KALI DHE KALORËSI NË EPOS

Studiuesve të Ciklit të Kreshnikëve nuk u ka shpëtuar që, në disa prej këngëve, Muji – më rrallë edhe Halili apo Omeri e ndonjë personazh tjetër dytësor – thuhet se flasin turçe.

Te Muji e Behuri:

(Muji) Turçe gjogut po i bërtet

Edhe djali i Mujit, Omeri, i flet turqisht kalit, siç del nga ky pasazh nga Omeri prej Mujit:

Kur ka marrë djali n’gjog me hypë
n’vithe t’gjogut s’und i ka mrri
turqisht gjogut i ka britë:
– Në t’thaçin gjok, si t’kanë thanë,
n’dyu gjuj ti për me ra,
n’vithe tua un për me hypë.

Këtë të dhënë, nga universi narrativ i Ciklit, Lambertz-i e shpjegon si rezultat të një keqinterpretimi, nga ana e rapsodëve sllavë, të gjuhës së huaj që flet myslimani, ose “turku” (në kuptimin e përkatësisë fetare, jo kombëtare); dhe se turçe, në këtë rast, nuk do të thotë turqishte, por gjuhë që flet myslimani në përgjithësi.

I njëjti Lambertz përmend një variant minor kënge ku rapsodi shqiptar e ndërron fjalën turçe me fjalën shqip, pasi e kupton kontradiktën midis heroit të një kënge shqip dhe faktit që ai flet turçe ; por nuk ka dyshim se varianti me turçe është autentik.

Për Mujin që flet turçe pata shkruar edhe unë në esenë Gjuha e Mujit, duke anuar – me Lambertz-in – nga shpjegimi se ligjërimi i tij identifikohej në bazë të perceptimit të tij të përgjithshëm si turk (d.m.th. i fesë islame) përballë sllavit (të krishterë).

Shpjegimin e saktë të kësaj turçe, në kontekste specifike edhe pse tipike, duket se e ka dhënë tani Elton Hatibi, në artikullin “Kur Muji fliste me kalin turqisht”, botuar në revistën Studime Orientale, nëntor 2023, nr. 7 (i shkarkueshëm në Academia.edu). Sipas këtij studiuesi, kali i kreshnikut dhe, në përgjithësi, kultura e hipologjisë është derivat i trashëgimisë osmane në lëmin e kalorësisë.

Nga pikëpamja mirëfilli linguistike, fjalët që i thotë kalorësi kalit u përkasin dy tipologjive të ndryshme: ligjërimit që e trajton kalin si të njerëzuar – si kur i zoti i thotë kalit një fjalë të mirë ose i rrëfen një histori; dhe ligjërimit pragmatik, ose komandave. Ky lloj i dytë ligjërimi është me rëndësi kritike, për komunikimin “profesional” të kalorësit me kalin, sepse ndihmon për t’i bërë të dy të lëvizin dhe të veprojnë të bashkërenduar, në sinkroni, si një njësi e vetme.

Komandat që u japim kafshëve – jo vetëm kalit, por edhe gomarit, devesë, elefantit dhe veçanërisht qenit – nuk janë veçse akte gjuhësore, të cilat u japin fjalëve fuqi vepruese, në rrethana të caktuara. Filozofi Searle i ka cilësuar aktet specifike të komandave si direktiva (directives), ose orvatje… nga folësi për ta bërë dëgjuesin që të bëjë diçka.[1] Për nga efekti që ka (si akt ilokucionar), direktiva dallon nga ligjërata e zakonshme (që është akt lokucionar), sepse synon zhvendosjen e veprimit nga të folurit (speech) në veprim (action).

Stërvitja profesionale e kafshëve, veçanërisht i atyre që përmbushin funksione komplekse, si kuajt, qentë, devetë dhe elefantët, synon që të farkëtojë një marrëdhënie të sigurt dhe jo-ekuivoke, midis komandës që i jep kafshës i zoti, dhe veprimit që duhet të bëjë kafsha. Stërvitja nuk synon që kafsha “ta kuptojë” komandën (që është edhe thelbi i aktit lokucionar), por vetëm që kafsha të nxitet të kryejë një veprim të caktuar, në rrethanat kur këtë komandë ia jep i zoti[2].

Intuicioni i Hatibit, është se ai ka vërejtur – me mprehtësi të madhe – se kuajt e kreshnikëve, përfshi ata të Mujit dhe të shokëve të tij, mund të jenë stërvitur me komanda në turqishte (osmanishte), si kuaj lufte, për t’iu dhënë në përdorim kalorësve. Kjo praktikë stërvitjeje, shton pastaj Hatibi, gjen mbështetje edhe në botëkuptimin mistik islamik, që “kalin e konsideron një mirësi hyjnore në shërbim të njerëzve.”[3]

Shkruan Hatibi:

Kur vijmë te komunikimi mes kreshnikut dhe kalit në Epos, mund ta klasifikojmë atë në dy tipologji të ndryshme. E para, e përgjithshme, që do ta konsiderojmë si “fantasike”, dhe që haset më shpesh, ka të bëjë kryesisht me porosi, apo urdhëra, disa herë në detaje, të cilat kreshniku ose dikush tjetër, ia komunikon kalit të tij. Si rregull, në këtë tipologji komunikimi, kali “idhnohet”, “zemërohet”, reagon ndaj këtyre urdhërave, dhe plotëson kërkesën apo dëshirën e kreshnikut, që përgjithësisht ka të bëjë me funksionin e shpejtësisë, duke reduktuar distancat që përshkon. Ky komunikim, dhe aksioni që pason, shërben edhe stilistikisht në planin narrativ për të treguar panoramën e përgjithshme, si dhe dinamikën e ngjarjes që po zhvillohet.

Në kontekste të tilla, ku kreshniku “bisedon” me kalin, ky trajtohet si të ishte personazh i rrëfimit. Shembull për këtë do të ishte biseda e Halilit me gjogun, te kënga Halili merr gjakun e Mujit:

Ma ka marrë gjogun për frenit,
Kesh te gurra â nisë me i dhanë uj gjogut.
Qaty gjogun mirë ma ka shtërngue,
Sa me t’ambël gjogun po ma merr:
A nuk ndjeve, gjog, shka foli Tali?
Shpejt e shpejt n’at Krajli me m’çue,
Gjakun Mujit sot na do ta marrim,
Ndo të dy na sot priherë do t’jesim!

Por në raste të tjera,

kur ndodh komunikimi në “turçe”, që është tipologjia e dytë që do ta konsiderojmë si “realiste”, kemi një veçanti që dallon nga tipologjia e përgjithshme “fantastike”. Këtu kreshniku i flet “turçe” kalit të tij kur ndodhet në një rrezik të drejtpërdrejtë dhe kërkohet menjëherë reagimi i kalit, ose kur kërkohet një veprim tjetër nga ai i funksionit të tij parësor që është vrapimi.

Në raste të tilla, sqaron Hatibi, “turçe” nuk ka asgjë magjike, ajo është gjuha e cilën ka qëlluar të përdoret nga trajnuesi i “gjogut të mejdanit”. […] Kjo mënyrë komunikimi na dëshmon se termat “turk” dhe “turçe” janë të desemantizuara dhe nuk kanë kuptimin e tyre parësor, përderisa ato këndohen në gjuhën shqipe dhe nga rapsodë shqiptarë. “Turçe” merr kuptimin e një mënyre komunikimi gjatë kohës kur kreshniku performon me kalin. Ja një rast tjetër kur kalit i kërkohet një shërbim specifik “turçe”.

Për artikullin e rëndësishëm të Hatibit ra fjala gjatë një bisede, pas takimit në Bibliotekën e Shkodrës – ku u gjendëm bashkë, në tavolinë, me organizatorin e takimit Sait Saitit, autorin e artikullit Elton Hatibi dhe studiuesit Fatos Dibra dhe Elhaid Alija. Aty Saiti përmendi edhe shembullin e një race qensh, qenve belgë të stanit malinois, të cilët rregullisht stërviten për t’iu përgjigjur komandave në gjuhën flamande; ngjashëm edhe qentë e stanit gjermanë, stërviten me komanda në gjermanisht. Në SHBA, instruktorët e qenve përdorin zakonisht komanda në gjermanisht, holandisht (flamandisht), frëngjisht dhe çekisht. Një arsye pse ndodh kështu është se, ndonëse qeni është mësuar t’u përgjigjet vetëm komandave që i vijnë nga i zoti, ndonjëherë mund të ngatërrohet dhe të marrë për komandë një fjalë që i zoti mund ta përdorë në kontekst tjetër; që këtej, komandat për veprime me rëndësi kritike jepen në një gjuhë tjetër nga ajo që flet zakonisht i zoti. Por këtu do parë edhe roli që ka luajtur tradita. Në raste të tjera, qentë e specializuar importohen nga një vend tjetër, ku janë stërvitur me një gjuhë tjetër, dhe përdoruesit e tyre e kanë më të lehtë të mësojnë ato pak komanda të nevojshme, se t’i stërvitin qentë nga e para, në gjuhën e vendit pritës.

Vetë Hatibi, në artikullin e tij, përmend një komunikim personal nga kolegu Fatos Dibra se

Ende në Shkodër, kur kali duhet të ecë mbrapsht, karrocjerët e qytetit i drejtohen kuajve me togfjalëshin “cërrik mbrapa”. “Zurück”, nga gjermanishtja “kthehu”, është me siguri një huazim, mbetje nga koha kur qyteti ndodhej nën pushtimin austro-hungarez, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur dhe kuajt ishin ende mjeti kryesor i transportit ushtarak.

Këtu duhet supozuar se kuaj të tillë kanë qenë fillimisht të stërvitur me komanda në gjermanisht; dhe se me kohë, kjo gjuhë – në format rudimentare të pak komandave – u adoptua si “gjuha amtare” e tyre.

Për t’u shënuar – në përfundim të kësaj trajtese – se shpjegimi i Hatibit është specifik, meqë vlen në kontekstet kur heroi i ciklit komunikon me kalin; por jo në ato kontekste të tjera kur heroi thuhet se flet turçe në komunikim me personazhe të tjera, përfshi këtu edhe Zanat (te Deka e Halilit):

Janë kapë tri dit e tri net.
Rrezik Muja e ki’ pasë,
Zadrani Mujin e ka rrxue
Edhe Muja Zadranit po i thotë: –
Tri fjalë turçe a po m’len me i thanë?
– Fol shka t’duesh, Gjeto Basho Muja!
Zanave në shkamb Muja m’u ka britë:
– Ju ku jeni të lumet e natës,
Qi probatesha juve u ko’ pa’ xanë,
Gjithë tu të bij ma ngusht e ma
Edhe ndimë kini me m’dhane,
Se Zadrani shpirtin po ma merr?

Nga ana tjetër, kemi të paktën një rast kur Halili thuhet se i flet gjogut të vet shqyp:

Të madhe shkjevet djali m’u ka britë:
– Dalëkadalë, bre burra, pse po nguti?
Kur të jes unë ju krajlin tash po e merrni.
Edhe shqyp ai gjogut m’i ka britë:
– Yrysh, gjog, t’i xjerrim shkjetë përjashta!

Me gjasë, këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje në tekstin e eposit nga ana e mbledhësve; por nuk mund të përjashtohet që kjo shqyp të jetë përdorur, nga rapsodi, për të treguar se Halili i flet gjogut me një gjuhë tjetër nga ajo që kish përdorur për të komunikuar me “shkjetë”.

Në çdo rast, mjedisi (fiksional) ku veprojnë protagonistët dhe antagonistët e eposit duket të jetë rregullisht shumë-gjuhësh, ku shqipja, sllavishtja dhe turqishtja (rrallëherë edhe maxharishtja) këmbehen lirisht sipas nevojave praktike të komunikimit.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] John R. Searle, A Classification of Illocutionary Acts, Language in Society, Vol 5, no. 1, ff. 1-23.

[2] Edhe pse, për disa shkolla të semantikës, ky do të ishte kuptimi i një fjale çfarëdo edhe për njeriun; në thelb, tërësia e udhëzimeve për përdorimin e saj.

[3] Sipas Stavro Skëndit (po citoj nga artikulli i Elton Hatibit), pa u mbështetur në ndonjë argumentim bindës, myslimanët boshnjakë i drejtohen kalit turqisht për faktin se, ngaqë gjuhë e sulltanit kalif, ata besonin se ka fuqi magjike te kuajt. Ky shpjegim i Skëndajt është disi i përciptë, ndonëse fetaria është një motiv i patrajtuar mirë dhe që nuk duhet përjashtuar për të kuptuar këtë aspekt të eposit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin