Seksi dhe politika

Kryeministrin Berisha e dëgjoj tani të insinuojë publikisht se kreu i opozitës, Edi Rama, qenka homoseksual.

Këtë deklaratë skandaloze mund ta diskutosh në dy aspekte: (1) a mund të përdoren insinuata të tilla në luftën politike dhe (2) a mund të pranohet nga zgjedhësit në Shqipëri që një homoseksual të qëndrojë në krye të opozitës.

Vetë nuk kam kurrfarë kurioziteti për preferencat seksuale të Ramës. Dua vetëm të diskutoj nëse zhurmat për homoseksualitetin e një leaderi mund t’ia ndikojnë pozitën këtij leaderi brenda politikës shqiptare.

E kam të qartë edhe se, në një klimë politike super të nxehtë si ajo e Tiranës sot, palët ndërluftuese nuk do të stepeshin para asgjëje, as edhe një thashethemeje çfarëdo ose shpifjeje ose pëshpërime kafenesh, që shpresohet të dëmtojë a të lëndojë kundërshtarin.

Që Berisha e përsiat një thashethem të tillë në publik, kjo tregon se kryeministri është i bindur që homoseksualiteti vetvetiu do t’ia dëmtonte Ramës pozitën, argumentin dhe perspektivat.

Po a është vallë kështu?

A do ta votonte e përkrahte e majta shqiptare një leader të vetin homoseksual?

Nëse nesër do të vinte fjala për të votuar për Ramën kryeministër, a do ta gëlltiste publiku shqiptar këtë realitet (të supozuar)?

Kam frikë se jo.

Publiku në Shqipëri nuk është ende gati të flasë lirisht për seksualitetin e udhëheqësve të vet; çka më duket edhe normale, meqë seksualiteti i dikujt, nëse mbahet privat, nuk ka pse të bëhet objekt i vëmendjes publike.

Homoseksualiteti në Shqipëri ende konsiderohet etikisht i censurueshëm; dhe nuk më duket se është në programet e së majtës shqiptare që ta rehabilitojë, qoftë edhe nëpërmjet shembullit personal të këtij apo atij leaderi.

Me fjalë të tjera, një politikan homoseksual që kërkon votën e zgjedhësve, është i detyruar t’i mbajë absolutisht të fshehta preferencat e veta seksuale, madje edhe të shtiret si hetero në publik.

Mirëpo seksi, nga vetë natyra e vet, rregullisht i fut njerëzit në marrëdhënie me njerëz të tjerë dhe sekretet shndërrohen në mallra që blihen e shiten, sipas ligjeve të kërkesës dhe ofertës; çka mund të shfrytëzohet pastaj, kur është fjala për figura politike, VIP-a ose celebrities, për shantazhe të ndryshme.

Mekanizmi i shantazhit seksual njihet mirë: grupe të ndryshme shtien në dorë me mënyra të ndryshme të dhëna nga jeta private e një politikani, i cili do të kish dashur të mbeteshin private, dhe pastaj i kërkojnë atij politikani të bëjë këtë e atë, përkundrejt kërcënimit për publikim të atyre fakteve.

Si politika, ashtu edhe seksi kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve; madje suksesi seksual zakonisht mbahet për një nga efektet anësore të suksesit politik, madje edhe kur nuk ka qenë në synimet imediate të politikanit.

Publiku shqiptar i kushtëzuar me vizione patriarkale të dinamikave sociale, është mësuar t’ua falë politikanëve macho aventurat seksuale me sekretaret e tyre, këngëtaret, kamarieret, vallëtaret ose studentet, sa kohë që këto shtjellohen sipas skenareve rigorozisht hetero, dhe mbeten pak a shumë “private”.

Nga kjo pikëpamje, shqiptarët duken si më liberalë se amerikanët, se këta të fundit zakonisht nuk ua falin udhëheqësve të tyre devijimet qoftë edhe minimale nga normat e jetës familiare, e duan t’i shohin politikanët e tyre gjithnjë në shoqëri të gruas, fëmijëve dhe qenit; por jo aq liberalë se evropiano-perëndimorët, të cilët ngrenë supet, kur vjen fjala për kuriozitete seksuale pikante nga jeta e udhëheqësve të tyre dhe sjellin në parlament edhe figura si Vladimir Luxuria (në Itali).

Problemi me një politikan homoseksual në Shqipëri ka të bëjë, në këtë rast, me dy dobësi themelore: (1) ekspozimin e këtij politikani ndaj shantazhit; dhe (2) efektet e kësaj nevoje absolute për fshehtësi në karakterin e politikanit vetë.

Si bejlegtar politik i sprovuar, Berisha i kupton mirë këto dobësi dhe natyrisht nuk do të ngurrojë t’i përdorë kundër Ramës; sepse këtë ia dikton logjika e bejlegut. [2006]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin