Mite të lodhura

Kur flitet për kombëtarizmin, zakonisht ia drejtoj kritikën jo mitit vetë, as kujtesës së mitit, por përdorimit që kërkohet t’i bëhet mitit.

Ashtu siç e shoh unë, është përdorimi abuziv, jo miti vetë, që e pengon të qenët shqiptar. Ky përdorim ka të bëjë me shndërrimin e “shqyptarisë” në fe kombëtare, ose në bindjen e disave se një komb e ka për detyrë të adhurojë vetveten.

Ky tipar papjekurie na afron shumë me fqinjët, pavarësisht nga armiqësitë që kemi. Po ta vësh re, kemi një grusht heronjsh si Leka e si Pirroja që ia zhgrrapim njëri-tjetrit, si dikur berrat e bareshëzat.

Ajo çka është specifike për ne, është se miti kombëtar ndër shqiptarë nuk gjen shumë konkurrencë nga mitet fetare konvencionale, prandaj edhe i merr lehtë atributet e një feje të kombit, të cilat përndryshe më tingëllojnë qesharake.

Me ç’shoh në mediat e në librat që botohen, është krijuar një subkulturë e tërë e cila i shërben këtij miti, e që ndoshta nuk e ka shkëlqimin e kulturës kozmopolite të elitave në Tiranë, por i flet më drejtpërdrejt e më ëmbël shqiptarit të përditshëm të poshtëruar, mësuesve të fshatit, violinistëve të papunë, berberëve, oficerëve të liruar, poetëve të shterrur, piktorëve të pllakateve, dervishëve të provincës, rrëmuesve të varreve e veteranëve të bibliotekave të lagjeve.

Kjo subkulturë mbahet e gjallë nga amatorët, parvenutë dhe naivët, të cilët tani i mbështetin bindjet e tyre në autorë si D’Angely, Aristidh Kola, Nermin Vlora dhe Zacharia Mayani, të përkthyer e të kremtuar si pakkush tjetër.

Kjo lëvizje bën përpara me forcë të papërballueshme. Albanologjia ndihet krejt e pafuqishme ndaj një profeti manipulativ që e shpjegon krejt Greqinë Antike me mjete të thjeshta të shqipes. Pellazgët, etruskët deri edhe egjiptianët e lashtë – s’ka problem, se këta të marrë kudo do të gjejnë gjurmë e prova të pranisë së shqipes.

Subkultura kombëtariste depërton atje ku asnjë lloj albanologjie nuk do të shkonte dot; sepse i flet zemrës, jo mendjes. Jo vetëm ka trajtat e një dijeje të çalë që kërkon të tebdiloset si të ishte fe, por edhe në proces e sipër merr atribute anti-intelektuale, sepse vetë dialektikën e dijes e sheh me dyshim, si të ishte shenjë e parë e tradhtisë.

Kësisoj, kombi shqiptar – i cili përndryshe është realitet i përditshëm dhe mbështetet në komunikimin shumëplanësh të shqiptarëve nëpërmjet instrumenteve të tilla si gjuha, mediat dhe marrëdhëniet ekonomike dhe të pushtetit – vjen e themelohet në një të shkuar mistike, e cila për nga natyra e saj nuk mund të merret në pyetje.

Mitet historike, të shfytyruara në këtë mënyrë, humbin edhe vetë natyrën e tyre historike, për t’u kthyer në objekte platonike të pacenueshme, ose në konstante mistike të një universi imagjinar e iluzor.

Vetë koncepti i kombit, i zhveshur nga dinamizmi historik i natyrshëm, vjen e shndërrohet në dogmë. Mirëpo shqiptaria nuk është Kishë, as janë shqiptarët grigjë. Unë jam skeptik deri edhe ndaj mundësisë për ta përdorur historinë si depozitë vlerash etike – sa kohë që ne vetë jemi produkte të saj.

Vetëm një përvetësim i arsyeshëm i historisë sonë kombëtare do të na ndihmojë për t’u çliruar jo aq nga mitet, sesa nga veprimi narkotizues i miteve.

Qëndrimi i atij shqiptari që përpiqet me aq sa mundet për t’i ofruar shërbimet e veta publike Shqipërisë ose shqiptarëve të tjerë më duket shumë më atdhetar sesa qëndrimi i atij shqiptarit tjetër që bën bé e rrufe për Skënderbeun e Lekën e Madh e të Vogël, dhe pastaj vazhdon hareshëm të ngulë hunj gjithnjë më të fortë e më të lartë në gardhin që e veçon prej hapësirës publike në kalbëzim e sipër.

Sot edhe në Kosovë ka njerëz që identitetin kosovar duan ta përkufizojnë ndryshe nga identiteti shqiptar; nuk i gjykoj dot, sepse nuk ua njoh mirë pikëpamjet, por ma do mendja se kjo dukuri varet edhe nga fytyra e padenjë që i tregon sot Shqipëria Evropës dhe botës.

Pse, me Pirro Burrin, Lekën e Gjin Bue Shpatën do ta rregullojmë këtë gjendje? Edhe sikur të jetë e vërtetë që mitet kombëtariste luajnë një rol për t’i mbajtur shqiptarët së bashku, ky efekt nuk e kundërshton dot veprimin disociues dhe shpërbërës të faktorit social dhe ekonomik në realitetin e sotëm.

Kjo s’më duket se ka të bëjë me fqinjët. As përpjekjet e disa elitave në Kosovë për t’u distancuar prej Shqipërisë nuk mund t’ua faturojmë kaq kollaj shërbimeve sekrete serbe. Faktori i jashtëm antishqiptar vërtet ekziston, por Shqipëria nuk mund të riprodhohet duke iu referuar obsesivisht. Për mua, qëndrim i mirëfilltë antishqiptar është edhe ai i kujt, rrethuar nga plehrat e çdo lloji dhe nga maskarallëku mbytës, përsëri nuk heziton t’ia marrë këngës: “O sa mir o me ken-o shqyptar-e!”

* * *

Kombëtarizmi, për mendimin tim, është ideologji që kërkon të funksionojë si fe, por duke u maskuar si dije. Këtej burojnë edhe një pjesë e mirë e problemeve, të cilat shfaqen edhe ndër shqiptarët, sikurse edhe kudo gjetiu.

Kombëtarizmi shqiptar gjithnjë ka pasur dhe ka nevojë për albanologjinë, sepse mitet e vet kërkon t’i ketë të “argumentuara” shkencërisht. Albanologjia, nga ana e vet, është dije e organizuar rreth kërkimit të së vërtetës, dhe nuk ka nevojë fare për kombëtarizmin.

Ideologët kombëtaristë i shfrytëzojnë rezultatet e dijes albanologjike në mënyrë shumë selektive, duke bërë të vetat vetëm ato përfundime, gjetje e hipoteza që pajtohen me tonalitetin e përgjithshëm të mitit. Për më tepër, kur shartohen në fenë kombëtariste të vërtetat albanologjike e humbin raportin e tyre me arsyen, kalcifikohen e thjeshtohen, duke u shndërruar në narrativa skematike.

Konflikti midis mitit kombëtarist dhe të ashtuquajturve “çmitizues” ose “ikonoklastë” është konflikt midis irracionales dhe racionales. Askujt nuk mund t’i cenohet e drejta për të vënë portretin e Skënderbeut mbi oxhak, ose për t’ia vënë emrin djalit Pirro. Por kur ky merakli oxhaqesh e baba Pirrosh kërkon t’u imponojë vullnetin albanologëve qoftë edhe duke pretenduar se e bën këtë në emër të “shumicës”, të “masës” ose të “popullit”, atëherë lind një problem.

Vitet 80 ishin vite kur zelltarët e djeshëm të internacionalizmit proletar vrapuan të përqafojnë kombëtarizmin, si strehë të fundit të banditizmit komunist në Shqipëri. Kujt i kujtohet përshëndetja e Enver Hoxhës në fund të vitit 1984 (që shumëkush e interpretoi si testament të diktatorit) do të më kuptojë më mirë, meqë atje flitej me afsh të madh për shqiptarë e për Shqipëri shumë më tepër sesa për Imperializëm e për Revolucion.

Për studiues që u formuan intelektualisht në ato vite, ky konvertim nuk mund të funksiononte veçse si një lloj i ri censure, që iu shtua asaj të vjetrës. Në Shqipërinë e viteve 80 një linguist në Tiranë që kishte bindjen se shqipja rrjedh nga një dialekt i trakishtes nuk mund ta mbronte e ta debatonte këtë bindje publikisht.

Kjo krushqi e mitit kombëtarist me politikën binte ndesh me zhvillimet e reja në albanologji, balkanologji dhe indoevropianistikë gjetiu në botë, duke e asfiksuar mendimin e lirë. Një dijetar nuk u futet studimeve për të konfirmuar mitet, por për të zbuluar diçka të panjohur ose për të njohur më mirë diçka pak të njohur. Albanologjia shqiptare, duke përfshirë këtu linguistikën, historinë, arkeologjinë, etnologjinë dhe historinë e letërsisë, ishte katandisur, në thelb, në një teknikë për ta armatosur mitin kombëtarist me pseudo-argumente.

Kjo shpjegon edhe reagimin e vrrullshëm të shumë autorëve – shkrimtarë, dijetarë e publicistë – në vitet 90, ndaj status quo-së ose korrektesës politike që kishte pllakosur këtë degë të dijes në Shqipëri.

Kundërshtimi haptazi i mitit kombëtarist u shfaq si efekt anësor i pashmangshëm, madje i mirëpritur, i rikthimit të lirisë së fjalës shqiptarëve. Këtu nuk ka aq rëndësi nëse e jëma e Skënderbeut ka qenë apo jo sllave (një fakt albanologjikisht irrelevant), por që një gjë e tillë më në fund u arrit të thuhej publikisht në Shqipëri pa u damkosur automatikisht si armiqësore e pa u censuruar që në burim.

* * *

Ashtu siç e shoh unë, kombëtarizmi ka dy aspekte: aspektin praktik-politik, dhe aspektin ideologjik-mitik. Në aspektin praktik, synon t’ia japë kombit përkatës shtetin e vet “kombëtar” e të përgatitë qytetarët për ta mbrojtur atë shtet nga rreziku nëse i kërcënohet. Në aspektin ideologjik-mitik, synon nxitjen e interesave dhe vlerave kulturore, religjioze dhe sociale të një populli shpesh në mënyrë të tepruar dhe në kurriz të vlerave përkatëse të së tjerëve (pakicave ose popujve).

Kombëtarizmi shqiptar e ka arritur qëllimin e vet praktik që prej një shekulli me Shqipërinë e po e arrin tashmë edhe me Kosovën. Sa për aspektin tjetër, ideologjik-mitik, i vetmi objektiv i arsyeshëm i kombëtarizmit të qytetarëve të Shqipërisë sot do të ishte promovimi i Shqipërisë vetë si shtet, në Ballkan e sidomos në Evropë. Por ideja e të qenit të zgjedhur (“electi”) është e pandashme nga miti kombëtarist, pavarësisht nëse shprehet me fjalë ose jo.

Në të vërtetë ideja që edhe kombëtarizmi është një lloj elitizmi më duket shumë me vend.

Intelektualët, edhe në kulturën shqiptare, nuk është se përfaqësojnë ndonjë bllok ideologjik ose forcë politike; dhe të mirëfilltëve ambicja zakonisht u përthyhet si vanitet, jo si etje për pushtet mbi të tjerët.

Nga ana tjetër, dallimi midis popullit të zgjedhur dhe individëve të zgjedhur ka të bëjë me shkallën e përpjekjeve për t’u zgjedhur e për t’u veçuar nga anonimiteti.

Intelektualët mundohen, rropaten, shpesh sakrifikojnë, që t’u dëgjohet zëri e t’u përhapen pikëpamjet. Janë të tjerë ata që marrin rrogat shumëmilionëshe e mbushin kasafortat me verdhushka rryshfetesh e bakshishesh pa u ndier.

Kombëtaristët e flamurit, përkundrazi, i duan shqiptarët (në thelb veten) të zgjedhur e më të mirë se të tjerët, por pa bërë asgjë të veçantë; thjesht si shqiptarë, ose për hir të Skënderbeut e të Nënë Terezës.

Në këtë vështrim, kombëtarizmi paraqitet si art parazitar.

Nuk i grish shqiptarët të punojnë për mbrothësinë e shtetit të tyre, Shqipërisë; por u kruan bishtin duke u thënë: ju jeni stërnipat e Pirros së Epirit e të Lekës së Madh. Ju u keni dhënë perënditë grekëve, perandorët romakëve e bizantinëve, vezirët e mëdhenj osmanëve. Raca juaj është ariane, e kulluar dhe krenare. E kështu me radhë deri në paroksizëm.

Të gjitha këto formula, që dje në gojë të rilindasve kishin kuptim e vlerë, sepse kërkonin zgjim të ndjenjës kombëtare, sot më tingëllojnë të zbrazëta.

Nuk jemi popull i zgjedhur. Jemi të prapambetur, të përçarë, të papërshtatur me modernitetin, të pazotët për t’u vetëqeverisur. Ata që nxjerrim në krye rregullisht rezultojnë të korruptueshëm, kur nuk janë të paaftë e të marrë.

Shumë nga intelektualët e përbuzur nga “populli” e ndiejnë këtë, indinjohen, shqetësohen, deprimohen, përpiqen të japin një shenjë alarmi, ose të zgjojnë të tjerët nga gjumi.

Këta janë atdhetarët e vërtetë. Të tjerëve u rrofshin mustaqet. [2006]

 

10 Komente

  1. i nderuari Xha XHai,

    E lexova kete shkrim tuaj, dhe te them te drejten me prodhoi nje emocion te jashtezakonshem per menyren e te te menduarit, origjinalitetin dhe gjuhen e kulluar sociologjike.
    Une tani jam duke bere nje projekt hulumtues lidhur me dekonstruktimin e miteve tek shqiptaret, dhe duke shfletuar materiale nga burime te ndryshme, dhe me rastisi me nje klik ne google edhe ky websajt, dhe me ke pasuruar shume me kete casjen tuaj racionale duke iu kundervene nacionalizmit romantik-ideal dhe atij nacionalizmi ekstrem.
    Une dua te aplaudoj forte per kete shkrim!

    me respekt,
    Avni – Psikolog dhe Sociolog nga Kosova

  2. Ky shkrim tregon se i je futur populizmit shkombetarizues me nje epsh qe eshte per tu lavderuar persa i perket intensitetit .

    Kombi eshte nje ‘familje e madhe’ thote kanuni, keshtu qe perqasjet e shqiptareve ne lidhje me kombin detyrimisht duhet te kene elemente jo racionale( nuk do te thote detyrimisht irracionale) ashtu sikunder cdo anetar i familjes ka ne lidhje me familjen.

    Paprekshmeria e familjes eshte detyre e cdo anetari te saj,detyrimisht edhe paprekshmeria e Kombit duhet te jete detyre e cdo shqiptari.

    Kombi eshte nje zhvillim i nocionit te bashkesise e duke qene se perfshin shume individe lidhjet qe cojne tek kombi jane logjikisht me te dobeta se lidhjet qe cojne tek flamuri ,fisi apo familja.

    Problemi qe ngrihet natyrshem eshte pikerisht zhvillimi i lidhjeve ndermjet anetareve te kombit.
    Nese kombi do shihej vetem ne kendveshtrimin e racionalitetit ekonomik apo politik atehere nuk do kishte arsye te ekzistonte per shkak se si racionalizmi ekonomik ashtu edhe ai politik shprehjen me te mire e gjejne brenda shtetit.

    Kombi eshte shprehje e lidhjeve shpirterore mes individeve, ku vlerat e perbashketa kane rolin kryesor ne ushqimin e ketyre lidhjeve e sigurisht qe ne kete prizem kemi nje antagonizem te tij me kristianizmin apo islamin. Vetem nacionalortodoksia per shkak te nacionalizmit qe permban nuk mund te jete ne kundershti me kombin por serisht me kombin qe ngjiz.

    Pra nevoja e mitizimit te kombit eshte jetike per ekzistencen e kombit tone. Transformimi i kombesise shqiptare ne nje perkatesi fetaro-kombetare nuk eshte shpikje e shek 21 por nje nga zbulimet me te medha te Rilindasve. Besoj se diferenca mes ‘shpikje’ dhe ‘zbulim’ e jep qartesisht idene time.

    Ne ende nuk e kemi zgjidhur ceshtjen kombetare, keshtu qe lidhja mes shtetit e kombit duhet te jete me e forte se kurre.
    Koha e Rilindasve nuk ka perfunduar pasi arsyeja e ekzistences se tyre lidhet me formimin e shtetit komb e jo me europianizimin apo pasurimin e shqiptareve te RSH-se apo Kosoves.

    Keta qe sot po shfrytezojne bibliotekat e gjithe botes per te gjetur historine e vertete te shqiptareve jane Rilindasit e Rinj e jo matrapaze sic i quan ti. Keta po shpenzojne leket e tyre dhe kohe vetem per te gjetur te verteten e nuk po parazitojne apo shohin interesat e ngushta vetjake sic bejne shumica e lexuesve te tu apo te mediave shqiptare.

    Nuk duhet harruar se keta po krijojne elemente te rinj shpirterore e duhen pranuar krahehapur , si kunderpeshe ndaj konceptimit materialist te kombit qe perfaqesohet nga ata qe pyesin:
    Cfare po ben kombi per mua? – A thua se kombi eshte Zyra e Punes dhe Asistences Sociale!!!!!!

  3. Hyllin, e kuptoj që nuk je i një mendjeje me mua për këtë çështje; nuk je as i pari as i fundit, dhe unë vetë jam i vetëdijshëm që çështja është delikate.
    Megjithatë, më habit që e mbështet gjithë arsyetimin tënd në një thënie të Kanunit, dhe pikërisht që “kombi është familje e madhe”. Kanuni ka vlerat e veta, meriton të studiohet, por vetëm kaq; prandaj nëse kërkon të argumentosh ndonjë gjë, përpiqu të jesh pak më bindës në premisat.
    Kombi qenka familje e madhe. Besoj se e kupton edhe ti që kjo mënyrë të shprehuri është metaforike. Metaforat janë të mira për të ilustruar ndonjë koncept të koklavitur, por nuk i përdor dot si premisa arsyetimesh. P.sh. Aqifi është dhelpër. Dhelprat vjedhin pula. Aqifi vjedh pula. Vërtet?
    As e pranoj dot se “Ky shkrim tregon se i je futur populizmit shkombetarizues me nje epsh qe eshte per tu lavderuar persa i perket intensitetit,” edhe pse shprehja ‘populizëm shkombëtarizues’ nuk është pa vlera fare. Më vjen keq të të them, por nuk diskutoj dot në publik për intensitetin e epsheve të mia; dhe ky shkrim tregon vetëm se pikëpamja ime për ideologjinë kombëtariste nuk përkon me tënden. Kaq.
    Më në fund, nuk ka asnjë arsye për të ‘pranuar krahëhapur elementet e reja shpirtërore’, sikurse thua. Si mund të pranosh krahëhapur, bie fjala, ato elemente që mbështeten fund e krye në mistifikimin e fakteve, ose në interpretime amatorësh faktesh që përndryshe janë të qarta si drita e diellit?
    Unë jam i bindur se pikëpamjet e tua janë pa vlerë, por megjithatë nuk ta mohoj përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Që ky diskutim të mund të vazhdojë normalisht, besoj se kam të drejtë të të kërkoj që as ti të mos ma mohosh mua. Fakti që ti i bie gjoksit dhe tund flamurin këtu, ose në “forume” të tjera për atdhetarizëm e kombëtarizëm nuk të jep ndonjë të drejtë për ta parë veten në rolin e gjykatësit të pozicioneve të mia ose të kujtdo tjetër; madje nuk të jep askurrfarë të drejte, për asgjë.

  4. dhe une po rrekesha te gjeja, perse nuk po hyjme dot ne Evropi???
    Pergjigja paska qene shume e thjeshte, XhaXha:
    “Rilindasit e Rinj” …paskan shume pune per te bere, para dhe kohe per te harxhuar, gjer t’i gjejne rrenjet ca gjerave e mepastaj, ta cojne edhe kombin (me gjithe Kanun,) atje, ku i ka hypur breshkes per te shkuar…Inshallah, ia dalin me kry, tha!

  5. Xhaxha,

    E njejta metodologji, e njejta tematike, popuj thuajse te njejte, por perafrime krejt te ndryshem, nga ajo qe perdorni ju, kur vjen puna tek “mitet”.
    C`ka te ben te mendosh se kombetaristet shqiptare kane instiktivisht te drejte kur reagojne ashtu sic reagojne ndaj trajtimeve qe i beni ju temes.

    Pozitivizmi i autorit te meposhtem dhe kapercimet e tij “Pindarike” ne logjike, jane ne kontrast te plote me mitet shqiptare, qe tashme paraqiten te lodhura.

    The Quest for the origins of the ancient Thracians
    By Ioannis Fidanakis

    The search for the identity of the ancient Thrakiotes (Thracians) lies
    within the question of just who was a Hellene in the ancient world.
    Whether through ancient mythology, history or modern archeology and
    anthropology the search for just who were the ancient Hellenes lead us
    on a difficult journey with today’s political climate. […]

    Lexoni më tej në:
    http://globalpolitician.com/25029-greece

  6. Nuk mendoj se kanuni eshte vendi i metaforave e biles do thoja me aq sa e kam studiuar se konceptet metaforike ‘urrehen’ po aq sa ne cdo kod ligjor(zakonor apo shteteror). Sinqeriteti i konceptit ‘Familje me e hapet’ nuk me duket i dyshimte. Me e hapet ne vend te ‘me e madhe’ per mendimin tim implikon, si e hapet ne konceptin e madhe e zgjeruar e po ashtu konceptin e dobesise, pasi dicka me e hapet nenkupton edhe lidhje me te dobeta.
    Fjalen Komb ne ja detyrojme Kanunit, nese supozojme se fjala Komb ne zonat e pushtuara nga turku ka qene inekzistente,per mungese te konceptit (nder shqiptaret e tjere) qe kjo fjale percon. Ose fjala komb e koncepti qe kjo fjale percon ishte i mirenjohur nga te gjithe shqiptaret ne ballkan.
    E permenda gjere e gjate ,domosdoshmerine e elementeve joracionale kur flitet per komb, keshtu qe per mua eshte i mirepritur cdokush qe furnizon hapesiren shqiptare me te tille elemente. Interpretimet amatoreske humbasin gjate procesit te profesionalizimit te individeve qe merren me nje fushe te caktuar studimi. Per fat te keq ,psh nje fjalor etimologjik i shqipes mungon, por kjo nuk i pengon shume individe te thone me siguri akademiku,se fjalet me baze shqip perbejne vetem 8% te fjalorit. Ky qendrim ben te mundur edhe tejcakshmerine nga krahu tjeter.

    Ne Gjermani po behet fjalori me i madh etimologjik i italishtes e ky do mbaroje pas dhjetra vjetesh. Po flasim per italishten per te cilen ka aq shume studime sa shqipja mund vetem ti enderroje.

    Ndryshimi themelor midis kendveshtrimeve tona eshte se per mua kombi nuk perhap nje koncept qe duhet perqafuar gjate nje procesi te caktuar historik ,me qellim permbushjen e nje detyre,perkundrazi , kombi eshte nje zhvillim normal i struktures socio-politike te qenies njerezore i cili del ne pah ne rrethana te caktuara historike. Nuk e mohoj qe ja detyroj kanunit kete konceptim.
    Me kete dua te them edhe se ka dallime te theksuara mes domethenies se kombit dhe nacionit,ashtu sikunder ka dallime te theksuara mes shqiptareve dhe europianeve te tjere.

    Mitet nuk mund te quhen te lodhura,pa percaktuar menjehere hapesiren brenda te ciles gjykohen,pasi kjo do sillte keqkuptim te konceptit.

    Mitet shqiptare jane te lodhura nes nje bote pa mite,pra pa kombe e kombesi e kjo eshte mese e dukshme, por nuk mund ti percaktosh si ‘te lodhura’ ne nje bote, ku fqinji shpenzon 10 miliard dollare per ushtrine,mban 10 here me shume ushtare e njekohesisht kerkon nga ti duke propoganduar genjeshtra ne mbare boten, nje ‘cope komb’ , se ti nuk je ai qe mendon se je , po je ndryshe e kete ndryshen ta sqaron fqinji.

    E fundit, mitet e lodhura,sherbejne edhe per te lartesuar pak krenarine e copetuar e mbledhur rreth memedheut mbi 1,5 milione emigrante shqiptare qe ndodhen neper bote.
    Te pakten emigranti arrin te krenohet se eshte shqiptar me dicka ,sado joracionale mund te jete dickaja. Ndodhet ne stres te vazhdueshem ne jeten e perditshme e nga vete antishqiptarizmi i vendit prites,keshtu qe te pakten te kete dicka qe i ngre moralin. Vetem keshtu mund te shpjegohet pse emigrantet jane bleresit me te etur te miteve te lodhura.

  7. Prapë shqiptari fajtor!

    Hipë e Zbrit kjo punë, por kryesorja në momentin e duhur edhe hipja edhe zbritja.

    Shkenca është një armë. Sidomos shkencat e ditëve tona.

    Ku ke shkenca kur u përndjek shqiptaria? Edhe nëse nuk ka qenë shqiptar, “për shqiptar e ka njoftë bota, e i ka shku koka”. Çka janë këta njerëz? Kaq sa i përket shkencës.

    Shkenca na mëson se çka është kombi. Sipas shkencës ne nuk jemi një komb. Një komb dy shtete?

    Ne jemi një shtëpi, si e thërret këtë shtëpi shkenca është problem i saj. Sot për deri sa shqiptohemi ndërmjet veti i themi komb dje i kanë thonë fe, neser nuk e di – nacion.

  8. xha xha ne e dime se “Nuk jemi popull i zgjedhur. Jemi të prapambetur, të përçarë, të papërshtatur me modernitetin, të pazotët për t’u vetëqeverisur. Ata që nxjerrim në krye rregullisht rezultojnë të korruptueshëm, kur nuk janë të paaftë e të marrë.

    Nuk a shqipnia kerkund ne fazen e “histeris nacjonaliste”.Dhe nuk ka ken kurr.Shqiptaret nuk jan nacjonalist masi sikur te ishin nuk do ishim ktu ku jemi…..Qe po zbulohen autore si Aristidh kola e studime mbi shqiptaret asht NORMALE.ti mund te kritikosh nje argument apo ta vesh ne dyshim ne veprat e tyne po nuk mund ta hedhsh posht ket nevoj per STUDIM E ZBULIM,aq ma teper mas nji periudhe tabush e internacjonalizmi shkombtarizus.Nuk mund ta ndash me thik Racjonalen nga Iracjonaljen masi jan 2 ane te nji medaljet.Thjesht te kerkohet EKUILIBRI mes tyne ne menyr qi mas te perfundohet ne SHKATRRIM-VETSHKATRRIM.shembull SERBIA.

  9. Ju thoni :

    “Kjo lëvizje bën përpara me forcë të papërballueshme. Albanologjia ndihet krejt e pafuqishme ndaj një profeti manipulativ që e shpjegon krejt Greqinë Antike me mjete të thjeshta të shqipes. Pellazgët, etruskët deri edhe egjiptianët e lashtë – s’ka problem, se këta të marrë kudo do të gjejnë gjurmë e prova të pranisë së shqipes.”

    Per mua n.q.se Albanologjia pranon se gjuha shqipe eshte nje gjuhe e vjeter por fatkeqesisht ajo nuk ka qene e shkrojtur ,ose nuk jane gjetur prova se ajo eshte shkrojtur ne kohet e vjetra atehere mendoj se Albanologjia nuk ka zgjidhur akoma detyren e saj te pare.

    Albanologet shqiptare nuk kane bere veçse perseritur konluzionet e alabanologeve te huaj.

    Ku jemi me arsyetimet et deritanishme ne lidhje me shqipen?

    Ne se duhet te bej nje permbledhje shume shtrydhese do themi
    se kemi nje gadishulle (balkan)
    se para JC ne kete gadishulle eshte folur greqisht ne gjithe dialektet et saj dhe iliro thrakisht.
    se greqishtja la gjurmet e saj épokes moderne por jo iliro thrakishtja.

    As nje albanollog nuk i ka dhene nje pergjigje serioze pyetjes “si ka mbijetuar shqipja ne mijevjeçar pa u shkruajtur ? Ne nje kohe qe komshiu i saj ishte ne kulmin e shkrimit? Nq se eshte e vertet perse dhe cilat mund te kene qene pasojat ne rtmin e evolucionit te saj ?

    Keto pyetje nuk mund te marrin pergjigje serioze nga nje sistem shpjegimesh qe pikerisht e kane mbyllur kete dossie.

    Ku jane te çarat e shpjegimeve te deri sotme ?
    Ne lemine e shqipes duket se nuk jane lene te çara? A ka te çare me te madhe se kontradikta “shqipja eshte e vjeter por ajo eshte shkrojtur per here te mare pas shekullit XV”, gjith duke qene midis popujve qe shkruanin gjuhen e tyre ? Te pa fuqisheme per te zgjidhur kete kontradikte, te gjithe jane marre vesh qe ta mbyllin kete kapitull, per mungese provash siç edhe juve XHAXHA.

    Shume kane tentuar te gjejne provat ne metoden krahasue, ne gjuhen greke.

    Ju i hidhni posht ata te shkrete.Theme “te shkrete” sepse ata jane te pa fuqishem per te bindur.

    Kurse une nuk i hedh poshte. por i deklaroj si perdores te nje métode(krahasuese) qe nuk mjafton per te bindur.

    Nder kohe gjej nje element turbullues tek shpjegimet e tyre, nje element qe shume pak njerez i vene rendesi sepse nuk e mendojne qe e verta te jete tek hundet e tyre .

    Ky element eshte Koherence midis domethenjes se emrit(kassandra) dhe atributit kryesor te personazhit ne histori.(qes andra) akoma me shume turbulluese eshte fakti qe kjo koherence eshte ngulmuese(persistente) ne shumicen e emrave.

    Ne shqip ka nje shprehje qe thote ” e shoh se ku eshte por nuk e di se ku eshte” pikerisht ne kete stad jane edhe ata qe duan te shpjegojne mitollogjine greke me gjuhen shqipe.

    Atehere kjo na nxit te vazhdojme kerkimin ne ate qe quhet greqishte arkaike (ose para arkaike). Kjo na nxit te kerkojme ne historine e shkrimit sidomos ne Europe e ne brigjet e mesdheut, te vertetojme saktesine e transkriptimit te tingujeve ne germa.Mos harroni qe shqipja ka 36 tinguj nderkohe qe alphabeti fenicas ka veteme 21. He he ushtrim i veshtire.Sepse kjo kerkon nje kodim.

    Amerikanet po perpiqen sot(shikoprogramin Perseus) midis te tjerave te zbulojne se si eshte prononcuar kjo greqishte e vjeter.Se si eshte perkthyer kjo greqishte e vjeter. Shkoni tek perseus digital library ,clikoni mbi Odyssen ne greqishten e vjeter. Gjeni perkthimin e fjaleve te textit duke klikuar fjale mbas fjale dhe krahasoni resultatin e ordinatorit me perkthimin zyrtat qe gjendet duke klikuar mbi”focus”

    Ja u le juve kohen e deduksionit. Aty une kam gjetur te çarat me te çuditeshme.

    Historia e zbulimit te rrenjeve te shqipes nuk ka mbaruar.

    Qendrimi me serioz e profesionalisht serioz eshte te qenit i hapur dhe kritik ndaj teorive te rea.

    S’ka ndal

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin