ME MENDJEN TE OTOMANËT

nga Edon Qesari

Duke folur rishtas, në një prej eventeve politike që zakonisht mbushin programacionet mediatike, kryeministri Edi Rama përmendi frazën “mendësi otomane”: e bëri me qëllimin për të përshkruar sjelljen e palës opozitare në arenën politike shqiptare, ndonëse kjo nuk është e para herë që fraza, e kthyer kështu në togfjalësh, shfrytëzohet nga Rama për t’i dhënë peshë referenciale retorikës së tij; tani që të ilustrojë ç’forma mentis kanë kundërshtarët e tij, dhe më herët që të sqarojë se ç’do ut des i mbrapshtë qëndron në mesin e marrëdhënieve negociuese midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Dy përdorimet e “mendësisë otomane” nga ana e Ramës, nuk është se janë fort të lidhura mes tyre: nuk ka një unitet karakterizues të dukurisë që Rama kërkon të nxjerrë në pah nëpërmjet frazës. E megjithatë, e përfshirë në regjistrin ligjërimor të kryeministrit, “mendësia otomane” i hap rrugën një nënteksti që, duke u nisur nga epiteti “otoman/e”, kërkon të shprehë përçmim ndaj një sjelljeje apo veprimi.

“Mendësia otomane”, në zhargonin e Ramës, karakterizon kështu një veprim të gjykuar si të prapambetur, shpeshherë tregues të një relikti nga e shkuara, që niset nga premisa të cilat pak kanë se ç’të ndajnë me etikën apo praktikën që duhet të sundojnë në një kohë si e jona.

Rama nuk flet në një zbrazëti semantike. Pasi, otomanët – osmanët, për të qenë të saktë nga ana gjuhësore – përfytyrohen nga shumëkush sikur vepronin në një hapësirë politike ku nuk ekzistonin rregulla të shkruara, ku sjelljet arbitrare dhe mandej ato shtazoret ishin pjesë e panoramës dhe folklorit; krejt në kundërshtim me ne, modernët, të urbanizuarit, që supozohet të jemi më të zhvilluar se ruralët, apo “anadollakët” – tjetër term që Ramës i përlqen të përdorë dhe që në njëfarë mase, për ngjashmëri të dukshme antropo-historike, na e bëjnë më të kuptueshme atë “otomanët”. Në mesin tonë, ndryshe nga sa ndodhte në vorbullën e otomanëve, sundon regjimi i rregullave të sjelljes dhe sidomos mirësjelljes.

Më shumë se për të përshkruar pra, përmendja e “mendësisë otomane” shërben për të përcjelljë një sterotipizim; që normalisht përbën thelbin e një përbuzjeje retorike. Dhe çdo përbuzje, në praktikën politike, është njëkohësisht tharmi i një sulmi verbal. Rama e përmend “mendësinë otomane”, të paktën në rastin e fundit, sepse synon të shajë. Dhe ai e di se kush e pëson atë sharje – opozita në rastin konkret – bie dakord se të kesh një “mendësi otomane” nuk është asfare gjë e mirë.

Rama dhe kundërshtarët e tij ndodhen në dy llogore të ndryshme; por kur vjen puna te gjykimi sesi ishin osmanët, e mendojnë njësoj. Se të dyja palët janë pjesë e një post-otomanizmi kulturor, rrënjët e të cilit gjenden larg.

I përket apo jo vërtet opozita “mendësisë otomane” të supozuar si të tilla nga Rama, nuk është fort e rëndësishme. Të paktën për mua, këtu. Çka e gjej me vlerë për t’u ndalur është ky përdorim metaforash që i bëjnë thirrje një të shkuare të caktuar në histori, shpeshherë nga pozitat e një krekosjeje intelektuale.

Por siç thashë, Rama nuk e ka nxjerrë “mendësinë otomane” nga torba e vet. Ai ka zbatuar një filologji pickuese që me siguri krijon një efekt të caktuar komunikimi.

Nga kjo anë, për ngarkesën stereotipizuese që bart, “otomanizmi” është aty-aty me “mesjetën”. Kjo e fundit, dihet, është term që është kthyer gjithashtu në sinonim të prapambetjes, të fanatizmit shpeshherë, apo gati në mënyrë të pandashme, të obskurantizëm fetar. Mesjeta është një term periodizues që ka të bëjë, në mënyrë të prerë, me një segment të historisë euro-perëndimore. Dhe megjithëkëtë, përdorimin e “mesjetar/e” e hasim edhe në orvatjet për të përshkruar kultura lindore e më tutje. Nëse një sjellje e quajmë mesjetare, po bëjmë pothuajse të njëjtën gjë me rastin kur përdorimin epitetin “otoman/e”: dëftojmë diçka që në syrin tonë paraqet të vjetrën, të tejkaluarën, të kalburën, shpeshherë të dhunshmen, zakonoren dhe patriarkalen.

Një përdorim deri diku të ngjashëm gjen epiteti “bizantin” në disa gjuhë të mëdha perëndimore. Kam përshtypjen se përdorimi i tij mund të ndeshet edhe në ligjërimin shqip, me po të njëjtën ngarkesë që i referohet diçkaje që paraqitet si e stërholluar, që përbëhet apo ka të bëjë me vogëlsira, me detaje pa vlerë për thelbin e gjërave. (Një sjellje e gjykuar si “bizantine” ndalet shpesh në kleçka, detaje të parëndësishme, apo tradita tashmë të kalbura, duke humbur kohë dhe duke hedhur terr mbi kuptimin e vërtetë të gjërave dhe nevojës për të ndryshuar.) Por nuk ngjan se ky epitet ka pasur ndonjë sukses të veçantë në hapësirën shqipfolëse – përveç se, mbase, në komunikimin përbrenda kullave të fildishta, që mund të jenë dhe habitat i natyrshëm për bizantinizmat.

Por vlen të shtohet se shpeshherë një përdorim i tillë bie fort ndesh me atë që na dikton dijenia dhe ç’është më e rëndësishme dija.

Mbaj mend mirë, njëherë, se teksa dëgjoja një prezantim të librit The Grand Strategy of the Byzantine Empire nga Edward Luttwak[1], vetë autori theksonte sesi ngarkesa negative që tradita perëndimore i kishte ngjitur bizantinëve – si njerëz me këmbët në ajër, të ndryshkur dhe barokë, që merreshin me aq të përmendurin seks të engjëjve sakaq që fshati digjej– nuk i përgjigjej dhe aq realitetit historik të Bizantit: një tërësi shtetërore e cila kishte mbijetuar për më shumë se dhjetë shekuj, pra perandoria më jetëgjatë në histori, falë sensit praktik që zotëronte rreth punëve të kësaj bote dhe shkathtësisë po aq praktike që krerët e saj, ndër qindvjeçarë, kishin pasur në përpjekje për t’iu përshtatur trysnive të kohës dhe terrenit të thepisur politik.

Perandoria Bizantine, pavarësisht se përherë e rrethuar nga rivalë me grykësi territoriale, mundi të mbijetonte duke rishpikur vazhdimisht vetveten dhe falë një nuhatjeje diplomatike të pashembullt për kohën. Institucione moderne si përfaqësitë diplomatike, shërbimet e inteligjencës, protokollet ambasadoriale e kanë fillesën pikërisht te mënyra sesi bizantinët përdornin miklimin dhe informacionin për të blerë dhe neutralizuar armiq potencialë, shpjegon Luttwak. Më shumë sesa barokë, siç i do njëfarë klisheje, bizantinët kanë qenë finokë thotë historia.

Por përdorimi i epiteteve si “bizantin”, apo “otoman” dhe “mesjetar” nuk ndjek dhe aq qasjen kritike sesa retorikën apo humorin e çastit.

Mesjeta, gjithashtu, është një periudhë 1000-vjeçare e cila, do të saktësonte çdo historian serioz i saj, vështirë se mund të futet lehtësisht në një thes, dhe nga ky të nxirreshin veçse turra me dru, despotë gjakpirës dhe vasha që lëngojnë nën thundrën e patriarkatit. Pakkush përmend, siç bën rëndom për “obskurantizmin fetar” se Mesjeta perëndimore është gjithashtu ajo erë në të cilën lindin universitetet si boshte kozmopolite të dijes së institucionalizuar, zhvillohen kodifikimet e mëdha ligjore, si dhe rrënjoset nocioni i decentralizmit territorial të pushtetit (Monarkët absolutë, pra ata që qeverisin me pretendimin se janë të vajosur nga Zoti, nuk janë farkëtim i Mesjetës, por i triumfit të nocionit modern të shtetit centralizues, kur Mesjeta tashmë kishte mbaruar. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për shtrigat që digjeshin në turra drush).

Të gjitha nënkuptimet që sot i japim, te ne dhe në Perëndim, Mesjetës si përmbledhës i një sërë dukurish të krupshme për periudhën e urbanizimit dhe modernizimit, janë në fakt të mbarsura me konsiderata ideologjike që shohin nga e sotmja më shumë se nga vëzhgime të natyrës shkencore që mbajnë parasysh të shkuarën.

Për të mbërritur kësodore tek “otomanët” e Ramës; që sa për boutade, është vërtet interesante sesi ky ravijëzim tiparesh që përdoret në terma përbuzës ndaj osmanëve bie në kundërshtim me rivlerësimin ndaj të njëjtëve prej Erdoğan-it, ndaj të cilit duket se Rama nuk i kursen lëvdatat botërisht.

Nami i keq i osmanëve në bagazhin tonë leksikor, aq sa një sjellje apo mendësi ta gjykojmë si “otomane” nëse kjo nuk na pëlqen – apo kur duam ta vëmë në dukje si negative, siç bën kryeministri – vjen për shkak të shablloneve të paravendosura nga njëfarë dije e institucionalizuar. Rama dhe figuracionet noliane/koniciane të ligjërimit të tij është pjesë e po të njëjtit pellg.

E shpjegon fare mirë Maria Todorova, në një prej sprovave të saj[2], sesi çdo traditë historiografike në Ballkan e vë theksin mbi natyrën lineare-progresive të zhvillimit socio-ekonomik dhe kulturor. Thënë shkurt, në vendet e Ballkanit që dikur ishin sunduar nga Perandoria Osmane, përpunimet historiografike që i janë bërë të shkuarës, veçanërisht të shkuarës vetjake, e paraqesin historinë si një linjë zhvillimore që kalon nga Lindja në Perëndim. Çdo gjë që i përket të shkuarës më të largët, e cila identifikohet gjeografikisht me Stambollin, paraqitet si e prapambetur – vetë faji i prapambetjes, cilido të jetë kuptimi i kësaj (prapambetje krahasimisht me kë) qëndron te Lindja, te osmanët; andaj, çdo përpjekje për t’iu shkëputur – kryesisht nëpërmjet daljes në pah të elementit kombëtar, si i kundërt me atë perandorak, e duke e vendosur këtë në një trajektore që shkon drejt të kundërtës me lindoren, pra drejt Perëndimit – është një përpjekje zhvillimore për të lënë pas të prapambeturën. Dielli i zhvillimit mund të lindë vetëm në modelin e zhvillimit, në Perëndim.

Që lindja osmane është e prapambetur, ndaj çdo prapambetje (në sjellje, mendësi etj.) është lindore, apo levantine, pra osmane – është jo thjesht një silogjizëm por edhe një vademecum i kulluar: kombet emancipohen nga perandoritë sepse këto nuk janë vetëm burgje të popujve, por janë edhe të prapambetura; që kombi të zhvillohet, ai duhet të çlirohet, jo vetëm nga vargonjtë politikë (të qenit pjesë e perandorisë), por edhe nga ata mendorë (mendësia e supozuar perandorake, pra osmane).

Arsye për të cilën, vazhdon Todorova, pothuajse çdo historiografi ballkanike e vë theksin te vonesa disashekullore që i ka kushtuar vendit përkatës të qenit pjesë e Perandorisë Osmane[3]. Jehonë e këtij arsyetimi, që i ka rrënjët në shekullin XIX, ka qenë trajtësimi i osmanit si i huaj në romantizmin nacionalist të Rilindjes Kombëtare; ka qenë edhe mënyra sesi skenari i filmit Skënderbeu (1953) i paraqiste notat somatike (barbare, aziatike) të osmanëve që rrethojnë Krujën; gjithashtu, vijim i po të njëjtit arsyetim që vendoset mbi kundërvënien Lindje-Perëndim është edhe debati Qosja-Kadare, andej nga mesi i viteve 2000; shtresëzim i po të njëjtit është ai wishful thinking i mirënjohur sipas të cilit nëse Shqipëria nuk do të kishte qenë pjesë e Perandorisë Osmane por e një tjetre, makar perëndimore (në krye të hit parade-it zakonisht qëndron ajo Habsburge), gjërat do të kishin shkuar ndryshe; ndryshe do të ishim sot. Dhe sa më shumë në perëndim të shkosh, aq më në perëndim është perandoria e ëndrrave të popujve lindorë. Pellgu i silozgjizmave historike, prej nga Rama merr lëndë, është shumë më i gjerë se ai i stereotipizimeve shqiptare.

Përtej kësaj, çdo ideologji kombëtariste përpunon një mënyrë të të parit historinë sipas thjerrës apo këndvështrimit të vet, duke prodhuar kësisoj historiografinë e vet. Nëse nacionalizmi shqiptar ka lindur, siç është edhe e natyrshme, në funksion anti-osman, historiografia zyrtare e dalë prej dejeve të këtij nacionalizmi – e që luan rolin e versionit zyrtar të historisë shtetërore – nuk mundet veç të jetë anti-osman. Deri te Rama, që nuk paraqet asnjë risi nëse merr një ndjesi popullore, siç është rasti i stereotipizimit të “mendësisë otomane” dhe e vendos me koherëncë të plotë – koherencë mes asaj që thotë folësi dhe asaj që mendon dëgjuesi – në ligjërimin e vet rreth çështjeve të brendshme dhe të jashtme.

Herën e fundit pata shkruar diçka mbi dallimin organik mes historisë dhe historiografisë, e nuk është e nevojshme të ndalemi përsëri. Por është interesante sesi Alessandro Barbero, një historian italian ndër më të njohurit (veçanërisht për aftësitë e tij divulguese), në librin e vet “Divani i Stambollit”[4], shpjegon sesa dallim ka mes realitetit historik të osmanëve dhe përftimit të tyre prej historiografisë perëndimore përgjatë shekujve. Ajo e osmanëve, në të vërtetë, ka qenë një botë shumë komplekse, shpesh magjepsëse artistikisht, dhe e pamundur për t’u portretizuar brenda një miniature të vogël dhe pa shumë ngjyra, siç shpesh paraqitet në historiografitë e sotme perëndimore; një botë në të cilën, dukuri si multikulturalizmi, toleranca fetare, mobiliteti social kanë shënuar arritje shumë më të hershme se koha kur të tilla virtyte nisën të zbukuronin listën perëndimore të cilësive qytetare.

Të pamësuar me nocionin e aristokracisë dhe të të drejtës së pushtetit në bazë të kastës, gjakut dhe prejardhjes – kategori tërësisht perëndimore këto – osmanët ishin të bindur se kushdo mund të synonte dhe të arrinte në majat e shtetit të tyre. Në kozmosin osman, mund të kaloje lehtësisht nga bir çobani të krishterë, në mbajtës të vulës së sulltanit për vendimarrjet e mëdha shtetërore. Paradoksalisht, paçka atyre që thuhen përreth njëfarë mendësie osmane, kjo nuk duket të ketë qenë as me hapur dhe as me mbyllur se ndonjë tjetër: ishte bijë e kohës dhe kontekstit të vet, siç karakterizimet e llojit “mendësi otomane” kullojnë prej kohës dhe kontekstit tonë, e pak kanë të bëjnë me osmanët e vërtetë, ata të historisë[5]. Mbi të gjitha, nuk duket se mendësia osmane – nëse mund të themi se një e tillë mund të përmblidhet në një llaf goje – të mos ketë kaluar përmes procesesh, ndryshimesh dhe përshtatjesh, po aq sa përpunimesh, rimendimesh dhe deri kundërshtimesh, që janë të zakonshme në histori por jo aq në historiografi.

E ndërsa historia është e larmishme, historiografia ka prirjen për të mbetur e drunjtë. Nëse e para kalon nëpër hollësira të pafundme dhe të pashmangshme, e dyta shpesh i bie shkurt. Njësoj si pohimi i Ramës, që mbase sheh osmanë te kundërshtarët e tij të sotëm sepse ka nisur t’i besojë vërtet paralelizmat mes vetvetes dhe Gjergj Kastriotit.

 

© 2024 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


[1] Edward Luttwak, The Grand Strategy of the Byzantine Empire, Harvard University Press, 2009.

[2] Maria Todorova, ‘The Trap of Backwardness: Modernity, Temporality and the Study of Eastern European Nationalism’, në Maria Todorova, Scaling the Balkans. Essays in Eastern European Entanglements, Leiden/Boston: Brill, 2019, f. 13-41.

[3] Po aty, f. 37.

[4] Alessandro Barbero, Il divano di Istanbul, Palermo: Sellerio, 2015. Së shpejti do të ketë një botim në shqip të këtij libri.

[5] Për shumë kohë, duket se mendësia osmane ka qenë kaq e hapur sa shihej si më e përparuar se mendësia perëndimore nga ana e bashkëkohorëve në Perëndim. Mbi admirimin e ushqyer nga një pjesë e botës intelektuale perëndimore, gjatë periudhës së Rilindjes Evropiane dhe përtej, shih: Noel Malcolm, Useful Enemies: Islam and The Ottoman Empire in Western Political Thought, 1450-1750, Oxford University Press, 2019.

10 Komente

  1. Une do filloj ti marre seriozisht shkrime te tilla mbi historiografine kur te shoh te cituar Reinhart Koselleck dhe jo M. Todoroven qe me duket nje tullumbac i fryre (cituar me shume se eshte evropiano lindore).

    E nisi disi me ate konceptin “bizantin”, dhe do te ishte interesante ta vijoje kete trajtese si nje histori te konceptit “otoman”, jo thjeshte ne kuadrin e diskutimit te orientalizmes dhe nacionalizmit (p.sh. Enis Sulstarova) apo modernizimit (e kane bere telefe kete teme), por ne kontekstin e politikes nderkombetare: p.sh. lufterat napolonike, ato Turko-Ruse, te pavaresise se Greqise dhe Jugosllavise, e pasqyrimit te ketyre ne konflikte te brendshme te Perandorise Osmane (armene, xhonturq, iluministe).

    Sa per Ramen, ai eshte kthyer ne automaton – perserit cfare i eshte dukur cool para 30 vjetesh. Nuk ka asnje filozofi apo qendrim politik ne ligjerimin e tij. Thjeshte gjallon ne stagnacion te natyrshem intelektual. Ca nga mosha, dhe ca se merret me problemet banale te ketyre oligarkeve te peshkut e te cokollates.

    1. Ta them pa ironi dhe pa keqdashje: pse nuk e provon dorën, meqë duket se i paske ca ide të qarta? Nëse shkrimi yt është i përshtatshëm (dhe i mirë) mund të dalë edhe me pseudonim.

    2. Sa ç’e pres me kënaqësi një ndërhyrjen tuaj, koleg, po ashtu zhgënjehem kur metrin e leximit apo mosleximit e masni nga përmendja e një emri si ai i Todorovës; e cila, gjithsesi, është prurë në këtë rast për qasjen e saj kritike ndaj historiografisë euro-lindore – më saktë për vëmendjen ndaj disa tipareve të kësaj të fundit, me të cilën unë, sipas rastit të paraqitur këtu, bie dakord. Ka gjëra që edhe nuk bie dakord, pavarësisht se guximin do e masja shumë me tehun e leximit, nëse do të arrija deri sa ta quaja “tollumbac të fryrë”.

      Natyrisht do të ishte interesant evolucioni i termit “otoman” sipas atyre ndikimeve që thoni ju; po nuk ishte ky qëllimi i shkrimit. Ju falënderoj që ma sugjeruat dhe do të përpiqem ta mendoj edhe në atë prizëm.

      Sakaq, bashkohem me ftesën e Vehbiut, këtu sipër, e do ta lexoja me shumë kërshëri një ndërhyrjen tuaj sipas qasjes së Schmitt-it apo Kosselleck-ut qoftë, ngado që të vërtitet argumenti. Të njëjtën kënaqësi do të më jepte leximi juaj në të ardhmen: premtoj që do të mundohem ta shmang citimin e Todorovës, e cila ju shkakton kaq ngërç.

  2. Noel Malcolm pranon se sistemi osman i adminstrimit ishte me i perparuar se sistemi fisnor i malesoreve ballkanas
    Po ashtu historiane te tjere pranojne se ne aspektin fetar perandoria osmane ishte shume me tolerante se Europa e mesjetes .
    Ngjyrimi negativ i otomanizmit si simbol i prapambetjes eshte product i shek te 19 per shkak te levizjeve kombetare te popujve te cilet donin te formonin shtete e tyre.
    Nje shprehje tjeter klishe qe perdoret jashte kontekstit historik si shembull anakronizmi eshte parulla :”Dum baben “ e Haxhi Qamilit.E verteta eshte se pas ikjes se trupave turke Shqiperia ra ne kaos te plote ,serbet terrorizonin shqiptaret ne veri greket ne jug ,bejleret vodhen te gjitha pronat e sulltanit te cilat tani ishin mall belik .Rremuje e tipit te vitit 1991 por ne steroids.Vetvetiu lindi pyetja:keto gjera nuk ndodhnin nen Sulltanin ,ta kthejme Bsben te na mbroje .”Prandaj dhe dolen me parullen :Dum Baben.
    Kuptohet qe ishte gabim ne kontekstin historik pasi pavaresia u shpall sepse Turqia s’ishte ne gjendje te mbronte me shqiptaret por behet fjale per fshatare qe per 500 vjet s’kishin njohur sistem tjeter.Pundite e politikane te cilet vetem emrin i kane degjuar Haxhi Qamilit e perdorin kete shprehje per te turperuar kundershtaret e tyre e per tu dukur moderne.

    1. Të falënderoj për komentin Alba! Gjendemi plotësisht në një mendje.

      Kryengritja e vitit 1914, shpesh e përkufizuar si “fshatare” jo dhe aq për shtresën shoqërore që e përbënte (rurale gjithsesi, pavarësisht se në këtë kuptim ruralja e kohës në Shqipëri ishte shumë më e shtrirë se militanca e asaj kryengritjeje) sesa për disa nevoja ideologjike të mëvonshme, është rast për t’u marrë vërtet në shqyrtim.

      Ne e njohim më së shumti si kryengritje “dumbabiste” sot, pavarësisht se gjurmët dokumentare për të janë vërtet të pakta, e të kufizuara brenda disa dëshmish palësh (shpesh të huaja, akoma më shpesh nga njerëz që i qëndronin gjeografikisht larg) të përfshirë drejtpërdrejtë ose jo asokohe në ngjarje. Vetë thirrja “Dum babën!” nuk dihet fort mirë se ku raportohet me saktësi, nëse ishte vërtet kaq e përhapur dhe sesi është përvetësuar nga dija e mëvonshme, si provë fundore e karakterit konservator dhe fetar të asaj lëvizjeje.

      Unë kam përshtypjen se në substratin e ndërgjegjes kolektive, atje ku njohuria mbi të shkuarën përzihet me thurrjen e mitit, opinioni që gëzojmë sot mbi atë kryengritje është më shumë i ushqyer nga novela e Kadaresë “Viti i mbrapshtë” se nga hulumtime kritike apo të kulluara historike. Ajo vepër letrare, ashtu si njëfarë pleksjeje e mëvonshme e saj me përvojën traumatike të vitit 1997, nevoja e të pasurit një referencë historike mbi psikologjinë e turmave dhe hapërdarjet kaotike drejt modernizmit/kapitalizmit, na kanë shtyrë ta përfytyrojmë kryengritjen e vitit 1914 në një mënyrë krejt autonome krahasimisht me ndodhitë reale të historisë.

      Personalisht e gjykoj shumë interesante sesi ajo novele – në të cilën referencat e mirëfillta historike (emra, data, detaje) mbeten të vagullta, por që kuptohet lehtë se ku e ngasin llafin – sesi ajo novelë bashkëjetoi me një version të historisë zyrtare, të diktuar personalisht nga Enver Hoxha, në të cilën pala fshatare luante një rol klasik emancipues, e madje patriotik, përkundrejt kundërshtarëve të tyre (zakonisht të konsideruar si përfaqësues të feudalizmit dhe njëfarë padronizmi para-kapitalist me origjinë të huaj dhe interesa anti-shqiptare).

      1. “Personalisht e gjykoj shumë interesante sesi ajo novele – në të cilën referencat e mirëfillta historike (emra, data, detaje) mbeten të vagullta, por që kuptohet lehtë se ku e ngasin llafin – sesi ajo novelë bashkëjetoi me një version të historisë zyrtare, të diktuar personalisht nga Enver Hoxha…” Kjo është vërtet për t’u hulumtuar. Se kjo puna e “kryengritjes fshatare” mbahej, nga Akademia e kohës, si një nga kontributet e mirëfillta të Hoxhës në lëmin e historisë. Po ia kishte pirë lëngun Enverit Ismaili. Ishte më inteligjent se Diktatura.

        1. Janë bërë disa shkrime interesante, sidomos në vitet e fundit, pikërisht mbi mënyrën sesi Hoxha vendosi të ndërhynte me pompë në çështjen e trajtimit të kryengritje së 1914. Një prej tyre, që vlen vërtet për t’u lexuar:

          file:///Users/edon/Downloads/fq_99-123_artan_hoxha_Studime_historike_1-2022_ME-LOGO-BORD-ISSN-5%20(1).pdf

        2. Kam përshtypjen – por nuk e verifikoj dot sepse nuk e kam librin këtu – që I.K. ka futur në roman, sado kalimthi, edhe një bandë kryengritëse “të mirë”, në kundërpeshë të “dumbabistëve”; si në mjegull më kujtohet skena me atë djalin e vogël, që do të shënjonte, me pishtar, vendin se ku duhej të qëllonte artileria fushore. Këta ishin haxhiqamilistët e mbarë të Enver Hoxhës, ndryshe nga turkoshakët e qesëndisur. Mbase I.K.-së ia kanë kujtuar, kur libri ishte në redaksi, se duhej të lëshonte pe, për të mos u dukur sikur i bënte karshillëk Enverit.

      2. “Viti i mbrapshte” eshte ndoshta novela me e nenvleresuar (underrated) e Kadarese por qe per mua eshte me brilantja.Imagjinata e tij eshte megjithemend fantastike ne rindertimin e skenes se Shqiperise te vitit 1914 dhe ishte nje paratregim i trazirave te 97 .Une kur shikoja ne CNN fshataret me gomeret te ngarkuar me armet e vjedhura ne depot e ushtrise prisja te dilte Doske Mokrari per interviste.Ndoshta prandaj dhe ai nuk shkruajti ndonje gje per vitet 90 pasi ishte ne thelb e njejta rremulle si e vitit 1914 vecse me personazhe te ndryshme .Ne 97 nostalgjia per diktatorin u rrit ndjeshem jo se njerezit kishin mall te punonin kooperativa duke ngrene buke misri por se mund te udhetonin ne autobus pa patur friken e grabitjes nga maskat me automatik. Te njejten nostalgji per Baba Sulltanin mund te kene ndjere edhe nje pjese e shqiptareve ne 1914 kur po therreshin majtas e djathtas nga fqinjet.Si e pershkruan Kadareja :
        500 vjet rehat,c’patet more djem
        Shqiperi moj kucke na bere verem.
        Ne dukje dolem pak nga tema por ne thelb eshte e njejta gje . Njerezit perdorin qesim shprehje e steriotipe pa ditur historine pas tyre.

  3. A.V.: Kam përshtypjen – por nuk e verifikoj dot sepse nuk e kam librin këtu – që I.K. ka futur në roman, sado kalimthi, edhe një bandë kryengritëse “të mirë”, në kundërpeshë të “dumbabistëve”

    Absolutisht është ashtu si ju kujtohet.

    Haxhi Qamili është personazh ‘pozitiv’ po themi, për shpejtësi komunikimi, në novelën “Viti i mbrapshtë”. Shprehimisht ‘aradhet e Haxhi Qamilit’ shfaqen si armiq të ‘esadistëve’ që thërrasin ‘dum Babën’, po aq sa dhe te ushtrisë së princ Vidit. (Fq 302 te “Koha e shkrimeve” ku është përmbledhur novela në vitin 1986). Haxhi Qamili i historiografive të polarizuara të kohës (asaj zyrtares dhe asaj alternative e të dënuar) në novelë duket se është dhënë njëri me emrin e vet, si armik me pricin dhe pashën (krahu i duhur i historisë zyrtare) dhe tjetri me alter ego fiksionale si banditi ‘esadist’, pederast fondamentalist, Kus Babai. Operacioni historiografik i Kadaresë thjesht ia lëviz qendërsinë zyrtare Haxhi Qamilit si lider fshatar në dobi të kapedan Shestanit që është fshatar me flokë të verdha. Ndoshta për kohën, margjinalizimi i Haxhi Qamilit si personazh i dorës së tretë do ketë qenë ndonjë lloj sfide

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin