BUKË ME EMËRIME

Në një farë kuptimi, raporti midis opinionit publik dhe mediave i përngjan formulës së konsumuar “veza pulën apo pula vezën”. Në këtë pikë, Shqipëria nuk bën përjashtim. Fije të padukshme zgjaten nga baret, kafenetë, trotuaret, zyrat, për të shkuar drejt redaksive të gazetave. Dhe anasjelltas.

Publiku i qëndron politikës së kuadrit në Shqipëri, njëlloj siç i qëndrojnë tifozët vendimeve të arbitrit. Çdo tifoz i vërtetë e ndjen veten më kompetent se arbitri dhe në të shumtën e rasteve nuk e ka gabim. Megjithatë, ky krahasim nuk na ndihmon ta kuptojmë deri në fund misterin e obsesionit të opinionit publik shqiptar ndaj emërimeve të ndryshme në politikë e administratë.

Fijet e mësipërme kanë vepruar edhe në këtë pikë, përderisa edhe gazetarët bëjnë pjesë në opinionin publik. Kam kohë që e vërej si fenomen: gazetat janë të marrosura pas emërimeve dhe lëvizjeve të shahut në politikë. Deri diku është normale, përderisa edhe në vende të tjera rendet me pasion pas lotarive emërtimore. Mirëpo, pasioni ka marrë në Shqipëri ngjyresat e obsesionit. Ja çfarë nxora pas shfletimit të gazetave këtë fundjave (nga faqet e para).

19 janar 2008

Albania
47 shefat e rinj të Universitetit te Tiranës dhe të Politeknikut
Cilët janë në balotash, në çfarë fakultetesh ka mbetur ende vendi pa një emër konkret dhe kur pritet të marrin detyrën e re

Metropol
PD – Nis gara për postet në kryesi

Shqip
Aleatët: Berisha hiqe Xhuvelin

Sot
Shkarkohet drejtoresha e Tatim-Taksave, Gerta Picari

Tirana Observer
Emërimet: struktura e re e policisë së Tiranës

Shekulli
Ndarja, kush janë tre klanet në PD

Korrieri
Mësuesit: si do caktohen gradat

20 janar 2008

Gazeta shqiptare
Zyrtari i Shik-ut tek tatimet, njeriu i Albatros tek burgjet

Panorama
Tek tatimet: Ikën Picari, në krye ish drejtori i Shik

Shqip
Rokadë te Tatimet, ikën Picari emërohet Sefgjini

Sot
Berisha, furtunë në administratë, ja emërimet e reja

Korrieri
Njeriu i Gazidedes tek tatimet

Vëmendjen e tepruar për lëvizjen e pushtetit do ta gjeni vazhdimisht në faqet e para të gazetave, ku më shumë e ku më pak. Por nuk di të them nëse kjo varet nga fakti se politika merret më shumë me administrimin e pushtetit se sa me zbatimin e programeve, apo nga trashëgimia totalitare kur emërimet ose shkarkimet ishin të lidhura drejtpërdrejt me jetën personale e të gjithë fisit. Ndoshta obsesioni i shqiptarëve për politikën e kuadrit dëfton se pesha specifike e politikës në Shqipëri është ende përcaktuese në lojën e faktorëve. Ka mundësi.

Tema kërkon përnjimend studim të posaçëm. Di që qytetari i thjeshtë nuk mund të jetojë vetëm me bukë dhe emërime. Po ashtu edhe gazetat. Sepse jeta publike nuk mund të reduktohet në emrat e përveçëm që zënë karriget pushtetore. Por, nëse më emëroni në ndonjë organizëm të rëndësishëm kontrollues, edhe mund ta gjej përgjigjen e saktë.

1 Koment

  1. Kjo sëmundje është tipike e të gjitha atyre vendeve ku emërimet janë politike në çdo nivel. Besoj se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se fatkeqësisht në Shqipëri (dhe jo vetëm atje) nuk mbizotëron merita në ndonjë fushë të caktuar por thjesht përkatësia partiake. Them partiake qëllimisht për mos ti dhënë rëndësinë e fjalës politike, sepse mendoj se kjo e fundit qëndron disa shkallë më lartë.

    Kthehem shpesh në Shqipëri dhe ambienti që më rastis të shikoj më shpesh janë pikat tona kufitare, Tirana dhe Vlora në veçanti për sa më përket. Ato janë pasqyra ideale e mekanizmit që administron pushtetin në vendin tonë.

    Kur ishte në pushtet PS-ja në portin e Vlorës punonin disa persona. Sapo pushtetin e mori PD-ja pothuajse i gjithë personeli i portit u ndryshua, duke nisur që nga polici që qëndron tek dera e deri tek drejtori i përgjithshëm i doganës.

    Vëmendja që zgjohet për emërimet është pothuajse normale sepse ato përfshijnë një rrjet shoqëror shumë të madh dhe lëvizin me një mekanizëm zinxhir që interson shumë njerëz.

    Problemi qëndron në faktin se njerëzit, edhe pse në aparencë ankohen vazhdimisht, shpresojnë të jenë pjesë një ditë e sistemit të pushtetit dhe nuk mendojnë se sistemi duhet çmontuar. Të gjithë shpresojnë që për një problem apo hall të mund të kenë ndihmën e të afërmit, shokut apo mikut që njeh filanin apo fistëkun apo që punon atje e këtu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin