RECETAT E ADHAMUDHIT

Gazeta “Shekulli” njofton:

Këshilli i ministrave ka vendosur sot të heqë shërbimin ushtarak të detyrueshëm në kuadër të reformës në ushtri. “Rekrutimi i ushtarëve do të bëhet me pagesë dhe kjo do të bëjë të rritet profesionalizmi i ushtrisë shqiptare”– tha kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e sotme.

Nuk e kam ndjekur këtë çështje nga afër, as jam në gjendje të them nëse heqja e shërbimit të detyruar ushtarak është ndonjë nga kushtet për t’u pranuar në NATO; e më në fund as e kuptoj se pse do t’i duhej Shqipërisë një ushtri “profesionale” – për të prodhuar çfarë? Liridemokraci?

Megjithatë, heqja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, sado para t’i kursejë buxhetit të shtetit, nuk i sjell asnjë të mirë shoqërisë shqiptare si njësi që i tejkalon dallimet midis fshatit dhe qytetit, veriut dhe jugut, malit dhe fushës, qendrës dhe provincës, të pasurve dhe të varfërve, të zotëve dhe të pazotëve.

Periudha e shërbimit ushtarak gjithnjë ka qenë për shqiptarët, sikurse për shumë popuj të tjerë, kohë për të lidhur miqësi, për të parë e shëtitur vendin e tyre e për t’u njohur me vise të tjera e me dialekte të tjera, e sidomos për të krijuar vetëdijen e përkatësisë së përbashkët në një shoqëri të vetme.

Për shumë të rekrutuar, jeta ushtarake me vlerat e saj të padiskutueshme dhe me disiplinën shpesh të hekurt shërbente edhe si një periudhë zbutjeje ose shoqërizimi ose përgatitjeje për t’u bërë qytetarë të denjë të republikës. Ushtarët mësoheshin të integroheshin në hierarki vertikale, të vepronin në mënyrë kolektive dhe të organizuar, të zbatonin urdhrat dhe të kuptonin se pa bashkërendim të përpjekjeve dhe të veprimtarive nuk mund të arrihet asnjë rezultat i qenësishëm.

Nga ana tjetër, rekruti i ri menjëherë vinte në kontakt me Tjetrin – të ngjashëm me të por njëkohësisht të ndryshëm, të ardhur nga një fshat tjetër, nga një zanat tjetër, nga një fe tjetër, nga një traditë tjetër; çdo repart ushtarak ishte edhe një model në miniaturë i Shqipërisë, me kontrastet dhe kontradiktat e saj.

Në ushtri shumë shqiptarë mësonin të punonin qoftë edhe angari, sikurse mësonin zanate të vyera dhe gjëra të tjera të dobishme; por mbi të gjitha mësonin të komunikonin me Tjetrin, dhe të bashkëpunonin për të kapërcyer vështirësitë. Mund të tingëllojë sot banale, por shumë miqësi të lidhura në kohë të ushtrisë u kanë rezistuar viteve, madje dekadave. Njerëzit kanë lidhur krushqi, kanë kaluar pushimet te njëri-tjetri dhe sot e kësaj dite ruajnë përshtypje të mira për zona e krahina e kultura vetëm e vetëm sepse kanë njohur diku një të ardhur prej andej, gjatë shërbimit ushtarak.

Ushtria e mbështetur në shërbimin e detyruar vërtet mund t’i kushtojë arkës së shtetit dhe mund të mos jetë aq efikase, kur vjen puna për misione specifike si ato paqeruajtëset, ose për veprimtari të specializuara, si manipulimi i armëve kimike dhe biologjike ose anti-terrorizmi; por i sjell vendit përfitime të pallogaritshme, që kanë të bëjnë me kohezionin social dhe vetëdijen qytetare si diçka më tepër sesa vetëdija krahinore ose fisnore.

A i ka menduar këto Këshilli i Ministrave, kur ka vendosur me një të rënë të lapsit të heqë shërbimin e detyruar ushtarak? Nuk më duket t’i ketë menduar. Logjika e këtyre vendimeve si gjithnjë ndjek një vijë pragmatike – meqë ushtria shqiptare është në pikë të hallit dhe objektivat e rekrutimit nuk arrihen dot, atëherë le ta shpërndajmë fare dhe ta zëvendësojmë me mercenarë, të cilët t’i ekspozojmë pastaj në vetrinat e panaireve ndërkombëtare të paqeruajtjes.

Shto këtu edhe faktin që mercenarizmi e ka një histori të gjatë e të hidhur ndër shqiptarët, për të kuptuar që pragmatika e pushtetarëve të sotëm në Tiranë është dritëshkurtër, dhe në thelb do t’ia eliminojë shtetit të sotëm një nga kolonat kryesore mbi të cilat mbështetet – ushtrinë jo si institucion, por si eksperiencë.

Vallë nuk i ka shkuar kujt mendja që, në rrethanat kur shërbimi i detyruar ushtarak qenka shndërruar në diçka anakronike e të pazbatueshme, ta zëvendësonte këtë me një shërbim qytetar (civil), ku të rinj e të reja të ndihmonin në raste katastrofash natyrore të tilla si zjarre, përmbytje, thatësira, bllokime rrugësh nga dëbora; ose të çoheshin në zona veçanërisht të prapambetura e të degraduara, për të punuar së bashku me autoritetet lokale?

Gjatë gjithë ekzistencës së saj, ushtrisë shqiptare praktikisht asnjëherë nuk i është dashur të luftojë për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga agresioni i huaj; por nëse sot ende kemi shqiptarë që e ndiejnë veten jo vetëm etnikisht të tillë, por edhe qytetarë të republikës, për këtë shërbimi i detyruar ushtarak ka meritë jo të vogël. Prandaj them se heqja e detyrimit për shërbim ushtarak do t’i ndihmojë tribalizimit të vendit dhe do të përftojë, me kalimin e kohës, segmentim social dhe kulturor të vendit edhe më shqetësues se segmentimi tashmë i përftuar për shkak të dasive fetare, dallimeve gjeografike dhe dallimeve ekonomike.

Apo vallë Këshilli i Ministrave shkon me shpresën se, kur të fillojnë fërkimet, moskuptimet dhe provincializimet në Shqipërinë e së nesërmes, do t’i ketë gati trupat paqeruajtëse profesioniste për t’i dislokuar brenda truallit kombëtar?

43 Komente

  1. A i ka menduar këto Këshilli i Ministrave, kur ka vendosur me një të rënë të lapsit të heqë shërbimin e detyruar ushtarak?

    Eshte kerkese e NATOs . Ushtari Gjeorgjan ishte i paguar dhe mendohet te kete funksionuar me mire se sa nje rekrut i rendomte. Tjeter pune qe s’kish kellqe ushtria e Gjeorgjise.

  2. Xha Xha,

    Kjo eshte arma e fundit qe qeverise i ka mbetur ne dore sepse sot te gjithe te rinjte e thirur nen arme ose paguajne gjoben (ata qe kane parate), ose emigrojne ne vendet e huaja ose thjesht nuk paraqiten fare. Pastaj, mendoj se ata jane matur mire perpara se te marin nje vendim te tille si alternativa e fundit per te mbushur radhet me ata qe vertet do ti duhen. Ne fund, djemte qe do pranojne te shkojne ushtar do te jene me te dedikuar se ne rastin kur ata i therret me leter ne shtepi.

  3. Heqja e shërbimit të detyrueshëm për ushtrinë është rezultat i reformave që janë kryer në forcat e armatosura këtë 7-vjeçar të fundit; shumë herë këto reforma kanë qënë pa kuptim. Mjafton të përmend se doktrina ushtrake e Shqipërisë ka ndryshuar në këtë perjudhë rreth 5 herë. Xhaxha, ”shërbimi i detyrueshëm” në Shqipëri pas vitit 1991 ka qënë më shumë një eufemizëm. Mungesa e burimit njerëzor kryesisht për shkak të emigrimit, mungesa e dëshirës nga autoritetet për të ushtruar disiplinën e duhur, mungesa e fondeve, ulja e vezhdueshme e kohës së shërbimit, e drejta e pagesës së shërbimit dhe katastrofa e 1997 e kthyen ushtrinë në një angari, në një vend ku shkonin ata që nuk ishin të aftë ta paguanin.

    Për anëtarësimin në NATO heqja e shërbimit të detyrueshëm nuk ka qënë kusht. Nga forcat e NATO-s, aktualisht Greqia, Turqia edhe Gjermani përdorin ende rekrutë, shtetet e tjera ose e kanë hequr ose janë në proces e sipër. Por sofistikimi i ushtrisë në lidhje edhe me kohën e vogël që shërbenin rekrutët e bënin të pamundur përvetësimin e trainimit. Sot shumica e reziqeve që përballojnë shtetet e Evropës janë ato jo-konvencionale (dmth terrorizëm, misjone paqerruajtëse, fatkeqësi natyrale etj), që nuk mund të përballohen me ushtri të tipit të vjetër.

    Nga ana sociologjike tani, vërrejtjet e tua Xhaxha nuk më duket se janë me vend, pasi perjudha në të cilën ushtria i sillte njerëzit afër duke penguar tribalizimin ishte po ajo perjudhë në të cilën njerëzit kishin komunikim të kufizuar. Pra, nuk lejoheshin lëvizjet endimike të popullsisë.

    Sot, në vend të ushtrisë ke Tiranën (dhe më gjerësisht urbanizimin e Shqipërisë, një koncept të panjohur në diktaturë), ku mblidhet 1/4 e popullsisë së Shqipërisë duke gërshetuar dialekte, fide, fara, kultura, vende e popuj.

    Do kishe më shumë përfitime nga një ushtri me 8.000 efektiva, nga të cilët 80% janë fshatarë që nuk kanë mundësi të paguajnë shërbimin?

  4. Per ata qe mendojne se “askush nuk shkoka ushtar ne Shqiperi”, nje gje e tille nuk eshte dhe aq e vertete: perveç pagimit te gjobes, normalisht behet dhe kallzim ne prokurori. Nuk jam ne gjendje te jap statistika sesa shkohet “per te bere ushtrine”, por di qe me shume se ne ’92-shin apo 2001-shin shkohet !

    Por nuk eshte ky problemi. Problemi eshte se, si dhe ne shume “reforma” te tjera, edhe ne kete rast, ne Shqiperi behet “siç e ka Evropi”: aplikohen modele (receta e Adhamudhit), degjohenverberisht keshilltare, qofte dhe te NATO-s a ku di une, pa hapur me te voglin debat publik. Pa analizuar me pare se ku jemi (ne kuptimin, si i kemi punet mes vedi), shkurt pikerisht ate qe xhaxhai e quan kohezion social (e qe eshte ndoshta e ka treguesin me te ulet, nga te gjithe treguesit ekonomiko-sociale ne Shqiperine aktuale). Pra,vazhdon te mos kuptohet ajo qe nuk eshte kuptuar e analizuar asnjehere ne gjithe keto vite tranzicioni : VETJA, kush jemi, sa jemi, si jemi, “ku” jemi (“ku jemi me planin”- thuhej dikur, ose siç thote frengu: où on en est”). S’ka gje po he, se do “kujtohen” me vone… 😉

    ps: Cdo krahasim me cilindo vend tjeter, eshte krejt i pabaze, sepse “çuditerisht”, ne nje majmunizem te tille nuk kane rene jo pak shtete te krahasueshme me Shqiperine ( per nga permasat, popullsia, territori, historia). Dhe po te ishte per krahasim, une atehere do citoja dike qe shkruante ne nje blog shqiptar qe, “…ne peridhen e fund-viteve ’70, ne Kosove, Mbrojtja Territoriale e Kosoves brenda nates mund te mobilizonte dhe armatoste rende 100 000 kosovare, ndersa sot, FA te Kosoves numerojne 2500 veta dhe te armatosur ne stilin e shoqates se gjuetareve”.
    Jo, meqe ra fjala e “krahasimeve”…

  5. Prandaj them se heqja e detyrimit për shërbim ushtarak do t’i ndihmojë tribalizimit të vendit dhe do të përftojë, me kalimin e kohës, segmentim social dhe kulturor të vendit edhe më shqetësues se segmentimi tashmë i përftuar për shkak të dasive fetare, dallimeve gjeografike dhe dallimeve ekonomike.
    ________________________________

    Duke lexuar përfundimin e mësipërm nuk kish si të mos kujtoheshim për shprehjen frazeologjike”Ra sqepari nga trari”, historinë e të cilës mund ta shpjegoj sipas kërkesës.
    Shprehja merr jetë në të gjitha situatat domino ku një ngjarje duket sikur mund të jetë shkaktuese e një tjetre, e cila është e një tjetre tjetër, e cila është e një tjetre tjetër tjetër e kështu me rradhë deri në përfundimin sipas një progresioni gjeometrik në një katastrofë.

    Nuk më duket se ka vend të precipitohet në të tilla përfundime si ato që përmendni në këtë shkrim, edhe aq më pak të konsiderohet ushtria si vend socializimi. (tip 0800-USHTRIA-444).

    Sikur të kishit më shumë informacion se sa pak njerëz shkojnë sot në ushtrinë e detyruar, them se mund ta kishit riparë artikullin tuaj.

    punë të mbarë

  6. KP, nuk pretendoj të njoh gjendjen aktuale të ushtrisë shqiptare, as të rekomandoj se ç’duhet të bëhet me të. Përkundrazi, njoh të mirat që i sjell një institucion si shërbimi i detyruar ushtarak jetës së një vendi të prapambetur dhe pa tradita shtetërore, si Shqipëria; të cilat edhe i përmenda në shkrimin më lart. Theksi këtu duhet vënë te të mirat, të cilat Shqipëria do t’i humbasë së bashku me shërbimin ushtarak, në qoftë se ky nuk zëvendësohet me diçka të ngjashme. Tannhauser thotë se rolin e vendit gjeometrik të përkatësisë qytetare tani po e luan Tirana dhe zona metropolitane, por mua nuk më bind ky argument, sepse në atë ‘melting pot’ që është Tirana, shumëçka në mos gjithçka ndodh vetvetiu (spontanisht), pa ndonjë farë planëzimi ose organizimi nga lart. Këshilli i Ministrave vërtet e shpërndau ushtrinë ashtu siç ekziston ajo sot dhe për këtë nuk kam dyshim se do të ketë pasur arsye të forta, pa çka se përgjegjësinë për këtë gjendje të ushtrisë e mban përsëri ai pushtet, madje ajo forcë politike që lejoi të ndodhte, ndër të tjera, katastrofa e vitit 1997, siç edhe e kujtoi këtu një nga kolegët. Ideja ime është se, edhe sikur ushtria të jetë tashmë për t’u hedhur në plehra, të mirat e saj i duhen kaluar një institucioni të ngjashëm, të cilin unë e quajta shërbim civil, por që mund të marrë forma të përshtatshme, sipas kushteve të atjeshme. Rëndësi ka që të rinjtë me prejardhje dhe formim të ndryshëm të mblidhen së bashku jo për të kërcyer, as për t’u dehur, por për të bërë diçka të dobishme për vendin e tyre, për bashkatdhetarët në nevojë, për natyrën, për mjedisin; dhe njëkohësisht diçka që t’u japë dinjitet, ose t’i bëjë të ndihen krenarë (ndryshe nga ata të tjerët, që bubullojnë poshtë e lart: “jam krenar që jam shqiptar,” e që harrojnë se të jesh shqiptar sot mund të jetë ende fatalitet, por nesër duhet të jetë meritë dhe privilegj, se përndryshe kot lodhemi të gjithë). Për të gjithë ata që vijnë nga fshati, të paprivilegjiuarit e të pafatët, kjo do të ishte edhe një mundësi më tepër për t’iu afruar vatrave të mëdha të dijes dhe të kulturës. Në qoftë se këtë farë funksioni emancipues nuk e kryen as ushtria as shkolla as fetë (nëpërmjet rekrutimit për urdhrat), atëherë herët a vonë të gjitha pushtetet e mundshme do t’i kapin elitat e korruptuara, të cilat do të kujdesen kryesisht për të riprodhuar vetveten, duke edhe e degraduar, në proces. Prandaj, e përsëris, mua nuk më shqetëson aq ushtria në vetvete, por boshllëku që do të shkaktohet kur ky institucion të likuidohet, me të këqiat e veta të sotme dhe të mirat e djeshme.

  7. Xha Xha,
    Rreziku që juve vëreni (dmth mungesa e strukturave, institucioneve, etj, që t’i shërbejnë kohezionit social dhe ndërveprimit) është fare i pranishëm. Problemi është që Ushtria, të cilën juve trajtoni, ka vite që nuk e kryen më këtë funksion. Kjo sepse ka vite që në ushtri nuk shkon më një “kampion” (zgjedhje, në statistikë) nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe me njëfarë shpërndarjeje gjeografike të atillë që të mund të përfshijë krahina apo mikrokultura të ndryshme. Në ushtri sot shkojnë kryesisht shtresat më të varfra, po më të vrafrat fare. Detyrimi i shërbimit ka vite që nuk funksionon. Ushtria, ashtu si shumë institucione që bashkë me qëllimin kryesor përmbushnin dikur edhe qëllime aksesore, nuk kryen më asnjë nga këto qëllime. Është një tjetër zgjatim i gangrenizuar i një shoqërie apatike dhe të atrofizuar për sa i përket marrdhënieve njerëzore.

    Ajo që mua më duket shqetësuese, çka ju e përmendni tek komenti, është pikërisht riprodhimi kancerogjen i elitave të sotme. Gjë që, siç e shoh unë, nuk është më një rrezik, por një problem fare real dhe i tanishëm. Për ta riformuluar mendimin tim sipas terminologjisë suaj: institucionet në përgjithësi kanë kohë që nuk e kryejnë funksionin e tyre socializues. Tani jemi plotësisht në fazën tjetër: atë në të cilën riprodhimi i elitës së korruptuar është duke ndodhur.
    Ajo që mendoj unë se mund të ndodhë më tej është polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë deri në krizë të plotë. Simptomat për këtë janë të mjaftueshme.

    Ngjitësja që e mban bashkë sot për sot shoqërinë shqiptare është vetëm një zhvillim ekonomik i pranueshëm. Por ky zhvillim personalisht më duket momental dhe jo strukturor. Në momentin që një nga ekuilibrat e brishtë që shkaktojnë zhvillimit ekonomik do të prishet (nëse ndodh), e kuptoni se ku përfundon arsyetimi…

    Përshëndetje!

  8. Po nderhyj edhe nje here.

    Institucioni i rekrutimit ne Shqiperi nuk ka qene i pelqyer asnjehere. Te gjithe jemi te ndergjegjshem se me sa tmer te rinjte shqiptare e prisnin flete-thirrjen e deges ushtarake. Te gjithe familjaret kur percillnin djemte e tyre per detyrim ushtarak qanin me pike te lotit ate dite. Une vete nuk kam bere ushtri por kam percjelle shoke per ushtar. Ketu me duket se po ngaterohet zbori pasuniversitar ku studentet luanin poker dhe bridge me sherbimin e detyruar ku nuk kishin buke te hanin.

    Sistemi ka qene i shkaterruar bile edhe para 1992. Degradimi dhe cthurja e disiplines ne ushtrine tone e ka zanafillen fill pas vitit 1968 kur u hoqen gradat. Me vone me kalimin e viteve ushtari yne ariti deri aty sa nuk kishte me buke te hante. Kush nga ne e ka harruar festen e ushtareve te liruar neper rruget e Tiranes? Edhe te burgosurit po ti liroje te gjithe pernjehere nuk do te ulerinin me shume se ata djem ate dite. Keshtu qe rekruti shqiptar sot, pervec te tjerave, ka shije shume te keqe nga historia e prindrerve te tyre me gjithe te mirat qe sillnin lidhjet sociale dhe shoqerite qe ndiqen akoma edhe sot.

    Pastaj, ne praktiken e sotme, kariera ushtarake si rregull ndiqet nga njerzit me profesion dhe te paguar dhe jo nga rekrutet e sherbimit te detyrueshem.

  9. Këtu ka edhe një paradoks logjik: sepse e lëmë një institucion të rrëgjohet, derisa të shfytyrohet krejt, pastaj e shpërndajmë me arsyen se nuk mund të rregullohet më. Dje u veprua kështu me Akademinë e Shkencave, sot me shërbimin ushtarak të detyruar, nesër kujt do t’i vijë radha? Ndoshta spitaleve, ose shkollave; ndoshta burgjeve. Mirëpo shteti ka nevojë për institucione të tilla si ushtria, të cilat janë njëkohësisht elitare dhe egalitare, nëse më lejohet të shprehem kështu dhe që, veç funksioneve sociale që sqarova më lart kryejnë edhe njëfarë qarkullimi horizontal dhe vertikal, i vënë njerëzit në lëvizje edhe kur nuk i vënë në punë. Vërtet ushtria shqiptare, që me heqjen e gradave dhe të ashtuquajturën dalje nga kazermat filloi tatëpjetën në çdo pikëpamje; por nuk duhet harruar që ka pasur atje një potencial të madh njerëzor dhe intelektual, pa përmendur pastaj traditën e shqiptarit nën armë. Mjaft të kujtoj gjuhën e manualeve teknike me të cilat mësonim taktikën e këmbësorisë ose përdorimin dhe mirëmbajtjen e karabinës “Simonov” – ishte gjuhë e sigurt, teknike dhe njëkohësisht e themeluar mbi shqipen popullore, shenjë e një tradite që i kishte fillimet ndoshta që në vitet 1920, në mos më herët. Mirëpo tatëpjeta e atij institucioni nuk ishte e pashmangshme, as e pakorrigjueshme; me vullnet të mirë mund të ishte ndalur dhe prapakthyer. Natyrisht, jo për të bërë luftë, as për të mbrojtur vendin; por si institucion i shtetit, qoftë edhe për hir të funksioneve të veta dytësore. Të mos harrojmë që në Shqipëri mekanizmi i lëvizshmërisë sociale nga poshtë lart është ende i bllokuar; dhe më bëhet vërtet qejfi që Strangeman e vuri në dukje këtë, duke iu referuar edhe vërejtjes sime për kalbëzimin e elitave nga brenda. Është i bllokuar, sepse ka shumë shqiptarë që, njëlloj si disa ketra ose kandrra, ende jetojnë në habitate tepër të ngushta: gjeografike, sociale, kulturore. Edhe kur zhvendosen drejt metropoleve, e bartin habitatin e tyre me vete si breshka – Bathoren, sa për të sjellë një shembull. Shqiptarët si popullsi janë tepër të paktë në numër, që t’i injorojnë këto potenciale. Kur mendoj për potenciale të tilla, më shkon mendja te mënyra si i rekrutonte Kisha Katolike njerëzit e vet, deri në katundet më të humbura në majë të malit, shkonte për të vjelë më të mirët, më të mençurit e më të fortët si personalitete – dhe ashtu herë pas here do të dilte një Gjon Buzuku, ose një Pjetër Bogdani e deri edhe një Ndre Mjedja e një Gjergj Fishta. Ç’lidhje ka kjo me ushtrinë e detyruar? Ka lidhje, sepse ushtria, njëlloj si eksperienca në urdhrat katolike, u jep njerëzve mundësi t’i zhvillojnë potencialet që kanë, duke u ballafaquar me realitete më të ashpra e më të ndërlikuara se ato të mëhallës e të katundit, duke u krahasuar, duke e bindur veten se edhe ata munden. Do të më thonë – e ke parë ndonjëherë ushtrinë shqiptare ti apo jo? E kam parë, gati edhe e kam ngrënë; por ajo ushtri që kam parë unë ishte një karikaturë e ushtrisë që mund të ishte dhe që duhej të ishte. Me Stalker, do të skandalizohesha edhe unë po të konfirmohej se kjo heqje e shërbimit ushtarak të detyruar është bërë për të plotësuar nuk di çfarë kushti ose kësti ose këshille “nga anash-lart”; aq më tepër që këta që na kanë dhënë këshilla këto 20 vjetët e fundit, sidomos në lëmin e marrëdhënieve të shtetit e të pushtetit me hapësirën publike dhe private, kanë vajtur e kanë bërë fiasko të gjithë në vendet e tyre, duke filluar me amerikanët vetë. Gabimi më i madh, në këtë rast, do të ishte të ndiqnim e të kopjonim forma dhe reforma institucionale të menduara për vende dhe shoqëri të tjera të përparuara, me shpresë se ashtu do t’u ngjajmë edhe ne atyre shoqërive; një instancë tjetër e famëkeqit kult të kargove, por këtë e kam thënë herë tjetër dhe më kanë shkulur veshin, prandaj nuk po e zgjas më.

  10. “heqja e detyrimit për shërbim ushtarak do t’i ndihmojë tribalizimit të vendit dhe do të përftojë, me kalimin e kohës, segmentim social dhe kulturor të vendit edhe më shqetësues se segmentimi tashmë i përftuar për shkak të dasive fetare, dallimeve gjeografike dhe dallimeve ekonomike.”
    Fjalë me vënd Xhaxha.
    Fjalë me vënd edhe pse shikoj që replikuesit nuk shikojnë fjalën “do ti ndihmojë” në atë frazë, por shikojnë mendimin tuaj si katastrofik.
    Po të niseshim nga e njëjta llogjikë e disave, meqë libri është në krizë dhe nuk ka lexues në Shqipëri… të mbyllim libraritë dhe të vrasim poetët 😛

  11. Përshëndetje Xhaxha,

    Kisha sërish nja ca pyetje të tjera:

    Ju thoni:

    Vallë nuk i ka shkuar kujt mendja që, në rrethanat kur shërbimi i detyruar ushtarak qenka shndërruar në diçka anakronike e të pazbatueshme, ta zëvendësonte këtë me një shërbim qytetar (civil), ku të rinj e të reja të ndihmonin në raste katastrofash natyrore të tilla si zjarre, përmbytje, thatësira, bllokime rrugësh nga dëbora; ose të çoheshin në zona veçanërisht të prapambetura e të degraduara, për të punuar së bashku me autoritetet lokale?

    ———————-

    1. Sipas jush, ky shërbim civil që ju mendoni, duhet të ishte me detyrim apo jo?

    2. Duke qenë se (mesa kuptoj nga shkrimi juaj, më korregjoni) shërbimin civil e shihni si një instrument të një meltingpot-i kulturor, a duhet që kjo të jetë detyrë e shtetit, dhe jo e psh institucioneve të tjera jashtë-shtetërorë?

    2. Po ushtri do kishim, në prani të shërbimit civil?

    3. Nëse po, si do të ishte ushtria, me detyrim/pa detyrim, me pagesë/pa pagesë?

  12. Edhe mua me duket se shthurja e nje institucioni ku teorikisht duhej te krijohej nje amalgame sociale midis shtresave te ndryshme eshte problematik nese nuk zevendesohet me nje sherbim te ngjashem. Vete ushtria kishte kohe qe nuk e luante me kete rol dhe perkundrazi ishte kthyer ne nje pasqyre te ndarjeve te thella sociale.

    Personalisht mendoj se eshte me mire qe te kete nje sherbim civil qe ka per rol paresor ato qe ushtria e detyrueshme i kishte role dytesore dhe ushtria vete te specializohet tek roli i vet paresor, dmth mbrojtja/sulmi teknika ushtarake. Por heqja e detyrimit ushtarak pa zevendesim me nje institucion tjeter si sherbimi civil etj eshte gafe per nje shtet ku njerezit vuajne nga mungesa e institucioneve dhe vlerave te perbashketa.

    Ajo qe te ben pershtypje dhe le shije te hidhur eshte perseri menyra se si merren vendime per nje institucion qe ka patur rol te rendesishem ne krijimin e vetedijes se shqiptarit per shtetin. Pa diskutime publike, pa paraqitje alternativash per te shpetuar te pakten ato te mira qe kishte apo qe duhet te kete sherbimi i detyruar ne nje vend aq te parcelizuar sa Shqiperia.

    Akoma me teper pershtypje te ben roli qe opozita “e majte” nuk po loz duke qene se asaj i takon teorikisht te thote fjalen e saj e te nxise diskutim publik per nje reforme jo te majte. Fundja mediat private nuk jane institucione publike qe financohen nga taksapaguesit dhe nuk e kane per detyre te nisin nje diskutim publik. Kete detyre e ka ekskluzivisht opozita parlamentare. Fundja kesaj here pozita “e djathte” po ben nje reforme tipike te djathte pra po tregohet si rralle here konsekuente. Edhe kesaj here pra na paraqitet shembulli i krizes se perfaqesimit dhe mosfunksionimit te institucioneve qe duhet te garantojne zhvillim demokratik.

  13. Kurse une them qe pse e vrasim mendjen me ushtrine kur mund te diskutojme shkollen. A shkojne te gjithe femijet ne shkollen e detyruar? A ka institucion me perfekt per te arritur kohezionin social?

  14. Kërkoj paraprakisht ndjesë për ndërhyrjen (e fundit) që do të bëj, duke qenë e ndërgjegjshme që në këtë mejdan fjale, e bën simpatik pikërisht larmia (që se ku e përmendëm) e mendimeve të të gjithëve.

    Personalisht dua të fokusohem tek ajo që përbën lajmin. Ushtri me detyrim vs Ushtri pa detyrim, (por me pagesë). Personalisht po të isha burrë, do e kisha gjetur fare pa vend detyrimin për të shkuar në ushtri.
    Ushtria është një lloj barazimi mes të gjithë ushtarëve dhe të gjithë të barabartë me zero, të na falin për radikalitetin dhe/ose përgjithësimin. Në ushtri, dikush ndjek rregullat. Nuk mendon. Nuk e besoj se do të më kish pëlqyer, që pa patur ndonjë vokacion të posaçëm ushtarak, të duroja këtë dhe apo sa vijon.
    Psh, nuk ma ha mendja se do më dukej edhe aq interesante se do më fliste një bubqas për doket e krahinës së tij, apo ndonjë nga Erseka do më dëftente se andej e presin shalqinin tu i ra me grusht. Aq më pak interesant do më dukej ushqimi i cili lëkundet sipas një sinusoidaleje pilafi, groshësh dhe çaji ( siç dëshmon Bl. Hy – ushtar i ri, kontigjent korrektimi) Detyrimi, meqë në pjesën më të madhe të formave të veta ka nuanca ndëshkimi, do duhej të na e justifikonin mirë e mirë pse duhej ta hanim. Detyrimi i ushtrisë ishte që prej komunizmit, edhe unë shpresoj që edhe shërbimet civile për të cilat po flasim të mos u ngjajnë aksioneve të bëra njëherë e një kohë. Unë mendoj se këto nevoja duhet t’i përmbushin institucionet jashtë-shtetërorë, duke rënë si gjithmonë dakord se shteti duhet të ofrojë sa më pak/ose fare shërbime.

    A ka nevojë ushtria për reformim? Më duket se ju fyej po të përgjigjem me po të dukshme. A mundet pagesa të rrisë shërbimin? Këtë do ta shohim, por deri atëherë të paktën do jemi të sigurtë, që ata që NUK duan të shkojnë në ushtri, NUK do shkojnë.

    me të mira dhe ndjesë për çdo zgjatje të panevojshme.

  15. KP, më duket e tepër të të them se mund të shkruash e të komentosh sa të duash e si të duash dhe se komentet e tua janë gjithnjë të mirëpritura.
    Tani, për t’u kthyer te diskutimi ynë: disa nga tmerret e shërbimit ushtarak, për shembull ushqimi, i dimë dhe i kemi provuar edhe ne zboristët; por nuk është e thënë që të ketë doemos një bashkëlidhje midis shërbimit ushtarak të detyruar dhe ushqimit të keq. Nëse ushqimi ka qenë dhe është i keq, kjo varet nga faktorë aksidentalë, ose që s’kanë të bëjnë shumë me natyrën e institucionit.
    Sa për barazitizmin e detyrueshëm në ushtri, këtë e vuajnë veçanërisht rekrutët që vijnë nga qytetet, të cilët janë rritur më mirë se të tjerët dhe nuk janë mësuar të nëpërkëmben brutalisht; të cilët rekrutë pastaj ka më shumë gjasa që të flasin publikisht për këto gjëra. Në fakt, bota përtej perceptimeve tona na jepet nëpërmjet perceptimeve të një shtrese shumë të përzgjedhur sysh: shkrimtarë, autorë, gazetarë, publicistë, kineastë. Këtu nuk duhet harruar, megjithatë, që për ata të tjerët ushtria mund të jetë eksperiencë krejt tjetër; siç lexoja tek një koment i Julius, në temën paralele të hapur te Peshku, ka që vijnë në ushtri dhe mësojnë deri edhe si të hanë me lugë, ose si të lidhin këpucët, pa folur pastaj për gjëra të tjera të dobishme e që për ne janë po aq të padukshme sa edhe ajri që thithim, sepse i kemi marrë që të vegjël.
    Më pyet edhe se si e përfytyroj këtë shërbim civil alternativ ndaj shërbimit ushtarak tradicional, dhe pikërisht nëse do të jetë detyrim i shtetit, apo i institucioneve joshtetërore; dhe më në fund nëse do të ishte vërtet i detyruar dhe/ose me pagesë apo jo. Këtu janë dy gjëra të ndryshme që duhen diskutuar veç: (1) nevoja për të pasur një shërbim civil alternativ dhe (2) si do të organizohet ky shërbim. Unë deri tani fola më tepër për (1), por nëse më pyet për (2), mendoj se mund të gjendet një kompromis, për ta zbutur disi vrazhdësinë e detyrimit shtetëror të shërbimit; duke adoptuar disa incentiva për ata që regjistrohen në shërbim – të tilla si bursa studimi, arsim profesional falas, ose përparësi në marrje kredish shtetërore ose forma të tjera që t’i nxitin të rinjtë të regjistrohen. Në qoftë se shërbimi civil organizohet mirë, qoftë edhe i kufizuar në fillim si projekt pilot ose diçka e ngjashme, njerëzve mund t’u ëmbëlsohet. Megjithatë, unë mendoj se këtë vetëm shteti mund ta kryejë për momentin, sepse nuk ka në Shqipëri traditë që kësi aksionesh sociale të ndërmerren nga institucione private. Kam përshtypjen se në Shqipëri është tepruar shumë me përvojën anglo-amerikane të zotimit të enteve private në jetën publike; sepse nga të gjitha traditat perëndimore, ajo anglo-amerikania na afrohet më pak.

  16. Edhe unë po mendoja që në një të ardhme jo shumë të largët, të vendosej se kush do donte të bëhej deputet psh, do duhet të kishte mbaruar ushtrinë, apo shërbimin social alternativ të ofruar. Dikush që ka mbaruar shkollën e lartë mund të praktikonte stazhin ndonjë vit psh. Dikush tjetër të futej në hallkat e ulta të shërbimeve nëpunëse të shtetit etj.

    Problemi kryesor është shkëputja e marrë-dhënieve të ngushta shtet individ të cilat përmes kësaj praktike të re që po ndiqet, janë hedhur në erë fare.

    Për të qënë realistë…çfarë mund të presësh nga një parlament që të paktën 8? deputetë të tij kanë diploma fallco. Realiteti më shumë se formë e pranueshme më duket formë e dështuar të atyre që mbajnë pushtetin. Është gabim të shihet ushtria si institucion i dështuar. Shteti në këtë rast ka dështuar ta mbajë gjallë dhe funksional. Pra në vend të ngushëllohemi me gjendjen, do duhet të kërkojmë llogari. Gjë që nuk po ndodh sepse brenda sistemit nuk ka as forcë qëndrese ndaj kësaj praktike që po ndiqet.

    Më bëri përshtypje komenti i Enit, vërtet kjo është “reformë” e djathtë, po e majta ku e ka zërin?
    Më bëri përshtypje gjithashtu paralelizmi me atë tjetrën të shërbimit shëndetësor me pagesë. Nuk më duket se paria e sotme e ka kuptuar dot se duhet të krijojë një sistem konkurues me shtetet fqinje. Në një Evropë ku parimet kryesore të funksionalitetit janë lëvizja e lirë e njerëzve dhe zgjedhja e vendbanimit, apo mënyrës së jetesës, këto reforma janë vetëvrasje kombëtare. Dhe më pas kërkojmë të kthehet truri…trurin po e la mendja të kthehet. Do kthehen vetëm të tru-llosurit.
    Të gjiha të tjerat i ka thënë Xha xhai dhe bie dakort me të.

    Censurë, unë meqë e njof veten si cazë largpamës, mendoj se duhen rishikuar jo institucionet e edukimit, po ato të riedukimit. Është koha për të hapur më shumë burgje, do na duhen se do mbipopullohen në të ardhmen.

  17. Cod gje e detyruar eshte gabim.
    Por nuk eshte per ti vene faj askujt sepse detyrimi si koncept eshte mbjellur ne mendjen e shqiptarit gjate kohes se diktatures, dhe kjo eshte nje excuse e persosur mbrapa te ciles mund fshihen shume mire te gjithe ata qe shpalosin metoden e “detyrimit”, qofte dhe ate ushtarak.
    Me vjen mire sa here qe shoh, megjitheqe me hapa breshke u bene tashme 17 vjet, zhdukje te menyres se jeteses gjate diktatures.
    Njeriu nuk ka nevoje t’ja mesojne disiplinen ne ushtri, por ne familje, ne shkolle. Pastaj cfare lloj disipline eshte ajo e mesuar “nen gryken e pushkes”?!

    Ku qendron krahasimi midis kishes katolike dhe ushtrise se detyruar?
    Ne ushtri njeriu meson si te perdore me mire pushken dhe ne fe si te perdore me mire shpirtin dhe mendjen!!!

  18. Sikur komanda e Xha Xhait te mos kishte detyruar penen, qe ne titull, per te paragjykuar nje vendim te qeverise, por te kishte peshuar te mirat, asnjeanesite dhe te keqiat e mundeshme te ushtrise me rekrute, shumeve ketu nuk do t’ju kishte trokitur ne dere postieri i Deges Ushtarake me fletethirrjen per tu paraqitur per sherbimin e detyrueshem ne shkrimin N.
    Le ta fillojme nga L-ja. Sherbimi i detyrueshem ushtarak (ShDU) eshte i dhunshem. Jo per jetesen e ashper, koken e qethur, pecet e kambalet, as per stervitjet e mundimshme apo tranazhet banale. ShDU-ja privon 18 vjecarin e sapoburreruar nga nje vit i jetes se tij, ai e privon ate pa deshiren e tij nga LIRIA. Kjo eshte gozhda qe has sharra e qellimeve te mira me mjete te keqia; nje shembull nga historia: tharja e kenetes se Maliqit (nese ndodh te jete e mire) prej elites se vendit. Por si do ti pergjigjeni nje te riu se perse e detyroni te shkoje ushtar? Te mbroje fitore(j)t e arritura? Te mbroje kufijte e atdheut? Prej Kosoves? Apo sepse burrerohet? E ketu kalojme tek F-ja. Feminizmi. ShDU eshte vetem per meshkujt e moshes 18 deri … (mosha dhe koha variojne ne kohe dhe shtete), gje qe sjell dy pyetje: Ku shkoi barazia e shtetasve? Po barazia mes sekseve a do mundet te dale dot prej letres ne jete? Nje ushtri me profesioniste ka per te pasur edhe femra, nga ushtare e kaptere tek admirale e gjenerale; pervoja e policise shqiptare mjafton per te mos pare matane oqeanit. Do me dukej hipokrite cdo mbrojtje prej femrave e ushtrise sic ka qene, me sherbim te detyruar ku ato s’jane thirrur, ndyshe nga izraelitet. Te cilat, kane dhe V-ne, vullnetin, deshiren per te sherbyer. Por, a duhet ti krijojme institucionin deshires apo ta leme ate ta ideoje, ngreje e drejtoje vete? Une jam me ate burrin qe ka thene se shteti me i mire eshte ai qe s’qeveris fare. Po e mbyll kete trakt me P-ne. Paqja, pacifizmi, Paqesori. Cfare ofron ushtria? Kallashnikov e bomba dore, tritol e TT. Cfare meson ajo? Si te vrasesh. Ah, por mund te te mesoje dhe gjera te tjera: si te ngasesh kamionin, si te besh frymemarrje goje me goje, si te gatuash. Me falni, por kjo nuk mund te quhet ushtri, mbase shkolle e rezervave te punes, si dikur nese s’gabohem. Gjithe ku kundershtim me duket me shume si nje qejfmbetje e nje pjese te elites ndaj pjeses tjeter te saj (pa e ndare majtas-djathtas) sepse shkoi mbas deshires pacifiste te popullit te vet.

    V.F. L. P.

    p.s. persa ju perket “vlerave te padiskutueshme” te “jetes ushtarke” mund t’ju kujtoj se medalja gjithashtu ka dy ane; pa u marre me cdonjerin prej shembujve qe sillni, jeta ushtarke ka antivlera te padiskutueshme.

  19. Neal, më bëjnë shumë përshtypje fjalët e tua.
    Thua:

    Çdo gje e detyruar eshte gabim.

    Madje e thua që në krye, çka më bën të mendoj se e merr si premisë, ose si presupozim, ose si të vërtetë të mirëqenë e të njohur prej të gjithëve, mbi të cilën mbështet arsyetimin tënd.
    Po si qenka çdo gjë e detyruar gabim, o Neal?
    Taksat që paguajmë janë gabim? Detyrimi për t’u ndalur te semafori, kur të ndizet drita e kuqe gabim? Detyrimi për t’i çuar fëmijët në shkollë gabim? Detyrimi për t’i vaksinuar kundër fruthit dhe poliomielitit gabim?
    Përkundrazi – shteti mbështetet mbi detyrimin. Mua më duket se vetëm duke i përmbushur detyrimet që të vijnë prej qenies sate qytetar i republikës, mund t’i kërkosh pastaj shtetit të të njohë dhe të mbrojë të drejtat e tua qytetare.
    Me fjalë të tjera, aty ku ti sheh detyrim, të tjerët shohin detyrë. Po sikur të të thoja se shkalla e qytetarisë së një personi varet nga mënyra si i përjeton dhe i respekton detyrat e veta qytetare?

    Por nuk eshte per ti vene faj askujt sepse detyrimi si koncept eshte mbjellur ne mendjen e shqiptarit gjate kohes se diktatures, dhe kjo eshte nje excuse e persosur mbrapa te ciles mund fshihen shume mire te gjithe ata qe shpalosin metoden e “detyrimit”, qofte dhe ate ushtarak.

    Detyrimi nuk ka lidhje me diktaturën, edhe pse diktatura ka lidhje me detyrimin. Çështja për t’u diskutuar është se çfarë është e detyrueshme dhe si imponohet detyrimi. Por nuk mund të pretendosh të jesh qenie sociale, e përfshirë në komunitetin tënd, pa iu nënshtruar disa detyrimeve të caktuara – p.sh. që të dalësh në rrugë i veshur, jo lakuriq; ose që të mos defekosh në lulishte, por në vendet e caktuara për këtë qëllim.

    Njeriu nuk ka nevoje t’ja mesojne disiplinen ne ushtri, por ne familje, ne shkolle. Pastaj cfare lloj disipline eshte ajo e mesuar “nen gryken e pushkes”?!

    Disiplina në ushtri është pjesë e rregullave të lojës; nuk duhet kërkuar shumë logjikë, por vetëm koherencë dhe masë. Nga ana tjetër, siç e kam thënë tashmë, ushtria është një lloj barazuesi universal, meqë ua mëson shprehitë elementare edhe atyre të cilët nuk i kanë mësuar dot as në familje as në shkollë.

    Ku qendron krahasimi midis kishes katolike dhe ushtrise se detyruar?
    Ne ushtri njeriu meson si te perdore me mire pushken dhe ne fe si te perdore me mire shpirtin dhe mendjen!!!

    Këto janë dallimet. Unë e kisha fjalën për gjërat e përbashkëta. Kur ulesh të krahasosh dy gjëra, mbështetesh mbi anët e përbashkëta, por nuk i shpërfill dallimet. Krahasimi midis kishës katolike dhe ushtrisë së detyruar, ashtu siç e bëra unë, mbështetet në mundësitë që u jepen, në të dy rastet, të rinjve me prejardhje nga më të humburat e më të përbuzshmet (prej elitave), për t’u ballafaquar me realitete të cilave përndryshe nuk do t’ju ishin afruar dot. Kisha e mori Ndre Mjedjen nga një katund anonim dhe e vuri ballë për ballë me Virgjilin e Horacin; ushtria e mori malësorin nip të Mjedjes nga maja e malit, dhe i mësoi të llogariste trajektoret e predhave, ose shkruante poezi për gjirin e Sarandës.

  20. “”””Cod gje e detyruar eshte gabim.””””
    Do desha të kishe mundësinë ta thoshe këtë para inkuizicionit në mesjetë. Për një paralelizëm më të denjë me qishën katholike.
    Gjithsesi, për historik, shërbimi i detyrueshëm ushtarak është instaluar prej kohës së Napoleonit të madh kur pati idenë gjeniale për kohën që shtetasit e republikës ti inkuadronte brenda forcës ushtarake, duke shmangur shërbimet e mercenarëve që mbizotëronin gjatë mesjetës.
    Sigurisht që kjo nuk i pëlqeu as atëherë qishës katholike.

    “””V.F. L. P.””””

    Vdiq Filipi, lindi Pipi?
    Pip-at e të ardhmes, ah sa do t’i qani mot mendimet që keni sot.
    Të përshëndes gjithsesi.

    Unë po bëj dalje nga kjo temë. Spo më lënë nervat të komentoj më.

  21. Eshte e vertete qe ushtria ne menyre te vetevetijshme institucionalizon dhunen jo vetem ndaj “armikut” por edhe brenda sojit sic tregojne skandalet e rregullta neper ushtri te ndryshme te botes (Rusi, Amerike etj. etj.) ku rekrutet e vjeter dhunojne te rinjte.

    Per kete arsye zgjidhja me e mire eshte qe te kete nje sherbim civil (per mua te detyruar) ku ne vend te dhunes te institucionalizohet sherbimi/dhenia ndaj shoqerise. Pra ushtrise ti hiqet roli gjithsesi dytesor egalitar e integrues per ta kaluar kete rol ne nje institucion si sherbimi civil ku roli i mesiperm te jete dhe paresor. Pra institucioni te jete ne radhe te pare ne sherbim te ketij roli. Vete ushtria mund te specializohet ne rolin e saj paresor pra mbrojtjen, sulmin e teknologjine ushtarake. Per me teper qe institucionalizimi i sherbimit/dhenies ndaj shoqerise eshte dicka per te cilet shqiptarek kane shume nevoje.

    Une nuk jam kunder zvogelimit e specializimit te ushtrise. Jam ama kunder zhdukjes ne Shqiperi te mekanizmit te vetem te qarkullimit social qe sherbimi ushtarak i detyrueshem (duhej te) kishte si efekt anesor. Nese ky mekanizem ngjizes nuk zevendesohet me dicka tjeter si sherbimi social psh. atehere ka nje problem qe them se e kuptojne te gjithe.

    Censura thoshte idene interesante qe shkolla eshte institucioni perfekt per egalitarizmin etj. Problemi me shkollen eshte qe shkolla zgjat 5-8 vjet e kusur. Dhe askush nga fjala vjen Tirana e re nuk eshte gati ta dergoje femijen e vet tek nje shkolle ne fshatin Bubez ne Burrel per 8 vjet. Ama per 6 muaj sherbimi social ne po te njejtin fshat apo ne fshate te ngjashme nuk do te ngrihej njeri ne demonstrate. Shkolla, te pakten ajo fillore dhe e mesme nuk mund te jene egalitare sepse jane te lidhura ngushte me vendbanimin e njerezve (duhet te jene afer vendbanimit te familjeve te femijve) dhe si te tilla jane pre e mosbarazive sociale me ose pa dashje.

  22. Ne shqiptaret kemi nje fqinj ne verilindje, nga i cili kemi shume per te mesuar persa i perket tradites shteterore : fqinjin serb. Pyeteni nje syresh (ne se ju jepet rasti), se cili eshte sebepi qe festohet më me te madhe ne nje familje serbe. Pergjigja e tij nuk do te jete as “nje dasem”, as “te berit synet te djalit”, por “shkuarja e ketij te fundit ushtar” !

    ps. per ata qe shpresojne qe opozita te ngrere zerin, meqe kjo eshte “nje reforme e djathte” (teorikisht, kjo eshte e vertete), te mos presin kot. Opoziten s’e la mendja te humbe elektorat : heqja e sherbimit ushtarak eshte mase qe gezon popullaritet tek pothuaj te gjithe shqiptaret. Te majte, te djathte, ne me mire behemi te gjithe synet se sa shkojme ushtare ! 😉

  23. “ShDU-ja privon 18 vjecarin e sapoburreruar nga nje vit i jetes se tij, ai e privon ate pa deshiren e tij nga LIRIA,” thote CD. Por LIRIA nuk eshte kurre absolute. Ai i ri qe sa pa mbushur 18 nuk e gezon te drejten e lire te votes, thua sapo te behet 18 ka fituar ate lloj ndergjegje qe te gezoje LIRI absolute? Sipas te njejtes llogjike, kam rezerva edhe ndaj asaj linje debati qe e konsideron ndeshkimin absolutisht gabim. KP ka te drejte kur thote: “Detyrimi, meqë në pjesën më të madhe të formave të veta ka nuanca ndëshkimi, do duhej të na e justifikonin mirë e mirë pse duhej ta hanim,” por justifikimi qendron pikerisht tek kohezioni shoqeror, tek perfitimi i ndergjegjes, apo ne fjalet e Xhaxhait, “rekruti i ri menjëherë vinte në kontakt me Tjetrin – të ngjashëm me të por njëkohësisht të ndryshëm.”

    Kjo pune duhet pare me kujdes. Praktika e sherbimit te detyruar ndaj atyre qe nuk vazhdonin shkollen e larte, me duket se ishte me shume me vend. Pyetja qe duhet ngritur tashti eshte, a ka potencial arsimi i larte ose profesional Shqiptar qe t’i rekrutoje te gjithe, te pakten ne numer, jo domosdoshmerisht ne cilesi? Nje studim ne kete drejtim do te ishte me leverdi per te gjithe. Ne qofte se po, atehere sherbimi ushtarak nuk ka pse te jete i detyruar. Por ne qofte se jo, ne qofte se edukimi elementar i kesaj grupmoshe nuk mund te arrihet ndryshe, atehere ushtria mund te sherbeje si platforme edukimi, dhe kjo duhet te jete e detyrueshme.

  24. …”Nje ushtri e forte mbeshtetet ne nje shoqeri qe ka institucione te forta.. .

    opss. jo shume e qarte
    fillojme nga fillimi

    …”nje shoqeri qe ka institucione te forta ka dhe nje ushtri te forte…’

    hem, ncuk. sikur s`del tamam. edhe nje here.
    …”po pati nje ushtri te forte, atehere medoemos ajo shoqeri ka edhe institucione te forta…”

    une kam bere goxha usbtri. me shume se sa c`duhesh, por aq sa c’me takonte.
    ajo lloj jete/eksperience vetem te mira ka. nuk mbaj mend te kete vuajtur njeri per buke ne ushtri. ndofta jo sa c`do te doje, por kishte aq sa c’duhesh.

    Gabim qe po hiqet sherbimi i detyruar ushtarak. Po sic thoshte babi im qe ka vdekur nja 500 vjet me pare ” An undisciplined multitude is useless in war; for the least unexpected noise or word will throw them into confusion, and make them take flight.”

  25. I dashur,

    Ti thua qe “…”po pati nje ushtri te forte, atehere medoemos ajo shoqeri ka edhe institucione te forta…”

    Te gjitha juntat ushtarake dhe diktaturat mbeshteten ne ushtri te forta dhe shume te rrepta. Mos do te thuash qe ato kane institucione te forta? Po ate te votes se lire? Them se ajo e fillimit, qe ti the qe nuk eshte e qarte, me duket se eshte shume e sakte.

    Ja modeli i nje prej ushtrive me shembullore. Zvicra.

    “Ne se je nje mashkull zviceran, ti duhet te jesh po ashtu nje ushtar. Cdo zviceran i afte fizikisht duhet te shkoje ne ushtrine e Zvicres per 90 dite (Rekrutenschule-Ecole de recrue) dhe me pas, cdo 2 vjet deri ne moshen 42 vjec duhet te kthehet per stervitje per 19 dite. Kjo i jep mundesine qeverise qe te ngreje nen arme 400.000 murra brenda 24 oreve, nderkohe qe cdo mashkull ka nje arme luftarake ne shtepi, te pajisur me municion.”

    ShDU-ja i eshte dashur dhe i duhet vendeve qe kane patur gjithnje nevoje per ekspansion dhe konflikte dhe jo atyre qe kane dashur te mbrojne trojet e tyre. Amerika, pas luftes ne Viet-nam, e hoqi sherbimin e detyrueshem per ti derguar trupat ne konflikte edhepse luten ne Irak nuk e ka futur ne kategorine “konflikt” por ne “shperndarje demokracie”. Izraeli mban te njejtin sistem qe ne kohen kur i hyri ekspansionit/luftrave dhe sot e ruan se ndjehet i kercenuar per t’ja rimare tokat qe pushtoj padrejtesisht.

    Dua te bej nje hamendje i dashur. Them se duhet ta kesh bere ushtrine ne Garde se ndryshe nuk ka si te shpjegohet qe ju aty ne repart qenkeni ngopur me buke.

  26. Ju lk flisni kaluar, kur kerkoni qe arsimi i larte ose profesional ti (sic shprehesh) rekrutoje te gjithe, te pakten ne numur. Po ti zbresesh kalit do shohesh qe ne kete numurin tend nje pjese e vogel do te jete analfabete, nje pjese me 4 klase fillore. Ata te paret por dhe nje pjese te ketyre te dyteve, duhet te jene ushtaraket, (dhe une ju qendroj “Gatitu!” nese,) qe nuk i duan ti kene pjese te efektivave; ushtarakeve nuk ju duhet mish per top, e as skllever per te hapur llogore. Nese pretendoni t’ju mesoni balistiken pa ju mesuar arithmetiken, gaboheni.
    Sido qe te vije puna, me detyrim apo me pagese, me vullnetarizem dhe me pagese, ushtria do te mbledhe ne vete bijte e familjeve te thjeshta, te varfra e patriote. Dhe per shume kohe nuk e shoh dot femijen e nje elitari shqiptar te beje ushtri, aq sa c’beri nje princ i Britanise.
    Liria juaj per te replikuar fillon ketu.

  27. Ushtria. Sa kanë ndryshuar kohët edhe në Shqipëri. Mbaj mend që si kusht për t’u pajisur me pashaportë (për të lëvizur jashtë) të kërkonin vertetimin e gjendjes civile që dëshmonte për vitin e kaluar me rroba të gjelbra, dhe me kokën e rruar.
    Sot, si gjithë të tjerët, reformimi i shoqërisë paskërka filluar edhe në Shqipëri? Them “reformim” sepse e mbajnë për reformim.
    Unë mendoj se reformat duhen filluar më herët, që në çerdhe e kopësht. Ndoshta shteti do t’i shpenzojë ndryshe lekët që kursen nga furnizimi me çaj e makarona të mykyra për repartet me gjëmba.

  28. Mua me shume se denimi me vdekje qe iu dha ushtrise shqiptare , ne kete cast po me shqeteson kjo mori njerezish ketu qe dine ta shkruajne mjaft mire shqipen zyrtare, po vetem kaq ama.

    Cfare rendesie ka psh nese dikush do apo nuk do te veje ushtar, mos valle ushtria kombetare eshte institucion qe varet nga vullneti popullor i castit ?
    Ushtria shqiptare eshte ushtri kombetare dhe si e tille duhet te varet nga interesat e kombit dhe jo nga interesa te ndonje lloji tjeter.

    Mendoj se asgjesimi i plote i ushtrise eshte ne logjiken antikombetare qe po i sherbehet shqiptareve keto 17 vjetet e fundit. Ushtria shqiptare ka ngelur i fundit institucion shteteror ku individet bashkoheshin me hir a me pahir rreth idealit te atdheut e kombit. Tashme me komercalizimin e plote te cdo institucioni vullneti i kohes kerkon edhe komercalizimin e ushtrise. Perderisa blihet cdo gje, perse te mos blejme edhe ushtaret ?! Me duket mese lineare.

    Ne nje kohe ku ne Kosove presidenti serb hyn si ne krevatin e gruas, shqiptaret e Maqedonise jane te pushtuar, ashtu si ata te Malit te Zi dhe Kosoves Lindore si dhe problemin cam e vorioepiriot qe thellohet dita-dites, shteti shqiptar merret jo me sherimin e ushtrise por me pushkatimin e saj.

    Kjo eshte per tu vendosur ne manualin e lajthitjeve. Ka nje lehtesim sidoqofte… Lajthitja i perket shumices keshtu qe meqe jemi ne demokraci, lajthitja behet legjitime dhe ligj per pakicen.

    Kush ka degjuar se ushtria mercenare eshte me e afte se
    ushtria kombetare ne rast lufte ben mire te marre ilace kunder propagandes se ndodhet ne nje stad te perparuar te lavazhit te trurit.

  29. Vendimi eshte politikisht strategjik, nga ana e Berishes (qeverise), ashtu si duhet te jet ushtria, politike-strategjike, por ne kete rast manipulim, i filluar heret, te pakten qe nga vitet nentedhjete. Tashme vetem nje arsye e forte diktature e kthen situaten e krijuar ne favor te ushtrise popullore-detyruar.

    Por, ashtu si nuk e kamuflon politikanin qe kur verifikohet pasuria personale e zyrtareve, na del qe Berisha s’ka akumuluar fare, biles “jep” argumenta se del te jet borxh, po i hoqe shpenzimet nga te ardhurat e ligjshme, mund te diskutosh rreth kesaj teme.

    Si shume gjera qe dihen te sakta, per tu denuar, qe provon- deshtimin, edhe ky rast, por, si edhe po aq raste, mbijetese, Shqipetari eshte kocke qe i mbet ne fyt kujt do, jo vetem njerzeve normal grykes, por edhe atyre jo normal per nga grykesia. Pra edhe me ushtri mercenare, do jemi te afte per zhgarravitje ne rajon.

    Jan shenjat e nji fare te re, per pretekste te ardhsheme konfliktuale ne rajon, kjo e pare nga te gjitha pikpamjet e paleve te interesuara.

  30. Dhe ja se si manipulimi (perpunimi) i fjales i sherben ngritjes se nje thashethemnaje qe amplifikohet me paisje dixhitale.
    1. Dalloni ndryshimin:
    heqjen e sherbimit ushtarak te detyrueshem,
    heqjen e sherbimit ushtarak.
    Ai qe do te hiqet eshte detyrimi, ajo qe do te mbetet eshte detyra.
    2. De facto, DO TE HIQET, nuk eshte hequr. Kjo sipas vendimit ka per te ndodhur ne Janar 2010. Keshtu ju ka lene kohe gjithe mbrojtesve te ushtrise shqiptare (popullore mbase por jo kombetare) te nxjerrin argumentat per te dhene komanden “Prapsohu!” Kane kohen dhe mundesine; tryeza e zgjedhjeve te 2009 e kerkon nje pjate pikante.
    3. Mpakja, tkurja apo mbledhja e ushtrise, ne arsenal, njerez, kohe sherbimi dhe gjithe autokolonen nga pas, nuk ka nisur keto 18 vjetet e anatemuara per gjithe te keqiat e vendit por ka nisur qe ne kohen e Enver Hoxhes. Ministri i Mbrojtjes Prokup Murra ishte ekonomist dhe kur ju drejtohej madhoreve: “Raportoi ministrit tat” dihej se nuk kerkonte te dinte rezultatet e qitjes por shpenzimet per to, duke filluar nga dietat.
    Meqe ketu flitet per burimet njerezore, ju kujtoj se koha e sherbimit nga 3 vjet (dhe me shume per sherbime te vecanta) atehere u be 2 vjet, po ashtu u ul dhe koha e zboreve dhe gati u shuan lojrat ushtarake.
    Arsyeja ekonomike qendron, por jo si e sjell Xha Xhai, si kursim te parave te buxhetit te shtetit. Ka qene, eshte dhe mbase keshtu do te jete (nje diktature a nje lufte e permbysin kete) qe ne buxhetin e shtetit shpenzimet per ushtrine te fiksohen me perqindje. Si do qe te jete, cfardo qe te behet, taksapaguesit shqiptare do te paguajne njelloj per ushtrine. Them njelloj dhe jo te njejten shume, sepse shpenzimet ushtarake percaktohen si % ndaj PPI-se. Aktualisht ne i japim ushtrise 3.5% te PPI-se, ndryshe nga Gjeorgjia qe i jep 15%; shifra jone eshte tek 250 milionshi e na rendit te 93 ne bote. Ndryshimi qendron ne kanalizimin qe do ti beje ushtria ketyre fondeve: do te bleje unifroma per 18.000 ushtare apo per 8.000 ushtarake dhe pjesen tjeter ta perdore per karburant helikopteresh kur malesoreve ju a xen shtigjet bora e fusharaket i merr lumi.
    4. Keta ushtarake (qe ngrihen dhe ne hierarkine e fjaleve) do te paguhen por keta nuk jane mercenare. Thjesht, sot ushtaraket e sherbimit aktiv paguhen e nuk quhen mercenare; e me plote sipas percaktimit te “Additional Protocol I to the Geneva Convention of August 1949” qe gjendet me Wiki-n, sepse ata jane shqiptare dhe sepse jane pjese e konfliktit qe, per fat te keq, ndodh me komshiun.
    Ndodh qe komshiut ti pelqeje shume dardha jone. Ai hidhet ketej gardhit. Them se se pari duhet ti themi ne gjuhen e tij: shto pravish komshije, por nese atij kjo e kapercyer i behet ves, une vertet mendoj qe ne duhet te mbajme nje qen, por nuk mendoj se eshte pune e mire te heqim qenin e Sharrit nga kullotat duke lene delet ne meshire te ujqerve, nje kone do ta bente shume mire punen. Ah, po na ra ariu ne dardhe, do te na duhej luani.

    Republika, Hyllin, mbrohet edhe tek fjala.

  31. Republika mbrohet me ushtri vullnetare, kurse perandorise i duhet mercenarizmi.
    Ne nuk kemi kurrfare interesi ne imperializem ne keto caste historike, qe te na duhet te mercenarizojme ushtrine.
    Shkeputja shekullore e policise nga ushtria e ben te panevojshem mercenarizmin e ushtrise me qellim mbrojtjen e rendit publik dhe kastes ne fuqi, pasi policia e permbush me se miri kete detyre.

    Futja ne Nato nuk mendoj se duhet te na sherbeje per te shpalosur nje politike imperialiste duke futur hundet si pjesetar i saj ne punet e brendshme te nje shteti tjeter qe mund te ndodhet ne fund te botes.
    Mjaftojne fuqite e medha te Natos e ushtrite e tyre mercenare.

    Ne jemi vend ku ekzistenca e ushtrise lidhet ekskluzivisht me zgjidhjen e ceshtjes kombetare, cka supozon njekohesisht edhe mbrojtjen nga invazioni i mundshem serbo-grek e vec ne kete prizem duhet pare cdo lloj reforme mbi ushtrine.

    Shkeputja e ushtrise nga populli eshte nje gjest ne thelb imperialist e eshte krejtesisht jashte cdo realiteti shqiptar.

    Nuk eshte ne interesin tone si shtet komb pajisja me nje ushtri profesionale, por pregatitja e cdo mashkulli me nje eksperience ushtarake e cila do i sherbeje nese vjen dita.
    Konfliktet moderne prej Luftes se Pare Boterore kane treguar se mobilizimi i pergjithshem eshte e vetmja menyre fitoreje e ky mercenarizim demton shume ushtrine e mobilizuar ne rast lufte pasi rekrutet do jene krejtesisht te paditur e mund te behen lehte dhjam qeni.

  32. Në mbështetje të Hyllin, dua të shtoj edhe se ushtria e paguar bën luftë, d.m.th. vret njerëz, sipas dëshirës dhe interesave të punëdhënësit.
    Meqenëse lufta është diçka aq e rëndë, sa shpesh të konsiderohet në kufi të shenjtërisë, më duket e neveritshme ta konsiderosh ushtrinë si vatër “punësimi”, siç po thonë tani ministrat e Berishës pa iu dredhur qerpiku.
    Kjo situatë vjen e rëndohet, po të kihet parasysh edhe ky lajm i vjetër dhe profetik i OBOBO NEWS.
    Në SHBA, praktika e ushtrisë së paguar ka çuar, hap pas hapi, në krijimin e ushtrive private si Blackwater, e cila vepron tashmë në Irak dhe gjetiu; ose të truprojave private super-profesioniste, të cilat i përdorin deri edhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit, kur vizitojnë Bagdadin.
    Po në SHBA, praktika e ushtrisë së paguar ka çuar, gjithnjë hap pas hapi, në mbushjen e radhëve të ushtrisë me njerëz të cilët shkojnë atje të motivuar vetëm nga paraja dhe përfitimet ekonomike që u premtohen.
    Duke hequr shërbimin e detyruar ushtarak, SHBA arritën të shmangin, këtë herë, atë pakënaqësi sociale masive që pasoi dështimin e ndërhyrjes amerikane në Indokinë (Vietnam, Kamboxhia, Laos) dhe numrin e pabesueshëm të amerikanëve që humbën jetën në orizoret e atjeshme.
    Përkundrazi, sot ata ushtarë amerikanë që lënë kokën në Irak, në një luftë të cilën askush nuk e kupton më se për çfarë u nis e për çfarë po vazhdohet, mund të konsiderohen si viktima aksidentesh në vendin e punës.
    Po a mund të jetë punë të vrasësh? Jo – është krim, përveç atyre rasteve fatale, kur është detyrë etike madhore. Nëse shqiptarët nesër nuk do ishin gati të luftonin pa pagesë për të mbrojtur vendin e tyre ndaj një agresioni të mundshëm, atëherë Shqipëria do ta meritonte të pushtohej, madje të fshihej nga harta si vend i pavarur.
    Prandaj kjo ushtri me pagesë që po duan të ndërtojnë, po më duket si truprojë e pushtetarëve të cilët edhe e paguajnë.
    Përndryshe, si të shpjegosh edhe heshtjen e opozitës ndaj vendimit të qeverisë?

  33. “Prandaj kjo ushtri me pagesë që po duan të ndërtojnë, po më duket si truprojë e pushtetarëve të cilët edhe e paguajnë.”

    Po, dakort me konstatimin, por jo vetem te pushtetareve, edhe te pushtetit, qe eshte i ekspozuar keqas ndaj elementit rreaksionar te brendshem dhe te jashtem, mendoj, i krijuar nga vet po keta pushtetare ne fillim te heres.

  34. Me duket se ne Shqiperi kemi nevoje per receten e Bill Vaughan:

    Maybe the answer to Selective Service is to start everyone off in the army and draft them for civilian life as needed.

    qe do ta perktheja,

    Ndoshta pergjigja per Vete Sherbim eshte te perfshihen te gjithe ne ushtri dhe qe aty te rekrutohen per jete civile sipas nevojes.

  35. Detyrimi dhe rregullat shoqerore ndryshojne disi.
    Te ndalosh tek semafori, te cosh femijet ne shkolle, te paguash taksat, te blesh uje, te ndihmosh charities sepse keshtu te meson besimi, cilido qofte ai, katolik, musliman, orthodoks etj, te lash dhembet cdo mengjes, te ujitesh lulet, te paguash elektrikun dhe cellularin, te ecesh ne vijat e bardha, te mos shtypesh njeri kur je duke i dhene makines, dhe lista vazhdon pambarim me rregullat perditshme pa te cilat nuk do te quheshim dot nje shoqeri inteligjente – nuk eshte barabarte me dy vjet jete te humbura, nese e konsideron te tille kjo duhet te mvaret ne vullnetin e lire, perndryshe pasioni i ushtrise mund te aplikohet ne forma te ndryshme, por ne fund te fundit cdo gje e detyruar nuk ka rezultat maksimal.

    Lufta eshte shume e rende dhe pakuptim, por vetem e shenjte jo, sepse inteligjenca njerzore na dhuron komunikimin dhe tolerancen, perndryshe perse e mbajme emrin njeri.

    “te rinjve me preardhje nga me te humburat e me te perbuzshmet (prej elitave), per t’u…”

    Sinqerisht kjo shprehje permban kaq diskriminim ne thelb saqe me vjen keq qe e lexoj ne mentalitetin e nje njeriu dhe aq me teper tuajin xhaxha. Shpresoj te jete vetem dicka e castit dhe jo bindje e juaja. Ne qe jetojme sot ne vende te huaja e shohim se preardhja s’ka ndonje rendesi te vecante me arritjet tona ne ambjente intelektuale apo pozicione te larta hierarkike. Ketu cdo gje matet me para, fatkeqesisht edhe inteligjenca, dhe nuk mund te kerkosh dot nga bota e sotme nje ushtri te detyruar, nuk mund te detyrosh krimin. Arsyeja qe behet me para eshte sepse ka njerez qe shiten tek paraja dhe ata luftojne (perndryshe si i shpjegon ti ata te rinj qe shqiptare qe luftojne per ameriken ne iraq?!), ka te tjere qe mendojne akoma qe luajne video game, por ka ende idealiste, te pakte.

    Persa i perket kishes, ajo nuk e mori Ndre Mjeden ta vendose ne piedestalin e Horaci-t, ate e beri vec inteligjenca e tij, nese ai e meriton ate piedestal.
    Ushtria nuk mori vetem malsorin por te gjithe rinine shqiptare. C’kuptim kane keto diskriminime?!
    Ghithsesisesi lufta eshte fundi i inteligjences dhe fillimi i krimit.

  36. Neal, shprehja që citon prej meje është në ligjëratë të zhdrejtë, d.m.th. i referohet një lloj mendësie elitiste e cila e përbuz vulgun; nuk është shprehja ime, prandaj nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
    Ne vërtet mund të kemi bindjen se prejardhja e dikujt nuk duhet t’ia paragjykojë as ambicjet as rezultatet, por duhet të pranojmë se ka edhe të tjerë rreth nesh të cilët ende mund t’i gjykojnë njerëzit nga prejardhja ose shtresa shoqërore që i ka pjellë. Këtyre u referohesha.
    Thua se lufta “vetëm e shenjtë nuk mund të jetë”; mendimi im këtu është i qartë sa s’bëhet – po nuk ishte e shenjtë, është krim. Nuk e përdor fjalën “e shenjtë” në kuptimin fetar (edhe pse historia është e bollshme me shembuj luftrash të shenjta), por në kuptimin e një lufte për vlera sublime.
    Edhe ti, Neal, jam i bindur se do të luftoje po të të rrezikonte kush familjen, shtëpinë ku jeton, fisin, qytetin, komunitetin, mënyrën e jetesës, vlerat me të cilat identifikohesh e që të frymëzojnë. Nuk besoj se do të kërkoje para, për t’i mbrojtur këto vlera.
    Sa për ushtarët që ka dërguar qeveria shqiptare në Irak, s’më mbetet veçse të shpresoj se janë përnjimend të përfshirë në veprimtari paqeruajtëse, dhe ndihmojnë me aq sa munden që jeta e irakenëve të normalizohet. Është e mundshme që një ushtri të luajë një rol të tillë shpëtimtar në jetën e një vendi e të një populli – mjaft të përmend rolin që ka luajtur ushtria kryesisht italiane në Shqipëri, gjatë viteve 1990, e cila në thelb e ka shpëtuar vendin nga lufta civile dhe ia ka ruajtur integritetin.
    Nga ana tjetër, nuk ka dyshim se dërgimi i ushtarëve shqiptarë të paguar në Irak është bërë për arsye tërësisht pragmatike, çka edhe mund të përligjet deri diku, po të kihen parasysh avantazhet strategjike që i vijnë Shqipërisë nga futja në NATO.
    Për fat të keq, amerikanizimi i ushtrisë në vende të tjera të ngjashme me Shqipërinë nuk më duket se ka funksionuar mirë; shembulli i fundit, i ushtrisë gjeorgjiane, të stërvitur e të armatosur nga SHBA dhe nga Izraeli, e cila nuk shkrepi qoftë edhe një pushkë kundër rusëve, edhe pse e nisi e para konfliktin, duke sulmuar burracakërisht popullsinë civile dhe paqeruajtësit në Oseti, me shpresë se do t’i përkrahte “Bota e lirë”.
    Më në fund, më thua se Ndre Mjedën nuk e bëri kisha, por talenti i tij; po më thuaj një rast të vetëm të një shkrimtari e dijetari të madh, që u bë i tillë pa dalë prej katundit të vet e pa u përkrahur prej një institucioni rekrutues. Talenti është talent, por pa hapësirën e nevojshme nuk zhvillohet dot. Në qoftë se në malësi të Veriut lind një herë në 10 vjet një talent i veçantë në fushë të programimit kompjuterik ose të neurokirurgjisë ose edhe të shahut, ky nuk do të ecë dot shumë përpara në fushën e vet, në qoftë se detyrohet të lërë vendin që në moshën 13 vjeç, për të shkuar e për të punuar si emigrant në Greqi, ku t’i ikë dita dhe jeta duke mbledhur ullinj ose domate, dhe në darkë nuk do të ketë më fuqi as për të bërë fëmijë e për të transmetuar genet e veta unike drejt një të ardhmeje ndoshta më fatlume.

  37. Neal, shkruan (duke cituar Xha Xha):

    “te rinjve me preardhje nga me te humburat e me te perbuzshmet (prej elitave), per t’u…” dhe komenti i tij :

    “Ne qe jetojme sot ne vende te huaja e shohim se preardhja s’ka ndonje rendesi te vecante me arritjet tona …”

    Une nuk e di ku jetoni e punoni ju apo edhe shume te tjere, pjesemarres ketu ne blog, por duket qe ose nuk e njihni realitetin shqiptar (te cilit Xha i referohet besnikerisht), ose nuk doni qe ta pranoni, edhe kur jua ofrojne me te gjitha ngjyrat e tij.. Ndoshta atje ku jetoni ju, vertet prejardhja mund te mos kete rendesi (dyshoj pak per kete, varesisht vendit ku jetohet..), por ketu, eshte nje krejt tjeter gje. Dhe nese ju andej nuk e ndjeni, kjo nuk do te thote se nuk eshte realitet ne vendin tuaj te origjines; ketu vazhdon te jete shprehje e mungeses se nje kulture, e cila, per mendimin tim, do shume e shume kohe qe te mund te instalohet si fillim, e akoma me shume kohe qe te konsolidohet…

    Ne periudhen e diktatures (jo shume vite larg..), njerezit ne Shqiperi kategorizoheshin e vleresoheshin (per fatin e tyre shume te keq), sipas origjines dhe prejardhjes gjeografike(qytetar,fshatar,malok,katundar etj.),punes qe kryenin
    (nenpunes, punetor, karrocier,fshesaxhi, zanatci,artist, shkrimtar, etj..), sipas perkatsise sociale (borgjez,pasanik, cifligar,kulak, fukara,fshatar i mesem, kooperativist, punetor ferme,armiku i klases, te deklasuarit etj.)dhe kuptohet,nje realitet i atille kushtezonte nje menyre krejt paradoksale te jetuari ,jne nje shoqeri ekstremisht te polarizuar (ne njerin krah ishin njerezit e “partise”, beniaminet e saj,”te kulluarit” persa i perket biografise se tyre te shkruar, ata qe nuk i nenshtroheshin luftes se klasave, e ne krahun tjeter, ata, tek te cilet ne cdo moment shikohej me frike e nesermja..cdo te benin, cdo te mund te benin, cfare planesh thurnin e shume hamendsime te tjera si keto, gjera te cilat, ne menyre decizive percaktuan ecurine dhe vazhdimesine e jetes se mijra familjeve shqiptare per gati 50 vjet…). Po ai realitet, ofronte ne vetvete situata krejt te kunderta: ne rradhet e te klasifikuarve “ndryshe”, gjendeshin kapacitete intelektuale te mrekullueshme, te cilet nuk e kishin fatin te ishin beniaminet e dikujt, e per rrjedhoje te pa evidentuar e ne pamundesi per te jetuar jeten qe u takonte (“O tempora o mores”!), kishte njerez,ndoshta vertet fukarenj (pasoje e politikave te diktatures), por te ndershem, te cilet ne kontrast te hapur sfidonin sekretare partie, komisare, kryetare fronti,kryetare kooperativash, qofte edhe anetare te famshem te byrose.. apo me the e te thashe.

    Sot, ne vetem 18 vite distance kohore nga ajo kohe, ju shprehni bindjen se fraza e Xha, eshte nje diskriminim…
    Jo, vazhdon te jete realiteti i hidhur shqiptar, ku perseri vleresimi i individit sot e kesaj dite, vazhdojne te mbeten kategorite e sipershenuara (duam apo s’duam ne t’i pranojme). Ne raport me kohen qe jetojme, ka edhe ndryshime, kuptohet: nuk quhen malok, por quhen cecen e te tjera nofka si keto, por qe gjithsesi, mbeten deshmi e mentalitetit te shoqerise shqiptare. Me kete dua te them, se perbuzja e elitave ndaj shtresave me te uleta eshte reale (po tu referohesh fjalimeve e brockullave te qeveritareve e politikaneve tane, do gjesh me dhjetra shembuj per te perforcuar mendimin tim), e nisur nga kjo, shpreh dhe peforcoj edhe une idene se ushtria e detyruar ishte nje “e keqe” e mire qe u duhej, ne mos qytetareve, te pakten asaj djalerie qe ishte (apo eshte) e detyruar te jetonte edhe atje ku mendja jone e ka pak te veshire qe ta imagjinoje..Ushtria ishte nje menyre apo institucion, ku individi, i thirrur ne arme, pervec artit ushtarak (misioni primar), mesonte dhe hapte syte ne kuptimin mirefilli te fjales, per t’i thene vetes se: “edhe une qenkam si gjithe te tjeret..”!!, pikerisht, referuar faktit se aty bashkoheshin te ardhurit nga cdo skaj i vendit ku te gjithe ishin te barabarte perpara detyres dhe misionit, por edhe te ndryshem, pasi gjithsecili shfaqte ne menyre te pashmangshme individualitetin e vet me te mirat e te keqiat perfshire. Eshte gjithashtu e vertete, se edhe ne ushtri kishte dallime e diferencime, te tilla si p.sh. ne repartet e artilerise,aviacionit apo marines,gjithmone rekrutoheshin te rinj nga familje te “besuara”, por qe nuk kishin arritur te benin “hajer” per shkolle, etj. dhe ne xhenjo (eksperience personale), te rekrutoheshin ata, “te tjeret”. Megjithate, ishte perseri e njejta eksperience -ushtri-,ku te rinjte ishin bashke..
    Ne fund te fundit, koha deri ne perfundim te atij sherbimi, u tregoi brezave te tere se ne ushtri, njeriu kalitet,meson (edhe shume madje..), behet zot i vetes, por mbi te gjitha, vlereson ate qe thjesht quhet “shoqeri”, njesi perberese e kohezionit social e qe sot per fat te keq, ketu ne Shqiperi, ka katandisur ne ate qe quhet INTERES dhe PARA!!
    Dhe sa per “mohim” te dy viteve lirie te nje adoleshenti qe shkel pragun per tu bere burre, them se eshte shume e nevojshme, madje e domosdoshme; ushtria eshte ai prag, pertej te cilit, i riu e hedh hapin te sigurt per te ardhmen e jetes e vet, me idene se do dije t’i beje balle veshtiresive qe rendom “cenojne” secilin prej nesh.

    Dhe ne fund, klasa politikre shqiptare dhe qeveria, DUHET te mesohen qe zgjedhje dhe vendime te tilla duhet te jene natyrale, qe i kerkon natyrshem nevoja dhe koha, dhe jo si majmuni, te imitojme (sic bejme per fat te keq, gjithmone), per te bere sikur jemi pjese integrale e botes moderne, prej se ciles jemi vite drite larg, ne mendesi pike se pari e ne te tjera, per te mos listuar pa fund…!

  38. “më thuaj një rast të vetëm të një shkrimtari e dijetari të madh, që u bë i tillë pa dalë prej katundit të vet e pa u përkrahur prej një institucioni rekrutues”

    Lasgushi poet mbeti prane liqenit te Pogradecit. Por me thuaj nje shqiptar qe nuk e lexon dot akoma?

    Mbase eshte turp te pohoj per vete audiencen qe ndodhet ne kete blog qe une jam kundra luftes, ushtrise, pushkes, vrasjes, zborit, kapanoneve ushtarake, cizme ushtaresh, himne kengesh qe kendohen ne ushtri, ushqim ushtrie, etj etj. Mbase jam i vetmi qe nuk jam trim akoma.

    Une jam per paqe tha.

  39. Neal, shumë prej nesh janë kundër luftës, armëve dhe machismo-s; pyetja që ndoshta duhet t’i përgjigjesh në publik, për të sqaruar pozicionin tënd, është – si do të veproje, po të të sulmonin gjërat që janë më të shtrenjtat për ty? Vëre veten në vendin e boshnjakëve myslimanë dhe të kosovarëve të cilëve u përdhunuan gratë dhe motrat, u vranë foshnjet me bajonetë dhe u dogjën shtëpitë; po të të kish ndodhur ty kjo gjëmë, do të luftoje? E keqja në këtë botë ekziston pavarësisht nga alergjia jote ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me armën, luftën e ndoshta dhunën në përgjithësi. Si do të reagoje ndaj saj, kur të të prekte ty, jo dikë në skajin tjetër të globit?

    Nga ana tjetër, më përmend Lasgushin si shembull të dikujt që u emancipua si poet i kalibrit të lartë pa u larguar prej qytezës së vet – por harron se Lasgushi e mori edukatën e vet poshtë e lart nëpër Europë, dhe nuk ishte me origjinë as të varfër as të humbur! Lasgushi që i vogël ndoqi një shkollë rumune në Manastir të Maqedonisë, pastaj shkoi në Athinë ku studioi në liceun francez atje, deri në 1920. Paskëtaj kaloi vite në Bukuresht, ku edhe u regjistrua në Akademinë e Arteve të Bukura. Më pas, duke përfituar nga një bursë e qeverisë së Fan Nolit, shkoi në Berlin, për të studiuar me Jokl-in, por pastaj ndërroi mendje, dhe u zhvendos për në Graz të Austrisë, ku u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë Romane dhe Gjermanike, ku edhe mbrojti doktoraturën me një tezë për poetin rumun Eminesku…

  40. – Neal: “Sinqerisht kjo shprehje permban kaq diskriminim ne thelb saqe me vjen keq qe e lexoj ne mentalitetin e nje njeriu dhe aq me teper tuajin xhaxha. Shpresoj te jete vetem dicka e castit dhe jo bindje e juaja. ”

    Pyes: Me te vertete beson Neal (dhe Xhaxhai qe i referohet ligjerates se zhdrejte) se s’ka vulg ne cdo shoqeri? Apo mos kushedi po te mos i permendim ne, pushojne se ekzistuari te pagdhendurit, te pashkolluarit, te paqyeteteruarit, te palaret? Nuk po ju shpall njeri lufte atyre, as po kerkon njeri ti persekutojne e ndeshkojne per c’ka jane, por cfare diskriminimi eshte ta quash te bardhen “te bardhe” dhe te zezen “te zeze”? Madje mua me duket, se sa me shpejt ta kuptojme e pranojme realitetin, aq me shpejt do mund te bejme ndonje gje per ta permiresuar.

    – Duke pranuar vlerat e bashkejeteses ne ushtri, sic i shpjegoi Xhaxhai, pyes, cfare lidhje ka efekti i kryerjes se ushtrise ne forme te detyruar apo me pagese me avantazhet e kryerjes se ushtrise ne pergjithesi? Regjimi i jetes ushtarake do te jete i njejte, edhe perftimi i vlerave gjithashtu, pavarsisht se si jane grumbulluar rekrutet, me detyrim apo me pagese.

    – Perderisa ushtria jone s’ka per te sulmuar njeri, ideja e mbrojtjes se familjes, qytetit, atdheut nuk ka lidhje, me duket, me menyren e grumbullimit te rekruteve apo edhe stervitjen e tyre. Edhe ata qe sot i kane bere bisht sherbimit ushtarak dhe zderhallen kafeneve, po te jete nevoja do dijne ose do mesojne se si te mbrohen dhe te mbrojne.

  41. “E keqja në këtë botë ekziston pavarësisht nga alergjia jote ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me armën, luftën e ndoshta dhunën në përgjithësi. Si do të reagoje ndaj saj, kur të të prekte ty, jo dikë në skajin tjetër të globit?”

    Nuk do te perdorja pikerisht fjalen alergji ne kete rast, pasi alergjise i ben derman duke marre nje ilac.
    Xhaxha, perse ti e ve ne dyshim qe une nuk jam i prekur nga lufta dhe i perkas pikerisht “atij tjetrit ne skajin tjeter te globit” ?, Ku e di ti qe une nuk jam vrare, plagosur, me kane vrare familjen?, dhe pikerisht sepse jam prekur nga lufta nuk shoh asnje drite jeshile ne lufte. Kjo bisede nuk ka te beje aspak me pozicionin tim, por meqe ti e kerkon me kaq kembngulje te pohoj se une nuk do te pranoja te shkoja ne ushtri; mendimi im eshte i qarte per ushtrine e detyruar me siper. Une nuk jam frikacak, por paqedashes, e askush s’mund te me detyroje te luftoj. Por ketu nuk flasim per mua personalisht.
    Nese njerzit jane aq te desheruar per te luftuar le te blehen , dhe ketu futet ajo “shtrese” per te cilen ti shkruan ;edhe idealistet qe shkojne ne lufte me para shkojne, perndryshe nuk do pranonin te paguheshin. Nese do te mbjellesh lufte cfare kerkon te marresh? Prandaj dhe e ekziston ajo shtrese qe paguhet dhe lufton. Fatkeqesisht ose fatmirsisht paraja ja ka gjetur masen njeriut.

    Persa i perket Ndre Mjedes dhe Lasgushit, just for the sake of the argument – Ndre Mjeda mbaroi gjimnazin jesuit italian ne Shkoder dhe me pas vazhdoi studimet ne Spanje, Poloni, Kroaci dhe Itali. Vertet familja ishte e varfer dhe babai ish bari, e Lasgushi lindi ne nje familje me intelektuale, por kjo nuk do te thote asgje. C’absurditet eshte te jesh krenar per dicka qe eshte zgjedhur per ty dhe ti nuk ke levizur dot as gishtin e vogel?
    Ajo qe meriton te jesh krenar eshte se cfare ti ke bere me kohen qe te eshte dhuruar.

  42. Neal, nuk vë në dyshim asgjë, nuk presupozoj asgjë – vetëm do të doja prej teje një përgjigje më të qartë në lidhje me trajtimin që do t’i bëje ti të keqes absolute; dhe këtë vetëm e vetëm sepse dua ta kuptoj më mirë pozicionin tënd në këtë debat, jo pozicionin tënd si person ndaj ndodhive të jetës sate personale, të cilat unë nuk kam se si t’i njoh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin