TË LEXOSH KADARENË SI I HUAJ

Dikush kish postuar në Facebook “Mërgimin e lejlekut” të Kadaresë në anglisht. Nuk e njoh tregimin në shqip, dhe nuk e kërkova. Kur më zuri syri këtë dhe emrin e Lasgushit, thashë, do lexoj Kadarenë në gjuhë të huaj. Unë i kam keq punët me përkthimin: më bezdis, më frikëson, më çmend përkthimi; nuk di nga t’ia mbaj, dyshoj për çdo fjalë e shprehje pa dyshuar hiç tek përkthyesi! Dhe kështu ndodhi që instinktivisht iu turra një përkthimi të autorit me të cilin u rrita; pra, jo në shqip Kadarenë kësaj radhe! Në anglisht!

Jam gjuhësisht e tendosur kur lexoj anglisht lejlekun poetik që na lë, të Kadaresë. Vazhdimisht analizoj se si e konceptojnë të huajt një rrethanë normale Tirane p.sh. “pimë një kafe?”, apo liqenin e Pogradecit; si e kuptojnë ata që e lexojnë këtë tregim në gjuhën e vet, por me eksperiencë zero Shqipërie e socializmi, një fjalë me thellësi ndërtekstuale, apo një situatë ku ideologjia është e mbarsur emocionalisht? Nga ana tjetër, u turrem fjalëve si një lexues skizofrenik: një pjesë e imja lexon në anglisht, tjetra përkthen në shqip dhe ndihet thellësisht e pakënaqur, sepse gjithçka i shfaqet shumëformëshe. Çdo fjalë e lexuar ka disa mundësi dhe dhimbja e mosdijes së asaj origjinales shtrëngon. Por po e shijoj deri në fund.

“Duke ecur tek Rruga e Pishës…” nis tregimi. Për mua sakaq situatën e ka nën kontroll subteksti. Rruga e Pishës më zhyt në një det kujtimesh, dhe më sjell esëll fare ndjesinë e vrapit të mëngjesit për në mësim, nga rruga Qemal Stafa tek filologjiku, që sigurisht priste shkurt nga Rruga e Pishës. Për ca nga ne Rruga e Pishës ka erë, dhe zë, dhe frymë; është një hartë mijëratekstuale me thellësi të ndryshme sipas eksperiencave. Çfarë i thotë një amerikani Rruga e Pishës? Nuk i flet hiç për ata që e shkelën apo lidhjet e saj me Tiranën: as për Tufinsit, Delit, Demnert, Bodinakt, Dërhemt, Kacelt, e Kërçikt rretheqark; as për rrugën Hoxha Tahsim, as për farmacinë, as për kalldrëmet e rrugicave që të çonin aty, ku po të kishe taka duhet të ecje mbi gurët e mëdhenj në mes me marifet akrobatik, që pastaj u mbuluan me asfalt por ku anët e kalldrëmit nën muret anësore u mbetën gjithnjë zbuluar; as për shtëpinë e zysh Gjyles që na ftonte aty çdo 7 mars, as për një çun që në klasë të katërt kur po kaloja aty më thirri fort nga një pallat dhe më tha se më donte për nuse, as për Postën  e Sheshin Avni Rustemi dhe as për Pazarin e Ri me shegë, fara, hide e caraca, e as për Rrugicën e Shkollës Pedagogjike apo Lanën më tej. Unë, tregimtarin dhe fakirin dy herë fatkeq që ai takon rastësisht në Rrugën e Pishës (edhe vetë përplasjet rastësore mes të njohurish në rrugët e Tiranës para 90-ës kishin një lloj ndjesie që s’e ka asgjë tjetër në kohë e hapësirë) dhe e telendis në atë pikë sa ta bëjë gati protagonist, i shoh dhe i lexoj aq ndryshe nga im shoq që kurrë s’e ka dëgjuar Rrugën e Pishës. Por edhe ai di diçka më shumë se anglishtlexuesi tipik: di që tani ia thonë Rr. Tefta Tashko, dhe ka ecur në të aq sa ta kujtojë. E pra, që këtu në tri fjalët e para, leximi nis ndryshe. Mund të kish qenë edhe sajesë ky emër rruge, do thoshte dikush. Mund të thuhej njëlloj “tek Rruga e Fikut” apo “e Hurmave”. Por nuk është thënë ashtu, dhe ashtu siç është, krijon një ndarje themelore të leximeve të letërsisë në fjalë mes të huajit (që mund të jetë edhe një adoleshent shqiptar me njohje zero të kohës para 1990-ës) dhe lexuesit lokal.

Në fakt leximi i mangët i Rrugës së Pishës është tipik në çdo letërsi të përkthyer. Por ai vetëm pararend në mënyrë të thjeshtuar dy turbullimet e mia më fërgëlluese kur lexoj “Mërgimin e lejlekut”: Lasgushin dhe socializmin shqiptar. Si i kupton jo-shqiptari këto dy shtylla themelore të tregimit, ata që mbajnë të tendosur gjithë pëlhurën e ngjarjeve dhe lëvizjeve aty? Është pikërisht lidhja e këtyre dy fuqive të epërme, njëra e natyrës, poeti, dhe tjetra e ideologjisë së dhunës, socializmi, ajo me të cilën Kadare eksperimenton poetikisht që në fund ta zgjidhë filozofikisht dhe praktikisht lidhjen. Në fund të fundit, dilemat e leximit reduktohen në “kujt ia drejton shkrimtari rrëfimin e vet?” Për kë e shkruan këtë tregim? Tregimi i përkthyer është pa dyshim për jo-shqiptarin ose së paku atë që s’di shqip, sido që potencialisht edhe origjinali në shqip mund të lexohet nga jo-shqiptarë me shqipe të mirë. A i drejtohet ky tregim fare shqiptarit tipik jo fort të ri? Ky lloj shqiptari e njihte mirë Lasgushin, e kish jetuar izolimin allasoj të shkrimtarit dhe faktin që për të qe folur gjithnjë si për një lloj lëngate të bukur, si për dikë që pat vdekur në të gjallë, madje që praktikisht mund të kish vdekur që në kohën e Homerit. Ose nuk flitej fare, por prania i ndihej ama si frymë. E njihte mirë Lasgushin shqiptari tipik, edhe kur analitikisht nuk arrinte dot esencën konkluduese të Kadaresë se edhe pa ndeshje direkte, edhe pas abuzimit total e të hidhur të “munguesit të madh” (the great absentee), prania e poetit mbeti gjithnjë aty, dhe regjimi jopoetik dhe antispontan nuk ia doli kurrë të mposhtë poezinë (njeriun poetik) që i takon rrafshit të zotave dhe thelbit universal të qenies, e që si diell, heq dorë nga të gjallët, dhe zbret me vendimin e vet në mbretërinë e të vdekurve, që të ndëshkojë Zeusin diktator. Instinktivisht shqiptari ia ndiente madhështinë dhe paprekshmërinë poetit, edhe kur nuk e kuptonte konfliktin ekzistencial mes tij dhe regjimit, edhe kur ishte kryekëput adhurues i Enverit dhe ishte larg përpunimit të një ideje të qartë anti-socializëm dhe anti-Enver.

Pra tregimi nuk është as për tufat gjigante të shqiptarëve të të gjitha moshave që qanë a u pezmatuan kur vdiq Enveri, se edhe pa mendje kritike, ata shtjellimin artistik që i bën tregimi raportit poet-diktator e kishin zgjidhur edhe pa ia rrëfyer kurrë vetes. Këtij lloj shqiptari, shkrimtari autobiografik mund të dojë t’i kallëzojë ato që ai vetë mendonte aso kohe kur pjesa pro-enveriste e popullsisë (pra shumica), e mendonte të partishëm dhe besnik të socializmit. Unë vetë, si dhe plot miq të atyre viteve, e kemi menduar gjithnjë Kadarenë si armik të Enverit, dhe e adhuronim për këtë, aq sa edhe për letërsinë që aso kohe na jepte jetë. Por kujt s’e mendonte kështu mënyrën si e shihte Kadare pushtetin në vitet e asaj lëngate të trishtuar, nëpërmjet këtij tregimi ai mund t’i rrëfejë për veten e vet të vërtetë (sido që për çfarë duhet ta bëntë këtë?). Ama për Lasgushin nuk i thotë gjë të re. Pra vij prapë në idenë që tregimi është në fakt për të huajin apo për të riun. Por si e lexon i huaji Lasgushin dhe Shqipërinë socialiste?

E pyes tim shoq pasi e ka lexuar të më thotë si e sheh Lasgushin që për të ishte një emër krejt i ri. Më thotë se për të tregimi është si ta ketë shkruar Çehov, një lloj revolte e stilit të tij dhe me karaktere që u ngjajnë po atyre të Çehovit. Më thotë se nuk kish kuptuar deri në fund nëse Lasgushi ishte real apo personazh i sajuar, por referimi që i bëhej vargut të tij në krye të tregimit i jepte besim se duhet të ishte autor real dhe disi i rëndësishëm gjersa Kadare zgjedh tamam atë si “krenari të poezisë shqip”. Im shoq e njeh mirë socializmin shqiptar, me të thënë e me të lexuar. Por pas leximit më duket se s’kupton ende natyrën e vërtetë të poetit. Por ka një ide goxha të mirë për funksionin që poeti ka në këtë tregim. E pyes nëse e sheh lidhjen mes Lasgushit dhe Liqenit apo Pogradecit. Po, më thotë, duket disi, se Kadare përpiqet ta theksojë disa herë këtë lidhje. Kuptohet që as ai as të huaj të tjerë nuk mund të kenë atë pështjellim të ëmbël lidhur direkt me Lasgushin që i jep shqiptarit varianti Poradec apo Liqeri, dhe as mënyra pleqërishte e të thënit “skandal”, shkàndull. E pyes “Po çfarë lloj poezie mendon ti se shkruante Lasgushi, më thuaj p.sh. për çfarë ndoshta fliste ai nëpër poezi”. Im shoq më thotë që s’mund të ketë ide të tilla konkrete prej tregimit, vetëm di që ishte “dielli” apo “guri më i çmuar” i poezisë sonë. Por shton se duket qartë që Kadare përpiqet të dëshmojë ferrin që regjimi krijonte për poetin dhe që, gjithsesi, sipas Kadaresë, nuk ia vrau dot shpirtin. E pyes si e shihte Lasgushin, si dukej, si ecte, si vishej, si doli nga ajo mbledhja që përshkruan Kadare sapo do nisnin diskutimet, si u dukej kalimtarëve që e njihnin dhe atyre që s’e njihnin. Eksperimenti im e bezdis, ndaj e lë të qetë. Thotë që nuk i pëlqen ky eksperiment.

Pastaj rishoh tregimin që më lodh e mundon për mungesën e subtekstit që bartet veç nga fjala shqip. Po ngordh për fjalën shqip. “The great one” më bezdis, sido që e di se s’mund të përkthehej ndryshe. “I madhi” në shqip ishte një eksperiencë që e merrte fuqinë jo nga fjala në vetvete, por nga përdorimi i saj prej gjithfarë shqiptarësh, nga frika e përulja që rrezatonte, aq sa edhe nga adhurimi a urrejtja; këto ndjesi aq sa edhe ndarja e përjetimit të fjalës njëherësh prej gjithë tufës së shqiptarëve nuk mund të jenë dot të pranishëm kur im shoq lexon “the great one” ndaj ai s’ia rrok dot shpirtin fjalës. “Udheheqja”, “njeriu i ri”, “riedukim në kooperativë” “autokritikë e sinqertë” “duhet të jemi të thjeshtë, si populli”, “mbledhja e kolektivit”, “parulla PUNË EDUKIM VIGJILENCË” (ose vetë fjala “parullë”), “shokët e Sigurimit në Veri”, “Kongresi i 8-të” janë të gjitha lehtësisht të përkthyeshme, por kurrësesi nuk të zbulojnë nëntekstin, ndjesinë reale që kishte fjala e shprehja në kohën reale të tregimit, po të mos jesh shqiptar i atyre viteve. Fëmijëria dhe rinia ime kanë qenë relativisht normale, pa burgosje dhe internime, me pushime të bukura në Jon e në mal çdo verë, por të gjitha shprehjet më lart, ashtu si edhe ndalesat e autobusit për Pogradec nga polici a ushtari për kontroll letërnjoftimesh, më sjellin erën karakteristike të trenit, autobusit, shkollave shqiptare ku i përdornim, më japin ankthin e mbledhjes së kolektivit ku me siguri do dilte dikush që nga frika apo superzelli fanatik do nxirrte ndonjë telash me shfaqje të huaja, kërcim borgjezo-revizionist, gishta me manikyr apo ndjekje mode. Polici apo ushtari që të ndalonin rrugës, apo vinin me armë të të përzinin edhe kur rrije më gjatë se duhet natën në breg të detit në Himarë a liqenit në Pogradec, më bënin gjithnjë të më dridhej zemra e të kisha nevojë të shkoja në banjë. Edhe liqeri që dremit pa kufi, sa herë që e shihja rrugës për në Korçë, më sillte ndërmend çunin e teta Meremes që e dija se ish arratisur me not prej andej, dhe sa herë e shihja kur e parakalonte autobusi apo treni, ia masja “pa-kufishmërinë” si edhe a do kisha takat ta kaloja për t’u hedhur matanë, sado e vagët dhe absurde ideja. Dhe mos-o-Zot të të ndalonte polici tamam kur kishe këto në kokë!

“Lidhja e shkrimtarëve” po ashtu mund të përkthehet formalisht, por çdo ide që ajo mund t’i japë të huajit është pa vlerë pa godinën vetë, pa klubin me pijet tipike dhe fytyrat e atyre që e frekuentonin, pa rrugën për atje, pa ata që i hynin e i dilnin dhe të cilëve ua dije pozicionimet dhe lëvizjet në hierarki e letërsi, pa plenumet e partisë, pa rëniet nga fiku, dhe dërgimet në rrethe e qendra prodhimi për të jetuar me popullin. Kadare flet për “shijen e hidhur” të mbledhjes së shkrimtarëve për dënimin e autorëve liberalë që rrinte pezull në ajrì, dhe unë uroj pa optimizëm që lexuesi i huaj ta shijojë vërtet çfarë qe ajo shija e hidhur. Unë vetë teksa lexoj Kadarenë anglisht, përkthej papushim në shqip, sepse nuk më ngjit në anglisht asnjë nga shprehjet që zë ngoje më lart. Përkthimi mbrapsh që i bëj gjithçkaje ka thellësi të ndryshme, është vazhdimisht shumë shtresësh e jep ndjesi të forta shqisore. Gjithçka në tregim është “dreary”; ndoshta, kjo, fjala e përdorur më shpesh. Çfarë të ketë qenë në origjinal – të ketë qenë e njëjta fjalë shqip apo shtatë fjalë të ndryshme që më vijnë në mendje kur e kërkoj? Kuptoj mirë se si tregimtari ndiente “love” mbushur me “sorrow” për poetin; po pse edhe me “reproach” s’e marr vesh, pse “reproach”, pse “reproach”? Çfarë të ketë qenë në shqip? Mospëlqim? Zhgënjim? Mosaprovim? Asnjë prej tyre s’më duket të ketë kuptim në kontekst. Nuk është punë ky leximi mbrapsh, dhe as ripërjetimi si det i fjalës. Dhe për herë të parë kam zili të huajin që lexon Kadarenë.

Ndoshta i huaji është një lexues rastësor i tregimit, dhe jo ai i synuari prej shkrimtarit. Kadaresë i përkthehet gjithçka, ndaj lexuesi i huaj nuk mund të evitohet. Ndoshta tregimi shkruhet për të rinjtë e sotëm shqiptarë që nuk e dinë motin e Enverit, e që Lasgushin e njohin pak ndërsa socializmin aspak. Ia vlen të japësh një tufë me ndodhi të vogla e më të mëdha për trillet e Enverit dhe socializmit, për ndëshkueshmërinë dhe pandëshkueshmërinë e atyre viteve, për ankthin që varej në ajër sapo guxoje të mendoje jashtë kornize, për fatkeqësinë e madhe të të qëlluarit artist në ato kohë.  Të rinjtë i marrin idetë për socializmin të fragmentuara, dhe, edhe ato, herë të deformuara padashje e herë të manipuluara. Letërsia e tregon atë histori më mirë se çfarëdo dëshmitari që vetëtregohet drejtpërdrejt. Mua më tmerron harresa sot e frikës në zemër me të cilën jetohej në socializëm po të ishe fatlum, dhe më bezdis kur shoh njerëz të mençur që e jetuan atë kohë kaluar që sot ia diskutojnë po kaluar anët e mira socializmit (duke nënkuptuar se sigurisht paskësh pasur edhe ca të këqia). Kështu në fakt normalizohet e retushuar një histori e shëmtuar; ajo mbetet e patreguar. Në këtë kuptim, ia shoh të mirën këtij tregimi që dëften marrëdhënien e poetit me diktaturën, konceptuar nga Kadare në 1986 (pra, pak pas vdekjes së Hoxhës) dhe më pas rishkruar dhe mbushur më 1998, kur s’qe më frika nga fjala. Por leximet që i bëhen tregimit prej atyre që në të s’dallojnë kënd veçse tri personazheve rastësore, një poeti, një shkrimtari narrator dhe një diktatori, dhe atyre që shohin në të Lasgushin, Ismailin dhe Enverin, janë të tilla që e kapërcejnë ndryshueshmëritë subjektive normale për çdo vepër arti.  Këto lexime janë aq të ndryshme, sa mund të thuhet se burojnë prej dy tregimesh. Ndoshta sasia e ekspozimit të të rinjve ndaj historish të ngjashme do e mbyllte disi këtë shkoqje realitetesh dhe polarizim interpretimesh. Ndoshta lloji i mediumit ka rol. Të jetë filmi p.sh. më efikas si kanal interpretimi? Apo shkrimi parodik? Por dyshimet nëse i dilet të afrohen interpretimet e personit që jetoi socializmin dhe atij që e ka me të dëgjuar, më mbeten, sado të kompensoj për lexuesin që s’e njeh atë mot të panatyrshëm e vështirë të tregueshëm. A do mundej ky lexues i ri, ashtu si i huaji, që në fund fare të përpjekjeve për mbushjen e vrimave të njohjes, të pyeste ashtu si Kadare: a ishte vërtet e nevojshme për të fundmin lejlek të mërgonte duke na lënë pas ne, në mjerim?

About the Author

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

10 Comments

  1. sorry, komenti paska kaluar me shume gabime.Lutem ta zevendesoni me kete:
    Sapo pashe titullin , mendova se shkrimi i kushtohej analizes krahasuese te tregimit “Ikja e shtergut” ne variantin shqip dhe ate anglisht, pra nje rast fatlum nga pena e nje specialisteje te gjuhes, per te kuptuar se cfare humbet/firon e cfare fiton letersia e IK ne perkthimin ne gjuhe te tjera. Andej kendej kam lexuar se, pergjithesisht, perkthimet e librave te IK ne gjuhe te tjera behen prej frengjishtes dhe kesisoj, thuhet, se ne anglisht ato vijne te varferuara, pa ate begatine e stilit dhe nuancat rrezellitese te gjuhes shqipe.
    Por Presja eshte fokusuar ne nje drejtim tjeter, ne raportet e letersise me realitetin totalitar, na ate se sa rroket dhe si percillet tek lexuesi “i huaj” (brezi i ri shqiptar dhe te huajt) ai realitet ku “jetohej me frike ne zemer” .Pra shqyrtohet raporti tekstit me kontekstin e ngjarjes ne tregimin e IK por ne nje kendveshtrim interesant tashme, me syte e nje “te huaje” , e cila bashke me ankthin e “humbjeve” nga semantika e fjaleve ne shqip, perjeton edhe shqetsimin se si mund ti qasen ketij tregimi lexuesit e huaj ” me eksperiencë zero Shqipërie e socializmi” ?
    Derivat i ketij parashtrimi eshte pyetja: Per ke shkruan IK? ,pyetje e cila na kthen prapa ne kohe, kur mermeritej se “IK shkruan per te huajt..”.
    Cdo shkrimtar, sa kohe qe shkruan ne nje gjuhe te caktuar, eshte i “denuar” te jete lokal dhe lexuesit e pare jane bashkekombasit dhe bashkekohesit e tij. Kesisoj,emocionet dhe semantika e fjaleve ” bunker”, “parakalim”, “zbor” , “autokritike” , “aksion vullnetr” etj. per mua si lexues shqiptar “tipik”* (dmth qe e kam jetuar ate kontekst historik ) jane ku e ku me te trazuara se sa per nje lexues suedez, te themi. Ajo qe nje tregim apo roman e ngre ne rangun e nje arti universal nuk eshte thjesht raporti me lexuesin lokal dhe bashkekohor, por pikerisht tejkalimi kohes dhe kapercimi hapsires lokale. A mund te themi se tragjedite e Sheksprit emociononin me shume bashkekohesit e tij dhe oborrtaret e pallateve mbreterore, si deshmitare te afert te ngjarjve, se sa lexuesin shqipar, italian, francez etj. te shek. 20-te?
    Presja thote: Të rinjtë i marrin idetë për socializmin të fragmentuara, dhe, edhe ato, herë të deformuara padashje e herë të manipuluara.” dhe me poshte pohon se : Mua më tmerron harresa sot e frikës në zemër me të cilën jetohej në socializëm po të ishe fatlum..”
    Une kam qene nje shqiptar tipik* fatlum ne ate kohe, ne kuptimin qe nuk kam qene i denuar,i internuar “kulak” apo i deklasuar. Por tani, pas nje katharsi shoqeror dhe individual (aq sa ka ndodhur tek une dhe shoqeria ky katharsis) nuk mund te pohoj kaq kategorikisht se jetoja ne cdo hap “me friken ne zemer” se mund te arrestohesha. Ky do te ishte nje manipulim para te rinjve sot. Jo, situata ka qene me komplekse, realiteti me kompleks, me shpresen, optimizmin, iluzionin, besimin, dyshimin, friken, pakenaqsine, zemerimin, mosaprovimin e heshtur, indiferencen…
    Nje miku im postoi ne fb para do kohesh nje foto nga koha e matures ne vitet 80. I shkruaj si koment: sa vite te bukura…por sa trishtim te ringjall ajo kohe e veshtire”. Ish bashkemoshatari gjimnazit me pergjigjet : “vitet e bukura” jane ajo cfare perjetoje atehere, “trishtimi” eshte reflektim retrospektiv …atehere nuk ishe i trishtuar, mos manipulo ! lol “. Pra ajo qe dua te them, eshte iluzioni qe na kaplon shpesh, kur reflektimet per vitet e diktatues, tashme ne distance e permes nje katharsi here te qete e here te veshtire, i pozojme si perjetime adekuate te asaj kohe, asaj moshe , kur lumturia dhe marrja e jetes si te vije, pa shume vramendje, eshte natyra e vete rinise.
    Kadare e kqyr ne kete tregim represionin e totalitarizmit permes raporteve te idividit shkrimtar, artist , krijues me shtetin.Artisti nga vet natyra, si qenie me e ndjeshme, me e ndergjegjshme dhe me i etur per liri krijuese , e perjetonte represionin ne forma me te rrokshme. Kurse tek njeriu zakonshem, mekanizmat e diktatures vinin me terthor .Prandaj romanet e Kongolit kane nje eco me te natyrshme te atmosferes se asaj kohe sepse kane ne qender jeten e njeriut te thjeshte dhe jo perballjen direkte te individit me shtetin totalitar.
    Edhe ky ”komploti heshtjes” se Lasgushit ishte sa shperfillje prej regjimit, po aq dhe veteizolim i poetit. Mosha biologjike nuk perkon perhere me moshen krijuese. Lasgushi vertet neveriste letersine “borizane te Partise” por ashtu si miku I tij Kadare, mund ti arratisej realitetit socialist, aktualitetit e te shkruante per tematika jo aq komprementuese. Mbase refuzonte te shkruante por mbase dhe muza I kishte shteruar. Gjera qe ndodhin. Sot “te heshturit” lexohet si puro disidence! Ky eshte manipulim. Heshtja nuk eshte perhere nje manifest refuzimi. Lavdia nuk eshte e atyre qe heshten por e atyre qe folen dhe rrezikuan.

    1. SHB: “Edhe ky ”komploti heshtjes” se Lasgushit ishte sa shperfillje prej regjimit, po aq dhe veteizolim i poetit. Mosha biologjike nuk perkon perhere me moshen krijuese. Lasgushi vertet neveriste letersine “borizane te Partise” por ashtu si miku I tij Kadare, mund ti arratisej realitetit socialist, aktualitetit e te shkruante per tematika jo aq komprementuese. Mbase refuzonte te shkruante por mbase dhe muza I kishte shteruar.”

      Mendoj se per te kuptuar, perse shkrimtaret si Lasgushi, Kuteli, etj. nuk shkruajten me ne totalitarizem, duhet shikuar trajektoria e formimit te tyre si njerez, pra morali dhe botkuptimi(duke perfshire ideologjine), qe pak a shume ndikon dhe ne formimin si shkrimtar.

      Kadareja u formua si njeri dhe shkrimtar ne nje kohe tjeter, totalitarizem dhe mentalitetii tij ishte i te riut qe besonte kauzen e partise dhe socializmit. Kurse shkrimtaret ne fjale nuk i besonin kauzave te tilla. Shkrimtari duhet te besoje ne ate qe shkruan, Kadareja prandaj filloi te shkruaj, pavarsisht fillimisht me kenget revolucionare djaloshare dhe poezine per Stalinin.

      Kuteli e Lasgushi edhe sikur t’i jepej dore e lire, per cfare do te shkruanin? Kadareja e nisi si ushtar dhe zedhenes i kauzes dhe i partise, pavarsisht se me vone ne rrugen e tij, ai evoloi dhe adaptoi nje veshtrim deri diku kritik te realitetit te atehershem ne totalitarizem. Ai shkrojti duke depertuar thelle ne mentalitetin e kohes se ishte pjese e superstruktures komuniste qofte ne menyre te drejtperdrejte, qofte me fijet e panumerta nepermjet te cilave ishte ne brendesi se si operonte sistemi. Ishte pikerisht kjo mundesi qe e beri te ishte kritik i qarqeve, i qerthullit ku kaloi jeten. Sigurisht qe telenti i tij ishte shumedimensional dhe e coi te prodhonte vepra si Pallati i Endrrave.

      Kurse Kuteli e Lasgushi nuk mund te shkruanin nen petkun e mentalitetit te nje shkrimtari socialist. Ishte krejt e pamundur. Shkrimtare te tille nuk mund te bejne letersi sirtaresh, te shkrujne me shpresen se nje dite do te lexohen. Kjo shpjegon edhe atrofizmimin e mundeshem te talentit te tyre.

      Te njejten gje mund te thuash per shkrimtarin socialist qe nuk mund te shkruaj me, kur sistemi i tij permbyset. Kadareja, pas 90-tes, eshte vecse hija e atij te dikurshmit, nuk ishte ne gjendje te perqafonte ne letersi temat e post-totalitarizmit. Maksimumi ishte te bente eseistin. Sic edhe me te drejte prezantohet tani, ai eshte shkrimtari qe i beri radiografine asaj kohe me mire se askush tjeter.

  2. Ke te drejte: shkrimi eshte gjithnje lokal. Lokal ne kohe e hapesire. Nuk ka zot qe ta ndryshoje kete per cfaredo lloj letersie. Humbja eshte e paevitueshme. Por perkthimi vete e rendon sasine e humbur ne te kuptuar. Une nuk jam dakord qe kjo kompensohet nga “nje te kuptuar ndryshe”. Ndaj jap si zgjidhje ekspozimin ndaj sa me shume idesh, letersish, “tregimesh” te realitetit qe jane ne fakt ne vetvete “lexime” te realitetit. Dhe meqe solle Shekspirin, besoj se leximi i Shekspirit po te njohesh kohen e tij dhe historine e mbreterise ne kohen kur u shkrua vepra dhe po te mos e njohesh ate, jane dy gjera krejt te ndryshme. Kjo s’do te thote qe s’ka vlere leximi i Shekspirit pa njohur “lokalitetin” e shkrimit te vepres. Perkthimet dhe jetegjatesine e letersise, shyqyr qe i kemi!

    Pjesa e te kuptuarit te socializmit nga rinia sot eshte muhabet me vete, por vetem pasoje e qellimit kryesor ne shkrimin tim. Ti kete e ke kuptuar tamam keshtu, dhe me vjen mire. Jam dakord qe ajo periudhe eshte perjetuar ndryshe nga njerez te ndryshem, dhe jam dakord me kritiken qe ti i ben te kuptuarit te mikut tend ne fb. qe ngaterron te qenet te ri, ose pa probleme, ose edhe pa maturine qe te ben kritik, me ekzistencen ne socializem. Ceshtja nuk eshte se te gjithe ndienin friken qe mund te ndieja une ose te tjere. Dhe as se sa e kane ndier ate frike. Eshte lloji dhe arsyeja e frikes qe jane preokupuese. As edhe nje person i vetem nuk duhet ta kish ndier ate lloj frike. Asnje e mire sociale nuk mund dhe as duhet ndertuar mbi bazen e frikes qe nje pjese, sado e vogel, e popullsise ndien vetem se guxon te mendoje kritikshem. Pra frika ne vetvete ishte vetem nje pasoje e thelbit agresiv dhe antihuman te regjimit; per mua nese mund te tregosh tamam ate friken (aq absurde) e nje personi te vetem qe thjesht donte te ishte i lire te mendonte, ke thene me shume se sa te numerosh se sa njerez u jane futur burgjeve, internimeve dhe jane vrare apo zhdukur pa asnje arsye. Faktet mund t’ia percjellesh me lehte njerezve sot (dhe duhen percjelle), por thelbin turbullues te sistemit tone socialist, eshte shume me e veshtire ta tregosh.

  3. Une besoj se nuk mund “te flisje” ne socializmin tone. Besoj se alegorite e Kadarese ishin maksimumi ku mund te shkohej, dhe atehere ndihesha fatlume qe ai “s’po e hante”. Une e cmoj guximin e kujt foli hapur aso kohe, jo si hap perpara per te treguar thelbin mizor te sistemit, por si akt moskompromisi dhe mospajtimi me nje moral te shtirur e te papranueshem. Por une ISHA dhe e di qe “rreziku” ishte i pakuptim, sepse sistemi kish kontroll te tille qe e bente cdo mosheshtje te ishte ne fakt heshtje, dure e reduktuar “rrezikun” ne zero. Disidenca ka kuptim kur ka nje efekt. Nese efekti i saj eshte zero, veshtire ta quash disidence.

  4. 🙂 Une qellimisht nuk e kerkova tregimin ne shqip; perndryshe nuk do provoja dot ate eksperience leximi qe pershkruaj. Por shihni titullin e origjinalit qe sjell Shpendi, “Ikja e shtergut” (e jepte Baci edhe ne fb), qe perforcon sa them per vleren e gjuhes ku historia dhe fjala u jetua.

  5. Presja, flm per mirekuptimin. Jam dakort me mendimin se frika ishte nje simptome e thelbit agresiv dhe antihuman te regjimit edhe pse askush nuk vdiq nga frika, me perjashtim te nenpunesit te Cehovit ( dhe shiko , ke te drejte qe ke ziline te huajin sepse bashkshortit te huaj, leximi tregimit i ka dhene ndjesine e nje atmosfere cehoviane .Duhet te mendosh anglisht 🙂 )
    Mire ti ne anglisht por as une ne shqip nuk e kuptova se perse dashurine per Lasgushin Ik e kishte te perziere me nje fare qortimi :
    “E kisha dashur përherë Lasgush Poradecin, me një dashuri të veçantë, që kishte gjithmonë brenda saj një brengë, një qor­tim. Por, edhe dashuria për të, edhe brenga edhe qortimi ishin të një përmase të veçantë, përtej të zakonshmes, gati-gati miste­rioze.
    Po aq sa për vjershat e tij të bukura, ndoshta më shumë se për ato, kisha mall për kohën që kishte vdekur bashkë me të. Një kohë gjithashtu e papërcaktueshme lehtë (as kohë e mbretë­risë, as e republikës, as e paraçlirimit), jo, një kohë tjetër, që mund të ishte brenda të triave, e mund të mos ishte askund. Më shumë se atë vetë, doja tek ai ëndrrën mallëngjyese për diçka të tretur. Të pakthyeshmen. Të pamundurën. Prej vitesh ishte dhe s’ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë. Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, pranimit të festës, niste qortimi për të. Por, edhe ai vetë, si çdo gjë tjetër që lidhej me të, ishte e tjetërfartë, e përgjithshme, flu, më tepër qortim ikonash…

    Jo te gjithe perceptonin friken.Per dike ishte dicka konkrete, per dike dicka abstrakte. Sikurse edhe IK nuk e shikonin te gjithe “armik te Enverit”. Se vetiu shtrohet pyetja: Cilin IK shikoje armik te Enverit? Ate te Shqiponjve fluturojne lart, te Gjeneralit, Keshtjelles, Motive me diell, Dimrit? Vete IK ka patur dialektiken e tij te njohjes dhe ftohjes me sistemin , deri ne venien ne dyshim dhe braktisjen e tij, packa se tashme rreket te fabrikoje nje biografi tjeter,me nuanca antipatie per komunizmin qysh ne adoleshence.
    Ndoshta perceptimi me i drejte per IK do te ishte ajo qe thote vete IK , se ai nuk ishte disident. Mbijetoi fale talentit dhe kompromiseve. Ndoshta ishin keto kompromise, te cilat perballe pasqyres se Lasgushit te vetemenjanuar, i perftonin ndjenjen e brenges dhe qortimit.

  6. hem… qortimi i femijes te cilin prindi e ka lene, ndersa femija vazhdon ta adhuroje. Sido qe shpjegimi i Kadarese, prape ma ngaterron qartesine e sapondertuar. Por fjalen “qortim” e gjej me te interpretueshme. Falemnderit qe solle citimin ne shqip.

    Rendi yne dhe disidenca nuk rrinin dot bashke; ishte ose njeri ose tjetri. Gjersa qe rendi, nuk qe disidenca. Ismaili donte te vazhdonte te shkruante dhe te mbijetonte. S’i veme dot faj per kete. Per mua ndryshimi i Kadarese nuk ishte i pasinqerte ose nje krijim baze nga ku te kapercente ne nje kohe te re kur socializmi te behej demode. Ishte zhgenjim. Me duken me te sinqerta romanet e tij ku partishmerine duhej ta kerkoje me qiri ose ta shpikje, sesa ato mepare me shqiponja qe fluturonin lart. Ne te gjithe kemi bere kompromiset tona me regjimin. Une ia kam recituar me lot ne sy “Shqiponjat”, kur ne shtepine time mateshin dekiket e diteve komuniste edhe kur kishin mbetur ende 10-vjecare per t’u kaluar. Per mua Kadare ishte urrejtes i atij regjimi, dhe cfare vjen pas, ka me shume rendesi se cfare ishte perpara. Pozicioni i tij i pas 75-es per mua eshte pozicioni i tij real. Kjo nuk do te thote aspak se nuk shoh probleme ne sjelljen e tij, tek njeriu pas tij, apo edhe ne shkrimet. Sa me shume “rritem” aq me shume shoh nuanca ne gjithcka. Por roli i tij si opozitar (qe s’u be e s’mund te ishte disident) per mua eshte i padiskutueshem.

  7. K.-së i matet më së shumti qëndrimi i djeshëm me kutin e sotëm dhe e kundërta, qëndrimi i sotëm me kutin e djeshëm.
    K.-ja lëvdohet keq e qortohet edhe më keq.
    Qortuesit mungojnë gjithnjë të na tregojnë se ç’duhej të kishte bërë K.-ja sipas tyre në atë kohë të errët? Të mos shkruante? Të përfundonte në Spaç?
    Ndërsa lëvduesit përskajohen në ekstremin tjetër: dikush e krahasonte me Danten në 79 vjetor, të tjerët, mediokër më së shumti, përpiqen të prodhojnë mëndafsh prej gjetheve të manit të tij.
    Palëve të ndërluftuesve u duhej sugjeruar të mos humbnin kohë për sherre të tilla jetëshkurtër, por, në munden, të mësonin së paku nga zelli i K.-së e t’i linin llafet e të nisnin punën, për ta bërë ata më mirë atë që po mëtojnë të kritikojnë.
    Të ulen e të shkruajnë diçka në mos më të mirë, të paktën po aq të mirë sa “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave” e me radhë. Nuk është bast i pabarabartë: ato vepra u shkruan nën trysni; shkruesit e sotëm do të kishin komoditetin e lirisë dhe të kohës së lirë që e harxhojnë me broçkulla kafeneve.
    Dhe, mbi të gjitha: pse nuk mësyhet, ta zemë, Kolë Jakova, Ali Abdihoxha, Dritëro Agolli, Fatmir Gjata etj., por veç K.-ja? Përgjigja është e thjeshtë: se K.-ja është si shkrimtar më vital se kurrë e kjo nuk ka se si të vijë nga kompromiset që paskësh bërë me ideologjinë e regjimin e asaj kohe, kompromos që u ka kushtuar emrave të sipërpërmendur e qindrave shkruesve të tjerë të asaj kohe harrimin dhe humbjen e veprës fill pas rënies së diktaturës.
    Shpesh harrohet me pretekstin asnjëherë të vërtetuar vepra e K.-së së pas viteve 90-të si kinse më e dobët se ajo e shkruar nën diktaturë. Ky pretendim jo vetëm që nuk është i vërtetuar, por ngjan deri edhe i qëllimshëm, gjer në kufinjtë e baltëhedhjes. Ndaj edhe flitet për K.-në, kur flitet, vetëm përgjysmë: i mëshohet veprës së tij së dobët e i harrohet – pse vallë? – vepra e tij më e mirë e, për më shumë, i përheshtet pothuajse gjysma e saj.
    K.-ja, fatmirësisht, nuk e ka më të nevojshme mbrojtjen prej askujt. Ndaj edhe ky koment është në këtë sens i tepërt. Ndjesë atyre që e lexuan deri këtu.

    1. Une kam reagime te perziera per Kadarene pas 90-es. Besoj edhe se kerkoj me shume se dikur. Mund te jete baltehedhje, sic thua. Por e rendesishme eshte qe mund te jesh shkrimtar i madh edhe me nje veper te vetme. Prodhimi i disa gjerave jo aq te dashura, nuk ka vlere baltehedhese ndaj puneve qe s’u diskutohet vlera. Une s’e kuptoj kete metrin absolut te matjes se njerezve: o te gjitha, o asgje.

      Por shkrimi ishte me shume per sa shume vlere informative dhe emocionale humbet ne transfertat ne gjuhe, kohe e hapesire.

      1. Komenti im nuk kish të bënte shumë me shkrimin tënd, por me mënyrën se si i qasen K.-së sot në hapësirat shqipfolëse.

Comments are closed.