KRONIKË E NJË VENDIMI TË PARALAJMËRUAR

nga Agron Alibali

  1. Sipari; 2. Butrinti në shqyrtim kushtetues; 3. Misteri i qëndrimit të UNESCO-s; 4. Testi i Portit të Durrësit; 5. A do ta rrëzojë Gjykata Kërkesën? 6. Teatri absurd i gjykimit kushtetues; 7. Vendim i paragjykuar dhe i paralajmëruar?

Beteja për Butrintin hyri në finale të vet. Të Enjten, më datë 30 nëntor 2023 Gjykata Kushtetuese dëgjoi argumentet përmbyllëse. Vendimi mund të shpallet në çdo kohë, edhe pse gjykuar nga argumentet e shumta dhe komplekse, si dhe nga lënda voluminoze, do të duhet ca kohë për ta zbardhur. 

  1. Sipari

Nuk e teprojmë të themi se Beteja për Butrintin u çel në faqet e kësaj reviste më 1 qershor 2020. Analizuam atje Ligjin nr. 27/2018 Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, ligj me porosi, që parashikonte të ashtuquajturin “administrim indirekt” të Butrintit, ku shteti mbante vetëm çelësat e kashtës, në papajtueshmëri me Konventën e Parisit të v. 1972 për rol “parësor”, dhe me Kushtetutën e Shqipërisë [nenet 3, 5 dhe 116.]. [Siç mësuam më vonë, ligji madje nuk ishte mbështetur as në Konventën e Parisit, fakt i denoncuar nga deputetja Ina Zhupa më 28 shkurt 2023 para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kurse gjatë shqyrtimit kushtetues doli që ligji ishte kritikuar edhe nga vetë UNESCO-ja.]

Ndërkaq, në SHBA dhe në UNESCO ish-Kongresmeni DioGuardi ngriti shqetësimet të përligjura që AADF-ja po zbatonte në Shqipëri një model të panjohur as nga Konventa e Parisit dhe as në Amerikë, ku Shërbimi Kombëtar i Parqeve (National Park Service) ishte autoriteti shtetëror me përgjegjësi ekskluzive dhe të paderogueshme për parqet kombëtare.[1]

Kur ligji zbatues nr. 50/2022 për tjetërsimin e Butrintit po shqyrtohej në Kuvendin e Shqipërisë spikati angazhimi i guximshëm dhe elokuent i deputetes së Sarandës, Dr. Ina Zhupa, që nxiti transparencën e akteve pjesë integrale e ligjit, deri atëhere të mbajtura sekret. Po ashtu, ajo denoncoi në Kuvend deklaratat e arkeologut kontrovers britanik Riçard Hoxhes dhe paraqiti nismën ligjvënëse për ndryshimin e neneve 171-172 të Ligjit 27/2018, duke mbyllur shtegun ligjor për tjetërsimin e Butrintit.

  1. Butrinti në shqyrtim kushtetues

Por kjo s’mjaftoi. Rruga mbetej për në Gjykatën Kushtetuese. Kështu, më 15 nëntor 2022, Kërkesa e nënshkruar nga 36 deputetët qëndrestarë u regjistrua zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

U përfshiva në këtë betejë juridike historike me shpirtin e vullnetarizmit amerikan. Angazhimi me deputeten I. Zhupa dhe kolegun F. Nuri ishte njëfarë rijetimi i punës dhe përpjekjeve në çështjen tjetër madhore, asaj të Marrëveshjes së Delimitimit Detar Shqipëri – Greqi në v. 2009-2010, ku mbështeta Kërkuesin, që ishte opozita socialiste.[2] Kurse për Butrintin tryezat ishin përmbysur. Rotacioni politik kishte bërë rokadën, ndërsa unë kisha mbetur statik: me opozitën.

Çështja e Butrintit ishte komplekse dhe e thjeshtë. E thjeshtë sepse shkeljet e Kushtetutës ishin të dukshme e të shumta. Komplekse, sepse ato duheshin provuar e argumentuar. Në mbështetje të Kërkesës u rradhit Kontrolli i Lartë i Shtetit! Edhe Avokati i Popullit parashtroi një Opinion Këshillimor në favor të Kërkuesit. Kundër kishim Goliathin, ose  gjithë të tjerët, përfshirë AADF-në me fondet e veta thuajse të pashtershme.

Si akt miratues, ligji objekt kundërshtimi përbëhej nga dy nene dhe 4 rreshta. Në thelb përbëhej nga Marrëveshja midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit [FMB], e shoqëruar me Planin e Biznesit dhe Protokollin e FMB-së me Institutin e Arkeologjisë, ku relevancë të drejtpërdrejtë kishin edhe disa akte të tjera pararendëse.

Papajtueshmëria me Kushtetutën u trajtua në këto drejtime kryesore: (i) me Konventën e Parisit, të v. 1972; (ii) funksionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit; (iii) rolin e shtetit për mbrojtjen e identitetit dhe kulturës kombëtare; (iv) mosmarrëveshjen kushtetuese midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ për anashkalimin e projektligjit Zhupa; (v) papajtueshmërinë me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Kërkuesi së fundi ngriti edhe (vi) cënim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Thelbi i çështjes është nëse modeli i ri rregullator në Butrint i miratuar me ligjin objekt kundërshtimi është apo jo në pajtim me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit për Trashëgiminë Botërore dhe Natyrore, ku Shteti Palë ka rol “parësor”, si dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [KEDNJ]. Theksojmë këtu se, ndryshe nga sa mendohet përgjithësisht, modeli i ri nuk bën fjalë për “administrim” në kuptimin e mbarështimit apo përkujdesjes në Fjalorin e Gjuhës Shqipe.[3]

Në të vërtetë, Shteti transferon tek FMB-ja thuajse gjithshka, përveç tapisë. Shteti transferon të drejtën reale të posedimit, përdorimit, shfrytëzimit, gëzimit, të drejtën për kalim mbi dhe nën Butrint, të drejtën për hyrjen dhe daljen në Butrint, kontrollin, detyrimin  e mbrojtjes, konservimit, prezantimit dhe transmetimit për brezat e ardhshëm të vlerave të Butrintit, të drejtën për të ndërtuar, operuar dhe mirëmbajtur qendrën e vizitorëve,  dhe më së fundi, edhe të drejtën për të administruar gjithë pasurinë kulturore të UNESCO-s, si dhe brendin [brand[] apo markën tregtare të Butrintit.  Në dorën e shtetit mbetet, pra, vetëm certifikate e pronësisë e Butrintit, ndryshe çelësat e kashtës.

Proceduralisht Pala Kërkuese u përball me tri probleme kryesore:

  • Përfshirja si Subjekt i Interesuar e FMB-së që, në mendimin tonë, nuk ishte formuar në përputhje me ligjin, për shkak të mospërmbushjes së kriterit të fondit të themelimit në momentin e ngritjes së tij, siç sanksionon Kodi Civil dhe legjislacioni i OJF-ve. Për këtë ne kërkuam zëvendësimin e FMB-së me AADF-në, por kjo nuk u pranua;
  • Përfshirja e një “Opinioni Ekspertësh Ligjorë” [OEL] nga FMB-ja në Parashtrimet e saj, i pakërkuar nga Gjykata. Si opinion i porositur, OEL-ja mbështeste pa rezervë modelin e pashembullt rregullator në Butrint kinse nën autoritetin akademik të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenevës. Por pas një komunikimi midis deputetes Zhupa dhe Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenevës na u konfirmua se OEL-ja nuk ishte as produkt dhe as ishte mbështetur financiarisht nga ai Fakultet apo ndonjë prej departamenteve të tij.[4] Por kjo s’mjaftonte. OEL-ja duhej kundërshtuar me argumente juridike, ku spikati goditja e tezës krejt absurde se sot në botë ndodhemi përballë një “ndryshimi tektonik” në modelet e administrimit.
  • Fshehja e komunikimeve me UNESCO-n dhe mosnjohja e qëndrimit të saj institucional ndaj modelit të pashembullt rregullator që po imponohej në Butrint.
  1. Misteri i qëndrimit të UNESCO-s

Dhe në një vend si Shqipëria, që s’ka shumë sekrete, qëndrimi institucional i UNESCO-s për Butrintin u kthye në një prej sekreteve më të ruajtura shtetërore.

Opinioni i UNESCO-s kishte vlerë provuese për çështjen. Indikacionet ishin që UNESCO-ja kishte pasur shqetësime të thella e thelbësore. Një Mision i Përbashkët i Qendrës së Trashëgimisë Botërore (QTB)/ICOMOS kishte ardhur në Butrint në tetor 2022. Më 15 shkurt 2023 vetë Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Dr. Audrey Azoulay, ishte takuar në Tiranë me E. Ramën dhe E. Margaritin.

Pala Kërkuese qysh në fillim kërkoi të gjitha dokumentet dhe komunikimet midis UNESCO-s dhe Tiranës Zyrtare lidhur me Butrintin. Gjykata e miratoi Kërkesën, por qeveria nxorri vetëm materiale dhe komunikime për vitet 2018-2020. Me interes të veçantë për Palën Kërkuese ishte, pra, (i) Raporti i misionit të UNESCO-s i tetorit 2022 dhe (ii) Vendimi eventual i Komitetit të Trashëgimisë Botërore [KTB] lidhur me të, që duhet të jetë marrë në tetor – nëntor 2023.  Por deri në ditën e Seancës Plenare të 30 nëntorit 2023 Gjykata dhe Kërkuesi nuk kishin dijeni nëse Raporti dhe Vendimi përkatës i UNESCO-s për Butrintin i ishin dërguar qeverisë shqiptare.

Misteri i ekzistencës së qëndrimit të UNESCO-s më në fund u shua më 30 nëntor 2023. Pikërisht para Argumenteve Përfundimtare përfaqësuesi i Kryeministrisë paraqiti një komunikim midis Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadores B. Kadaré, ku pretendohej se asgjë nuk pritej nga UNESCO-ja në 6 muajt e ardhshëm. Kjo s’kishte fare lidhje me çështjen, por solli disa detaje të rëndësishme.

E-maili i orës së vonë i datës 29 nëntor 2023 nga Ministria e Kulturës i kërkonte Ambasadores Kadaré në UNESCO “informacion për ecurinë e punës për raporte të reja nga QTB/UNESCO në lidhje me Butrintin”. Pra, zyrtarja e Ministrisë së Kulturës konfirmonte indirekt për herë të parë se Tirana zyrtare kishte marrë nga UNESCO-ja “raporte”, por tani po interesohej për “të reja”.

Ambasadorja Kadaré nuk priti të nesërmen për t’u përgjigjur. 28 minuta më vonë, më saktë në ora 23.09 të datës 29 nëntor 2023 – ditë feste zyrrtare – ajo sqaronte se “raporti i gjendjes së konservimit të Butrintit që do të dorëzohet nga pala jonë më 1 shkurt 2024 do të shqyrtohet në Sesionin e 46-të KTB-së, që do të zhvillohet në korrik 2024. Bazuar në komentet e ICOMOS dhe QTB, Komiteti do të miratojë edhe një rezolutë lidhur me raportimin tonë dhe hapat e mëtejshme që duhen marrë”.

 Togfjalëshi me interes këtu është “bazuar në komentet ICOMOS dhe QTB”, i cili nënkupton kohën e ardhme, por nuk përjashton as kohën e shkuar, pra ekzistencën pikërisht të Raportit të misionit të përbashkët QTB/ICOMOS të tetorit 2022.

Pyetja që ngrihej ishte kjo: në analogji me Vendimin tejet kritik të UNESCO-s për Liqenin e Ohrit të datës 13 shtator 2023, ku ajo shprehu “shqetësimin më tê thellë” dhe kërkoi “ndalimin e punimeve” në Parkun Ujor Drilon Tushemisht – ku ëshë përfshirë edhe AADF-ja -, a e kishte marrë qeveria shqiptare Raportin e Misionit të tetorit 2022 si dhe Vendimin eventual të KTB-së për Butrintin, bazuar në atë Raport?

Kjo pyetje e rëndësishme mbeti pa sqaruar për Gjykatën, e cila tani përballet me riskun për të vendosur në errësirë për një çështje historike e me rëndësi të jashtëzakonshme. Mirëpo bazuar në kushtetutshmërinë dhe interesin më të lartë të drejtësisë, në rast se qeveria i ka mbajtur të fshehta këto dokumente, kjo rrezikon rihapjen dhe rigjykimin e çështjes [shih Poshtëshënimin 10].

Po cilat janë opsionet para Gjykatës?

  1. Testi i “Portit të Durrësit”

Së pari, Gjykata mund ta pranojë Kërkesën bazuar në shkelje të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare. Sipas jurisprudencës së saj, “një ligj që bie ndesh me një rregull të përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare cenon rendin kushtetues.”[5] Nëse e zbatojmë këtë test, që po e quajmë “testi i Portit të Durrësit”, atëhere shtrohen 4 pyetje:

  1. Cili është rregulli i përgjithshëm i së drejtës ndërkombëtare?
  2. Cila është shkelja e pretenduar?
  3. Cili është ligji që realizon shkeljen?
  4. Pse shkelja cenon rendin kushtetues?

Lidhur me Konventën e Parisit rregulli i përgjithshëm është që Shteti Palë luan rol “parësor” në detyrën për identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin, dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm të pasurisë së trashëgimisë botërore me vlera të jashëzakonshme universale [neni 4 i Konventës]. Po ashtu, rregulli i përgjithshëm është see Fondacionet kanë vetëm funksionin e thirrjes së fondeve. [neni 17 i Konventës].

Shkelja e pretenduar është se (i) modeli i ri rregullator dhe struktura e tij e zhvendos rolin “parësor” nga shteti tek një fondacion OJF, dhe (ii) fondacioni në fjalë del përtej kuadrit të thirrjes së fondeve.

Ligji që realizon shkeljen është Ligji nr. 50/2022 dhe aktet pjesë integrale të tij, pasi modeli i ri rregulator ngrihet në nivelin e aktit normativ.

 Shkelja cenon rendin kushtetues sepse përmbys në thelb strukturën themelore të rendit kushtetues në Shqipëri, të parashikuar në nenin 116.1, si edhe nenin 5 të Kushtetutës, duke barazuar ligjin objekt kundërshtimi me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit.[6]

Së dyti, Gjykata mund ta pranojë Kërkesën bazuar në Parashtrimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit [KLSH], ku u argumentua me pjekuri e profesionalizëm të lartë se ligji objekt kundërshtimi, bashkë me aktet pjesë integrale të tij, cenojnë autoritetin dhe funksionet kushtetuese të KLSH-së, pasi ndalojnë auditimin e fondeve të gjeneruara nga shitja e biletave dhe shfrytëzimi i pasurisë publike të Butrintit. Kjo u konfirmua edhe nga qëndrimi i FMB-së sipas së cilit KLSH-ja lejohet të auditojë vetëm fondet e ardhura nga buxheti i shtetit. Përderisa asgjë nuk vjen nga buxheti, pasi Butrinti vetëfinancohet nga të ardhurat e veta si pasuri publike, llogaritë e FMB-së ndalohet të auditohen nga KLSH-ja, çka cenon mandatin kushtetues të saj.

Së treti, Gjykata mund ta pranojë Kërkesën për “mosmarrëveshje kushtetuese” dhe cenim të parimit të ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve [Neni 7 i Kushtetutës], pasi pushteti ekzekutiv përshpejtoi miratimin e ligjit objekt kundërshtimi duke anashkaluar projektligjin Zhupa, të ardhur nga pushteti legjislativ. Në këtë rast Gjykata mund ta pezullojë ligjin dhe ta kthejë për rishqyrtim sipas procedurave parlamentare.

Së katërti, Gjykata mund ta pezullojë vendimmarrjen dhe të kërkojë opinion këshillimor nga Komisioni i Venecias.

  1. A do ta rrëzojë Gjykata Kërkesën?

Dhe së fundi, Gjykata mund ta rrëzojë Kërkesën me arsyetimin kinse nuk u ngrit në rrafsh kushtetues. Hapi i fundit është sa i mundshëm, aq edhe problematik për Gjykatën.

Në çështjen Marini ndaj Shqipërisë [3738/02] GJEDNJ-ja nuk ka ngurruar të drejtojë kritika ndaj Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Mirëpo a do të lejonte kjo e fundit që vendimet e saj të rishqyrtoheshin nga Gjykata më e lartë evropiane, aq më tepër që anëtarë të gjykatës shqiptare mund të synojnë për t’iu bashkuar nesër asaj trupe të nderuar?

Fakti që Kërkuesi ka ngritur edhe çështjen e shkeljes së KEDNJ-së e detyron Gjykatën ta shqyrtojë imtësisht pretendimin e Kërkuesit për shkelje të jurisprudencës së GJEDNJ-së, si dhe të Nenit 6 të Konventës për procesin e rregullt ligjor. Mirëpo kjo çel shtegun për shqyrtimin në trajtë apeli në Strasburg të vetë vendimit të saj.

6. Teatri absurd i gjykimit kushtetues

Me shumë gjasë skema e pashembullt e imponuar në Butrint është ide e Riçard Hoxhesit, siç e ka argumentuar në një libër të vetin. Vëreja pjesëmarrësit e procesit në atë sallë të vogël gjyqësore gjatë seancave plenare dhe më dukej vetja si në një teatër absurd, ku aktorët luanin rolet e veta, ndërkohë që regjisori Hoxhes ishte mijëra kilometra larg. Por roli i groteskut në këtë teatër absurd ndofta do t’u takonte përfaqësuesve të Presidencës, të cilët nuk u paraqitën as edhe një herë të vetme në sallë, jo më të mbështesnin qëndrimin institucional të paraardhësit, sikurse normalisht do të pritej prej tyre.

Vëreja nëntë gjyqtarët, juristë të dorës së parë, që me vëmendje e seriozitet maksimal dëgjonin argumentet e palëve, edhe pse ngandonjëherë ato nuk ishin relevante. Vëreja përfaqësuesit e palëve që argumentonin e kundështonin shpesh me zjarr e zemër për një kauzë madhore, shpëtimin e Butrintit. Ironia është se të gjithë – pa përjashtim – do të dilnin të fituar nga kjo kauzë në rast se Gjykata do të pranonte Kërkesën. Përveç regjisorit.

Shumëkush i përballur me kritika e akuza të drejtpërdrejta, si në rastin e Hoxhesit, ose do të kishte reaguar duke i mohuar a sqaruar ato, ose do të kishte dhënë dorëheqjen. Kurse Hoxhesi i ka injoruar të gjitha kritikat, por me penën e tij fort të pëlqyeshme dhe të sinqertë, ka shkruar sërish për Butrintin, botim të v. 2022, ku ka një kapitull të tërë për të. Atje ai duket se konfirmon pikëpamjen e vet të mbrapshtë se Butrinti është “shqiptar falë Lordit Grey”.[7]

Mirëpo atje Hoxhesi bën edhe një pohim tjetër sa të sinqertë, aq edhe të jashtëzakonshëm. Shkruan ai në hyrje të kapitullit të vet:

“Me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Kulturës Fondacioni Shqiptar Amerikan i Zhvillimt [AADF] ka marrë në dorë administrimin e sitit arkeologjik të Butrintit për të zhvilluar një projekt pilot të trashëgimisë kulturore në vend”.[8]

7.  Vendim i paragjykuar dhe i paralajmëruar?

E pra, Hoxhesi e bën gjënë fakt të kryer. Fait accomplit. Në kohën e kryer të foljes. Ai pranon edhe rolin real të AADF-së në Butrint. Siç del nga deklarimi i tij, me gjasë i hartuar në 2021, gjithshka lidhur me Butrintin – procedura, diskutimet, miratimi me ligj në Kuvend në maj 2022, debati i ndezur në publik, përpjekjet e shoqërisë civile, të gjitha paskan qenë vetëm një farsë. Gjithshka paska qenë e paravendosur qysh më 2021.

Por ka edhe më. Ende pa u shuar jehona e deklaratës së Kryetares Zaçaj më 30 nëntor 2023 se Gjykata do të tërhiqej për të marrë vendim, FMB-ja shpalli me shpejtësi hapjen e dy tenderave për dy projekte në Butrint.[9] Duhet të pranojmë se vetësiguria e dy bashkëdrejtorëve ekzekutivë të AADF-së për një vendimmarrje kushtetuese pozitive dhe të favorshme për ta është sa e pashembullt, aq edhe mbresëlënëse…

Gjykuar nga qëndrimi i Hoxhesit më 2021 dhe i FMB-së më 1 dhjetor 2023, mos vallë ndodhemi vërtetë përpara një vendimi të paragjykuar dhe të paralajmëruar të Gjykatës Kushtetuese?

Një ndër trupat gjyqësore më të famshme dhe me reputacion më të lartë në botë është Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. E pra edhe ajo Gjykatë e nderuar ka njolla në veprimtarinë e vet. Një e tillë e zezë është vendimi në çështjen Korematsu vs. U.S.A.  323 U.S. 214 (1944), ku Gjykata e Lartë mbështeti internimin e detyruar të shtetasve amerikanë me prejardhje japoneze pas sulmit të Pearl Harbour-it. Ky vendim sot konsiderohet si “dështim historik dhe i turpshëm i pjesës më të mirë dhe më të shkëlqyer të establishmentit juridik amerikan”.[10]

A do ta shmangë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë një analogji të tillë të mundshme ndaj vetvetes?

Sot Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me të vërtetë ka përballë një vendimmarrje historike. Ajo nuk vendos vetëm për papajtueshmërinë me Kushtetutën të një ligji me 2 nene dhe 4 rreshta. Ajo vendos për Konventën e Parisit, për Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për frymën dhe germën e Kushtetutës së vendit. Një vendim rrëzimi do të trumbetohej menjëherê nga AADF-ja si mbështetje kushtetuese e modelit të vet të pashembullt rregullator, por gjithashtu do të cenonte seriozisht reputacionin e Gjykatës si dhe besimin e publikut në të, pa folur për prestigjin ndërkombëtar.

A do t’ia kthejë Gjykata Kushtetuese dinjitetin, seriozitetin dhe prestigjin këtij vendi, si dhe vetë procesit kushtetues?

 

© 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Siç mësuam më vonë , ligji madje nuk ishte mbështetur as në Konventën e Parisit, fakt i denoncuar nga deputetja Ina Zhupa më 28 shkurt 2023.në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kurse gjatë shqyrtimit kushtetues doli që ligji ishte kritikuar edhe nga vetë UNESCO-ja.

[1] Z. DioGuardi madje i kishte bërë thirrje publike Kryeministrit Rama, ku i propozonte binjakëzimin e Butrintit me një Park Kombëtar Amerikan të Listës së UNESCO-s nën ombrellën e National Park Service, me kusht që të tërhiqej nga angazhimi i tij që Butrinti t’i kalonte AADF-së.

[2] Në atë kohë u ndodha në Boston. Kisha përgatitur një Amicus Curiae. Një kopje ia nisa Gjykatës, një qeverisë dhe një  përfaqësuesit të Opozitës si Kërkuese. Ky i fundit m’u lut që të ndihmoja në Seancën Plenare. Sapo kishte dalë Skype dhe komunikimi në distancë ishte më i lehtë. Seanca Plenare u hap në Tiranë në nëntor 2009, ora 10:00. Në Amerikë ishte ora 4:00 e mëngjesit. U lidha në Skype. Ishim një skuadër e jashtëzakonshme: unë në Boston, Rezart Spahia në Londër, Viola Trebicka dhe Armand Vinçani në Nju Jork. Pas parashtrimeve të palëve nisën pyetjet e gjyqtarëve. Përfaqësuesit e Kërkuesit i shkruanin ato në Skype. Skuadra jonë përgatiste përgigjet. Gjithshka mbaroi rreth orës 8:00 me të Bostonit.

[3] Fjalori i Gjuhës Shqipe e përkufizon kështu: Administroj: 2. Kujdesem për një pasuri ose për një vlerë, që të përdoret mirë sipas rregullave ose sipas nevojave; qeveris, mbarështoj; përdor. Administroj vlerat (të ardhurat, fondet)….Krahaso me përkufizimin e administrimit në Marrëveshjen MK – FMB:

[4] “Informations prises, je peux vous préciser que l’avis de droit auquel vous faites référence n’a pas été rédigé et n’est pas financièrement soutenu par notre faculté ou par l’un de nos départements.” Nga komunikimi i Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Gjenevës, Prof. Audrey Leuba, me deputeten Ina Zhupa, 23 shkurt 2023.

[5] Vendim nr. 36 datë 16.06.2023 (V-36/23). Në atë çështje Gjykata veçoi Marrëveshjen ndërkombëtare Shqipëro – Emirate e Bashkuara nga Ligji Ratifikues. Ajo u shpreh për inkompetencë Ratione Tempori lidhur me Marrëveshjen, duke i hyrë shqyrtimit vetëm të ligjit ratifikues, d.m.th, procedurave formale të ratifikimit tê tij, Zorr se mund të hiqen paralele midis këtij vendimi dhe çështjes së Butrintit.

[6] Një arsyetim analog mund të zbatohet edhe për KEDNJ-në , pasi Kërkuesi ka ngritur pretendime që lidhen me shkeljen e Protokollit 1.1 të Konventës, si dhe të Nenit 6 të saj për “procesin e rregullt ligjor”.

[7] “Albanian thanks to Lord Grey”. Spatialities of Byzantine Culture from the Human Body to the Universe, Myrto Veikou and Ingela Nilsson, Leiden; Boston : Brill [2022], f. 131.

[8] “With the support from the Albanian Ministry of Culture, the Albanian-American Development Foundation (AADF) has taken over management of the [Butrint] archaeological site with the view to developing a pilot project for cultural heritage in the country…”.  Spatialities of Byzantine Culture from the Human Body to the Universe, Myrto Veikou and Ingela Nilsson, Leiden; Boston : Brill [2022], f. 128.

[9] https://bmf.al

[10] “A historic and shameful failure from the best and brightest of the American legal establishment”. Prof. Clif Sloan, The Court at War, Public Affairs, 2023.  Marrë nga the Wall Street Journal, “Roosevelt and his Justices”, 23 shtator 2023. Ironikisht, dënimi i Korematsu-t nga Gjykata e Distriktit Federal në San Francisco u përmbys në vitin 1983 pas riçeljes së çështjes me pretendimin për “government misconduct”, sepse qeveria kishte fshehur dhe zhdukur prova që demonstronin se shtetatit japonezë amerikanë nuk përbënin kërcënim ushtarak ndaj SHBA-së.  Në rastin tonë Gjykata Kushtetuese. duke pasur parasysh “domosdoshmërinë e sqarimit të rrethanave plotësuese, të cilat kanë rëndësi të veçantë për çështjen në shqyrtim”, mund të bazohet në nenin 44 të Ligjit nr. 8577, dt. 10.2.2000 Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe të “vendosë riçeljen e saj”, si dhe në nenin 38.2 të Rregullores për Funksionimin e Gjykatës, që parashikon se “në rast se për marrjen e vendimit çmohet e domosdoshme përgatitja e materialeve ose kërkimeve shtesë, Mbledhja e Gjyqtarëve i përcakton gjyqtarit relator drejtimet ku duhet të ndalet kërkimi ose informacioni, i cili merr masat për përgatitjen dhe paraqitjen e tyre në afatin e përcaktuar.”.

1 Koment

  1. Në këtë shkrim të botuar më 4 dhjetor 2023 u shprehëm se:

    “Pyetja që ngrihej ishte kjo: në analogji me Vendimin tejet kritik të UNESCO-s për Liqenin e Ohrit të datës 13 shtator 2023, ku ajo shprehu “shqetësimin më tê thellë” dhe kërkoi “ndalimin e punimeve” në Parkun Ujor Drilon Tushemisht – ku ëshë përfshirë edhe AADF-ja -, a e kishte marrë qeveria shqiptare Raportin e Misionit të tetorit 2022 si dhe Vendimin eventual të KTB-së për Butrintin, bazuar në atë Raport?

    Kjo pyetje e rëndësishme mbeti pa sqaruar për Gjykatën, e cila tani përballet me riskun për të vendosur në errësirë për një çështje historike e me rëndësi të jashtëzakonshme. Mirëpo bazuar në kushtetutshmërinë dhe interesin më të lartë të drejtësisë, në rast se qeveria i ka mbajtur të fshehta këto dokumente, kjo rrezikon rihapjen dhe rigjykimin e çështjes [shih Poshtëshënimin 10].”

    Pikërisht sot, më datë 22 dhjetor 2023, u mor konfirmim zyrtar se, me të vërtetë Raporti i Misionit të UNESCO-s për Butrintin i tetorit 2022 me të vërtetë u qenka përcjellë autoriteteve shqiptare. Mirëpo UNESCO-ja këtë raport nuk e ka bërë ende publik sepse nuk paska pranuar qeveria shqiptare. Ja edhe pjesa relevante e mesazhit elektronik:

    “Concerning your request on the status of the report of the joint UNESCO World Heritage Centre/ICOMOS Advisory mission, which took place from 26 to 28 October 2022, please be informed that this report has been finalised and transmitted to the competent authorities in Albania, namely the National Institute of Cultural Heritage as the governmental organisation designated as primarily responsible for the implementation of the World Heritage Convention in Albania. The State Party of Albania has not authorised the publication of the report on the World Heritage website.”

    Neni 42 i Ligjit nr. 8577 dt. 10.02.2000 Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese mbulon pikërisht kërkimin e dokumenteve dhe detyrimin për t’i paraqitur ato. Sipas tij:

    “1. Kur shihet e domosdoshme, me kërkesën e pjesëmarrësve në gjykim ose kryesisht, Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë dokumente të cilat kanë lidhje me çështjen në shqyrtim.
    2. Dokumentet e kërkuara administrohen në seancë plenare.
    3. Çdo organ shtetëror, person fizik ose juridik, ka detyrimin t’i vërë në dispozicion Gjykatës Kushtetuese dokumente, të dhëna e njoftime kur këto kërkohen e çmohen të nevojshme për shqyrtimin e çështjes.”

    Kërkuesi i ka kërkuar me këmbëngulje Këshillit të Ministrave nxjerrjen e raporteve dhe vendimeve të UNESCO-s, që materializojnë qëndrimin institucional të saj për Butrintiin. Edhe Gjykata Kushtetuese ka shprehur interes për këtë pikë: https://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_2759_1-94.php

    A do të vendosë Gjykata Kushtetuese për një çështje me rëndësi historike ku në fakt thelbi i çështjes lidhet me Konventën e Parisit, pa marrë në konsideratë dhe pa shqyrtuar qëndrimin e UNESCO-s për Butrintin?

    Të shohim si do të zhvillohen ngjarjet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin