Gjyqet e Kadaresë

Një nga format themelore të debatit kulturor ndërshqiptar pas vitit 1990 ka pa dyshim të bëjë me kundërvënien sa gjeografike aq edhe simbolike midis Veriut dhe Jugut ose gegëve dhe toskëve – të përthyer në gjuhësi, letërsi, histori, etnografi, antropologji dhe statistika përqindjesh të përbërjes së elitave kombëtare. Persekutimi i pamëshirshëm i kulturës katolike gege nga ana e regjimit totalitar të Enver Hoxhës tanimë është përshkruar e diskutuar gjallërisht, falë edhe rrëfimeve ngjethëse të viktimave që kanë mbetur gjallë dhe sidomos prestigjit të mrekullueshëm të asaj kulture, që i mbijetoi dhunës. Në këtë kontekst është vënë në dukje edhe padrejtësia e madhe historike që iu bë variantit letrar verior të Buzukut, Bogdanit, Jubanit, Mjedjes, Fishtës, Migjenit e Koliqit, që nga momenti kur përdorimi i tij rishtas përkrah standardit gjuhësor u ndalua praktikisht me ligj prej regjimit. Disa kritikë, gjuhëtarë e kulturologë shkojnë deri atje sa normëzimin e gjuhës, ndalimin e përdorimit të gegërishtes letrare dhe përndjekjen policore të katolicizmit shqiptar t’i marrin për anë të ndryshme të së njëjtit krim të shëmtuar kundër integritetit kombëtar.

Qëndrimet revizioniste të skajshme ndaj çështjes së standardit gjuhësor të shqipes janë të njohura prej kohësh, edhe ngase qarkullojnë kryesisht në periferitë e debateve kulturore; atje ku pasioni militant bashkëjeton bukurisht me provincializmin e kulluar, dhe folklorizmi kitsch me diletantizmin shqeto. Element i ri në këtë diskutim, përkundrazi, është inskenimi i problemit, nga ana e disa analistëve, brenda dramës madhore të diskriminimit politik dhe kulturor që u qenka bërë shqiptarëve gegë prej shqiptarëve toskë, gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit dhe veçanërisht prej regjimit komunist. Kjo tezë në thelb provokuese po vërtetohet shumë tërheqëse jo vetëm për turmat e ngeshme të kafeneve të Shqipërisë së veriut e të Kosovës, por edhe për forca kulturore të caktuara, të cilat duket ta synojnë për ta kalëruar, teksa natyrshëm ngarendin drejt pushtetit qoftë edhe vetëm kulturor. Grupe të ndryshme me orientim kulturor katolik konservativ, në Shqipëri e në diasporë, e kanë përqafuar pa ngurrim; por edhe organe që priren ndaj qëndrimeve kulturore alternative, të tilla si “Java” e Migjen Kelmendit, që botohet në Prishtinë. Janë pikërisht këta kryqtarë të kauzës gegërishte që i janë vërsulur, kohët e fundit, shkrimtarit Ismail Kadare dhe krejt kulturës që, në një mënyrë ose në një tjetër, i referohet kësaj figure qendrore të shqiptarisë.

Arsyeja që sulmet kundër Kadaresë janë integruar në këtë lëvizje në thelb revanshiste e gjithsesi radikale ka të bëjë drejtpërdrejt me rolin dhe peshën e veprës së këtij autori në përvijimin e një kulture shqiptare mbarëkombëtare që i referohet lexuesit shqiptar si të tillë përtej përkatësive të tij gjeografike, dialektore dhe krahinore; çka mundi të ndodhte vetëm pas përftimit të shqipes letrare standard dhe konsolidimit të kodeve të saj brenda binomit lexues-shkrimtar. Në krye të një grupi shkrimtarësh dhe përkthyesish aktivë gjatë viteve 60-80, Kadareja ishte nga të parët që e konceptoi dhe shtjelloi veprën e vet letrare brenda standardit, çka ishte njëkohësisht edhe një orvatje vendimtare për t’i dhënë këtij standardi legjitimim dhe substancë. Pavarësisht nga insinuatat e ngushta dhe provinciale të detraktorëve të tij dhe shakaxhinjve të estradave sot, Kadareja ishte dhe mbetet shkrimtar shqiptar mbikrahinor njëlloj sikurse e ndien veten shqiptar lexuesi i tij, pavarësisht nëse është lezhian, skraparli, gjakovar apo ulqinak nga prejardhja; çka nuk u shkon aspak për mbarë të gjithë atyre që në dallimet dhe kundërvëniet ndërkrahinore po gjejnë tani me të madhe identitetin e tyre publik. Pavarëisht nga të metat objektive dhe subjektive të standardit gjuhësor të vitit 1972, pavarëisht nga genocidi kulturor ndaj katolicizmit geg dhe komponentes katolike në kulturën shqiptare, vepra e Kadaresë është edhe sot e kësaj dite provë e gjallë e ekzistencës së një kulture shqiptare urbane dhe të stërholluar, themeluar përtej dallimeve krahinore dhe kundërvënieve arkaike gjeokulturore në Shqipërinë e madje shqiptarinë e traditës.

Natyrisht, nuk ka gjë më të lehtë se të sulmosh një figurë publike, aq më tepër kur është fjala, si në rastin e Kadaresë, për një autor të konsideruar herë si poet të oborrit të Enver Hoxhës e herë si më të madhin e disidentëve shqiptarë antikomunistë; herë si apologjet të totalitarizmit shqiptar e herë si diskreditues i këtij totalitarizmi; herë si flamur i Shqipërisë së re post-totalitare e herë si pikë referimi e bajrak i Shqipërisë së vjetër, komuniste e proletare. Një shkrimtar aq prodhimtar sa Kadareja, që ia doli të mbijetojë për më se tridhjetë vjet nën totalitarizëm pa reshtur së komunikuari me lexuesin e vet, i ka thënë tanimë të gjitha dhe të kundërtat e tyre. Edhe më tej ndërlikohet kjo nga veprimtaria publike e Kadaresë intelektual, të angazhuar shpesh hapur e me të gjithë peshën e autoritetit që ia jep emri në debate kulturore e politike nga më të ndryshmit; dhe sidomos nga qëndrimet e skajshme të të gjithë atyre që i janë bashkëngjitur zellshëm shkrimtarit vitet e fundit, duke u deklaruar e përbetuar si kadarejanë. Është gjithnjë e nevojshme të dallohet midis Kadaresë autor të veprës së vet letrare, Kadaresë person real e figurë publike dhe Kadaresë tanimë mit e gjysmë-perëndi të ngjizur në vetëdijen kolektive të adhuruesve të tij e të skulpturuar për së gjalli në panteonin e kulturës kombëtare; sidomos edhe ngaqë shkrimtari vetë, ndonjëherë, duket sikur nuk arrin ta bëjë këtë dallim. Siç mund të pritej, konfuzioni në perceptim është shfrytëzuar rregullisht prej detraktorëve, të cilët duan t’ia rrëzojnë Kadaresë veprën duke ia përqeshur mitin, ose duke ia përfolur ndonjëherë rëndë qëndrimet publike.

Vepra e Kadaresë do mbrojtur kështu edhe prej sulmeve shpesh demagogjike dhe manipulative të kritikëve të tij të parimtë e të paparim, edhe prej mykjes që i kërcënohet brenda zhguallit të florinjtë të mitit kadarejan, ose rrezikut për të përfunduar e kontrolluar prej priftërinjve të kultit Kadare. Të dy palët shpesh obsesionohen me çikërrima të jetës private ose vepra publicistike minore e ndonjëherë mediokre të shkrimtarit, çka do t’i shërbente fare mirë, sado paradoksalisht, errësimit të asaj çka Kadareja u ka sjellë në thelb shqiptarëve dhe botës mbarë. Në të vërtetë, romane si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Pashallëqet e mëdha”, “Koncerti”, “Viti i mbrapshtë”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Piramida” jo vetëm krijuan lexuesin shqiptar modern, por edhe i bënë vend Shqipërisë në hartën e kulturës botërore, për herë të parë në histori. Ka një lidhje absolutisht domethënëse midis këtyre dy arritjeve, në kuptimin që vetëm një letërsi mbikrahinore, ose e ngjizur brenda një konteksti kulturor mbarëkombëtar, mund të synonte e të arrinte një leximtari të përbotshme. Përkrahja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë që mund t’i jetë dhënë Kadaresë nga regjimi i Hoxhës, miqtë francezë të diktatorit ose makinacionet diplomatike të fshehta e të pafshehta të asaj kohe nuk ngrenë kurrfarë peshe në vlerësimin kulturor të dukurisë Kadare në vetvete dhe të kontributit të veprës së shkrimtarit në letërsinë shqipe dhe botërore të shekullit XX. Përkundrazi, që Kadareja e krijoi veprën e vet brenda një kontinuumi mbidialektor – duke pasur në mendje lexuesin e qytetëruar dhe urban cilësisht të ndryshëm e një shkallë më lart nga lexuesi krahinor, të themi, i Fishtës ose i Çajupit – kjo luajti një rol pa dyshim vendimtar në kristalizimin e këtij suksesi të pashoq.

Shumë prej denoncuesve të sotëm të primatit tosk në historinë moderne të Shqipërisë dhe të padrejtësive që u janë bërë gegëve të paktën që nga Lufta e Dytë e këtej, nuk e kuptojnë se problem i mirëfilltë për historianët duhej të ishte jo arbitrariteti i imponimit të toskërishtes letrare si standard gjuhësor në Shqipëri e Kosovë, por vetë dominimi i elitave shqiptare të Pasluftës prej elementit tosk e në përgjithësi jugor. Vizioni i një Shqipërie të ndarë më dysh, midis një Jugu prokomunist dhe një Veriu antikomunist është tepër i thjeshtuar dhe nuk i përgjigjet aspak realitetit historik të kohës. Ndoshta më e saktë do të ishte të thuhej se ndarja ishte midis një Jugu ku të ardhmet e mundshme të Shqipërisë – komunizmi dhe nacionalizmi i “Ballit” – kacafyteshin mes tyre, dhe një Veriu që parapëlqente pasivitetin në mos bashkëpunimin oportunist me këdo qëllonte të ishte në pushtet. Megjithatë, historianëve do t’u duhet të shpjegojnë, më hollësisht se ç’kanë bërë deri më sot, arsyet pse të paktën që nga 1912-a e këtej Jugu i Shqipërisë është treguar më aktiv sesa Veriu pothuajse në çdo aspekt të jetës së Shqipërisë së pavarur: ekonomi, kulturë, politikë. Situata e krijuar në vend gjatë Luftës II Botërore i dha elementit tosk mundësinë të prononcoheshin përfundimisht në krye të shtetit; në një kohë që gegët, e sidomos katolikët gegë, shpejt e papërgatitur e panë veten në krahun e humbësve. Nëse mizoria me të cilën e shtrinë komunistët pushtetin e tyre në veri të Shqipërisë ishte si të thuash markë tregtare e totalitarizmit shqiptar, margjinalizimi i elementit geg dhe sidomos i elementit katolik në politikë, ekonomi dhe kulturë nuk do të mund të shmangej gjithsesi.

Nga kjo pikëpamje, Ismail Kadareja dhe roli i tij sundimtar në kulturën e Shqipërisë totalitare dhe post-totalitare duan marrë për shprehje elokuente dhe të përsosur të asaj lëvizjeje ekspansioniste në kulturën toske, që i ka rrënjët në Rilindjen Kombëtare. Ishte pikërisht karakteri agresiv, kooptues, absorbues, përfshirës i kulturës toske që shërbeu si armë e mjet vendimtar për t’i sjellë toskët në krye të Shqipërisë; sikurse gjallësia e pazakonshme e elementit tosk dhe gatishmëria për të ndërmarrë ndryshime e reforma në strukturën e shoqërisë dhe të kulturës së shtetit të ri shqiptar, të cilat u shfrytëzuan pastaj aq mjeshtërisht nga komunizmi; vetëdija e nevojës për t’i kapërcyer caqet e tribalizmit tradicional shqiptar në emër të shtetformimit dhe sanksionimit formal të unitetit kombëtar. Përkundrazi, gegët parapëlqyen të selitin hapësira dhe struktura të tjera më të kufizuara për nga frymëmarrja, duke mbetur robër të krahinizmit më gjatë nga ç’mund të tolerohej prej historisë; madje edhe kultura katolike urbane e Shkodrës, që në shumë drejtime kish arritur një nivel sofistikimi të papërsëritur më, nuk i bori dot disa elemente veçanërisht kokëforta të tribalizmit, ekskluzivizmit dhe përjashtimit. Nuk është e rastit që Fishta, shpesh i përmendur dhe i tregtuar si kundërfigurë arketipale e Kadaresë, mbetet një poet krahinor para se të jetë poet kombëtar, shpesh folklorik dhe romantik konservativ, ndonjëherë arkaizant e gjithsesi anakronik. Midis këtyre dy kolosëve të letrave shqipe krahasimet janë të pamundura, pse u përkasin universeve të ndryshme. Prandaj edhe orvatja e radikalëve të sotëm pro-gegërishte për ta mbështetur ringjalljen e dëshiruar gege në etosin fishtian tingëllon problematike, në atë masë që drejtohet kundër standardit dhe formës moderne të kulturës shqiptare në përgjithësi, i së cilës kulturë Kadareja është njëkohësisht metaforë dhe apostull.

Vepra e Kadaresë do marrë kështu për një summa të lëvizjes kulturore centripete toske gjatë shekujve XIX-XX – e cila lëvizje, megjithatë e tek e fundit, i solli Shqipërisë edhe dhuratat e pamirëpritura të komunizmit e të asfiksisë totalitare. Mirëpo përpjekjet për ta minuar e madje për ta rrëzuar atë vepër me pretekstin se është pjesë integrale e një faqeje të errët në historinë shqiptare, tradhtojnë një mënyrë të arsyetuari paralogjike, ndoshta magjike; e gjithsesi një paaftësi të frikshme për ta lexuar historinë si të tillë. Përgjegjësitë e Kadaresë autor ndaj lexuesve të vet nën totalitarizëm; përgjegjësitë e Enver Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të vet ndaj krimit totalitar; e më në fund përgjegjësitë e të gjithë atyre që i besuan komunizmit si fe të kohëve moderne u përkasin rrafsheve të ndryshme të etikës. Nëse njeriu e gjen identitetin e vet duke u realizuar nëpërmjet zgjedhjeve që bën dhe ushtrimit të vullnetit të lirë, kurrsesi nuk mund të harrohet si kujdesej totalitarizmi për t’i mënjanuar egërsisht mundësitë për marrje vendimesh, nga jetët e të gjithëve. Nga ajo pikëpamje vepra e Kadaresë ishte po aq pjesë e mekanizmit totalitar të kulturës sa edhe masa e lexuesve të tij që nga ajo vepër e merrnin dritën; dhe pikërisht atyre lexues që në 1990 u munduan ta zëvendësojnë regjimin enverist të Alisë me diçka të re dhe të shumëshpresuar, utopike dhe evropiane – njëkohësisht intelektuale dhe populiste, ekumenike dhe lirike, ëndërrimtare dhe borgjeze, sublime dhe të pamundur. Përsëri nga ajo pikëpamje, detraktorët e sotëm të Kadaresë, separatistët kulturorë dhe gjuhësorë, pushkatuesit e standardit gjuhësor të 1972-shit dhe përçmuesit e krejt etosit kulturor kombëtar të kultivuar në Shqipërinë totalitare të Pasluftës janë edhe ata trashëgimtarë besnikë e të denjë të konfliktit kadarejan, ose vazhdues e instrumente të asaj drame që Kadareja shkrimtar sa e zbuloi, aq edhe e mbolli me duart e veta në historinë e shqiptarëve.

[2004]

4 Komente

  1. Fishta kunderfigure e kadarese?po si mund te krahasohet Homeri i pavdekshem shqiptar me realizmin socialist ,qe ka dek, te kadares oh zot PATETIKE sa a rrenu kultura jon…

  2. Gjate nje vizite ne Torino nuk mund te lija pa vizituar edhe librarite e saj te stermedha gjate ecejakeve ne labirinthin e rafteve pasi vizitova fillimisht vellimet eseistike ,sociologjike ,kulturore dhe histirike me doli koha t hidhja edhe nje sy zones ku rrinin te ekspozuar librat Te tyryllojshem tip Agatha Krist, Dan Brown, Daniel Steel etj me demek bestsellerat , kur çte shoh mes tyre “qendronte” stoik edhe romai i kadarese “keshtjella”. Skerrmita syte çne ky i madhi yne thashe ne nje sere me keta sanco panco qe e kane mendjen te qorrollepsin lexuesin me lloj lloj fantazirash oniriko-surrealiste me qellimin e vetem qe tia lehtesojne sa me kollaj xhepat ketij te fundit pasi helbete kur tha te verteten asnje sta ve veshin. Vajta tek pergjegjesi i librarise dhe mundova ti shpjegoj qe padashje libri i shkrimtarit tone gati nobelist gjendej ne vendin e gabuar! “Nuk ka mundesi ” mu pergjigj si i shastisur i ngrati dhe shpejtoi per tek rafti i treguar prej meje. E pa ,verifikoi listen ne kompjuter dhe leshoi nje fryme çliruese. “Jo djalosh ” me tha ” autori eshte tepke ne vendin qe i takon”, pastaj gjithe kureshtje me pyeti ” po ju ne Shqiperi ne çvend i ekspozoni librat e tij?”…..

  3. Xhaxha
    Pergezime per kete artikull. Analiza ka qene e rrjedhshme dhe jo e ndikuar nga paragjykimi. Mendoj se ky eshte nje prej shkrimeve te tua me cilesore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin