KUNDËRTHESARI

Besoj do t’ju kujtohet historia e atij babait plak që, kur vuri kokën në krevat për të vdekur, mblodhi rreth të bijtë dhe u tha: “Bijtë e mi, ju kam lënë një qyp me florinj në kopsht, por nuk ua them se ku e kam groposur, dua që ta gjeni vetë.” Me këto fjalë në gojë dha pastaj shpirt, e nuk u la kohë të bijve t’ia nxirrnin sekretin me të lutura.

Panë ç’panë të bijtë e plakut, u vunë të gërmojnë në kopsht, të cilin deri atëherë e kishin lënë një çikë pas dore, aq sa lloj-lloj bimësh të egra ishin harlisur atje e nuk gjeje dot udhën tek ecje mes për mes. Gërmuan e gërmuan, e bënë natën ditë, nuk lanë gur pa përmbysur e shkurre pa shkulur, por shenjë të qypit me florinj nuk gjetën dot.

Megjithatë, gjithë ajo e rrëmuar i bëri mirë dheut; që u freskua e u ajros, aq sa kur e mbollën kopshtin vitin tjetër të bijtë e plakut, hodhën shtat e u poqën ca domate të bukura e faqekuqe, për të mos folur pastaj për trangujt, kungujt e bostanët, specat e patëllxhanët, bamjet e bizelet, patatet e karrotat, qepët e hudhrat e preshët, lakrat e sallatën, e të tjera bukuri të ngjyra-ngjyra të tryezës. Djemtë i shitën prodhimet e kopshtit në treg, bënë para të madhe, dhe u rregulluan mirë nga gjendja.

Ky paskësh qenë edhe qypi me flori që u kish premtuar plaku – të punuarit e kopshtit.

Kjo rrëfenjë m’u kujtua tek lexoja dje pasazhin e mëposhtëm të Artan Lames në gazetën “Shqip” [theksimi është imi]:

Njoh shumë, për të mos thënë të gjithë, tregëtarët e antikave që lëvrijnë nëpër Shqipëri dhe para ca kohe më vjen njëri syresh dhe më thotë gjithë siguri e sekretllëk se dinte një vënd ku ishte një thesar. Thesari na qenkësh fshehur brenda në themelet e një ure mesjetare nga ndërtuesi i saj, i cili, pasi kishte ndërtuar urën paskësh groposur aty edhe një qyp me flori. E mbajta veten dhe me qetësi u përpoqa t‘i shpjegoj se si mund të ishte aq i rrjedhur sa të besonte marrëzira të tilla. Si mund të besonte që ndërtuesi i një ure, që kishte harxhuar një pasuri të tërë dhe shumë vjet punë e përpjekje për ta ngritur urën, pasi ishte shkundur deri në metelikun e fundit për këtë vepër, në fund të çonte dëm edhe një qyp tjetër me flori, për ta futur në themele!!! Në ktë vend ku s‘mbush dot as një qyp me bajga, ti dashke të gjesh qyp me flori.
Më shihte si kuak dhe dukej që mëdyshej midis arsyetimit tim dhe ëndrrës me florinj. Mirëpo si e mori veten nga goditja e parë, m‘u kthye sërish gjithë siguri.
– Epo kështu ishte zakoni atëhere.
– Ku e ke lexuar a dëgjuar këtë zakon ti. Ta them unë me siguri, se kurrë dhe askund, nuk ka egzistuar një zakon i tillë. Për më tepër, që kush do qe ai budalla që do varroste qypin me flori, që të vije ti pastaj e ta merrje, o që të marrtë Perëndia mëntë më keq se t‘i ka marrë.
Pasi fola gjerë e gjatë me të, them se e binda dhe u ndjeva i kënaqur se më thotë mëndja se shpëtova një urë mesjetare nga shkatërrimi i sigurt për të gjetur thesare që nuk egzistojnë.
Edhe para një jave, një tjetër urë e vjetër u bë pre e këtyre të marrëve të rrezikshëm që kërkojnë të gjejnë flori. E kam fjalën për Urën e Kamares, por janë me dhjetra urat e vjetra, të mëdha e të vogla, që e kanë pësuar nga ky vandalizëm idiot dhe i pa sens. E quaj kështu, pasi është absolutisht e pamundur që të kenë gjetur qoftë edhe një grosh të vetëm, e megjithatë vazhdojnë të gërmojnë e hedhin në erë pa u lodhur.

Të bijtë e plakut të rrëfenjës e bënë prokopinë e tyre duke gërmuar për qypin; këta të sotmit, përsëri duke kërkuar për qypin, po e shkatërrojnë edhe atë pak prokopi të pleqve të tyre, që kish arritur t’i qëndrojë kohës. S’e kam fjalën vetëm për urat e lashta që po venë këta të mençur tani t’u vënë kazmën, për t’u zbuluar qypat me lira turke të varrosura në themelet; por për krejt infrastrukturën e punës së djeshme – fabrikat, uzinat, makineritë industriale e bujqësore, tubacionet, kanalizimet, stacionet e pompimit, shinat e hekurudhave, shtyllat e tensionit të lartë, kabllot elektrike dhe telat e telefonave, mermerin e ndërtesave dhe të tjera kocka të regjimit të vjetër që vajtën e u shkrinë për tutkall, ose për të investuar për kafene, lavazhe makinash dhe të tjera “vepra” post-industriale të ekonomisë së tregut.

Nuk i gjekam dot fjalët për të përshkruar të ardhmen që u kërcënohet njerëzve, të cilëve fillojnë t’u përmbysen deri edhe legjendat e rrëfenjat.

10 Komente

  1. Nuk i gjekam dot fjalët për të përshkruar të ardhmen që u kërcënohet njerëzve, të cilëve fillojnë t’u përmbysen deri edhe legjendat e rrëfenjat.

    “Force e erret destruktive”?

  2. Xhake,

    Historia fillon kur ne emer te luftes ndaj komunizmit u shkatarru cdo gje.
    U dogjen dhe bibliteka , u dogjen dhe librari dhe nuk lane shkolle ne kembe.

    E u formu nje brez qe nuk donte shkollen dhe dijen ( atehere nga 7-10 vjec , tani i gatshem per te shkataru edhe themelet e shpise se vet nese nuk do i mbante instikti qe nuk prishet foleja e kelysheve

    Kujto Terapine shok qe ishte dot e pakundershtueshme dhe qe vazhdohet sot pak me e kamuflluar ne formen e privatizimeve strategjike per nje cope buke, nen bekimin e suvezhduesve.

  3. Lexoj para pak ditesh ne nje te perditeshme mbi ekzistencen e dy varreve shume te vjeter, ne afersi te Tiranes (ura e Brarit, i thone). Nuk zgjati shume ngazellimi im, rreth mendimit se kultura jone antike u pasurohet edhe me dy varre te lashte. Nuk e di pse mendja me shkoi tek Egjipti antik…Ne nje mengjes te bukur vere, varret gdhihen te “lehtesuar” nga pesha e gureve dhe e dheut mbi to, fale ndihmes xheneroze te nje rruspe, e cila i kishte kthyer ne zgafella…Kishin kerkuar te gjenin thesarin e fshehur ne to,komentonte shtypi…!!? Thua, ta kene gjetur valle??? Paradoksi ishte se varret ndodheshin brenda territorit te (pseudo)sigurt te nje reparti ushtarak, presupozuar “i mbrojtur” (kesaj i thone te lash duart si Pont Pilati), por, duket rruspa e paska pasur krahun shume te gjate…
    Ne fakt, nuk duhet te cuditemi kur lexojme per perdhosjen e varreve antike, persa kohe qe ne intervale te here pas hereshme degjojme mbi perdhosjen e varreve te “fresket”.Te jemi kaq barbare..???

  4. U mata te shkruaja per amortizimin dhe per Pekinin si modelin tone industrial por hoqa dore se do te dukej sikur mbroja shkaterruesit; kerkova ta sillja prrallen me gjithe mrekulline e saj nga nje liber ku mendoja se ishte, nuk hoqa dore se do te dukej sikur sulmoja Xha Xhain me gjuhen e perdorur prej tij si per meze tavolinash, por sepse nuk e gjeta – mbase prralla gjendet ne Ble I, mbase nuk gjendet me fare as ne ate permbledhje e as ne ndonje tjeter, mbase ndonje ushtar ka mbaruar pune me fleten e saj teksa ka mbetur I cuditur me rreshtin e fundit te prralles i cili sipas At Donatit do te kishte qene:
    prralla ne lesh e shndetje prej nesh.

  5. CD, po të kishe bërë edhe një përpjekje tjetër, ndoshta mund ta kishe shmangur fare mesazhin e mësipërm, sidomos pjesën e mezeve të tavolinës. Unë kritikat sinqerisht i mirëpres, madje edhe kur kapen pas çikërrimash, por jo kur më vijnë nga ventrilokistë.

  6. Sa te drejte keni ne pjesen e fundit te fjalise se shkrimit dhe sa ju mungon ajo tek pjesa e fundit e fjalise ne reaksionin 5!
    Packa, nje mbyllje tjeter prej thesarit:
    prralla ne lesh e e mira mes nesh.

  7. Meqë nuk pati shumë komente kjo temë, po sjell unë ca, nga blog-çmendina ime:
    Burrnesha: Nuk di nëse e vutë re se të gjithë personazhet e kësaj tragjikomedie janë meshkuj: babaplaku, tre djemtë, kërkues-shkatërruesi i thesareve, artikullshkruesi Lame dhe Xha Xhai vetë.
    Radari: tashmë edhe bufi e di se të ashtuquajturit kërkues thesari nuk janë veçse agjentë të regjur të KYP-it grek, i përfaqësuar në Shqipëri nga korporata “Lundra dhe Trape”, që qëndron prapa atentateve të fundit ndaj urave provinciale në krejt Ballkanin. Me këtë shkrim, Lame i jep përgjigjen e duhur e largpamëse agresionit rus kundër Gjeorgjisë, dhe implikimeve të zhvillimeve të atjeshme për Kosovën, Akarnaninë dhe Qipron Turke.
    Rapsodi: autori, një kozmopolit i njohur, nuk e ka kuptuar dot se nuk janë qypa me flori ato që kërkojnë thesaristët në këmbët e urave, por mbishkrimet e para dhe të vetme në ilirishte që sanksionojnë ndërtimin e urës, sikurse e dëshmon legjenda e stërvjetër pellazgo-ilire e urës me tri harqe, të cilën e ngriti Rozafa me urdhër të Mujsit e të Halyllit, duke flijuar në themelet motrën e Gjergj Elez Alisë, Doruntinën.
    Ithtari: shkatërrimi i urave të vjetra anembanë trojeve shqiptare nuk është veçse një sulm i ri i dëshpëruar i klanit të Zemunit kundër shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, dhe simbolikës arkitekturale të urës, që i referohet drejtpërdrejt veprës së tij.
    Lazarusi: Ky Lamja duhet të ketë lajthitur – po pse, budallenj janë gjithë ai milet që shkojnë e hedhin në erë me dinamit këmbët e urave? Nuk kanë gjetë para, thotë Lamja. Po pse mër, ata që i gjejnë qypat cip më cip me florinj pesë pashë nën dhe, nuk kanë punë tjetër, por të shkojnë e t’i japin xhevap Lames? Priti nesër, kur të dalin me lavazhe makinash buzë rrugës nacionale, ose me ndonjë nga ato vilat tip Kublai Khan ose Mara Venier, dhe hec të flasim prapë.
    Koka e madhe: dr. Artan Lame, që kohët e fundit i është larguar disi shkollës semio-antropologjike natyrale të Rudolph Tisch dhe metafizikut arab Al-Adinit, pa kaluar në kampin kundërshtar të neo-deleuzianëve ose të filozofisë si vetëvrasje intertekstuale, më në fund e pohon borxhin që ia ka Levinas-it, Julia Kristeva-s dhe veçanërisht Felix Guattari-t, megjithëse dy-tri vende në punim m’u duk sikur dallova edhe influencën e Heidegger-it, Beckenbauer-it dhe Carla del Ponte-s.
    Tunxh Osmani: Lamja kur ishte student ka pasur të dashur mbesën e njërit që u vra sepse i shpërtheu dinamiti në dorë, kur po bëhej të hidhte në erë urën e Zaranikës ose të Zvërnecit; edhe pse thanë atëherë që e mbytën me tel të vetët për t’ia marrë verdhushkat e qypit, gjë që Lamja nuk mund të mos e ketë dëgjuar me veshët e vet, ose t’ia ketë thënë baxhanaku, i njohur në dosjet e Sigurimit me pseudonimin kuptimplotë “Thesari”.
    Rrokulla: Xha Xha, e dija që do ta shkruaje këtë, edhe pse, për ta thënë me një fjalë të mençme, urës fillimi i dihet, jo fundi; dhe sa për atë bahçen e plakut, nuk më takon mua të të kujtoj simbolikën masonike të gërmimit, të cilën ti ia atribuon me aq dinakëri Lames.
    Përdhesi: ky artikull është tendencioz kundër PD-së, që prej kohësh ka kërkuar me forcë zëvendësimin e urave të vjetra e të amortizuara anembanë vendit, të cilat nuk kanë nevojë për dinamitin e thesaristëve, meqë po shemben vetvetiu nën peshën e korrupsionit të pushtetit lokal, të kontrolluar kryesisht nga socialistët, të cilët i përfaqëson autori dhe fletushka ku ai boton.
    Fllucka: u nisa ta lexoj këtë pjesë… pastaj u kujtova që jeta është e shkurtër, dhe nuk ka kuptim të harxhohet kot më kot, duke kullotur bllogjeve shqiptare në Internet; e ndërpreva leximin që në titull, “Kundërthesari”, ndoshta do t’i kthehem kur të mos kem asgjë tjetër për të bërë, ose edhe thjesht për të kamzhikuar veten.
    Disiplinuesi: Ata që hedhin në erë urat e lashta dhe që dëmtojnë trashëgiminë kulturore arbërore duhen nxjerrë para gjyqit, për të marrë ndëshkimin më të rëndë. Ndoshta këto akte do ta bindin presidentin tonë Topi, që ka ardhur vërtet koha të rishikohet heqja e dënimit me vdekje në Shqipëri.
    Provinciali: Nuk di ku kanë ndodhur këto gjëra për të cilat flet Lamja, as ku janë hedhur në erë këto ura. Këtu ku jetoj unë, nuk kanë mbetur më ura të vjetra që nga koha e luftës, kur i dogji të gjitha gjermani.
    Fiziokrati: As unë nuk di gjë për atë punën e urave, por mund të them, me siguri statistikore, se tre familje nuk mund të jetojnë dot mirë, as të pasurohen, vetëm e vetëm me paratë e fituara me zarzavatet që kanë rritur në kopsht. Këtë as Kandidi i Volterit nuk e arriti dot. Përralla e cituar nga Xha Xhai është falsifikim i hapur, nuk ka bazë reale, as mund të përdoret për të provuar absurditetin e thesar-kërkuesve. Në të vërtetë, probabiliteti për të gjetur një qyp me flori duke gërmuar nën një këmbë ure ose një shtyllë të zakonshme telefoni është më i lartë sesa probabiliteti për t’u pasuruar duke shitur zarzavate të prodhuara në kopshtin tënd.
    Nastradini: Probabilitetin e ndihmon zëvendësimi i zarzavateve me bimën e marijuanës, siç e vërteton ekonomia e kopshteve në Lazarat, ku e ka origjinën përralla e mësipërme e ku nuk guxon t’i prekë njeri urat e vjetra, të cilat madje po rindërtohen dita-ditës, për hir të turistëve të shumtë dhe policëve të ngeshëm që duan ta kalojnë lumin pa u lagur.
    Proverbi fatal: Çdo shqiptar, e ka një thesar.

  8. Zbulova se edhe nune paskesha shkruar nje skenar per film te shkurter, ku babai plak nuk arriti t’ua thoshte vendin e thesarit djemve. Por une e vazhdoj ndryshe: vellezrit nisen naten me lopata dhe sopata ne krahe drejt nje vendi ku mendohej se ishte thesari. Ata debatojne shume gjate rruges se kush e di me mire vendin…Si perfundim shkojne rreze nje rrapi te madh dhe nisin te hapin nje grope te madhe. Lodhen e dersijne derisa gropa i mbulon, pushojne pak per te marre fryme. Por me i madhi ndjen se eshte shume afer qypit me flori, ai godet edhe disa here te tjera dheun e forte. Degjohet nje tingull metalik, germon perseri. Ajo paskeshe qene nje arke e madhe metalike qe vezullon nga drita e Henes. Vellai i Madh bertet si marre: “E gjete”, por ne kete cast Vellai i Mesem e godet ate ne koke me sepate, me pas hidhet brenda gropes, largon kufomen e te vellait dhe vazhdon te germoje me ankth. Nje lopate e godet ate ne zverk dhe si Vellai i Madh bie shakull ne fund te gropes. I vogli i sheh te dy kufomat nga lart. Tashti ai eshte i lire, thesari eshte i tij…Degjohet nje krisme cifteje. Vellai i Vbogel bie i vdekur brenda gropes.
    Nje gjuetar me rosa te varura ne brez afrohet afer dhe sheh kufomat mbi arken me florinj.

    Kjo eshte shkruar nen mbresat e forta qe me ka lene fotja e Enver Hoxhes dale si gjuetar me rosa te varura ne brez.

    Si e sheh i dashur XhaXha e nje njejta perralle mund te kete perfundime te tjera. Kjo varet nga situata…

  9. Faktikisht ‘ceku i bardhe’ i legjitimoi vandalet te asgjesojne cdo gje ‘komuniste’, qe nga industrite komuniste deri tek vreshtat e frutoret komuniste.

    Plaku i urte ne kete rast na del jo i tipit ‘fjale e grosh’ por i tipit ‘fjale e gazra’ … Do ndodheshim ne gjendje me te mire sikur ketij plaku te mos i degjonim gazrat,si thote ajo shprehja popullore, po ja qe ndodhemi ende nen udheheqjen e ketij plaku te urte.
    Besoj se fjalen grosh e kemi marre ne kuptimin e fasuleve.

    Rrenimi i urave te vjetra , besoj vjen prej nje tipologjie tjeter homo sapiensi (fjala njeri implikon edhe vlera, nuk eshte vetem percaktim biologjik) nga vandali ‘demokrat’.
    Ky lloj eshte ndoshta produkti me i keq i homo economicus, nje kryqezim i llojit te llotarive me llojin ‘grabites antikitetesh’. Nje grabites i vertete antikitetesh, nuk do e bente kurre nje marrezi te tille sepse e perdor trurin.

  10. Ja keni fut te gjith kot! Thesari nuk ishte nen ure, as mbi ure, e as brenda ne ure. Kot qe lodheni, se thesar nuk ka. Me degjoni mua, se jane te gjithe mashtrusa.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin