TEATRI VDIQ, RROFTË TEATRI

 nga Agron Alibali

1.Hyrje; 2. Akrobacira të habitshme juridike; 3. Ligji shqiptar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit; 4. Fondacionet private vetëm mund të nxisin donacione; 5. Roli i çuditshëm i AADF-së; 6. Plani i Menaxhimit të Integruar 2020-2030; 7. Larg duart nga Butrinti.

  1. Hyrje

Fundjavën e 3-4 marsit 1933 Ministri amerikan në Tiranë, Herman Bernstein e kaloi në Butrint. I shoqëruar nga Kolë Kuqali, përkthyes zyrtar i Legatës, Z. Bernstein takoi Prof. Ugolinin, i cili kryesonte ekipin e arkeologëve që po bënin gërmime në Butrint, ku merrte pjesë edhe Hasan Ceka. Sipas një njoftimi të gazetës BESA të 8 marsit 1933, “Ministri përshkroi si të pakrahasueshme pasurinë arkeologjike dhe historike të Butrintit, i cili lidh të kaluarën e Shqipërisë me të tashmen e saj”.

Duke u kthyer në ditë tona, Parku Kombëtar i Butrintit është sot perla e turizmit shqiptar. I përfshirë edhe në listën e UNESCO-s si pjesë e Trashëgimisë Botërore, Butrinti ka Vlerë të Jashtëzakonshme Universale [Outstanding Universal Value] dhe mbrohet me kujdes të veçantë nga legjislacioni shqiptar, i cili ka inkorporuar edhe disa konventa të rëndësishme ku Shqipëria është palë. Ndër to kryet e vendit e zë Konventa për Trashëgiminë Botërore e nënshkruar në Paris në vitin 1972.[1]

  1. Akrobacira të habitshme juridike

Ndërkohë që opinioni publik në Shqipëri përcjell me vëmendje debatin demokratik lidhur me Teatrin Kombëtar në Tiranë, me përjashtim të pak prononcimeve, ekziston një indiferentizëm i përkohshëm për fatin e Teatrit Antik të Butrintit dhe, më gjerë, për të tashmen dhe të ardhmen e mbarë Parkut Kombëtar të Butrintit.

Megjithatë, shqetësim të ligjshëm kanë shkaktuar planet për kalimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nën menaxhimin efektiv të një fondacioni të huaj privat. Hapësira ligjore që ka mundësuar një hap të tillë, të pashembullt në historinë dhe praktikën juridike të vendit janë Nenet 171-173 të Ligjit Nr. 27/2018, datë 17.5.2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.[2]

Lidhur me mënyrat e administrimit të pasurive kulturore ky Ligj përcakton çuditërisht se “Pasuritë kulturore në pronësi publike administrohen në formë direkte ose indirekte. [Neni 171.1]. Është pikërisht “administrimi indirekt” që u çel shtegun “fondacioneve të posaçme të trashëgimisë kulturore”[Neni 171.3.a]. Këto krijohen sipas Nenit 172, i cili atyre u jep kompetenca shumë të gjera administrimi. Dispozita u hap rrugë këtyre fondacioneve të posaçme që, në trajtën e personave fizikë ose juridikë privatë “të huaj”, të fitojnë tagrin e marrjes së Butrintit “në përdorim të drejtpërdrejtë, dhe “në mënyrë jo shteruese”.[3] E thënë ndryshe, përmes akrobacive të habitshme juridike që ndërmarrin kapërcimin alogjik nga “administrimi indirekt” tek “përdorimi i drejtpërdrejtë”,  këto tri nene bëjnë që Butrinti në të ardhmen të menaxhohet jo më nga institucionet e shtetit shqiptar, por në thelb nga një fondacion i huaj.

  1. Ligji shqiptar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Parisit

Dispozitat që mundësojnë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga fondacione të huaja private, pavarësisht nga fasadat apo instrumentet juridike të përdorura, janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe me frymën dhe gërmën e Konventës së Trashëgimisë Botërore të v. 1972, ku Shqipëria – por edhe SHBA – janë palë. Me të vërtetë, Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 5, përcakton se “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të.” Më tej, Neni 116 i Kushtetutës përcakton se, sipas hierarkisë juridike, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve. Pra, ligji shqiptar për trashëgiminë kulturore duhet të jetë detyrimisht në pajtim me Konventën e Trashëgimisë Botërore të Parisit.

Duke kaluar tek Konventa e Parisit, parimi themelor i saj është roli i padiskutueshëm parësor i shteteve anëtare [“Shtete Palë”] në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.

Neni 4 i Konventës shprehet mëse qartë se “detyra” [the duty][4] për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti.”. Si mund të zbatohen këto “detyra” nga Shteti Palë nëse ky nuk e menaxhon vetë sitin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore?

Neni 5 është edhe më eksplicit në përcaktimin e detyrimeve konkrete “menaxheriale” të Shtetit Palë, si për shembull, “adoptimi i politikave të përgjithshme”, “integrimi e mbrojtjes së trashëgimisë në programe gjithëpërfshirëse planifikimi” [Neni 5.1]; “ngritja…e shërbimeve për mbrojtjen, konservimin dhe prezantimin…e trashëgimisë...[dhe pajisja e tyre] me personelin e duhur…” [Neni 5.2], zhvillimi i “metodave operacionale” që të aftësojnë Shtetin Palë për t’u ndeshur me rreziqet e mundshme ndaj trashëgimisë [Neni 5.3]; “ndërmarrja e masave të duhura juridike, shkencore, teknike, adminsitrative dhe financiare të nevojshme për identifikin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe rehabilitimin” e trashëgimisë, [Neni 5.4], etj.

Po ashtu, Neni 6 .1 ripohon se “sovraniteti i Shteteve në territorin e të cilit ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrore respektohet plotësisht”, dhe “të drejtat pasurore të mbrojtura në legjislacionin kombëtar nuk paragjykohen”.

Neni 6.3 përcakton rolin unik dhe të pazevëndësueshëm të Shteteve Palë në rregullimin e statutit juridik dhe menaxhimin apo administrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duke përcaktuar se “çdo Shtet Palë zotohet të mos ndërmarrë asnjë masë të qëllimshme [deliberate measure} që mund të dëmtojë direkt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore […] që gjindet në territorin e një Shteti Palë tjetër”.

Kurse Neni 29 përcakton detyrimin e Shteteve Palë [State Parties …shall…] për të raportuar rregullisht para Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s lidhur me “dispozitat legjislative dhe administrative të miratuara” dhe “veprimet e tjera të ndërmarra” për zbatimin e Konventës.  Është mëse e qartë, pra, se menaxhimi i drejtpërdrejtë dhe ekskluziv nga Shteti i një Vendi të Trashëgimisë Botërore është kusht i domosdoshëm për përmbushjen e detyrimeve të tij dhe për garantimin e përputhshmërisë apo pajtueshmërisë me Konventën.

  1. Fondacionet private vetëm mund të nxisin donacione

Konventa e Trashëgimisë Botërore përkufizon fare qartë edhe rolin e fondacioneve të ndryshme “publike ose private” në mbrojtjen e trashëgimisë kultorore dhe natyrore. Sipas Nenit 17 të Konventës, këto fondacione, së pari duhet të jenë vendase, pra jo të huaja [dhe në fakt Konventa përdor termin “national”]; së dyti, ato mund të angazhohen vetëm për qëllime filantropike. Vetëm kaq. Konventa nuk përmend askund se fondacionet vendase [të huajat jo se jo], të angazhohen në çfarëdolloj mënyre për qëllime drejtimi, menaxhimi, administrimi, të dhënies së asistencës për hartim legjislacioni, etj.

Për qartësi po përcjellim të plotë tekstin e Nenit 17 të Konventës së Parisit, në shqip dhe anglisht:

“Shtetet Palë të kësaj Konvente do të marrin në konsideratë ose do të inkurajojnë ngritjen e fondacioneve ose shoqatave vendase publike ose private, qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore sikurse përcaktohet në Nenin 1 dhe 2 të Konventës”. [theksimi yni, A.A.].

The States Parties to this Convention shall consider or encourage the establishment of national public and private foundations or associations whose purpose is to invite donations for the protection of the cultural and natural heritage as defined in Articles 1 and 2 of this Convention.[5] 

Udhëzimet Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore e ripohojnë frymën e Konventës për kufizimin e rolit të fondacioneve private vetëm për “donacione”. Me të vërtetë, Paragrafi 15, “duke respektuar tërësisht sovranitetin e Shteteve Palë në territorin e të cilave ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrore”, rithekson se ato mund “të konsiderojnë dhe inkurajojnë ngritjen e fondacioneve publike dhe private vendase për të lehtësuar donacionet për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore”.[6]

Partneriteti me “organizata” private përmendet vetëm në Paragrafin 40, dhe vetëm në kuadrin e “interesit” për konservimin dhe menaxhimin e Parqeve bazuar në Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Popujve Indigjenë, pra parqeve të ndodhura kryesisht në shtete ish-koloniale që zotërohen nga popullsi indigjene[7]. Partneriteti me “fondacione” vendase, dhe aq më pak “fondacione” të huaja nuk parashikohet aspak në Udhëzimet Operacionale.

  1. Roli i çuditshëm i AADF-së

Për habi, vërejmë se Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit [American Albanian Development Foundation – AADF][8], një fondacion i huaj privat i organizuar sipas ligjeve të shtetit Delaware në SHBA, i paska vënë vetes tagrin të ndërhyjë në politikat sovrane kulturore të shtetit shqiptar, çka vë në pikëpyetje detyrimin e padiskutueshëm të “Shtetit Palë” sipas së drejtës ndërkombëtare dhe të brendshme për zbatimin e dispozitave të Konventës së Parisit për Trashëgiminë Kulturore Botërore të v. 1972.

Kjo gjë shfaqet më se qartë nga një hulumtim i faqeve zyrtare të AADF-së, ku del se kjo e fundit paska pasur si synim qysh më 2014 hartimin e Ligjit problematik për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, madje ka sponsorizuar draftet e këtij ligji. Nga njoftime të shtypit mësojmë edhe faktin e çuditshëm, që mund të interpretohet edhe si trysni e tërthortë e një shtetasi të huaj ndaj institucioneve të një vendi sovran, se në seancën e miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë me 17 maj 2018 të ligjit të mësipërm paska qenë i pranishëm edhe vetë Kryetari i Bordit të AADF-së, z. Michael Granoff.[9]

Me interes të veçantë do të ishte bërja publike e një instrumenti tjetër dypalësh, Marrëveshjes Mirela Kumbaro – Martin Mata të 18 korrikut 2018 midis Ministrisë së Kulturës dhe AADF-së, e cila qenka “rrjedhojë e mbështetjes që AADF ofron për zhvillimin e qëndrueshëm të siteve të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Shqipëri.[10]

Theksojmë se Konventa e sipërcituar e Parisit e v. 1972 nuk përmban askund në tekst konceptin e “zhvillimit të qëndrueshëm” për trashëgiminë kulturore dhe natyrore.   Vetëm në vitin 2015 UNESCO miratoi një Dokument të Politikave për Integrimin e Perspektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Proceset e Konventës së Trashëgimisë Botërore. Në pajtim të plotë me frymën dhe germën e Konventës, Dokumenti gjithnjë dhe në çdo rast që lidhet me zbatimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm u referohet ekskluzivisht “Shteteve Palë”, dhe aspak “fondacioneve të huaja private”. Vetëm në paragrafin 25 të Dokumentit përmenden shkarazi “partneritetet publike- private”, por jo në rrugë detyruese [‘where appropriate “është gjuha e përdorur] dhe vetëm për rastet kur sitet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore janë në pronësi private. Pra, një partneritet i tillë publik privat kurrsesi nuk mund të zbatohet brenda territorit dhe perimetrit të mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit, që është në pronësi të shtetit shqiptar.

  1. Plani i Menaxhimit të Integruar (2020 – 2030)

Me 16 tetor 2019 Kryetari i Bordit i AADF-së, Michael Granoff, i dorëzoi zyrtarisht autoriteteve shqiptare Planin e ri të Menaxhimit të Integruar (2020-2030) të Parkut Kombëtar të Butrintit, të hartuar nga një kompani britanike, për të cilin AADF ka shpenzuar 250,000 dollarë.[11]

Kjo “dhuratë” e shtrenjtë dhe e pakërkuar ofron disa të dhëna interesante. Së pari përmendim “sqarimin” në faqen 1 se “nuk jepet asnjë garanci që parashikimet apo treguesit [e Dokumentit] do të përmbushen”. Me fjalë të tjera, vetë autorët pranojnë se Plani i Menaxhimit nuk është Bibla[12]. Së dyti, Plani i Menaxhimit, sa i takon drejtimit[13], mbështetet në “modele të Siteve të Trashëgimisë Botërore në pronësi të përbashkët (private, publike dhe jofitimprurëse) në kontekstin e një organizate të re jo fitimprurëse, që do të marrë përsipër menaxhimin dhe zhvillimin e sitit, ku shteti mban pronësinë e vlerave kulturore dhe natyrore në emër të tij”.[14] Ky, pra është thelbi i strategjisë së planit të ri të menaxhimit, ku shteti kalon në rolin e sehirxhiut, dhe çelësat e Butrintit i merr “fondacioni i posaçëm i trashëgimisë kulturore”, i parashikuar në Nenin 171.2, dhe i përmendur më lart.

Shembujt specifikë ku autorët e mbështesin strategjinë e tyre janë:

Stonehenge, Kulla e Londrës, Versaja, qyteti romak i Pompeit, dhe Shërbimi Kombëtar i Parqeve në SHBA.[15]

Le të fillojmë nga e fundit. Shërbimi Kombëtar i Parqeve i SHBA (National Park Service – NPS) është agjenci shtetërore federale në varësi të Departamentit të Brendshëm (Department of Interior) në SHBA. NPS-ja, si instrument shtetëror, ka në pronësi federale dhe njëkohësisht menaxhon qindra parqe kombëtare në mbarë territorin amerikan, disa prej të cilave janë pjesë e Trashëgimisë Botërore. Autorët e Planit të Menaxhimit me të drejtë përmendin se NPS “ka ofruar modelet dhe praktikat më të mira të menaxhimit të parqeve kombëtare, duke përfshirë …partneritetet publike private (për hotele, hostele, restorante dhe kampe)”[16]. Autorët, pra, pranojnë vetë se roli i vetëm i çdo lloj partneri jo-shtetëror në menaxhimin e parqeve kombëtare, përfshirë “partnerë strategjikë”, është tek PPP-të “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Pra, edhe në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, çdo partner privat jo shtetëror, përfshirë AADF-në mund të hyjë në marrëdhënie partneriteti si PPP me Ministrinë e Kulturës vetëm – përsërisim – “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Kaq.

Sa u takon siteve të tjera të përmendura, të gjitha ato, përfshirë Stonehenge, janë në pronësi shtetërore dhe drejtohen, administrohen, apo menaxhohen përkatësisht nga shteti anglez[17], francez[18] dhe italian[19], përmes organizmave specifikë administrative me strukture dhe emërtime të ndryshme sipas legjislacionit të brendshëm dhe kurdoherë në përputhje me Konventën për Trashëgiminë Botërore të Parisit. Në asnjë rast, në dijeninë tonë, drejtimi, administrimi apo menaxhimi i tyre nuk u besohen fondacioneve vendase private, aq më pak të huaja. Roli i fondacioneve është kryesisht filantropik.

Më tej, edhe sa i takon menaxhimit ekologjik, biodiversitetit dhe zhvillimit e komunitetit, autorët e Planit të Menaxhimit të Integruar citojnë si praktika më të mira parqet kombëtare amerikane në shtetet Vermont, Luisiana, Delaware dhe Florida. Përsëri ata pranojnë vetë se këto site administrohen nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve i SHBA-së, dhe jo nga fondacione private.[20]

Mirëpo, në kundërshtim me praktikat më të mira të administrimit të parqeve nga organizma administrative të Shteteve Palë, të cituara nga vetë autorët, Plani i propozuar i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit paraqet në ff. 95-98 skemën se si realizohet kalimi i Parkut Kombëtar të Butrintit nën drejtimin, administrimin apo menaxhimin e një fondacioni të huaj, të quajtur me eufemizëm “partner strategjik”, në përputhje me “akrobacinë juridike” të parashikuar në Nenet 171-173 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore e Muzetë, 27/2018. Kjo njëmendësohet përmes ngritjes së një “fondacioni të ri”, si mbulesë juridike e partnerit strategjik.

[Burimi: Plani i Menaxhimit të Integruar, 2020-2030, f. 95]

Fondacioni i Ri, nuk është gjë tjetër veçse një sajesë juridike që ka për qëllim çveshjen e shtetit shqiptar nga prerogativat sovrane për drejtimin, administrimin dhe menaxhimin e pasurive të veta kulturore dhe natyrore, në rastin tonë, të Parkut Kombëtar të Butrintit. Për më tepër, struktura e Fondacionit të Ri është në kundërshtim me frymën dhe germën e Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, që u njeh vetëm Shteteve Palë “detyrën për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij [dhe që] i takon në mënyrë parësore atij Shteti.” [Neni 4].  Struktura e propozuar është po ashtu në shkelje të  Nenit 17 të Konventës së Trashëgimisë Botërore, që përcakton se roli i “fondacioneve” është për të “ftuar donacione”, dhe kurrsesi për qëllime drejtimi, menaxhimi apo administrimi. Dhe së fundi, struktura e propozuar është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare të cituara nga vetë autorët, sikurse u theksua më lart.

[Burimi: Plani i Menaxhimit të Integruar, 2020-2030, f. 96]

“Partneri strategjik”, kushdoqoftë ai, nuk kurrfarë tagri që të vihet në të njëjtin rang, nivel, apo të barazohet me një shtet sovran, sikurse tregojnë skemat e dhëna më lart. Po ashtu, nëse “shpojmë vellon korporative” të Fondacionit të Ri, del qartë se ky i fundit është fasadë, sajesë apo krijesë e Partnerit Strategjik. Ritheksojmë se Konventa e Trashëgimisë Botërore nuk njeh as Partnerë Strategjikë, dhe as “Fondacione të Reja”. Ajo njeh vetëm “Shtete Palë”.

Donacionet e AADF-së për Butrintin deri më 2012 kanë qenë në pajtim me Konventën e Parisit të v. 1972 dhe duhen përshëndetur.[21] Nuk mund të themi të njëjtën gjë për angazhimin e mëvonshëm të saj. Duke patur parasysh fondet e dhëna lumë nga AADF-ja për hartimin e Ligjit problematik të Trashëgimisë Kulturore dhe për hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar (2020-203), nuk mund të mos ngrihen pyetje të rëndësishme për konfikte të mundshme interesi institucional nga ana e AADF-së si rrjedhojë e prirjes apo këmbënguljes së çuditshme për vënien e Parkut Kombëtar të Butrintit nën menaxhimin apo administrimin e një fondacioni të huaj.

  1. Larg duart nga Butrinti

Asnjë zyrtar i lartë shtetëror në Republikën e Shqipërisë nuk ka tagrin të abdikojë detyrimet kushtetuese, si dhe ato që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, që i njohin “Shtetit Palë”, d.m.th. Republikës së Shqipërisë, detyrimin parësor dhe madje ekskluziv për rregullimin dhe administrimin e pasurive të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në territorin e vet. Po ashtu, çdo zyrtar i ndonjë Fondacioni të huaj që do të dëshironte të angazhohej në administrimin, drejtimin apo menaxhimin e Parkut të Butrintit do të gjindej në kushtet e tejkalimit të tagreve të veta [ultra vires] si dhe në kushtet e mospajtueshmërisë [non compatible] me Konventën e Parisit të v. 1972, pavarësisht nëse një ngërç i sajuar juridik [legal loophole] ia mundëson këtë gjë përkohësisht sipas ligjit shqiptar.

Sikurse pat thënë Z. Bernstein, “në qoftë se Butrinti ofron qasje të kollajshme [is easily reached], turistë nga vende të ndryshme do ta vizitonin atë për të admiruar vlerat artistike dhe historike të Butrintit”. Mirëpo drejtimi, menaxhimi apo administrimi mund dhe duhet të bëhet vetëm nga autoritetet shqiptare të ndihmuara, sipas rastit, “me donacione” nga fondacione “vendase” [national], në pajtueshmëri me Konventën e Parisit të v. 1972.  Si do të ndihej vallë z. Bernstein po të mësonte për planet e sotme për tjetërsimin e administrimit të Butrintit?

Kjo situatë e pakëndshme dhe e paqartë lidhur me Butrintin nuk mund të anashkalohet dhe as të injorohet më tej. Shqetësimi publik për Teatrin Kombëtar është gjë e mirë dhe i rrit vlerat e demokracisë së brendshme në Shqipëri. Ndër lëvizjet e shquara qytetare në periudhën post-komuniste kujtohet sidomos Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Mbetet për t’u parë nëse, mbështetur në këto përvoja, do të kemi përsëri një lëvizje qytetare, demokratike e gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore me vlera universale të Butrintit, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën e Parisit të v. 1972.

Ndofta u takon edhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrin një nismë të menjëhershme ligjore për abrogimin e neneve 171-173 të Ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.  Fundja, pse të mos ishte vetë deputetja Kumbaro nismëtare e këtij abrogimi? Errare humanum est. Përkundrazi, moskorigjimi i gabimit do të ishte diçka që zorr se mund të falej.

Si shtet 108 vjet i pavarur, është e pakuptueshme – dhe krejt e papranueshme – që Shqipëria t’u nënshtrohet politikave të panevojshme dhe të gabuara që cenojnë angazhimet ndërkombëtare dhe interesat jetike kombëtare në administrimin e pasurive të veta kulturore e natyrore. Edhe sikur të pranohen argumentet për “keqmenaxhimin” e Parkut Kombëtar të Butrintit, është e vështirë të besohet se vendi nuk paska individë profesionalisht të aftë, cilësisht të ndershëm, të ndërgjegjshëm e me ndjenja atdhetare që të mund të drejtojnë, administrojnë dhe menaxhojnë më së miri Parkun Kombëtar të Butrintit apo edhe të tjera, sipas objektivave, treguesve dhe parametrave më të përparuar botërorë.

Mbreti vdiq, rroftë Mbreti, është një shprehje e njohur frënge që përcjell idenë se individët vijnë e shkojnë, por institucionet mbeten.[22] Për analogji mund të argumentohet se, ndërsa ndërtesa e Teatrit Kombëtar tashmë u shemb, a nuk do të ishte me vend që Qeveria, Kuvendi, Akademia e Shkencave, por edhe qytetarët, të ruajnë dhe të mbrojnë Parkun Kombëtar të Butrintit në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Parisit të v, 1972, dhe pra, pa humbur kohë, të mbështesin dhe të ndërmarrin nismën ligjore për abrogimin e neneve 171-173 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë?

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar vdiq. Rroftë Teatri Antik i Butrintit.

 

© 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Lejohet riprodhimi, me kusht që të shënohet qartazi autori dhe të përmendet vendi i botimit fillestar.

Imazhi në ballinë: Edward Lear, 1812–1888, British, Butrinto, Albania, 1861, Oil on canvas, Yale Center for British Art, Gift of Donald C. Gallup, Yale BA 1934, PhD 1939.


[1] Konventa është një ndër më të hershmet ku ka aderuar Shqipëria. Ratifikimi është bërë me 7 tetor 1989. https://whc.unesco.org/en/statesparties/

[2] Ligj nr. 27/2018, Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, datë 17.5.2018, Fletorja Zyrtare, V. 2018/Nr. 86, 12 qershor 2018.

[3] Teksti i plotë i Nenit 172.1 është: “Administrimi i pasurive të trashëgimisë kulturore mund të kryhet edhe nga persona juridikë jofitimprurës, të bashkëthemeluar ndërmjet institucioneve shtetërore, të përfaqësuar nga ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, dhe personave fizikë ose juridikë privatë, vendas apo të huaj, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin civil në fuqi. Administrimi, sipas këtij neni, ka për qëllim mbrojtjen, ruajtjen, restaurimin, vlerësimin e pasurive kulturore dhe dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë, në mënyrë joshteruese, qoftë veç e veç.”

[4] Të vërehet gjuha veçanërisht e fuqishme e përdorur. Terminologjia në anglisht është “duty”, dhe jo “responsibility”, “obligation”, “requirement”, “commitment”, e të tjera.

[5]Teksti i Konventës tek:  https://whc.unesco.org/archive/convention-en.pdf

[6] Paragrafi 15 (k), “consider and encourage the establishment of national, public and private foundations or associations to facilitate donations for the protection of World Heritage;”

Udhëzimet Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, UNESCO, Intergovernmental Committee for the Protection of the World Cultural and Natural Heritage, World Heritage Center, www.unesco.org

[7] Deklarata e OKB-së është tek: https://tinyurl.com/y85j278g. Përkufizimi i popujve indigjenë është nga ILO, tek: https://tinyurl.com/yczadfws

[8] I nënshkruari ka respekt për Fondacionin në fjalë, njeh personalisht disa anëtarë të nderuar të Bordit, dhe ka diskutuar në të kaluarën me bashkëdrejtorët e tanishëm të Fondacionit në Tiranë mundësinë e mbështetjes së një projekti për gjurmimin dhe kthimin pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të bibliotekës së humbur të Faik Konicës sipas praktikës së Fondacioni në fjalë për financimin, transportimin dhe ekspozimin në atdhe të përkrenares dhe shpatës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

[9] https://www.aadf.org/project/legal-reform-in-cultural-heritage/      Shih edhe intervistën e z. Granoff me gazetarin I. Agolli, Zëri i Amerikës, 19 maj 2018.

 [10]“…result of the support that AADF provides for the sustainable development of cultural heritage sites and tourism in Albania”] https://www.aadf.org/project/legal-reform-in-cultural-heritage/]

[11] Shih njoftimin zyrtar në faqen e AADF-së, tek https://www.aadf.org/project/butrint-integrated-management-plan/. Teksti në shqip gjindet tek: https://tinyurl.com/yas46kq2

Duhet theksuar se projekti fillimisht do të kushtonte 150,000 dollarë, https://tinyurl.com/y7o4tkue  Mund të  ngrihet pyetje e logjikshme se çfarë mund të kishte bërë me këto fonde të konsiderueshme një ekip arkeologësh shqiptarë të Akademisë së Shkencave nëse do të angazhohej për hartimin e një Plani vendas të Menaxhimit të Integruar?

[12] Është domethënëse, dhe për të ardhur keq, që kompania e huaj që ka hartuar Planin e Menaxhimit të Integruar, nuk ka përfshirë ndër konsulentët e vet asnjë ekspert apo specialist shqiptar në fushën e arkeologjisë e historisë, si M. Korkuti, N. Ceka, A. Meksi, A. Baçe, E. Nallbani, Gj. Karaiskaj, P. Xhufi, M. Zeqo, L. Miraj, I. Gjipali, etj, apo nga vetë institucionet dikur nën Akademinë e Shkencave. Shih shënimin nr. 3 në faqen 13 të Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, 2020 – 2030.

[13] Termi është në shqip. Mund të hamendësojmë se është përkthyer nga origjinali “administration” ose “management”.

[14] Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, referuar më lart, f. 22.

[15] Po aty,  ff. 22-23.

[16] Po aty, f. 23.

[17] Stonehenge ka qenë pronësi private deri në 1916, kur iu dhurua shtetit anglez. Është administruar nga Ministria e Punës [Work Office].Më 1983 qeveria Thatcher transferoi koleksionin e trashëgimisë kombëtare tek Komisioni i Ndërtesave dhe Monumenteve Historike, i quajtur ndryshe English Heritage. Vetëm më 2011 English Heritage filloi të ketë sufiçit nga veprimtaria e vet. Më 2015 English Heritage u nda në dy pjesë: një organizëm administrativ bamirësie (charity) dhe në Historic England, një organizëm administrativ publik, që financohet nga Ministria e për Hapësirën Digjitale, Kulturën, Mediat dhe Sportet.  Shih për më shumë: https://www.english-heritage.org.uk/about-us/our-history/ dhe https://historicengland.org.uk/about/who-we-are/  Menaxhimi pra bëhet nga organizma administrative shtetërore me strukturë të larmishme juridike, sipas traditës së veçantë angleze, që vështirë se mund të shartohet me tradita, histori e ligje të ndryshme në një vend si Shqipëria.  Kulla e Londrës është në pronësi dhe menaxhimin e Historical Royal Palaces, një organizatë e pavarur bamirëse. https://www.hrp.org.uk/

[18] Pallati i Versajës qysh nga viti 1995 është nën pronësinë e një organizmi të veçantë publik me natyrë administrative të shtetit francez [establishment], që gëzon menaxhim të pavarur administrativ dhe financiar, por gjithnjë nën mbikqyrjen e Ministrisë franceze të Kulturës dhe Komunikimit. Megjithë hyrjet e siguruara nga biletashitja apo sponsorizimet e ndryshme, organizmi prapëseprapë përfiton subvencione të konsiderueshme nga shteti francez. http://en.chateauversailles.fr/public-establishment#our-mission

[19] Parku arkeologjik i Pompeit është një organizëm i decentralizuar i Ministrisë italiane të Kulturës, me njëfarë autonomie të posaçme. Nuk është në trajtë “fondacioni”. http://pompeiisites.org/en/archaeological-park-of-pompeii/about-us/

[20] Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, referuar më lart, f. 24.

[21] Shih njoftimin zyrtar të vizitës në Butrint të Ministrit të Kulturës A. Bumçi, dhe Ambasadorit A. Arvizu me 13 korrikut 2012; faqja historike e internetit e AADF-së, https://tinyurl.com/y9nrw5wx

[22] Albert Montefiore Hyamson – 1922, A Dictionary of English Phrases, Routledge, London, page 295.

 

 

 

 

2 Komente

  1. eshte i njejti rast me menaxhimin e Pazarit te Ri. Jo vetem qe AADF ka marre pjese aktivisht ne shpronesimin e paligjshem te disa familjeve atje, ne kundershtim me praktikat dhe normat me te mira te organizatave nderkombetare si Banka Boterore apo IMF per investimet ne vendet me probleme ligjore apo qe cenojne te drejtat e qytetareve (si konsultimet publike, respektimi i te drejtave te indigjeneve etj.), por AADF nuk ka asnje lloj transperence ne administrimin e ketyre pronave publike.

    Ne fakt, nje arsye e PPP-ve eshte pikerisht zhdukja e transparences se imponuar ne shoqerite demokratike me nje sere ligjesh, sikur eshte diskutuar disa here te Peizazhe.

    Duhet nje shkrim i vecante per keto bemat e AAEF (Albanian American Enterprise Fund), qe ka kete AADF) dhe mbrojtjen politike qe ndoshta gezon nga disa qarqe pro-business ne SHBA. AAEF eshte biznes jo-fitimprures (incorporated). Por nje tjeter rast interesant ishte ajo e shkolles se drejtoreve ne Tirane, duke e kthyer AADF defacto ne nje institucion rekrutimi per drejtuesit e shkollave — ne tejkalim te cdo kompetence kushtetuese e ligjore. Akoma nuk ka trasparence per kete lloj shkolle te cuditshme.

    AADF & AAEF historikisht ka punesuar disa eksponente te larte ne lidhje me qeverite (edhe te PD-se gjate qeverisjes se saj). Aktualisht punon ngushte me bashkine, se me Ramen ka marredhenie te cuditshme, ky i fundit nuk humbet rast te tregoje pakenaqesi ndaj tyre (ndoshta ndonje inat i vjeter). Vec kesaj, ka lidhje te ngushta me klientet e qeverise, si S. Mane, nepermjet investimeve te perbashketa ne disa biznese (p.sh. qendra komerciale TEG), ku kerkohet si legjitimet politik (nga SHBA), edhe mbeshtetje klienteliste-korruptive (Mane & Co.).

    Me duket e paqarte kjo ceshtja e incorporation, dmth. se cilat benefitet vilen ne Shqiperi (ndoshta TVSH?), se ne SHBA ka ulje apo heqje taksash etj. Por dikush duhet ta shohe si sfide profesionale te analizoje se sa e pajtueshme eshte veprimtaria e AADF dhe AAEF me statusin si shoqeri jo-fitimprurese ne dobi te interesit publik.

  2. Eshte alarmuese Nje gje e tille, e pakonceptueshme për cilindo prej nesh! Si mund të fyhemi kaq rëndë në inteligjencen më modeste me këto veprime makabër që nuk u bēnë dot as në periudhat më të errëta të historisë së shtetit APo ekzistences sonë si komb?! Dhe jemi ne vetë qe firmosim me doren tonë “ pushkatim të ardhmërise sonë”! Njerëzit duhet t’i mesojnë të gjitha këto, e kuptoj qe pak media mund Ta duan e ta bejne këtë gjë, Por dikush duhet të flase! Une jam e tmerruar me ato qe po I ndodhin historise sone, akademia boton fjalor për të zhdukur identitetin e gjuhës shqipe, gjurmët historike duan t’ua falin të tjerëve, ose I vetshkaterrojmë! Ku po shkojmë kështu? Vallë u shuan te gjithe njerëzit e ndershëm që e duan këtë Tokë të Shenjtë????

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin