ISLAMI DHE OSMANËT – NJË IDENTIFIKIM I DYSHIMTË

– shënime –

Një vështirësi kronike në diskursin “liturgjik” kombëtarist duket se ka qenë ruajtja e kufirit konceptual mes Islamit dhe sundimit otoman në trojet shqiptare; që deri-diku i ngjan kufirit tjetër konceptual mes fesë ortodokse dhe nacionalizmit grek (dhe, në një kontekst tjetër, mes shqiptarëve etnikë ortodoksë dhe vllehëve). Ka një lloj mendësie që kërkon t’i shpërfillë këta kufij, sidomos për interesa politike; ka edhe të tjerë që mendojnë se ka argumente historike për të mos i mbajtur parasysh. Nga ana tjetër, siç e ilustron edhe shkrimi i tanishëm i E. Qesarit, ka zëra në debatet publike për të cilat distancimi nga gjithçka “anadollake” dhe “turkoshake”, si faktorë të prapambetjes shqiptare, nuk është veçse një taktikë jo dhe aq e hollë, për të stigmatizuar Islamin si një nga fetë e shqiptarëve.

Nuk është vendi këtu për të hapur debatin, nëse prapambetja e shqiptarëve – në krahasim me popuj të tjerë të Europës përfshi edhe fqinjët – ka të bëjë më shumë me sundimin osman apo me përkatësinë e një shumice të tyre në fenë Islame. Sikurse nuk është vendi as për të (ri)sjellë hipotezën se të krishterët shqiptarë sot, qofshin këta të fesë katolike, qofshin të fesë ortodokse, janë po aq produkte të sundimit osman sa edhe myslimanët shqiptarë. Këto gjëra meritojnë vëmendje serioze nga specialistët, ndërsa të miat më poshtë janë më shumë shënime e përsiatje.

Por është pak si tepër e thjeshtë, të mendosh se Islami i ka mbajtur shqiptarët mbrapa; siç është njëlloj tepër e thjeshtë të mendosh se – po sjell një shembull nga shumë – se shqiptarët e fesë ortodokse shërbyen si vektor i përhapjes së idesë komuniste dhe, më pas, i orientimit të Shqipërisë nga Blloku Lindor dhe veçanërisht nga Moska. Më duket më produktive të shihet si përkatësitë në bashkësi të caktuara fetare, me karakteristika edhe gjeografike, kanë kushtëzuar disa zhvillime ekonomike dhe kulturore të caktuara; dhe se, në më të shumtën e rasteve, dinamika e raporteve mes qendrës dhe periferive duket të ketë qenë vendimtare, në drejtimin e proceseve historike.

Në një shkrim të hershëm kemi folur për trojet shqiptare, brenda Perandorisë Osmane, si një lloj zone kufitare ose borderland, në kuptimin jo vetëm gjeografik, por edhe ekonomik, politik dhe kulturor; këtë duket se e mbështet edhe fakti – që më duket i konfirmuar – se shumë shqiptarë duket se u specializuan si mercenarë në shërbim sa të osmanëve, aq edhe të fuqive të tjera adriatike (p.sh. stratiotët), duke e përdorur luftën si një formë të mbijetesës ekonomike. Jam tunduar ta krahasoj këtë me historinë e kozakëve, në trojet e Rusisë cariste, si bashkësi gjysmë e militarizuar (Njerëz të frontierës); nëse krahasimi qëndron, edhe shqiptarët me kohë zhvilluan karakteristika të tilla që i ndihmuan, sa kohë që kishte kërkesa për angazhimin e tyre ushtarak; por që pastaj do t’i pengonin, në rrethanat kur morën përparësi konsolidimi i kombit dhe pastaj i shtetit shqiptar.

Gjithnjë nëse kjo hipotezë pune qëndron, atëherë Perandorisë Osmane i interesonte mirëmbajtja e kësaj kaste të militarizuar, që – mes të tjerash – do t’i shërbente jo vetëm për të shtypur rebelime gjithfarësh në Ballkan, por edhe në përgjithësi për të mbrojtur kufijtë perëndimorë të shtetit. Kjo mund t’i bëjë otomanët “përgjegjës” për prapambetjen relative të shqiptarëve, në artet e paqes, por nuk më duket se ka gjë të bëjë me Islamin.

Nga ana politike, elitave të kombit u është dashur të ruajnë një ekuilibër delikat, midis nevojës urgjente për t’i distancuar shqiptarët nga Perandoria Osmane, dhe nevojës tjetër – jo më pak urgjente – për të mos i alienuar myslimanët shqiptarë, me atë lloj diskursi kombëtarist anti-Islam, që ishte përpunuar nga fqinjët (veçanërisht nga grekët; shikoni edhe këtu). Rilindësit e kishin këtë parasysh, dhe ngjashëm mund të gjykohet edhe për ata që e udhëhoqën Shqipërinë në periudhën e Pavarësisë, përfshi këtu edhe Mbretin Zog; madje edhe Shqipërinë e Hoxhës. Elitat e sotme të paktën në Tiranë, për shkak të distancës kohore nga vitet e përpjekjeve për pavarësi; por edhe të thjesht injorancës dhe të një shtyse të keq-orientuar për t’i pëlqyer “Europës” dhe “Perëndimit”, duket sikur po harrojnë – po duan të harrojnë – se Islami është pjesë e identitetit kombëtar, dhe nuk mund të luftohet, aq më pak të përbuzet, pa shkaktuar frustrime, përçarje dhe rreziqe të tjera të shmangshme; njëlloj sikurse as edhe mund të lëvdohet, ngaqë “i shpëtoi shqiptarët” nga asimilimi (sllavizimi, greqizimi). [1]

Po aq i lehtë sa identifikimi i prapambetjes tonë me “Anadollin”, duket edhe identifikimi i Islamit me Islamizmin dhe Islamin politik; nëse për këtë të fundit duhet diskutuar deri edhe në nivelet më të larta institucionale (një institut a think tank i posaçëm nuk do të ishte fillim i keq), rreziku i radikalizimit nuk duhet lejuar që t’i shërbejë alienimit të myslimanëve dhe aq më pak koagulimit të bashkësisë islame rreth një force politike të caktuar[2]. Ka disa ideologë që kujtojnë se, duke u rënë kokës myslimanëve shqiptarë vend e pa vend, i afrohen Europës dhe mendësisë perëndimore; këta duhen kundërshtuar haptazi, fort, pa asnjë ndjenjë faji, dhe në forume jo thjesht fetare, por edhe mirëfilli laike.

Ka edhe ideologë të tjerë, që seriozisht mendojnë se shqiptarët do të ishin “më mirë”, po të ktheheshin “në fenë e të parëve” dhe të krishterizoheshin. Kjo tingëllon njëlloj, si të thuash se Shqipëria dhe shqiptarët do të ishin më mirë, sikur Perandoria Osmane të mos kish hyrë fare në Ballkan. Është një lloj arsyetimi që zgjedh të shpërfillë faktin se, edhe shqiptarët, edhe Shqipëria, janë produkte historike të sundimit otoman disa-shekullor të këtyre trojeve; fakt që nuk ndryshon, edhe sikur të dëshirojmë që Shqipëria do kish shkuar më mirë, po kish qenë diku afër Danimarkës.

Një nga gjërat më të rënda në mos katastrofike, që mund t’i ndodhë sot identitetit kombëtar të shqiptarëve, është induktimi dhe stabilizimi atje i ndonjë ndjenje faji kolektive, për përkatësinë islame. Përkundrazi, logjika ta do që Islami, si pjesë e identitetit të shqiptarit mysliman, të vihej edhe ai në shërbim të përparimit ekonomik, social, kulturor dhe etik të atij vetë dhe familjes, komunitetit dhe krahinës ku ai jeton. Si laik që jam, mendoj se Islami nuk mund ta pengojë integrimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në atë model të bashkëkohësisë që synojmë; me kusht që të mbahet larg politikës (kjo vlen edhe për Krishterimin, natyrisht), por jo jetës publike. Nga ana tjetër, përpjekjet mendjeshkurtra dhe hipokrite, për stigmatizimin dhe alienimin e myslimanit shqiptar, nuk do të japin pasojë tjetër, veç faktorizimit të Islamit shqiptar në politikë.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Këtu nuk po marr parasysh debatet në Kosovë dhe as problematikën e ngjashme në atë shtet, sepse debatet nuk i njoh (mirë) dhe sidomos për shkak të dallimeve aq të mëdha këtej dhe andej kufirit, sa i përket Islamit dhe trashëgimisë otomane, sa t’i bëjnë të padobishme përpjekjet për emërues të përbashkët.

[2] Këtu nuk po flas për marrëdhënien komplekse mes Islamit tradicional dhe kulturor, mes shqiptarëve, dhe Islamit “të ri”, të ardhur nga jashtë, dhe që priret të reagojë ndaj shekullarizimit të jetës publike nëpërmjet (të paktën) izolimit. Janë tema që nuk i trajtoj dot edhe sikur të dua; po mjaftohem të sinjalizoj që ekzistojnë.

11 Komente

  1. Vështrimi ishte shumë interesant, i parë nga disa perspektiva që nuk i kisha lexuar më herët, përfshirë edhe ndikimin që elita ortodokse-shqiptare në Shqipëri paska pasur në aleancën me Rusinë. Këtë nuk e dija.

    Së dyti, vura re që ‘islami’ është shkruar me shkronjë të madhe. Mendoj se, ashtu si ‘krishterimi’, ‘ortodoksia’, apo ‘islami’, të gjitha duhet të shkruhen me shkronjë të vogël kur përmenden si fe, për të shmangur keqkuptimin me emrin e përveçëm „Islam.“

    Për shembull: Miku im Islami i beson islamit, ndërsa vëllai i tij budizmit, katolicizmit etj.

    Përndryshe, shkrimi ishte shumë interesant dhe i thellë. Faleminderit për këtë perspektivë të re…

    1. Ju falënderoj për komentin dhe vlerësimin.

      Meqë pasazhin për marrëdhëniet mes komunitetit të krishterë-ortodoks dhe komunizmit në Shqipëri e patën vënë re edhe kolegë të tjerë, po e risjell këtu të plotë:

      Por është pak si tepër e thjeshtë, të mendosh se Islami i ka mbajtur shqiptarët mbrapa; siç është njëlloj tepër e thjeshtë të mendosh se – po sjell një shembull nga shumë – se shqiptarët e fesë ortodokse shërbyen si vektor i përhapjes së idesë komuniste dhe, më pas, i orientimit të Shqipërisë nga Blloku Lindor dhe veçanërisht nga Moska.

      Supozimin se “shqiptarët e fesë ortodokse shërbyen si vektor i përhapjes së idesë komuniste dhe, më pas, i orientimit të Shqipërisë nga Blloku Lindor” unë e sjell si shembull të një gjykimi të thjeshtëzuar, duke e barazuar me gjykimin tjetër – që nuk e bëj timin – se “Islami i ka mbajtur shqiptarët mbrapa.”

      Për të treguar se, në të dy rastet, përfundimi që nxirret është të paktën tepër i thjeshtë.

      Kjo e shqiptarëve ortodoksë (dhe vllehëve) si të përfshirë më shumë, përpjesëtimisht, në lëvizjen komuniste dhe më pas, si bazë e regjimit të Hoxhës, meriton të studiohet veçan.

      Mund të nisemi nga statistikat e atyre që morën pjesë në mbledhjen e themelimit të PKSH-së në nëntor të vitit 1941, për të parë atje përpjesëtimet. Ose edhe më herët, në grupet komuniste.

      Më pas, një numër i madh – për mua përpjesëtimisht më i madh – i shqiptarëve të fesë ortodokse dhe vllehëve, shkuan/u dërguan të studiojnë në Bashkimin Sovjetik dhe u kthyen që andej për t’u konstituuar si elita teknokratike në Shqipërinë totalitare.

      Por kjo nuk ka të bëjë me fenë. Ortodoksët në Shqipëri, për shkak kryesisht të rrethanave sociale, e kanë dashur më shumë se të tjerët shkollën dhe dijen. Shto këtu edhe se një pjesë e mirë e myslimanëve, të paktën në Jug, u lidhën me Ballin ose i ndenjën larg “Lëvizjes”, prandaj u përjashtuan nga promovimi social dhe kulturor që ndodhi pas Luftës II.

      Nga kjo pikëpamje, pasioni i ortodoksëve në Shqipëri për kulturën dhe dijen mund të krahasohet me atë të hebrenjve, në Europë gjatë shekujve XVIII-XX (deri para murtajës naziste). Ndarjen e punëve nuk e kishin projektuar ata, por ata e shfrytëzuan si mundën, për të bërë përpara.

      Si në rastin e hebrenjve, nuk ishte faji – por as merita – e komuniteteve ortodokse, që u gjendën të jetojnë në një regjim që, deri-diku, favorizonte meritokracinë dhe shkollimin, kundrejt titullimit social dhe trashëgimit të privilegjeve; dhe ku një bari dhensh a derrash mund ta shihte veten të katapultuar një ditë student të akademisë ushtarake sovjetike dhe pastaj të gjeneral të një ushtrie pjesë e Traktatit të Varshavës.

      Më ka ngacmuar gjithnjë prania – për mua me shumicë – e elementit ortodoks nga Shkodra, mes kuadrove të lëvizjes komuniste: nga Vasil Shantoja te Vojo Kushi. Ndoshta kjo ndodhi edhe në kontekstin e dinamikave të marrëdhënieve të tyre lokale me komunitetin katolik, i cili u perceptua si më i afërt me Romën dhe ndoshta u favorizua prej pushtuesve italianë.

      Kam përshtypjen – por nuk e argumentoj dot tani – se jugosllavët më parë dhe sovjetikët më pas e favorizonin elementin ortodoks në udhëheqjen e PPSH-së dhe të regjimit; sërish, jo për arsye fetare, por sepse u dukej kulturalisht “më i afërt”.

      Mund edhe të ketë ndodhur që elementi ortodoks – shqiptar dhe vllah – të ketë pasur më shumë solidaritet horizontal, se elementi mysliman; veçanërisht në institucionet. Bahri Beci dhe Kasem Biçoku (nëse nuk gabohem) kanë shkruar për këtë dukuri si u shtjellua brenda Akademisë së Shkencave; por librat e tyre nuk janë pritur mirë.

      Më duket normale që shqiptarët ortodoksë, në Shqipërinë qendrore dhe në Jug, përfshi këtu edhe vllahët, ta kenë përdorur përmbysjen sociale pas 1945-ës për të përmirësuar statusin e tyre, edhe politik edhe kulturor.

      Sa ka të bëjë kjo me fenë? Besoj se ka të bëjë vetëm tërthorazi, në kuptimin që feja luajti rol jo të vogël në përpunimin dhe ruajtjen e një trashëgimie vlerash dhe shprehish, që pastaj përcaktuan – në vija të trasha – avancimin social të atyre komuniteteve në rrethanat specifike që u krijuan në Shqipëri pas 1945-ës (këtu do ta filloja nga marrëdhëniet me pronën e patundshme).

      Përndryshe, ortodoksët – shqiptarë dhe vllehë – që bënë përpara në këtë Shqipëri nuk më duket se pyesnin shumë për fenë, as ishin spikatshëm besimtarë.

      1. Zakonisht jemi të prirë të thjeshtësojmë gjërat dhe gabime të tilla kam bërë edhe unë më herët, pikërisht në këtë argument.

        Kur islami akuzohet për prapambetje, merret parasysh gjendja aktuale e vendeve të krishtera perëndimore. Krahason epoka të ndryshme. Besimi islam ka disa shekuj më pak histori. 2000 vjet histori me 1400.

        Arritjet e sotme të vendeve perëndimore nuk janë fal krishterimit, por pikërisht fal përjashtimit të tij nga shteti, falë iluminizmit dhe arsimimit të grave që nga fillimi i shekullit XX e këtej.

        Asnjë besim fetar nuk ka për detyrë përparimin, por besimin dhe të gjitha fetë kanë kaluar nëpër atë proces. Pa krishterimin mendoj se këtë epokë do ta kishim përjetuar diku në shekullin X.

        Ato lindin, besohen dhe zëvendësohen. Të gjitha.

        Për herë të parë e pashë këtë në mënyrë të diferencuar, sepse ai vështrim, falë objektivitetit, sjell disa argumente të rëndësishme, që nuk mund të kundërshtohen.

        Në një shkrim timin “Humanizmi si religjion”, kam ardhur në përfundim se këtë epokë pa monoteizëm do ta kishim arritur para 1300 vjetëve. Ja një citat nga ai vështrim:

        “Nga shekulli IV deri në shekullin XVIII Europa qe zhytur në errësirë tërësore. Obskurantizëm quhej ai terr. Ishin shekujt kur kleri ndalonte të menduarit dhe prandaj, për 13 shekuj së bashku, kemi më pak filozofë e dijetarë, (në fakt asnjë me vlerë) që studiohen sot, sesa pesë shekujt e fundit para Epokës së Krishtit…

        Nga shekulli IV, kur krishterimi bëhet fe zyrtare e Romës, deri te Descarti, shekulli XVII – me të cilin rilindet filozofia,- kemi dy filozofë kishtarë që përmenden, por nuk studiohen askund. Pos nëpër fakultete të teologjisë. Thomas von Aquin dhe Anselm von Canterbury. ”

        Tema është interesante, intriguese. Sigurisht ka edhe arsye tjera të prapambetjes, njëri prej duhet të jetë patriarkalizmi…

        Faleminderit!

