BATHORJA E EUROPËS

Sipas një studimi kontinental të kryer tani së fundi nga GfK Austria (vetëm këtë nyjë arrita të gjej sot për studimin në fjalë; në një kohë që të dhëna më të vjetra mund të gjenden këtu), Shqipëria zë vendin e fundit në Europë për përdorim të Internetit, me vetëm 1% të popullsisë në moshë të rritur, të lidhur në linjë. Që kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët, e vërteton edhe fakti që, përveç Maqedonisë me 5%, të gjitha vendet e tjera të Europës kanë përqindje përdorimi dyshifrore, duke filluar nga Turqia me 14%, Bosnjë-Hercegovina me 21%, Mali i Zi me 32%, Serbia me 37%, Greqia me 46% e kështu me radhë, deri te Islanda, ku pothuajse 90% e popullsisë së rritur e shfletojnë Internetin rregullisht.

Natyrisht, përdorimi i Internetit nuk ka shumë kuptim të matet drejtpërdrejt; meqë për të hyrë online të duhet kompjuteri, një linjë telefonike tokësore, pak elektricitet dhe mundësisht njohja e një gjuhe të huaj. Një ide më të saktë për depërtimin e Internetit në Shqipëri do ta jepte raporti midis numrit të kompjuterëve në përdorim personal dhe numrit të llogarive në Internet; sidomos po të korrigjohej kjo vlerë edhe me përdorshmërinë reale të telefonisë tokësore. Vetëm ashtu do të kuptohej se shkalla e lidhjes së Shqipërisë online ka të bëjë drejtpërdrejt me infrastrukturën, jo me indiferencën e publikut; sidomos në kushtet kur njerëzit stepen për të blerë një PC jo vetëm ngaqë nuk kanë linja telefoni tokësore, por edhe ngaqë nuk kanë drita. Në këto rrethana, përdorimi i Internetit do të kufizohej edhe më, në një shtresë të privilegjiuar të popullsisë, e cila zotëron kompjutera portativë (laptops), të cilët mund të përdoren me bateri.

Sipas një studimi tjetër, të pak kohëve më parë (shtator 2007), në krejt Shqipërinë ekzistojnë vetëm 300 lidhje të tipit broadband; edhe pse ma merr mendja se numri i lidhjeve të tilla do të jetë shtuar së fundi, meqë këto ofrohen tani nga një numër i madh kompanish private. Për fat të keq, edhe në rastin e shërbimit broadband, lidhshmëria përcaktohet, tek e fundit, nga linjat telefonike tokësore; në një kohë që lidhjet nëpërmjet sinjalit telefonik celular mbeten shumë të kushtueshme edhe në Perëndim.

Më në fund, është e vështirë, besoj, të kuantifikohet numri i përdoruesve në Shqipëri që futen në linjë nëpërmjet Internet Café-ve.

Përvoja e vendeve të zhvilluara në Perëndim, dëshmon se futja e lirë dhe private në Internet sjell ndryshime dramatike në qarkullimin e informacionit, duke konkurruar jo vetëm mediat e shkruara, por edhe vetë televizionin. Në Shqipëri, ku kanalet televizive kombëtare dhe lokale praktikisht e kanë monopolizuar sferën e informacionit publik, zgjerimi i përdorimit të Internetit mund të kërcënojë pikërisht atë shtresë monopolistësh të informacionit të cilët janë krijuar nga gërshetimi i interesave politike dhe ekonomike, që lidhet me mediat sunduese ekzistuese.

Vështirë të thuash nëse elitat politike në Shqipëri kanë interes për ta masivizuar përdorimin e Internetit atje, nëpërmjet mbulimit të së paku qyteteve kryesore me sinjal wireless, ose duke subvencionuar shërbimin broadband e duke investuar në infrastrukturën telefonike dhe të fibrave optike; sidomos kur kjo nuk është vënë si kusht për t’u pranuar në NATO. Gjasat janë që aksesi në Internet, edhe për shumë kohë akoma, do të mbetet privilegj madje katalizator i një aristokracie virtuale, e cila do ta përdorë monopolin ndaj Internetit si mjet për të konsoliduar kontrollin e vet ndaj informacionit.

Sot kushdo mund ta verifikojë lehtë vartësinë e shtypit shqiptar nga Interneti, që shprehet në përqindjen e habitshme të materialeve të marra hua poshtë e lart online, të cilat i jepen lexuesit të përkthyera; ndonjëherë duke shpërfillur krejt të drejtat e autorit. Interneti shërben edhe si truall plaçkitjesh për pedagogët e universitetit dhe studentët, të cilët e shfrytëzojnë si oaz të plagjiaturës, ose junk yard për karakatinat e temave shkencore, disertacioneve dhe kumtesave përkatëse. Ende duket të mbizotërojë prirja për ta përdorur këtë teknologji jo për shkëmbim informacioni, por më tepër si armë për beteja private ose të karrierës.

Në vitet 1970-1980, thuhej se familjet e udhëheqësve kryesorë të shtetit e merrnin sinjalin e RAI-t italian me kabllo në shtëpitë e tyre; për elitat e një shkalle më të ulët, ripetitori i Dajtit siguronte së paku lajmet dhe ndeshjet e futbollit; përndryshe, monopoli i nomenklaturave mbi informacionin që i lejohej publikut ishte tërësor. Kontrolli i informacionit ushtrohej edhe ndaj librave, revistave dhe gazetave të huaja, përdorimi i të cilave kufizohej brenda një elite të besuar. Sot, përkundrazi, i njëjti tundim për të kontrolluar realizohet jo drejtpërdrejt e në mënyrë policore rregullatore ose burokratike, por duke e lënë publikun në errësirë infrastrukturore. Mileti i ka veturat për t’u zhvendosur fizikisht, por mendja ka mbetur në kafaz.

Natyrisht, mediat shqiptare janë të lira të përcjellin ç’të duan e si të duan dhe konkurrenca është e tillë, që të sigurojë mbulim me sinjal të krejt spektrit informativ; çështja e informacionit, në Shqipëri, ka të bëjë më tepër me besueshmërinë e këtyre mediave dhe manipulimin e tyre prej grupeve të interesave. Hapja e vendit ndaj Internetit, nëpërmjet investimit në infrastrukturë, do t’u lejojë së paku brezave të rinj t’i qasen realitetit në mënyrë më kritike, duke iu shmangur hierarkive dhe piramidave të informacionit.

Këtu është e nevojshme të punohet në dy drejtime njëkohësisht: teknologjik dhe edukativ. Nëse brenda Shqipërisë hendeku midis elitave informacionale dhe vulgut televiziv vjen duke u thelluar, i njëjti hendek do të projektohet edhe në raportet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës. Interneti vërtet varet nga teknologjia dhe infrastrukturat ekzistuese, por po shndërrohet tashmë edhe në një mënyrë themelore për të përftuar dhe riprodhuar komunitetet: kulturore, etnike, shkencore, profesionale, ekonomike, financiare. Në një kohë që elitat politike dhe kulturore në Tiranë tallen me bathorsit, nuk po duan ta vënë re se, nën sundimin e tyre, Shqipëria po konsolidohet përditë e më tepër në rolin e Bathores së Europës.

10 Komente

  1. Problemi eshte qe vete Shqiperia (si vend) nuk ka mjaft lidhje broadband me boten qe kjo te mund t’i ofrohej edhe masave. Edhe sikur Shqiperia te mbulohej me Wi-Fi, shpejtesia do te ishte e pranueshme per t’u lidhur me site brenda territorit. Ne castin qe do te kerkohej te arrihej dicka jashte, atehere te gjitha keto kerkesa do te shkonin drejt te njejtit tub te ngushte ku do t’u duhej te presin ne radhe… Para ca kohesh m’u desh te flisja disa here me nje numer tokesor ne Shqiperi. E kote te them qe fatura telefonike ishe disa qindra dollare. Kerkova te gjeja ndonje sherbim me te lire dhe surpriza ishte akoma me e madhe. Me shtrenjte se Shqiperia eshte vetem Korea e Veriut (rreth $4/min), Shqiperia ishte mesatarisht $1.10/min (+cmimi i planit nderkombetar rreth $3-$5/muaj). Afganistani kishte rene ne $0.40/min. Nderkohe qe Italia e Greqia ishin nga $0.04/min, Maqedonia dhe Mali i Zi $0.30/min. Per sa i perket planeve qe punonin nepermjet Internetit (Skype, etj.) cilesia ka rene shume qe kur telekomi u privatizua. Nejse, ka shume aspekte teknike dhe monopolistike pse Shqiperia nuk do te kete Internet per nje kohe te gjate. Sa per NATO-n, ata kane networkun e vet te sigurte.

  2. Xhaxhai,
    na bej nje nder te gjitheve, jashte e brenda, dhe merr mundimin ta botosh kete enzime. Eshte kaq e prekshme dhe aktuale (krahasuar me enzimat e tjera pararendese – te cilave per aq sa vlejne nuk u heq as presjen, ndekohe qe ty te heq kapelen), saqe vleren e vertete do ta merrte vec atje, ne shtypin tone te dites (ai qe eshte).
    Perndryshe, do te shkaktosh vec dya tre reaksione si ky i Censures dhe …e pat.

    PS- si ka mundesi qe te dhenat e linkut te pare te sugjeruar ndryshojne kaq shume nga ato te linkut te dyte (1% – 13.1%)? Dhe e gjitha per nje vit? Mos ka ndonje gabim diku?

  3. I nderuar Xha Xhai,

    Ah sikur te ishte problemi i energjise elektrike apo shtrenjtesia e blerjes se nje kompiuteri apo… ku di une, problemi kryesor i internetit ne Shqiperi : do ishte vertet gjysma e se keqes !

    Ju e keni evokuar vete ate qe me duket problemi kryesor : monopoli i mediave, kryesisht atyre vizuale, ne Shqiperi. Kam nje pyetje te thjeshte : E pse kompani televizive si ato qe u ofrojne shqiptareve ca “alb-satelit”-e apo “alb-saç”-e (sinqerish, nuk i di emrat e sakte te kompanive ne fjale), investojne pa fund ne te tilla ndermarrje ?? Pse ky investim nuk eshte bere e nuk behet per rrjetin internet ??
    Sepse televizioni eshte medium debilizues, i kollajte, i “rehatshem”, “komod” : shkon imazhi tek shikuesi (mjafton te perdoresh telekomanden), dhe jo shikuesi tek imazhi (apo drejt informacioni), siç eshte rasti i internetit.

    Dua te them qe elitat informacionale, biznesi, pra ata qe kane ne dore fatin e ketyre puneve (nuk di me ç’emer preciz mund ti quaj), ne fakt, jane po aq vulg sa dhe publiku. Fundja prej atij “publiku” kane dale ! Por që me vendimarrjet e tyre, e terheqin edhe me poshte po ate publik : ata rendin po aq sa dhe ky i fundit drejt te kollajshmes, banales, debilizueses, te rehatshmes. Perndryshe une kurre nuk kam arritur ti jap pergjigje habisë sime sa here shkoj ne Shqiperi se si ka mundesi qe ne familje më teper se modeste ekonomikisht, “buçet” televizori permes qindra kanalesh satelitore te pagueshme sa qimet e kokes !
    Nese mungesa e internetit do te ishte rrjedhoje e problemeve ekonomike (mungese dritash, mungese sistemi telefonik… etj etj) kjo gje do te qé e llogjikshme te reflektohej edhe ne sistemi televiziv ! nderkohe qe ndodh e kunderta ! Biles perpara disa kohesh, mediat shqiptare publikonin me nje krenari te papare (mepo aq krenari sa “shekulli” informonte perpra disa mujash se filan kompani ka shitur kaq e aq arme neper bote !!), lajmin qe Shqiperia qenkerka nje nga 3 a 4 vendet e vetme ne bote qe perdorkemi nje fare cilesie unike vizuale, e qe nuk me kujtohet sot emri…).

    Ah,mu kujtua, u quakerka : “Bathore cilesore” ! …

  4. Ne nje raport nga Cullen-international (ne faqen 50) jipen shifra me te (pa)sakta. Sidoqofte per Shqiperine jane deshperuese. Tash po flas pak per kete ceshtje ne Maqedoni. Ne kete raport thuhet se Maqedonia eshte ne mesin e vendeve te Evropes Juglindore me rritje me te shpejte te nr te shfrytezuesve te internetit. Ne fund te 2007 ne MK kishte 651,800 shfrytezues ose 32% nga popullsia e pergjithshme. Mirepo sa i perket amviserive, vetem 7% kane qasje ne net.

    Sipas provajderit me te madh te interentit (Makedonski Telekomunikacii) deri me 31.12.2007 thuhet se posedojne me 492.376 shfrytezues permes pakove te tyre ADSL. Mirepo me liberalizimin e tregut ky numer eshte me i vogel ne krahasim me nje vit me pare, kur kishte 517.149 shfrytezues dhe kur kjo kompani zoteronte nje forme monopoli.

    Qeveria aktuale (tani ne ikje) qe ne ditet e para posa mori drejtimin e shtetit, ndermori plane shume entuziaste duke u munduar qe Maqedonine ta shpalle e-country. Disa projekte u realizuan si gjysmake, disa fare nuk filluan; sic ishte rasti me 100.000 kompjuteret (PC per cdo nxenes/student).

    Aktualisht, akoma me entuziast me duket edhe plani i wireless lidhjeve sidomos per Carshine e Vjeter te Shkupit, plan ky i projektuar nga komuna e Cairit dhe i cili do te revitalizonte ne nje fare menyre kete pjese “te harruar” te dikur qytetit me numer me te madh te shqiptarve ne bote. Kjo do te kontribuonte qe te gjallerohet sadopak carshia, te kthehen turistet si dikur, ndersa dhe rinia te jete me frekuentuese e kesaj pjese te qytetit.

  5. perdorimi i Internetit nder shqiptare evidentohet mese se miri nga ne qe kemi blogje ne shqip nga ku mund te shohim fjalet e kerkuara qe kane sjelle perdoruesit ne adresen tone. Shihet qartshem qe shumica e atyre qe vijne tek blogu im jane studente qe kerkojne informacione te ndryshme, jo domosdoshmerishte per artin, dhe vetem nga menyra e kerkimit shihet se sa pak ia kane idene se si funksionon interneti. Dikush sot kishe kerkuar te gjente informacion mbi “si behet nje sivi”. Shpresoj te ket pas ndonje tjeter shqiptar qe diku neper te madhin internet te kete hedhur pak informacion drejtues mbi sivi-te.

  6. Interneti dhe televizori janë dy media të ndryshme, të cilat në vitet e fundit në perëndim po i afrohen gjithnjë e më shumë njëra – tjetrës; madje po shkojnë aq përkrah, saqë në një të ardhme të afërt nuk do të mund të përfytyrohen dot më pa njëra tjetrën. Fillimisht ishte aparati televiziv vetë i cili si hardware në formën e tv-card filloi të integrohej gjithnjë e më tepër në kopjuterat shtëpiakë. Më pas filloi shkrirja e vërtetë e këtyre mediave me inserimin e programeve televizivë në platforma të ndryshme onlinë. Ky proces sapo ka filluar dhe mua më duket se shkrirja e aparaturave shtëpiake të konsumit vizual e auditiv në njëra-tjetrën gjithnjë do të na duket sikur sapo ka filluar; të paktën deri sa të kemi realizuar dot utopinë e fundit serioze; atë të viteve 1960 – 70, që njëkohesisht të flasim në telefon dhe të shikojmë në ekran bashkëbiseduesin, sikur ky të na dilte në një ekran televiziv, e gjithë kjo pa qënë të detyruar të lidhim apo zgjidhim një pafundësi kabllosh a kartash me gjithfar qarqesh të integruara. Ky realität në Shqipëri është ndryshe dhe mua nuk më duken sikur vështirësitë janë për t’u kërkuar kryesisht në mungesën e infrastrukturës fizike për një shfrytëzhim të gjithanshëm të internetit.
    Interneti hyri në perëndim si një mjet komunikimi i nevojshëm, parë kjo në aspektin kulturor dhe social. Këtë formë Internetit në perëndim ja dha ky vetë duke e përdorur atë pikërisht në këtë formë. E vetmja media, e cila funksionon në Shqipëri në mënyrë të vetëkuptueshme eshte TV dhe deri diku Gazeta. Komunikimi në Shqipëri nëpërmjet TV ka një traditë të lindur pak nga pak në mënyrë sa funksionale, aq edhe organike. TV eshte pjesë e realiteti shqiptar, eshtë një nevojë e pazëvëndësueshme e tij, TV është nga pikpamja kulturore Shqipëria vetë. Interneti ne fakt jo; ky nuk e ka arritur dot këtë nivel integrimi si platformë komunikative sepsë vetë shoqëria shqiptare nuk është e tillë komunikative. Interneti presupozon jo vetëm nevojën për të dërguar një email apo për të chat-uar, por edhe inisiativën intelktuale për të kërkuar në mënyrë të pavarur një mendim tjetër, një informacion tëndin për botën. Por sa e kanë shqiptarët sot të zhvilluar nevojën për të vjelur informacion në mënyrë të pavarur, pra larg nga nga institucionet dogmatike politkisht aq moniste patriarkale (gjithcka mediale qw shtrihet nw hapsirwn midis PPSh dhe TV-Klan-it)? Sa këllqe kanë shqiptarët për të ndërmarrë eskursione intelktuale në realite të reja, për ta ende të panjohuara? Mos valle aq sa e kanë patur edhe në 1989 – 1990 të zhvilluar nevojën për të ndërmarrë inisiativën për ndryshime politike e sociale demokratizuese e reformuese; pra praktikisht ZERO?
    Interneti i shëmbëllen gjithnjë e më shumë imazhit real të demokracisë sot, Interneti është ajo platformë ku të gjithë me nje investim minimal prej 50 dollarësh për një PC të përdorur dhe një fature prej 10 dollarësh për një llogari telfonike në muaj mund ta bëjnë veten të barabartë me kedo që disponon miliona e miliona. Në Internet të gjithë janë të barabartë, si ai që ka celësat e kashtës, si ai që ka celësat e botës. Kam frikë se në në këtë përfytyrim demokratik të botës shqiptari mesatar nuk hyn dot; atij i duhet natyrisht sheshi i fshatit ku të hapet dot „bythësh“, në mënyrë që kushdo ta shikojë dhe mbi të gjitha ta respektojë. Interneti në Shqipëri ka hyrë „pa doganë“, thjeshtë si vaj plazhi, thjeshtë si një palë brekë mode, të cilët shqiptari modern natyrisht do t’i përdorë, por që nuk i ka zhvilluar dot vetë si koncepte të nevojshme të përditshmërisë së tij. Duket sikur shoqëria shqiptare nevojën për ndryshim e ka shumë të kushtëzuar materialisht: tulla dhe teneqe (makina). Përsa i përket pjesës komunikative shqiptari mesatar bashkëkohor vazhdon të mbetet rob i psikollogjisë mesjetare deri enveriste, që gjithcka u dashka ofruar nga „struktura“ dhe në asnjë mënyrë kurrë të të lindë nga vetja. Televizori është mjeti i vetëm që e kënaq nevojën për t’u informuar, sepse vështrimi i shqiptarit – edhe në e kalon dot hundën e vet – nuk shkon dot më larg se televizori.

  7. Ka një aspekt krejtësht praktik problemi i internetit. Kjo të paktën në Tiranë

    Sot është bërë mjaft e lehtë të të vijë fija e ADSL-së në shtëpi, nëse banon brenda unazës së Tiranës, ose edhe deri në Laprakë e ca zona të tjera periferike. Modem-i dhe instalimi kushtojnë diku midis 150-200 EURO-ve. Pastaj kontrata mujore, nëse nuk dëshiron kufizime të ngarkesës (që përkthehet në një shërbim mujor që ndërpritet në javën e parë ose mesin e javës së dytë të muajit përkatës për përmbushje të ngarkesës së lejuar), shkon mes 20-50 EURO-ve. Kontrata minimale është përgjithësisht 3 muaj. Shërbimi është i keq dhe në ditët kur ka ndeshje futbolli sinjali ndërpritet (të gjitha pikat e basteve sportive, që janë mesatirisht 2-3 në çdo 500 m2, kanë pikun e punës).

    Dmth ke shpenzuar mesatarisht 260-350 EURO për një shërbim me besueshmëri të ulët, çka është pak më pak se çmimi i një desktop-i në treg.

    Sa i përket dial-up-it që ofrohet nga ALBTELEKOM, nuk punon thuajse fare gjatë ditës dhe duhet të provosh të kapësh linjën ndonja 10 herë derisa të futesh, që pastaj të ndërpritesh pa ndonjë arsye të dukshme. Të mos flasim pastaj për shpejtësinë (56 Kbps), që është qesharaka nëse dëshiron të hapësh një faqe që nuk ka vetëm tekst.

    ALBTELEKOM-i, që duhet të jetë ofruesi kryesor i ADSL-së me kosto të pranueshme ka qenë i përzierë në punë privatizimesh dhe vonesash me prejardhje kryesisht politike ose prej grupesh interesi, çka ka bërë që tregu privat të jetë i deformuar dhe kostoja e internetit për privatët ofrues të shërbimit të rritet (shumica e ofruesve, në vend që të përdorin si burim të sinjalit ALBTELEKOM-in janë të detyruar ta blejnë internetin jashtë vendit, për ta rishitur atë me marzhin përkatës të fitimit).

    Në pritje që ALBTELEKOM të fillojë të ofrojë internet ADSL me çmim të pranueshëm (të ngjashëm për shembull me fqinjët tanë ballkanikë), gjë që thuhet do të ndodhë në muajt e ardhshëm (që ka muaj që thuhet në fakt), situata është pak a shumë kjo.

    Për rrethet e tjera pastaj, kjo bisedë mund të bëhet pas disa vitesh.

    Përshëndetje!

  8. Strangeman, me te vertete u habita nga keto fakte qe solle. Nuk ia kisha idene se sa kushton interneti ne Shqiperi. Po te besh nje krahasim me kushtet ketu ne Maqedoni, beso me vjen keq per AL. P.sh. kerkesa per tu kycur me ADSL nuk zgjat me shume se 3-4 dite pune, modemi kushton rreth 20 euro, dhe une per 100 GB transfer mujor paguaj rreth 20 euro, edhe pse ke pako me te lira. Bile ekzston edhe nje pako me 4GB transfer dhe kompjutor ne shfrytezim per marreveshje 2 vjecare me cmim prej 15 euro. Ndersa sa i perket mbulimit, mendoj se ne gjithe territorin e MK mundet te instalohet ky lloj sherbimi.

  9. A ka Bathore ne Evrope?

    Ah, sikur ne Shqiperi te ishte vetem problemi i internetit.Ose me tej:sikur te mos kihte shume perdorues , por te pakten te perdorej nga institucionet shteterore,Bankat ,bizneset etj.Edhe ndonje institucion, qe eshte i detyruar ta perdore, ka akoma ne perdorim programet e tipit dos, si per shembull ATSH-ja, e vetmja agjenci shtetrore lajmesh.Le ta ilistrojme me shembuj.Nje miku im, donte te transferonte nje shume parash nga nje banke ne nje tjeter.Te dyja banka te huaja qe operojne ne shqiperi.Pas shume perpjekjesh,transferimi mun te behej vetem me ne menyre:kesh.Pra, komunikimi elektronik midis bankave nuk ekziston.Ne nuk kemi asnjelloj sherbimi elektronik, duke filluar qe nga gjendja civile,hipotekat,spitalet etj.etj.Shume prej zyrtareve qe kane akses ne internet, u duhet ose per te luajtur letra,ose ne rastin me te mire per te lexuar ndonje kuriozitet nga vendi ose bota.
    Ka patur politikane qe kane folur edhe per qeverisje dixhitale,bile kryeministri aktual ka the se do ta shpjere ne cdo shkolle etj.Sic dihet pohime te tilla krijojne ilaritet dhe perfundojne ne emsionet humoristike.
    Nese institucinet te parat do te komunikonin me publikun nepermjet sistemeve te dixhitalizuara, automatkisht per te lehtesuar jeten e perditshme(transaksionet bankare, marrja e nje certifikate lindjeje, apo regjistrimi pasurive te patundshme ne hipoteke) do te rritej edhe numeri i perdoruesve.Por kjo per arsye jo vetem ekonomike, do nje kohe te gjate.Atehere perdoruesit do te jene gjithmone ne numer te vogel.Hidhini nje sy gjendjes se linjave telefonike ne qytetet kryesore te vendit dhe mund te shihet kollaj, qe telekomi duhet te beje investime masive per te mundur te shpjere edhe kabllot e ADSL-se tek perdoruesi.
    Mennoj se ketu duhet bere nje saktesim: ne bathoren e legalizuar edhe sikur te kesh investimin nuk ke se ku i shtron kabllot, po ashtu nuk ka vend as per kopshte femijesh,spitale,shkolla etj.Mirepo Bathorja tashme eshte vetem nje simbol.Perqendrime te ketij lloji ne Tirane apo Durres ka sa te duash dhe aty jetojne qindra-mijera vete.Bile ne njefare menyre edhe qendra e Tiranes po bathorizohet, duke i shnderruar qendra e banuara ne fshate mesjetare te stermedhenmj, ku instalimet normale jane te pamundura.Ndaj duhet te jemi te kujdeseshem ne krahasime dhe duhet te pyesim veten:a ka valle Bathore ne Europe.Une them se jo.Ashtu si edhe ne shume gjera te tjera ne jemi te krahasueshem vetem me vetveten.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin