Mbi sovranitetin

Në rrethanat kur Shqipëria është një vend i vogël, pothuajse fare pa infrastrukturë, me një kapital njerëzor që po i varfërohet çdo ditë, dhe me një shoqëri as të motivuar, as të frymëzuar për të ardhmen, më duket se nuk ka vend të flitet me bujë për sovranitet në kuptimin tradicional të këtij termi – sovranitet shtetëror, si princip i autoritetit suprem në një bazë truallsore. Jo sepse ky sovranitet nuk mund të ekzistojë, por sepse nuk të çon asgjëkundi.

Dihet se ekonomia botërore në përgjithësi dhe evropiane në veçanti sot po integrohet gjithnjë e më shumë në një strukturë të vetme globale – shumë shtete të zhvilluara të konsoliduara dhe me histori të vjetër janë të gatshme të heqin dorë pjesërisht nga principi i sovranitetit shtetëror në emër të integrimit në struktura mbikombëtare të cilat u sigurojnë popujve përkatës përparësi të padiskutueshme. Një kapërcim i tillë po realizohet, megjithatë, pa e cenuar llojin tjetër të sovranitetit: atë popullor, në kuptimin që janë popujt ata që kanë parapëlqyer integrimin, në atë masë që shtetet në fjalë janë demokratike.

Dihet edhe se, në Evropë, integrimi ekonomik dhe (ri)zbulimi i një trashëgimie kulturore të përbashkët është shoqëruar me disa rezistenca të vetëkuptueshme, të cilat kanë gjetur shprehje në lëvizjet për autonomi rajonale: Padania dhe Cataluña më vijnë në mend, por mund të ketë edhe të tjera. Prirja këtu është gjithnjë shpërbërja ose shuarja e sovranitetit shtetëror si prioritet absolut në politikë – edhe kur synimi është integrimi në një strukturë të epërme, edhe kur është fjala thjesht për pasoja lëvizjesh qendërikëse.

Integrimi ekonomik nga njëra anë, dhe lehtësia më të cilën kryhet qarkullimi i mallrave, njerëzve dhe informacionit nga ana tjetër nuk kanë çuar thjesht në zëvendësimin e shtetit tradicional më një shtet përsëri të modeluar sipas të vjetrit. Përkundrazi, bashkëpunimi ndërshtetëror, fillimisht në ekonomi e më pas edhe në politikë dhe në mbrojtje ka sjellë në jetë struktura cilësisht të reja të cilat e kanë provuar veten si superiore në raport me strukturat tradicionale. Këto struktura kanë të bëjnë me atë që e kanë quajtur networking, ose një sistem komunikimi shumëqendror, ku realizimi i objektivave varet kryesisht nga shkalla e pjesëmarrjes aktive në komunikim, jo ngaqë një segment ose hallkë arrin t’ia imponojë vullnetin të tjerave.

Natyrisht, Shqipëria ende nuk është integruar në struktura të tilla dhe as që mund të integrohet në këtë gjendje që është. Në rast së ligjvënësit dhe politikanët në Shqipëri vazhdojnë të këmbëngulin me principet romantike të sovranitetit shtetëror për të fituar ato katër-pesë vota që u duhen për të mos u ngritur nga tryezat e banketeve non-stop, integrimi vështirësohet edhe më, deri në atë pikë sa vetë ekzistenca e Shqipërisë si entitet politik në skenën ndërkombëtare do të vihet në pikëpyetje.

E vërteta është së bota globalisht e integruar që është duke u përvijuar nuk ka ç’ta bëjë një shtet i cili nuk arrin dot të përvetësojë frymën politike të fillimit të shekullit XXI, dhe që shfaqet në skenën botërore vetëm kur fillon të krijojë probleme humanë të jashtëzakonshme. Evropa e Bashkuar, për shembull, investon politikisht fare pak në sovranitetin shtetëror të Shqipërisë; kjo njëkohësisht do të thotë se lojtarët kryesorë të politikës globale shohin te Shqipëria një problem i cili nuk mund të gjejë ndonjë zgjidhje nëpërmjet forcimit të këtij sovraniteti, ashtu si nuk do të mund të zgjidhet duke e likuiduar këtë sovranitet.

U takon forcave politike në Shqipëri – dhe tërthorazi atyre që votojnë – që të gjejnë rrugët më të përshtatshme të integrimit të Shqipërisë në struktura mbikombëtare të përshtatshme, dhe për këtë nuk mjafton vetëm dëshira. Përkundrazi, dëshira nuk ngre peshë fare.

Për fat të keq, shumë protagonistë të politikës shqiptare vazhdojnë ta mendojnë integrimin si një version ultramodern të vasalitetit shqiptar ndaj Italisë musoliniane, Jugosllavisë së Titos, BS të Stalinit, Kinës së Maos… dhe refuzojnë të kuptojnë së të gjitha këto referenca – eksplicite ose implicite – i përkasin një botë të perënduar ku palët përcaktoheshin nëpërmjet ballafaqimit, dhe jo botës së sotme, reales, ku identiteti i secilës palë varet fund e krye nga pjesëmarrja, bashkëpunimi dhe aftësia ndërvepruese.

Këtej mendoj se burojnë edhe gafat në politikën e jashtme, dhe obtuziteti me të cilin janë analizuar momentet kyçe të historisë shqiptare të viteve 90, duke përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e NATOs në Kosovë, dhe iluzionin përkatës se “amerikanët erdhën të luftojnë për shqiptarët”.

Një farë shprese, në këtë pikë, më duket së ofrojnë ato forca ekonomike që, në një mënyrë ose në një tjetër, janë pasuruar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit duke qenë në kontakt të pandërprerë me ekonomi të tjera. Kjo klasë është ende e papërfaqësuar në politikën shqiptare, prandaj edhe detyrohet t’i blejë politikanët me para në dorë, por herët a vonë do ta kuptojë se e ka të nevojshme të ketë një përfaqësim të drejtpërdrejtë, jo me mercenarë e bedela si deri më sot. Dhe është në interesin e saj material (ekonomik) që ta orientojë Shqipërinë drejt së ardhmes si vend të integruar në Evropë e në botë, pa përsëritur retorikën e konsumuar të heronjve, të rënëve, dhe ilirëve të lashtë. [2000]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin