PODIUMI I SË KEQES: LENINI, STALINI APO HITLERI?

nga Ernest Nasto

Dita e sotme e 21 janarit 2024 shënon 100 vjetorin e vdekjes së Vladimir Iliç Leninit, personit të tretë, krahas Marksit dhe Engelsit, të trinisë së marksizëm-leninizmit.

M’u kujtua me këtë rast që zv.presidenti i kompanisë ku punoja para ca kohësh mbante në tavolinën e zyrës së tij një portret të frymëzuesit dhe udhëheqësit të “Revolucionit të Tetorit”. Zv.presidenti ishte frëng dhe m’i kish pohuar kalimthi bindjet e tij majtiste, por kurrë s’pata rastin të angazhohem me të në diskutime më të thella se çfarë saktësisht kuptonte ai me këtë fjalë. Shihej qartë se ai portret s’u bënte ndonjë përshtypje të veçantë atyre që hynin e dilnin në atë zyrë, dhe nganjëherë pyesja veten nëse reagimi do të kish qenë i njëjtë sikur portreti në tavolinë të ishte ai i Stalinit apo, larg qoftë, i Hitlerit.

E vërteta është se shëmbëlltyrat e Leninit në portrete, buste e statuja mund të shihen sot në një numër të madh vendesh (pa llogaritur këtu Rusinë dhe ish-republikat e tjera sovjetike), ato të Stalinit shumë më pak, ndërsa ato të Hitlerit pothuaj askund. Duket qartë që Iliçi ruan ende një përshtypje pozitive, madje edhe në vendet perëndimore, dhe më shqetësuesja është se pozitiviteti shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me moshën e të anketuarve. Më të rinjtë janë pra ata të cilët në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada e gjetkë e shohin me simpati rolin e tij në histori, gjë që konfirmohet edhe nga sondazhe të ndryshme. Përse vallë ky diferencim me të tjerë aktorë famëkëqinj të historisë?

Askush nuk kundërshton faktin që ishte Lenini ai që drejtoi marrjen e pushtetit nga bolshevikët rusë, pikënisja e një sundimi gjakatar prej 7 dekadash mbi atë popull të shumëvuajtur. Por pasojat e asaj ngjarjeje u shtrinë shumë më tej kufijve të ish-perandorisë ruse, duke përfshirë tërë Europën lindore, përkatësisht edhe Shqipërinë tonë, Kinën dhe vende të tjera aziatike, Kubën në hemisferën perëndimore, si edhe variante të ndryshme në disa vende afrikane. Në të gjitha ato, pa asnjë përjashtim, regjimet komuniste shkaktuan mundime të panumërta e krejtësisht të panevojshme, të kurorëzuara me disa qindra milionë viktima.

A ishte Vladimir Iliçi udhëheqësi i një revolucioni popullor kundër regjimit të korruptuar carist dhe klasës feudale që e mbështeste? Kjo s’është e vërtetë sepse nëse do të flasim për një kryengritje popullore anti-cariste, e tillë në Rusi ishte vetëm ajo e shkurtit 1917, të cilën historiografia sovjetike (dhe ajo lindore) e pat pagëzuar, për interesat e saj praktike, si “revolucion demokratiko-borgjez”. Lenini ishte asokohe në mërgim, në Zyrih, pa pasur asnjë ide se ç’ndodhte në Petrograd, dhe nëse flasim për merita të bolshevikëve në atë ngjarje, ato i takojnë padyshim vetëm Leon Trockit. Lenini u kthye në Rusi me mbrojtjen dhe financimin e gjermanëve, pasi u kish dhënë këtyre premtimin për ta nxjerrë Rusinë nga lufta botërore që kish filluar më 1914. Në pushtet në Rusi ishte qeveria e përkohshme e kryesuar nga një parti e majtë, Partia Socialiste-Revolucionare (të famshmit eserë të teksteve tona shkollore të viteve ‘70 – ‘80) e kryeministrit Kerenski. Ngjarjet e tetorit ‘17 pastaj ishin një grusht shteti klasik(1), kur një masë marinarësh e gardistësh të kuq u ngritën kundër asaj qeverie, e arrestuan, dhe shtinë në kontroll kryeqytetin, prej ku regjimi bolshevik u përhap mandej në të gjithë Rusinë.

Akoma më i pavërtetë është edhe pretendimi tjetër i simpatizantëve leninistë se të paktën ngjarja dhe regjimi në fjalë përfaqësonin interesat e masave të gjera të popullit rus. Absurditeti i këtij pretendimi dëshmohet nga episodi i trishtuar i zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese: bolshevikët e mbajtën në fakt premtimin për të organizuar zgjedhjet për një asamble të tillë, e cila duhej të ligjëronte qeverinë e tetorit dhe të vendoste për formën e regjimit të ri rus. Zgjedhjet u zhvilluan gati tri javë pas “revolucionit” dhe partia e ish-kryeministrit Kerenski fitoi shumicën relative me 40 për qind të votave, ndërsa bolshevikët vetëm 24 për qind. Dhe si reaguan me këtë rast këta të fundit nën drejtimin e Leninit? Kur asambleja u mblodh në fillim të janarit 1918 dhe refuzoi të ligjëronte qeverinë e tyre, delegatët bolshevikë dhe aleatët e tyre, eserët e majtë, e braktisën atë, e rrethuan me trupat që kishin nën kontroll dhe e shpërndanë. Me kaq “u zgjidh” edhe çështja e kontrollit të pushtetit.

Lenini ishte kësisoj nismëtari dhe pararendësi i të gjitha prapësive që bëri më vonë Stalini, pavarësisht nga ndryshimet e natyrshme të lidhura me karakterin vetjak të secilit dhe kohën e qëndrimit në pushtet. Lenini ishte ai që mori masat e para për vendosjen e kontrollit të plotë të pushtetit sovjetik mbi ekonominë, me politikën e njohur si “komunizmi i luftës”: shtetëzimin e plotë të industrisë dhe drejtimin e centralizuar, kontrollin e tregtisë së jashtme, ndalimin e menjëhershëm të grevave dhe disiplinën e rreptë për punëtorët, detyrimin e shtresave të tjera të punonjësve për të marrë pjesë në punë fizike (“punë vullnetare”), sekuestrimin e çdo teprice të prodhimit bujqësor, racionimin e ushqimit në qytete, kontrollin ushtarak mbi hekurudhat, etj. Rezultatet katastrofike që pasuan i detyruan më vonë bolshevikët të adoptojnë përkohësisht një seri masash liberalizuese të njohura si “politika e re ekonomike” (NEP).

Lenini ishte gjithashtu nismëtari i terrorit politik, sepse ekzekutimi i car Nikollës dhe i tërë familjes perandorake u krye me urdhrin e tij të drejtpërdrejtë. Dhe në të njejtën mënyrë filloi edhe ngritja e sistemit të kampeve të riedukimit nëpërmjet punës, të njohura si rrjeti famëkeq GULAG, kampe të vërteta përqendrimi, të përsosura më pas nga Stalini dhe Hitleri. Sipas direktivave personale të Leninit ato duhet të krijoheshin në çdo provincë “për të mbrojtur republikën sovjetike nga armiqtë e klasës” dhe deri në fund të 1920 në tërë vendin kishte tashmë 107 të tilla. Terrori u zbatua gjithashtu mbi klerin ortodoks, duke grabitur pasuritë e kishave e manastireve e duke ekzekutuar brenda dy viteve të para të pushtetit sovjetik më se 30 peshkopë dhe 1,200 famullitarë. Një hap cilësor në ngritjen në art të përndjekjes së kundërshtarëve politikë ishte padyshim edhe krijimi i policisë sekrete CHEKA, edhe kjo e stërholluar më vonë në format pasardhëse si NKVD dhe KGB.

Ishte po ashtu Lenini ai që autorizoi terrorin masiv, me përdorimin e gazit helmues kundër fshatarëve kryengritës në revoltën e Tambovit më 1921. Lidhur me këtë dhe duke krahasuar Leninin me Stalinin, njeri nga bashkëpunëtorët më të afërt të të dyve, V. Molotov, për një kohë të gjatë edhe ministër i jashtëm, ka shkruar se “të dy ishin të ashpër dhe mizorë, por padyshim më mizori ishte Lenini”.

Në disa raste mizoritë dhe masat e ashpra janë përpjekur të justifikohen me gjendjen e luftës civile që zgjati deri më 1922, por nëse zgjidhet kjo linjë justifikimi s’duhet harruar se shkaku i vetë luftës civile ishte pikërisht grushti bolshevik i shtetit i drejtuar prej Leninit. Dhe kurorëzimi i tërë asaj paligjshmërie ishte shkelja e hapur e vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e lartpërmendura për asamblenë kushtetuese.

Edhe për të drejtat e grave dhe sukseset në industrializimin e vendit zor se mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë Leninit dhe regjimit sovjetik, sepse ishte qeveria e përkohshme e Kerenskit ajo që kish dekretuar të drejtën e votës për gratë, dhe përveç kësaj ajo ishte një e drejtë që po autorizohej gradualisht asokohe në shumë vende europiane e në Amerikën veriore(2). Sa për industrializimin, nën drejtimin e pasardhësit të tij Stalinit, ajo është e vërtetë, por asnjë arritje s’mund të justifikohet me një kosto aq të lartë në vuajtje e mjerim njerëzor, përndryshe do të duhej të vinim në të njejtin rang edhe faraonët egjiptianë për veprat e tyre madhështore.

E vërteta është që Vladimir Iliç Lenini mbetet një figurë madhore ndoshta sepse askush në historinë moderne s’mund të krahasohet me të për nga masa e vuajtjeve të shkaktuara, nga numri i viktimave dhe nga lumenjtë e gjakut të derdhur. Pa Leninin s’do të kish pasur “revolucion të tetorit” dhe ndoshta as regjim sovjetik. Pasardhësi i tij Stalini e përsosi veprën e tij kriminale, dhe pas Luftës së Dytë klonët stalinianë si Enver Hoxha, Mathias Rakoshi, Mao Ce Dun, Kim Ir Sen, Ho Shi Min e shumë të tjerë, për të arritur deri tek Pol Pot, vazhduan të bëjnë kërdinë mbi popujt përkatës, gjithmonë të frymëzuar nga idhulli i tyre, Vladimir Iliçi.

Në këtë kuadër, dhe duke pasur parasysh se sundimi hitlerian në Gjermani zgjati vetëm 13 vjet dhe shkaktoi rreth 10 milionë viktima, do të thosha se diferencimi për të cilin po flasim është një nga dëshmitë më të prekshme të aforizmit se “historia shkruhet nga fitimtarët”. Kjo sepse Stalini, në saje të rreshtimit me Aleatët në Luftën e Dytë, u shpëtoi kritikave therëse të shtypit e të propagandës perëndimore, duke u trajtuar, përkundrazi, me nofkën dashamirëse “uncle Joe”(3). Kjo megjithë faktin e pakundërshtueshëm e të vërtetuar nga të gjitha dokumentet historike se mizoritë dhe viktimat e tij ua kalojnë në një masë të madhe atyre të homologut të tij gjerman.

Edhe në Shqipërinë tonë regjimi komunist na e kujtonte shpesh se Avni Rustemi kish kërkuar të mbahej zi në Parlament për vdekjen e Leninit me justifikimin se qeveria e këtij kish denoncuar Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915 që parashihte copëtimin e Shqipërisë. Por përveç simpatisë së atentatorit Rustemi për një regjim vrastar, do të ishte një kuturisje e theksuar e tipit “what if” të diskutohej rëndësia e kësaj ngjarjeje për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kështu ndoshta pa Leninin dhe regjimin sovjetik, luftën do ta kishin fituar Fuqitë Qendrore të cilat historikisht kishin qenë shumë më dashamirëse ndaj çështjes shqiptare krahasuar me ato të Antantës. Por siç thashë këto mbeten vetëm kuturisje.

Për t’u kthyer tashti tek portreti i Leninit që përmenda në fillim, të jetë rastësi fakti që një numër udhëheqësish komunistë të botës janë njohur me atë ideologji vrastare në universitetet frënge? E kam fjalën për të tillë si Enver Hoxha, Çu En Lai, Ho Shi Min, Pol Pot e ndonjë tjetër. Kuptohet që s’mund të ketë siguri në supozime të tilla, por dihet se kaosi i shkaktuar nga revolucioni frëng i 1789 ishte në një masë të madhe pararendësi i kaosit të shumëfishuar, rrjedhim i bolshevikut të 1917(4).

Nga të gjitha sa thamë më lart Vladimir Iliçi mund të cilësohet si personaliteti historik me veprën më negative e më shkatërrimtare të shekullit XX, jehonat dhe efektet e së cilës vazhdojnë në forma të ndryshme edhe në ditët tona. Nuk ka asnjë arsye se përse figura e tij të diferencohet nga ato të Josif Stalinit e të Adolf Hitlerit.

© 2024 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


1) https://medium.com/@ernestnasto/socialism-part-1-is-it-a-synonym-of-soviet-style-dictatorship-88dfe44f7ccb;

2) në fakt në elitën e lartë sovjetike s’pati kurrë ndonjë grua, dhe e para anëtare e byrosë politike, E. Furceva, e cila u zgjodh më 1957, qëndroi në atë post vetëm 4 vjet;

3) xhaxha Xho, sipas emrit Josif Stalin;

4) https://peizazhe.com/2016/10/11/amerikani-apo-frengu/

 

36 Komente

  1. Shumë saktë dhe hera e parë që lexoj, të paktën në shqip një vështrim të tillë mbi figurën e Leninit.
    Mendoj se fillimi i këtij “keqkuptimi” të mirë llogaritur është kongresi XX i PKBS. Në këtë kontekst, dikur (2019) kam bërë një shkrim të vogël në Facebook ku sqaroj një vështrim të ngjashëm mbi Stalinin ku kam përfshirë edhe një vështrim të ngjashëm mbi Leninin.
    Më ndjeni që po zgjatem, por për t’i rënë shkurt po shkruaj gjatë (prapë Lenini), pra po i bëj copy paste.

    T’i hedhësh një sy Stalinit

    Mbrëmë, duke u gdhirë sot, ose parmbrëmë, duke u gdhirë mbëmë, në varësi të teorisë që besojmë, u mbushën 65 vite nga dita kur me apo pa ndihmën e shokëve të vet, i madhi Stalin pati mirësinë të na linte. Dua të ndaj disa refleksione në vija të trasha mbi figurën e tij dhe sidomos mbi kuptimin e gabuar ose më mirë të themi keqkuptimin e mirëllogaritur të aktivitetit të tij politik.

    1- Fazat e shtetit komunist. Gjithë shtetet komunistë të cilët arritën të mbijetonin kaluan në këto faza:

    gjeneza e dhunshme. Kjo vinte si rezultat i revolucionit ( psh Shqipëri, Kinë, Vietnam etj), pushtimit ( psh Europa lindore) apo kombinimit të të dyjave. Karakteristikë e kësaj faze është rënimi i shoqërisë, shtetit, ekonomisë, dhuna e rëndë ndaj kundërshtarëve realë dhe atyre potencialë, ndryshimi i thellë i strukturave funksionale etj. Gjatë kësaj faze shteti shkatërrohet, vendi mbi-varfërohet, jeta intelektuale zhduket pothuaj fizikisht. Si shembull mund të sjellim Rusinë sovjetike të viteve të Leninit, Shqipërinë e viteve 45-49 etj…

    2- Instituconalizimi
    Një shtet ( qoftë edhe komunist) nuk mbijeton dot pa institucione, burokraci, ekonomi funksionale, politikë të jashtme etj gjëra si këto të cilat as nuk ekzistonin në planin fillestar leninist ( më pas trockist) të revolucionit të përbotshëm. Në sherrin që plasi në politbyro që pa vdekur mirë Lenini ( proçes që zgjati rreth dy vjet) rrymat kryesore ishin vija e fortë e drejtuar nga Trocki ( sot pothuaj një figurë romantike) dhe vija e moderuar e drejtuar nga Stalini. Vija e fortë rekomandonte eksportimin e revolucionit ( prototip i eksportimit të demokracisë që është në lojë sot), kurse vija e butë, pra i forti Stalin, ishte për konsolidimin e shtetit… Fitoi linja e moderuar dhe u konsolidua shteti i parë i punëtorëve dhe fshatarëve dhe u ngrit e para ekonomi socialiste funksionale. Pa folur për kosto ekonomike, mjedisore etj si këto, vetëm kostoja njerëzore ishte afërsisht 45-50 milionë ( llogarit dhe milionat e L2B, të cilët nuk do të kishin vdekur nqs ushtrinë e kuqe do ta udhëhiqnin oficerë dhe jo komisarë). Kjo linjë e moderuar ndërtoi strukturat të cilat u imituan nga të gjithë shtetet e tjerë komunistë. Struktura këto që siguruan mbijetesën për shumë vite të asaj makinerie ekonomike e cila dilte me humbje. Mund të duket akrobaci e tepruar logjike quajtja e stalinizmit vijë e moderuar, por po të analizojmë shtetin e khmerëve të kuq të Pol Pot, i vetmi shtet komunist i cili nuk ndërtoi strukturat staliniste por vazhdoi revolucionin permanent të tipit leninist-trockist, kupton se Stalini ishte një xhaxha i butë me llullë dhe mustaqe para atyre të cilët sot historia na i servir si burra të mirë si Trocki, Kamenievi etj…

    3- Transformimi dhe ndryshimi.
    Pas lindjes me terror dhe konsolidimit me represion, gjërat edhe mund të zbuten. Dmth pasi shoqëria ka marrë formën që i intereson pushtetit, armiqtë tashmë janë kalbur në varre, partia pasi është qethur nga revolucionarët, është shndërruar në një kuadrat arrivistësh të rëndomtë të cilët duan të bëjnë karrierë, gjërat edhe mund të zbuten. Këtë gjë Nikita Hrushov, dhe jo vetëm ai e kishte të qartë. Vetë Hrushov ishte një nga aktorët e rëndësishëm të represionit. Por gjithashtu pasi kuptoi se mund të qeverisej edhe pa vrarë shumë njerëz, pati mençurinë t’a rrallonte praktikimin e këtij sporti kombëtar të regjimeve komuniste. Në këtë fazë shtetet komuniste hyjnë në moshën e tretë. Ekonomia bie shpejt ose ngadalë në varësi të vendit, por sdq pandalshëm. Burokracia pluhuroset. Shteti zë ndryshk. Dhe vjen transformimi. Modelet janë dy. Ai mbarëbotëror ku vendoset një demokraci dhe një kapitalizëm i cili mbart defekte të trashëguara nga ish sistemi komunist dhe ai kinez ku ruhet forma diktatoriale, por transformohet ekonomia në kapitalizëm të egër dhe ideologjia në njëfarë nacional-socializmi i cili i mobilizon përsëri turmat rreth rregjimit.
    Në funksion të transformimit, i realizua një operacion i jashtëzakonshëm në public relations.
    Në kohën kur bota komuniste udhëhiqej nga Hrushov, ajo u përball me një problem themelor, rënia e efiçencës së propagandës. Propaganda është shumë më e rëndësishme se duket në çdo rast. Në rastin e shteteve komunistë ishte oksigjen.
    Ishte koha kur kujtimi i fitores së madhe mbi fashizmin po zbehej, dhe opinioni vendas po riniste të kujtonte milionat që mungonin nga lufta dhe nga paqja, kurse ai ndërkombëtar dëshmitë e tmerrshme të kostos së përgjakshme të ndërtimit të shtetit, kosto që tejkalonin fort terrorin nazist.
    Që në Bashkimin Sovjetik ishte konsumuar një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit e dinin të gjithë. Mirëpo në perëndim gjatë viteve të luftës dhe pak më pas, nuk e zinin në gojë se ashtu ishte një punë. Gjithashtu edhe në botën komuniste i dinin. Në vendet e lindjes jo vetëm që i dinin, por dhe i kishin bërë vetë, kurse bota komuniste perëndimore, me një hipokrizi për çmim nobel, bënte sikur nuk e dinte.
    Në kongresin XX Hrushovi i cili vërtet ishte krejtësisht pa shkollë ( kurs kundër analfabetizmit pasi ishte bërë komisar), por me një talent të jashtzakonshëm në shitjen e sapunit për djathë ( në një botë kapitaliste ai do t’u kishte shitur krehëra tullacëve), publikoi të famshmim raport sekret në të cilin denoncoheshin krimet e Stalinit… Pastaj u bë dhe një lojë zbulimi shumë e bukur. Nqs ky raport do të ishte publik, do të ishte thjesht konfirmimi i diçkaje që tashmë dihej mirë, dhe askush nuk do ta merrte seriozisht, madje edhe mund të ngriheshin pyetje mbi rolin e atyre që e mbajtën raportin gjatë ngjarjeve që përshkruan raporti.
    Mirëpo raporti qe sekret. Publik u bë sepse si padashje një dezertor polak ia dha një gazete perëndimore. U prodhua një zhurmë e madhe. Hrushovi ( njeriu që ca vite më vonë bëri ca gafa që përpak e çuan botën në luftë. Gabime që Stalini nuk i bënte), u quajt burri i mirë dhe i butë. Dhe kryesorja: u shpik termi “stalinizëm”. Këtij “ –izmi” të rremë iu ngjitën gjithë krimet funksionale që ishin bërë deri në atë kohë nga gjithë shtetet komuniste, ideja komuniste u riclikua dhe u rihodh në treg si një shpresë për të ardhmen e njerëzimit, etj etj…
    Qe një operacion mjeshtëror në PR. Rezultatet e këtij operacioni janë ende në qarkullim. Komunizmi quhet si një ide e mirë e cila u zbatua keq. Ende nuk ka një qëndrim të qartë teorik mbi dëmet që shkaktoi kjo ideologji. Shumë –shumë dënohen krimet e Stalinit, të Enverit etj… Dhe krahas këtyre lartësohen figurat e Trockit ( një terrorist para të cilit Stalini ishte një xhaxhi babaxhan), Leninit ( një maskara vrasës milionash që vdiq shpejt dhe nuk bëri dot numër më të lartë se Stalini), Mehmet Shehut ( Enveri me dorën e tij nuk vrau asnjë sepse kishte frikë patologjike nga armët. Mehmeti vrau dhe me dorë dhe me laps), Che Guevarës ( kombinimi i bukur i beretës me puron mjafton të harrohet fakti se ishte një terrorist cinik i cili organizonte sulme brenda qendrave të banuara me qëllimin e provokimit të represionit mbi civilët nga pala kundërshtare, gjë që do t’i bënte civilët të mobilizoheshin me rrebelët) etj maskarenj të tjerë si këta…

    Sot, me gjithë rifutjen shqetësuese në modë të të djathtave nacionaliste në Europë, përsëri qëndrimi ndaj nazizmit është i qartë, i fortë dhe i drejtë. Ishte një ideologji djallëzore, perverse dhe e turpshme. Kjo bën që megjithëse ka plot pasues të kësaj ideologjie, nuk para sheh buste të Hitlerit ( si i Marksit në Gjermani), as t-shirt me Gëbelsin etj… Fatkeqësisht komunizmi si ideologji i mbijetoi turpërimit që shkaktoi dështimi i turpshëm i gjithanshëm që patën vendet që e zbatuan në praktikë.

    3- Një konkluzion i mundshëm.

    Mqs në mendimin mbarëbotëror nuk është dënuar komunizmi, është padrejtësi historike mos-rehabilitimi i xhaxhi Stalinit, i cili pati ligësinë që të ndërtonte strukturën shtetërore të nevojshme për mbijetesën e kësaj gjëme dhe “mirësinë” që proçesin e vrasjeve, të domosdoshëm për ndërtimin dhe mbijetesën e këtij perversiteti social ekonomik dhe politik, t’a kalonte nga leninist-revolucionar ( vri ç’të mundësh) në burokratik ( vri aq sa duhet).

    1. Flm per komentin! Shume te drejta te tera sa thua, kuptohet me plot detaje krahasuar me shkrimin tim. Por ajo “puna” e moskritikimit une them se erdhi nga aleanca gjate luftes, perndryshe tingellon si teper konspiratoriale. Ndersa nazizmi ishte vazhdim origjinal i fashizmit italian, vetem se me nje baze super te perforcuar te races, dhe me nje armik te percaktuar, hebrejte, e lidhur kjo edhe me tere historine e Gjermanise qysh nga Reforma. Perndryshe diktatura fashiste ishte vertet per te qeshur, krahasuar me enverizmin.

      1. Edhe ju, faleminderit për shkrimin dhe për përgjigjen.
        Pa diskutim që ishte lufta arsyeja e moskritikimit. Por duke qenë se shkrimi është thjesht një shënim në fb, i lejoj vetes edhe batutën “ashtu ishte puna”.

  2. Teorikisht te pakten, ideologjia komuniste, qe synon krijimin e nje shoqerie pa te shfrytezuar e shfrytezues, ku njeriu mund ta realizoje plotesisht potencialin e vet natyral, ka nje permase humaniste qe terheq edhe idealistet (sidomos te rinjte). Nga ana e vet, fashizmi, sidomos ne variantin gjerman, predikon haptazi dhunen, se ciles, ndryshe nga komunizmi, i jep nje vlere intrinsike, ndarjen absolute te njerezimit ne raca, shtypjen e perhershme apo edhe shfarosjen e racave inferiore etj. Ne panteonin komunist, pervec Stalinit dhe Maos, gjen edhe figura si Antonio Gramsci e Che Guevarra, qe nuk kane barasvleres ne mitologjine e ekstremit te djathte. Dua te them qe dallimi ne perfytyrimin publik mes Leninit dhe Hitlerit nuk mund te shpjegohet vetem me faktin se historine e shkruajne fituesit, por rrjedh edhe nga diferencat reale mes traditave politike qe keto figura perfaqesojne.

    1. Flm per komentin! Ajo qe thua per komunizmin nga ana teorike, me “potencialin natyral” etj, nuk mund te sillet si argument sepse, duke qene ne kundershtim me gjithshka kemi mesuar gjer me sot per natyren njerezore, ka te njejten vlere si nje perralle e bukur (e propaganduar nga disa banda rrugaçesh neper bote dhe e besuar nga miliona, thjesht per te zezen e tyre). Ndersa e djathta dhe fashizmi kane njohur pershfaqje te ndryshme, me lloj-lloj regjimesh me shkalle te ndryshme autoritarizmi dhe po te perjashtosh versionin ekstrem gjerman, kane arritur rezultate nga po ashtu nga me te ndryshmet ne zbatimin praktik. Kjo s’ka ndodhur me ASNJE version te komunizmit, sepse rezultati ka qene nje dhe i pandryshueshem: deshtim i plote nga ana ekonomike, vuajtje e mizori nga ana politike. Problemi eshte pra vetem me njohjen e natyres njerezore, a mund t’i besohet asaj apo jo, dhe kontrasti mes dy konceptimeve eshte i dukshem qysh ne shekullin 18 duke krahasuar revolucionaret franceze (po, mund t’i besohet) me ata amerikane (jo, aspak). Nje krahasim qe mund te te interesoje e ke ketu:

      https://peizazhe.com/2016/10/11/amerikani-apo-frengu/

      Sa per ate te Gramshit apo Che Guevares s’e kuptoj fort mire se çfare kerkon te kumtosh sepse te dy kane qene kriminele: Gramshi si pararendes i marksizmit kulturor qe shume te zeza po i sjell Perendimit ende sot e kesaj dite, ndersa per Erneston ke tek komenti i mesiperm i Eltonit nje pershkrim te cilit s’i leviz dot asnje presje.

      1. Antonio Gramsci kriminel! Dhe pse? Sepse i paska pararendur marksismit kulturor! Me te njejten logjike mund te shpallen kriminele thuajse te gjithe filozofet e politikes qysh prej Platonit.

    2. Komunizmi, duke qenë ndërkombëtar, e ka më të lehtë të paraqitet me figura të ndritura intelektualisht, pra që kanë shkëlqyer në profesionin e tyre dhe nën dritën e këtij shkëlqimi kanë paraqitur edhe ideologjinë.
      Edhe fashizmi ka “të ndriturit” e vet. Por duke qenë një lëvizje nacionaliste, ata janë të papranueshëm jashtë vendit të tyre.
      Për shembull sot: Një neomarksist shqiptar e ka Cipras (ish ministër i financave grek) figurë referimi, por në asnjë rast një nacionalist shqiptar nuk do t’i referohet një nacionalisti grek.

      1. Figurat e ndritura intelektuale te marksizmit, ndryshe nga c’thoni ju, prestigjin e kane fituar pikerisht si mendimtare. C’ishin Karl Kautsky, Rosa Luxemburg, Gyorgy Lukacs apo Antonio Gramsci? Per me teper, mendimi marksist perben nje tradite te mirefillte intelektuale, me rrenje ne filozofine gjermane, iluminizmin francez, ekonomine klasike etj. Ndersa fashizmi glorifikon dhunen dhe e percmon mendimin racional, ndaj dhe tipikisht frymezon oficeret e liruar, burgaxhinjte dhe njerezit e vrazhde. (Dhe, per saktesi, minister i financave ne Greqi nuk ka qene Cipras, por Varufakis.)

        1. Pa dyshim që tradita intelektuale e marksizmit është më e pasur se e fashizmit. Për këtë, shkak kryesor është pikërisht internacionalizmi.
          Por nuk duhet harruar se fashizmi, ashtu si dhe komunizmi është në thelb hegelian.
          Në Itali fashizmi para skuadrizmit lindi fillimisht si një alternativë intelektuale. Kujto psh futurizmin.
          Sa për tërheqjen e lumpen proletariatit, edhe komunizmi është njësoj. Besoj se çdo lëvizje ekstremiste e cila predikon dhunën si formë të ardhjes në pushtet, synon të njëjtët njerëz.
          Çështja është se shoqëria e sotme është ndërtuar intelektualisht dhe jo vetëm nga fituesit e L2B. Fashizmi (falë ZOTIT) e humbi luftën, kurse komunizmi (fatkeqësisht) e fitoi. Kjo bën psh që Roza Luxembourg kujtohet për artikujt e bukur në shtyp dhe jo për faktin që u bë një nga udhëheqëset e një rebelimi komunist i cili për pak e shkatërroi Gjermaninë tashmë të gjunjëzuar nga humbja e L1B, dhe gjithashtu u bë shkak për faktorizimin e atyre që më pas do të ishin baza e nazizmit, kurse Giovanni Gentile të kujtohet për faktin se ishte një funksionar fashist i vrarë nga partizanët dhe jo autor i të parës reformë moderne në arsimin europian.
          Çështja qëndron në faktin se, ashtu si them në komentin e parë, ndaj fashizmit është mbajtur qëndrimi i duhur kurse ndaj komunizmit jo. Nëse do të bëhej, pasi u pa se çfarë prodhoi, do të ishte të paktën turp (si me fashizmin) të evokoheshin marksistët si mendimtarë të mëdhenj (edhe pse personalisht mendoj se kritika marksiste është të paktën interesante).

          1. Edhe para Luftes se Dyte Boterore, sidomos gjate viteve ’30, komunizmi i terhiqte shume me teper sesa fashizmi intelektualet (nuk po harroj Celine-in apo Ezra Pound-in), cka do te thote se dallimi ne qendrimet e mbajtura ndaj dy ideologjive nuk lidhet vetem me fitoren e Aleateve. Nuk diskutohet qe komunizmi real deshtoi dhe kreu krime kudo, por barazimi i tij me nazizmin gjerman me ngjan i sforcuar. Pavaresisht karakterit totalitar dhe metodes se qeverisjes, qe e kane deri diku te ngjashme, mes dy sistemeve ka dallime te thella qe lidhen me traditen filozofike nga burojne dhe synimet qe metojne te arrijne dhe keto dallime nuk mund te shperfillen nese duam te kuptojme qendrimin me indulgjent qe pergjithesisht mbahet ndaj ekstremit te majte. Ne driten e ketyre dallimeve, krimet e komunizmit, ashtu si ato te Kishes dikur, mund te kuptohen edhe si nje lloj perversioni, nje rreshqitjeje nga lartesia e idealit, kurse krimet e nazizmit shihen gjithnje si nje shperfaqje e drejtperdrejte e esences se tij kriminale.

            1. Me duket se nga shkembimet e mesiperme nje argument kryesor yti jane “qellimet e mira”. Kjo puna e qellimeve te njerit apo tjetrit eshte teper e veshtire te shkoqitet dhe prandaj s’ka ndonje vlere praktike ne diskutimin qe po bejme (perveçse ne gjyqe ku duhet provuar qellimi).
              Shkrimi im merrej me aspektin praktik: ato qe beri Lenini ishin po aq katastrofike sa ato te Hitlerit, atehere s’ka perse te diferencohen. Ty te duket edhe barazimi i te dyve “i sforcuar” ndersa faktet historike tregojne se pasojat e vepres se te parit ishin shume me shkaterrimtare se te te dytit. Pse? Nga numri teper teper superior i jeteve te shkaterruara dhe i vuajtjes njerezore, a mos duhen edhe prova te tjera? Madje nese lejojme pak cinizem, mund te shtojme edhe faktin tjeter tragjik qe leninistet kudo masakruan “te tyret”ndersa nazistet “tjetrin”.
              Ti thua “komunizmi real” po cili eshte ideali, ai i perralles? Sa per ata mendimtaret, nuk i kemi provuar ne praktike keshtuqe eshte veshtire te futesh ne “what ifs” te tilla, dhe Eltoni te dha edhe nje shembull praktik. Per Gramscin asosiacionin me kriminelet e fillove vete kur e vure emrin e tij krahas nje vrasesi te njohur apo jo? Megjithate nuk ngul kembe dhe pranoj ta terheq cilesimin kriminel sepse nuk e kam studjuar jeten e tij, dmth s’e di nese ka vrare njeri, por ama simpatia per regjimin vrases rus dhe shqetesimi per vonesen ne Europe sikur s’le shume rrugedalje apo jo? Le pastaj qe marksizmi kulturor eshte nje nga bazat kryesore te wokistave te sotem ne Perendim, gje qe s’eshte e paket.
              Sa per krahasimin me fashizmin, le t’u rrijme ekstremeve sepse per ato ishte fjala. Marksizmi i shumices (ai reformatori) luajti padyshim rol ne reformimin e kapitalizmit te shfrenuar (shih Perendimin) dhe ishte Lenini ai qe kriminalitetin e variantit ekstrem e ktheu siç thashe ne dukuri boterore (nuk dij se sa shume ka folur Marxi per regjimin ideal qe priste, por me duket se vetem tek Kritika e Programit te Gotes thote ca gjera konkrete). Tashti krahasoje kete me fashizmin: e filloi Mussolini dhe pati lloj lloj formash, por varianti ekstrem, nazizmi, nuk u kthye ne ndonje dukuri boterore, apo jo?
              Per “synimet ku metojne te arrijne” them se keto varen nga synimet e atyre qe fillojne apo vazhdojne nje teori, por te dhashe shembullin e ndryshimeve ne konceptimin e natyres njerezore, te cilin me sa duket s’e ke marre ne konsiderate. Dhe me ne fund, eshte kurdohere majtizmi, edhe dje, edhe sot, qe sulmon hapur institucione bazike si familja dhe tradita, prandaj them se mizoria e ekstremit te majte qendron disa shkalle me lart ne podiumin e se keqes, krahasuar me te djathtin.

  3. Nuk jam shume i sigurt dhe nuk mund te pershkruaj ne detaje si, po mbaj mend qe se ku kam lexuar qe si Lenini, ashtu edhe Mussolini u frymezuan nga nje fare sindikalisti francez, George Sorel. Ajo qe dua te them eshte se po qe keshtu, si fashizmi edhe komunizmi jane dy dege te te njejtit trung, pavaresisht se ideologjikisht mund te kene ndryshime, dhe pavaresisht nga cfare kane shkruar Marksi dhe Engelsi, ne pikpamje te si kane marre pushtetin dhe si kane qeverisur duken si vellezer te dale nga i njejti bark.

    1. Ka nje shprehje te cilen me duket ia atribojne Sartrit se:” Mussolini dhe Mao Ce Duni dallohen vetem nga ngjyra e kemishes qe kane veshur”.Nese shikon te djathten extreme sot ne SHBA pavaresisht se betohen e sterbetohen gjithe kohes kondra marksizmit e socializmit ne thelb jane identike si ata.

      1. Sartri ishte vete admirues i te majteve dhe me filozofine e tij (existenca primare ndaj esences, dmth kerthiza jote primare ndaj botes qe te rrethon) u be nje frymezues kryesor i majtizmit te sotem perendimor, wokizmit, keshtuqe ka shume gjynahe ne defterin e tij.

        1. Shume i karikuar ngjan kunder se majtes zoti Ernest. Gramsci kriminel, Che Guevara vrases i njohur, Sartri me shume gjynahe ne defter, Lenini baraz me Hitlerin… Tani, meqe sipas teje qellimet e mira nuk mund te merren si argument, do te doja qe nga moria e bemave te Leninit te zgjdhje ate me te zezen dhe, per te provuar ekuacionin tend, ta krahasoje me Holokaustin, pra me shfarosjen e qellimshme e me metoda industriale te hebrejve.

          1. I nderuar Ervin, se pari eshte shenje e pangaterrueshme dobesie perdorimi i ad hominems ne diskutime te ketij niveli, e aq me teper ne faqet e nje reviste si PtF (ne debate formale kjo te siguron diskualifikim te menjehershem). Se dyti, nese e ve re vijen e komenteve te tua qysh nga fillimi, nuk ke marre mundimin te hedhesh poshte asnje fakt apo argument nga ato te shkrimit apo nga ato çka ka ofruar Eltoni. I je mbajtur vetem “te pakten qellimeve te mira”, “mendjeve te ndritura”, “synimeve”, pra krejt tangente ndaj thelbit. As keto qe kam shtuar ne komentet e mia nuk i merr ne konsiderate. Dhe tashti perseri kerkon te te jap piken me te zeze te Leninit? Duket qe s’e ke lexuar fare shkrimin, po ja ku po ta perseris qe numri i viktimave te leninizmit eshte disa here me superior nga ato te Hitlerit (hidhu nje vrap gjer ne Spaç apo ne Qafe Bari te shikosh metodat industriale, nese s’ke mundesi te shkosh ne killing fields te Kamboxhias). Plus ajo qe sapo thashe ne komentin paraardhes per pasojat: ato te Leninit vazhduan e vazhdojne, ndersa Hitleri eshte kapercyer. Kush ka veshe le te degjoje. Mbetsh me te mira!

            1. Per fjalen “i karikuar” te kerkoj ndjese. Megjithate edhe argumenti yt se perdorimi i saj prej meje eshte “shenje e pangaterrueshme” e dobesise sime eshte po ashtu ad hominem. (Mund te mjaftoheshe me verejtjen se fjale te tilla s’i shtojne gje diskutimit dhe s’perputhen me frymen e kesaj reviste). Tani, sa i takon krahasimit mes Leninit dhe Hitlerit, me ben pershtypje qe te parin e mban pergjegjes per cdo viktime te komunizmit, nga Spaci ne Pnom Pen, kurse te dytin vetem per dhjete milionet e vet. “Pa Leninin s’do te kish pasur revolucion te tetorit”, thua diku, por harron te shtosh se, me te njejten logjike, pa Gavrilo Princip nuk do kish pasur Lufte Boterore dhe rrjedhimisht as Lenin e as Hitler. Me ngjan se e gjetem princin e se keqes. Mire mbetsh!

  4. Fakti qe nje kellire si Vladimir Putini urren Vladimir Iliçin (dhe adhuron nje far’ Stalini) flet shume: rishikojeni edhe nje here kete punen e komunizem=fashizem sepse sikur nuk dalin llogarite

    1. Po qe per kete pune, Hitleri e urrente Stalinin per vdekje, po nuk me duket se kjo puna “kush urren kë” mund te sherbeje si kriter i vlefshem oer te vendosur ndonje hierarki vlerash, apo kush këlliron me teper.

      1. Gabohesh: Hitleri, ende pa ardhur ne pushtet, e adhuronte Stalinin. Urrente ideologjine e tij (et encore, do thosh frengu, por ky eshte tjeter debat), por Stalinin e kish model.
        Pertej kesaj, Hitleri nuk eshte bashkekohes yni. Mora shembullin e Putinit, meqe po flasim se si ti shohim Leninët, Hitlerët apo Stalinët e djeshem sot.

        1. Gabohem? Po ti vete pohon qe urrejtja apo adhurimi i dikujt, sot apo dje (e perse na paska kaq rendesi?) nuk luan ndonje rol kur vjen puna per t’i qitur syte njeri tjetrit. E kam fjalen qe “adhurimi” per Stalinin, nuk e pengoi Hitlerin te fillonte nje lufte boterore me miliona viktima te pafajshme si pasoje e drejtperdrejte e kesaj ADHURREJTJE.

  5. Me sa po shoh nga ecuria e këtij debati, po kalohet pak si shumë shpengueshëm nga një kornizim tek tjetri, dhe pikërisht: nga dikotomia e majtë/e djathtë, tek ajo mes ekstremizmit dhe moderacionit. Që janë dy gjëra të ndryshme. E kotë të shtoj, që nuk ka nevojë që një politikan të jetë i majtë (përkatësisht i djathtë) për të qenë ekstremist dhe i dhunshëm në mënyrën si e ushtron pushtetin. E majta ekstreme e sheh dhunën si instrument sulmi, e djathta ekstreme si instrument mbrojtjeje.

    1. Shume e vertete! Dhe çeshtja vjen gjithmone tek ekstremet: ne sulm per ta ndryshuar boten dhe njeriun, apo te rrembejme armet per mbrojtje.

  6. “E majta ekstreme e sheh dhunën si instrument sulmi, e djathta ekstreme si instrument mbrojtjeje”
    Pikërisht, për këtë arsye dhe ca të tjera nuk mendoj se fashizmi është një ekstremizëm tipik i djathtë. Më shumë duket si një ekstremizëm oportunist që nis nga baza e majtë dhe i shkel syrin të djathtës, duke krijuar iluzionin se mund të përdoret prej saj dhe përfundon duke e përdorur atë.
    Po të shikosh për shembull Margaret Thatcher, e cila ishte qartësisht e djathtë e fortë “s’e quaj ekstreme për delikatesë”, edhe pse ajo pati episodet e veta të dhunës, përsëri nuk pati asnjë ngjashmëri me fashizmin. As në ligjërim dhe as në praktikë.
    Musolini ishte një socialist arrivist që i hipi kalit të ekstremizmit nacionalist dhe iku djathtas për interes politik, duke pasur gjithnjë një opozitë të fortë të majtë brenda vetë lëvizjes fashiste. Ishin pikërisht këta të cilët u bënë motori i Republikës të Salo, kur e djathta e braktisi fashizmin për nevojë politike. Kurse Hitler u nda nga e majta e nazizmit (Ernst Röhm, Gregor Strasser) kur kuptoi se nuk kishte gjë në vijë pa përkrahjen e ushtrisë dhe të industrisë.
    Ironikisht, sipas kanoneve tradicionalë të të djathtës, në kontekstin e L2B, i vetmi që mund të quhet ekstremist i djathtë është Winston Churchill.
    Dikur në PTF është botuar një artikull mbi revolucionin francez dhe atë amerikan. Aty vihet re një dallim thelbësor. Revolucioni Francez ishte një rebelim kundër rendit kushtetues kurse ai amerikan një lëvizje e armatosur të paktën teorikisht në mbrojtje të këtij rendi. Këtu është thelbi. Ekstremi i majtë dhe ai fashist, deklarojnë kalbjen e sistemit (jo gjithmonë pa të drejtë) dhe kërkojnë shembjen e tij. Janë në mos vëllezër, të paktën kushërinj.
    Jo rastësisht Hannah Arendt quante revolucionin francez si nënën e të gjitha totalitarizmave të shekullit XX.

    1. Pohoni, bashke me Ardianin dhe Ernestin, se “e majta ekstreme e sheh dhunën si instrument sulmi, e djathta ekstreme si instrument mbrojtjeje.” Po gjate luftes civile ne Spanje apo grushtit te shtetit ne Kili, pra ne ato raste kur ne pushtet s’ka qene ajo vete por e majta, per te sulmuar apo per t’u mbrojtur e ka perdorur e djathta dhunen?

      1. Mbase është vendi për të shtuar një dikotomi tjetër – ajo që dallon progresistët nga konservatorët. Të parët jo vetëm që duan të ndryshojnë ekzistuesen, por edhe besojnë se ashtu vetëm sa garantojnë normalitetin e historisë. Disa të majtë progresistë duan t’i realizojnë këto ndryshime me dhunë (“mamia e historisë”). Disa të djathtë konservatorë besojnë se mund dhe duhet t’i pengojnë ndryshimet me dhunë. Dhuna kundër Allendes, në Kili, e frymëzuar dhe e mbështetur prej amerikanëve, synonte “mbrojtjen” ose ruajtjen e statu quo-së së hegjemonisë amerikane në Amerikën Latine, të cilën Allende po e rrezikonte fort. Për Luftën Civile në Spanjë, me aq sa e njoh, motivet ishin të ngjashme – e djathta, që bazohej në riprodhimin e strukturave dhe traditave sociale dhe historike, ndihej e rrezikuar keq nga e majta. Pyetja këtu është se cila palë është gati të marrë edhe armët, për të luftuar për çfarë gjykon të drejtë? Me logjikë, dëshpërimin e gjen më shpesh tek e majta, ose ata që “s’kanë” (as pasuri, as pushtet, as dinjitet).

        1. Sidoqofte, ndryshe nga e djathta ekstreme, e majta revolucionare i ka dhene dhunes gjithnje vetem nje vlere instrumentale. Pra e ka quajtur dhunen te domosdoshme per te permbysur klasat sunduese (revolucioni) dhe per t’i mbajtur ato te shtypura (diktatura e proletariatit), por ama deri ne mberrijten e komunizmit, kur shteti dhe organet e tij represive do te zhduken vetiu. Pika fundore pra, apo ideali me vlere intrinsike, eshte mungesa e konflikteve. Nga ana e tyre, nazistet e glorifikonin dhe e estetizonin dhunen dhe virtytet ushtarake, ndersa paqen e percmonin si nje gjendje te panatyrshme e dekadente qe sjell degjenerimin e njeriut.

          1. Ndoshta nuk jam në gjendje të gjykoj objektivisht dallimin mes dhunës së majtë, dhe dhunës së djathtë – meqë për gati 20 vjet kam përjetuar forma të ndryshme të dhunës së majtë, që për mua kanë qenë jo vetëm dëshmi totale e mizerjes njerëzore, por edhe SKENA ku kjo mizerje është argalisur në llumin e vet; ndërsa dhunën e djathtë e kam “me të lexuar”. Me arsye, them edhe se dhuna e njeriut ndaj njeriut buron nga personaliteti autoritar, i cili nuk është as i majtë as i djathtë; sepse personaliteti autoritar ia dobëson fort subjektit dyshimin filozofik ndaj vetes dhe motiveve që e shtyjnë të veprojë.

            1. Personaliteti autoritar mund te mos jete as i djathte e as i majte, por, sipas Teodor Adornos, qe e ka studiuar thellesisht fenomenin, ndaj propagandes fashiste eshte shume i ndjeshem. Dhe, ne fakt, tiparet esenciale qe i atribuohen ketij personaliteti – ashpersia, anti-intelektualizmi, okultizmi, prirja per shkaterrim, nenshtrimi ndaj autoritetit etj. – shkojne shume me teper me ideologjine fashiste sesa me marksizmin. Levizjet revolucionare majtiste, ne fazen e tyre “heroike” te pakten, sipas meje terheqin me shume tipat jokonformiste, intelektualet romantike, revolucionaret askete dhe te rinjte rebele. Pra tipikisht llojin e Gramshit apo edhe te Trockit, jo te Sepp Dietrich-ut dhe Ernst Röhm-it.

            2. Edhe unë, natyrisht, Adornos i referohesha.

              Por le të pranojmë se personalitetet nuk janë të dhëna, dhe ata me personalitet autoritar nuk kanë lindur të tillë.

              E kam të vështirë të përfytyroj disa nga revolucionarët e rinj, të tipit Stalin ose Mao, të shndërrohen në kasapë autoritarë; por ata U BËNË të tillë, në rrjedhë të viteve dhe të historisë.

              Dhe nuk dua të ngatërroj rrugaçërinë – një mëkat i rëndomtë mes revolucionarëve – me vrasjen madje shfarosjen në masë (holokaustin, pushkatimet statistikore).

              Ka një personalitet të revolucionarit, e kanë analizuar, por ky nuk është i njëjtë me personalitetin autoritar. Çështja është se çfarë ndodh me revolucionarin e djeshëm, kur konsolidohet në pushtet.

              Trocki dhe Stalini, dy fate të ndryshme, por të dyja domethënëse. Trocki mbase nuk do të kish ngritur sistemin makabër të gulagëve, por do t’i kish vënë botës mbarë flakën.

              Krimet për të cilat flasim, si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, përveçse të frikshme, janë edhe burokratike; të ftohta.

              Vetëm dje po lexoja që NKDV-ja sovjetike, në vitet e kulmit të terrorit të kuq, kur duhej të plotësonte KUOTA të arrestimeve dhe të pushkatimeve, i zgjidhte viktimat nga librat e telefonave.

              Nuk besoj të ketë gjë më të djathtë se libri i telefonave…

            3. Mendoj se dhuna (qe evokon me te drejte Ardiani) dhe qe e kemi perjetuar (personalisht, pergjate pothuaj po aq viteve sa dhe ai), qe nga momenti qe ka qene dhune etatike, domethene burokratike, ishte automatikisht dhune e djathte. E ushtruar nga njerez qe mbanin emrin e Marksit ne goje, te “gjorët” nuk e dinin qe ky i fundit e konsideronte shtetin “nje mafie qe ja del mbanë” (une mafia qui réussit).
              Ose më poetikisht nga Godard : “Endrra e shtetit eshte te jete vetëm; e qenies njerezore eshte te jete çift” (çifti = komunizmi minimum). Në vlere intrinseke, njeriu eshte i majte, shteti, i djathte.
              Besoj se duhet bere diferenca midis asaj qe mund ta quajme matricë marksiste-leniniste e komunizmit (matricë teresisht e ezauruar per mendimin tim) dhe komunizmit, ose “idese komuniste” (apo “hipotezes komuniste”), ku mungesa e shtetit eshte e panegociueshme. E ku “ligjin”e ben Natyra (te gjitha rruget te çojne tek ajo; per momentin e therrasim ekologji).
              Në kete sens, jam me Ervinin tek thote se fashizmi (si gjenerik) pra nazizmi gjerman, fashizmi italian apo japonez… etj e percmonin paqen si nje gjendje te panatyrshme dhe dekadente qe sjell degjenerimin e njeriut, nderkohe qe te gjitha levizjet revolucionare, te matrices marksiste-leniniste ose jo, nuk e kane konsideruar luften si horizont politik. Perkundrazi, meqe jemi tek Lenini, ky ka qene vendosshmerisht (résolument) kunder luftes. Biles dhe pushtetin qe ndertoi në te gjalle, u perpoq ti jepte karakter maksimalisht civil, duke e larguar sa me shume nga karakteri bonapartist, dmth ushtarak (eshte tjeter histori pastaj veshja e Stalinit me rroba ushtarake, te cilat me se shumti e transformuan ne klloun se sa ne nje oficer te graduar. Dhe eshte fort interesant fakti qe ato i mbajti deri ne fund te jetes).

        2. Koncepti i marksist i shpjegimit te dhunes ne historine e njerezimit si “mami e historise ‘eshte i ngjashem apo i huazuar nga Bibla .Jezu Krishti e krahason dhunen me dhimbjet e lindjes . Engelsi i pershkruan dyndjet e vandaleve si “dhimbjet e lindjes se nje shoqerie te re .Ne thelb komunizmi dhe krishterimi jane te dyja teori apokaliptike te ngjashme ne shume pika , te pademshme e progresive nese mbeten vetem si predikime e jo te zbatohen si ideologji zyrtare e tu imponohen me dhune atyre qe nuk besojne ne to.

          Matthew 24:6-8
          Such things must happen, but the end is still to come. Nation will rise against nation, and kingdom against kingdom. There will be famines and earthquakes in various places. All these are the beginning of birth pains.

          1. Permasen apokaliptike te purifikimit permes dhunes e te sundimit milenarist (nje mije vjet, aq sa thuhet se do mbreteroje Krishti pas ardhjes se dyte, ia kish taksur Hitleri jetegjatesine Rajhut te Trete) e ka thelbesore edhe Nazizmi. Gjenealogjine e ketyre ideve dhe adoptimin e tyre prej levizjeve ekstremiste pergjate historise i ndricon ne menyre mbreselenese Norman Cohn te “The Pursuit of the Millenium”.

          2. Predikimi (keshillimi, rekomandimi…) eshte karakteristike e te gjitha ideologjive apo filozofive: nuk njoh asnje te tille qe i iken kesaj rregulle.
            Lidhja midis komunizmit dhe krishterimit vjen nga dekalogu (10 urdheresat) dhe gjithe ç’u shkrua me pas, sidomos ato qe kishin te bejne me grykesine. Pra lidhja vjen nga keshillat e ‘bon sens’-it. Matrica marksiste e komunizmit, në dallim nga gjithe te tjerat kembengul tek kritika ndaj akumulimit te kapitalit, karakteristike nr 1 e atij qe quhej dhe quhet kapitalizem. Matricë e deshtuar në praktikë, sigurisht (meqe njeriu e konsideroi apokaliptike, siç e quaje) por e provuar nga koha (Klubi i Romes, tashme ne vitin e larget 1972 parashikonte “The Limits to Growth” aka “Raporti Meadows” si te vetmen alternative per shpetimin e planetit nga apokalipsi ekologjik – per te perdorur terminologjine e sotme).
            Jemi në te njejten pike (besoj per kaq jemi dakort).
            Pra, cili apokalips u evitua? Dhe cili na pret?

  7. “ashpersia, anti-intelektualizmi, okultizmi, prirja per shkaterrim, nenshtrimi ndaj autoritetit etj”… Ervin, nuk di se cilit brez i perket, por te gjitha keto jane tiparet e asaj qe kemi perjetuar ne Shqiperi!

    1. I perkas atij brezi qe kujtimet per komunizmin i ka ngjyrosura me subjektivizmin e femijerise, pak a shume sic i pershkruan Lea Ypi te “Te Lire”. Por lidhur me sa po shkruaj kjo nuk ka ndonje rendesi, sepse nuk po i referohesha komunizmit shqiptar ne fazen e vet gjeriatrike, por tipareve te personalitetit qe (gjithnje sipas Adornos) karakterizojne fashistin tipik e qe une them se nuk jane te njejtat me tiparet e revolucionarit marksist.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin