PAS SHKATËRRIMIT

nga Ader Kalaja

Benjamini ishte melhemi që më mundësoi t’i mbijetoj Heidegger-it
Agamben

Afër liqenit të Shkodrës bën ftohtë. Faj i dhjetorit. Njerëzit që bëjnë gjëra sorollaten aty afër me karroca fëmijësh. Një jevge bërtet me të madhe për të shitur ca pallto të përdorura. Xhamia e sapo konstruktuar sheh hijerëndë. Si copë spinaqi që i ka ngelur në dhëmbë peizazhit pothuaj kristalin, ajo, me vite, tashmë, është bërë strehë e atyre që nuk kanë ku shkojnë tjetër. Në krye të rrugës, aty afër urës, por nga krahu i saj paragjykues, një plak shtatëdhjetëvjeçar shërben kokoshka dhe sheqerka të ndryshme. Një çift i ri përqafohen si me turp te ajo lëndina djerrë afër me rrugën. Rrugë nga ku te krahu tjetër gumëzhijnë makina. Një çift të moshuarish sërish kanë dalë të bëjnë xhiron e mëngjesit. Një vajzë e re që shoqërohet nga tre shoqe të veta fotografon liqenin e veshur me pallto bezhë që është shumë e madhe dhe shumë e gjatë për të. Dy djem të rinj me kapuç ndezin një cigare hashash te lëndina afër lokalit ku jam unë. Kamerieri afrohet dhe më shërben kafen me çudi. Sapo kam nxjerrë nga çanta një libër. “Angelus Novus” i Bashkim Shehut. Libri i kushtohet Mustafa Bajraktarit, vetëvrarë në burg në moshën 29 vjeçare.

Filloj dhe pyes veten. Ça dua unë me një libër të tillë, dhe këtu në këtë vend? “Angelus Novus” e merr emrin nga piktura e Paul Klee. Subjekt i romanit është interpretimi që i bën Walter Benjamini kësaj pikture. Benjamini, filozofi majtist i Shkollës së Frankfurtit. Koka e kthyer prapa, koka që na pengon. Koka e kthyer vazhdimisht. Njeriu pa kokë, mos do ishte më i arsyeshëm meqë për gjykime morale nuk mund të flasim në këtë terren? Georges Bataille kishte një revistë të titulluar pikërisht “Pakrye”. Acephale.

“Angelus Novus” është libri i fundit që më ka rënë në dorë nga Bashkim Shehu. Librin e tij të fundit “Kryevepra të pakryera” e lexova me një frymë, megjithëse u afrohej pesëqind faqeve. Librin për Liri Belishovën e kam quajtur gjetjen më të madhe në letërsinë shqipe pas “Ftesë në studio”. Nuk po them kryeveprën absolute apo romanin më të arritur. Po them për nga ana stilistike. Një monografi e përsosur dhe një vërejtje politike e paçmueshme. Një kontribut sa feminist, filozofik aq edhe letrar. Një letërsi e vështirë, por që edhe ndonjëherë të bën për të qeshur. Jo një letërsi populiste e mbështetur tërësisht te batuta, kam këtu parasysh Edison Ypin (Qajtore). Libri i parë që pata hasur nga Bashkimi ishte “Mozart me vonesë”. Aty dukej sikur nuk kishte dalë ende nga hija kadareane, me ngjarjet në borgjezinë komuniste, familjare dhe intrigat. Ndoshta prandaj mua, të riut asokohe, më pat pëlqyer dhe aq shumë. Aq shumë sa mora të lexoj të gjithë librat e tij që mund të gjeja.

Nga përballja me femëroren e huaj te “Gjarpri dhe heronj të tjerë” te personazhet aq të qëlluara të “Triptikut të magjistarëve”, Bashkimi më magjepste çdo herë. Subjekti i romaneve është përherë interesant dhe larg së mërzitshmes që dominon letërsinë shqiptare, ku gjetja më e madhe e snobave të pubeve tiranase është të shkruajnë gegnisht apo të ribëhen maoistë, njëlloj si këngëtarët më të shitur në tregun tonë janë sot për sot kosovarë dhe shumica e influencerave janë konspiracionistë. Letërsia e tij është një letërsi e narrativave të mëdha. Nga komunizmi ynë i futur në një parabolë borgesiane te “Vjeshta e ankthit” deri te astrologët këshilltarë të Hitlerit. Nga Liri Belishova heroinë te Mozarti i keqkuptuar nga kooperativa e stërmadhe totalitare, që patëm në shpinë shekullin e kaluar.

Nuk më tha asgjë, nuk më thotë asgjë, foli një miku im kur e pyeta për “Vjeshtën”. Heshta. Nuk dija ç’të thosha. Unë e pata përpirë me një frymë. Dikush tjetër më tha: “As ai vetë nuk e di çka ndodhur”. Sërish mbaj mend se pata heshtur, zakonisht në këto raste hap rrugë. Nuk më pëlqen të diskutoj kur nuk jemi në të njëjtin terren afeksioni për artin, ose në të njëjtën gjendje nostalgjie për letërsi të mirë. Pse nostalgji për letërsi të mirë? Sepse në shqip konsumohet shumë, edhe poezi, edhe gazetari, por sidomos publicistikë, dhe a mund të na vihet faj me gjithë këtë zhurmëri mediatike? Ngjarje politike ka shpeshherë, dhe mendjet e lodhura të shqiptarëve duan gjëra të lehta për t’u tretur, gjëra që shiten dhe, më e rëndësishmja, të mund të rishiten. Si ky tregu afër pedonales në Shkodër. Fjala merr përdore fjalën dhe kthehet në bejte dhe më pas në legjendë apo mit, dhe kështu humbet tërë vlerën e saj. Bashkimi pikërisht këtë ka shmangur te “Vjeshta”. Lexues i mirë, përkthyes edhe më i mirë i letërsisë (Borges, Kamy), por dhe i filozofisë (Kierkegaard, Arendt), e di shumë mirë që ka një dimension politik të ngjarjes, jo vetëm një dimension informativ. Kadare ka një libër për vetëvrasjen e kryeministrit, siç dhe e quajnë disa – duke ndërtuar mit – a thua se vetëm një të tillë ka pasur Shqipëria. Aty ai letrarizon dhe dimensionet më intime të personazheve politike, duke rënë kështu në psikologjizëm banal. Kadareja e mban veten për shkrimtar të madh, si Homeri, dhe ashtu si Homeri përpiqet të na thotë se përplasja Hoxha-Shehu lindi nga prizat e reja të shtëpisë së këtij të fundit (“Pasardhësi”) si Troja që hyri në luftë për kyçet e brishta të Helenës.

Bashkimi asnjëherë nuk psikologjizon, ai mendon bashkë me personazhin, jeton bashkë me të. Kjo lloj letërsie e merr të mirëqenë vdekjen e autorit, teori letrare e popullarizuar nga R.Barthes. “Mallkimi”, një nga kryeveprat e Mentor Kosturit, është shembull i përsosur. Kjo është tipike për një shkrimtar gjenetik, shkrimtar që ka aftësinë të ndërtojë një personazh. Qesari te “Mozart, me vonesë” apo këshilltari nacional-socialist te “Triptiku i magjistarëve” janë disa shembuj, por dhe Naun Gjika te “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. “Loja, shembja e qiellit” është libri ku burgu bëhet personazhi vetë, ndryshe nga, për shembull, rrëfimet e Fatos Lubonjës te “Jetë burgu”, ku rrëfimi është mbushur me personazhe që duken sikur nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin përveç faktit se sillen në të njëjtin vend. Burgu i Bashkimit është më real se ai i shkrimtarit që e ka kthyer burgun në legjendën absolute të komunizmit tonë. Për Lubonjën duket se në Shqipërinë totalitare ka pasur vetëm burgje, kjo ndryshe nga të thënët se Shqipëria vetë, për shpirtrat e lirë, ishte një burg i stërmadh.

Bashkimi shkruan, pra, pa rënë në kitsch dhe pa pretenduar dëmshpërblime imagjinare nga regjimi i sotëm. “Spaçator!”, pata dëgjuar njëherë një shoqen time t’i referohej një personi të tretë, për të prurë një shembull se sa shumë na kanë damkosur me komunizëm edhe ne që nuk e kemi jetuar. Viktimizimi ekstrem i të persekutuarve vetëm sa e bën qesharake atë kohë. Kjo nuk do të thotë që të mos bëjmë kujdes të mos lëndojmë ato që Enferr Hoxha (siç i thotë një miku im tjetër) iu vodhi rininë apo jetën. Politikisht duhet gjetur një rrugë e mesme, them unë, duke rrezikuar të flas si deputet në parlamentin rinor europian apo avoketërit e rinj të Model UN.

Personazhi kryesor i “Angelus Novus” është Mark Shpendi, po e quaj me mbiemrin e tij të dytë, pavarësisht se autori, për të na krijuar një tablo të plotë, zgjedh ta paraqesë dhe me një mbiemër të dytë. Gjoka është mbiemri i tij i dytë. Pa harruar këtu arsyen pse. Ashiqare për të treguar sesa i tëhuajzon njerëzit kushti çnjerëzor i burgimit dhe për të treguar në një mënyrë shumë fine se brenda këtij personazhi kemi të bëjmë me dy njerëz, por pa denoncuar skizofreninë me bori.

Danilo Kish është një shkrimtar tjetër, shkrimtar i botës më pëlqen ta quaj unë, pavarësisht se ai u përkiste disa vendeve dhe, në një mënyrë liberale, mund të themi se kemi plot opsione për të zgjedhur ku ta pasaportizojmë dhe jo të shprehim të kundërtën, që kjo shumëpërkatësi është pikërisht arsyeja pse ai nuk i përket askujt veç letërsisë. Danilo Kish vepron mirë me personazhe të komplikuara në situate të caktuara. Ashtu si B.Shehu, Danilo Kish vepron mirë në hapësira të vogla të mbyllura. Borgesiane kjo, aq sa dhe jo. Nga “Angelus Novus” më ka mbetur në mendje pamja e mbyllur e dhomës së Markut, mbushur me libra ku kërkonte më kot arsyen e vetëvrasjes së Benjaminit. Arsye e pranuar, por një mendje që nuk e pranon dot se është sëmurë, nuk e gëlltit dhe aq lehtë. Prandaj dhe Marku jepet herë Gjoka, herë Shpendi, por gjithmonë Gjoka ose Shpendi gjatë shkrimit, për të krijuar amalgamën e dyfishësisë së personalitetit dhe pamundësisë së evoluimit të personazhit, pavarësisht kushteve të ndryshme kohore dhe situatës së ndryshme politike. Dhe ky komentar i dy historive të ngjashme, që shkojnë paralel dhe plotësojnë njëra-tjetrën, është tamam dhe subjekti i vërtetë i librit.

Ashtu si Kierkegaard-i, që ka një libër për trajtesën e dëshpërimit nga një pikëpamje metafizike dhe teologjike, ashtu edhe B.Shehu merr dy raste specifike për të treguar pikërisht simptomat e këtij fenomeni. Dy situata të ndryshme. Fiks “Afër dhe larg”, si dhe titullohet një nga kapitujt e romanit. Njëri çifut mërgimtar pa atdhe, filozof, doktor në filozofi, Phd, pra, dhe tjetri një lexues i burgosur me aftësi letrare, që në momentin kur i hapet rruga për të shpëtuar jetën e vet dhe për t’u larguar për në Amerikë tek e motra, pëson një krizë nervore të vonuar dhe çmendet. Shumë e habitshme për një lexues që i ka qejf plot twist të tilla. Marku ishte aq i përvuajtur, sa dhe modest; erudit, sa dhe i çuditshëm; gojëpak, sa dhe histerik. Një njeri i komplikuar që mund të ishte ndonjë njeri që ne e njohim dhe është kjo gjë ajo që e bën personazh.

Të këndshëm për t’u ndjekur…Nuk mund të themi “në aventurat e tij”. Ky është një tipar tjetër i letërsisë së B.Shehut. Nuk është një letërsi aventure, që të mban pa frymë, nuk është subjekti i rrëfimit që përbën zemrën e librit sa është rrëfimi vetë, mënyra e rrëfimit, rrëfim pa presje e pikë kuturu, i mirëmenduar dhe shumë i kompozuar, çdo gjë është logjike aty dhe njëherësh është fantastike, një fantazi e gjallë, e gjerë por që duket krejt normale…, për sa kohë që ke librin në duar.

Kur kthehesh pastaj në botën reale, libri duket i largët, një rrëfim që e di që e ke lexuar dhe përjetuar, e di që të ka prekur, e di që fraza të tij i ke mbajtur dhe i mban mend, por ndihesh sërish që duhet t’i kthehesh, sikur të merr malli për të, duhet lexuar dhe një herë. Nuk e mbaj mend sa herë mund ta kem lexuar “Mozart, me vonesë”. Ashtu si nuk e mbaj mend sa herë mund ta kem lexuar “Kronikë në gur”. Nuk mundesh ta tregosh këtë lloj rrëfimi, ose duhet ta shprehësh me shkrim ashtu si po bëj unë, ose duhet ta shkruash dhe njëherë nga e para, ose mund ta shohësh film në mendjen tënde. Pastaj dihet që ne letrarët kemi prirjen të flasim më shumë për përshtypjet sesa për gjëra të përveçme që na kanë bërë përshtypje. Marku lexonte Will Durant, për shembull, por kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që kanë lexuar ç’t’i kapë dora në rrëmujën e pas komunizmit, në rrumpallën e atëhershme, por që kopilët e saj kanë mbërritur deri në ditët tona, të gjithë këta nuk janë vetëvrasës. B.Shehu është gjurmues i mirë i sjelljes dhe detajit.

Më kujtohet që nga një bisedë me të pata kuptuar thelbin e Don Zhuanit të Mozartit, që është qesharakësia e një Don Zhuani të vërtetë. Një Don Zhuani real dhe ky, sikur të ishte i vendosur në komunizmin tonë borgjez, do ta bënte dyfish qesharake situatën. E ka bërë shkrimtari për të cilin po flasim këtë puqje me “Cosi fan tutte”.

Romanet e B.Shehut shpalosen me palëza dhe nënshtresa, aluzione, por jo me nënkuptime. Dhe nuk është kurrë banal. Banal në dy kuptime. Banal në kuptimin e një gjuhe vulgare, dhe banal në kuptimin e një gjuhe vulgare. Ndonjëherë është e nevojshme një gjuhë fshikulluese atëherë kur bota vërtet të çan trapin dhe ndonjëherë duhet t’i përshtatesh realitetit ku jeton. Me Bashkimin nuk ka ndodhur asnjëra. Ai nuk ka pësuar asnjë thyerje në burg. Si personalitet i fortë është i hapur ndaj çdo mendimi të ri. Nuk është asnjëherë pedant dhe kokëfortë.

Nuk ngulmon te gjërat e pabëshme në letërsi, por as nuk ka frikë nga risia, të eksperimentojë, të fusë mendim në letërsi, atëkohë kur duket sikur në letërsinë shqiptare ka vetëm histori, histori pa fund, histori me politikë, histori dashurie, histori me sulltanë, histori me kampe emigrantësh, histori me shokë Zylo, e më the të thashë. Për një shkrimtar nga ata të racës së vjetër as nuk mund ta dish çfarë bindjesh politike ka. Kjo ndodh dhe me B.Shehun. Emil Zola ishte nga të parët që filloi fshikullime politike, por dhe Hygoi, por askush nuk e di në ishte Cervantesi pro apo kundër skllavërisë, nëse Kundera është feminist apo mizogjin. Sigurisht letërsia e tyre është e përdorshme, sepse duke qenë e lexuar dhe e lexueshme, nuk ka si të mos i shpëtojë aty-këtu të tilla fenomeneve, përndryshe do të ishte një…letërsi e sirtarëve.

Një letërsi që vetë B.Shehu si autor e teorizon dhe e nxjerr nga tirania e hijes, nga tirania e zisë, e vdekjes që i vjen germës nga pluhuri. Nuk është një letërsi kaubojsash si John Fante te “Pyesni pluhurin” apo një letërsi e arkivit, si disa vepra më politike të Kadaresë. Ja një tipar që bashkëndajnë shkrimtarët e mëdhenj: edhe për Kadarenë askush nuk di të thotë çfarë bindjesh politike ka, veç faktit që është shkrimtar shqiptar dhe ndoshta shkrimtari ynë më i mirë.

Letërsia e B.Shehut, ndryshe nga letërsia – sërish- e I.Kadaresë është një letërsi estete. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se është një letërsi e cila merr parasysh një publik tashmë të mirëkonsoliduar, por që nuk është vetëm publiku shqiptar, por ai europian dhe botëror. Nuk has një letërsi të ngjashme, as nga vendet e Bllokut Lindor dhe as nga ShBA apo Europa. Nuk kemi pse ta kufizojmë vetëm te Blloku Lindor spektrin e kërkimit, por duhet të marrim parasysh se letërsia e realizmit socialist u shfaq gjithashtu edhe në këto vende, por jo aq rëndë sa te ne. Kraznohorkai, për nga mosha dhe eksperimentimi, ngjan me letërsinë e B.Shehut për nga tematikat interesante, kryesisht me njerëz të pafat, vetmitarë, të varfër apo të persekutuar, por letërsia austriake me Th.Bernhard zakonisht përmban një kritikë, ku kalemi transformohet në sëpatë dhe viktimat janë borgjezët hipokritë austriakë me nonchalancën e tyre, me veset e tyre, me politikën e tyre kriminale, kriminale në të dyja kuptimet, dhe në kuptimin zakonisht kriminal të politikanit të korruptuar dhe në kuptimin tjetër që është nazizmi ende i paçrrënjosur nga mendjet dhe shpirtrat e tyre.

Personazhet e Bernhardit janë artistë, muzikantë, profesorë, ndërsa te B.Shehu gjejmë burgaxhinj, të persekutuar, ose krejt të kundërtën, që është e kundërta më e afërt e së kundërtës vetë por jo e kundërta tamam, që janë diktatorët, pra fenomeni diktator dhe sa qesharak është ai sot (“Triptiku”). Te “Dimri” Kadareja ka bërë të njëjtën gjë me Enver Hoxhën. Pse diktatori është shembulli tamam? Sepse, thënë në terma të tjerë, ai është hija groteske e mbretit, është mbret por pa aristokraci apo fisnikëri. Sado dandy të donte të tregohej Enver Hoxha apo sado të sofistikuar ta ketë propagandën Presidenti i Amerikës sot, sërish, prej kushteve historike e dimë mirëfilli që është fasadë, ndryshe nga feudalët e gjorë, edhe europianë, por edhe osmanë (“Qorrfermani”) që detyroheshin t’i nënshtroheshin Njëshit, të fortit të lagjes nga injoranca, edhe nga injoranca. Kisha nuk ndihmonte.

Dalim në një dimension tjetër. Erudicioni i B.Shehut. Në veprat e tij ndihet influencë nga Nietzsche dhe nga filozofia franceze, por pak nga letërsia rilindëse shqiptare (ndryshe nga Kadareja) dhe nga ajo gjermane, duke i dhënë kështu atij një dozë të re sharmi, që nuk e kanë shumë nga shkrimtarë shqiptarë, sepse ata ruajnë ende një dozë dogmatizmi dhe një përbuzje ndaj së resë, që i bën ato të myken. Ka në to, ndër to, që e akuzojnë B.Shehun për “manierist”, “postmodern” e më-the-të-thashë. Unë, personalisht, që vij nga bankat universitare, të tillë njerëz dhe kur i kam vënë në provë për dijet klasike, nuk është se kanë qëlluar shumë të ditur. Nostalgjikë të kohës së romanit të madh, por përtacë të romanit të madh në faqe. Këta njerëz nuk janë larg akuzave moraliste, fetare, konservatore, dhe shumë të tjera gjëra të cilat nuk të gajasin plotësisht, por make you smirk.

 

© 2024 Ader Kalaja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

 

About the Author

Adri Kalaja ka lindur në Shkodër me 21 Gusht të 1997. Ka përfunduar studimet në dy cikle në Universitetin e Tiranës dhe është diplomuar në filozofi. Entuziast i kinemasë dhe frankofil terribël megjithatë ruan një respekt edhe për botën anglosaksone. Ka përkthyer disa vepra nga Soren Kierkegaard dhe ka kontribuar me ese të gjata për autorë shqiptarë por jo vetëm. Ndryshe prej shumicës së shkodranëve nuk flet italisht. Në kohën e lirë lëvron prozë. Aktualisht gazetar kulture te Gazeta “TemA”.

Author Archive Page