SHKRONJA NË UDHËKRYQ

Në shkrimin Udha e shkronjës “ë”, kur përfytyruam me nota humoristike historinë e saj, lamë jashtë e nuk u thelluam në disa aspekte që kanë nevojë të nënvizohen më tej, edhe pse i kemi trajtuar herë pas here këtu në blog.

Përderisa shkronja ë vazhdon të snobohet, kjo do të thotë se argumentet funksionaliste nuk i kanë bindur shqipshkruesit. Shembujt e kundërvënies e/ë brenda sistemit të shqipes, që jepte Xhaxhai pak kohë më parë, tregojnë se dy shkronjat, pavarësisht nga ngjashmëritë, kanë role të ndryshme në gjuhë. Në rast se këto role ngatërrohen, atëhere kemi rritje të konfuzionit në shqip.

Siç dihet, shkronja ë, për efekt shpejtësie, nuk përdoret me disa mjete teknologjike, sidomos kur jemi duke përdorur kanale informale të komunikimit. Kështu, kur shkruajmë një sms, e kemi realisht të vështirë ta fusim shkronjën ë. Për arsye mungese në tastierë, por edhe për kohën që kërkon gjetja e ë-së. Më e thjeshtë paraqitet situata në tastierën e kompjuterit, sepse përfshirja e shkronjës sonë kërkon më pak kohë dhe mundim. Megjithatë, kur shkruajmë në chat, për shembull, nuk është se e përdorim, ngaqë vetë konteksti lyp shpejtësi në shtypjen e shkronjave.

Vetëm disa ditë më parë i shkrova një sms me celular një kolegut tim, i cili më kërkonte në telefon, por unë nuk i përgjigjesha dot në atë çast. Teksti i mesazhit ishte pak a shumë ky: “Me sherbim jashte. Ne veri. Pune pune. Me merr me vone, me co email, ose do te te tel une”. Pasi e dërgova me shpejtësi, i rihodha një sy më të vëmendshëm. Mesazhi është i qartë, por kërkon lodhje suplementare për t’u dekodifikuar, pikërisht se mungon ë-ja dhe ç-ja. Asgjë e jashtëzakonshme, por një farë pengese lexuesi e has. Përveç shkurtimeve të kushtëzuar nga shpejtësia dhe mjeti, kemi mungesën e dy shkronjave që e ngadalësojnë kuptimin e tekstit.

Por ka edhe ndërlikime semantike. Pikërisht në mesazhin e mësipërm (e kapa krejt rastësisht) është një pjesë që kolegu im mund ta ketë keqkuptuar, për faj të mungesës së ë-së. Në fakt, fjalët “Pune pune” mund të interpretohen në dy mënyra: “Punë pune” çka do të thotë se jam me shërbim për çështje të punës, ose “Punë punë”, çka do të thotë se plasa duke punuar, pra kam shumë punë për të bërë. Unë desha të komunikoj rastin e parë, por nuk e përjashtoj që marrësi i mesazhit të ketë kuptuar të dytën, në rast se nuk e ka marrë si përsëritje në shtypje të sms-së. Edhe tek përsëritja e mërzitshme e fjalës me, mund të thuhet diçka e ngjashme, meqë kërkon zbërthim të vazhdueshëm për të mos e ngatërruar me fjalën tjetër , që ka rol e kuptim tjetër.

Që teksti me të gjitha shkronjat e alfabetit ka lexueshmëri më të rrjedhshme, pra rezulton më i përdorueshëm edhe nga pikëpamja funksionale, vërtetohet kur e rilexojmë të plotë sipas drejtshkrimit. “Me shërbim jashtë. Në veri. Punë pune. Më merr më vonë, më ço email, ose do të të tel unë”.

Me këto shtrembërime të alfabetit emigrantët janë mësuar prej kohësh, madje edhe në dokumentet zyrtare. Në Itali mungojnë rregullisht shkronjat ë dhe ç, ndërkohë që situata rëndohet nga fakti se italianët nuk janë shquar ndonjëherë në shqiptimin e emrave të huaj. Kështu, të afërmit tim me emër Çaush, ia kanë shkruar në dokumente Caush, si rrjedhim e thërrasin rregullisht Kaush, me K dhe jo me Ç, duke ia shtrembëruar emrin. E njëjta gjë i ndodh edhe kolegut me mbiemrin Çali, të cilin në Itali ia shqiptojnë emrin Kali, meqë në dokumente ç-ja mungon. Mund të thuhet e njëjta gjë për mungesën e shkronjës ë, pavarësisht se veshi na e duron më shumë.

Ajo që është nënvizuar më pak, përveç anës funksionale (natyrisht më të rëndësishme), është çështja estetike. Le ta themi se tekstet pa ë janë të shëmtuara, të paktën kështu më duken mua personalisht. E kuptoj që aspektet janë të lidhura bashkë, sikurse e kuptoj që ata shqiptarë që nuk e përdorin shumë ë-në dhe nuk janë ekspozuar në kohë ndaj saj, nuk i kanë antenat e duhura për të kapur deformimin estetik të tekstit. Megjithatë nuk mund të mohohet se teksti konsumohet edhe në nivel estetik.

Përdorimi i ë-së në ueb, sidomos në komunikimet ndërpersonale, nuk është i përhapur. Madje përdorimi i ë-së dhe i ç-së në mesazhe e-mail ose sms mund të përshenjojë regjistër tjetër komunikues. Për shembull, kohë më parë një mik, me të cilin nuk lidhesha prej kohësh, më dërgoi një e-mail të gjatë ku ë-ja ishte vendosur saktësisht e pa asnjë përjashtim. Ishte e qartë që mesazhin e kishte shkruar fillimisht me program të specializuar për shkrimin dhe më pas e kishte ngjitur në postën elektronike. Nga një anë m’u bë qejfi kur e pashë tekstin e bukur, nga tjetra nuk e di pse m’u duk pak formal e disi i largët, edhe pse e perceptova si shenjë respekti.

Drejtshkrimi nuk është vetëm tërësi rregullash disiplinore, por komunikon diçka më shumë, pikërisht falë respektimit të tyre.

Së fundi, dy shkronjat e persekutuara gjenden në një udhëkryq të trafikuar, ku kalon gjithashtu funksionalizmi, estetika, drejtshkrimi, por edhe teknologjia. Në këtë pikë duhet thënë se ë-ja dhe ç-ja na tregojnë me mungesën e tyre diçka më shumë nga raporti që kemi me mjetet teknologjike. Nuk është rastësi që ne shqiptarët duam t’ia përshtatim alfabetin tastierës dhe jo tastierën alfabetit. Çështja është shumë më e madhe se ajo drejtshkrimore. Por në rast se persekutimi që i bëhet dy shkronjave të mësipërme, do të na vlejë për t’i bërë vetes pyetje serioze për gjuhën, por edhe për përdorimin dhe konceptimin e teknologjisë në kulturën tonë, atëherë edhe sakrifica e tyre e përkohshme do të jetë më pak e dhimbshme.

6 Komente

  1. Duke pasur parasysh qe nuk ka asgje te dhene nje here e pergjithmone, ndryshime jo te dhimbshme mund te behen ne alfabet e ne rregullat e drejtshkrimit qe te evitohet krejtesisht perdorimi i shkronjave tekanjoze “ç” dhe “ë”. Keshtu:

    1. Sikurse perdorim pa ndonje problem “th”, “gj”, “nj”, “zh” e sidomos “xh”, perse te mos perdorim “ch” ne vend te “ç” ?

    2. Per shkronjen tjeter problemi mund te jete me kompleks, por mund te fillohet me mosshkruajtjen e saj kur eshte e patheksuar dhe me zevendsimin e saj me a ose me o, si ne variantet gegnisht kur “ë” eshte e theksuar ne drejtshkrimin e 1972.

    1. Kot po them: po sikur t’i shtojmë tastierës një shkronjë më shumë? Se mua më tekanjoz më duket ky qëndrim përjashtues, se sa shkronjat e akuzuara. Vendet serioze i porosisin, ose i detyrojnë prodhuesit e kompjuterëve t’ua përshtatin tastierën alfabetit vendës. Sepse sipas kësaj logjikës tënde, ata që përdorin alfabete jo perëndimore, ose që kanë shkronja të çuditshme, duhet ta ndryshojnë krejt gjuhën. Faji, them unë, nuk është i tastierës.

    2. Keni shtrire kete “LOGJIKEN” time per dicka qe mua as me kishte shkuar mendja, dmth une nuk dola me pretendimin qe edhe kinezet. vietnamezet, turqit e sidomos hungarezet duhej t’i reduktonin alfabetet e tyre ne menyre qe t’ia pershtatnin tastieres USA te kompiuterit. Se dyti, nuk ishte ndonje “LOGJIKE” ishte thjesht nje mendim i shprehur pa ndonje pretendim te vecante ne nje blog, thjesht per te anashkaluar nje problem, qe ndonese nuk me duket kushedi cfare i llahtarshem, prapseprape, jep rast per te shkruar essera.

      Me duket se mendimi im, sidomos sa i takon shkronjes “ç” eshte krejtesisht logjik dhe sidomos konsistent me pjesen tjeter te alfabetit perse “x” dhe “xh” dhe jo “c” dhe “ch”? Vec kesaj ka shembuj sa te duash te nderhyrjeve ne alfabete, ndoshta jo thjesht per hir te tastieres se kompiuterit, por qofte edhe per arsye te tjera. A nuk e hoqen nga qarkullimi gjermanet “beta” per ta zevendsuar me “ss”???

      Sic edhe e kisha thene me pare evitimi i perdorimit te shkronjes tjeter eshte me kompleks, por jo pa zgjidhje.

      Sa per prodhimin e tastierave me shkronjat tona “built in” ne hardware, askush nuk te ndalon si individ ta porositesh dhe te paguash parate perkatese, por besoj se e dini qe me shume pak perpjekje (dmth duke evituar pertacine tone kakteristike) keto shkronja mund te merren fare thjesht me disa menyra.

    3. Në fakt, këto janë dy propozime të ndryshme nga natyra. Më duket krejt e pranueshme që të pranohet varianti alternativ i të shkruarit të ç-së si ch, në raste kur nuk ekziston zgjidhje tjetër; por kjo është zgjidhje thjesht tipografike, që ka precedenca në shumë gjuhë të tjera europiane. Edhe në italishte rëndom do të ndeshësh në dokumente (p.sh. shkresa noterike) ku fjala ATTIVITÀ të jetë shkruar ATTIVITA’. Për arsye të ngjashme, në disa gjuhë që përdorin diakritikët, fut këtu edhe frëngjishten, ka qenë lejuar që diakritikët të mos përdoren kur fjala shkruhet me shkronja të mëdha – p.sh. PENDANT L’ETE dhe jo PENDANT L’ÉTÉ; dhe kjo zgjidhje ka qenë praktikisht e detyrueshme, pasi radhitësit në shtypshkronjë e kanë pasur të pamundur të vendosin diakritikët sipër shkronjave të mëdha. Edhe gjermanishtja ka përdorur dhe vijon të përdorë grafi alternative për disa prej shkronjave të saj me dakritikë, duke shkruar ndonjëherë, bie fjala, Maerchen der Brueder Grimm, në vend të Märchen der Brüder Grimm (pra duke e zëvendësuar umlautin me një e pas zanores përkatëse); ose duke shkruar ss për ß, sa herë që tastiera nuk e përmban shkronjën e dytë. Të gjitha këto janë, siç e thashë, konvencione tipografike tashmë të vjetëruara – ngaqë i përgjigjen një teknologjie të kapërcyer.

      Edhe për ë-në janë propozuar versione të tilla, p.sh. Bashkim Kopliku pat propozuar që të shkruhej si ee; problemi me këtë propozim është se ë-ja është shumë e shpeshtë në përdorim, dhe dyfishimi i numrit të shenjave që duhen për ta paraqitur do t’i frynte tekstet tej mase; duke i rënduar shkruesit (që do të detyroheshin të shkruan, p.sh. eeshtee).

      Përkundrazi, propozimi juaj, për të mos i shkruar disa prej ë-ve, nuk është më tipografik, por drejtshkrimor; dhe mbështetet mbi premisën – të paktën të diskutueshme – se ë-të mund edhe të largohen nga fjalët, pa e dëmtuar kjo komunikimin. Nuk dua që një diskutim në thelb tipografik ta shndërroj në një diskutim për drejtshkrimin dhe standardin; por vetëm po mjaftohem të vërej se nuk shkon që një vështirësi në thelb teknike, ose tipografike, ta përdorim si pretekst për të bërë ndërhyrje në alfabet, të tilla që të prekin drejtshkrimin e shqipes dhe që andej edhe standardin; sepse vështirësitë teknike duhet të jemi në gjendje t’i zgjidhim pa e kapërcyer sferën përkatëse, pra t’u japim një zgjidhje njëlloj teknike.

      P.S. Dhe jo, gjermanët nuk e kanë hequr gjë nga përdorimi shkronjën ß (vetëm gjermanët e Zvicrës nuk e përdorin).

    4. Me kalimin e kohës gjërat kanë ndryshuar. Më kujtohet se në vitet nëntëdhjetë kishte gazeta që i shtypnin tekstet pa shkronjën ë. Tani vështirë të gjenden gazeta që nuk e respektojnë shkronjën në fjalë. Vështirësitë tipografike e/o informatike të viteve të para postotalitare janë tashmë kapërcyer.

      Edhe propozimi i atëhershëm i Bashkim Koplikut, për ta zëvendësuar ë-në me ee, tingëllon aktualisht jo vetëm më pak emergjent, por edhe jashtë kohe. Sa për zëvendësimin e shkronjës ç, mua më duket krejt e tepërt si kërkesë, meqë përdor tastierën italiane ku ç-ja zotëron pozicion të privilegjuar para gishtave. Praktikisht, të gjithë ata që përdorin tastierën italiane nuk e ndjejnë aspak nevojën për zëvendësimin e ç-së. Por ua kuptoj sikletin bashkatdhetarëve që përdorin tastiera të tjera.

      Në mënyrë indirekte, kjo tregon nga një anë se ekzigjenca për ta ndërruar alfabetin nuk është kaq homogjene ndër shqiptarë, nga tjetra dëshmon se zgjidhje teknike mund të gjenden për nevoja teknike.

      Po t’i kishim adoptuar kërkesat që vinin në vitet nëntëdhjetë e dymijë për ndryshimin e alfabetit, për arsye në thelb teknike, sot do të kishim një rrëmujë totale, meqë disa nga problemet e atëhershme janë kapërcyer nga teknologjia që sa vjen e perfeksionohet. Ndryshime mund të bëhen gjithnjë, sepse këtu s’ka asgjë ideologjike, por për kësi problemesh, a nuk do të ishte më e arsyeshme t’i kërkonim teknologjisë më shumë? Nuk e përjashtoj mundësinë që edhe këto diskuptimet tona të tingëllojnë të vjetra pas disa vitesh.

    5. Ha, e dija qe ß e kishin zhdukur te gjithe gjermanet, dhe megjithe kete pasaktesi, besoj se relevanca e komentit nuk zbehet, madje perforcohet edhe me shume, sepse tregon qe popullata qe flasin gjuhe te perbashket me popullata te tjera, qofshin keto te fundit edhe shume me te medha ne numer, mjafton te kene tagrin dhe hyqmin per te ndryshuar alfabetin me te cilin shkruajne po ate gjuhe si vellezerit e medhenj dhe kete e bejne (a mund ta bejne) fet e fet.

      Ne kete kuptim “ç”-se se gjore potencialisht mun t’i kercenohet nje rrezik shume me i madh se ai qe buron nga mungesa e saj ne tastieren e kompiuterit. Ne nje skenar imagjinar. shqiptaret e Kosoves, psh, qe tashme kane edhe tagrin edhe hyqmin per te ndryshuar alfabetin qe perdorin per te shkruar ate qe flasin mund te mendojne e thone, pa dale nje here, per qfare na duhet kjo shkronja “ç”, qe perveq qe nuk e kemi ne tastiere, nuk dime edhe per qfare ta perdorim, pra po e heqim fare….. Puna eshte se pastaj, kur te duan te shkruajne |çika| kane per te shkruar |qika| dhe kjo mund te merret si veta e trete njejes e menyres habitore e foljes perkatese.

      Rast tipik i ngaterrimit te shkronjave, per shkak te ngaterrimit te tingujve eshte edhe dyshja ll-dh (vjell – vjedh), po nejse ky eshte problem tjeter dhe nuk po zgjatem.

      Ideja e Koplikut per te perdorur |ee| ne vend te “ë” si atehere, si tani me eshte dukur dhe vazhdon te me duket teresisht jopraktike, dhe shume batalle.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: