Shumë i referohen Çabejt pa ia njohur veprën ose pa e pasur parasysh se ai ka qenë dijetar jo ideolog, dhe aq më pak prift i kombëtarizmit. Ky është haraçi që Çabej i paguan prestigjit që pat fituar, si gjuhëtar dhe albanolog i klasit të parë, i aftë të depërtonte në thellësitë më të mëdha të gjuhës dhe njëherazi t’i fliste publikut në mënyrë të kuptueshme; duke bashkuar në figurën e vet kërkuesin e kulluar, njeriun e penës dhe mësuesin. Si edhe kudo gjetiu në dijen tonë, praktikisht mungon një vështrim kritik i veprës së Çabejt, në kontekstin e sotëm, edhe pse nuk është karakteristikë për metodën shkencore që t’u qaset veprave të këtij lloji si të jenë monolite. Në fakt, logjika ta do që studimet e atij dijetari, në vitet 1930 dhe 1940, të kenë premisa dhe përfundime të cilat sot duan, të paktën, interpretim; sepse shumë ka ndryshuar në albanologji, që nga ajo kohë, pavarësisht nëse për mirë apo për keq. Kur u kthye në atdhe nga studimet në Vjenë, Çabej pati fatin të ishte i lirë në përpjekjet e veta kërkimore dhe ashtu të punonte si pjesë e një rrjeti dijetarësh disa-brezash, me të cilët mund të komunikonte haptazi, që nga mentorët e tij në Perëndim dhe gjetiu, te filologët dhe etnologët e domenit katolik në Shqipëri. Përkundrazi, pjesën më të madhe të punës së vet shkencore, ai e çoi përpara nën një regjim që i kërkonte disiplinë dhe konformizëm ideologjik, duke ia kufizuar shpesh me idiotizëm lirinë e mëparshme; pa folur për klimën e ankthit personal dhe familjar. Ky lloj frenimi dhe censure, ndonjëherë edhe thjesht si pamundësi për të cituar burimet dhe për të hyrë në dialog a debat në distancë me autorë që regjimi i kish “ndaluar”, nxjerr krye edhe në Studimet Etimologjike, që janë vepra e tij madhore. Por Çabej i Studimeve Etimologjike nuk është më ai i viteve 1930; sepse ai vetë ka arritur pjekurinë teorike dhe metodologjike, por edhe burimet e veprës së tij ndërkohë janë pasuruar, duke i mundësuar njohje më të thellë të mbarë shqipes. Për arsye të njohura, Çabej e filloi punën e vet me shqipen kur kësaj gjuhe i njiheshin dhe i ishin përshkruar më mirë dukuritë periferike dhe veçanërisht të folmet e ngulimeve në Itali dhe në Greqi. Me kalimin e viteve, njohja e shqipes në terren erdhi duke u përmirësuar ndjeshëm, çfarë la gjurmë edhe në Studimet Etimologjike, të cilat jo rrallë u referohen imtësisht burimeve të reja, krahas atyre më të hershme. Kështu edhe autoritete si G. Meyer-i, me kalimin e viteve, do të tkurreshin jo vetëm për shkak të vjetrimit metodologjik, por edhe ngaqë arritjet e tyre do të përgënjeshtroheshin nga të dhënat e reja. Pjesa më e rëndësishme e studimeve të Çabejt i përket periudhës kur shqipja e arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë ishte shtyrë tashmë në periferi edhe të studimeve albanologjike dhe vëmendja ish zhvendosur tashmë në shqipen e Ballkanit. Vetë Çabej, herë pas here dhe sipas rastit, në Studimet Etimologjike, u kthehet në mënyrë kritike hipotezave të tij më të vjetra, duke i përgënjeshtruar ai vetë, në bazë të së dhënave të reja, ose edhe të analizave të përmirësuara. Ky dinamizëm mbetet tipar i admirueshëm i veprës së tij kërkimore, dhe provë se ai studiues nuk e synonte monolitizmin, por të vërtetën; pavarësisht koncesioneve që ia bënte, ose detyrohej t’ia bënte ideologjisë (kombëtarizmit, që ishte edhe motori edhe pengojca e albanologjisë mes shqiptarësh). Nga ana tjetër, me kalimin e viteve dhe pastaj të dekadave, edhe gjuhësia historike evoluonte në metodë dhe në rezultate, falë jo vetëm rafinimit teorik dhe ndërrimeve paradigmatike, por edhe materialeve të reja që dilnin në dritë, si ato të gjuhëve anatolike (hetitishtja, etj.). Unë do ta quaja meritë të Çabejt që nuk u përpoq as pretendoi të vraponte pas çdo risie dhe aq më pak mode të dijes, por e ruajti koherencën në studime; ky virtyt i detyrohet, gjithnjë për mendimin tim, metodologjisë së tij solide, e cila e ruan vlerën edhe sot. Madje ajo metodologji është e tillë që ta lërë të hapur, bujarisht, modifikimin e rezultateve individuale, veçanërisht në etimologji; siç e ka bërë Çabej vetë, kur u është kthyer në mënyrë kritike rezultateve të kërkimeve të veta; por siç e kanë bërë edhe etimologë të mëvonshëm, si B. Demiraj dhe deri-diku K. Topalli. Për fatin tonë të keq, janë të paktë ata që i japin rëndësinë e duhur këtij tipari të veprës së Çabejt, ose faktit që metodologjia shkencore e përqafuar dhe e shpjeguar prej tij lejon përmirësime, kritika dhe tejkalime, duke i konsideruar këto si pjesë të procesit të pashmangshëm të dijes, e cila nuk është dije por dogmë, po të qëndrojë në vend. Prandaj edhe dogmatizimi i Çabejt është po aq kërcënues, për trashëgiminë e tij, sa edhe bindja që vepra e këtij tashmë është vjetruar dhe i përket historisë së albanologjisë, jo praktikës kërkimore aktuale.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.