HEDHJA E VETES

Ngjarja të hidhëron, edhe pse falë ndërhyrjes së policisë u shmang më e keqja. Një 39-vjeçare e dëshpëruar kërcënoi se do të hidhej nga bordura e tarracës së një pallati pesëkatësh, por pastaj, siç thotë gazeta, “Pas bindjes nga ana e forcave blu, e reja është larguar nga bordur[a] dhe është shoqëruar për në Spitalin Nënë Tereza për të marrë mjekimin e duhur.”

Të mbush me gëzim të heshtur fakti që kjo grua në të dyzetat quhet, nga autori i lajmit, “e reja”; sikurse edhe fakti tjetër që edhe për këtë minidramë ekziston “mjekimi i duhur” (ose një bar kundër vetëvrasjes – che miracolo!). Megjithatë, tani që shqetësimi i publikut (edhe pse jo doemos i gruas vetë dhe i së afërmve të saj) është shmangur, mund ta zhvendosim vëmendjen drejt një fjale të çuditshme, që shfaqet që në titull të lajmit: vetëhidhet.

Në shqipe, folja hidhem paraqitet si formë pësore-vetvetore e foljes hedh; por në të vërtetë, ajo shënjon një veprim të cilin si rregull e kryejmë vetë (khs. me anglishten jump ose italishten saltare). Si rregull, kur dikush ose diçka hidhet nga dikush tjetër (ose e pëson veprimin), shqipja thotë: e hodhën. Një fjali si Fotoja e Titos u hodh në plehra prej meje mund të jetë gramatikisht korrekte, por në fakt asnjë shqipfolës nuk do ta thoshte këtë, përveçse po ta paguanin.

Kjo shpjegon edhe pse na e vret veshin vetëhidhet; meqë është, në vështrim të parë, pleonastike – sa kohë që parashtesa vetë- vetëm sa rimerr një element kuptimor të cilën folja hidhem e përmban tashmë. Në fakt, foljet në trajtë joveprore, por që shprehin, në thelb, një veprim të cilin e kryen vetë subjekti, janë të shumta: endem, lahem, shtrihem, përpiqem, endem, skuqem, ngrihem, ulem, ngopem, shtriqem, mbrohem, rruhem, mburrem, lodhem, kollem, zemërohem, kotem, sulem, gëlltitem, strukem, sorollatem…  T’u shtosh të gjitha këtyre nga një vetë- do të ishte teprim, ose overkill – edhe pse ndonjëherë dëgjon, në shqipe të rregullt, forma si vetëmburrem

Natyrisht, të gjithë e marrim me mend që ajo parashtesë e tepërt, te vetëhidhet, e ka prejardhjen nga folja vetëvritet, ose edhe emri përkatës vetëvrasje. Mirëpo folja vritem, ndryshe nga ato të grupit të mësipërm, përdoret ndonjëherë edhe në trajtën mirëfilli pësore (u vra nga rojet); pa përmendur pastaj që vritem ndeshet rëndom në kuptimin “get hurt”, p.sh. kur përplasem me diçka. Prandaj vetë, te vetëvritem, (ndoshta) nuk është e tepërt. Ka edhe më – në historinë e këtyre fjalëve, ka të ngjarë që vetëvrasje të jetë shfaqur në shqipe para vetëvritem (meqë shqipja thotë, si rregull, vrau veten, jo u vetëvra; dhe kjo formë sintetike e fundit është krijim i vonë i mediave). Dhe vetëvrasje e ka të domosdoshme parashtesën; meqë emri vrasje i përgjigjet njëlloj edhe foljes vras, edhe foljes vritem, dhe ndryshe nga këto folje nuk e shpreh vetvetiu trajtën veprore ose pësore/vetvetore. Edhe pse nuk i kam provat, do të thoja se vetëvritem është formim regresiv nga vetëvrasje (regresiv, meqë zakonisht janë emrat foljorë që vijnë prej foljeve përkatëse; mirëpo në këtë rast ka qenë emri, vetëvrasje që ka çuar në formimin prapavajtës të një foljeje të re, vetëvritem).

Mirëpo, brenda një kohe të shkurtër, ky mekanizëm i rastit, sa i përket foljes vetëvritet, ka përftuar një model, me folje të tilla si vetëvaret (94 mijë hite në Google), vetëhelmohet (23 mijë), vetëmbytet (rreth 5 mijë), etj. (sa mënyra ka për të vrarë veten?). Të gjitha këto janë, në thelb, të panevojshme nga ana ngushtësisht leksikore; çka do të thotë se parashtesa vetë-, me fjalë të tilla, po specializohet në kuptimin e “vetëvrasjes” (khs. edhe vetëplagoset, 12,5 mijë hite; vetëdigjet, rreth 17 mijë; vetëhidhet, që më tërhoqi mua vëmendjen, paska rreth 2 mijë hite, përkundër vetekzekutohet, që është përdorur vetëm 41 herë).

Përndryshe, varet, mbytet dhe helmohet do të mjaftonin; shqipja i percepton këto si vetvetore, ose si shënjime të një veprimi ku subjekti është njëkohësisht edhe objekt (ose edhe kryefjalë, edhe kundrinë); në një kohë që përdorimi pësor (Shaqiri u helmua nga e shoqja) tingëllon gjithnjë artificial, gati-gati i importuar – meqë forma e natyrshme e kësaj thënieje do të ishte Shaqirin e helmoi e shoqja, çka do të thotë edhe se mundësia që jep shqipja për t’i filluar fjalitë me një kundrinë të drejtë gati-gati e bën të panevojshme pësoren.

Për t’u kthyer tani te vetëhedhja, do të vërenim, në mbyllje, se kuptimi këtu nuk është aq “hedh veten”, meqë këtë kuptim e jep për bukuri folja hidhem; por “hidhem për të vrarë veten”, meqë për një fëmijë që hidhet nga muri poshtë nuk do të thonim kurrë vetëhidhet. Forma të tilla, për arsye etike dhe emocionale, nuk do të donim t’i shihnim të përdorura – megjithë ngushëllimin se ekzistojnë mjekimet përkatëse; edhe pse tensioni midis pësores dhe vetvetores, brenda shqipes, do të vazhdojë pa dyshim të na çuditë me krijime të ngjashme.

No Comments

  1. Mendoj edhe une tamam ashtu se arsyeja me afer logjikes per keto formime te panevojshme (dhe qe mua me tingellojne shume te shemtuara sado te kene formuar model e te jene normalizuar) eshte implikimi ne to i vetevrasjes, por nuk ve doren ne zjarr qe te mos kete edhe arsye te tjera. Psh nje tendence e pandergjegjshme per te krijuar kundervenie me shprehje gjithnje e ne rritje ne shtypin tone si : “vret gruan, dhe pastaj vetevritet”. Ketu kundervenia eshte e materializuar ne prani, por edhe atje ku ajo nuk materializohet, prape mund te perbeje bazen per formimin absurd. Psh ne rastet “Babai i dehur mbyt vajzen” “hedh te fejuaren nga kati i peste” “Helmon te emen uloke” etj. mund te jene baze per nje kundervenie qe ndihet si e nevojshme ne trurin e atij qe krijon tituj gazetash mes helmon veten vs. vetehelmohet… Aha, violenca ka kah tjeter kesaj radhe…(Keta shembuj i kam kriijuar une dhe s’jane tituj reale, por jam e sigurte qe pas nje search mund t’i gjej sepse nuk tingellojne te pamundur). Mundet.