        1. Paskam harruar të shtoj, se për prapambetje, ka ndikuar edhe pushteti osman dhe Mungese e shkollave shqipe! E pastaj, disa kombe u çliruan më heret se ne dhe zhvilluan njê politikë nacionale! Sigurisht ka edhe faktorë tjerë…

          1. Percepetimi i Mesjetes europiane si komplet vite te territ eshte perceptim po aq i gabuar sa peceptimi i otomanzmit si nje sistem pa asnje lloj merite pozitive ne histori. Gjate Mesjetes u hodhen bazat per shpikjet e medha te cilat mundesuan revolucionin industrial e per pasoje kapitalizmin. Feja s’ka te beje me keto zhvillime. Ka plot vende te krishtera qe jane po aq te varfra sa Shqiperia e plot vende myslimane te pasura sa vendet e Europes Perendimore e SHBA. Perandorine osmane e la prapa mungesa e kuptimit te rolit vendimtar qe ka teknologjia. Sistemi i tyre i organizimit funksiononte per mrekulli ishin te kenaqur me te e nuku shihnin ndonje arsye per ta ndryshuar derisa u dermuan nga europianet, qe perdoren arme superiore te cilat ua mundesoi perparimi ne teknologji. Aty kuptuan se kishin mbetur prapa e filloi tatepjeta qe zgjati rreth 200 vjet .
            Por e verteta eshte qe duhet pranuar se sundimi otoman nuk la ndonje legacy zhvillimi si la psh Austro -Hungaria ne Ballkan. Shiko Beogradin psh duket si Vjena, shiko Tiranen e Prishtinen duken si Kandahari. Lideret e sotem duke permendur vetem ato aspekte qe u interesojne po e perdorin trashegimine e sundimit osman si alibi per faktin qe s’po munden te ndertojne nje shtet modern.

  2. Shqiptaret e fese ortodokse sherbyen si vektor i perhapjes se idese komuniste po aq sa edhe shqiptaret muslimane.
    Eshte krijuar nje perceptim se ortodoksit dhe vllehet, edhe pse pakice krahasuar me shumicen muslimane te shqiptareve, kane drejtuar punet e shtetit dhe jane pikerisht ata qe kane percaktuar fatet e vendit.
    Nese i referohemi historise se levizjes komuniste ne Shqiperi, pra zanafilles kur u krijuan grupet komuniste ne vitet 30 – te te sgekullit 20-te, rrenjet e levizjes komuniste mpleksen me KONARE- ne e Vjenes ku u grumbulluan elementet antizogiste, fanolistet dhe demokratet revolucionare me prirje komuniste.
    KONARE sikurse dihet vendosi kontakte me Federaten Komuniste te Ballkanit dhe Gj. Dimitrovin.
    Nje grup nga KONARE u dergua per studime ne B.Sovjetik.
    Ne Korce ishte krijuar berthama komuniste me zanatçinj e punetore , pothuaj ortodokse per nga besimi me M.Lakon drejtues.
    E. Hoxha ne librin Kur lindi Partia i referohet kesaj berthame dhe veten e radhit ne perberje te saj, per te krijuar idene false se levizja komuniste lindi ne radhet e proletariatit. Ne te vertete ne Korçe vepronte edhe nje berthame intelektuale me Andrea Zisin te cilet mbanin lidhje me Greqine.
    Ne Shkoder grupi komunist drejtohej nga katoliku Z.Mala, i shkolluar ne Vjene dhe me kontakte me Malin e Zi. Edhe ne grupin komunist te Shkodres vihet re prania e ortodoksve krahas elementit musliman.
    Sidoqofte , ” faren” e ideve komuniste ne token shqiptare e hodhen Ali Kelmendi ( musliman kosovar) Llazar Fundo, H. Xhelo dhe K. Tashko, te derguar nga Komiterni dhe me shume gjasa te trainuar ( financuar) nga B.Sovjetik.
    Ata qe kishin nje lloj njohje teorike te komunizmit si K.Tashko, Z.Mala, Ll. Fundo u menjanuan nga drejtimi PKSh. S. Maleshova , ish profesor ne B. Sovjetik erdhi me vonese , kur E. Hoxha ishte konsoliduar ne drejtimin e PKSH.

    Edhe statistikisht, shumica e Byrose Politike nga 46 ne 86 perbehej nga muslimane.
    Ortodoksit , veçanerisht ne Korçe dhe kryesisht ne Shqiperine e Jugut, historikisht kane qene me te shkolluar krahasuar me muslimanet . Nje faktor ndikues ka qene edhe emigrimi dhe kontaktet tregetare dhe kulturore me vendet e tjera.

  3. Pergjithesisht me duket se shpesh identifikimi i nje ideje me religjionin, nacionalitetin apo cfaredo tjeter karakteristike tjeter individuale e krijuesit (krijuesve), dishepujve, ndjekesve, apo shumices qe me vone e ndjek idene, jo vetem eshte çorientuese ne rastin me te mire, por shpesh edhe dashakeqe ne rastin me te keq. Lenini psh nuk pat femije, ishte tullac dhe gojet e liga thone edhe qe ishte impotent. Mos valle duhet te pranojme me kete rast qe “bolshevizmi” ishte ideologjia e impotenteve tullace. Apo meqe Stalini ishte gjeorgjian me mustaqe ketyre duhet tu shtojme edhe qe pati shume ndjekes edhe midis atyre qe ishin nga Gjeorgjia por me mustaqe. Aq me teper te “fajesohet” nje komunitet fetar me pergjegjesin e perhapjes se komunizmit ne Shqiperi, edhe per po ato arsye qe permendem me lart, po vecanerisht duke pasur parasysh faktin qe nder shqiptare (dhe shpesh kete e permendim me mburrje) religjioni nuk eshte i ngulitur aq thelle ne psiken individuale duket pak si teper “far fetched”. Fakti qe mund te karakterizohen krere te vecante ose grupe te vecanta si me nje perkatesi te dhene nuk e ben automatike pronesine e idese ne kete individ, apo ne kete grup. Eshte fakt qe ne levizjen komuniste shqiptare njerezia nuk u perfshi as per religjion, as per krahinizem e as per karakteristika te tjera individuale te pjesemarrsve. Ishte nje semundje historike, demek si pune COVIDI, qe u perhap pa dallim feje, krahine a ideje.

    1. Korca ishte qyteti me i kulturuar i Shqiperise,ortodokset merreshin me tregeti dhe zeje si te tille ishin me te gdhendur e me me kontakte me boten prandaj dhe rane ne kontakt me komunizmen me heret se muslimanet .Kabimi qe bejme eshte gjykojme boten e viteve 1930 me mendjen e sotme duke harruar se bota e atehershme kaloi nje depression te thelle ekonomik plus dy luftra boterore ,mos te harrojme se kishim rrotull fqinje ose donin te na zhduknin ose te na deportonin ne Turqi si muslimane dhe doktrina komuniste si ideologji e cila ne karte mbron te shtypurin e te shfrytezuarin gjeti terren .Kur komunizmi deri ne vitin 1956 kur Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit gezonte simpati edhe ne mendje te ndritura te Europes c’mund te pritej nga shqipot te cilet ne pergjithesi i perqafojne teorite e huja gjysma gjysma e se prapthi.

    2. Nëse e mendojmë idenë komuniste si një lloj feje – që nuk është dhe aq gabim ta bëjmë – atëherë përhapja e komunizmit ndër shqiptarë, ashtu siç u bë, nuk mund të kuptohet jashtë diversitetit fetar. Unë sërish i mbetem mendimit se komuniteti ortodoks ka qenë më receptiv ndaj idesë komuniste, se komuniteti mysliman; dhe aq më pak ai katolik. Këtu kanë ndikuar faktorë të tillë si pronësia dhe institucioni i pronës, i ndryshëm për fe të ndryshme, si trashëgim nga periudha osmane; por edhe etika fetare vetë dhe vendi që i jep ajo hierarkisë/barazisë; dhe gatishmëria e këtij apo atij komuniteti për ndryshim radikal të kushteve të ekzistencës. Them se mjedisi sociologjik-fetar i shqiptarëve ofronte madje shansin për të eksperimentuar me idenë komuniste, në raport me fetë tradicionale – meqë te ne myslimanë e të krishterë jetonin pranë e pranë, prej 2-3 shekujsh. Diçka e ngjashme ndodhi me pakicat në Bashkimin Sovjetik; kam lexuar se ideja komuniste, e zbatuar në komunitete të fesë myslimane, dha rezultate të ndryshme nga ato rutinë, të komunizmit siç u përqafua nga rusët ortodoksë. Një shembull më vete është raporti i hebrenjve – të shumtë në Rusinë e viteve të revolucionit, sidomos në qytetet dhe mes shtresave intelektuale – me komunizmin. Natyrisht, hebrenjtë revolucionarë nuk e ndiqnin fenë e tyre; por kishin trashëguar shumëçka në vizionin ndaj botës, sa t’i dallonte prej komuniteteve të tjera. Shto këtu edhe mënyra si u pranua komunizmi – me shumë zor – nga sllavët katolikë (p.sh. polakët).

  4. Mendoj se një këndvështrim më i thellë e i frytshëm do të ishte vënia në pikëpyetje e nocioneve të prapambetjes, të progresit e sidomos të “bashkëkohësisë që synojmë”. Krizat mjedisore, kriza demografike, rreziku bërthamor, krizat morale, politike, ekonomike etj., të rendit aktual që po i vjen fundi dhe ato me të cilat është i barsur akoma pa nxjerrë krye çdo lloj rendi i ri që mund ta pasojë… Ç’kuptim ka të flasësh për prapambetje në një botë të tillë? Ose ndryshe, në ka vërtet diçka të prapambetur, a nuk është pikërisht ideja moderniste e prapambetjes? Dhe, sigurisht, e progresit (për ku?). E gjitha kjo po më kujton shakanë e domates që mbeti pas, tek Pulp Fiction – një film mbi dykuptimësinë. Përparimi, demokracia, liria, të drejtat njerëzore e më the të thashë, a s’janë tamam si domate të squllura, që s’ke nga t’i kapësh, përveçse brenda kësaj bote çudirash ku mashkulli bëhet femër e anasjelltas, ku pengmarrja e kalamajve nga shteti është e drejtë për t’u arsimuar, ku depresionhanet e Skandinavisë janë më të lumturat vende në botë, ku Izraelin e bekojnë në emër të Krishtit dhe ku një qytetërim që po ngordh, ndër të tjera, nga paaftësia për t’u riprodhuar – s’di të ketë qoftë edhe një precedent historik të ngjashëm – përfaqëson kulmin e arritjeve njerëzore? Ku ne si shqiptarë, në agimin e së dielës vazhdojmë, pa humbur asgjë nga entuziazmi, të kërkojmë bileta për festën e së shtunës. Me kaq mbetshim!

  5. Autoret mainstream ndahen ne dy grupe kur caktojne epoken e dallimit te madh Europe-pjesa tjeter e botes.
    Nje pale e fillojne me Kolombin, dmth kolonizimi i botes se re, kurse pala tjeter thote shek 19, sidomos revolucioni industrial.
    Keta te shek 19 e lidhin me shume me GDP-ne per fryme, dhe kane te drejte, sepse diferencimi i madh nis ne shek 19.
    Ata te paret, pervec diferencimit ekonomik, flasin edhe per vlera e konceptim te rendit te gjerave qe nisin me Rilindjen Europiane e marrin hov me revolucionin freng e me radhe, ashtu si edhe demografia ( 1500-1800 dyfishim popullsie).

    Tani neve fati i keq na gjeti nen turqit edhe ne 1500 edhe ne shek 19, kur gjithe Europa, keshtu qe neve e kemi ngrene golin ne cdo rast. Osmania ka qene ne stanjacion ekonomik, demografik e kulturor gjithe kohes, ndersa gjithe Europa fuqizohej.
    Sa per krahasim anglezet ( jo britaniket, vetem anglezet) ne 1500 ishin 2.2 milion banore, ne 1900 ishin 30 milion. ne 1500 anglezet ishin nje vend agrar, qe as me hungarezet nuk krahasoheshin per popullsi dhe ekonomi, ne 1900, ishin populli me i fuqishem i planetit.

    Pra, ne vend qe te merremi me bizantinizma e t’i sterhollojme se ca do ky, ca qellimi ka ai e me radhe, te themi njehere ceshtjen ne thelb, qe para osmaneve Durresi kishte 25 mije banore e Londra 40 mije, kurse ne 1900 Durresi kishte 5 mije banore dhe Londra 4 milion banore.

    Ky eshte efekti turk, llafet e teperta, fukarallek.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin