SHQIPJA TOTALITARE (XXIV)

Ligjërimi totalitar i shqipes ishte kod i trupëzuar në kodin e ligjërimit zyrtar, me rregullat dhe tiparet e veta relativisht të pavarura nga rregullat dhe tiparet e ligjërimit shqip në përgjithësi. Gramatika e shqipes vërtet të detyronte që një emër të gjinisë femërore ta cilësoje me një mbiemër të gjinisë femërore, por nuk përmbante ndonjë rregull tjetër, sipas të cilit një fjalë si fitore e përdorur në situata publike, ishte mirë të shoqërohej me mbiemrin e lavdishme; ose një fjalë tjetër si uniteti, me mbiemra të tillë si i çeliktë, ose i pathyeshëm.

Shtetasit e diktaturës së proletariatit i merrnin kontaktet e para me këtë kod që fëmijë, nëpërmjet mediave – radios dhe televizionit; pastaj në mënyrë shkencërisht të organizuar, në bankat e shkollës, e më pas kudo në jetën publike. Të bëheshe qytetar i shtetit totalitar donte të thoshte edhe të fitoje aftësinë për t’u shprehur në publik në pajtim me rregullat e kodit të ligjërimit totalitar; çka ishte veçanërisht e rëndësishme për të gjithë ata që synonin një farë karriere çfarëdo. Të flisje rrjedhshëm shqipen totalitare ishte kyç për suksesin shoqëror dhe profesional.

Kontakti me ligjërimin totalitar ishte dyfarësh: ekspozim pasiv ndaj ligjërimit publik, dhe riprodhim aktiv i këtij ligjërimi. Idealisht, çdo akt ligjërues duhej të ndiqte modelet e përvetësuara gjatë ekspozimit pasiv, duke filluar që herët në fëmini.

Ekspozimi pasiv

  1. Në shkollë, nëpërmjet teksteve të këndimit dhe të leximit, të ngjeshura me materiale politike dhe ideologjike; shembujve në tekstet e gjuhës shqipe; teksteve të edukatës morale-politike, e më pas të historisë së PPSH; teksteve të letërsisë shqipe të realizmit socialist, etj.
  2. Në shkollë, nëpërmjet pjesëmarrjes pasive në orën politike ose të informacionit politik, leximit kolektiv të materialeve të Partisë dhe të veprave të Enver Hoxhës, bisedave me veteranë etj.
  3. Në shkollë, nëpërmjet pjesëmarrjes pasive në mbledhjet e organizatës së Pionierit ose të Rinisë.
  4. Kontakti me mediat, nëpërmjet leximit të gazetave të përditshme, ose revistave; dëgjimit të radios dhe më pas ndjekjes së programeve televizive të RTSH, mes të cilave sidomos emisionet e lajmeve, emisionet politike, kronikat e drejtpërdrejta të ngjarjeve politike si Kongreset e PPSH, etj.
  5. Leximi vetjak i veprave të Enver Hoxhës, materialeve të Partisë dhe materialeve të tjera me natyrë ideo-politike (p.sh. revista “Rruga e Partisë”).
  6. Pjesëmarrja në mitingje, manifestime dhe të tjera veprimtari masive.
  7. Pjesëmarrja pasive në mbledhje në qendrën e punës, në lagje, të organizatave profesionale, të Partisë (për komunistët), të fshatit, etj., ku trajtoheshin çështje me natyrë ideopolitike.
  8. Leximi kolektiv, ose punimi i veprave të Enver Hoxhës në qendra pune.
  9. Format e edukimit, gjatë të cilave zbërtheheshin dhe analizoheshin materiale me natyrë ideopolitike.
  10. Tekstet në mjediset publike, duke përfshirë parrullat, pankartat, shpalljet, fletë-rrufetë, posterët, pllakatet, thirrjet, mbishkrimet murale, materiale të shkruara në tabela nderi, gazeta muri ose në këndin e kuq ose të transmetuara nga qendrat e zërit në mjedise të caktuara; ose ovacionet dhe parrullat e hedhura në mitingje.

Riprodhimi aktiv

  1. Në shkollë, nëpërmjet përgjigjeve në mësim, hartimeve, referateve të ndryshme, diskutimeve në orën politike; deri edhe në fjalitë e hartuara për detyrë shtëpie në lëndën e gjuhës shqipe.
  2. Në shkollë, nëpërmjet diskutimeve në mbledhje rinie ose veprimtari të ngjashme.
  3. Në shkollë, nëpërmjet hartimit të temave e punimeve të kursit, temave të diplomave, disertacioneve në fusha me natyrë ideo-politike.
  4. Në qendrat e punës dhe në lagje ose në fshat, nëpërmjet diskutimeve në mbledhje me natyrë ideo-politike.
  5. Në format e edukimit, ku pak a shumë të gjithë duhej të merrnin pjesë, për të diskutuar rreth veprave të marra në analizë.

Qytetar i denjë konsiderohej ai që jo vetëm merrte pjesë aktivisht në ndërtimin e socializmit, por edhe ishte në gjendje të shprehej në publik, për të komunikuar me kolegët, eprorët dhe sidomos (idealisht) me Partinë dhe “shokun Enver”. Individët që kishin arritur ta përvetësonin artin e të shprehurit në shqipen totalitare quheshin “të formuar”, “të brumosur me mësimet e Partisë”, “me formim të shëndoshë ideo-politik” e kështu me radhë.

Mësuesit

Nëse të gjithë shqiptarëve u duhej ta mësonin e përvetësonin kodin sa delikat, aq edhe artificial, të ligjërimit publik totalitar, atëherë ka vlerë të identifikohen edhe “mësuesit” e këtij kodi.

Burimi primordial i shqipes totalitare ishte Enver Hoxha, i cili përmbushte edhe rolin e gjuhëkrijuesit, duke u dhënë kuptimin e duhur guaskave të termave politike, ideologjike dhe ekonomike që përdoreshin nga mediat dhe në ligjërimin publik. Megjithatë, për vetë pozitën e tij jashtë sistemit totalitar, Enver Hoxha ishte më pak i detyruar se të tjerët për t’iu bindur shtrëngesave të kodit. Në të vërtetë, një nga funksionet e kodit të shqipes totalitare ishte që t’u shërbente përdoruesve si fjalëkalim ose provë e besnikërisë ndaj pushtetit; për çka Enver Hoxha, i vetmi mes të gjithë shqiptarëve, nuk kishte nevojë.

Për këtë arsye, ligjërimi totalitar publik shfaqet në tiparet e veta të plota në hallkat më të ulëta të hierarkisë ligjërimore: në kryeartikujt e gazetës “Zëri i Popullit”, në raportet e organizatave të Bashkimeve Profesionale e të Rinisë, në telegramet dhe letrat që kolektivat punonjëse i dërgonin udhëheqjes, në fjalimet e përvjetorëve të Brigadave Sulmuese, në inaugurimet e veprave të pesëvjeçarëve, në fjalimet e udhëheqësve dytësorë me rastin e festave politike, jubileve, paradave, e kështu me radhë, deri në fletë-rrufetë, diskutimet në mbledhjet e bllokut dhe hartimet e nxënësve të klasës së katërt.

Ligjërimi totalitar publik kishte profesionistët e vet: propagandistët, profesorët e marksizmit, mësuesit e letërsisë e të gjuhës, sekretarët e Komiteteve të Partisë që kishin në ngarkim “propagandën”, instruktorët e Partisë, instruktorët e Rinisë, gjithfarë gazetarësh që u shkruanin fjalimet udhëheqësve minorë, redaktorët e mediave, autorët e teksteve shkollore, punëtorët e Partisë, të deleguarit, agjitatorët. Këta gdhendës virtuozë të fjalës së drunjtë ndihmoheshin me materiale të ndryshme, “për përdorim të brendshëm”, që hartoheshin në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ose edhe më shpesh nga pedagogë e kursantë të Shkollës së Partisë në Tiranë. Ishte fjala për një repart skalitësish gjuhësorë me aftësi shprehëse mbi mesataren, të cilët kishin për detyrë të përpunonin e të mirëmbanin kodin e shqipes totalitare, kryesisht duke e normalizuar.

Normalizimi

Normalizimi i shqipes totalitare kryhej në disa rrafshe, sipas funksioneve dhe rangjeve të ligjëruesve.

Për shembull, titujt e gazetës “Zëri i Popullit” mund të formësoheshin në bazë të një modeli të lidhore-urdhërores ose urdhrit të zhdrejtë, të tipit:

Të vëmë në jetë vendimet e Kongresit VII të PPSH.

Klasa punëtore në vendet revizioniste të zbresë në fushë të betejës dhe të luftojë kundër tradhtisë hrushoviane.

Të tregojmë më shumë kujdes me inteligjencien e fshatit.

T’u qepemi kodrave dhe maleve e t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat.

Meqë ky organ ishte praktikisht i autorizuar të përcillte urdhrat dhe direktivat nga instancat më të larta të udhëheqjes.

Përkundrazi, një letër e një kolektivi punonjës drejtuar Enver Hoxhës, do të ndiqte pak a shumë një skemë të tillë:

Në një kohë që mbarë vendi është mobilizuar për të realizuar para afatit objektivat e Planit IV Pesëvjeçar, edhe ne, punonjësit e Ndërmarrjes Rruga-Ura, të frymëzuar nga fjalimi juaj programatik me kuadrot e rrethit të Matit, duam t’ju sigurojmë se…

Nëse kryeartikujt e “Zërit të Popullit” specializoheshin në lidhore-urdhëroren, zotimet e kolektivave mbizotëroheshin nga e kryera – kur ishte fjala për rezultatet e arritura; dhe nga e ardhmja – kur ishte fjala për zotimet e marra.

Normalizimi gjithashtu kishte të bënte me ruajtjen e një raporti të drejtpeshuar mirë midis gjuhës së drunjtë, ideologjike nga njëra anë, dhe klisheve retorike të ngjyrimit emocional nga ana tjetër. Përdorimi i këtyre të fundit, në fakt, erdhi duke u stilizuar deri në atë shkallë sa ka vend të flitet për një gramatikë retorike të ligjërimit totalitar.

Për shembull, ishte krejtësisht e pranueshme të thuhej:

Populli ynë i mrekullueshëm/liridashës/heroik

Në një kohë që togfjalësha të ngjashëm si populli ynë i hatashëm, populli ynë i admirueshëm, populli ynë i shkëlqyer, populli ynë rebel, populli ynë i panënshtruar, etj. do të tërhiqnin vëmendjen pa nevojë, me risinë e tyre. Thelbi ishte që të përdoreshin mjete gjuhësore të tilla që t’i krijonin publikut përshtypjen se këtë ligjërim e kishte dëgjuar edhe më parë, sikurse do ta dëgjonte edhe më pas. Vijueshmëria e ideve, ose solidariteti me ligjërime të mëparshme kishin përparësi ndaj komunikimit të ndonjë përmbajtjeje konkrete. Fjala totalitare duhej të mishëronte soliditetin e shtetit totalitar, në hapësirë, në kohë dhe në mendim.

Klishetë me ngjyrim emocional, në parim, duhej të shërbenin si shenja të përfshirjes edhe emocionale të folësit në argument; por për shkak të përdorimit të përsëritur e të shumëfishtë, si dhe të automatizimit, kishin përfunduar në shenja të thjeshta të përvetësimit të kodit nga ana e folësit. Ngjyrimi emocional në këto shprehje kishte humbur prej kohësh, për t’u zëvendësuar nga dëshira, në mos paniku, për t’u konformuar. Kuptimi i mbiemrit i zjarrtë në shprehjen me dashuri të zjarrtë për Partinë ishte që togfjalëshi dashuria për Partinë, në kontekste ligjërimi publik, pritej të shoqërohej nga mbiemri e zjarrtë.

Ligjëruesit e shqipes totalitare duhej të mësonin që fjalimi i Enverit ishte gjithnjë programatik, lufta gjithnjë heroike, revolucioni gjithnjë i pandalshëm, dhuna e diktaturës së proletariatit gjithnjë revolucionare, partizanët tanë gjithnjë trima, e kështu me radhë. Çështja këtu nuk ka të bëjë aq me vërtetësinë e këtyre epiteteve; sepse të zotëroje përdorimin e togjeve si fjalim programatik, masa të menjëhershme, shërbëtor i popullit, përpara drejt fitoresh të reja, flamuri ynë i ngjyer në gjak, zëri i Shqipërisë është zëri i së vërtetës, jemi fanar ndriçues, e qindra e qindra të tjera klishe të ngjashme të kualifikonte vetvetiu si “komisar të dritës”, ose megafon për zërin e padronit total.

Nëpërmjet përvetësimit dhe riprodhimit të shqipes totalitare, publiku merrte pjesë në proceset politike dhe ideologjike i të cilave ishte edhe, në thelb, viktima kryesore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin