SI PO I LEXOJMË

Disa nga ata që ndërhyjnë në debatet për historinë e fjalëve dhe të gjuhës shqipe duket qartazi se nuk e kanë kuptuar argumentin – sepse ky është tepër teknik, sepse atyre vetë u mungon baza për t’i kuptuar shtjellimet, ose edhe thjesht aparati kritik i qasjes ndaj një teksti, sepse nuk duan të kuptojnë dhe as të ndjekin ndonjë argument, por vetëm sa kërkojnë konfirmim për ndonjë ide që mbajnë të ngulitur në tru, ose edhe më keq, e përdorin argumentin si trampolinë për të kaluar tek temat e tyre të preferuara, që zakonisht janë platituda ose budallallëqe.

Por shpesh më ka qëlluar të vras mendjen sa dhe si i kuptojnë shumica tekstet të cilave u referohen; rast i skajshëm, do të ishte artikulli i “Science”, i cili i bëri shumë prej tanëve entuziastë, edhe pse pakkush e kuptoi (dhe këtë “pakkush” e them me zemërgjerësi të madhe). Të kuptuarit e një teksti kërkon jo vetëm inteligjencë, por edhe disa shprehi të leximit dhe të interpretimit që mësohen në shkollë dhe mbahen gjallë nëpërmjet stërvitjes sistematike – përndryshe të njëjtit tekst do t’i jepen lexime nga më të ndryshmet.

Më ndodhi këto ditë, gjatë një diskutimi për një fragment libri të Çabejt, ku njëri prej komentuesve, duke iu referuar një paragrafi atje, tha se nuk e kuptonte si autori Çabej kish deklaruar “prerazi” që “Grekët janë populli më i vjetër në Ballkan”, dhe pastaj kish sjellë disa kundërargumente, duke filluar nga Hahn-i dhe Fallmerayer-i, të cilët “që në 1850-tën, në studimet e tyre për gjuhën e shqipe, e kanë nxjerrë më të vjetër se atë greke, dhe paraardhësit tanë më të hershëm…”

Mendova në fillim se Çabej ish nisur nga ajo që grekët janë populli më i vjetër i dokumentuar në Ballkan, ndërsa për të tjerët, përfshi këtu edhe shqiptarët, prania e hershme vetëm sa deduktohet – shkencërisht, por tërthorazi – meqë mungojnë dëshmitë shkrimore. Por u bëra kurioz që teksti në fjalë fliste drejtpërdrejt për grekët, meqë përndryshe i kushtohej shqipes dhe folësve të saj, prandaj edhe shkova ta kërkoj burimin.

Dhe ja çfarë gjeta nga Çabej:

Pra: Historikisht Shqiptarët bashkë me Grekët janë populli më i vjetër i Gadishullit.

Një fjali, pra, ku thënia “grekët janë populli më i vjetër [në Ballkan]” është pjesa e një së tëre ku thuhet diçka tjetër.

Më shkoi mendja tek analfabetizmi funksional, që bën më shumë dëme se ç’kujtojmë; dhe e pashë keqleximin në fjalë si shembull të çfarë ndodh përditë dhe kudo, por në heshtje dhe në prapaskenë, në mendjet e shumë prej atyre që përfshihen në debate dhe duartrokasin heronjtë e tyre (të rremë).

Nuk kam asnjë arsye të besoj se komentuesi ka bërë një hile, duke shkëputur nga teksti i Çabejt një frazë që ia ndryshon kuptimin; përkundrazi, kam frikë se ky person, kur ka lexuar “Historikisht Shqiptarët bashkë me Grekët janë populli më i vjetër i Gadishullit”, nuk ka arritur t’i mbajë bashkë pjesët e thënies, dhe atë që “Grekët janë populli më i vjetër i Gadishullit” e ka lexuar dhe interpretuar të shkëputur nga pjesa paraprijëse – pa arritur të kuptojë se kallëzuesi “janë (populli më i vjetër i Gadishullit)” ka për kryefjalë edhe shqiptarët, edhe grekët.

Kjo paaftësi, për ta ruajtur tensionin kuptimor të tekstit përtej gjymtyrëve edhe të një fjalie të vetme shtrihet edhe më tej në paragraf – sepse vetëm një fjali më lart Çabej i quan shqiptarët “një popull i lashtë, autokton në këto vise të Ballkanit që në kohët e mugëta të prehistorisë,” gjë që fton për të paktën dy interpretime: që teksti flet për shqiptarët, jo për grekët; dhe se lashtësia e të parëve, bashkë me autoktoninë, jepen në mënyrë të pavarur, jo në krahasim me ndonjë entitet tjetër paraprijës.

Për të njëjtën arsye, thënia:

Historikisht Shqiptarët bashkë me Grekët janë populli më i vjetër i Gadishullit.

Mund dhe duhet të lexohet si derivat i thënies:

Historikisht Shqiptarët […] janë populli më i vjetër i Gadishullit.

Dhe ajo “bashkë me grekët” është shtuar për hir të korrektesës dhe të plotësisë shkencore, jo se i sjell ndonjë gjë argumentit me të cilin merret teksti (vjetërsisë së shqiptarëve).

Një sqarim: këtu nuk po diskutohet teksti i Çabejt, dhe as premisat e tij; por mënyra si citohet dhe si kuptohet ai tekst nga komentuesi në fjalë dhe, me siguri, nga të tjerë. Sot kur një pjesë e madhe komentuesish lexojnë njëri-tjetrin, por nuk begenisin të harxhojnë kohë me leximin e materialit që komentohet, një komentues i tretë do të dalë te një debat tjetër dhe do të denoncojë Çabejn se ka thënë që “grekët janë populli më i vjetër në Ballkan”, çfarë provon se profesorin e paguanin grekët me dhrahmi. Kjo frazë – e amputuar nga fjalia ku është përdorur – do të kthehet tani në një dëshmi të akuzës se albanologjia e ka tradhtuar çështjen kombëtare.

Dukurinë e kësaj kirurgjie që synon ndërtimin e një kundërargumenti ose të një akt-akuze e kanë quajtur edhe kontekstomi, që nuk është veçse një emër tjetër për citimin jashtë konteksti (edhe ky një lloj rrejshmërie).

Kontekstomia i sundon debatet online në forume kaotike dhe të pamoderuara, rreth çështjeve me natyrë historike, historike-gjuhësore dhe të tjera; shumë nga pjesëmarrësit nisen të flasin për një argument në thelb shkencor dhe të arsyetuar, por duke e trajtuar si të ishte provë ose dëshmi e aktakuzës në një gjyq; citati sillet jo në mbështetje ose në kundërshtim të një argumenti çfarëdo, por për të provuar fajësinë e autorit. Zakonisht, citatet që përfundojnë të përdorura kështu (“ti ke thënë që shqiptarët nuk vijnë nga ilirët”) janë jo vetëm të nxjerra nga konteksti, por edhe të shkurtra dhe të thjeshtuara, të zhveshura nga çdo nuancë dhe intertekstualitet (marrëdhënie me argumente të tjera brenda tekstit ose edhe jashtë); këtë mund ta bëjë dikush qëllimisht, kur kërkon që ta baltosë një autor, por tani po bindem dita-ditës se një pjesë e atyre që e bëjnë, janë analfabetë funksionalë, njerëz dashamirës, por që nuk janë në gjendje ta lexojnë një paragraf ose qoftë edhe një fjali, pa e ndarë në segmente të vogla autonome.

Shembulli që solla më lart i përshtatet formatit të kësaj eseje; por njëlloj mund të sillja shembuj të pasur edhe për çfarë është thënë dhe thuhet për të famshmin “artikull të revistës Science”, por edhe shumë citime të tjera, të nxjerra nga gjithfarë tekstesh, dhe të qethura nga çdo lloj kompleksiteti. Aq më të hidhura janë efektet e këtij pasioni citacionist, në ato raste kur edhe vetë materiali burimor nxirret nga konteksti historik, siç ndodh rëndom me Hahn-in (për të mos shkuar deri te Fallmerayer-i). Duke hequr mënjanë të gjithë manipulatorët profesionistë të publikut, të cilët janë të vetëdijshëm për çfarë bëjnë, mbetet një masë lexuesish që nuk arrin të shkojë më tej se një mendim i formuluar në 3-4 fjalë, që shpesh nuk është veçse një mendim i reduktuar në belbëzim fëmijësh; me sqarimin se reduktimin këtu e bën jo qëllimi për të shtrembëruar mendimin e tjetrit, sa vetë analfabetizmi funksional, dhe pikërisht paaftësia për të lexuar dhe të kuptuar tekste diturore.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: kopertina është krijuar me DALLE.3

2 Komente

  1. Nje artikull analitik i bukur dhe kuptimplote, por pa sinteze, nuk i pergjigjet pyetjes se nxehte se cfare duhet bere per ndrequr kete situate.
    Duke e vleresuar nivelin e kesaj mase te gjere ” analfabetizem funksional” hapet diskutimi i lashte: si mund te behet efektiv diskutimi midis nje te dituri me nje shejtan-budalla injorant qe nuk do ose nuk di?
    Mbase peticioni ne fjale i albanologeve nuk e ka edhe aq keq, qe i meshon me shume dores se forte.

    1. “Artikull kuptimplote… por nuk i pergjigjet pyetjes se cfare duhet bere” me kujton paratheniet qe u beheshin dikur romaneve te realizmit kritik (sic quhej aso kohe): zbulon kontradiktat e shoqerise kapitaliste, por nuk tregon rrugen e zgjidhjes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin