SHQIPJA TOTALITARE (XXV)

Përvetësimi i kodeve të ligjërimit totalitar nga përdoruesit varej në masë të madhe nga aftësia dhe lehtësia për të përdorur klishetë tipike për atë ligjërim. Me klishe kam parasysh këtu çdo kombinim fjalësh që nuk është gramatikisht i detyrueshëm, e që është përdorur aq shumë sa ka ardhur duke e humbur forcën shprehëse dhe logjikën e brendshme. Për shembull, shprehja bijtë e shqipes e thënë për shqiptarët është klishe, sillet si të ishte fjalë e mëvetësishme jo togfjalësh i prodhuar në çastin e ligjërimit, dhe kush e përdor nuk ka parasysh vërtet shqipen (aquila heliaca) si totemin tonë kombëtar, as ndonjë koncept birësie zoologjike të caktuar. Përkundrazi, nëse dëgjojmë dikë që e fut këtë shprehje në ligjërim, do të gjykojmë, me të drejtë, se personi në fjalë është duke iu drejtuar një publiku pak a shumë formal, në një kontekst që kërkohet solemnitet. Në përgjithësi, kuptimi i klishesë zhvendoset nga rrafshi kumtues në rrafshin retorik; ose, për ta thënë me terma më teknike, në klishetë denotacionit vjen duke ia zënë vendin konotacioni.

Ligjërimi totalitar kishte klishetë e veta, të cilat ndihmojnë për ta përkufizuar më mirë e për të kuptuar si funksiononte.

Një grup i madh e themelor klishesh kishin të bënin me nevojën gjysmë instinktive për të nënvizuar ose theksuar një koncept, duke i bashkëngjitur një modifikues shpesh të panevojshëm nga ana ngushtësisht logjike e kuptimore: kufijtë e shenjtë të atdheut, fjalimi programatik i shokut Enver, me hidhërim të thellë, me djersën e ballit, me unanimitet të plotë, marshojmë përpara, t’i shkulim zakonet prapanike nga rrënjët, u dhamë përgjigjen e merituar, etj. Disa nga këto klishe janë në thelb pleonastike, sepse mbiemri rimerr kuptimisht një përbërëse semantike të emrit – p.sh. folja shkul e përmban kuptimisht emrin rrënjë; ndërsa emri unanimitet e përmban kuptimisht nocionin e “plotësisë”.

Nënvizimi zakonisht kryhej nëpërmjet intensifikimit kuptimor të fjalës drejtuese: dashuri e zjarrtë, duatrokitje të stuhishme, fitore e lavdishme, provokacione të ndyra, disfatë e turpshme, godas ashpër, kriza e përgjithshme e kapitalizmit, fundi pa lavdi i revizionistëve, komandanti legjendar, kufitari syshqiponjë, shumica dërrmuese, unitet i çeliktë, besnikëri e pafund, rroftë sa malet tona kreshnike, familjaritet i sëmurë, thjeshtësi proletare, gëzim i papërshkrueshëm, mobilizim revolucionar, shndërrime të thella/rrënjësore, heroizëm i pashembullt, arritje kolosale, etj.

Këtu hyn edhe përdorimi i ndajfoljeve, mbiemrave dhe shprehjeve ndajfoljore absolutizuese ose gjithëpërfshirëse, të tilla si përherë, kurdoherë, gjithmonë, përjetësisht, përgjithmonë, përfundimisht, definitivisht, kurrë, si kurrë ndonjëherë, asnjëherë, kurrsesi, në asnjë rast, në asnjë rrethanë, në instancë të fundit, anembanë vendit, anembanë botës, kudo, gjithandej, gjithkund, në të katër anët, nga Vermoshi në Konispol, nga Jugu në Veri, mbarë (vendi), pëllëmbë për pëllëmbë, me të gjitha mënyrat, me mish e me shpirt, krejtësisht, tërësisht, absolutisht, katërcipërisht, detyrimisht, pashmangshëm, në mënyrë të pashmangshme, domosdoshmërisht, kategorikisht, totalisht, tejendanë, sot e kësaj dite, deri më sot, që sot e tutje, globalisht, pa përjashtim, si një trup i vetëm, të gjithë së bashku, i gjithë populli punonjës, të gjithë shqiptarët, proletarë të të gjitha vendeve, gjithsecili, gjithsekush, cilido, grusht bashkuar, njëzëri, unanimisht, menjëherë, në mënyrë të menjëhershme, pa humbur kohë, i madh e i vogël, të gjithë pa përjashtim, mal e fushë, ditë e natë, pa pushim, paprerë, pareshtur, vazhdimisht, pa ndërprerje, në të gjitha drejtimet, pa kursyer asnjë sakrificë, pa lënë asgjë pas dore, pa lënë asgjë mangut, në të gjitha aspektet, në të gjitha format, me çdo mënyrë, me hir e me pahir, si një e një bëjnë dy, jashtë çdo dyshimi, pa më të voglin dyshim, pa diskutim, me të gjitha forcat, me çdo kusht, me çdo mjet, me mish e me shpirt, deri në pikën e fundit të gjakut, çdo ditë e më tepër, vit pas viti, (heroizmi i popullit tonë) në shekuj, lart e më lart, pa u ndalur, pa pushuar asnjë çast të vetëm, pa mbyllur sy, fund e krye, i përhershëm, i përjetshëm, i pafund, në jetë të jetëve, etj. ose përdorimi i mbiemrave dhe i ndajfoljeve në shkallën sipërore relative, të tipit fitorja më e madhe, (t’i japim) dënimin më të rëndë, ose i mbiemrave të tipit maksimal, optimal, minimal, universal, global, suprem, etj.

Tipike për ligjërimin totalitar, por edhe për mënyrën radikale sesi mendonin dhe vepronin agjentët e totalitarizmit në komunitet, ishte intensifikimi nëpërmjet derelativizimit, ose mohimit total të kundërshtimit – çka ishte edhe një teknikë e tërthortë e absolutizimit.

Një shprehje si marshim i pandalshëm themelohet mbi një kundërti semantike elementare: MARSHOJ – NDALEM, në kuptimin që dy foljet janë, në thelb, antonimike dhe e përjashtojnë kuptimisht njëra-tjetrën. Mbiemri i pandalshëm shenjon një tipar në bazë të pamundësisë për t’u ndalur. Nëse marshim shenjon ecjen ose lëvizjen përpara, mbiemri i pandalshëm thekson karakterin absolut të kësaj lëvizjeje.

Shembuj të tjerë:

Energji të pashterrshme, luftë e pakompromis, kujtim i paharrueshëm, propozim i papranueshëm, themelet e patundura, me vlerë të paçmuar/të pallogaritshme, autoritet i padiskutueshëm, vendim i paapelueshëm, argument i pakundërshtueshëm, kontradikta të papajtueshme.

Klishetë derelativizuese sillnin me vete një botëkuptim në thelb statik në ligjërim, sepse vetvetiu e përjashtonin nuancën, ndryshimin, reformën dhe evolucionin; çka përputhej edhe me filozofinë e totalitarizmit vetë, e cila i mëshonte, edhe në ligjërim, riprodhimit të thjeshtë të realitetit dhe të marrëdhënieve të pushtetit.

Ligjërimi totalitar kërkonte gjithnjë të ruante njëfarë solemniteti ose serioziteti; madje edhe në shpërpjesëtim me kontekstin, duke e paraqitur gjithçka kontingjente si veçanërisht të rëndësishme, unike, madje historike. Kështu mund të shpjegohen edhe elemente të shumta të stilit të lartë ose solemn, të cilat u lejuan madje u nxitën të dalin jashtë caqeve – përndryshe tepër të shtrënguara – të përdorimit të tyre tradicional.

Shumë fjalë në ligjërim shprehin jo vetëm kuptimin që kanë zakonisht, por edhe u referohen rrethanave, ose kontekstit në të cilin ndodh komunikimi. Për të njëjtin koncept të njerëzve në moshë të vogël, shqipfolësi mund të përdorë fjalën kalamaj në muhabet në kafene, culla në të folmen e fshatit të vet, evlat në bisedë me një plak, fëmijë në një artikull, vocërrakë në një tregim, të mitur në një dokument formal gjyqësor, dhe lulet e jetës ose e nesërmja e kombit, në një përshëndetje solemne ose ligjëratë tjetër formale. Nëse ndeshim në një ligjëratë ku përdoret shprehja lulet e jetës, kemi të drejtë të supozojmë se i përket një konteksti pak a shumë emocional e kremtues, ose që autori ka dashur ta parodizojë atë kontekst.

Jashtë konteksteve të veta të natyrshme, stili i lartë (që nuk do ngatërruar me ligjërimin libror, të pasur me fjalë abstrakte, emërzime të shumta dhe fjali me strukturë të ndërlikuar) e bën ligjërimin artificial, të shtirur; por të shtirur në mënyrë të tillë që folësi është i vetëdijshëm se publiku ia ka perceptuar shtirjen. Kjo don të thotë se, në të shumtën e rasteve, stili i lartë themelon një lloj bashkëfajësie midis folësit dhe publikut.

Disa elemente të stilit të lartë, me të cilat u abuzua nga ligjërimi totalitar:

Të rënët, për “dëshmorët”; ligjëro (shoku Enver), për “fol”; t’i çojmë fjalë (komandantit), për “ta njoftojmë”; çoj zemrat peshë për “entuziazmoj”; ia them këngës për “këndoj”; populli ynë i shumëvuajtur për “që ka vuajtur shumë”; dal faqebardhë për “dal i nderuar”; dal ngadhënjimtar për “fitoj”, “triumfoj”; ngadhënjej për “fitoj”, “triumfoj”; rrebesh, për “stuhi”; tramundanë për “stuhi”; iu bëftë dita njëmijë për “rroftë”; bijtë e shqipeve për “shqiptarët”; jap jetën për “vdes”; i marr jetën për “vras”; amanet për “porosi lënë para vdekjes”, kurban për “sakrificë” fli për “sakrificë”; mëmëdhe për “atdhe”; jap kushtrimin për “jap alarmin”; jap besën për “zotohem”; lidh besë për “hyj në marrëveshje”; sihariq për “lajm i mirë”; bereqet për “dobi”; duarartë për “i zoti”; burrneshë për “grua”; trimëreshë për “grua”; nënat dhe motrat për “gratë”; azgan për “djalë”; trim për “djalë”; petrit për “djalë i ri”; djaloshare për “rinore”, lamtumirë për “tungjatjeta”.

Një efekt veçanërisht djallëzor i klishesë është homogjenizimi i ngjyrimeve në ligjërim; meqë klisheja synon t’i zëvendësojë shprehjet e individualitetit të folësit me vullnetin për solidarizim, qoftë edhe nëpërmjet bashkëfajësisë.

Megjithatë, në rastin e ligjërimit totalitar, fakti që klisheja përsëriste ose rimerrte, duke iu referuar një ligjërate të mëparshme ose model, kishte rëndësi më të madhe sesa përdorimi i klishesë vetë; meqë në të shumtën e rasteve qëllimi i aktit ligjërimor totalitar ishte të konfirmonte vijueshmërinë, përsëritjen, riprodhimin besnik të marrëdhënieve shoqërore dhe të pushtetit, kahun e ushtrimit të dhunës politike dhe policore.

Aq e vërtetë është kjo, sa edhe një përpjekje sado modeste ose e pafajshme për t’i larguar klishetë nga ligjërimi mund të shkaktonte ngritje vetullash, meqë parakuptonte vullnetin e ligjëruesit për të sjellë ndryshime në rendin e fjalëve, e ndoshta edhe të sendeve; ose shmangien e vetëdijshme nga kodet ligjërimore, ose një atentat ndaj normalitetit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin