Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori

DUERT SHQIPONJË, MURET BOSH

Nji pikturë e vitit 1937, e gjetun rastësisht n’nji galeri amerikane, tregon ma shum për ne si popull se çdo festë kombëtare. Historia e Rose Wilder Lane-it e e Rexh Metës, e pyetja qi nuk e ban kurrkush: kush po e ruen trashigimin tonë?

Nga Emir Hoti

N’vitet njizet t’shekullit t’kalum, nji grue amerikane u nis me kalue malet e Ballkanit. Quhej Rose Wilder Lane. Erdhi n’Shqipni tue kërku atë qi Perëndimi as e dinte se ekzistonte: nji popull i vjetër, i mbyllun n’male, qi jetonte simbas nji rendi t’vetit.

N’ato udhëtime e shoqnoi nji djalë i ri, Rexh Meta. Rose nuk e la mbrapa. E mori si bir, e nisi me studiue n’Kembrixh, e pa tue u ba burrë. Rexha u kthye n’atdhe e mbrrini deri te ministria e financave.

Mandej erdhi koha e re. Komunistët e kapën, e gjykuen e e dënuen me vdekje. Prej andej matanë oqeanit, kjo grue e dedikume vuni n’lëvizje t’gjitha njoftjet qi kishte n’Shtetet e Bashkueme, tue trokitë derë m’derë për djalin e sajë shqiptar. E ia doli: dënimi me vdekje iu ndërrue n’burgim t’gjatë.

Kaq asht historia, e thanë shkurt. Por çdo fjali e sajë asht nji jetë e tanë. Kush don me njofte ma mirë punën e Rose Wilder Lane-it n’Shqipni, e ka ku me e gjetë: Robert Elsie, albanologu, i ka mbledhë, përkthy e botu shkrimet e sajë shqiptare, bashkë me nji det tekstesh t’tjera qi na përkasin. Edhe kjo asht pjesë e së njajtës histori. Burri qi ka ba ma shum se kushdo tjetër për me rujtë kujtesën tonë t’shkrume nuk ishte shqiptar.

Piktura

Rose shkroi për Shqipnin e për njerëzit qi njofti atje. Nji prej ktyne shkrimeve, “The Song Without Words” — “Kânga pa fjalë” — u botu n’vitin 1937 n’“Ladies’ Home Journal”, nji prej revistave ma t’mëdha t’Amerikës s’asaj kohe. E ilustroi Daniel Content, piktor i njoftun i asaj periudhe. Vepra u shtyp, u pa prej qindra mijë syve për nji muej, e mandej u harrue, si harrohet çdo gjâ qi nuk ka kush me e rujtë.

Gati nântëdhjetë vjet ma vonë, piktura doli n’nji galeri n’Amerikë e u ble prej nji privati. Rastësia asht se blerësi e njifte lidhjen: babai i tij kishte kenë mik i afërt me babën e vajzës qi ma vonë u martue me Rexh Metën. Pa atë rastësi, vepra kishte me kalue prej nji muri n’tjetrin si nji ilustrim i vjetër amerikan, e kurrkush nuk kishte me marrë vesh kurrë se çka ishte.

E këtu asht pika. Rrethi u mbyll prej fatit, jo prej punës s’kurrkujt. Nji trashigimi e tillë qi varet prej asaj se a i bie rastësisht n’sy dikuj qi e njeh historin asht nji gjâ e humbun, sepse rastësia nuk përsëritet.

Njerëzia i lexojnë kso historish si përjashtime. Nuk janë. Familja e Rexh Metës u kursye prej pushkës, po jeta qi bani mandej nuk ishte ma pak e randë se ajo e t’tjerëve. Ky asht fati i zakonshëm i shqiptarit nën komunizëm: me u dënue jo për atë qi bane, po për atë qi ishe, e me e bartë atë dënim brez mbas brezi.

E njajta gjâ ka ndodhë me trashigimin. Piktura e Daniel Content-it e tregimi i Rose Wilder Lane-it mbrrijtën deri te ne, po jo se dikush këtu i rujti. Mbrrijtën se ishin n’Amerikë. Po t’kishin kenë n’Shqipni, sot nuk kishim me pasë as kujtimin e tyne: kishin me kenë djegë, shky a mbyllë n’nji bodrum si “art i huej” a si pronë e nji familjeje t’dënume. Kjo histori ekziston veçse dëshmia ka kenë jashtë atdheut — kjo asht e vërteta ma e idhët e gjithë ksaj historije. E sot, ato pak gjâna qi kanë mbetë rrezikohen prej nji shkatërrimi tjetër: jo ai i pushtetit, po ai qi po e bajmë vetë, tue mos u kujdesë aspak.

Kush e shkruen etiketën

Piktura qi paraqesin shqiptarë ka kudo n’botë. N’galeri publike e private, n’muze provincialë, n’ankande. Nji pjesë e mirë e tyne asht e panjoftun për ne. Ma e keqja asht se nuk ka as dishir për me i njoftë.

Merrni Paja Jovanoviqin. Nji piktor serb, nji prej ma t’mëdhajve t’Ballkanit, qi ka punu për vjet me radhë me subjekte shqiptare: malësorë, armë, fytyra t’njoftuna prej maleve tona, e mbi t’gjitha veshjet tona, t’pikturueme fill për fill. Nji pjesë e mirë e ktyne veprave ndodhen sot n’Serbi — t’rujtuna mirë, t’katalogume, t’ekspozume, t’çmume si pasuni kombëtare. E n’kataloge, personazhet e tij shpesh përshkruhen si “malazezë”.

E nuk asht vetëm ai. Ka piktorë francezë, anglezë, italianë e gjermanë qi kanë udhëtu nëpër kto anë n’shekullin e nandëmbëdhetë e n’fillim t’atij t’njizetit e kanë lanë vepra t’mëdha me subjekt shqiptarin. Edward Lear-i, për shembull, kaloi Shqipnin me bllok n’dorë e la nji varg vizatimesh e pikturash qi sot janë t’shpërndame nëpër koleksione angleze. T’tjerë e banë t’njajtën gjâ e u kthyen n’Paris, n’Romë, n’Mynih, ku veprat e tyne mbetën. Ne nuk i kemi kërku kurrë.

Njajtë ka ndodhë edhe me vetë kostumet, jo veç me pikturat e tyne. Veshjet e vjetra, ato origjinalet, me ar e me argjend, ndodhen sot n’koleksione t’hueja e shpesh janë t’shënume si veshje t’vendeve fqinje. Pyetja nuk asht a kanë gabue t’tjerët. Pyetja asht pse etiketën e shkroi gjithmonë dikush tjetër. Kush asht aty kur hapet arka, ai e vûn emnin; e ne nuk kemi kenë aty kurrë. Kështu figura e njeriut tonë e veshja e tij mbeten t’rujtuna mirë, po nën emnin e dikujt tjetër — e kjo nuk asht faji i atij qi i rujti.

Nuk ka nji galeri kombëtare t’krijume me qëllim qi t’i mbledhë kto vepra. Nuk ka nji politikë blerjeje. Nuk ka njeri qi t’ketë punë me i gjetë, me i identifikue, me i kërkue mbrapsht a t’paktën me i regjistrue. Kush nuk e rrëfen vetë historin e vet, ia rrëfen tjetri — e tjetri e rrëfen simbas vetes.

Kostumi

Po n’vend t’ksaj, çka kena? Kena duert e kryqzume n’formë shqiponje. Kena plisin e vûm n’krye n’çdo dasëm, n’çdo koncert, n’fotografitë e funksionarëve qeveritarë — deri sa asht ba nji lloj batute. E po e shkruej “plis”, sepse “qeleshe”, fjala jonë e Shkodrës, nuk përdoret ma; edhe ajo humbi rrugës, pa e vû re kurrkush. Kena vetura e barka qi quhen “Shota” e “Skanderbeg”. Kena turbofolk e kena zâ t’naltë.

Kjo nuk asht identitet. Asht kostum. Identiteti kërkon punë: kërkon me lexue, me mbledhë, me rujtë, me botue, me shpenzue para për gjâna qi nuk t’kthejnë asgjâ n’dorë. Kostumi kërkon vetëm nji plis e nji telefon me kamerë.

E turbofolku, meqë ra fjala, as nuk asht i joni. Asht nji zhanër qi u lind matanë kufinit, n’skenën e Beogradit t’viteve tetëdhetë e nandëdhetë; edhe emni na erdhi prej andej, i gatshëm. Ne e muerëm ashtu si ishte, ia ndërrume gjuhën e e quejtëm muzikë shqiptare. Ironia asht se pikërisht ajo qi sot këndohet me flamur n’duer asht malli i vetëm n’gjithë kët punë qi e kena importu.

Ndërkaq, ajo qi asht me t’vërtetë e jona rri e mbyllun n’raftet e bibliotekave. Kângët e kreshnikëve, t’bartuna gojë m’gojë për shekuj, u mblodhën e u botuen prej françeskanëve t’Shkodrës n’vitin 1937 — po atë vit qi n’Amerikë doli piktura për t’cilën po flasim. Ata njerëz mandej u burgosën e u shuen prej regjimit qi erdhi. Vepra mbeti. Po sot, sa veta e kanë çelë atë libër me vullnetin e vet? Sa prej atyne qi kërcejnë me duer shqiponjë dijnë me thanë nji varg t’vetëm prej tij?

Kjo asht ma e keqja e gjithë ksaj historije. Trashigimin nuk e humbëm vetëm se na e muerën t’tjerët. E lamë vetë, n’vend, e n’vendin e sajë blemë diçka t’huej qi ban ma shum zhurmë.

Për kët nuk kena nevojë me marrë hua nji fjalë t’huej. E ka thanë Faik Konica, ka afër njiqind vjet, n’gjuhën tonë, e ma ashpër se sa guxon me e thanë kushdo sot: “Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë.”

Kjo asht saktësisht ajo për t’cilën po flasim. Problemi nuk asht se na mungon bukuria — e kena me tepricë, t’pikturume, t’shkrume, t’endun, t’punume n’argjend. Problemi asht se mungon ai qi e don e e vlerson. Turma kalon sipër sajë pa e pa. Konica u quejt për kto fjalë armik i kombit, e asht e njajta akuzë qi bahet edhe sot ndaj kujtdo qi kritikon sjelljen tonë t’sotme. Ndryshimi i vetëm asht se atëherë akuza vinte prej gazetave, kurse sot vjen prej komenteve.

La edhe nji llogari, t’cilën ia vlen me e kontrollue: “Në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.” Piktura e Daniel Content-it u ba n’vitin 1937. U gjet n’Amerikë gati nântëdhjetë vjet ma vonë. N’gjithë ato dekada, asnji shqiptar nuk e kërkoi, nuk e regjistroi, nuk e dinte se ekzistonte. Llogaria e Konicës doli e saktë.

Nji popull qi e ngatërron zhurmën me krenarin nuk e humb vetëm trashigimin. E humb aftësin me e njofte atë kur e ka përpara syve.

Rose Wilder Lane erdhi prej Amerike me pa nji popull qi kurrkush nuk e njifte, e shkroi për të me nderim. Rexh Meta e mori atë nderim e e pagoi me jetën e vet. Nji piktor amerikan e ktheu n’ngjyra. Nji albanolog i huej e rujti n’letër. Prej fillimit deri n’fund t’ksaj historije, punën e randë e banë t’tjerët.

Robert Elsie vdiq n’vitin 2017. Kishte lypë qi t’varrosej n’Theth, e ashtu u ba. Nji burrë qi u lind larg ktyne maleve, qi nuk kishte asnji pikë gjaku tonin, zgjodhi me pushue mbas vdekjes n’mes t’nji populli t’cilit i kushtoi jetën tue mbledhë e tue përkthye atë qi ne e lamë t’shpërndame. Ai na zgjodhi ne. Ne, ndërkaq, zgjedhim çdo ditë tjetërkënd: zhurmën, kostumin, kângën e huej me flamur n’duer.

Nji varr n’Theth e nji pikturë n’nji galeri amerikane. Kjo asht trashigimia qi na kanë lanë ata qi punuen për ne. E asnji prej tyne nuk ishte i yni.

Piktura e vetme qi u gjet nuk zgjidh asgjâ. Asht nji rast, nji copë kanavacë, nji fat. Pyetja e vërtetë asht sa gjâna t’tjera si ajo janë ende jashtë, nëpër mure e nëpër sirtarë, tue pritë dikë qi t’i njofë. E pyetja qi vjen mbas asht ma e vështirë: kur kena me pasë ne nji vend, nji buxhet, nji njeri me emën e mbiemën, punë e t’cilit t’jetë me i kërkue?

Deri atëherë, kemi me i gjetë rastësisht. E ma shum kemi me i humbë. Nji i huej fjen n’Theth se e deshi kët vend. Na nuk dijmë as çka kemi pasë, as ku na ka shkue.

(c) 2026 Emir Hoti. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Kopertina: “The Song Without Words”, detaj.

Referenca

Referenca

për artikullin «Duert shqiponjë, muret bosh»

Rose Wilder Lane

Lane, Rose Wilder. The Peaks of Shala. New York / London: Harper & Brothers, 1923.

Lane, Rose Wilder, dhe Helen Dore Boylston. Travels With Zenobia: Paris to Albania by Model T Ford. Red. William Holtz. Columbia: University of Missouri Press, 1983.

Rose Wilder Lane Papers. Herbert Hoover Presidential Library-Museum, West Branch, Iowa. https://hoover.archives.gov/research/collections/lane

Howard, Spencer. «The Papers of Rose Wilder Lane». Hoover Heads (blog), 31 gusht 2016. https://hoover.blogs.archives.gov/2016/08/31/the-papers-of-rose-wilder-lane

South Dakota Public Broadcasting. «The Other Wilder: Rose Wilder Lane». https://www.sdpb.org/rural-life-and-history/Rose-Wilder-Lane-The-Other-Wilder

Rexh Meta

«Rexhë Meta, djali i Rose Wilder Lane, 27 vite në burgjet komuniste». Balkanweb. https://www.balkanweb.com/en/rexhe-metadjali-i-rose-wilder-lane-27-vite-ne-burgjet-komuniste/

Evening Courier (Camden, New Jersey), 4 gusht 1939. https://www.newspapers.com/article/evening-courier-rose-wilder-lane-adopt/128914238/

Little House Reads. «Rose Wilder Lane». https://littlehousereads.com/characters/rose-wilder-lane/

Robert Elsie

Elsie, Robert. History of Albanian Literature. Boulder: East European Monographs, 1995.

Elsie, Robert. A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture. London: Hurst, 2001.

Elsie, Robert. Albanian Literature. https://albanianliterature.net

«Robert Elsie’s last wish comes true as Albanologist laid to rest in Albanian Alps». Tirana Times, 18 tetor 2017. https://www.tiranatimes.com

«A Scholar of Uncommon Kindness and Brilliance». The Albanian (UK), 7 tetor 2017. https://www.thealbanian.co.uk/scholar-uncommon-kindness-brilliance-albanologist-dr-robert-elsie/

Daniel Content

Content, Daniel. Ilustrim për Rose Wilder Lane, «The Song Without Words». Ladies’ Home Journal, 1937.

Paja Jovanović

Muzej Paje Jovanovića. Muzej grada Beograda. Beograd. https://mgb.org.rs

Galerija Matice srpske, Novi Sad; Narodni muzej Srbije, Beograd; Gradski muzej Vršac.

Edward Lear

Lear, Edward. Journals of a Landscape Painter in Albania, &c. London: Richard Bentley, 1851. Ribotim: London: I.B. Tauris, 2005.

Houghton Library, Harvard University. Koleksioni i vizatimeve të Edward Lear-it.

Ashmolean Museum, Oxford; Yale Center for British Art.

Faik Konica

Konica, Faik. Vepra, vëll. 2, f. 34. Red. Nasho Jorgaqi. Tiranë: Dudaj.

Konica, Faik. Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe. Red. G. M. Panarity. Boston, 1957.

Bernardin Palaj dhe Donat Kurti

Palaj, At Bernardin, dhe At Donat Kurti, mbledhës e redaktorë. Kângë kreshnikësh dhe legenda. Visaret e Kombit, vëll. II. Tiranë: Shtypshkronja «Nikaj», 1937. Botimet e Komisjonit të Kremtimevet të 25 Vjetorit të Vet-Qeverimit 1912–1937.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading