Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fe / Filozofi

SI MUND TË BESOHET NË GJËRA TË TILLA?

nga Dashnor Kokonozi

Filozofët antikë nuk është se merreshin shumë me zyrtarët e Panteonit. Perënditë i njihnin kufijtë që kishin dhe nuk këmbëngulnin të thoshin fjalën e tyre edhe në filozofi (që në atë kohë e deri para nja dy shekujsh nënkuptonte edhe dijet e mendimin shkencor), aq më pak të hiqeshin edhe vetë si të tillë. E shumta kishin caktuar një si referent, të cilin filozofët e dijetarët, në shenjë respekti, e shihnin edhe si mbrojtësin e tyre. Gjë që nuk u provua kurrë.

Ndryshe nga sa mund të mendohet, kundërshtitë e fesë me filozofinë (shkencën) ekzistonin edhe në hebraizëm, por u bënë të mprehta e të dukshme me lindjen e krishterimit. Meqë një gjë e tillë nuk i nderonte shumë të dyja palët, në kohë të ndryshme janë bërë përpjekje për afrim.  Të paktën synohej që ndryshimet të mos ishin edhe aq këlthitëse e të papajtueshme në sytë e fëmijëve. Kjo ka ndodhur madje edhe në anët tona. I fundit në datë është Kaon Serjani. Nuk di shumë për të, por një shkrim i tij te Peizazhe të Fjalës, pak ditë më parë, nuk ishte fare pa interes, në mos për gjë tjetër, vlen për të shtuar një gur shqiptar në këtë përpjekje për të cilën po flasim. Dhe që është të paktën dymijëvjeçare.

Se nëse z. Serjani do të kërkonte pararendës të vetin në këtë lëmë, këta shkojnë tutje deri te një emër i madh, te Shën Agustini, mendimi i të cilit më ka tërhequr gjithnjë, sepse është një prodhim i kthjellët perëndimor. Në formimin e tij nuk ka ndikim as filozofia orientale dhe madje as ajo greke, edhe pse nuk ishin jashtë interesit të tij. U formua nga juristë, filozofë e teologë të kulturës latine.

Para se të bëhej një nga etërit e Kishës Shën Agustini ishte dikush që në rininë e tij kishte bindjen e thellë se feja e krishterë nuk ishte aspak e besueshme, edhe pse nëna e tij e përshpirtshme e kishte rritur në atë fe. Kjo nuk e kishte penguar shenjtin tonë të ardhshëm të largohej prej saj. Në kohën kur la Algjerinë e tij dhe shkoi të bënte studime të shkëlqyera në Kartagjenë, ai zbuloi filozofinë (që në atë kohë, siç thamë më sipër, përfshinte brenda vetes edhe dije të tjera). Njohja sidomos me Ciceronin qe një zbulim i vërtetë.

Në prani të mendimit të stërholluar të filozofëve, matematikanëve dhe dijetarëve, të krishterët e kohës së tij shiheshin ca si derdimenë.

Nëse historia e Jezu Krishtit e preku që në fillim Shën Agustinin, leximi i Dhiatës së Vjetër e skandalizoi. Si mund të besohet në gjëra të tilla, pyeste veten ai. Si mund t’i besohet një Zoti tillë kolerik e të padrejtë? Si mund të besohet mitologjia e Zanafillës e mbushur plot kundërshti? Perëndia krijon dritën ditën e parë, ndërkohë që dielli na shfaqet ditën e katërt, habitej ai…

Në Milano, rioshi Agustin, që atëbotë u mësonte retorikën avokatëve të ardhshëm, njohu peshkopin Ambroz. Ishte takimi i tij i jetës. Ishte ai që e mësoi të bënte një lexim tjetër të Biblës: interpretimi i saj nuk duhej bërë nisur nga një leximi fjalë për fjalë. Nëse në Bibël shkruhet se Perëndia krijoi dritën në ditën e parë, kjo duhet kuptuar si «dritë shpirtërore» dhe jo si ajo e diellit, e mësoi ai, midis të tjerash.

Ambrozi kishte një metodë të tijën, ekzegjesën, që u jepte Shkrimeve të Shenjta disa nivele leximi. Duhet lexuar midis rreshtash, e këshillonte ai Agustinin tonë. Dhe kjo e bindi atë aq shumë, sa më vonë ai, Shën Agustini, do të shkonte deri aty sa të thoshte se nëse një i krishterë dhe një njeri i shkencës (fizikanë kishin nisur të quheshin në latinishte, edhe pse jo tamam si në kuptimin e sotëm) kanë mospërputhje me njëri-tjetrin, atëherë duhet marrë për bazë fjala e fizikanit (Saint Augustin, De la genèse au sens littéral).

Në një rast tjetër, kur u pyet se si duhet vepruar kur Bibla është në kundërshti me të dhënat astronomike, ai u përgjigj:  Shkrimet e Shenjta nuk kanë për qëllim që të na mësojnë si është qielli, por si mund të shkohet atje. «Jezu Krishti, shkruan ai, kërkonte të bënte të krishterë dhe jo astrologë». Duhet të kujtojmë se astronomia ende nuk ka dalë më vete si shkencë. (Shën Augustini, Konferencat me manekienin Feliks)

Këtë metodë apo ekzegjesë vetë Ambrozi e kishte marrë nga Klementi, ky nga hebreu Filon që kishte jetuar në Aleksandri, etj…

Është ajo që, duke udhëzuar për një interpretim metaforik të Shkrimeve të Shenjta, u ka dhënë përgjigje pyetjeve të vështira që kanë bërë besimtarët në shekuj. Ashtu si ka mundur.

Personalisht, nuk jam shumë i bindur se e zgjidhën përfundimisht problemin, se qofshin ata filozofët e akademikët që citon z. Serjani, qoftë edhe ai vetë nuk do t’i ktheheshin prapë këtij problemi.

Nëse do të gjeja një mënyrë për të shpjeguar edhe unë mosbindjen dhe mospajtimin tim, me këtë sistem shpjegimi të Shkrimeve të shenjta, do të shprehesha kështu: përfytyroni sikur dikush ngul, të themi, një hu në një fushë djerrë dhe na e paraqit si instalacion të artit modern (A nuk na ka qëlluar të gjithëve të gjendemi para sajesash të tilla?). Ju përpiqeni të gjeni ku është arti këtu dhe nuk gjeni asgjë. Atëherë ai dikushi afrohet dhe të thotë: “Shikoni, ky hu nuk është aq i thjeshtë, ju ftoj të imagjinoni pjesën e tij të padukshme. Madje të shkoni edhe më tej, përfytyroni si penetron Tokën dhe del në anën tjetër. Kjo pashmangshmërisht do t’u japë ngarkesë elektrike të kundërta dy anëve të tij. Në këtë kuptim ky hu shpreh kontradiktën e shpirtit të njeriut, luftën e së mirës me të keqen që është e pranishme te secili prej nesh, djallin dhe shenjtin. Pra, ky hu, që ndonjë të cilit i punon mendja keq, mund ta ketë interpretuar si simbol të fallusit, atij i them se gabohet! Ky hu është arti total!

Ah, thua ti me vete, si nuk më shkoi ndër mend menjëherë. Pastaj, hiqesh sikur e ke kuptuar atë që nuk ka asgjë për të kuptuar. Dhe me të njëjtën “ekzegjesë” nis e interpreton çdo hu tjetër që të del përpara.

Ja kështu, për të gjetur sapopak logjikë, kërkojmë kuptimin e fshehur, atë shpirtëror.  Dhe harrojmë se kjo shpie në një seri interpretimesh subjektive sa në fund të del gjithnjë pyetja: Ku mbarojnë Shkrimet e Shenjta dhe ku fillon fjala e ekzegjetit?

Meqë bëhet fjalë për lexime të hershme, edhe pse nuk e njihja Shën Agustinin veçse për emër, ndieja parehati të madhe nga këto lloj kontradiktash. Feja në atë kohë ishte nën dhunën e regjimit dhe për hir të kësaj, dhe jo se kisha ndonjë prirje, desha me çdo kusht që çdo gjë që lidhej me të, të ishte sa më koherente. Nuk është se gjeja shumë argumente. As nuk kisha kë të pyesja.

Diçka më të pranueshme kam ndeshur mjaft kohë më vonë, te dijetarët hebrenj dhe myslimanë. Më saktë të dy prej tyre, te Averroe* që e ka trajtuar këtë problem, madje edhe duke shkuar kundër disa emrave të mëdhenj, por sidomos tek hebreu Maimonide (Moshe ben Maïmon). Të dy të lindur me pak diferencë vitesh në Kordovë në shek. XII, por që thuhet se nuk janë takuar kurrë. Ishin teologë dhe filozofë. Është ky i dyti, Maimonide, të cilin Shën Thoma Akuini e vlerësonte shumë, që më 1190 ka botuar librin “Doracaku i të hutuarve” (që nuk duhet ngatërruar me librin me të njëjtin titull të J. Ormesonit), që edhe ai është nisur nga Maimonide për të trajtuar disa probleme të ngjashme të kohëve moderne.

Maimonide, të cilit problemi i dilte që në Talmud, bëri të mundur përcaktimin e kuptimit shpirtëror të fshehur të teksteve fetare, duke qartësuar se cila është sfera e hyjnores, pa u ngatërruar më tej, pa marrë përsipër çdo gjë. Dhe me këtë rast i drejton sytë te profetizmi, natyra e së keqes, providenca hyjnore, virtytet morale, eskatologjia etj., të cilat i sheh si domene të “shkencës së fesë”, dhe ruan distancën e tij nga problemet e tjera me natyrë mirëfilli filozofike.

Natyrisht, është shumë më e komplikuar se kaq, por meqë si shembull e shoh të cituar shpesh (herën e fundit nga Humanologue, mars 2024), po sjell edhe unë dy formulime nga idetë e tij, ku qartësohet mjaft mirë kjo ndarje midis fesë dhe filozofisë (shkencës):

  • Feja zbulon ligjin e së shenjtës, thotë ai: ajo tregon si duhet të jetojmë në botë, por nuk merret me shpjegimin e saj.
  • Filozofia (shkenca) shpjegon botën, por ajo nuk thotë se si jetohet në të.

Në këtë vështrim, ai beson se arsyeja nuk është në papajtueshmëri me fenë.

Më mirë e më bukur nuk bëhet!

Ka një mijë vjet që ai e ka botuar këtë libër dhe më tej, ata që i futen nga e para një ndërmarrjeje që synon të gjejë kontribute të barabarta brenda së njëjtës fushë, më duken edhe mua pak si të hutuar e të keqorientuar nga profesorët e tyre.

Mendoja shpesh (në rininë time) për këtë dualitet midis shkencës dhe fesë. Herë fitonte njëra e herë tjetra. E vërteta është se filozofët antikë, shumë shekuj para fesë e shpjeguan fare mirë thelbin dhe pozicionin e njeriut në gjithësi ; për ta njeriu nuk ishte veç një thërrmijë pluhuri kozmik. (Më vonë do të shtohet se është i panevojshëm dhe krejt pa funksion në shkalë universi, edhe pse Ajnshtajni besonte se duhej ta kishte një.)

Dhe kjo është më se e vërtetë, por është e frikshme ta pranosh. Feja ka reflektuar shumë mbi këtë frikë dhe mospranim. Duke ndërtuar një strukturë dhe « eskatologji » që do ta quaj “populiste”, ajo pati një qasje tjetër ndaj njeriut, mjaft interesante; i tha atij se ti nuk je  i papërfillshëm, nuk je i parëndësishëm, nuk je një grimcë pluhuri. Feja i dha njeriut një emër dhe këtë e bënte me ceremoni të veçantë pagëzimi, i shpjegonte se ai ishte unik, se ishte i barabartë me të tjerët, se ishte i zgjedhur, madje i tha se Perendia jo vetëm e kishte bërë nën shëmbëlltyrën e saj, por edhe e merrte ne mbrojtje dhe vigjilonte mbi të. Dhe kjo deri sa edhe të birin e sakrifikoi për të. Në këmbim vetëm se i kërkonte të njihej si krijuesi i tij.

Njeriu dora-dorës e braktisi shpjegimin realiste të dijes që ekzistonte prej shekujsh dhe përqafoi atë të fesë.

Mund të thuhet se ishte një betejë që shkenca e humbi.

Personalisht, kam frikë, madje jam i sigurt se edhe unë  do të pranoja shpjegimin “holistik “ të fesë, që të shihesha si krijesë e privilegjuar, e mbrojtur dhe unike. Do të ishte mjaft më e shëndetshme se sa të pranoja shpjegimin e Demokritit se jam thjesht një grimcë pluhuri në kozmos. Faleminderit, zotëri, mbaje për vete!

Problemi është, gjithnjë sipas meje, se më tej, si pasojë e entuziazmit të kësaj fitoreje ndaj shkencës, feja mori përsipër t’i japë njeriut edhe shpjegimin e saj për botën dhe kozmosin.

Këtu ndodhi mëkati i zellit të tepruar. Ajo  ndërkohë kishte harruar  se njeriu ishte rritur. Pyetjet që bëheshin ishin gjithnjë e më komplekse. Tani asaj i duhet të luftojë që të ruajë pozicionin e saj.

Kaoni e bën këtë me sinqeritet, më duket mua, por problemi qëndron shumë më lart e larg nesh…

…………………………………..

* Një problem i tillë është ngritur prej kohësh edhe për islamin. Ka që flasin për “mrekullinë shkencore” apo për “konkordizmin”, sipas së cilës çdo njohuri shkencore, duke filluar nga Big-bangu e deri te zbulimet në embriologji janë parathënë në Kuran. Personalisht nuk di të them më shumë nëse janë çështje intrinseke të Kuranit apo rezultat i interpretimeve që i janë bërë nga njerëz entuziastë. Gjithsesi, kam një përshtypje të vakët se vetë autori i Librit të shenjë do të ishte disi i rezervuar ndaj thëniesh të tilla.

 

(c) 2024 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: kopertina është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin