TË RRONI E TA SHKATËRRONI MË TEJ

Shkatërrimi i shkollës është qëllim, jo aksident 

nga Natasha Shuteriqi

Cilido që e ndien se shkolla sot ka një diferencë të dukshme me modelin e saj deri në vitet 2000, duhet ta konsiderojë këtë si efekt dhe vendim të shoqërisë në zhvillim.

Ky nuk është problem thjesht shqiptar, por politikë që ka marrë shtrirje globale, duke u kthyer në shqetësim vetëm për atë pjesë të popullsisë dhe intelektualëve të cilët kanë reminishenca të një sistemi arsimor të frytshëm dhe që, përtej nostalgjisë, kanë prekur rezultatet e atij sistemi, sikurse ne sot po prekim dhe vuajmë rezultatet e një sistemi të shkatërruar sistematikisht.

Në vitin 2017 alarmin të parët e dhanë 600 pedagogë universitarë në Itali, të cilët deklaruan publikisht: “Studentët nuk dinë italisht. ”[1] Kjo gjendje sot duhet të jetë thelluar, për aq kohë sa nuk shohim politika specifike të Komunitetit Europian (së paku), të cilët të ndërhyjnë në formë dhe mënyrë radikale për të shmangur pasojën katastrofale që do të sjellë fakti.

Problemi është se sa e interesuar është shoqëria dhe politika për ta ndryshuar këtë realitet.

Sot ky alarm ka zbritur në nivelet e shkollave të mesme, të cilët për të justifikuar gabimet dhe vakumet në hapësirat e tyre e pasojnë fajin në arsimin e mesëm të ulët dhe ky e përcjell më poshtë ende, për t’ia lëshuar topin e ping-pongut familjes, që  nga ana e saj godet shoqërinë dhe shkollën që po i prish nxënësit, si të ishte e vetë-përjashtuar nga ky rreth vicioz, i cili jo vetëm se nuk e shmang përgjegjësinë por, ndërsa rrotullohet e kthen atë në një ortek. Ne na ka zënë orteku.

Profesor Tullio De Mauro, një nga pedadogjistët më të spikatur në botë, pak para se të largohej nga jeta konstatonte: Goditjet që i janë dhënë shkollës janë të shumta, por ata që mendojnë se bëhet fjalë për aksidente në rrugëtimin e saj, janë naivë. Në shoqërinë likuide anarko-kapitaliste edukimi është një e keqe që duhet eliminuar.

Në fakt askush nuk po habitet sot nga ky alarm, i cili ka gjetur të papërgatitur vetëm analfabetët funksionalë.

Nuk e kam kuptuar kurrë pse në programet dhe tekstet shkollore duhet të punohet me metoda qasjeje mekanike, kur dallimin mes analizave dhe argumentimeve e bën vetëm arsyetimi i thellë dhe i argumentuar. Siç nuk kam kuptuar se përse që nga viti 2005 e këndej të gjithë sistemet arsimore në Europë kanë rrëmuar e gjetur pasaktësi te kurrikulat e njëri-tjetrit, që më pas të kopjojnë kurrikulat e njëri-tjetrit, në kaos të plotë e papërgjegjshmëri.

Në Shqipëri kemi që më 1990-ën që kopjojmë sistemet: italian, spanjoll, anglez, pak japonez, e tani së fundmi u desh dhe një sapllake turke. Dhe asnjëherë, kurrë nuk na u tha: mor zot, ku ishte e keqja e madhe e sistemit që patëm? Pse duhej t’i hiqnim shkollës boshtin logjik? Pse duhej të dërrmonim shkencën dhe ta quanim të panevojshme për arsimin e mesëm të lartë, aq sa ta linim në dëshirën e adoleshentëve nëse do ta zgjidhnin apo jo? Pse duhej të hiqnim dorë nga gjuhësia aplikative duke iu kthyer pafundësisht gjuhësisë tradicionale dhe post-sosyriane? Pse e larguam nxënësin nga procesi i të lexuarit dhe iu kthyem metodave historiciste, të cilat, për aq kohë sa lidhen me formimin e kombeve, nuk janë më utilitare në kushtet e botës globale pa kufij?

Jam dhe vazhdoj të jem në krye të mendimit se gjërat duhet të ndryshojnë dhe të përshtaten me kushtet e reja në të cilat po hyn shoqëria. Absolutisht dakord me rivlerësimin, hapjen, përvijimin e koncepteve të reja; në krye të diversitetit edhe programor, edhe tekstual; në ballë të përfshirjes së mendimit të ri shkencor dhe teknologjik në të gjitha dijet shkencore, por ama, jo të shkatërrojmë gjithë sistemin, duke e degraduar atë, duke mos ruajtur vlerat që ne vetë i patëm. Në këtë kontekst po i referohem sistemit arsimor shqiptar, se personalisht kam qenë aktore e disa prej ndryshimeve që kanë përfshirë atë, për të cilën nuk shmang veten nga asnjë përgjegjësi profesionale.

Por ndryshimet nuk ndodhën vetëm në Shqipëri. Ishin globale. Në fillim shkollës i hoqën arsyen dhe e zhvendosën atë në dosje kompjuteri, i cili nxori jashtë loje enciklopeditë dhe format codex.  Me këtë nuk dua të shmang dhe as të anashkaloj vlerën e madhe të internetit, por dua të anatemoj zhvleftësimin që vetë sistemi i bëri librit, fjalës së shkruar në mënyrë faktike; fjalës së mbetur e cila është e tillë edhe për t’u vlerësuar, por edhe për t’u kritikuar (literalisht kjo e fundit). Të kaloj te tekstet e përkthyera? Lëre se ajo do një artikull më vete.

Më pas u vijua me zhvleftësimin e mësuesit e pedagogut, duke i ulur fillimisht pagesën, e duke ia kamufluar me sloganin se mësuesi/pedagogu punon për pasionin, për vlerë, edukim, heroizëm, etj., sikur ky individ të mos kishte nevojë të ulej bashkë me familjen çdo ditë (tri herë në ditë) në tavolinën e ushqimit. Dhe nëse sot, reflektimet e mëvonshme e kanë standardizuar rrogën e mësuesit (duhet të jemi të drejtë dhe të themi që mësuesit paguhen mirë në hierarkinë e pagesave), kjo nuk ka më asnjë lloj vlere: dëmi është bërë në ndërgjegjen e mësuesit, por edhe në vlerën morale të tij përballë nxënësit.

Në emër të të drejtave të njeriut, u abuzua në marrëdhënien mësues-nxënës, duke e transferuar tolerancën në liberalizëm dhe rregullin në konservatorizëm. Kjo dëmtoi më së pari vetë nxënësin dhe devijoi punën e një mësuesi. Nxënësi u bë zot dhe mësuesi hija e tij (dhe e sistemit).

Jo më larg se dy muaj më parë, m’u desh të relatoja nëpërmjet një artikulli shkencor mendimin e një rrethi prej 15 mësuesish të vendeve të ndryshme të Europës, në pavarësi nga njëri-tjetri, dhe fatkeqësisht aty kuptova se disa emërues të përbashkët të mësuesve, le të themi europianë, nuk dallonin nga kërkesat dhe ankesat e vazhdueshme të kolegëve të tyre shqiptarë: shumë burokraci, shumë letra dhe pak kohë për punë. Një tjetër shpikje e sistemit për sistemin. Letra, letra, pyje të shkuara dëm. Po punë?

Por ajo ku dua të ndalem është një plagë që na u shfaq tani së fundmi e gangrenizuar: dhuna në familje, abuzimi, përdhunimi, përbaltja edhe brenda gjakut. Një rast i përdredhur i Gregor Zamzës, po në thelb i njëjti denatyralizim marrëdhëniesh. Nuk dua të nis xhiron e ping-pongut për të gjetur fajtorin, por dua të them me bindje se s’ka më qytetari. Dëmet e sistemit të shkatërruar prej 30 vitesh, po i prekim tani me dorë.  Shkolla nuk edukon më. Shkolla ka pushuar së qeni vendi i formimit dhe edukimit.

Janë pasoja, nuk janë shkaqe. Në shkollë është rrudhur ora e edukimit qytetar me 1 orë në javë. Në rastin më të mirë mësuesit (që s’janë më pak fajtorë brenda sistemit), i bëjnë orë mësimore, sepse jo pak raste zëvendësohen me matematikë, gjuhë, deri dhe fizkulturë, por qytetari jo, sepse ne jemi tashmë qytetarë. Ja dhe pak, sa të na pranojë Europa.

Po përse ndodh kjo?

Jo rastësisht Orwell tregoi në distopinë e tij shkatërrimin e shkollës si një mjet qeverisjeje. Një nga tre sloganet e romanit të tij ishte “Injoranca është forcë“.

Përgjigja nga ku duhet të kthejmë sytë duhet të jetë fjala e Antonio Gramshit:

Edukohuni sepse do të na duhet gjithë inteligjenca jonë”.

 

© Natasha Shuteriqi. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Titulli është i redaksisë. Titulli i origjinalit: TË SHKATËRROJMË SHKOLLËN DHE TË JETOJMË TË LUMTUR


[1] https://www.corriere.it/scuola/universita/17_febbraio_04/gli-studenti-non-sanno-l-italiano-denuncia-600-prof-universitari-3db50faa-eb16-11e6-ad6d-d4b358125f7a.shtml

4 Komente

  1. Pertej shkaqeve globale qe analizon autorja, arsimi ne Shqiperi po degradon sepse rruga drejt suksesit ne shoqerine tone nuk kalon permes tij. Thene ndryshe, shkollimi eshte kthyer ne nje qorrsokak qe nuk te con askund, madje as ne vete institucionet arsimore ku praktika e rekrutimit dhe promovimit te stafit ndjek ligjesi shqiptare dhe nuk ka lidhje me meritokracine. Atehere pse te studiojne te rinjte? Pse ta shtrydhin trurin per vite e vite me radhe kur mund te cajne shume me kollaj me para e me parti. Me nje fjale, rrenimi i arsimit tone eshte me se pari produkt i kultures se tarafit dhe korrupsionit.

  2. Viti 1990 duhet marre si pike referimi ,arsimi i mesem ishte i forte ne shkenca .Programi i matematikes ishte ne rangun e junior colleges ne SHBA.Kishte mangesi te theksuara ne shkencat sociale apo lendet qe kane te bejne me inteligjencen emocionale .Kjo vihet re ne cilesine e udheheqesve qe prodhoi ai sistem arsimor .Universiteti ishte shume i dobet .Kur u hap Shqiperia me pak se 0.05% e graduateve te atij universiteti i kishin aftesite per tu pershtatur me nivelin e botes .Nje humbje e madhe kohe so to speak .Zogu i cili s’kishte universitet fare por dergonte studentet me te mire me bursa jashte u tregua shume here me efficient .Ne kushtet e sotme te Shqiperise te kesh 36000 studente universiteti te cilet duan nje armate te madhe njerezish te kualifikuar per ti trajnuar plus para qe Shqiperia s’i ka eshte hajgare me te rinjte dhe prinderit e tyre .Ne kushtet e shpopullimit te Shqiperise duhen mbyllur shkollat me nga 4-5 nxenes ,duhet inkurajuar online learning dhe universiteti ose te behet pak e sak ose te mbyllet fare .Shqiptaret te cilet duan nje arsim te mire per femijet e kane gjetur menyren ti cojne jashte me studime .Ne vend kane mbetur fakiret te cilet s’kane ku shkojne e marrin nje diplome qe s’iu hyn ne pune.

  3. Disa dite me pare ne Kanada neper gazeta shkruhesh me te madhe se resultate e testeve te matematikes ne shkollat kanadeze ( por edhe reading score) jane 15% me poshte se sa ne vitin 2018. Nje renie prej 20 % eshte e barabarte me humbjen e nje viti shkollor. Por per ngushellim, gazetat permendnin se ka edhe me keq, dhe se resultatet ne vende te tjera te zhvilluara si puna e Gjermanise apo Hollandes ishin ca edhe me poshte.
    Renia e cilesise ne edukim nuk eshte vetem nje fenomen shqiptar, me sa duket. Kam pershtypjen se ka te beje me prioritetet e nje shoqerie.

    Ka nje pasazh ne Decline and Fall of Roman Empire, ku Gibbon pershkruan se si romanet qe kishin ndertuar Pantheonin, Koloseumin, rruget dhe aqueducts te Romes the Europes, nuk ishin me ne gjendje te mirembanin trashegimite e lene prej paraardhesve te tyre. As nuk dinin me e as nuk mundeshin me…

    Nje nga masat e para te Rusise mbas fillimit te luftes ne Ukraine ishte hedhja poshte e Bologna Education System, dhe rikthim te plote te edukimit te mbeshtetur ne sistemin sovjetik.

    Kurse im bir, per te shkruar nje leter profesionale perdor Chatgpt. Ai shkruan mire. Madje shume mire. Qe ne femijeri.
    “Pse” e pyes un.
    “S’kam kohe” – me tha…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin