GJYMTIMI I SHQIPES

Diskutimi për paskajoren e gegërishtes dhe marrëdhëniet e gegërishtes, si variant letrar dhe si dialekt, me shqipen standard vetvetiu të shtyn të reflektosh rreth së ardhmes së standardit.

Megjithatë, unë mendoj se problemi kryesor i shqipes së sotme publike nuk lidhet aq me marrëdhëniet e saj me gegërishten, sesa me varfërinë e saj në leksik, në sintaksë, në stile e regjistra të shprehuri.

Kjo është varfëri më tepër e ligjërimit sesa e gjuhës vetë; sepse ka të bëjë me raportin tejet të shfytyruar midis shqipes aktive të shumë shqipfolësve, dhe shqipes pasive të depozituar në kujtesën kulturore kombëtare.

Më keq akoma, shqipja publike duket sikur ka ardhur duke u varfëruar këto vitet e fundit – krahas me rënien e prestigjit të librit dhe të fjalës së shkruar, dominimin e ligjërimit publik nga mediat e sidomos nga televizioni; por edhe rënien e prestigjit të vetë autoriteteve publike.

Kulturës shqiptare i mungojnë udhërrëfyesit në ligjërim, ose ata autorë të konfirmuar, gjuha e të cilëve të merret për model prej të tjerëve; sikurse i mungojnë edhe veprat madhore – në letërsi, por edhe në filozofi, publicistikë e histori – ku të mishërohen modelet.

Rriten kështu breza të cilët jo vetëm nuk e njohin gjuhën e tyre sepse u është mëkuar mangët e keq, por edhe nuk e kanë idenë për pasuritë e depozituara në të. Njerëzit lexojnë letërsi të përkthyer shpejt e keq, ose artikuj gazetash të ngjizura me gjuhë të varfër e të ndotur me gjithfarë barbarizmash; pastaj ndjekin programe televizive ku drejtuesit dhe të ftuarit i flasin shoku-shokut gjuhë hamejsh ose druvarësh, kur nuk i flasin dogançe hajdutësh.

Njerëzit nuk kanë mundësi të komunikojnë me ligjërimin shqip, ashtu siç shprehet e ruhet ky në veprat më të shquara të traditës sonë letrare.

Edhe numri i fjalëve të përdorura është alarmisht i ulët: madje edhe nga shkrimtarët vetë. Botime vullnetmira fjalorësh nuk mungojnë – por fjalët në fjalor nuk garantojnë adoptim ose rehabilitim në ligjërim, sepse publiku nuk e ka për zakon të lexojë e të qëmtojë fjalorët, as pritet ta ketë.

Sintaksa e shqipes së shkruar vjen duke u thjeshtuar, duke ndjekur gjithnjë e më shpesh modelet sintaksore të shtangëta të gjuhëve neolatine e të anglishtes (kryefjalë + kallëzues + kundrinë), çka bie ndesh me vetë natyrën e shqipes si gjuhë sintetike, e cila lejon madje lyp laryshi të madhe në kombinimet brenda fjalive.

Një pjesë e atyre që shkruajnë shqipen ende kujtojnë se ligjërata publike e shkruar trupëzon njëfarësoj mënyrën si pushteti komunikon me publikun. Mirëpo pesëdhjetë vjet totalitarizëm e kanë gjymtuar tashmë shqipen e shkruar dhe, nëpërmjet saj, edhe kompetencën gjuhësore të përdoruesve të saj.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, shumë folës e shkrues e perceptojnë normën gjuhësore si shprehje të diktatit gjuhësor, dhe shkeljen e normës si shprehje të lirisë së fjalës. Në të vërtetë, krejt komunikimi kombëtar themelohet mbi një normë të përbashkët të folësve, prandaj dobësimi i normës është edhe dobësim i kombit.

Shkolla këto njëzet vjetët e fundit e ka pezmatuar edhe më keq problemin, duke i privuar brezat e rinj nga kontakti me traditën gjuhësore dhe letrare. Shqipja e këtyre brezave është vërtet mjet për komunikim të përditshëm, por jo mjet për t’i dhënë krahë mendimit dhe për të lejuar lartësimin dhe përsosjen shpirtërore të shqiptarit.

Mangësitë gjuhësore përkthehen kështu në mangësi shpirtërore.

Ndërkohë, elitat kulturore të Shqipërisë i shtojnë kontaktet e marrëdhëniet me botën, mësojnë gjuhë të huaja e sidomos mësohen të mendojnë në këto gjuhë të huaja. Për shumë intelektualë, shqipja është kthyer në një e keqe e domosdoshme, ose monedhë për t’u përdorur veç në tregje mallrash të zhvleftësuara.

Gjuha e një kombi ka nevojë të mirëmbahet – prej të gjithë përdoruesve, por edhe prej institucioneve të specializuara. Nëse gjuhësia shqiptare dje përkujdesej para së gjithash për shqipen si instrument të indoktrinimit totalitar të publikut, gjuhësia e sotme kryesisht përkujdeset për të mbijetuar si veprimtari buxhetore… duke u riprodhuar për inerci.

Kjo pikërisht kur po botohen e po vihen në dispozicion të lexuesve disa prej veprave më të vyera të shqipes së shkruar e të studimeve gjuhësore të shqipes së traditës, duke përfshirë edhe fjalorë fjalësh të rralla, veprash me vlerë dokumentare albanologjike e monumentesh të folklorit shqip.

Çfarë mungon, është motivimi institucional për t’i çuar përpara studimet gjuhësore – jo për të ushqyer mitet e origjinës, as për të fryrë krenarinë kombëtare, por për t’i bërë të përdorshme prej publikut pasuritë ekzistuese të shqipes.

Sintaksa e shqipes së shkruar sot vijon t’u konformohet modeleve të shqipes totalitare, në një kohë që sintaksën e përrallës popullore ose të rrëfimit gojor nuk e përfill kush më. Nga njëra anë, thjeshtësia ngatërrohet me thjeshtëzimin, nga ana tjetër thellësia e mendimit me barbarizmat e sjella në ligjërim.

Edhe teknologjia masive ka gisht në këtë masakër – sikurse e provon shqipja e keqtrajtuar e SMS-ve ose e përkthimeve të telenovelave televizive; sintaksa e frikshme e reklamave në gazetat ose TV; ose drejtshkrimi i krasitur i teksteve të afishuara në Internet. E keqja këtu nuk është vetëm te varfërimi i pashmangshëm i shprehjes, por edhe e kryesisht te varfërimi e pakësimi i pashmangshëm i personit vetë teksa vetëshprehja rrëgjohet e ngec, komunikimi ndërvetjak reduktohet në erotizëm ose shkëmbim parash, strukturat narrative shthuren e zëvendësohen me zhargonin vizual të reklamës e të vetrinës.

Habitemi e pikëllohemi të gjithë me valën e krimeve në Shqipëri, por edhe me materializmin e shfrenuar, korrupsionin, grykësinë e makutërinë e njerëzve, mosbesimin ndaj tjetrit, keqtrajtimin e femrës, shpërfilljen ndaj normave etike, regresin në sjellje deri në ringjallje mendësish që i kujtonim të kapërcyera. Bëjmë me faj për këtë krizën morale që ka pllakosur vendin, pakësimin e kapitalit social, tkurrjen e hapësirës publike, katandisjen e feve në shenja të identitetit të grupit si të ishin fanella klubesh futbolli, kultet e ndryshme të urrejtjes.

Nuk e teproj po të them se përçudnimi i gjuhës ka rolin e vet në këtë mes, sado të ndërmjetësuar; sepse shqiptari nuk i gjen më fjalët për të bërë paqe me veten, pa shkon dhe e projekton pastaj tërbimin e ndrydhjes ose të memecllëkut mbi të tretët e pafajshëm. Shqipëria si atdhe njerëzish të lirë dhe krijues nuk mëkëmbet dot kurrë, pa e marrë veten shqipja.

33 Komente

  1. Gjithmonë kur shkruaj në Internet mundohem të shkruaj sa më pastër. Në fillim e kisha të vështirë pasi jetoj në Amerikë dhe s’kam mundësi të praktikoj shumë shqipen. Tani e kam më të lehtë të shkruaj por prapë kam mangësi në fjalor. Më vjen shumë inat kur lexoj shkrime nga shqiptarë për të cilët jam i sigurt se zotërojnë shqipen në një nivel shumë më të lartë, por vazhdojnë të shkruajnë me dialekt. Ndoshta e kanë për humor, ndoshta e kanë më të lehtë, ndoshta u vjen më mirë kur shkruajnë me gjuhën e folur. Kjo rezulton në imitim nga të tjerë dhe kështu përhapet. Gjuha është gjë e gjallë, mua s’më pëlqen se si po evulohet, dhe do të jetë e vështirë të kthehet mbrapsh nga rruga ku është nisur.

  2. “Gjuha e një kombi ka nevojë të mirëmbahet – prej të gjithë përdoruesve, por edhe prej institucioneve të specializuara. Nëse gjuhësia shqiptare dje përkujdesej para së gjithash për shqipen si instrument të indoktrinimit totalitar të publikut, gjuhësia e sotme kryesisht përkujdeset për të mbijetuar si veprimtari buxhetore… duke u riprodhuar për inerci.”

    Besoj se barra me e rende dhe pergjegjesia me e madhe bien pikerisht mbi institucionet e specializuara, shkollat; reformimi i mendesise dhe riperteritja e aftesive shprehimore pervijohen me mbrothshem nen kontaktin sistematik qe vetem nje sistem shumevjecar edutiv mundet te krijoje.

    Me fjale te tjera, para se t`i nxjerrim syte njeri tjetrit per standardin e shqipes se shkruar, mund e duhet te perkujdesemi per ngritjen e standardit te edukimit letrar e gjuhesor ne te gjitha nivelet e shkollimit.

    Ne se kjo gje do mund te arrihej, e jo te mbetej thjesht utopi, atehere edhe te edukuarit me ate klorofilizim kulturor do ishin me imune ndaj percudnimeve te tjera qe permenden ne artikull.

    Gjithashtu mendoj qe ka nje nevoje te pamohueshme per redaktore te mire-pergatitur letrare jo vetem ne shtepite botuese, por se pari neper vete institucionet e medias.

  3. S’kam si te rri menjan,pa te pershendetur per punen me ngulm qe ben ne dobi te gjithe shqiptarofolesve.Gjithmone vij e”kullos”ne kete blogun tend qe jo vetem e pelqej per temat me cilesi,por dhe e kam pak “zili” per saktesine dhe thellesine e dijeve.
    Perparim Hysi,18 janar 2008

  4. Ke shume te drejte per te gjitha, Xhaxha, po kete fraze s’e kuptova mire:
    “Kulturës shqiptare i mungojnë udhërrëfyesit në ligjërim, ose ata autorë të konfirmuar, gjuha e të cilëve të merret për model prej të tjerëve; sikurse i mungojnë edhe veprat madhore – në letërsi, por edhe në filozofi, publicistikë e histori – ku të mishërohen modelet.”
    A do te thuash se Naimi, Fishta, Noli, Kadareja nuk studjohen me ne shkollat? Kjo do qe per te ardhur keq.
    Une per vete mendoj se stilisti me i madh i shqipes mbetet Kuteli dhe ai meriton jo vetem permendore ne mes te Tiranes (mos me keqkuptoni, nuk thashe te Skenderbeu), po edhe studim te vecante ne shkolla. Nga ana tjeter, ai s’ka ndonje veper qe mund te quhet madhore, e kam fjalen per veper letrare, se per ekonomine dhe bankat ka plot. Nuk di ne se ministrite e Tiranes apo organizmat e shoqerise civile kane kohe te merren me ndricimtare si Kuteli, dhe kjo eshte e trishtueshme.

  5. Tatjeta Mixhe,

    me leje me i komentue dy pohime, t’cilat mendoj qe jane dy prej disa shtyllave kryesore t’shkrimit.

    S’pari, thue qe ligshtimi i normes e ligshton edhe kombin. Po kam telashe me ket, e po t’shkruej me shpresen qe m’i shpjegon gjanat ma mire, per c’gja t’falenderoj qysh tash. Me pase thane qe ligshtimi i normes e ligshton komunikimin e mirekuptimin, e bashke me ta edhe tana t’mirat rrjedhese, mbrenda shqipfolesve, t’kisha kuptue. Por, kombi si kuptim e si qenie asht shume ma i ri se gjuha, lind ma shpejt e vdes ma shpejt, e qebesa gjuha e kombi mujne me jetue shume komfor pa njana tjetren. Lidhja e kombit me gjuhen lidh edhe gjana qe mujne me na que te do paradokse interesante, si psh, per me e marre nji shembull ma pak emocional, sot anglishten e folin ma shume joangleze se angleze. Hipotetikisht, se hala s’ka ndodhe e s’e di a mundet me ndodhe, kur kta joangleze t’ja nisin me prodhue vepra t’mira n’anglishte, qysh e dikton komunikimi masiv modern, e tue fute forma t’gjuhes amtare, e cila mundet me qellue hindishtja, at’here e kujt asht gjuha angleze? Ose, ndoshta shembull ma i mire kish me qene spanjollishtja e portugalishtja, se amerikanet latine kane ba letersi, n’mos ma t’mire, t’pakten po aq cilsore sa Spanja e Portugalia. Problemi ktu asht qe te dy palet, iberianet e latinoamerikanet shkruejne n’gjuhe amtare, edhepse me variante t’ndryshme. Po due me thane qe n’betejen treshe n’mes t’kombit, gjuhes e njerzve, si bartes t’kombit e gjuhes, kombi asht i pari qe humb, apo ndrron ftyre. Ka raste kur gjuha ka humbe, si psh aristokracia ruse e para dy-treqind vjete ka fole frangjisht, e get qe e njajta gja i ka gjete edhe do shqiptare qe jane ba turq (asht interesant fakti qe vetem n’Kosove ka njerz qe shkruhen si turq, e kerkund tjeter n’ket qoshe t’Ballkanit – ndoshta me t’vertete jane turq). Por, kjo pune ma teper asht anomali se trend i pergjithshem.

    Nese n’pohimin tand e zavendson fjalen komb me shqipfoles, at’here biseda merr kahje tjeter, e cila pastaj lidhet ma shume me faktore jashtegjuhesor, si psh ekonomia, politika, interesat e kurreshtja, pra gjuha s’asht barriere per komunikim e afrim e perforcim. S’duhet me qene, nashta asht. Po mue po m’doket qe s’asht: shih, une mire boll i marr vesh njerzit, e ata m’marrin vesh mue, po interesat i kemi diametralisht t’kunderta: une jam per shkolle qe perqendrohet te nxitja e kurrshtjes, rrethi asht per shkolle qe interesohet per aftsim profesional; une jam kunder engjiou mentalitetit e pro shqetsimit shoqnor, rrethi asht per me ngajte mas fondeve e reklamimit. Ktu syn komunikojme n’nivel vlerash, edhepse gjuha asht n’rregull, e afte e e formulume per te dy pikepamjet.

    Pra, pre mue thelbi i cashtjes asht te vlerat, e kjo lidhet me piken e dyte qe dashta me ta komentue. Thue se mungesa gjuhsore pasqyrohet n’mungese shpirtnore. Mue m’duket qe vlen e anasjellta. Nese gjuha asht problem, at’here cka e pengon shoqnine me e shpraze pasunine shpirtnore permes mjeteve tjera, si psh moralit e sensit t’drejtsise, apo permes kultures jogjuhsore, muzikes, piktures, e si kto? Pelqimi i kangve magjupishte e tallavalla a qysh po ju thojne, edhe kofshin mveshe me nenshkrimin e Bregoviqit, nuk difton mungese t’finesave gjuhsore, po t’finesave kulturore, a mungese t’patunit per me thane dicka. Larg asaj qe une me e gjykue, bje fjala, muziken ballkanike, por vetem po e hetoj nji vobeksi n’ata qe po thuhet. Ban vaki qe mue s’a ka ma rroke.

    M’peqen entuziazmi e frymezimi qe e shkepe per me e ruejt e kultivue gjuhen, sepse vetem ket gja e kemi. Po m’duket qe kur nji gja merret ekskluzivisht me vetveten, pa ndikue n’tjeter send, i vjen koha per m’e ndrrue, e ndrrimet gjithmone jane shume t’dhimbshme. Per me e ruejt gjuhen, duhet prodhue mendim, e puna se ky mendim a asht gegnisht a standardqe shume pak qon kandar. Popullit i mungon mendimi, gjuha bahet vet.

    Ndoshta s’e kam mire…

    T’fala e tana t’mirat,
    Ardiani, tuj u mundue me e mbajte shtyllen e trete, gjuhen.

  6. Xhaxha, po e lexoja në Rss artikullin tënd dhe erdha me gjithë zemër që të përgëzoja për një artikull vërtet cilësor dhe që, vërtet vetëm se më shton repektin për punën tuaj.

    Kur thoni:
    “Kulturës shqiptare i mungojnë udhërrëfyesit në ligjërim, ose ata autorë të konfirmuar, gjuha e të cilëve të merret për model prej të tjerëve; sikurse i mungojnë edhe veprat madhore – në letërsi, por edhe në filozofi, publicistikë e histori”,
    unë s’do të shkoja aq larg sa dikush tjetër në komentet e mësipërme, unë atë e shikoj në momentin aktual, ku personat e aftë që të shprehin një mendim dhe të bëjnë një analizë, o janë të rrallë… o janë qëllimshëm të lënë mënjanë nga ato “forca injorante”, që ashtu siç thosh Adriani në komentin e tij, ju leverdis që populli të jetojë në atë varfni shpirtnore .
    Qoftë dhe vetëm për këtë është kënaqësi që të lexosh artikuj të tillë.

  7. Përparim dhe Edrus, ju falënderoj për komentet dhe më bëhet shumë qejfi që e vizitoni blogun. Sa për çështjen që ngre Nekja, kam të njëjtën përgjigje që e dha tashmë Edrusi – meqë e kisha fjalën për momentin e tanishëm, kur role models në kulturën shqiptare nuk kanë kurrfarë lidhje me ndonjë shprehje gjuhësore të admirueshme, por përkundrazi, synojnë popullaritet nëpërmjet vulgaritetit. Mirëpo gjuha nuk është thjesht stoli, ose ornament; por depërton deri në thelb të vetëdijes, sepse kur na mungojnë fjalët për diçka, praktikisht e kemi përjashtuar nga përvoja. Mitrush Kuteli, sikurse Ernest Koliqi, ose më vonë Dhimitër Shuteriqi, Jakov Xoxa, ose edhe një numër i madh përkthyesish të hatashëm (Halit Selfo, Bujar Doko, Spiro Çomora, Neka Turkeshi, Sotir Caci, Jorgo Bllaci, Misto Treska, Pashko Geci, Gjon Shllaku, Henrik Lacaj), por edhe figura elitare të lëna me zor periferive, si Anton Pashku e sidomos Martin Camaj, kanë treguar se shqipja i ka të mrekullueshme potencialet – listën me siguri mund ta shtojnë e ta plotësojnë të tjerët. Megjithatë, këta mjeshtra të fjalës nuk na ndihmojnë dot drejtpërdrejt për të përcjellë të sotmen; madje edhe trashëgimia e tyre shkon dëm, sa kohë që askush nuk ia kanalizon publikut. Mbaj mend, vite të shkuara, një seri dy vëllimesh të veprave të zgjedhura të Marksit dhe Engelsit, shtypur, në mos gabohem, në Gjermaninë Lindore; gjuha e përdorur atje më linte pa mend: filozofia gjermane në periudhën e shkëlqimit të saj, e përcjellë me një shqipe të rrjedhshme dhe joartificiale. Në përkthime të mëvonshme të Marksit (p.sh. në “Shënime për filozofinë hegeliane të së drejtës”) atë shqipe nuk e kam gjetur dot më. Forcën shprehëse shqipes së shkruar ia dëmtuan shumë faktorë, që i kam përmendur gjetiu; por këtu dua të theksoj mbylljen e dyerve ndaj filozofisë perëndimore dhe dëbimin e ligjërimit fetar nga sfera publike. Eshtë për të ardhur keq që shqipja e revistës së jezuitëve “Leka”, ose e revistës laike “Përpjekja”, të qëndrojë më lart, nga ana e shkëlqimit filozofik dhe forcës mendimtare, sesa e sotmja…

  8. Ardian, më ngacmojnë shumë komentet e tua dhe do të doja të ndalesha më gjatë siç edhe ndoshta do të bëj një ditë tjetër; por tani po mjaftohem të vërej se unë i jap gjuhës rol më qendror në përftimin e komuniteteve dhe të jetës shpirtërore; dhe kaosin e sotëm ndër shqiptarë e shoh edhe si pasojë të pështjellimit gjuhësor, ose humbjes së harmonisë midis emrave, sendeve dhe përdoruesve. Ndoshta diçka e mirë do të vijë nga kjo; ndoshta jo. Po sjell vetëm një shembull: kanunin. Shumë gjëra po bëhen në emër të kanunit, sikurse ka njerëz që me të drejtë shpjegojnë se kanuni sot shërben vetëm si pretekst për të përligjur hakmarrjen e verbër. Unë jam me këta të fundit, sepse e kuptoj që kanuni është, para së gjithash, tekst; dhe ky tekst sot nuk ekziston më në vetëdijen popullore, përveçse si hije, ose kujtim i një miti. Dikur, në komunitetet malësore kanuni ishte një matricë për të lexuar realitetin social, ose kyç deshifrimi etik; pse vetëm ashtu mund ta rregullonte sjelljen e grupit. E bënte botën të pranueshme duke u vënë sjelljeve emra. Kur hap e lexon kanunin sot, habitesh me skrupulozitetin e emrave; aq sa ndonjëherë të duket sikur po shfleton një fjalor. E kam fjalën që t’u vësh emra gjërave është një mënyrë edhe për t’i përvetësuar, për t’i njerëzuar, për t’i pranuar në eksperiencën e grupit. Si tekst (i shkruar ose i ngulitur në kujtesë), kanuni shërbente edhe si normë rregulluese e sjelljes dhe komunikimit mes malësorësh, edhe si normë gjuhësore, ose kod kuptimesh. Nga kjo pikëpamje, them, metaforikisht, se shqiptarëve të sotëm po u mungon, dramatikisht, “kanuni”, ose kodi i përbashkët për të lexuar realitetin.

  9. Tatjeta Mixhe,

    ta marrim nji shembull ma t’kapshem, demokracine. Ajo si emen, si nocion, bile edhe me pervoja e trajnime, me shkrime e traktate, asht shkepe me t’madhe nder shqiptare. Por, mungesa e vlersimit t’saj prej shpirtit t’shqiptarit ban qe kjo fjale me mbete e thate. E njajta vlen edhe per lirine e fjales, debatin e diskutimin, qe ngatrrohen me lojen fjala-mujtas, te drejten e obligimin qytetar, qe sot asht degradue n’fymje t’tipit katundar e boss, e si kto. Ndoshta mundesh me m’thane qe kto s’jane perkthye mire, mirepo muj me thane qe s’jane perkthye mire, sepse s’ka kush me i lexue.

    Sa per kanunin, mire e ke, ai i verteti duhet ruejt si nji totem shqiptar, e s’duhet perdhose si bahet sot per me i perligje krimet. Asht dashte populli m’u emancipue aq sa me dite kaq. Por, asht edh enji anomali ktu. Ngjarja ma markante e rezistences kosovare ka qene pajtimi i gjaqeve, qe asht ba bash tue u thirre n’ket kanun. Perkunder idiotsise s’hakmarrjes, kanuni ktu e ka luej nji rol t’madh per me e ba nji pune fisnike.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

  10. Ardian, këtë çështjen e demokracisë si koncept e kemi trajtuar në blog gjerë e gjatë te Anija e Tezeut (komentet); por duke lexuar komentin tënd, m’u kujtua një shprehje të cilën sot e dëgjon shpesh, në ligjërimin e folur e ndonjëherë edhe të shkruarin: kur erdhi demokracia. Pikërisht: kur erdhi demokracia… Jo kur vendosëm demokracinë; ose kur sollëm demokracinë, ose ndonjë shprehje tjetërsoj, që të tregojë se ne vetë e patëm një farë roli në këtë mes; por kur erdhi demokracia… Çka më tregon se jo vetëm që gjuha e di që demokracinë Shqipëria e importoi sikurse televizorët me ngjyra, benzat e vjedhur dhe OJQ-të, por edhe që kjo demokraci erdhi si të ishte ndonjë farë perëndie pagane, nga ato të botës klasike; për të sunduar mbi shqiptarët! Unë pyes: mirë kur erdhi, po sikur të ikë prapë? Kush do të na vijë pastaj?

  11. Tatjeta Mixhe,

    a nuk po e kallxon ky shembulli i kandshem qe e morre (“erdh demokracia si perendi pagane” – me ba be njeri qe e ka shkrue Kadareja), ate qe po e tham? Gjuha, edhepse e vobekte, po funksionon, nuk ka pshtjellime qysh kish me pase sikurse shqipja ta kishte t’vetme forme “qeli demokracia”. Problemi, qysh po e shoh une, asht se edhe po vepruen institucionet gjuhesore, njeriza s’jane t’interesuen me ju vnue veshin, sepse kane pune tjera, vlersojne tjera gjana. Sot, institucionet gjuhesore s’kane fuqi sanksionuese (psh me e ndalue botimin e nji shkrimi qe s’e respekton gjuhen), po edhe sikur t’kishin, nuk e di a kish me i ndihmue kjo zhvillimit shpirtnor, edukativ e kulturor t’shoqnise.

    Shpresoj qe “erdh demokracia” ka me qene xixe per shkrime t’tipit shqipja bashkekohore, sepse jam shume i interesuem me dite se cka kish me ofrue shqipja aty (jam i bindun qe shqipja mundet me ofrue shume). Shqipja totalitare, sado e shkeqlyeshme n’trajtim, e me vlere t’cmume, asht ka ban fjale per dicka jashte rrjedhave t’sodit, pra, s’e di se sa indentifikohet shqiptari i ri (hmm…) me sa thuhet aty, perpos rikujtimit.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

  12. mbrenda gjuhes shqipe vlerat jane te krijueme, problemi asht se gjuha shqipe vete nuk perceptohet ma si vlere…
    shikoni, realitetit asht me niveli, dhe sot, ky realitet i yni shqiptar, po organizohet ne nivele shum te ulta – veni re sesi shqiptaret u organizuen me ba masakren e qyteteve, fshatnave, arsimit, trashigimise; sa mire u organizuen me ba ’97, sa mire organizohen neper trafiqe, pislleqe, e horrlleqe; sa shpejt e sakte organizohen per tendera, shantazhe, vjedhje e hakmarrje,
    por nuk mberrijne me e organizue realitetin ne nivelet e nalta, qe jane nivelet e se mires dhe te dijes dhe te vleres
    gjuha shqipe shndrite paster prej rrafshnaltave te narracionit, e s’i hin ferre ne kambe pse na jetojme ne nji nivel aq te ulet te realitetit, sa i afrohet jo vetem atij te majmunit, por edhe atij te derrit

  13. Gjymtimi i shqipes ka shumë arsye. Njëra lidhet me rrënimin e shkollës publike shqiptare. Tjetra, me dobësimin e qëllimshëm të Institutit të Gjuhësisë pranë Akademisë së Shkencave.
    E treta, me shpërdorimin apo më mirë masakrimin që i bëhet gjuhës shqipe përditë nga televizionet dhe gazetat ne Shqipëri e Kosovë. Përdorimi i formave, konstrukteve apo fjalëve të huaja nga gazetarë e analistë snobë e të pagdhendur nuk po njeh kufi.
    Fjalë idiote si për shembull “potencoj” përdoren si pa gjë të keq, ndofta sepse e paraqesin përdoruesin e tyre si “të kënduar”…
    Por edhe politikanët në Shqipëri e Kosovë nuk ngelen pas.
    “Çdo të mirë” dhe “Tung” të urojnë si pa të keq vëllezërit politikanë kosovarë. duke harruar se e para është një përshtatje fare pa krypë nga serbishtja, ndërsa e dyta të ngjan si një therrje e mirëfilltë gjuhësore e fjalës së lashtë e të bukur shqipe “Tungjatjeta”.
    Kurse politikanët tiranas kanë kaluar çdo kufi në shpërdorimin e gjuhës së folur dhe të shkruar shqipe.
    Kampionin pa dyshim e mban ish-kryeministri Fatos Nano, të cilin, do të duhej që të njihje anglisht, italisht apo frëngjisht për t’u përpjekur për të kuptuar sadopak se çfarë kishte ai ndërmend në kumtimin e vet në shqip, që vetëm shqip nuk ishte.
    Edhe Berisha nuk mbetet shumë prapa, sidomos me neologjizmat e tij të çuditshme. Fjala “kripto-komunist” vjen së pari në mendje.
    Rama, duhet pranuar, se me stilin e vet kuvendar dhe gjuhën e thjeshtë duket si më i kuptueshmi për popullin.
    Ka sigurisht edhe politikanë që janë përpjekur të fusin xhevahire të tjera, si për shembull anglicizma si “speaker” për Kryetar Kuvendi, “draft”, apo italianizma krejt të panevojshme si “mazhorancë”, etj.
    Ndër përdoruesit më të mëdhenj të italianizmave, mbahet sidomos Presidenti i tanishëm. Edhe pse një figurë gjithsesi e respektuar, ai përmendet në ndonjë lagje dhe me një spërkitje të hollë humori si “Fabbene Cannone”…pikërisht si pasojë e prirjes së tij për të harruar fjalë shqipe në të mirë të përdorimit vend e pa vend të fjalëve nga italishtja.
    Para disa vitesh, emisioni i shumëndjekur televiziv “Fiks Fare” [edhe ky me titull aspak të përshtatshëm], ftonte një qytetar kinez me banim në Tiranë, i cili, me një shqipe shumë të rrjedhshme, dhe me shumë humor, korigjonte politikanët për gafat e tyre të shpeshta gjuhësore.
    Po tash kinezi gjuhëtar nuk dihet se ku është.
    Edhe një botim shumë i mirë i dikurshëm i revistës GJUHA ka humbur pa lënë gjurmë.
    Gjuhët edhe vdesin. Prandaj ruajtja dhe pasurimi i tyre nuk mund të përjashtojë rolin e shtetit, sic po bëhet përshembull me një gjuhë të madhe si frëngjishtja, apo me një gjuhë të rallë e të vogël si baskishtja. Madje roli i shtetit është vendimtar.
    Po kush ta bëjë këtë në Tiranë apo Prishtinë?

  14. Vlen te shohesh progresin e kesaj teme nga

    Adrian Vehbiu me shkrimin; Tru te hekurosur

    Debatet për mënyrën si e përdorim gjuhën kapen ndonjëherë peng temash dytësore si paskajorja, duke lënë mënjanë çështjen alarmante të varfërimit të ligjërimit shqip, publik dhe privat. Ky varfërim – në leksik, në regjistra të shprehuri, në sintaksë, në aftësi për të këmbyer kod – shkon paralelisht me varfërimin tjetër shpirtëror të shqiptarit, ose në thjeshtëzimin e frymës. Nëse gjymtimi gjuhësor është vetëm pasqyrë, apo edhe një nga shkaqet e këtij thjeshtëzimi, kjo mbetet për t’u shqyrtuar; sikurse mbeten për t’u analizuar marrëdhëniet e kulturës së sotme me autoritetet të cilave ende u beson, ose u druhet shqiptari.

    Nuk bëhet dot bisedë intelektualësh në televizion, pa nisur ndonjë prej të ftuarve të shpjegojë, herët a vonë, se “nuk të lë Europa” të bësh kështu ose ashtu. Tjetërkund të thonë se “ashtu e kërkon Amerika”, ose “Greqia është xheloze për bregdetin tonë”. Të jenë këto metafora të pafajshme ose shkurtore të ligjërimit, apo mishërime të mendësisë paralogjike ose magjike, e cila i rrëfen marrëdhëniet ndërkombëtare si të ishin mite perëndish pagane? Futesh në një tjetër forum, për të dëgjuar ndonjë ligjërues të përmendë se “kur erdhi demokracia…”, si të ish fjala për fanepsjen e Cortez-it në Meksikë!

    Europa, NATO-ja, Amerika, Banka Botërore, Tranzicioni, Demokracia – kështu fillon lista e perëndive të rreme në Olimpin tonë postkomunist; për të vazhduar pastaj me perëndi të tjera minore e shtëpiake: Drita, KESH-i, Uji, Korrupsioni; ca të mira ca të këqija, ca me ne, ca kundra nesh. Për të parafrazuar shkrimtarin anglez, Chesterton, kush nuk beson në veten, do t’i besojë gjithçkaje tjetër. Ligjërimi publik rëndom ushqen vizionin fatalist, sipas të cilit, historia e të sotmes shkruhet tjetërkund dhe veprimet e individëve, të shquar e të pashquar, diktohen nga hyjnitë përkatëse. Kultura publike tashmë e ka bërë kapërcimin nga shamanizmi totalitar i adhurimit të Kreut ose Yllit të Karvanit, në politeizmin “demokratik”, ku zotat konkurrojnë pluralisht me shoku-shokun, për të pushtuar tregun e lirë të vullneteve qytetare.

    Ky regres prek, ndonjëherë duke përçudnuar, edhe ç’ka mbetur nga tradita. Tashmë të gjithë e pranojnë se shumë vrasje e krime anembanë Shqipërisë bëhen “për Kanun”, duke folur për këtë të fundit, si të ishte idhull pagan që ende sundon skutat e rrëzat e provincës, të fshatit e të malit, për t’u kuturisur ndonjëherë edhe para kamerave urbane e për t’u krekosur në faqet e para të gazetave e në titujt e lajmeve televizive. Dikur institucion rregullues i jetës së përditshme, Kanuni funksionon tani si alibi e shëmtisë etike, ose e krimit për motive të dobëta. Për faj të këtij leximi të çartur të ligjit të maleve, sot e kësaj dite më shumë se 1200 fëmijë rrinë të ngujuar e larg shkollave e shesheve të lojërave, për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Edhe pse vrasja e fëmijëve nuk sanksionohet gjëkundi, përveçse në mesazhin mashtrues të një tjetër perëndie të paqenë.

    Të jetë kjo pasojë, sado e pjesshme, e pështjellimit gjuhësor ose e humbjes së harmonisë midis emrave, sendeve dhe përdoruesve? Çfarë është Kanuni sot, përveçse pretekst për të përligjur shtysat hakmarrëse, ose fjalë që i është përtharë kuptimi prej kohësh? Përndryshe, kush merr mundimin të shfletojë atë të vërtetin e të vjetrin, nuk mund të mos e vërë re se Kanuni është para së gjithash tekst, madje tekstil gjuhësor. Dikur, ky tekst i përvetësuar mendërisht e i trupëzuar në jetën e përditshme, shërbente për të interpretuar dhe sistemuar realitetin social, ose si kyç deshifrimi etik. E bënte botën të pranueshme duke u vënë akteve emra të përpiktë: mohi, beja mbë gur, zhgarkimi, shpifja, dishmija, hjeksia, beja për derë, sedija, ndorja, ndeshkimi… Kur hap Kanunin sot, habitesh me skrupulozitetin pothuajse leksikografik të emrave e të shpjegimeve; aq sa ndonjëherë të duket sikur po shfleton një fjalor. T’u vësh emra gjërave, është një mënyrë edhe për t’i përvetësuar, për t’i njerëzuar, për t’i qasur në përvojën e grupit. Si ligjërim i ngulitur në kujtesë e i përcjellë brez pas brezi duke u zbatuar, Kanuni shërbente edhe si normë rregulluese e sjelljes dhe komunikimit mes malësorësh, edhe si normë gjuhësore, ose Kod i kuptimeve. Dje, hyjnia e ligjit tradicional u shfaqej shqiptarëve si formë ligjërimore ose logos; sot si shtysë demonike – si të mos shqetësohesh pastaj për degradimin gjuhësor?

    Katastrofa e mësipërme të bën të mendosh se, metaforikisht, shqiptarëve të sotëm po u mohohet virtyti – njëkohësisht konceptual dhe gjuhësor – për ta përjetuar racionalisht botën. Thjeshtëzimi i gjuhës krijon premisa për zëvendësim të arsyes me bestytni; meqë çka nis si metaforë ose personifikim, përfundon e përfytyruar si agjenci e vullnetshme. Europa, NATO-ja, Amerika, Demokracia, të cilat gjetiu funksionojnë si tekste ose kode të sjelljes, të politikave dhe të jetës publike, ndër ne janë katandisur në burime autoriteti të verbër, ose përligjje trashamane të absurditetit e të kapriçiove të atyre në pushtet, ose intrigave e interesave vetjake. Kur dëgjon ligjëruesit publikë të thonë se “NATO-ja kërkon këtë apo atë”, “Europës i mbeti qejfi me këtë apo atë”, “Perëndimi na e ka bërë të qartë se…”, të duket sikur këta kanë zhvarrosur një lloj ligjërimi bestyt të errësirës, për ta tejbartur keq e me zor në të sotmen.

    Raportet e paganizmit me këtë farë ligjërimi shfajësues i ndriçon edhe pozita e një figure të tillë qendrore si Ismail Kadareja, në kulturën shqiptare. Si shkrimtar, Kadareja na ka blatuar tekste me të cilat lexojmë, madje rilexojmë përvojat e djeshme; por edhe ia rikrijojmë thelbin pothuajse mitik shqiptarizmit në shekuj, shtjelluar brenda universesh të ndryshme perandorake. Publiku ia përcjell fjalën me nderim të pashoq, madje edhe ata që ia kundërshtojnë haptazi; sepse ky shkrimtar është ndoshta i vetmi që i jep shqipes së sotme instrumente deshifrimi të përshtatshme, në trajtë përpunimesh gjuhësore.

    Po të tjerët? Sa i pranishëm është, në kulturën shqiptare bashkëkohore, ai lloj ligjërimi gjuhësor-artistik i aftë për të ndërmjetësuar të shkuarën e për t’ia lehtësuar traumat shoqërisë nëpërmjet paraqitjes simbolike? Në një ese të shkruajtur në vitin 1949, kur bota po zbulonte, pak nga pak e dëshmi pas dëshmie, tmerrin e persekutimit të hebrenjve evropianë nga nazizmi dhe shfarosjen e tyre në kampet, filozofi Theodor Adorno u pat shprehur se: “Të shkruash një poemë pas Auschwitz-it është diçka barbare”. Fjalët e Adornos më shkojnë ndër mend sa herë dëgjoj, ose përjetoj, ose lexoj për mrrudhjen e përmasës artistike të jetës në Shqipërinë e sotme, deri atje sa edhe publiku vetë të zvjerdhet, e të rriten breza ushqyer me telenovela dhe video të turbullta në YouTube. I lënë pa rrëfyer, totalitarizmi ende ia viziton të tashmen shqiptarit, duke ia mbyllur edhe sytë edhe veshët edhe gojën, e duke ia topitur mendimin.

    Kanë vërejtur, për Mesjetën, se krejt komunikimi kulturor asokohe shtjellohej brenda ligjërimit fetar; sot ndoshta duhet pohuar e njëjta gjë për masmediat, të paktën në Shqipëri. Kjo dukuri e bën protagonizmin e politikës veçanërisht të shëmtuar. Një shoqëri që nuk ka pishtarët e vet udhëndriçues, është shoqëri e brutalizuar; e gatshme për t’u egërsuar e për t’u argalisur si lukuni majmunësh. I njëjti arsyetim vlen edhe për fenë; sepse kjo qenka kaq e rëndësishme për funksionimin normal të shoqërisë, sa në mjedise fetarësh edhe ateistët funksionojnë më mirë. Mjaft të vëresh sa i ka shërbyer kundërvënia ndaj katolicizmit prodhimtarisë intelektuale të majtë në Itali, me në krye Umberto Eco-n. Fakti që ligjërimi religjioz i shqipes nuk u lëvrua për dekada të tëra ia ka tharë trungun gjuhës, duke e privuar nga një përmasë e domosdoshme; në një kohë që fetë vetë sot katandisen, për shumëkënd, në shenja të identitetit të grupit si të ishin fanella klubesh futbolli. Kur ngushëllohemi se Evropa po bëhet përditë e më agnostike, harrojmë se agnosticizmi atje, si çdo luks tjetër, shtjellohet duke iu referuar pranisë kapilare të Krishterimit në çdo aspekt të jetës publike; ndërsa për ne shqiptarët kjo nuk ka vlerë, sepse ne i mjaftohemi kryqit që varim në qafë dhe përbuzjes për ata “të fesë tjetër”.

    Edhe teknologjia masive ka gisht në këtë masakër mendjesh – sikurse provon shqipja e keqtrajtuar e SMS-ve ose e përkthimeve të telenovelave; sintaksa e çalë e reklamave në gazetat ose TV; ose drejtshkrimi i krasitur i teksteve të afishuara në Internet. E mbështetur në modele gjuhësh të tjera, shqipja publike e mediave shpesh i tëhuajëzohet shqipfolësit, duke iu drejtuar nga një pikë e përtejme, jashtë sferës ku riprodhohet gjuha vetë. E keqja këtu nuk është vetëm te varfërimi i shprehjes, por edhe e kryesisht te varfërimi e pakësimi i personit vetë teksa vetëshprehja rrëgjohet e ngec, komunikimi ndërvetiak reduktohet në dominim, në erotizëm e në shkëmbim parash, strukturat narrative shthuren e zëvendësohen me zhargonin vizual të reklamës e të vitrinës.

    Shqiptarëve të sotëm po u mungon përnjimend “Kanuni”; jo ai i Lekës, as i Maleve, as demoni polivalent që ua përligj kanibalizmin të dëshpëruarve – por Kanuni, si Kod i përbashkët për të lexuar realitetin e për t’u vënë emrat e duhur sendeve, ose lubrifikant i jetës kombëtare. Në kafenetë mjaftohemi t’i rrëfejmë njëri-tjetrit mite pas mitesh, të cilat tashmë kanë reshtur së qeni vetëm stenografi e mendimit, për të kultivuar bindjen se skenari i roleve tona shkruhet tjetërkund dhe se të gjithë ne, vdekatarët, jemi në mëshirë idhujsh zemërakë, që ia dhurojmë vetes nga dëshpërimi.

    Natyrisht, ende e gjejmë forcën të habitemi e të pikëllohemi me valën e krimeve në Shqipëri, por edhe me materializmin e shfrenuar, korrupsionin, krekosjen, grykësinë e makutërinë e njerëzve, VIP-at, mosbesimin ndaj tjetrit, femrën e keqtrajtuar, shpërfilljen ndaj normave etike, regresin në sjellje deri në ringjallje mendësish që i kujtonim të kapërcyera. Bëjmë me faj për këtë krizën morale që ka pllakosur vendin, pakësimin e kapitalit social ose tkurrjen e hapësirës publike, paranë të kthyer në faktor motivimi ekskluziv, ose xhahilët që ia imponojmë publikut si role models.

    Nuk e teproj, po të shtoj mes këtyre fajtorëve edhe përçudnimi e shqipes vetë; sepse nuk është shaka që shqiptari të mos i gjejë dot më fjalët për të bërë paqe me veten, e ta projektojë pastaj tërbimin e ndrydhjes ose të memecllëkut mbi të tretët e pafajshëm; pa harruar edhe t’u falet perëndive të rreme që ia ka sajuar vetes. Si atdhe njerëzish të lirë dhe krijues, Shqipëria nuk mëkëmbet dot kurrë pa e marrë veten shqipja.

  15. “Shqipëria nuk mëkëmbet dot kurrë pa e marrë veten shqipja” Thote ne
    mbyllje Ardian Vehbiu te ketij
    shkrimi, qe rrale here ke fatin te lexosh per shume kohe tani. Mendoj
    se ky shkrim eshte pjese e
    asaj qe kerkon vet autori, se ndryshe nuk do te shkruante ate qe po
    sheh aq bukur, por do te
    humbte ne replika me koleg te tjere, edhe pse jo gjuhtare,
    shkrimtare apo politikane, le te
    them. Procesi eshte vlere qe s’duhet ngaterruar me rrezultatin. Ky
    raport shembull
    (Proces-rrezultat), per te mos u demoralizuar nga rrezultate te
    shumeshemtuara, se po aty, si
    hapsire kohore, ku Ardian Vehbiu shkruan me ndjeshmeri shqetesimin e
    tij, po prej gjuhes, qe te
    tjere bejne baterrdi, pa ndjeshmeri, me te, nga ajo, Ai, si kushtrim autori
    gjuhsore i dhuron asaj
    (gjuhes) kete shkrim.

  16. Tatjeta,

    nese truni i hekurosun asht pergjigje n’pytjen se a asht e gjymte shqipja a shqiptari, une jam i deshpruem, sepse s’lexova dicka t’re.

    Kanuni asht tekst i perfunduem e s’asht i hapun per shtesa t’reja. Interpretimet qe sot ja bajne, krimet n’emnen t’tij, s’e ndotin Kanunin, por diftojne per padijen, ligsine, e vorfnine e interpretuesit modern, dmth vepruesit qe hakmirret tue e nxane Kanunin n’goje. Pra, per mue, qysh jam shprehe ma pare, gjymtimi ktu s’asht i Kanunit (t’atehershem), por i shqiptarit (t’tashem). Njajte e shoh edhe raportin e gjuhes me bartesin e saj. Modelet prej t’cilave duhet me msue jane, nji grumbull autoresh u permenden. Problemi asht te shqiptari qe s’do m’i lexue e me marre mend prej tyne, bile s’do as m’i imitue. M’vje nder mend ajo letra Vox Clamansis in Desserto qe e kane shkrue nji grumbull kosovare per letersine qe duhet njeke, per shmangjen qe duhet ba realizmit socialist. As at’here, as sot kerkush s’ju ve veshin atyne.

    Pra, diagnoza qe botes shqipe, si gjuhe e si njerez, sot i mungon Kanuni per t’lexue realitetin, mendoj qe, nese s’asht e gabume, e qe une besoj qe asht, t’pakten lyp nji shtjellim me ma shume faktore: interesat e shqiptarit, shkollen e tij, marredhaniet n’shoqni, e si kto. Shqiptari s’e ka humbe udhen se s’ka harte, por sepse s’a ka di se cka me ba.

    Megjithate, m’erdh mire qe shkrimi, qysh n’titull, e ka ba nji levizje prej gjuhes e gjymtimit t’saj, kah bartesi i saj, ma konkretisht truni i hekurosun i tij.

    Zotit amanet,
    Ardiani

  17. U nguta pak pares, e tash pas nji rileximi t’trunit t’hekurosun, s’jam i deshpruem, perkundrazi, m’vjen mire per shkrimin. Perderisa gjymtimi i shqipes mirret kryesisht me shqipen, te truni lexoj edhe per shqiptarin, e kjo asht ajo qe e lypa.

    Hala jam i mendimit qe shoqnia e shqipja e kane kanunin, oferta shoqnore asht, bile edhe pervoja asht (edhepse shumekush po thote qe u harruen komunizmi n’Shqipni e atofar beteret n’Kosove me Serbi e Jugosllavi), por njerzit me vullnet s’jane. Pse populli asht i habitun, s’e di. Ndoshta se hala s’u ngi, pra, i unti s’e ka problem m’e gjymtue t’pagjymtueshmen?

    Tana t’mirat,
    Ardiani, ndoshta me nja dy tri rrudha n’tru, e tuj ju kerkue falje per merzine eventuale qe ban vaki ju shkakton.

  18. Ndër politikanët kosovarë me shqipen më të pakuptueshme është Hashim Thaqi. Një mikeshë e imja po konkurronte në një provim ku kërkohej përkthimi nga shqipja në anglisht i një materiali politik. Qëlloi që asaj t’i binte një fjalim i Thaqit.
    Kërkesa ishte që përkthimi të ishte sa më i saktë, dmth të paraqiste edhe nuancat, origjinalitetin e kumtimit, etj.
    Përkthimi i saj në anglisht nuk kishte fare kuptim për arësyen e thjeshtë se vetë fjalimi i Thaqit në shqip nuk kishte kuptim, dhe asaj nuk mund t’i lejohej që ta “përmirësonte”, zbukuronte apo lustronte.
    E varfëra nuk arriti të kapërcejë kufirin e nevojshëm për të kaluar, pra humbi provimin…

  19. Qofsha i gabuem, por mue më duket se breznitë e kosovarve që janë shkollue në vitet 1980 dhe 1990 nuk kanë mësue m’e shkruejtë mirë gjuhën shqipe. Jo për faj të tyne, as të familjeve, as t’institucioneve t’arsimit në Krahinë, por pse janë shtypë dhe persekutue kulturalisht prej serbve. Kosovarët banë përpjekje heroike m’ua mësue fëmijëve gjuhën amtare edhe në shpija private, por heroizmi asht heroizëm, me ia heqë kapelen, vetëm se s’ka të bajë me cilësinë e gjuhës dhe të shprehunit. Kur lexoj do shkrime autorësh të këtyne brezave, më duken të gjymtuem në gjuhë e ndoshta në koncept. Po këta nuk kanë problem m’u shprehë bukur në anglishte e në gjermanishte, po ta lypë puna e zanati, prandaj nuk asht çashtja te prapambetja intelektuale. Edhe ma keq, kur dëgjon ndonjë tip që nuk ka ba asnjë klasë shkollë në shqipe, të ankohet fort për standardin e shqipes, se paska diskriminue gegnishten, e t’ia japë pastaj municionin Migjen Kelmendit me trima tjerë kulturalë, për me thanë se gegu nuk mundet me e përvetësue standardin tosk se nuk iu përshtatka. Mirëpo shumë prej këtyne me gegnishte kanë parasysh të folmen e katundit ku kanë lê, dhe presin të bahet deti kos e të shkruhet letërsia me po atë dialekt që flasin me tataloshin, se sa për Fishtën e Koliqin, kujtojnë se janë mëhalla t’Shkodrës. Me këtë nuk po due me thanë se ato të Shqipnisë e shkruejnë shqipen ma mirë, sepse edhe ato që nga 1990-a e këtej rrumpallë kanë ba, aq sa shumë prej tyne as shkrimet në gazetë nuk po i marrin vesh mirë, sapo nisin m’e kapërcye nivelin e shkollës fillore (sado që kjo ndodh rrallë e tek, pse edhe gazetat shokët e tyne ua shkruejnë). Një gja asht e vërtetë: shqipja e shkrueme duhet m’u mësue në shkollë për shumë vite, sepse sido m’e kthye, asht gjuhë artificiale, sikurse çdo gjuhë tjetër e shkrueme.

  20. Tatjeta Kallxues,

    asht edhe nji element tjeter i fajit qe e ka shkolla per shqipen e dobet n’Kosove: landa Gjuha shqipe e ka letersine mbrenda, e msusi e sheh t’udhes qe ma mire (ma lehte?) me ba letersi se gramatike. Ndoshta se permes shkrimtarit indoktrinohesh, jo permes gramatikes.

    Tana t’mirat,
    Ardiani

  21. Shkolla mund të ketë qenë ose mund të jetë e dobët në Kosovë, por disa vite më përpara kam parë një botim të mrekullueshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës – Vepra e plotë e Prof. Eqrem Çabejt e botuar deri atëhere. Padyshim diçka shumë pozitive.
    Çabej e kishte më të lehtë të botohej në Prishtinë se sa në Tiranë….

  22. Armand Suli shkruan:

    Shkolla mund të ketë qenë ose mund të jetë e dobët në Kosovë, por disa vite më përpara kam parë një botim të mrekullueshëm të Institutit Albanologjik të Prishtinës – Vepra e plotë e Prof. Eqrem Çabejt e botuar deri atëhere. Padyshim diçka shumë pozitive.

    I kam pasur edhe unë ato botime, madje veprat e Çabejt i kam marrë me vete në SHBA. I përkasin pranverës së vogël të kulturës shqiptare në Kosovë, para demonstratave të vitit 1981, dhe shtypjes policore prej serbëve. Në atë kohë Prishtina po luante rol liberalizues ndaj Tiranës; teksa shumë profesorë e akademikë prej Tirane shkonin të jepnin leksione në Universitetin e Prishtinës dhe hynin në lidhje, atje, me kolegët e tyre kosovarë, që kishin pasur mundësi të bridhnin Europën e që kishin një predispozitë intelektuale më të ndritshme e më pak të indoktrinuar sesa ata prej Shqipërie, edhe pse këta të fundit mund të ishin teknikisht më të përgatitur. Seritë e librave botuar në Prishtinë: veprat e Çabejt, por edhe veprat e Naim Frashërit, Lasgush Poradecit e Migjenit, qarkullonin edhe në Tiranë; nuk ishte edhe aq e vështirë t’i siguroje në Ndërmarrjen e Shpërndarjes së Librit (ose diçka e ngjashme). Ishte e mrekullueshme t’i kishe ato vepra në duar, edhe pse cilësia filologjike e botimit ishte tepër e dobët – plot gabime shtypi, pasaktësi në transliterime dhe të tjera probleme teksti. Megjithatë, mangësitë tipografike i kompensonte pasuria e prurjeve – ku tjetër mund t’i gjeje ato kritika e analiza letrare të veprës së Migjenit që i kishin përmbledhur në një vëllim të veçantë të veprave e që na dukeshin aq moderne (ndoshta vërtet ashtu ishin)? Njëkohësisht, edhe poezia në Shqipëri po ndikohej mjaft prej poetëve më hermetikë e simbolistë prej Kosove: Esad Mekulit, Ali Podrimes, Sabri Hamitit… të cilëve iu bashkuan Ndoc Gjetja, Adem Istrefi, Rudolf Marku, Preç Zogaj e të tjerë poetë gegë prej Shqipërie. Filologjia shqipe në Prishtinë, me dijetarë të kalibrit të Idriz Ajetit, Rexhep Qoses, Ibrahim Rugovës, Rexhep Ismailit, Besim Bokshit e të tjerëve po e drejtonte me dorë të sigurtë edukimin gjuhësor të kosovarëve në shqipen e shkruar mbarëkombëtare, duke u dhënë shkollave libra, motivim e sidomos mësues jo vetëm të apasionuar, por edhe të përgatitur. Kjo e bën edhe më të qartë se çfarë katastrofe ishte viti 1981, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë e kulturën shqiptare. Që atëherë, rrethanat historike dhe politike të atjeshme e vendosën, paradoksalisht, vetëdijen kombëtare dhe përkushtimin në luftë kundër shtypjes dhe diskriminimit prej serbëve në përpjesëtim të zhdrejtë me edukimin kulturor të kosovarit si shqiptar.

  23. Tjeta,

    Pervec te tjerave, mue me habit fakti qe Shqipes i mungojne disa fjale elementare ne komunikim te perditshem. Per shemull, fjalet Turke si, merak, caj, cift, bile, usta, kusur, borxh (borç) e shum t’jera nuk kan zevendsim ne Shqip (ase nuk i di une). Mund t’jusitfikohen fjalet e reja si computer (prap edhe kjo duhet me u perkthye me nji fjale pershtatse ne shqip (sic bâjn Spanjollt, e Frengt), por si âsht e mujtun qe kto fjale jane hala te ngulna ne Shqipfoles e nuk kan burim tjeter Shqip…?

    Tana t’mirat

  24. Pershendetje te ngrohta e te perzemerta Xha Xha

    Jam nje lexuese e re e blogut tuaj. Ka vetem pak dite qe nje mik me dergoi link-un e blogut tuaj dhe te them te drejten nuk po e lexoj por “po e ha me sy”. Me ngroh shpirtin nje blog i tille kaq cilesor dhe me mbush me kenaqesi dhe shrese kur shoh se eshte ne shqip. Ka vite qe nuk lexoj me ne shqip, perveҫ “i classici” te perkthyer ne te kaluaren. Pjesa me e madhe e perkthimeve te fundit, per fat te keq, me jep dhimbje koke. Sintaksa duket se nuk eshte me e rendesishme ne keto perkthime dhe me duket se perkthyesit harrojne se gjuha, ndermjet te tjerash, eshte pasqyra e te te menduarit. Ka vite qe po asistoj, natyrisht ne menyre passive, ne nje fenomen te tille si ai i “perҫudnimit” te shqipes se folur dhe te shkruar. Dhe per mua qe jetoj jashte shtetit, nje gje e tille mbetet “kafshate qe skaperdihet”.

    Ju pergezoj thellesisht e sinqerisht. Uroj (dhe per kete jam e bindur) vetem qe nje dite blog-u juaj, perveҫ hapesires se domosdoshme qe krijon per nje “rendezvous” shpirteror, te mund te ndergjegjesoje ate pjese “autoritetesh” qe merren me ruajtjen e kultures shqiptare per ruajtjen e gjuhes shqipe dhe perparesite qe kjo e fundit duhet te kete ne axhendat e tyre.

    Tung

  25. Tung?
    Mos është gjë fjala për variantin frengjisht të “Mao Tse Tung”?
    Ju lutem – hiqni dorë nga capërlimi i shqipes!
    Sidomos kur vetë tema e kumtimit është “gjymtimi” i saj…
    Tungjatjeta!

  26. Më sipër, në kumtin 13, shkrova se “Rama, duhet pranuar, se me stilin e vet kuvendar dhe gjuhën e thjeshtë duket si më i kuptueshmi për popullin”.
    Më duhet të pranoj se qenkam gabuar. Të paktën pjesërisht.
    Kthesa erdhi kur mësova për një dokument të ri të PS, të datës 7 shkurt 2008, të nënshkruar furishëm nga z. Rama, dhe që mban titullin kumbues “Enciklika IV – Energjia”, anipse z. Rama në hyrjen e vet e quan vetëm si “Enciklikën e Tretë”. Për më shumë shikoni tek http://dialogumeshqiperine.com/blog/?m=20080206.
    E katërta apo e treta, pak rëndësi ka.
    Më kot rrëmova në Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe, Kostallarin e vitit 1980 të gjeja fjalën “enciklikë”. Nuk ndodhej aty.
    Besoj se as tek Fjalori më i fundit i Elezit nuk gjindet, edhe pse kjo duhet kontrolluar.
    Gjithsesi, e gjeta më së fundi tek Fjalori i Gjuhës Italiane tek http://www.dizionario-italiano.it
    Fjala në fjalë përkufizohet atje si një “letër që Papa u dërgon peshkopëve dhe besimtarëve për çështje të besimit apo disiplinës ose për çështje të ditës.”
    Përse duhet vallë, z. Rama, që ta fusë në shqipen politike një fjalë të tillë?

    PS. Nuk e di pse më erdhi ndër mend edhe një huazim tjetër i guximshëm në shqipen politike, kësaj rradhe me autor z. Ngjela. Kur i përmenduri ishte dikur në kryesinë e Partisë Aleanca Demokratike, ai u bë nismëtar i një farë forumi partiak të quajtur “Eklezia”…fjalë e rrjedhur nga greqishtja e vjetër që do të shqipërohej thjesht si “kuvend” apo “mbledhje”.
    Mirëpo fjala “eklezia” në gjuhë të tjera ka kuptim kryesisht fetar.
    Po t’i shtojmë kësaj edhe “enciklikën”, atëhere ndofta ka vend pyetja se përse vallë politikanët shqiptarë priren në huazimin dhe përdorimin e panevojshëm të termave të huaja me përmbajtje fetare në politikë? Shteti sikur është i ndarë nga feja, tha…

  27. Fjala enciklikë në gojën e Ramës edhe mua më bëri përshtypje; meqë termi, siç e sqaron Armand Suli më lart, zakonisht u referohet letrave qarkore që harton Papa dhe që i shpërndan Vatikani. Ngaqë e njoh pak Ramën, nuk ma merr mendja të jetë fjala për atë farë humbjeje të delikatesës gjuhësore ose të papilave të shijes, që duket t’i ketë pllakosur të shumtën e folësve publikë në Shqipëri; por atëherë duhet shqyrtuar hipoteza tjetër, njëlloj shqetësuese, se konotacioni klerikal është futur në ligjërimin politik të socialistëve qëllimisht. Doemos, është fare lehtë të përdorësh një fjalë si qarkore, e cila ia përmbush funksionet “enciklikës”, përveç referimeve kulturore në autoritetin e pagabueshëm të kreut të Kishës Katolike; aq më tepër që shumë nga marrësit e atij dokumenti nuk janë në gjendje ta dallojnë enciklikën nga qarkorja, ose vetëm sa e kujtojnë si diçka që do të përsëritet në mënyrë ciklike. Hajde merre vesh. Për Ramën thonë se i ka këshilltarët e Public Relations të klasit të parë madje me përvojë ndërkombëtare; edhe pse jo ekzaktësisht katolikë – e aq më pak besoj se socialistët shqiptarë duan të identifikohen me katolicizmin në Shqipëri. Atëherë? Ta kenë zgjedhur atë term vetëm ngaqë tingëllon mirë? Apo ngaqë përshoqërohet, njëfarësoj, me terma të tjerë si enciklopedi, cikël, riciklim, cikloj e kështu me radhë (por jo ciklotimi, tricikël dhe ciklotron)? Disesi nuk e përfytyroj dot shpirt-artistin Rama dhe piktorin alternativ të mureve të kryeqytetit shqiptar si Papë Enciklopedik të Ricikluar.

  28. “Disesi” nuk e përfytyroj dot shpirt-artistin Rama dhe piktorin alternativ të mureve të kryeqytetit shqiptar ….

    E shoh per here te pare fjalen ne kete forem; “Disesi”

    Gjuha s’te jep me shume se kaq ngopje me ngarkese, fryme e drite.

  29. Prof. Jorgo Bulo citohet tê ketë kërkuar sot mbrojtjen e gjuhës shqipe me ligj. Ligji ka qenë hartuar nga Akademia e Shkencave dhe i ishte përcjellë Kuvendit të mëparshëm. Sipas Bulos, “standardi është i hapur ndaj dialekteve”. Bulo shpreh shqetësim për gjendjen e gjuhës pas vitit 1990. Për më shumë, shiko http://www.top-channel.tv, një TV vetë emri i të cilit, përbën një cënim të hapur të shqipes.

  30. sa keq kur shikon qe nje shqipfoles te kete pak konsiderate per gjuhen amtare, por ndonse nga mosnjohja e thelle e saj apo nga pervoja e paket ne kerkimin e leksikut dhe morfologjise shqipe.

  31. Një intervistë interesante e Presidentit Topi, e cila gjithsesi ia vlen të analizohet edhe për atë se si gazetari apo i intervistuari e zbatojnë standardin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe.
    Pyetje: sa fjalë apo ndërtime gramatikore të huaja përdorin ata?
    Për më shumë tek:
    http://www.president.al/shqip/info.asp?id=3966

  32. Sot në Tiranë u shpall zyrtarisht hapja e Vitit për nderimin e Eqrem Çabejt.
    Le të shpresojmë se nderimi i merituar i kërij vigani të studimeve të shqipes do të rrisë vëmendjen për pastërtinë e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e saj nga gjymtimi dhe shpërfytyrimi i përditshëm prej shtypit, mediave dhe politikanëve.

  33. ne fakt shqipja eshte nje gjuhe shume e vjeter dhe si pasoje zhvillimi i saj sa vjen dhe shtohet, megjithate mendoj se ajo duhet ti ruaje akoma ato cilesite e veta qe e karakterizojne, se te huazosh fjale nga gjuhe te tjera dhe ti perdoresh ato shabllon ne gjuhen shqipe, me falni po qe ketu fillon , “bastardimi” i gjuhes amtare… gjeja qe urrej em shume eshte te shikoshj njerezit te cilet me apo pa dijenine e tyre , qe te lene per te deshiraur e perdorin huazimin vend e pavend… megjithate cdo gje varet sa rendesi i kushton, nqs duam qe nje dite te bukur shqipja te zhduket dhe te zevendesohet me gjuhe te tjera, kjo ehste ne varesi te ndergjegjes sone… nqs deshirojme qe ta ruajme me vullnet kete gjuhe qe eshte simboli i shqipetareve, atehere secili te mendoje per me te miren… cdo gje nis nga ne, KUSH E DO LIRINE , I THYEN HALLKAT VETE… GJITHE TE MIRAT NGA SHORTY

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin