gabim po logjika ime keshtu punon ne kete rast.

  6. Pershendetje Xhaxha,

    Ne nje web site lexova sa me poshte

    … Hebrew z.âphan = to hide, to shelter
    (citing Ruzizka *Konsonantische Dissimiliation in den semitischen Sprachen (1909), p 97).

    שׂפן
    śâphan
    saw-fan’
    A primitive root; to conceal (as a valuable): – treasure.

    A eshte thjeshte nje rast homofonie/nomie relacioni ne vijim :
    z.aphan = shaphan = to hide = (f)shefe = (m)sheha

  7. Une personalisht mendoj se eshte mbivleresuar roli i emrave apo glosave ilire ne percaktimin e karakterit te gjuhes apo te lidhjes se saj me nje gjuhe tjeter (cfaredo lidhje).

    Cfare perfundimesh per gjuhen italiane do nxjerri nje gjuhetar i se ardhmes se larget duke patur ne dispozicion vetem nje sasi emrash si: Roma, Berlusconi, Tevere, Cicciolina, Juventus etj?

    Nuk mjafton te gjendet nje mbishkrim i ilirishtes por ai duhet te jete edhe i gjate edhe dygjuhesh (ku njera gjuhe te jete e njohur) qe te arrijme ne perfundime te mjaftueshme. Dy mbishkrime psh qe kemi nga trakishtja nuk kane ndihmuar dhe shume, vecse kane treguar fantazine iterpretuese te shume gjuhetareve (amatore ose jo).

    Sidoqofte, per fjalen ”klohi” te mesapishtes une kisha lexuar ne librin e Sh. Demirajt, Gjuha shqipe dhe historia e saj, se ajo mund te lidhet me fjalen shqipe ”degjo”. Gje qe e kam hasur edhe ne librin e RSP Beekes, Hyrje ne gjuhesine krahasimtare indoevropiane (se mund te perkthehet degjo).

  8. Demiraj sna ka thene asgje, klohi-degjo eshte interpretim sipas indoeuropianishtes,per kete mjaft te besh nje klik ne internet.
    Klohi me degjo nuk ka lidhje filologjike fare, zero absolute.

    Klohi ne do i behet nje lidhje me shqipen ka vetem nje menyre:
    te krahasohet kl- e mesapishtes me kl- te shqipes.
    Te krahasohet -hi e mesapishtes me -hi te shqipes
    zanorja o jepet edhe si grup ao ne mbishkrime te tjera prandaj
    ne shqip jep ose a ose o(me vone ka dhene edhe e,ë) .

    Kl e shqipes se vjeter ka dhen -kj- e -q- prandaj ne nje lidhje te mundshme kl do lexohej kj- ose q(kl-umesht-kj-umesht- q-umesht)

    Pra kemi Kja (kjo) dhe hi, dmth Kjahi apo qahi e qahi ne shqip meqe h kthehet ne j ( apo i) jep formen Qaji
    dmth klohi me shqipen ka nje lidhje vetem me qaj .
    Klaohi-Klohi-Klahi-Kjahi-Kjaj-Qaj.

    Keto hipotezat e degjo kur lidhja gjuhesore mes klaohi e degjo, eshte zero apo teper akrobatike ,nuk jane te denja per profesora, ndersa klaohi me kleh te indoeuropianishtes po eshte e qarte filologjikisht te pakten se kuptimi eshte ende hipotetik.

  9. Per te perforcuar kete qe thashe me siper(po munde xha xha ti bashkosh ne nje postim….) gjejme ne shqip fjale qe kane te bejne me q fillestare e qe kane te bejne me dicka te ujte te lenget.
    Kemi qull e qurre e me spond per prezencen e formes kull(qull) edhe akull.

    Atehere ne gegerisht kemi Kjurra e mund te supozohet fare mire nje forme para kj si kl- e atehere do dilnin format Klura apo Klyra. Kjo e fundit do lidhej me fjalen lyra e ja ku kemi dicka te ngjashme me qurrat. Forma klura mund te lidhet me toponimin Lura, liqenet e lures.

    Qull do kete pasur kjull e me para akoma Klul , ku lidhet me fjale ul-uje.
    Po ashtu akull mund te kete qene Akjull e biles fjala mun te perbehet nga A dhe Kjull.
    Tek format para akjull e kjull forma kl duhet te jete asgjesuar shpejt per shkak te ekzistences ne fjale te ll cka duhet te tregoje rendesine e ll si perberese jetike e rrenjes..

    Te gjitha keto fjale e te tjera te ngjashme si lum, laj,lag,lik(en) apo liqen, lyej te cilat kane me njera-tjetren lidhje filologjike si dhe kuptimore qe lidhen me dicka te lenget te ujte , duhet te burojne te gjitha nga fjala ul-uj.
    Ketu mund te futen edhe fjalet vaj, val(deti) , valoj(ziej) e biles edhe klum(esht).

    Prandaj lidhja klahi mesapisht me klahi(qah/ji) te shqipes me duket mese e mundshme e mjaft e kuptimte ne nje mbishkrim varri.

    Keto interpretimet e profesoreve jo rralle te lene te ‘mahnitur’ si tek libri i Kembrixhit ku Hamondi hedh nje ba-j-ge/ba-l-ge nga te tijat:

    http://books.google.com/books?id=vx251bK988gC&pg=PA422&dq=illyrians&hl=it&sig=ACfU3U3KM6DZbgfhXSU5s3zTP5yx1S1nEA#PPA432,M1

    There was, however, a decline in ‘tumulus- burial’. This form of burial had been practised during the Bronze Age and/or Early Iron Age by those peoples who later become differentianted as Greeks, Illyrians and Thracians.

    Dmth diku midis periudhes se bronxit e/o periudhes se hekurit, dmth diku rreth 1200-1000 p.es greket, iliret e traket na paskeshin qene ende te padiferencuar dmth na paskeshin perbere nje trung indoeuropian me vete.

    Kesaj i thone shkence e trajtim racional e shkencor te te dhenave arkeologjike; aq shkencor saqe meriton te futet ne nje liber te Kembrixhit.

    Tani ashtu si per pellazget do na dalin edhe iliret si mit i antikeve ,pasi ashtu si pellazget edhe iliret ne fund te fundit na paskeqeshin qene greke….. Kjo nuk eshte dhe aq absurde, ne fund te fundit sot thone se gjithe shqiptaret ortodokse jane greke qe kane ruajtur fene ,po nuk e dine qe jane greke, ndersa tosket myslymane jane greke te shqiptarizuar e islamizuar bashke a ndonje hordhi turke.

    Kukuuu, kuku per mu…

  10. Gjuhëtari gjerman, Harald Haarman, i ka shkruar disa libra që, sipas mendimit tim, do të duhej të përktheheshin në gjuhën shqipe:
    1. Kleines Lexikon der Sprachen
    Von Albanisch bis Zulu
    2. Lexikon der untergegangenen Sprachen
    3. Kleines Lexikon der Völker
    Von Aborigines bis Zapoteken

    Në librin e dytë flitet edhe për ilirishten, trakishten, dakishten, maqedonishten(antike), etj, rreth 100 artikuj për gjuhët e zhdukura.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin