Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

PËR NJË SHKOLLË DEMOKRATIKE DHE HUMANE

“Gjuha është thelbi i kulturës. Kur humbasim gjuhën tonë, humbasim një pjesë të pasurisë sonë kulturore…”

Me këto fjalë, Lambrini Papachristodoulou, nxënëse e një liceu në Greqi, mbylli dokumentarin e saj për arvanitishten në fshatin Limnes të Argolidës[1]. Edhe pse dokumentari përmban pasaktësi shkencore, ai trajton një temë që shumë studiues në Greqi nuk kanë guxuar ta prekin dhe meriton vlerësim.

Titulli i këtij shkrimi i referohet librit Duke ndërtuar një shkollë demokratike dhe humane i Petros Charavitsidis[2], botuar në vitin 2013. Libri bazohet në doktoraturën e autorit dhe studion përpjekjet e një grupi mësuesish në një shkollë fillore të Athinës (1999–2007), ku shumica e nxënësve ishin fëmijë emigrantësh, kryesisht shqiptarë. Qëllimi ishte krijimi i një shkolle që ofronte arsim të barabartë për të gjithë[3].

Studimi tregon se, përmes bashkëpunimit të mësuesve, prindërve dhe nxënësve, u arrit të ndërtohej në praktikë modeli i një shkolle demokratike dhe humane[4].

Dua të ndalem te mesazhi i nxënëses për gjuhën. Ajo që thotë vlen për çdo gjuhë apo dialekt: nuk ka gjuhë superiore apo inferiore. Asnjë njeri nuk duhet të turpërohet për gjuhën që flet në shtëpi. Ajo është pasuria e tij e parë.

Ky libër u përgjigjet shumë pyetjeve që janë ngritur gjatë dekadave të emigracionit shqiptar në Greqi dhe jo vetëm atje. Ai është studimi i parë i këtij lloji, i realizuar me metodën Grounded Theory[5], ku autori, njëkohësisht mësues në shkollë, ndjek nga afër jetën e saj dhe mbledh dëshmi nga mësues, prindër dhe nxënës. Kjo bie në kontrast me debatin publik grek, ku shpesh janë shprehur opinione për emigrantët shqiptarë pa u mbështetur në kërkime shkencore.

Profesori Giorgos Tsiakalos, në parathënien e librit, përshkruan realitetin e një shkolle ku mbi 70% e nxënësve ishin fëmijë emigrantësh. Në vend që ta konsideronin këtë si problem, drejtoresha dhe mësuesit vendosën ta shndërronin në një mundësi. Siç shkruan ai, përgjigjja e tyre ishte: “Ndërtojmë për fëmijët tanë një shkollë demokratike dhe njerëzore – me forcat tona!”[6].

Kështu nisën disa iniciativa novatore:

  • mësime vullnetare të gjuhës greke për prindërit emigrantë;
  • mësime të gjuhës amtare për nxënësit shqiptarë;
  • zëvendësimi i lutjes ortodokse të mëngjesit me poezinë “Ylli i mëngjesit” të Janis Ricos, në mënyrë që asnjë nxënës të mos ndihej i përjashtuar për shkak të fesë[7].

Libri argumenton se problemet e shkollave me përqindje të lartë emigrantësh nuk lidhen me praninë e tyre, por me mungesën e politikave mbështetëse, materialeve të përshtatshme dhe respektimit të diversitetit[8]. Drejtoresha dhe mësuesit e panë multikulturalizmin si një pasuri dhe investuan në të[9][10].

Një nga iniciativat më domethënëse ishte komunikimi me prindërit në gjuhën e tyre amtare. Për herë të parë, prindërit shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera merrnin letra informuese në shqip ose në gjuhën e tyre. Kjo krijoi besim dhe ndjenjën se trajtoheshin si të barabartë.

Mësimet e gjuhës greke nuk kufizoheshin vetëm te gjuha. Mësuesit ndihmonin prindërit edhe me procedurat burokratike dhe me njohjen e të drejtave të tyre. Në libër dokumentohen raste kur drejtues shkollash refuzonin regjistrimin e fëmijëve emigrantë për mungesë dokumentesh, ndonëse kjo ishte në kundërshtim me ligjin[13]. Këto dëshmi përputhen me përvojën e shumë emigrantëve shqiptarë në vitet ’90.

Mësuesit shërbenin edhe si një hapësirë besimi ku prindërit ndanin përvojat e tyre me diskriminimin, policinë dhe administratën. Libri dokumenton se shqiptarët ishin grupi që raportonte më shpesh cenimin e dinjitetit dhe stigmatizimin për shkak të origjinës së tyre[14].

Gradualisht u krijua një marrëdhënie e fortë besimi mes prindërve dhe mësuesve. Prindërit merrnin pjesë në aktivitetet e shkollës, sillnin ushqime tradicionale, organizonin takime dhe shprehnin mirënjohjen e tyre ndaj mësuesve[15].

Një nga kontributet më të rëndësishme të librit lidhet me gjuhën amtare. Autori kujton se UNESCO, që në vitin 1953, ka theksuar se gjuha amtare është mjeti më i mirë për edukimin e fëmijës[16][17]. Megjithatë, ligji grek i vitit 1996 për mësimin e gjuhëve amtare mbeti kryesisht në letër[18].

Libri mbështetet edhe në kërkime të tjera që tregojnë se nxënësit shqiptarë zhvillonin një prirje të fortë drejt asimilimit[19], fenomen që lidhej me pasigurinë dhe stigmatizimin e vazhdueshëm në shoqërinë greke[20]. Këtë e dëshmon edhe një nga aktorët më të spikatur të brezit të ri në Greqi, Dhimitri Kapurani, me origjinë shqiptare. Në një dokumentar, ai rrëfen me dhimbje se si e humbi plotësisht gjuhën shqipe dhe sa e rëndë ishte barra e identitetit të tij shqiptar, një identitet që për dekada me radhë u përpoq ta fshihte, i bindur se vetëm kështu mund të pranohej nga shoqëria ku u rrit[21].

Charavitsidis kritikon gjithashtu sistemin arsimor grek për modelin e tij monokulturor, i cili injoron gjuhët dhe kulturat e nxënësve emigrantë dhe ushqen një identitet kombëtar të mbyllur[22][23][24].

Në të kundërt, studimet ndërkombëtare tregojnë vazhdimisht se mësimi i gjuhës amtare përmirëson rezultatet shkollore, zhvillimin njohës dhe integrimin e fëmijëve dygjuhësh [25][26]. Për këtë arsye, vende si Gjermania dhe Finlanda e zbatojnë prej vitesh këtë politikë, ndërsa edhe në Berlin e Brandenburg, mësimi i gjuhës shqipe ofrohet në shkollat publike kur ka kërkesë të mjaftueshme[27][28][29].

Në shkollën e studiuar, mësimet e gjuhës shqipe patën një pjesëmarrje shumë të lartë. Brenda pak ditësh u regjistruan dhjetëra nxënës, gjë që tregoi se prindërit dhe fëmijët e dëshironin këtë mundësi. Suksesi i tyre lidhej me faktin se gjuha dhe identiteti i nxënësve nuk trajtoheshin si pengesë, por si vlerë për të gjithë komunitetin shkollor[30].


Këtë e konfirmon në 2025 edhe një ish-nxënëse e kësaj shkolle, e cila ishte pjesë e saj gjatë periudhës që studion libri. Në podcastin në gjuhën greke «Η σκληρή αλήθεια για τους Αλβανούς στην Ελλάδα» (E vërteta e hidhur për shqiptarët në Greqi)[31], ajo kujton:

“Mbi gjysma e fëmijëve në shkollë vinin nga shtete të tjera, kryesisht nga Shqipëria. Mësuesit dhe drejtoresha i kushtonin rëndësi të veçantë integrimit të nxënësve. Ndër nismat e tjera, në shkollë zhvilloheshin mësime të gjuhës amtare për nxënësit emigrantë, si edhe kurse të gjuhës greke për prindërit e tyre. Për dy vjet ndoqa mësimet e gjuhës sime amtare dy herë në javë dhe, siç mund ta imagjinoni, kjo ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua dhe për formimin e identitetit tim. Fakti që mësuesit më inkurajonin të mësoja gjuhën time amtare kishte një vlerë të madhe, sidomos kur në lajme dëgjoje gjithçka që ndodhte në zona të tjera dhe kur shihje – ose edhe sot sheh – shqiptarë që turpërohen të flasin gjuhën e tyre amtare në vende publike”.

Ky libër, ky studim, mund të futet në kontekstin e çdo qyteti të botës ku ka fëmijë emigrantësh apo pakicash që flasin një gjuhë tjetër nga ajo dominuese. Ai tregon se fëmijët nuk integrohen duke u kërkuar ose duke i detyruar të fshijnë gjuhën dhe identitetin e tyre, por duke i mbështetur në drejtimin e kundërt, duke krijuar një mjedis ku gjuha dhe identiteti i tyre respektohen, mirëpriten ose, të paktën, nuk përbuzen. Kjo është rruga drejt një shkolle (ose edhe një shoqërie) demokratike dhe humane.

(c) 2026 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Referencat:

[1]https://argolika.gr/2024/09/23/ntokimanter-mathitrias-gia-ta-arbanitika-stis-limnes-argolidas/ 

[2]https://books-in-greek.gr/index.php?route=product/product&product_id=78646&search=%CE%95%CF%80%CE%AF%CE%BA%CE%B5%CE%BD%CF%84%CF%81%CE%BF&sort=p.price&order=DESC&page=5&limit=50

[3]Nga konkluzionet e autorit të librit, f. 367.

[4]Nga kopertina e librit.

[5]https://pmc.ncbi.nlm.nih.gov/articles/PMC6318722/

[6]f. 18-19

[7]http://ebooks.edu.gr/ebooks/v/html/8547/2228/Keimena-Neoellinikis-Logotechnias_A-Gymnasiou_html-empl/index10_04.html

[8]f. 25

[9]https://www.unesco.org/en/articles/why-mother-language-based-education-essential

[10]https://culturalinfusion.org.au/6-reasons-why-multicultural-education-is-essential-in-our-diverse-world/

[11]f. 107

[12]f. 147

[13]f. 149

[14]f. 154-155

[15]f. 192

[16]https://www.unesco.org/en/articles/why-mother-language-based-education-essential

[17] “Edukimi ndërkulturor”, E. Kanakidou, V. Papajani, Ellinika Grammata 1994, f. 59 (“Διαπολιτισμική εκπαίδευση”, Ε. Κανακίδου, Β. Παπαγιάννη, Ελληνικά Γράμματα 1994, σ. 59).

[18]f. 201

[19]f. 201

[20]https://peizazhe.com/2025/01/27/shqiptaret-e-greqise-%ce%bf%ce%b9-%ce%b1%ce%bb%ce%b2%ce%b1%ce%bd%ce%bf%ce%af/

[21]https://www.youtube.com/watch?v=6zW06BdnURA&t=2610s 

[22]f. 203

[23]“Cili është atdheu ynë? Etnocentrizmi në arsim”, Α. Frangkoudaki, Th. Dragona, Alexandria 1997, f. 143 (Τι ειν’ η πατρίδα μας. Εθνοκεντρισμός στην Εκπαίδευση, Α. Φραγκιουδάκη, Θ. Δραγώνα, Αλεξάνδρεια 1997, σ. 143).

[24]“Etnocentrizmi dhe multikulturalizmi: kërkimi i një orientimi të ri të arsimit”, Ν. Askouni, Hellenic Open University, 2001, f. 74 («Εθνοκεντρισμός και πολυπολιτισμικότητα: η αναζήτηση ενός νέου προσανατολισμού της εκπαίδευσης», Ν. Ασκούνη, Ελληνικό Ανοικτό Πανεπιστήμιο 2001, σ. 74).

[25]f. 204

[26]https://www.ohchr.org/en/instruments-mechanisms/instruments/convention-rights-child#:~:text=States%20Parties%20shall%20respect%20and%20promote%20the%20right%20of%20the,artistic%2C%20recreational%20and%20leisure%20activity.

[27]https://www.esffm.org/en/about-us/language-policy

[28]https://www.turku.fi/en/early-childhood-education-and-preschool-education/support-multilingual-children#:~:text=In%20Turku%2C%20all%20children%20in,a%20group%20of%20other%20children.

[29]https://kosova.info/ambasada-e-kosoves-ne-gjermani-thirr-prinderit-shqiptare-ti-regjistrojne-femijet-per-mesimin-e-gjuhes-shqipe/

[30]f. 207

[31] https://www.youtube.com/watch?v=RzLx1A-WSqw&t=11s


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading