Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Letërsi

DERRI DEPRESIV I MIGJENIT

nga Dashnor Kokonozi

Gjithë herët që kërkoj të di se si është interpretuar në studimet dhe forumet e mësimdhënies eseja e Migjenit “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”, shoh se në rastin më të keq paraqitet si tregim. Në rastin më të mirë, për ta shpjeguar atë, nis e tregohet se cili ishte Sokrati (469399). Jemi disi larg.

Në të vërtetë Sokrati i shërben Migjenit thjesht si një kategori morale. Këtu kemi të bëjmë me një ese që e shpreh deri në fund pesimizmin e autorit për natyrën oportuniste e hipokrite të njeriut, mungesën e skrupujve, prirjen t’iu përshtatur rrethanave në dëm të moralitetit. Dhe referenca e këtij etaloni moral është Sokrati.

Këtu mbaron çdo lidhje me të.

Është një ese që nuk bën prerje në kohë e në hapësirë, ndërkohë që flet, ose ka dëshirë të flasë, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Të paktën, e synon këtë. Po të duam, mund të shohim në të shoqërinë e kohës së Migjenit, por nuk gabohemi aspak po qe se themi se ajo flet edhe më mirë për kohën tonë. Mund të shohim në të edhe shoqërinë e ishujve Fixhi apo të Montekarlos.

Nëse nuk kërkojmë elemente të tjera, ajo është dhe mbetet thjesht një lloj fabule mbi brishtësinë e moralit njerëzor. Pa asnjë nuancë. Mënyra mjaft e përgjithshme e paraqitjes flet pak edhe për vetë oportunizmin e Migjenit. Mund të ketë qenë bindja e tij se njeriu është qenia më e pamoralshme mbi tokë, sikundër mund të shtojmë se këtë përfundim ai e ka nxjerrë nga kontaktet në përditshmërinë e tij, dhe më tej, për të shmangur përplasjet, përgjithëson krejt shoqërinë njerëzore. E ka thënë deri në fund atë që ka dashur të thotë, por pa dhënë elemente të veçanta individualizuese, qoftë edhe fiktive. Kjo mbetet pika më interesante dhe njëkohësisht më e diskutueshme e kësaj eseje.

Ka vend për t’u ndalur gjatë.

Për t’i thënë gjërat deri në fund, më duhet të shtoj se kjo shprehje në të vërtetë është e filozofit anglez John Stuart Mill (1806 1873). Në librin e tij të famshëm « Utilitarianism » (ku shpalos një teori etike që synon të maksimizojë lumturinë dhe të zvogëlojë vuajtjen), ai shprehet saktësisht: « It is better to be a human being dissatisfied than a pig satisfied; better to be Socrates dissatisfied than a fool satisfied. »

Ndryshimi është se Migjeni ka shndërruar në alternativë atë që te J. Mill nuk është e tillë: “Ç’bani njeriu me alternativën?” pyet ai, Migjeni “– (Ha fort’ e qerrata duel njeriu). Sokrati kursesi nuk iu pëlqente, – por as derr nuk mund t’u bate që ta merrte ftyrën e tij. Derr! … Atëhere, në këtë pezullim të njeriut, u zgjua në të ajo gja që nuk asht prej kësaj bote, ajo gjasend q’i thonë pjesa qiellore, hyjnore, perendore e kuj dij ma … u zgjue – edhe njeriu u ba batakçi….”

Dhe më poshtë: “…Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që të naltsohet ndër sfera të kullueta e të shklasi prej hyllit në hyll me hapa përparimi – njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tuj ja vu maskën e derrit…”

Të gjithë janë pa moral, pra, sa kohë që J. Mill-i (duket nga ndikimi i filozofisë humaniste, por edhe i asaj të antikitetit) e sheh të ardhmen te elitat dhe njerëzit e mësuar, që gjithsesi nuk do të pranojnë kurrsesi të ulen në nivelin e kafshërisë (të derrit të Migjenit).

Milli ka një vështrim pozitivist, sa kohë që Migjeni e ul shumë në tokë idealin e njeriut të tij, e absolutizon imoralitetin, e bën normë të të gjithë njerëzimit. Në thelb, i ka marrë një gjysmë citimi Mill-it, por e ka interpretuar krejt ndryshe. Mizerabilitetin moral të individit e merr si një të dhënë konstante, në mënyrë krejt të pavarur nga niveli i tij kulturor dhe intelektual.

Mill-i nuk e pranon këtë. Pak krijesa njerëzore, thotë ai, do të pranonin të shndërroheshin në kafshë të ulëta me premtimin se ashtu do të gëzonin një racion më të madh kënaqësish që u blatohet kafshëve: «Asnjë qenie njerëzore me mend nuk do të pëlqente të ishte debil, asnjë njeri i mësuar të ishte injorant, asnjë njeri që ka një zemër dhe një ndërgjegje të shndërrohen në egoist e i ulët, edhe pse do të ishte i bindur që i marri dhe i padituri apo i fëlliquri janë, me gjithçka u takon atyre, më plotësisht të kënaqur, sesa ata vetë me… »

Pra, diferenca të vret sytë. Në fakt është frakturë e thellë botëkuptimesh. Mill-i i shmanget një qëndrimi kategorik, beson te njeriu dhe përpiqet të gjejë elementet e duhura të shoqërisë për të lartësuar atë në tërësinë e saj ose për të krijuar pika referimi që tërheqin për së larti.

Filozofi dhe shkrimtari janë shumë larg njëri-tjetrit. I pari përpiqet dhe madje e gjen shpëtimin e njeriut te lartësimi i tij shpirtëror, tjetri, shkrimtari, është kategorik, njeriu për natyrë mbetet i keq dhe i pamoralshëm. Dhe kjo thjesht për të jetuar më mirë.

Kam përshtypjen se këtu Migjeni ngatërron anë të natyrës së njeriut me prirjen e shoqërisë njerëzore, pjesën me të tërën.

Shoqëria njeh edhe periudha dekadence, por vitet ’30 në Shqipëri nuk ishin kurrsesi të tilla. R. Elsie sheh edhe një lloj periudhe të artë në letërsi. Pra, mund të themi se Migjeni më shumë shpreh një bindje të tijën sesa jep verdiktin e një analize sociale të besueshme. Shkruan pa bërë asnjë prerje në hapësirë dhe kohë, sa kohë që J. Mill-i ka shqetësimin e përhershëm të kapë thelbin e qenies njerëzore në intimitetin e saj më të thellë dhe prej aty të shohë dritën e një perspektive ku jeta mund të jetohet me dinjitet.

Edhe pse këtu shohim të shprehur pesimizmin e thellë të Migjenit, edhe pse ai e gjykon jetën vetëm në një sens, kjo ese mua më shërben si një lloj shënjuesi për një ide tjetër të përfolur, për atë që ka dashur ta shohë Migjenin si një lloj shkrimtari që formulon prirje marksiste.

Nuk më del të jetë e vërtetë.

Ai shfaqet si pesimist radikal. Nuk shpreh asnjë shpresë jo më te një klasë shoqërore, jo më te një kategori njerëzish, por as te vetë e ardhmja e shoqërisë njerëzore. Përndryshe, atij nuk do t’i vinte kurrë një rast më i mirë për të zhvilluar më tej idetë humaniste e iluministe të J. Mill-it, për të gjetur një “via di scampo” të shoqërisë njerëzore te një platformë a grupim politik, nëpërmjet të të cilit mund të shpresohej një rinovim shoqëror. Qoftë edhe në letër. Ai nuk e bën këtë, edhe pse diskutimi i ideve të tilla qe mjaft i pranishëm në Shqipërinë e kohës. Dhe me të drejtë shumë studiues kanë shprehur dyshimin se po të kishte jetuar edhe mbas luftës, Migjeni rrezikonte të kishte një jetë të vështirë, në mos do të përfundonte pas hekurave.

Në të vërtetë, është detyrë morale të shpresojmë, por ai e refuzon deri në fund këtë.

Nganjëherë duket se nuk e di as ai vetë se çfarë kërkon, por këtu mbase duhen analizuar disa elemente që kanë të bëjnë me atë vetë, veçanërisht duhet parë më nga afër roli i sëmundjes që po e gërryente çdo ditë, po i priste fillin e jetës, pa i lënë asnjë shpresë.

(c) 2023 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin