NËNA E DIJES

Ky ligj, të thotë juristi autoritar, është nga më të mirët që kemi – e kemi kopjuar fjalë për fjalë nga kushtetuta gjermane.

Unë them që pikërisht këtu fillon katastrofa për Shqipërinë e sotme.

Duhet të ketë në botë fe ose kulte që të predikojnë se kopjimi është mëkat i rëndë, prandaj duhet praktikuar vetëm në rrethana të posaçme, nën mbikqyrjen e një kleriku, shamani ose vajze të virgjër.

Unë di që në Shqipëri me fe ose kulte të tilla qeshin nga mëngjesi deri në darkë. Pastaj qeshin prapë edhe natën.

Kam lexuar diku që drejtori i një pinakoteke në Firenze i kish zëvendësuar të gjitha veprat e çmuara të koleksionit të vet me kopje të ekzekutuara profesionalisht. Me vite të tëra askush nuk e kish vënë re që veprat nuk ishin ato të vërtetat, derisa më në fund u gjet një kritik arti që – me frikë të madhe – e shprehu dyshimin.

Drejtori u mbrojt, duke shpjeguar se ashtu i mbronte kryeveprat nga hajdutë të mundshëm. Pyetja ime: nëse kopja nuk dallohej nga origjinali, atëherë…

Thonë edhe se, kur vidhet ndonjë vepër arti e famshme, në treg fillojnë të qarkullojnë disa kopje të saj – të gjitha autentike. Si pasojë, origjinali u mbetet hajdutëve i pashitur…

Dikur ishte organizuar një konkurs për imituesin më të mirë të Chaplin-it. Sipas gojëdhënës, Chaplini vetë kuturisi të marrë pjesë në konkurs, me emër tjetër; por nuk u ngjit dot më lart se vendi i tretë.

Deri më sot, shteti i Shqipërisë ka kopjuar pavarësinë dhe mbretërinë nga fqinjët, totalitarizmin nga Rusia, demokracinë e sotme nga Perëndimi. Këtu nuk e kam fare fjalën për të gjithë ata të cilëve, kur përkulen sot të falen myslimanisht, u varet nga qafa si lavjerrës kryqi i krishterë.

Por e kam fjalën edhe për shkronjat e alfabetit, tensionin 220 volt në prizë, sistemin e orës legale, prirjen për ta paraqitur lindjen djathtas në hartat.

Ç’kuptim ka kopja, pikërisht?

Në romanin “Viti i mbrapshtë”, Ismail Kadareja tregon për një bandë kryengritëse diku në Kurbnesh ose Pishkash, që kish gjetur një hartë të vjetër të ushtrive të Franz Joseph-it, dhe kish filluar të manovronte duke ndjekur pikë për pikë lëvizjet e dikurshme të austriakëve.

Këtu mund të përmend edhe kullën Eiffel dhe Statujën e Lirisë, përballë njëra-tjetrës, në Las Vegas. Në po këtë qytet butaforik, gondolierët e kanaleve në foyer-in e hotel Venezia-s këndojnë në italishte të kulluar “o sole mio”.

Do të më përgjigjen se citimi nuk duhet ngatërruar me kopjimin.

Vite më parë, kur ende nxënës në klasë të tetë, mora pjesë për herë të parë në kampionatin lokal të shahut të klubit “Studenti”, së bashku me një shok. Kur na erdhi radha të përballemi me njëri-tjetrin, vendosëm të luajmë një rreng, e të përsëritnim një lojë të ashpër midis Alekhine dhe Botvinnik, të zhvilluar besoj në vitin 1939, që kish përfunduar në barazim (me shah të përhershëm).

Natyrisht, lojën mund ta mësonim përmendësh, por domethënien e lëvizjeve nuk e kapnim dot gjithnjë; edhe pse e dinim se ishin lëvizje kampionësh.

Loja Alekhine-Botvinnik kish përfunduar në një antologji me barazime shahistike nga më të famshmet; jona u gjykua unanimisht nga të pranishmit si mizerabël, me gabime të dyanshme. Pas çdo lëvizjeje, turma e vogël e spektatorëve reagonte me përbuzje të hapur. Një mik imi, gjatë gjithë kohës, përpiqej të më tregonte, me shenja, lëvizjen vendimtare…

Besoj edhe se shumëkush do ta mbajë mend se çfarë ndodhi kur të rinjtë zboristë kryeqytetas u nisën të përsëritin marshimin e Brigadës së Parë Sulmuese, dhe përfunduan të shpartalluar jo nga gjermanët, por nga kotësia e asaj ndërmarrjeje dhe bora.

Mehmet Shehu, u tha atëherë, donte t’i vriste me dorën e vet.

Meqë ra fjala te ekzekutimi, të shohim çfarë ndodh kur dy vende rikthejnë në legjislacion dënimin me vdekje me pushkatim. Vendi i parë, deri atëherë, i ka pasë ekzekutuar kriminelët e vet duke ua hedhur luanëve; vendi i dytë ka një shekull që nuk ka vrarë njeri.

I njëjti ligj, dy efekte krejt të kundërta: progres atje, regres këtu.

Një shembull nga sociolinguistika: fjala anglishte “nigger”. Po t’ia them unë një zezaku në tren të metrosë, zor se mbërrij gjallë në stacionin e ardhshëm. Por zezaku mund t’ia thotë zezakut tjetër, sepse ashtu tingëllon si shenjë afërsie, familjariteti, madje bashkëfajësie.

E njëjta fjalë?

Ose le të mendojmë çfarë ndodh kur mblidhen njerëzit për të zgjedhur, të themi, Miss Bukurinë; me votë të lirë, të arsyetuar, të pakushtëzuar. Ka vetëm një problem: zgjedhësit janë të verbër.

Juristi tani më flet edhe për një praktikë tjetër konstitucionale, që është kopjuar tale quale nga legjislacioni belg ose irlandez – por që nuk ka dhënë rezultatet e duhura në Tiranë. Mua më kujtohet ndërkaq një shfaqje që kam parë këtë vit, kur orkestra simfonike e The Bronx School of Science ekzekutoi uverturën e “Flautit Magjik” të Mozartit, me rastin e ceremonisë së diplomimit të studentëve.

Shkollë e mirë, orkestër e keqe. Kush doli i humbur: Mozarti, orkestra, të diplomuarit, apo stomaku i spektatorëve të shumtë?

Megjithatë, Mozartin e kam dëgjuar të luajtur edhe nga një mjeshtër që fërkonte me mollëza të gishtave ca gota kristali të mbushura përpjesëtimisht me ujë, në një rrugicë të errët në qendër të Vjenës – interpretim i mrekullueshëm.

Grupi rock Jethro Tull e ka pasur zakon të luajë në koncertet një copëz nga suitat e Bach-ut për llautë (Bourrée, nga Suita për Mi Mazhor), të riorkestruar dhe të transkriptuar për flaut. Bukur edhe ata, sidomos për të gjithë ne që e zbuluam Bach-un nga Procol Harum & Co.

Ka edhe të mençëm që thonë se kushtetuta amerikane ka kopjuar (marrë, huazuar) shumë ide nga konfederata e indianëve irokezë.

Sikurse ka edhe të mençëm të tjerë, nga tanët, që flasin për tradita të lashta demokratike në Veri të Shqipërisë, dhe pikërisht në institucionin e pleqësive.

Po t’u hysh muhabeteve të tilla, herët a vonë e kupton se çështja nuk është të zbulohen e të pikasen kopjimet, por të gjendet nëse ka ndonjë send, institucion, mendim, buzëqeshje, shpullë ose kod që nuk është kopje e diçkaje tjetër të mëparshme.

Më në fund, i famshmi Pierre Menard i Borges-it, vepra më e madhe e të cilit, “ndoshta më e rëndësishmja e epokës sonë,” s’ishte veçse kopje besnike e “kapitujve të nëntë e të tridhjetetetë të pjesës së parë të Don Kishotit, si dhe të një fragmenti të kapitullit të njëzetedytë.”

Vepër e një gjeniu të papërsëritshëm, sugjeron Borges-i. “Të shkruaje Don Kishotin në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë ishte ndërmarrje e arsyeshme, e domosdoshme, ndoshta fatale; në fillim të shekullit të njëzetë ndoshta e pamundshme. Treqind vjet kishin rrjedhur që atëherë jo më kot, ngarkuar me ngjarje tepër të ndërlikuara. Mes tyre, sa për të përmendur një: vetë Don Kishoti.”

 

1 Koment

  1. Po t’u hysh muhabeteve të tilla, herët a vonë e kupton se çështja nuk është të zbulohen e të pikasen kopjimet, por të gjendet nëse ka ndonjë send, institucion, mendim, buzëqeshje, shpullë ose kod që nuk është kopje e diçkaje tjetër të mëparshme.

    Te rekomandoj librin biblik “Ecclesiastes” qe fillon e mbaron me ‘Nuk paska asgje te re nen kete diell’.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin