FJALORI ME VRIMA

donutDita e përkthyesve u festua dje, por mua m’u kujtua sot.

Për dreq, m’u desh të përktheja në shqip një listë fjalësh të rëndomta për dikë që jeton në SHBA ose kudo ku flitet anglishtja si gjuhë e parë; por që nuk më kish qëlluar ndonjëherë t’i mendoja në shqip.

Në raste të tilla fjalori anglisht-shqip duhet të ndihmojë.

Unë kam një të Pavli Qeskut, të botuar në vitin 2000 dhe që më ka ardhur me rekomandimet më të mira. Ndryshe nga disa kultura të tjera leksikografike, ne shqiptarët vazhdojmë të botojmë fjalorë të rëndësishëm si ky, me një autor të vetëm.

Fjalori i Qeskut, i lidhur mirë, përmban rreth 70,000 fjalë të shpërndara në 1,500 faqe.

Në kopertinën e pasme, vepra prezantohet si më poshtë:

70,000 fjalë bazë e mbi 250,000 referenca për fusha nga më të ndryshmet, të dhëna të nevojshme gramatikore, udhëzime për shqiptimin sipas sistemit fonetik ndërkombëtar, përkthime modelesh të sprovuara shprehjesh, idiomash e proverbash, leksik modern i shekullit të ri për anglishten britanike e amerikane… [theksimi im, Xh2].

Me këtë vepër kam pasur gjithnjë probleme, madje edhe në përkthimin e fjalëve të thjeshta e të përditshme; por asnjëherë nuk isha ulur të mbaja shënime për arbitraritetin me të cilin më dukej se ishte përzgjedhur fjalësi. Këtë herë, më në fund, ia dola mbanë, ose e piva atë gotë vere që më lejon t’ju prezantoj fuçinë – ose Fjalorin, të cilin ndonjëherë e përdor edhe për të forcuar muskujt e krahëve, aq i rëndë e voluminoz është.

Pa e zgjatur, po ju jap një listë të shpejtë fjalësh të cilat në fjalor nuk i gjeta dot, me në kllapa numrin e gjetjeve në Google:

blender (21 milion), bluejay (235 mijë), bowling (62 milion), broccoli (10 milion), chipmunk (5 milion), croquet (2.6 milion), lacrosse (17.2 milion), cupcake (9.7 milion), fedora (18.7 milion), fez (51 milion), skateboard (16.1 milion), kazoo (1.4 milion), wingtips (273 mijë), loafers (3 milion), marshmallow (4 milion)

Fjalorët gjithnjë i kritikojnë, sepse janë praktikisht të vjetëruar që në momentin që dalin nga shtypi, sidomos në lëmin e termave teknikë dhe që lidhen me teknologjinë e konsumit të gjerë.

Askush nuk i kërkon Fjalorit të Qeskut të ketë fjalë të tilla si blog, Twitter, Facebook, touchpad, USB drive, DVD player ose subwoofer (megjithëse këtë të fundit mund edhe ta kishte përfshirë, po të kish pasur mëshirë për përkthyesit muzikëdashës).

Mirëpo fjalë të thjeshta të gatimit dhe të guzhinës, si broccoli, cupcake dhe marshmallow nuk duhej të mungonin; sepse këto produkte i gjen në çdo dyqan bakalli dhe në tryezë të çdo amerikani. Po ashtu, nuk është e thënë të jesh zoolog, që të dish se ç’është chipmunk ose bluejay; as të jesh i apasionuar pas sportit, që të kesh dëgjuar për croquet ose lacrosse; skateboards nuk përbëjnë ndonjë sekret ushtarak; një makinë e thjeshtë si blender ka qenë përdorur nga amvisat që në kohën e filmave bardhezi; kur heronjtë, pozitivë e negativë s’e kishin për gjë të qarkullonin me fedora në kokë, në mos me fez

Çdo fjalori i mungojnë fjalë – sepse gabimet janë të pashmangshme, veçanërisht kur vepra ka një autor të vetëm, sado titanik të ketë qenë ky në përpjekjet e veta. Por unë këto mungesa i zbulova gjatë dy orësh, duke përkthyer një palo listë vizatimesh të rëndomta për fëmijë, që duhej pajisur me etiketat përkatëse.

Çuditërisht, fjalorit tonë dygjuhësh i mungojnë pikërisht ato fjalë që u duhen përdoruesve; meqë kanë lidhje me çka e bën unike, në mos të papërsëritshme, eksperiencën e përditshmërisë në SHBA, bie fjala, në krahasim me atë në Shqipëri ose në Irak.

Kjo vlen jo vetëm për fjalët njësi, por edhe për një varg togfjalëshash emërorë idiomatikë, të cilët shpesh i referohen esencës amerikane të jetës së këtushme.

Ja çfarë nuk gjeta dot te Qesku:

bull horn (700 mijë, së bashku me versionin bullhorn), butternut squash (1.5 milion), candy apple (1 milion), corn dog (329 mijë), flare gun (121 mijë), egg roll (552 mijë), garden gnome (630 mijë), onion rings (1.2 milion), green tea (17.3 milion) sausage links (195 mijë), snare drum (1.2 milion), Swiss army knife (1.4 milion)…

Përsëri të tërheq vëmendjen kuzhina: me përgatesa tradicionale si candy apple dhe corn dog; onion rings dhe sausage links… pa e zënë fare në gojë green tea. Një i huaj që jeton në SHBA pa dyshim që i njeh onion rings; siç do të thoshte labi, i ka parë dhe i ka ngrënë; por mirë do të ishte që të kishte edhe një version shqip të kësaj fjale, ose së paku një shpjegim çfarëdo. Se është fjala për onion rings, jo për ndonjë term të haute cuisine

Kush i ka vizituar, pastaj, të famshmet suburbs, dhe nuk i ka vënë re garden gnomes në oborret e pastra? [Lexuesit që, si unë, kanë shijuar serialin e BBC-së Fawlty Towers, do ta kujtojnë këtu edhe episodin përkatës.] Kush ka hyrë në një restorant kinez dhe nuk ka provuar një egg roll?

Sikurse ju, edhe unë e vras mendjen pse mungojnë nga fjalori pikërisht ato shprehje që kanë të bëjnë me sende dhe dukuri tipike, karakteristike e të veçanta të jetës në një vend të madh anglishtfolës si SHBA (nuk flas dot për Britaninë e Madhe, me përjashtim të garden gnomes, të cilat m’i ka konfirmuar Basil Fawlty).

Me ligësi, do të supozoja se këto janë edhe më të vështirat për t’u përkthyer; madje një fjalor i mirë italishteje që kam, disa prej tyre i shenjon si “të papërkthyeshme” – p.sh. marshmallows; por së paku i shpjegon se çfarë janë, duke i përkufizuar ose përshkruar. Nuk më duket gjest prej leksikografi që të lësh jashtë fjalësit të fjalorit ato fjalë që nuk i përkthen dot…

Pa ligësi, do të supozoja se autori ka përdorur, si bazë nisjeje, ndonjë fjalor të anglishtes të shekullit XIX, një kohë kur ndoshta blenders dhe onion rings nuk ishin dhe aq popullorë; por edhe ashtu, pyjet ishin gjithnjë plot chipmunks dhe parqet me bluejays; gjyshet u përgatitnin nipave dhe mbesave candy apples, dhe çunat krenoheshin me ndonjë Swiss army knife, që ua kishin zhvatur xhaxhallarëve tuhafë.

Atëherë, s’më mbetet veçse me gjysmë ligësie, të hedh edhe hipotezën tjetër se autori – në këtë rast Pavli Qesku – nuk ka qenë në gjendje ta përzgjedhë si duhet fjalësin e fjalorit të vet, sepse i ka munguar përvoja e drejtpërdrejtë e përditshmërisë anglo-saksone. Sepse është e pamundur të jetosh në SHBA qoftë edhe një muaj të vetëm, pa rënë në kontakt me eksperiencën e bowling, ose pa provuar një palë loafers ose wingtips në dyqanin e këpucëve; madje edhe sikur të kesh qenë radist ambasade vetëm.

Me hidhërim të madh vura re se fjalorit të Qeskut i mungokëshin edhe tre monumente të pazëvendësueshme të gastronomisë amerikane: bagel (5 milion), pretzel (2.7 milion)  dhe donut (8.7 milion). Më pas, e kuptova se të tretën duhej ta kisha kërkuar sipas drejtshkrimit britanik (doughnut); por dy të tjerat, për fat të keq, nuk e gëzojnë dot këtë alternativë. Thjesht i kanë lënë jashtë.

Mirëpo fjalorit i mungojnë jo vetëm fjalë si këto më lart, por edhe një parathënie ku autori të sqarojë se ç’kritere ka përdorur për zgjedhjen e fjalësit dhe drejtshkrimin; meqë mua më duket se një fjalë si donut (8.7 milion), duhej të kishte pasur përparësi ndaj versionit britanik doughnut (3.3 milion); meqë atë paragrafin migjenian të kopertinës së pasme, për leksikun modern “të shekullit të ri” në anglishten britanike e amerikane nuk ma merr mendja ta ketë shkruar një autor që lë jashtë fjalë si bagel dhe chipmunk nga fjalori… pa përmendur telashet me policinë e këtushme që do t’ia hapë mungesa e donuts në mëngjesoren e vet.

Morali 1: fjalorëve të tillë dhe metodologjive të tilla leksikografike u ka ikur koha; sot shqipes i duhet një fjalor i hapët anglisht-shqip, i vendosur online dhe i përditësueshëm nga një grup redaktorësh profesionistë, një pjesë e të cilëve të jetojnë në vende anglisht-folëse. Fjalorët me një autor të vetëm, poet leksikograf që i shkëlqen emri në kopertinë, duhen trajtuar si sende artizanati, ose kuriozitete etnografike.

Morali 2: përkthyesit nga anglishtja në shqip janë objektivisht heronj, sepse punojnë me dorë, ose kryejnë një punë që i afron, për nga përkushtimi kokëfortë, me endëset e qilimave persianë.

Morali 3: “Çdo autor ka të drejtë të kërkojë lëvdata; leksikografit i lejohet veç të shpresojë se do t’u bëjë dot bisht qortimeve, madje edhe ky shpërblim negativ u ka buzëqeshur vetëm pak fatlumëve.” (Samuel Johnson)

21 Comments

  1. Pershendetje,

    Keni prekur nje pike te dobet me kete teme, xhaxha. Keto kohe me eshte dashur ta shfletoj shpesh kete fjalor, te cilit i referoheni ju dhe me thene te drejten, prape jam gjendur ne udhekryq. Me eshte dashur me pas te rrah internetin, google-in apo fjalore te tjere ne italisht per te perkthyer fjale qe ne gjuhen shqipe nuk ekzistojne madje as si koncepte. Megjithate, mbaj mend qe kur e mora fjalorin, (dhurate e prinderve me kerkesen time 🙂 ) ne parathenien e shkruar nga vete z. Qesku thuhej qe zanafilla e ketij fjalori, ne mos gaboj, eshte diku mes viteve ’75 dhe perpilimi i ketij fjalori, sidoqofte, packa mangesive te koheve te fundit eshte me vlera te medha, per mendimin tim.

    E njejta gje ndodh dhe me fjalorin shqip-italisht, por ai qe me pak me ka ardhur ne ndihme, madje here-here me ka irrituar me perkthimet e veta eshte fjalori shqip-italisht. Mangesite dhe perkthimet e cunguara me shume te shtyjne drejt keqinterpretimeve dhe keqperkthimeve, se sa te japin zgjidhje.

    Para ca kohesh me eshte dashur te perkthej nje cikel dokumentaresh mbi boten nenujore. Mendoni se gjeta ndonje prej emrave te peshqve, gjitareve apo specieve qe rriteshin nen uje? Apo emrat e shpendeve e zogjve? Tek -tuk, ndonje salmon a ndonje shtalk, qe e kontrolloja me teper nga kureshtja per te pare ne ekzistonte ne fjaloret tane, apo jo. Jam e bindur, qe ne ndonje rast dhe mund te kem gabuar ne dhenien e emrit te species, ose e perkufizoja specien pa i dhene emrin ne shqip, ose emrin ne latinisht, qe m’u duk zgjedhja me e drejte, pasi vertet u gjenda ngushte.

    Per me teper, fakti qe kerkojme te perkthejme ne shqip dhe fjale qe nuk ekzistojne si koncepte apo objekte, e ben edhe me te veshtire punen. Italishtja nga ana tjeter i perthith shume me shpejt huazimet nga anglishtja dhe i perdorin gjeresisht pa problemin me te vogel.

    Ndoshta dhe ne duhet te perdorim te njejten gje, te pakten per ca gjera qe vertet jane te paperkthyeshme.

  2. Nje hyreje e re qe mund te behet ne fjalor eshte kjo, qe do te dyshoja nese eshte perfshire ne te.

    Daredevil = 1.,,,.2.,,. 3. Perkthyes i guximtar dhe shkujdesur qe nuk i ben pazar emrit (jo detyrimisht Pavli Qesku).

    Pavli Qesku ka shitur shume fjalore dhe citati i Samuel Johnson-it nuk ka te beje aspak me te. Levdatat ai nuk i ka kerkuar por i ka mare nga te gjithe shqiptaret qe e kane blere fjalorin.

  3. Më ngushëlluat Xha Xha. Sapo kisha mbërritur në Shqipëri shkova dhe e bleva me vrap fjalorin e Qeskut. Kur e lashë përsëri mëmëdheun, pikërisht Qeskun dhe Zingarellin – edicionin e 20 – vjetëvë më parë- nuk i mora me vete. Për arsye shumë të dobta. Më nxinin shumë hapësirë në bagazh, hapësirë e çmuar për libra dhe gjëra të tjera.

    Nuk më ka braktisur kurrë ndjenja e fajit “Si shkova e lashë fjalorët xhanem? Me kanotiere të kisha ardhur në Itali por jo të lija fjalorët!! Qenkam bërë materialiste, turp!”.

    Nuk më ka peshuar mungesa e tyre falë internetit megjithëse unë nuk e fsheh një farë nostalgjie për fjalorët e rreshtuar në bibliotekë. Por duhet të ndërrojnë format.

  4. Xhaxha, nuk e dija që përkthyesit paskëshin një festë tyren, mendoja që përkthyesit ishin njerëzit më fatkeqë në botë. Do ta ngrë sot një dolli me verë për përkthyesit (hynë këtu edhe shqipëruesit?). Dhe do të kujtoj jo sukseset e vitit që kaloi, por dështimet (kujtohen më kollaj dështimet me një gotë verë në dorë). Imi, për shembull, një nga të shumtët, ishte pamundësia për të kthyer shqip një poezi (në formë vilaneli) të mrekullueshme të Dylan Thomas, kushtuar të jatit të vet që po vdiste: Do not go gentle into that good night.
    Këtu vështirësia qëndron tek pamundësia (ime) për të gjetur fjalë shqipe të thjeshta dhe kolokuiale për fjalë a togfjalësha të tilla si: gentle; dark is right; frail deeds; grave men; gay … Në këtë rast, them, s’ka fjalor në botë të të ndihmojë.
    A mundet të tregoj dy anekdota për dy personazhe (leksikografë) të përmendur këtu më sipër, autorë fillikatë fjalorësh të famshëm?
    Samuel Johnson. Fjalori i tij anglisht (shek. XVIII) ribotohet ende sot jo aq për pasurinë leksikore (ka rreth 50 000 fjalë) sesa për shpjegimet e goditura dhe plot humor.
    P .sh: Tërshërë: drithë që në Angli e hanë derrat, kurse në Skoci njerëzit.
    Pas botimit të fjalorit, në një darkë të shoqërisë së lartë, një grup zonjash iu ankua autorit që kishte përfshirë në fjalor shumë fjalë të pista (“filthy words”). Përgjigja: “Oh, I see you have been looking for them!
    Kurse Nicola Zingarelli, tjetër autor unik i një fjalori të madh, i kishte thënë Maries, shërbyeses së tij, “Po mbarova gërmën S, quaje të mbaruar fjalorin” (Praktikisht, po mbarove gërmën “S” në italisht, ke një bulevard përpara, të mbetet pakogjë). Dhe ja, një ditë të bukur, Zingarelli i thotë gruas: “Marie, e mbarova S-në”. Jemi në Napolin e vjetër gjatë Luftës së Parë Botërore. Menjëherë shërbyesja shpalos dritaret e guzhinës dhe thërret “Il Professore ha finito la esse! Il Professore ha finito la esse!”. Dhe e gjithë lagjja poshtë dritares duke bërtitur dhe shprehur gëzimin e tyre në mënyrë tipike napolitane.

  5. Pershendetje
    Jam shume kurioz te di si i perktheve ato frazat e thjeshta kulinare sa me siper. Te lutem, e kam çeshtje pune pikerisht me disa prej atyre fjaleve dhe i njejti problem me fjalorin pop-folk te Qeskut po me nxjerr trute.

    1. Për projektin që kisha në dorë, u mora vesh që, në vend që të jepja përkthime të sakta, t’i përshtatja disa prej fjalëve, që të merreshin vesh nga shqipfolësit – meqë nuk ishte fjala për të prezantuar kulturën amerikane, por vetëm për të bashkëlidhur disa figura me emrat përkatës.

      Ashtu ofrova përkthimet e mëposhtme për produktet kulinare, të cilat nuk dua kurrsesi t’i paraqit si modele:

      broccoli – brokoli
      cupcake – kek në letër
      marshmallow – hallvë e bardhë
      bagel – simite
      donut – jufkë
      candy apple – mollë e karamelizuar
      corn dog – hotdog i fërguar
      egg roll – byreçkë me vezë
      onion rings – unaza qepe
      sausage links – salsiçe
      pretzel – gjevrek

      Natyrisht ka shumë për të diskutuar; por nuk mund t’i kushtoja kësaj pune më shumë kohë se ç’meritonte. Përndryshe e di edhe unë që marshmallow nuk është njëlloj si hallvë e bardhë, as që bagel nuk është njëlloj si simite, etj.

      1. Të them të drejtën e përdori pak anglishten, edhe pse kam një fjalor të blerë në 1999 me autor Ramazan Hysa, botim i 1998, botimet EDFA, shtypshkronja FLLAD. Tiranë. (950 faqe)

        Disa fjalë që mungonin tek fjalori që ju përmendni, i gjeta tek ky i imi. Jo të gjitha. Ndërsa fjalën ‘bagel’, tek fjalori i Hyses përkthehet gjevrak (që të them të drejtën as në shqip s’e se si përkthehet). Kurse ‘pretzel’ përkthehet po gjevrek.

        A mos ‘gjevrek’ e ‘simite’ (meqë ju e përktheni simite ‘bageli-n’)kanë të njejtin kuptim për RH në fjalorin e tij?

        Tek fjalori i Shqipes së sotme, i vitit 1984, gjevrek përkthehet: Lloj kulaçi, që gatuhet me miell të bardhë e pa sheqer, mbruhet si shkop, mblidhet si unazë dhe piqet fort sa thyeht e shkërmoqet lehtë.

        Nga ku pyetja ime: a mos përkthyesit i binë shkurt përkthimit, duke mos u zgjatur në përshkrime më të holla? Që të bëjmë dallimin nga simitja me gjevrekun e pjekur fort si shkop.

        1. Gjevrek i kanë thënë gjithnjë në Shkodër.
          Është pak a shumë ajo që në gjermanisht quhet “Brezel”.

      2. Xhaxha, po komentoj vetëm se më erdhi për të qeshur me përkthimin e corn dog… kur e kam ndeshur për herë të parë, me anglishten time të cunguar, e pata përkthyer si qen misri 🙂

        P.s:candy apple mos njihet më mirë në shqip si mollsheqeri?

        1. Patjetër, o Edrus… mollësheqere i kemi thënë. Por nuk më kujtohej. Gjithsesi, kam kohë ta korrigjoj. Falemnderit!

  6. Xhaxha…me kenaq me keto temat kaq interesante qe kap ndonjehere. Ke shume te drejte ne te gjithe pikat qe drejton ne pjesen tende, por ngado qe me shkon mendja me kritikat tone, perseri deshira eshte e madhe per te pare nje zgjidhje me idete qe ke shprehur. Pyes veten, a ka vertet ndonje program qe Ministria e Arsimit dhe Kultures te spnosorizoje nje projekt kaq te nevojshem per gjune tone Shiqe dhe integrimin e saj ne kohet moderne kur ne cdo industri mbizoteron technologia? Keto duhet te jene disa nga tezat kryesore per gjuhetaret qe duan te mbrojne doktorata, apo e kam gabim?…me duket se do kerkoj pak ne google te gjej programe qe Ministria ben te mundshme:)… Mbase, mbase nje dite dikush nga ne do kete kurrajon dhe dedikimin te plotesoje keto boshlleqe te gjuhes dhe shprehjeve shqipe.

    Kete dore mbajc gjithmone, me pelqen pikesynimi jot! (keep up the good work, I like your point)

    1. T-Ro, falemnderit. Para nja një muaji shkruajta një artikull në Shekulli për këtë çështje; duke propozuar bashkërendim forcash leksikografike për të ngritur një fjalor dinjitoz anglisht-shqip online… Pikërisht me profesorë të katedrave të anglishtes, leksikografë të shqipes dhe të tjerë specialistë dhe teknikë të fjalës. Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm, as prisja; tani vetëm shpresoj që dikush ta ketë lexuar dhe ta ketë arkivuar në nënvetëdije, në mënyrë që më pas t’i kthehet si ide “e vetja”. Ashtu ndoshta edhe mund të realizohet.

  7. xhaxha…………..
    Mendoj se ky shkrim e ka vendin tek ndarja Totalitarizem.
    Nuk jam aspak patologjik antikomunist ( vij nga familje prane pushtetit te asaj kohe), por mendoj se ne kete moment ne ne kulture jemi ende viktime e mendesise dhe autoreve komuniste.
    Marrim rastin e fjalorit…
    Mendoni sa vite te pune me kohe te plote duhen per te hartuar nje fjalor dygjuhesh ( qofte dhe te paplote)???
    A do te mundej ndokush t’a bente nje gje te tille pa patur poshte te ndenjurave nje jastek te rehatshem financiar, zyrtar, nderkombetar politik etj…
    S’kam ndnj kunj me z.Qesku, s’e njoh, por mendoj se komoditeti per te bere nje fjalor nuk eshte vetem intelektual….
    Sa per ceshtjen e fjaloreve mund te kete nje zgjidhje.
    Kemi nje mal me universitete dhe disa male me fakultete gjuhesh te huaja. Mjafton nje urdher i nje ministri ” te forte” t,i detyroje keta qindra pedagoge dhe mijera studente te bejne te pakten nje fjalor me te plote te terminologjise bashkekohore.

  8. Xha2, për disa fjalë ke të drejtë, por për disa si “gree tea” po pati “green” dhe “tea” s’ma ha mendja se ka nevojë për “green tea”. Ke shumë të drejtë për sa i përket një fjalori të hapur. Diçka mund të bëhej nëpërmjet http://sq.wiktionary.org por duhen vullnetarë. Sa për kuriozitet shiko:
    http://translate.google.com/translate_t?prev=hp&hl=en&js=y&text=blender&file=&sl=en&tl=sq&history_state0=&swap=1#en|sq|blender%20bluejay%20bowling%20broccoli%20chipmunk%20croquet%20lacrosse%20cupcake%20fedora%20fez%20skateboard%20kazoo%20wingtips%20loafers%20marshmallow%20bull%20horn%20bullhorn%20butternut%20squash%20candy%20apple%20corn%20dog%20flare%20gun%20egg%20roll%20garden%20gnome%20onion%20rings%20green%20tea%20sausage%20links%20snare%20drum%20Swiss%20army%20knife

    1. AC, kam frikë se green tea e meriton të trajtohet në fjalor, meqë shenjon një koncept unik, pavarësisht se paraqitet me dy njësi leksikore.
      Kështu, kur e prodhojmë këtë tog, ose edhe kur e dëgjojmë nga tjetri, e interpretojmë njëhershëm, jo si të përbërë nga konceptet [GREEN] + [TEA]. Sendi në fjalë nuk emërtohet nga ngjyra që ka [GREEN], por ngaqë përbën një entitet të dallueshëm nga black tea; por të dallueshëm jo nga ngjyra, por nga cilësi të tjera (shija, etj.).
      Për të njëjtën arsye, blue jeans duhet të hyjë në fjalor, ndërsa blue sweater jo; sepse në rastin e parë, koncepti është unik, ndërsa në rastin e dytë, është thjesht një lloj trikoje që ka ngjyrë të kaltër.

      1. Xha Xha,

        Mendoj se edhe “jean” duhet te futet njelloj si edhe sweater pasi ashtu quhet matrjali perpara se te futet per te bere pantallona, xhaketa, kominoshe etj,.
        Une bera nje kerkim te vogel dhe me rezultoj si edhe e mendoja. Hidhi nje sy. http://www.thefreedictionary.com/jeans

        Per me teper, ndryshe nga sweater qe ka mare forme si veshje por qe perseri nuk i duhet qe ti percaktosh ngjyren, “jean” e mer formen si veshje vetem pasi eshte prere dhe qepur. Pra eshte materjal.

        Pastaj e kemi pare te shkruar edhe black jeans, red jeans dhe grey jeans. Pra njesoj si te sweater, edhe blue vecse te percakton se c’fare ngjyre do ti zgjedhesh pantallonat “jeans”.

        1. Prolyxum, blue jeans janë simbol kulturor amerikan sidomos i viteve 1960, cka nuk lidhet fare me ngjyrën e tyre.

          Po të citoj tekstin e një kënge që e shpreh, më mirë se të tjera, frymën e atyre kohëve – The House of the Rising Sun, baladë folk, e popullarizuar sidomos në versionin e kënduar nga grupi Animals.

          My mother was a tailor.
          She sewed my new blue jeans.
          My father was a gamblin’ man
          Down in New Orleans.

          Vallë kujton se teksti i këngës kërkon vërtet të specifikojë ngjyrën e pantallonave? Se kënga do të tingëllonte njëlloj sikur në vend të blue, të përmendej ndonjë ngjyrë tjetër (khaki, teal, beige, purple)?

  9. Të nderuar,

    Shumë interesante janë ato ç’ka thuhen, por unë kisha një pyetje.
    Besoj se të gjithë e dini se në Shqipëri do të kryhet Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë, ku për herë të parë do të përcaktohet edhe përbërja fetare dhe etnike. Nejse.
    Dihet se Regjistrimit të Popullsisë në italisht, për shembull, quhet Censimento, në anglisht quhet Census, etj, etj.
    Duke kërkuar në internet vura re se sivjet edhe në Amerikë do të bëhet Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë.
    Madje, mu duk mjaft interesante që amerikanët po i përgatisin formularët përkatës edhe në gjuhë të tjera, madje edhe shqip.
    Udhëzuesi përkatës, p.sh. paraqitet këtu:
    http://2010.census.gov/2010census/pdf/LAG_Albanian.pdf
    Mirëpo këtu fillon edhe çudia e rradhës.
    Sikurse shikohet qartë në dokument, shqipja “amerikane” nuk e përktheka fjalën Census si “Regjistrim i Popullsisë” por si “Numërim i Popullsisë”…
    Të jetë vallë edhe kjo ndonjë direktivë amerikane për drejt-drejtshkrimin e shqipes si njëfarë hapi drejt “shqipes post-totalitare”, apo thjesht ndonjë gafë ende e ndreqshme??

  10. Maks: besoj thjesht eshte perkthyer gabim. Vec nese ka dy zyra te ndryshme, nje per numerim e nje per regjistrim, atehere nuk do te qe. Edhe sikur te donin amerikanet te nderhynin ne kete pike, nuk do mundnin. Besoj eshte ceshtje e atij qe ka perkthyer formularin. Nderhy per ta ndrequr nese mundesh e ke kohe:).

  11. Gjermanët i thonë ”Bildwörterbuch”, nuk di si ta përkthej saktësisht në shqip. Fjalor ku sendet paraqiten me figura(vizatime) dhe emërtimet përkatëse.Kam parë fjalor të tillë katërgjuhësh: anglisht-frëngjisht-gjermanisht-italisht.
    Mendoj se është praktik për sendet që nuk mund të përshkruhen sakt.Sikur ta kishim një fjalor të tillë!

Comments are closed.