KU KOSOVA?

Vura re, krejt papritur, se sipas statistikave që ofron WordPress-i, ose kompania që mikpret në serverat e saj edhe blogun tonë Peizazhe të Fjalës, Kosova shtet i pavarur nuk ekziston, ose njihet ende si provincë e Serbisë.

Dhe ja pse: duke kontrolluar statistikat e vizitave në blog, ndesha në këtë tabelë, të cilën po e riprodhoj më poshtë:

Siç shihet, tani që po shkruaj, në blog ka pasur plot 41 vizita nga Serbia; por asnjë nga Kosova. Njëlloj edhe një ditë më parë: 47 vizita nga Serbia, asnjë nga Kosova (kjo e fundit nuk figuron fare as në statistikat mujore).

Nëse këto vizita janë vërtet nga Serbia, dhe ato prej Kosove nuk regjistrohen fare, unë këtë nuk di ta ftilloj; por kam frikë të kundërtën: se WordPress-i po numëron si prej Serbie edhe vizitat nga Kosova. Një shpjegim alternativ do të ishte që vizitat nga Kosova llogariten si prej Shqipërie – ndërsa ato të Serbisë janë vërtet prej Serbie, por më duket me pak gjasë (qoftë edhe ngaqë Kroacia mungon krejt në këto lista).

Harta që kam riprodhuar, në versionin e vet origjinal, ia ndryshon ngjyrën vendit përkatës në hartë, kur ti e kalon miun sipër emrit të shtetit – dhe kur unë këtë e bëj për Serbinë, shteti i ngjyrosur është ai korrekt; ndërsa Kosova figuron e vizatuar në hartë, por nuk sjell asnjë vizitor në blog – në një kohë që vijnë 20 mysafirë nga Islanda, bie fjala (vend që i ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet shqiptare, sidomos online).

Edhe pse nuk e them dot me siguri, kam frikë se fajin për këtë nuk e ka WordPress-i, por mënyra si lidhet dhe identifikohet Kosova në Internet. Gjëra të vogla, por jo aq të vogla sa siujdhesat São Tomé e Príncipe, me flamurin ngjyrë mangoje të athët.

Nuk ka komente

  1. Këto identifikime bëhen nëpërmjet IP-së. Diku ka një regjister që bën lidhjen midis vargjeve të IP-ve dhe shteteve ku ndodhen. Ka vargje IP-sh (si psh ato të AOL-it) që mund të përdoren në shtete të ndryshme prandaj komentatorët mund të dalin një herë në një vend dhe në një vend tjetër pas një ore.

    Fajin mund ta ketë kompania që mirëmban regjistrin apo ajo që ka IP-të dhe i raporton si t’i teket.

    1. Por Kosova nuk del asnjëherë, asgjëkundi në statistikat e mia të WordPress-it – prandaj është më tepër problem strukturor, meqë unë nuk besoj që kjo mungesë të ketë lidhje me sa thua për vargjet IP të AOL-it.

  2. Jane dy sherbyes interneti kryesor ne Kosove, IPKO dhe Kujtesa. Nese perdor njeren identifikohesh si te jesh nga Serbia, e per tjetren si te jesh nga Shqiperia.
    Kjo sepse bashkesite me IP te cilat i perdorin klientet e ktyre dyve iu jane caktuar zyrtarisht kompanive ndermjetse ne Shqiperi dhe Serbi. Mundet te shihet qe paketa me informata ne njerin rast kalon permes Shqiperise dhe ne tjetrin permes Serbise.

    Organizatat nderkombtare qe meren me keto pune nuk e njohin Kosoven si shtet te pavarur pa qene antare ne OKB. I njejti problem eshte p.sh. edhe me kodin telefonik.

  3. Po kjo puna e Islandes si eshte??? Kam degjuar te njejten gje edhe ne blogje te tjera.

  4. kam frikë se fajin për këtë nuk e ka WordPress-i, por mënyra si lidhet dhe identifikohet Kosova në Internet

    Dalim tek argumenti i VV-sjes e cila e cileson Kosoven si koloni de fakto serbe. Per aq kohe sa rrjeti i energjise dhe i telekomunikacionit eshte Serb eshte e kote te pretendohet per sovranitet. Xhiro vjetore qe i sjell Kosova Serbise llogaritet rreth EUR 500 milione

    1. Do shtoja gjitihashtu qe Serbia vjel gjithe fitimet e qenies te nje fuqie kolonizatore, por nuk ka asnje prej detyrimeve (i.e. shpenzime per zhvillim ekonomik etj etj )

  5. Ato qe te dalin me Serbia, i ke te gjithe nga kosova, kjo eshte me se e qarte. Meqe ra fjala, sa pak te lexokan ne Kosove e Maqedoni.

    1. Nuk di c’të them. Sipas një kolegu që la një koment më parë, disa prej vizitave prej Kosove kalojnë nëpërmjet Shqipërisë – dhe nëse është kështu, atëherë ndoshta nuk janë dhe aq pak. Por është më se e sigurt që, të paktën mes komentuesve, kosovarët janë të rrallë. Ndoshta temat që trajtojmë nuk ngjallin interesin e tyre të mjaftueshëm, ndoshta edhe ne nuk merremi sa duhet me çështje specifike të atjeshme, ndoshta kanë halle të tjera. Asnjë arsye për t’u shqetësuar gjithsesi, sa kohë që mbeten të mirëpritur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: