SHQIPTARI QË HËNGRI QENIN

Imazhi negativ që gëzojnë shqiptarët në mediat italiane tashmë njihet nga të gjithë. Në qoftë se nga një anë ne u japim shkas për ta mbushur kronikën e zezë, nga ana tjetër nuk është se gazetarëve u mungon zelli për të luajtur me gjithfarë cilësorësh dhe titujsh mistifikues.

Arsyeja që më ra në sy lajmi me titull “Një djalë i ri ha qenin e komshies” (botuar në disa media italiane) ishte se përkonte për çudi me një maksimë të gazetarisë moderne. Sipas kësaj, kriteri i lajmshmërisë e kërkon medoemos elementin e pazakontë, të habitshëm, bizar. Thuhet në çdo manual gazetarie, se kur një qen kafshon njeriun nuk përbën lajm, por e kundërta, pra kur njeriu e kafshon qenin, këtu kemi të bëjmë me një lajm mediatikisht të pastër.

Lajmi që më tërhoqi vëmendjen tregonte se një tip në Belluno e rrahu qenin e fqinjës derisa ngordhi. Pastaj e rropi dhe i hëngri të përbrendshmet, pa harruar në fund të dilte lakuriq përballë një kalimtareje të rastit. Mësohet më tej se ky protagonist lajmesh prej manuali ishte shqiptar. Djaloshi i çuditshëm u shtrua forcërisht në spitalin psikiatrik.

Lajmi i mësipërm është argëtues në mungesë ndjenjash animaliste, por jo dhe aq po të shihet mënyra se si është dhënë nga mediat e ndryshme. Nuk duhet diplomë në komunikim për të kuptuar se titulli “Një djalë i ri ha qenin e komshies” (kështu është dhënë nga shumë media) ka efekt të ndryshëm në publik nga titulli tjetër “Një shqiptar vret dhe ha qenin e komshies” (Corriere della sera). Në rastin e dytë kemi atë që quhet “etnizim” të një fakti apo krimi. Në të vërtetë, nuk kuptohet se ku qëndron rëndësia, nga pikëpamja e lajmit, e informacionit për shtetësinë e të sëmurit psikik. Madje edhe sikur të mos ishte cilësimi “shqiptar” vetë dhënia e lajmit është e dyshimtë, përderisa dihet nga të gjithë që të sëmurët psikikë bëjnë gjëra të pazakonta. Për të mbushur faqet e gazetave mjafton që gazetarët të shkojnë andej nga çmendina, ku episode të habitshme nuk mungojnë asnjëherë.

Mund të thuhet se lexuesit dëshirojnë t’i njohin ndodhi të tilla. Ka mundësi. Në këtë rast saktësimi i shtetësisë së personit është i pashpjegueshëm, sepse nuk ka peshë informative. A thua vallë titulluesi të ketë qenë nën efektet dehëse të mitit antishqiptar? Apo ndoshta avujt turbullues prekin tashmë të gjithë, sepse qarkullojnë në kuzhinat mediatike? Në se është kështu, kohë të vështira na presin. Se disa tituj i bëjmë vetë, pa ndihmën e askujt, por edhe të tjerët plot tituj na japin, kusur s’na lënë.

Diferenca midis shtyrjes dhe dorës së zgjatur nuk është e vogël, veçanërisht kur je në buzë të greminës. Si puna jonë.

2 Komente

  1. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin episode të tilla në shtypin italian, pa asnjë përjashtim. Gjuetia e krimeve të vogla apo të mëdha të kryer nga të huaj në veçanti dhe nga shqiptarë apo rumunë(kohët e fundit) ështe kostante dhe kohët e fundit edhe në rritje falë disa ngjarjeve tronditëse që ca syresh nga tanët kanë kryer kohët e fundit. Në Itali tashmë opinionit publik i duhet servirur gjithnjë në piatën mediatike ndonjë vrasje, mundësisht e pazgjidhur ose me të dyshuarin kryesor që prokuroria nuk arrin ta fusi në grackën e saj. Giorgio Bocca e përshkruante si të pështirë këtë fenomen para disa ditësh në faqet e revistës “il venerdì”, shtesë e të përditshmes “la Repubblica”. I huaji i huazohet mjaft mirë kësaj dinamike dhe si gjithnjë është shumë më qetësuese që forcat e rendit italiane me një shpejtësi rrufe arrestuan dy shqiptarë përgjegjës për një vrasje të dyfishtë në veriun e pasur italian. Kjo i lejon të shumtëve të fshihen pas justifikimit se e keqja vjen gjithnjë nga jashtë (të huajt), nga popuj barbarë që nuk e dinë se çfarë është qytetërimi, demokracia, rrespektimi i të drejtave etj etj….të huajt janë problemi i Italisë, dhe ndërgjegjet e popullit me borxhin publik më të lartë në Evropë janë të qeta. Ishte shumë kurioze të shikoje reagimin e shtypit italian kur jane italianët që bien pre e paragjykimeve dhe jo pa shumë argumentime konkrete. Në zemrën e Gjermanisë vdiqën 6 italianë, të vrarë nga breshëritë e hakmarrjes, lojra mafie, kontrolle territori, droge, prostitucioni etj etj. Editorialet e gazetave italiane u lodhën të nesërmen dhe për disa ditë me rradhë të shpjegonin se ai ishte një përjashtim dhe se policia italiane po bën çmos që gjëra të këtilla mos të arrijnë në këto pika. Gjermanët vazhdojnë të mendojnë akoma me më shumë forcë se mafia në Itali është një sëmundje tejet e depërtuar në ADN e këtij vendi..italianëve nuk u vjen mirë që gjermanët e mendojnë këshut dhe vazhdojnë të mburrin Ferrarin, Valentinon, Brunellon et etj duke aplikuar mbi të huajt që banojnë çizmen atë që ata nuk duan të dëgjojnë nga të huaj të tjerë mbi llogarinë e tyre..ligji hierarkik i më të fortit.

  2. Një i sëmur mendor dhe aq.Nuk thonë kot që mendja sëhtë kokërr gruri.Ka një show mediatik dhe spekullime gazetareske që jo vetëm pse është shqiptar,por majfton që është njeri,dhe të alarmonë dhe të stresonë kur e lexon.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin