Qirinj dhe bretkosa

Shqipëria po mbytet në terr, madje po t’u besosh gazetave, kështu do të mbetet derisa hidrocentralet e Veriut të mund të fillojnë prodhimin me kapacitet të plotë. Tanimë, me përjashtim të mediave të neveritshme partiake të cilat vazhdojnë të krakërijnë për zgjedhjet lokale, duket se tema e energjisë ka zënë vendin kryesor mes preokupimeve publike.

Kjo më tingëllon ironike së paku, kur kujtoj se hidrocentralet mbi Drin duhej ta kishin zgjidhur njëherë e mirë problemin e energjisë në një vend si Shqipëria, e cila praktikisht nuk ka më konsumatorë të mëdhenj industrialë, dhe energjinë elektrike e përdor kryesisht për t’u ngrohur.

Në të njëjtën kohë, lexoj këto ditë në “Shekulli” një reportazh, “Pulëbardhat e Knallës”, që rimerr temën e katastrofës ekologjike në Shëngjin, pas djegies së depozitave me karburant të firmës “Taçi Oil” para pak javësh. Gjendja atje është vërtet e dhimbshme, sidomos kur mendon se Shqipërisë qeveritarët e firmat e karburantit do t’i ndërrohen përsëri, por natyra jo.

Autori i reportazhit, Ardian Klosi, e ka ngritur zërin edhe në mbrojtje të natyrës gjetiu; si në rrethinat e Tiranës e veçanërisht në Gjirin e Vlorës, kundër projekteve për të ndërtuar atje një TEC, ose një terminal të karburantit ose të gazit. Duke e lexuar, nuk mund të mos e vendos një lidhje midis shqetësimit qytetar të Klosit e të lëvizjes ekologjike në përgjithësi, dhe krizës energjetike në vend.

Me këtë nuk dua të them se lëvizja ekologjike e ka lënë vendin në errësirë. Politikanët dhe teknokratët që administrojnë sot Shqipërinë nuk pyesin për pulëbardhat e Knallës, meqë këto nuk hahen. Dua vetëm të them se dilema midis zhvillimit energjetik të vendit dhe mbrojtjes së natyrës atje është një dilemë e gënjeshtërt.

Edhe pa qenë ekonomist, mendoj se në rrethanat e një ekonomie kapitaliste normale e sa kohë që në treg mungon një produkt kaq i kërkuar e i domosdoshëm si energjia elektrike, ekonomia do të kishte reaguar duke investuar menjëherë në sigurimin e këtij produkti. Në të vërtetë, më rezulton se sipërmarrësit shqiptarë vazhdojnë të investojnë vetëm e vetëm në ndërtim e në shërbime, të tilla si restorante ose hotele.

Pse nuk investohet vallë në TEC-e të vogla, ose hidrocentrale të vogla, të cilat të furnizojnë me energji komunitetet lokale? Nuk di t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje. Kapitalistët shqiptarë e kanë parë të arsyeshme të investojnë, bie fjala, në ngopjen e tregut me gjeneratorë, të cilët shkaktojnë një ndotje të madhe kimike dhe akustike, përveçse janë jashtëzakonisht jorentabël për përdoruesit.

Po a mund të përmbushen nevojat energjetike të vendit vetëm nëpërmjet zgjerimit të prodhimit privat të energjisë, duke i lënë shtetit vetëm rol koordinues? Kam frikë se jo. Kriza energjetike nuk është ndonjë dukuri e re në Shqipëri, meqë përsëritet rregullisht çdo dimër; prandaj një TEC i madh duhej të ishte ngritur tashmë, në një vend relativisht afër detit ose hekurudhës, që të mund të furnizohej me lëndë djegëse.

Që nuk është ngritur, për këtë s’i lihet dot faji lëvizjes ekologjike, ose Ardian Klosit e Sazan Gurit, të cilët kanë shkruar me dhjetëra artikuj e editoriale në mediat për të argumentuar se TEC-i do të shkatërronte turizmin në Vlorë; edhe pse dihet se, pa infrastrukturë të përshtatshme, turizmi masiv as që mund të shpresohet.

Si edhe në raste të tjera, kam frikë se ky bllokim i ndërtimit të një TEC-i ka të bëjë me interesa grupesh rivale ekonomike, të cilat duan të ndërtojnë TEC-et e tyre; e që argumentet romantike të ekologjistëve thjesht i përdorin si gjethe fiku, njëlloj sikurse argumentet e tjera e çuditshme për Triportin që u dashka mbrojtur si vend ku kanë zbarkuar për herë të parë në Ballkan hebrenjtë sefardikë të Spanjës.

Mirëpo kriza energjetike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërtimin e një ose disa TEC-eve. Mes gjërave të tjera për t’u ndrequr, më vijnë në mendje (1) rrjeti i shpërndarjes në qytetet e mëdha, veçanërisht në Tiranë, i cili nuk i bën dot ballë as shtimit të konsumit, as shtimit të pakontrolluar të popullsisë; (2) vetë përdorimi që i bëhet energjisë nga privatët për t’u ngrohur në dimër, i cili nuk ka kuptim nga ana ekonomike.

Infrastrukturën e shpërndarjes së energjisë përdoruesve me pakicë në qytetet e mëdha nuk mund ta zgjidhin privatët; por privatëve, sidomos firmave të ndërtimit, mund t’u kërkohej të kontribuonin financiarisht në hapjen e kanaleve, rinovimin e nënstacioneve dhe shtrimin e linjave të përshtatshme. Me këtë rast, mund të rinovohej edhe rrjeti i shpërndarjes së ujit të pishëm, madje të shtohej edhe një rrjet për shpërndarjen e gazit natyral për ngrohje.

Nuk di nëse ka ndonjë normativë që t’i detyrojë firmat e ndërtimit që t’i pajisin me sistem të ngrohjes qendrore të gjitha pallatet e reja të banimit; por një masë e tillë administrative do të më tingëllonte me vend. Nëse dikush duhet të paguajë për këto rinovime, kush mund ta bëjë këtë më mirë se mafia e ndërtimeve?

Lidhjet midis krizës së infrastrukturave dhe degradimit të mjedisit në Shqipëri janë të shumëfishta. Kur dëgjoj e lexoj për kushtet e jetesës në Tiranë, më vjen në mendje shembulli i njohur, me bretkosën në epruvetë mbi zjarr; e cila praktikisht valohet për së gjalli pa e kuptuar, ngaqë temperatura e ujit rritet gradualisht. Ajri në Tiranë është tejet i ndotur nga automjetet e shumta dhe pluhurat e ndërtimeve; por edhe nga mungesa e hapësirave të gjelbra. Gjetiu pyjet janë prerë barbarisht, dhe ujërat sipërfaqësore ndotur me kimikate; ose vija bregdetare është betonuar; ose parqet janë zaptuar nga privatët.

Pulëbardhave të Knallës janë vërtet për t’ua qarë hallin; por sot janë të gjithë qytetarët në Shqipëri që po pësojnë fatin e pulëbardhave të Knallës. Ekologjizmi është i lavdërueshëm, sidomos për një kulturë si e jona që s’e ka pasur në traditë, e ku deri dje poetët kombëtarë u këndonin oxhaqeve të larta dhe barakave prej pupuliti dhe kullave të ftohjes, madje edhe eternitit vetë. Vetëm se mjedisi e humbet pafajësinë në momentin që ne si konsumatorë të natyrës bëhemi të vetëdijshëm se ekziston dhe duam ta përvetësojmë.

E kam fjalën që miti i natyrës së virgjër është po aq artificial sa edhe ai i “popullit” që ka gjithnjë të drejtë, ose i kapitalizmit “grykës”, ose i shqiptarit “liridashës” e kështu me radhë deri në velje. Nëse e duam natyrën shqiptare të pastër si në lirikat e Naimit e të Lasgushit, atëherë kjo natyrë e pastër duhet prodhuar njëlloj sikurse buka, këpucët, libri, rakia, taksia dhe parlamenti.

Gjëja më e lehtë është të shahen pushtetarët për krizën; sepse e meritojnë, sepse janë amoralë dhe të papërgjegjshëm, sepse janë dinakë dhe gënjeshtarë, sepse janë të paaftë dhe amatorë. Mirëpo shëmtitë kaq evidente në sjelljet e këtyre majmunëve të cirkut njëfarësoj i kemi trashëguar të gjithë në genet kulturore, kush më shumë e kush më pak. Të gjithë nuk dimë t’i administrojmë qytetet, të kujdesemi për hapësirën publike, të mendojmë për të nesërmen e të pasnesërmen, të shqetësohemi për komunitetet ku na është hapur parashuta.

E lehtë është të fajësohet edhe kapitalizmi, ose ekonomia e tregut; pse i bën agjentët ekonomikë të mendojnë vetëm për fitimet materiale private, duke shpërfillur mirëqenien publike. Mirëpo fajin për këtë krizë të sotme vështirë t’i lihet në derë kapitalizmit; sepse një ekonomi e tipit kapitalist prej kohësh do të kishte reaguar ndaj krizës, duke ia gjetur zgjidhjet vetvetiu.

Ka analistë, si Fatos Lubonja, të cilët mendojnë se Shqipëria tanimë ka dështuar; për arsye të shumta e të mirënjohura. Unë këtu vetëm do të shtoja se, një nga shkaqet kryesore të këtij dështimi, që nuk e dëgjon të përmendet shumë, ka të bëjë me kushtet e reanimacionit në të cilat mbahet forcërisht gjallë regjimi politik në atë vend. Sistemi atje është një gjysmë kufomë, ose një organizëm në komë të detyruar, në spitalin total të Evropës. Vetëm ashtu mund të shpjegohet disi deliri i kacafytjeve për certifikatat e zgjedhjeve, në një kohë që vendi dergjet në errësirë. [2007]

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin