Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

PËR SË LARGU

Kur na pëlqen shumë një këngëtar a një grup, zakonisht dashurohemi me ndonjë gjë jo shumë të njohur të katalogut, këngë të strukur në ndonjë album, që nuk ka dalë kurrë si single, këngë që nuk është kënduar shpesh në koncerte, gjithsesi diçka që të tjerët nuk e dinë dhe mbase prandaj është më e lehtë për ty që ta quash e ta bësh tënden dhe ashtu ta ruash. Për Elton John-in, kjo këngë është Come Down in Time, nga albumi Tumbleweed Connection, i vitit 1970. Çfarë muzike që bëhej në 1970! Edhe albumi nuk është nga më të vlerësuarit e Elton John-it; unë pothuajse s’kisha dëgjuar asgjë prej tij, derisa me pasion prej kompletisti fillova të qëmtoj në LP-të e hershme, kur i kisha mundësitë edhe financiare, në fillim të viteve 2000. Dhe ashtu ndesha te Come Down in Time, pa paralajmërim. Epifani për mua… nga ato që vetëm muzika mund t’i japë, por duhet të jesh atje, me shpirt, që të arrish t’i kapësh në fluturim.

Ndryshe nga pianoja, të cilën jam mësuar jo vetëm ta gjej, por edhe ta ndjek në çdo muzikë të E.J., kjo këngë është e orkestruar ndryshe – me harpë, kitarë, harqe, oboe dhe korno (nga Paul Buckmaster), duke marrë ashtu një ton të qetë, kontemplativ. Kur u mësova me të, filloi të më dukej sikur e kisha ditur që herët, që në vitet e mia 1970, kur nga Elton John-i dija vetëm Crocodile Rock dhe Rocket Man; sepse më ndolli kujtime nga ato vite që vetëm të miat mund të kishin qenë. Teksti i saj i thjeshtë, për dikë që shkon në takim me të dashurën, por ka frikë se mos ajo nuk do t’i vijë – fabul kjo që, në thelb, rrëfen krejt jetën time të atëhershme; aq më tepër në një epokë kur telefonat celularë nuk ekzistonin dhe lidhja me dikë, edhe me njeriun më të afërt, ishte aq e brishtë, sa vetëm mrekullisht mbijetonte nga një ditë në tjetrën:

There are women and women, and some hold you tight
While some leave you counting the stars in the night

Dhe ky varg i fundit i shkruar nga Bernie Taupin, që e mbyll këngën, më konfirmon që rinia ime e hershme nuk ishte shumë më tepër se pritje; ose më mirë, një ushtrim asketik, në mundimin e shpresës. Në sinkroni me ritmin e shtruar të këngës, ajo pritje është edhe Tirana që lëvizte plogët rreth meje, ndërsa unë rrija; në vende që edhe sot i mbaj mend, madje edhe kur vendet nuk ekzistojnë më. Sa herë më pat ndodhur t’i numëroja yjet, madje edhe kur qielli ishte me re? Atëherë më dukej çudi, që dy njerëz arrinin, megjithatë, ta gjenin rrugën drejt njëri-tjetrit dhe të puqeshin në mes të kaosit, dy atome të nevojshme për një molekulë aq volatile ankthi të shndërruar në lumturi; këtë çudi ma kujton tani kënga.

Herën e fundit që isha në Tiranë i tregova një shoku – ky shumë më i ri se unë – një trotuar te Blloku, ku kam kaluar ndonjëherë edhe orë, në pritje për një dritë që të ndizej te një ballkon mbase 200 metra më larg; jo se ajo dritë kish ndonjë domethënie praktike për mua, por vetëm sepse gjasat ishin që ta kish ndezur “ajo”,  e pakapshmja ndryshe, e pasinkronizuara; dhe ky shoku më pyeti: “po pse nuk i shkove në shtëpi që ta takoje”, pa e realizuar që ajo shtëpi, për mua gjimnazistin e rrugës, mund të ish aq larg e aq lart, sa do të më duheshin vite për t’u ngjitur deri atje; dhe këtu do të hynin në veprim efektet relativiste, dhe sinkronia – ajo sinkroni që e mbante botën tonë bashkë dhe nuk e linte të shqepej e të zbërthehej në një rrokopujë narrativash pa lidhje – do të humbiste përgjithnjë.

Në vitet 1980, në Tiranë, kisha kërkuar më kot të gjeja një këngë tjetër të Elton John-it, të cilën vetëm sa e kisha kapur ndonjëherë kalimthi e fluturimthi në radio: Your Song quhej. Mbase duhet të shtoj, për lexuesin e ri në moshë, se regjimi atëherë e ndalonte rreptësisht futjen brenda territorit të republikës të materialeve aq subversive, sa një album i muzikës pop a rock. Një shoku atëherë i erdhi aq keq për mua, që nuk po e gjeja dot Your Song, sa më premtoi se do të ma gjente ai; por as kjo nuk ndodhi. Ishte më e lehtë të shtije në dorë, ato vite, ndonjë album të Beatles-ave, të Rolling Stones-ave, të Led Zeppelin-ëve e të tjera të ngjashme; por jo të Elton John-it. Një shok i afërt, që kish qenë në Vjenë për specializim, solli që andej – mes të tjerash – edhe albumin Déjà Vu të Crosby, Stills, Nash and Young; me ta dëgjuar, fillova të kuptoj se, me gjithë pasionin tim për muzikën “e andejshme”, kisha mbetur – si unë si brezi im – nënprodukt aksidental, madje toksik, i shijeve të konsumatorit italian që blinte 45 giri-t, të reklamuara pastaj në Hit Parade. Tani që e mendoj, edhe Titogradi qëllonte që jepte muzikë më të mirë, mjaft të kishe pak fat… Gjithsesi, një kasetë compilation me Elton John’s Greatest Hits (edhe kështu nuk shpëtova dot!) e bleva me të shkuar në Romë në 1987; dhe e bleva vetëm e vetëm për atë të bekuar Your Song, që pasi e dëgjova dhe nxora dufin, m’u duk sikur nuk kish pasur nevojë ta dëgjoja, meqë e paskësha ditur.

Ironikisht, deri atëherë nuk e kisha parë ndonjëherë Elton John-in në TV; ashtu kishte rastisur. Dhe mbase më mirë – sepse përjetimi vizual më zhgënjeu (sidomos ngaqë e pata nga periudha kur Eltoni, për ta thënë me një komentues në YouTube, “went bubble-gum”), nuk e lidha dot me përfytyrimet që më kish ndjellë, gjithë ato vite, tingulli. Pianoja më sugjeronte një lloj elegance të pamjes, që pastaj nuk e gjeta. Edhe një kujtim tjetër: një shoqe imja që i binte pianos, në mes të viteve 1980, se nga kish gjetur një libër me partitura të këngëve të Elton John-it; dhe u ul të luante një ditë për mua (për mua!) Blue Eyes, e cila para pak muajsh kish kaluar ca javë në hotelin trash të Hit Parade-it italian; kur e dëgjoja, dhe ia shihja duart në piano të prodhonin tinguj për mua aq familjarë dhe njëherazi aq alienë, sepse të ardhur nga galaktika përtej, m’u bë sikur përjetova një qark të shkurtër, në kuptimin që muzika erdhi në dhomë me mua. Dhe sot e kësaj dite nuk e di, nëse shoqja ime e kish dëgjuar këtë këngë më përpara, apo thjesht e gjeti në libër dhe i pëlqeu titulli, ose akordet, ose kushedi edhe supozoi se mua do të më pëlqente!

Kam tani kuriozitetin si do të përjetohet kjo Come Down on Time, nga dikush që e ka jetuar jetën krejt ndryshe nga unë; meqë muzika vërtet ka aftësinë të personalizojë deri në intimitet, por ka edhe virtytin që t’i bëjë njerëzit bashkë. Siç kam kuriozitetin se çfarë kënge do të arrijë të evokojë, te një i tretë diku në botë, atë moment të së tashmes që i ngjan së tashmes sime, para kaq e kaq vjetësh, të krijuar – nëse mund të shprehem kështu – nga kujtimi i ndjellë prej këngës. Shumë të brezit tim tani ankohen, pse muzika e sotme nuk u pëlqen më; dhe ca drithërima të gjysmë shekulli më parë, sot kanë përfunduar në kolona zanore të farmacive e të dyqaneve të veshmbathjes; por tek-tuk mbeten gjëra për t’u rrëmuar dhe zbuluar; aq sa pyetja që vazhdoj t’ia bëj vetes është pse e kish atë magji muzika e djeshme, që e qëmtojnë ndonjëherë edhe këta të sotmit.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të dhënat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.

3 Komente

  1. Tingulli i muzikes se Elton John ne fillim te viteve 70 me vjen ne kujtese si nje revelacion, pianoja dhe zeri i tij te Your Song, me pas te Candle in the Wind dhe disa te tjera te albumit Goodbye Yellow Brick Road, qe i degjoja sidomos ne programet muzikore te pasdites ne radion italiane. ‘Per voi giovani’ ishte programi radiofonik mitik, me Massarini e Cascone dhe Giaccio e Cascone. Me duket sikur krejt muziken e mire te atyre viteve e kam zbuluar permes tyre, anglezet dhe cantautoret italiane.

  2. Me kujtohet edhe qe ndryshe nga ti e kam pare Elton John ne nje koncert te RAI shume heret, kur ushte ende i ri, i homme e me floke te gjata: veshur me te bardha duke luajtur ne nje piano koncerti te bardhe e duke kenduar njeren prej ketyre hiteve te fillimviteve 70.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin