FSHAT E ZANAT

Kam vënë re se disa turbo-albanologë priren ta “shpjegojnë” nëpërmjet shqipes gjuhën e vendit ku i ka hedhur jeta – si emigrantë, studentë ose udhëtarë. Këtë fat e kanë pasur së fundi greqishtja, italishtja, gjermanishtja, por edhe ndonjë gjuhë ende jetime, si etruskishtja – e cila flitet në muzetë italianë.

Kush e zgjedh kështu gjymtyrën e krahasimit me shqipen, e bën për komoditet – është më vështirë, për shembull, të jetosh në Hamburg a në Budapest, dhe që andej të zbërthesh nëpërmjet shqipes baskishten (a nëpërmjet baskishtes shqipen). Dhe gjithnjë më kujtohet historia e atij të dehurit që i kërkonte çelësat e humbur poshtë llambës së rrugës, jo sepse atje i kishin humbur, por sepse atje kishte dritë.

Këtu mund të përmendja edhe rastin e atij studiuesit, që i ra në dorë një fjalor xhepi i irlandishtes (gelishtes), dhe filloi ta shpjegojë edhe ai atë gjuhë të rrallë nëpërmjet shqipes: nga ferra e vogël, del lepuri i madh! Kur je në zotërim të metodës së duhur, edhe të dhjerat e mizave mbi një portret (p.sh. të Franz Joseph-it) mund të interpretohen saktë.

Gjithsesi – kjo përshtypje që kam, e komoditetit në “targetim”, më sjell në mendje edhe një histori kurioze, për një mbishkrim me runa, që u zbulua në Minnesota, shtet i SHBA-ve.

Runa quhen shkronjat e një serie alfabetesh (runike) që janë përdorur dikur nga popujt gjermanikë – dëshmitë më të hershme të tyre i përkasin shekujve I-II të erës sonë. Këto shkronja më pas dolën nga përdorimi, por ruajnë edhe sot prestigj të madh kulturor mes popujve gjermanikë, veçanërisht atyre nordikë.

Mbishkrimi i gjetur në Kensington, Minnesota.

Në 1898, Olof Öhman – emigrant suedez – lajmëroi se kish zbuluar një mbishkrim runik në një fushë afër vendbanimit në Kengsington, Minnesota, kur po pastronte nga gurët e nga rrënjët një arë të hapur rishtas. U pretendua se mbishkrimi ishte të paktën i shekullit XIV të erës sonë, lënë nga eksploratorë skandinavë të zonës. Por pjesa më e madhe e specialistëve që e analizuan mbishkrimin, në SHBA dhe në Europë, e gjykuan si fabrikim (hoax).

Edhe pse vikingët kishin pasur ngulime në Groenlandë, madje edhe një të tillë në L’Anse aux Meadows në Newfoundland, të shekullit XI, provat materiale për praninë e tyre difuze në kontinentin amerikan mungojnë.

Interesi skandinav dhe amerikan për vikingët, gjatë shekullit XIX, ishte gjallëruar mjaft, edhe në kontekstin e lëvizjes romantike. Siç e ka shpjeguar Michael G. Michlovic (Folk Archaeology in Anthropological Perspective, Current Anthropology, vol. 31, nr. 1 (Feb. 1990), ff. 103-107) fakti që ky mbishkrim i jashtëzakonshëm u zbulua në Minnesota nuk mund të ndahet nga prestigji i legjendës së vikingëve në Amerikë, të kultivuar nga komuniteti i emigrantëve nga Skandinavia që ishin zhvendosur në Botën e Re; dhe që ende po kërkonin të pranoheshin nga vendësit dhe në kontekstin e marrëdhënieve mes “indianëve” dhe të bardhëve.

Shkëmbi me mbishkrimin është vendosur tani në një muze historik në qendrën e lokalitetit, Alexandria, ku vijnë për ta parë me mijëra vizitorë çdo vit. Muzeu është zbukuruar me afreske të vizitës së vikingëve mesjetarë në Minnesota dhe, përjashta, shoqërohet nga një skulpturë e madhe e një eksploratori viking, me mbishkrimin “Alexandria, Birthplace of America.”

Popullsia me origjinë skandinave në SHBA. Nga Vivid Maps.

Emigrantët nga Skandinavia u vendosën, në Amerikë, kryesisht në zonat rurale të Midwest-it dhe në Great Plains, veçanërisht në Illinois, Wisconsin, Iowa, Minnesota dhe North Dakota. Sot pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Minnesota.

Runa janë “zbuluar” edhe gjetiu në Amerikën e Veriut; në Missouri, në Heavener Oklahoma, në Spirit Pond në Maine dhe gjetiu – por me përjashtim të gjetjes së konfirmuar në Newfoundland, të tjerat kanë rezultuar fabrikime. Sido që absurde dhe anti-historike, ideja se brendatoka e Amerikës së Veriut mund të jetë shkelur para Kolombit, nga një popull nordik, vikingët, u tingëllon ende tërheqëse masave provinciale, rurale, të banuara nga emigrantë kryesisht protestantë, prej Europës së Veriut.

Mbetet pastaj fakti që këto runa, sidomos ato të mbishkrimit në Kensington, u “zbuluan” nga emigrant skandinav – i cili është konfirmuar se e kish studiuar skriptin, bashkë me një pastor lokal. Po të kish qenë Olof Öhman-i hebre, mbase mund të “kish zbuluar” një mbishkrim të lashtë në hebraishte (në fakt është “gjetur” një i tillë, i njohur si Los Lunas Decalogue Stone, në Neë Mexico; dhe është “konfirmuar” nga një arkeolog, Cyrus H. Gordon, me origjinë hebraike, i njëjti që ka certifikuar, si të shkruar në hebraishten e vjetër, të ashtuquajturin Bat Creek Inscription në Tennessee).

Për mbishkrimet runike në kontinentin amerikan, është vërejtur se gjeografinë e “zbulimeve” të tyre nuk e ndan dot nga prania e imigrantëve skandinavë në kontinent; kjo ka shërbyer si një provë më tepër, për natyrën e tyre si fabrikime. Nga ana tjetër, njëlloj mund të argumentohet se vetëm persona që e dinë se ç’janë runat, mund të identifikojnë si të tilla gërvishtjet në një shkëmb që u del përpara kur po pastrojnë arën.

Kjo më risjell tek tema e komoditetit të studiuesit: “zbulime” të tilla kaq kontroversiale, i bëjnë zakonisht ata të cilëve u hyjnë në punë.

Vikingët mund ta kenë vizituar bregun e kontinentit amerikano-verior dhe të kenë pasur kontakte me vendësit, por vështirë të jenë kuturisur në brendatokë, duke përballuar udhëtime prej qindra në mos mijëra miljesh, në terren të vështirë dhe, shpesh, armiqësor. Edhe pse i butë, argumenti mirëfilli historik luan rol vendimtar në debat, dhe, në analizë të fundit, shërben për ta mbyllur atë.

Jo rastësisht, frenezia e sotme e turbo-albanologëve, për të parë rrënjë të shqipes kudo, anembanë Europës dhe madje botës, ka lidhje të ngushta me kompleksin e inferioritetit të të disa shqiptarëve, në kontakt gjithnjë e më të dendur me popuj të tjerë – të cilët u pozicionohen si superiorë, sa i përket trashëgimisë dhe prestigjit historik dhe kulturor.

Siç u duheshin runat bujqve skandinavë në Minnesota, për të fortifikuar një identitet ende të brishtë në kontekstin e ri ku e shihnin veten, mbase ashtu u duhet edhe turbo-albanologjia të gjithë atyre prej nesh që habiten, pse popuj dhe kultura të tjera duken dhe paraqiten më të përparuar se shqiptarët.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopertina: mbishkrim runik i shekullit X, i gjetur në Danimarkë.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin