ATA QË KTHEHEN (V)

Po dua ta rimarr historinë e tim gjyshi, që mërgoi nga Shqipëria në SHBA në fund të viteve 1920, nuk u lejua të kthehet në atdhe mes viteve 1930-1970, dhe pastaj erdhi vetëm pas ri-atdhesimit, për të jetuar fare pak. Ish larguar atëherë nga Gjirokastra, duke lënë pas një Shqipëri rurale, ende gjysmë-osmane, me horizont provincial – të ndarë prej Europës me distanca kozmike. Nuk e përfytyroj dot mirë impaktin që kish patur mbi të New York-u; edhe pse, me arsye, them se disa gjëra të qytetërimit amerikan as do t’i ketë vënë re fare, pse i pamësuar me përdorimin dhe interpretimin e shenjave të një qytetërimi për të aq të huaj. Emigrantët aso kohe e kalonin kohën me njëri-tjetrin, kur nuk u binte bretku në punë, dhe akulturimi u duhej vetëm për të mbajtur një minimum komunikimi me vendësit.

Me kohë, megjithatë, im gjysh u amerikanizua – bëri edhe ushtrinë, në vitet e Luftës, zbarkoi në Normandi dhe u kthye në SHBA, si dhjetëra mijëra të tjerë të brezit të tij, i mbuluar me lavdinë që ia kish dhënë atdheu i tij i ri. Kontaktet me Shqipërinë iu bënë të pamundura; ato me familjen iu reduktuan në letra dhe fotografi. Duke qenë kështu i ndarë nga realiteti në vendlindje, ai dhe njerëzit që kish lënë mbrapa filluan të zhvendosen në kohë me shpejtësi të ndryshme. Shqipëria kish hyrë në rrugën e ndërtimit të një shteti totalitar, ndërsa SHBA po modelohej si bastion i lirisë dhe i shkëlqimit ekonomik dhe i lumturisë së individit.

Për më tepër, dy vajzat që kish lënë në Gjirokastër tashmë erdhën me nënën e tyre në Tiranë dhe atje e rifilluan jetën, duke filluar ta harrojnë vendlindjen: në mënyrën e tyre, e lanë edhe ato pas Gjirokastrën, siç ishte larguar nga ai qytet dhe qytetërim province babai i tyre. Që ime më kish të shënuar, në letërnjoftim, New York-un si vendlindje, kjo tashmë nuk ishte veçse një kuriozitet, që kërkonte rrëfimin shpjegues përkatës. Të dy motrat u rritën si vajza kryeqyteti dhe shkuan në universitetin e Tiranës; u martuan pastaj me burra me karriera premtuese dhe u munduan t’i përshtaten realitetit, duke e ruajtur lidhjen me babanë vetëm në rrafshin sentimental.

Shqipëria që gjeti im gjysh, kur u kthye në fillim të viteve 1970, nuk i ngjante as Gjirokastrës së rinisë së tij, dhe aq më pak New York-ut ku e kish kaluar pjesën tjetër të jetës. Ishte një realitet tjetër, i padeshifrueshëm, me të cilin ai nuk arriti dot të merrej vesh kurrë. As edhe në dyqan të ushqimeve nuk arrinte dot të shkonte – një herë që guxoi, i kërkuan emrin për t’ia verifikuar në listë, dhe kjo puna e listës rezultoi për të krejt enigmatike. Urdhëro paratë, i tha shitëses, dhe më jep mallin. Fjala ishte për një kile miell. Por u kthye në Shqipëri, gjithsesi, me duart bosh.

Gjatë kohës që kish qenë në SHBA, kish dëgjuar për Shqipërinë si vend “komunist”; edhe pse nuk përzihej me shoqatat politike të shqiptarëve atje, nga frika se mos dëmtonte të ardhmen e vajzave në Tiranë, sërish dëgjonte dhe sipas rastit lexonte gjëra për çfarë ndodhte në atdhé. Në ato vite – sidomos në vitet 1950 dhe 1960 – përshkrimet e tmerreve dhe çudirave të universit komunist i gjeje në çdo gazetë dhe revistë amerikane; siç gjeje edhe psikozën e urrejtjes a të përbuzjes për commies. Mbaj mend që, ditën e parë kur erdhi dhe u ul në dhomën e madhe të shtëpisë sonë për të pritur vizitat, nuk di si ndodhi që e kishim lënë radion hapur dhe spikerja e Radio Tiranës njoftoi orën dhe pastaj tha “Po japim lajmet”, dhe këtu, në një orvatje të pafajshme për të bërë shaka, gjyshi u kthye nga burri i tezes sime – kuadër drejtues – për t’i thënë: “filloi kjo me propagandë!” Ish një moment delikat, por që nuk u lejua të precipitonte.

Ngaqë me jetën në Tiranë nuk po mësohej dot, dhe as e gjente dot një bar ku të mblidhej me kushërinj e të njohur, për t’i kaluar ditët me alkool, gjyshi e mori në sy të shkonte në Gjirokastër, një qytet me të cilin e lidhnin kujtimet e fëmijërisë dhe që, në thelb, nuk është se kish ndryshuar shumë, në krahasim me vitet 1920. Mori me vete edhe një magnetofon kaba me bobina, që e kish sjellë nga Italia; arsyen për këtë do ta kuptonim më vonë. Në Gjirokastër sistemohej te njerëzit e vet; dhe atje e kalonte kohën në sofra e tavolina, me raki e muhabete, por sidomos duke lënduar labçe. E kish qejf shumë këngën, sidomos këngët e vjetra; i përvishej me pasion, aq sa i ndrisnin sytë si asnjëherë tjetër; dhe çdo këngë që këndonin, e regjistronin live në magnetofon. Tani që i mendoj ata burra, disi të lënë pas nga koha, por plot shpresë te shoku-shoku, i përfytyroj si murgj të ndonjë urdhri të respektuar, që nëpërmjet ritualit të këngës mbanin në këmbë arkitekturën e botës që u kishte mbetur.

Kur u kthye pastaj nga Gjirokastra në shtëpi në Tiranë, nuk bënte gjë tjetër, veçse ulej të dëgjonte regjistrimet që kish bërë në magnetofon; duke i shoqëruar herë pas here me zërin e vet të mbivendosur. Mua fëmijës kjo gjë më dukej pa kuptim, dhe më distanconte edhe më prej tij; këngët labe, polifonia e Jugut, nuk kish gjë të përbashkët me muzikën që kisha filluar unë të dëgjoj, i magjepsur nga sirenat që këndonin prej Italisë. Ashtu e përfytyroj edhe tani gjyshin – si të kyçur në vetminë e muzikës, e vetmja gjë e vyer, që i kish mbetur. Por atëherë më dukej absurde, që një vegël me të cilën mund të dëgjohej nga Shqipëria bota përtej, të shpërdorohej tani për të “kapur” këngë labçe në terren, gjëra që përndryshe që i gjeje, nga mëngjesi në darkë, te Radio Tirana; më keq edhe se lajmet.

Sa më gjatë që rrinte me ne, aq më shumë filloi të na dukej gjyshi si një udhëtar që vinte jo nga bota e madhe, por nga e shkuara, nga Gjirokastra e viteve 1930: emigracioni “i konservon” njerëzit, siç ruajnë disa lloje toksike dherash trupat të varrosurve. Edhe disa biseda që bënte, u ngjanin mbishkrimeve të gjetura nën dhé, që flisnin për emra dhe jetë tashmë të lëna pas – Amerika që kish sjellë me vete, nuk ishte ajo që prisnim. Tani që kujtoj, më duket sikur edhe tërheqja e tij obsesive pas hapësirës së këngës shpjegohet disi me pamundësinë e tij për të komunikuar ndryshe – lidhjet me njerëzit e vet, që aq shumë i kishin munguar në mërgim, i vendoste më mirë duke kënduar. Natyrisht, edhe kënga polifonike e ruan koreografinë e bisedës, dialogut, sado të skriptuar; vetëm se atje fjala e kënduar e subjektit individual më shumë ndërmjetëson ligjërimin kolektiv, ison, korin, që rivendos sakaq ekuilibrin e trazuar dhe imponohet me totalitarizmin e vet monoton.

Pyetjen se cili ishte ky njeri i kthyer nga larg; ky gjysh i ndërruar, nuk mund ta ndaj nga pyetja tjetër, se ku ishte kthyer ky njeri, pasi kish jetuar tutje me dekada. Nëse kur ish nisur për mërgim, udhëtimi e kish projektuar, në mos katapultuar në kohë, për ta çuar në një qytetërim shumë më të avancuar, se ai që kish lënë në Gjirokastër; tani ishte kthyer jo tamam në Shqipërinë e viteve 1920, por gjithsesi në një botë që ngulte këmbë t’i përkiste një dimensioni të ndryshëm nga Perëndimi. Dhe nuk ishte thjesht varfëria që e shënjonte diferencën – tek e fundit, paratë në Shqipëri nuk i mungonin; dhe as e merrte malli për ndonjë jetë të sofistikuar prej amerikani të fundviteve 1960, siç jemi mësuar ta shohim në filma. Im gjysh nuk e vriste fort mendjen për Beatles-at, as për hippies, dhe as për fantashkencën e zbarkimit në Hënë; siç nuk i mungonin këngët e Elvis Presley-t, sa kohë që kish shiritat me lëngët labçe. Traumën e tij do ta krahasoja, pra, me atë të një njeriu që, i mësuar ta shohë rruzullimin me ngjyra, befas zgjohet dhe i hap sytë, një mëngjes, në një botë bardhezi.

Në mënyrën e vet, gjyshi ishte një time traveler; dhe ashtu e gjente vendin në një skenar fantashkencor. Ky i një astronauti, që niset për një udhëtim ndëryjor dhe pastaj, për shkak të efektit relativist, kthehet në Tokë pasi atje kanë kaluar qindra, në mos mijëra vjet – edhe pse për atë mund të kenë kaluar vetëm pak javë ose muaj – është një nga tropet më të dashura të fantashkencës. Zakonisht, i kthyeri në këta skenarë e gjen botën shumë më të avancuar, dhe e ka të vështirë t’i përshtatet; një shembull do të ishte romani Return from the Stars, i Stanislaw Lem-it, ku protagonisti – astronauti Hal Bregg – kthehet në Tokë nga një mision eksplorativ që kish zgjatur 10 vjet, teksa vjetët që kish kaluar Toka ishin 127. Ashtu Bregg-u nuk arrin dot të lidhet shpirtërisht, me realitetin e ri. Njerëzit me të cilët bie në kontakt e shohin si “Neandertal të ringjallur” dhe neveriten me manierat e tij të dhunshme. Skenarin e kundërt, ku dikush – gjithnjë duke udhëtuar në kohë – përfundon në një realitet të prapambetur, të së shkuarës, e gjen në ato rrëfime, ku protagonistët udhëtojnë në Mesjetë ose në Lashtësi. Te Hard to be a God, i vëllezërve Strugackij, protagonistin e dërgojnë, nga Toka, te një planet i qytetërimit mesjetar, me misionin për të vrojtuar, por pa interferuar në jetën e atjeshme. Edhe te Timeline i Michael Chrichton, historianët nga e sotmja gjejnë një mënyrë për të shkuar në Mesjetë (dhe për të ngecur atje).

E kanë thënë se historitë me time travel janë, në thelb, eksperimente narratologjike; por skenarë të tillë kanë ndodhur në realitet, sa herë që dikush ka kapërcyer kufirin mes qytetërimeve në faza të ndryshme të zhvillimit teknologjik. Mjaft të përmend këtu historinë e Omait, një polinezian që udhëtoi drejt Europës, me anijen Adventure, të ekspeditës së dytë të James Cook-ut. Omai ndenji dy vjet në Londër dhe u prit me entuziazëm të madh nga shoqëria e lartë e kohës; edhe pse zgjodhi pastaj të kthehej në Tahiti. Fati i këtij ishullari të Paqësorit ilustron, me antifrazë, tragjedinë e qindra mijëra të zinjve, që u çuan të punojnë, nga brigjet e Afrikës Perëndimore, si skllevër në plantacionet e Amerikës së Veriut dhe të Jugut. Por më bën përshtypje që Omai, edhe pse i mirëpritur në Europë, zgjodhi të kthehej për të vdekur në atdheun e largët – çfarë e bën njëfarësoj të afërt me tim gjysh, të zhvendosur në hapësirë dhe në kohë, gjithnjë në rënie të lirë.

Sërish, askush nuk e di nëse Omai u kthye vërtet në botën e vet – udhëtimi dhe kontakti me një qytetërim tjetër do ta kenë ndryshuar me rrënjë, por edhe vetë vendlindjen nuk do ta ketë gjetur më të njëjtën. Lidhjet e këputura nuk ndreqen dot më, edhe pse mund të zëvendësohen me të tjera. Nëse partire è un po’ morire, kthimi i atij që ka ikur krijon gjithnjë çarje në realitet, nga ku mund të depërtojë Tjetërsia. Kjo dramë është e vjetër sa bota, por në epokën e sotme, të zhvendosjeve të mëdha, merr trajta të reja; sa kohë që emigracioni masiv nga Jugu përfshin jo vetëm individë dhe familje, por edhe qytetërime të tëra që ndërrojnë vend; teksa konfliktet me armë dhe masakrat e popullsive civile jo vetëm që vrasin njerëz, por edhe krijojnë me miliona zombies, që nisin të enden nëpër botë, viktima të zhvdekjes që i ka pllakosur. Shumëve prej nesh, e drejta, në mos ëndrra për t’u kthyer, qoftë kjo edhe thjesht nostalgji, u shfaqet si një lloj realizimi sublim i lirisë – por ashtu edhe harrojmë se, për kthime të mëdha, na duhet gjithnjë të dalim njëfarësoj nga varri. Nuk duam t’ia pranojmë vetes se largimet dhe mërgimet janë gjithnjë edhe udhëtime në kohë; dhe as që këto lloj udhëtimesh e përjashtojnë vetvetiu mundësinë e kthimit. Nga njëra anë, kujt i refuzohet e drejta për t’u larguar – nga familja, nga komuniteti, nga qytetërimi – i mohohet esenca e vet njerëzore; nga ana tjetër, siç e pat thënë një herë Gjon Pali II, edhe të jetosh në vendin tënd është e drejtë themelore e njeriut. Nga kjo pikëpamje, dhimbja e atij që ikën mishërohet në dramën e atij që kthehet – dy brigjet mes të cilave rrjedh lumi heraklitian i condition humaine.

(fund)

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

3 Komente

  1. Eh, mosh e përjetshme është eksperienca, e vjetër, si antikiteti, edhe e re, si çdo gjë, që të lihet me jetë e për jetë ashtu si gjëndet, përsa nuk identifikohet me bëmat e saj, edhe pse bëmat jan identifikuese.
    Kafka (shkrimtar) me identifikime përgjithësuese në lidhe me origjinën dhe profesionin bëhen të njohura nëpërmjet shkrimit si eksperienca unike-individuale, jo kolektive, ashtu si edhe gjyshi yt, personifikim kafkian i bëmave që rreken pafundësisht të mbajnë gjallë fantazitë.
    Nuk është tjetër fëmija, vetëm se i rritur, kur merret dhe shifet në kontekst.

  2. Të falem per shkrimin dhe mendoj qe nuk eshte vetem dukuri shqipetare edhe pse gradienti kulturol midis Amerikes dhe Shqiperise eshte ende i prekshem sic mund te kete qene dhe ne vitet 60te, por edhe ne vende ky gradient kulturor ka kah te kundert si Franca, Hollanda e Gjermania qe kane qene dhe jane edhe perandory kulturore, dhe duke marre parasysh edhe globalismin i cilu zhduk keto ndasi thuajse fare pasi jane fare kehte te arritshme dhe me mas media! Pra ngelet nje faktor shume i fuqishem psikologjik jo i jashtem pra gjetja ne ambjentin e dikurshen, por intrinsik i brendshem per te gjetur dicka te vetes qe vetja e ka humbur ose nuk e ka shijuar. Sot nuk ka kufij levizjeje emigrantet kthehen Të gjithe, as kufij kohore ne kuptimin relativ te udhetimit me shpejtesine re drites, Jo AQ mungesa se sa gjera te parealizuara plotesisht ose qe dikur te jepnin nje kenaqesi shpirterore te vecante, qe njerezit ndoshta gabim Ishte projektojne tek fushate ose malet, qe duke u bere te brendeshme marrin tjeter vlere pikerisht ne kete kontext! Besoj se te gjithe kane mall per femijerine dhe rinine, dhe si nje inskenim teatral e rijetojne me gjalle me skenen kur e kane jetuar dikur, duke e ditur fare mire qe nuk jane aspak te paret! Kjo gje ndodh dhe me lodrat qe iu blejne femijve se shumti jane enderrat e prinderve qe dhurohen! Me kete nuk dua te nenvlehtesoj faktoret e tjere qe sjell autori por desheroj te theksoj kete pike me shume qe me del me lirshem duke pare veten me thelle! Pershendetje!

    1. Mos keni harruar një detaj si: “Komenti është hartuar me ChatGPT” ? Gjithsesi jo keq niveli i AI, duke pasur parasysh edhe rezultatet e “PISA 2022”..:)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin